Marotta rrëfehet në 360 gradë: Duam të fitojmë kampionatin, Champions-in dhe Kupën e Italisë

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, foli nga skena e “Il Foglio” në “San Siro”: “Unë e kam ndërtuar karrierën si drejtues duke vrapuar për të fituar. Ta bësh këtë si president është kurorëzim i karrierës”.
Çfarë ka ndryshuar me kalimin te Oaktree?Konceptet janë përdorur edhe më parë, përdoren edhe sot. Ndryshimi i madh është se më parë kishim një pikë reference te një person fizik, që ishte Zhang. Tani kemi një fond, i përbërë nga profesionistë: një ekip ekspertësh në fusha të ndryshme, me të cilët bashkëpunojmë sipas kompetencave të tyre. Dua të theksoj praninë e tyre të përditshme, të heshtur, por të qëndrueshme. Po ashtu, shumë e rëndësishme është ndarja e përgjegjësive, që për mua është një cilësi e domosdoshme për çdo kompani.
Ky Inter synon “pokerin” (4 trofe sezonalë)…Jemi të kënaqur që jemi në vendin e duhur në momentin e duhur, në çdo garë. Kjo ishte ajo që donim të arrinim dhe e kemi bërë. Pastaj kemi detyrimin ta provojmë. Dua ta theksoj: kemi fituar në Mynih, por nuk kemi fituar asgjë akoma. Çdo rezultat mund të përmbyset, duhet e njëjta vendosmëri si në çerekfinalen e parë të Champions-it. Tani kemi kthimin, ne jemi favoritët, ata jo. Sidoqoftë, duhet të kemi mendësinë e duhur. Nuk mund të harrojmë që të shtunën kemi një ndeshje të rëndësishme kundër Cagliarit. Nëse nuk funksionon lidhja mes trurit dhe këmbëve, rrezikon të mos jesh në nivelin e duhur. Në letër është e lehtë, në fushë jo. Duam t’ua ngulisim këtë lojtarëve, të dalin në fushë kundër Cagliarit siç dolën në Mynih.
Pra, mendohet edhe për Parmën…Në Itali nuk ka më ndeshje të lehta. Edhe ekipet e vogla të vënë në vështirësi. Shumë flasin për përballjet direkte, që janë të rëndësishme, por të gjitha ndeshjet janë të vështira. Shpesh, më të vështirat janë ato që duken të lehta. Janë 7 ndeshje të mbetura dhe nuk shikoj kalendarin. Duhet të përballemi me tri realitete; kampionat, Champions dhe Kupë, ndryshe nga skuadra si Napoli që na sfidon vetëm për kampionatin.
Në verë do luani në Botërorin për Klube…Është hera e parë, e shoh si krenari të madhe që përfaqësojmë Italinë, fryt i punës së viteve të fundit. Ishte e nevojshme një koeficient i lartë në renditje dhe e arritëm me meritë. Është një përvojë e re, mes dy sezoneve, me sfida organizative. Kampionati nis në 23/24 gusht. Me gjithë këtë ngarkesë, rritet presioni. Kemi mësuar që një skuadër me pak lojtarë nuk mjafton. Duhet më shumë harmoni mes ligave kombëtare, UEFA-s dhe FIFA-s. Për shembull, unë personalisht jam për uljen e ekipeve të Serie A nga 20 në 18. E kam thënë gjithmonë.
Skuadrat e vogla ndoshta s’janë dakord me këtë reduktim…Unë jam plotësisht pro. Skuadrat e vogla ndoshta duan të ruajnë formatin me 20 pjesëmarrës, por e them shpesh: nëse skuadrat e mëdha ecin mirë, ecën i gjithë futbolli italian. Fitoret sjellin më shumë të ardhura, që investohen në tregun vendas. Dhe për të pasur një bërthamë italianësh të fortë, duhet të kesh mundësi ekonomike për t’i blerë.
Për këtë shërben edhe ekipi i dytë…Jam shumë krenar. Eksperimenti te Juventusi nisi kur isha unë atje dhe solli fryte. Përveç aspektit ekonomik, ka edhe atë sportiv. Meqë duhet të kesh një skuadër më të madhe, ke një rezervuar lojtarësh nga e dyta. Është e domosdoshme, sepse sot kemi skuadrën e parë dhe U-19, por diferenca mes tyre është shumë e madhe, sidomos te klubet e mëdha.
Pra, Interi do të ketë një ekip të dytë?100%. Me kusht që të mund të përfshihet në kampionatin e Lega Pro. Do të luajmë me shumë gjasa në Monza dhe do të stërvitemi në Interello.
Qëllimi në merkato është ulja e moshës mesatare…Qëllimi është të jemi të qëndrueshëm financiarisht. Ky është modeli i ri, ndryshe nga ai i kohës sonë, kur presidentët shpenzonin për të fituar dhe më pas mendonin për bilancin. Sot askush s’mund ta bëjë më këtë. Dhe nuk është e vërtetë se kush shpenzon më shumë, fiton më shumë.
Disa thonë që po falimentoni…Fjalët si ‘falimentim’ janë të ndyra, që nuk ekzistojnë për ne. Thuhet shumë për ne. Me pak ironi, kjo është pjesë e kulturës së zilisë. Kush fiton, shpesh shoqërohet me këto gjëra. Ne kurrë nuk kemi rrezikuar falimentimin. Kemi ekspozim financiar, kemi një obligacion që e menaxhojmë mirë. Nuk kemi borxhe ndaj furnitorëve apo bankave, përndryshe s’do të na lejonin të regjistroheshim. Pagojmë detyrimet ndaj shtetit. Njerëzit ngatërrojnë vështirësitë e pronarëve me menaxhimin e klubit.
Thuhet që ke ndikuar te vendimi i Milanit për Paraticin…Kjo është një tjetër legjendë urbane milaneze. Nuk e di nëse ekziston ky ‘kalorës i bardhë’, një metaforë nga bota e financës. Si është e mundur që unë të ndikoj te pronari, presidenti apo CEO i Milanit? Janë njerëz kompetentë. Edhe nëse doja, çfarë mund të bëja? Personalisht, nëse Paratici do të bëhej drejtor sportiv i Milanit, do isha edhe më i nxehur, sepse do më motivonte edhe më shumë.
A do të vazhdoni me Inzaghin edhe pa trofe?Inzaghin patëm fatin që ta merrnim në momentin e duhur. Jo të gjithë e kujtojnë, por kur iku Conte nuk kishte shumë alternativa. Ai ishte gati të firmoste me Lazion, por për fat nuk e kishte bërë ende. Gjetëm një trajner të mirë, që është përmirësuar me vite. Nuk është vetëm i zoti në taktikë, por edhe në menaxhimin e njerëzve, çka sot është shumë e vështirë.
Në fund të sezonit do të jesh i kënaqur nëse…Edhe këtu, varet nga kultura. Jemi të pranishëm në të gjitha garat, në fazat finale. Ekonomikisht kemi përfituar shumë falë Champions-it. Gjithsesi, ambicia e një drejtuesi është të synojë gjithmonë më lart, nuk duam të jemi thjesht pjesëmarrës. Nëse të tjerët janë më të zotë, do t’iu përulemi. Megjithatë, ne duam të besojmë se mund t’i fitojmë kampionatin, Champions-in dhe Kupën e Italisë.