Ish-trajneri i Italisë, Roberto Mancini, gjatë intervistës së dhënë për “Gazzetta dello Sport”, ka folur mbi kontaktet që ka pasur këto muaj si i papunë, pas përfundimit të aventurës së tij në Arabinë Saudite.
Këto ishin fjalët e tij: “Propozime? Kam pasur të paktën dy në Itali dhe tri jashtë, një prej tyre nga Brazili (nga Botafogo). Sidoqoftë, vendosa të prisja, për të parë nëse do të kisha një mundësi në Itali”.
Pastaj Mancini flet konkretisht për zërat që e lidhën me Interin (si pasues i Simone Inzaghit) dhe me Juventusin: “Asnjëherë nuk kam folur me askënd nga Interi. Me Juventusin kam folur muaj më parë, por tani atje e kanë trajnerin. Tudor ka bërë mirë”.
Mbi Serie A, Mancini shtoi: “Napoli favorit? Varet se sa do të përforcohen të tjerët. Napoli do të tentojë ta mbrojë kurorën e titullit, sepse ka mundësi ekonomike për ta bërë. Do të niset i avantazhuar, besoj se po, por kujdes nga Juventusi. Rikthimi i Allegrit? Është i përgatitur, e njeh mirë Milanin dhe futbollin e nivelit të lartë. Do të bëjë mirë”.
Në mbyllje, për të ardhmen e tij: “Ku e shoh veten në shtator? Ndoshta shtatori është pak herët… Do të shohim, në këtë pikë mund të jetë më e lehtë jashtë Italisë. Një gjë është e sigurt: duhet të jetë një propozim që më bën të lumtur”.
Mancini zbulon prapaskenat: Kam folur me Juventusin, para Tudor. Asnjë kontakt me Interin
