Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kosovës kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin. Kandidatja e lëvizjes “Vetëvendosjes” për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, për të gjashtën herë nuk mori mbështetjen.
Për të votuan 54 deputete, 44 ishin kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për Haxhiun votuan 57 deputetë, por këtë të martë disa deputetë të LVV-së munguan në seancë.
Analisti Naim Rashiti në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderatorin Aleksandër Furxhi, tha se po dëshmohet se liderët nuk kanë vullnet për kompromis, bashkëqeverisje dhe dialog.
Ai renditi arsyet pse kandidaturën e Albulena Haxhiu po e kundërshtojnë kaq fort, duke çuar deri në mosformimin e qeverisë.
Për Rashitin, zgjedhjet e parakohshme nuk janë një opsion, pasi sipas tij ka disa mënyra tjera deri sa të arrijnë në këtë pikë.
Intervista e plotë:
Çfarë tregon kjo këmbëngulje dhe njëkohësisht dështim i Vetëvendosjes?
Rashiti: Është një situatë e parë në të kaluarën. Tani subjektet politike duhet ta dinë formulën. Por, po dëshmohet se liderët e kësaj periudhe janë edhe më të ngurtë se ata në të kaluarën dhe kanë shumë pak vullnet për kompromis, bashkëqeverisje dhe dialog.
Albulena Haxhiu është rrëzuar për herë të 6-të, njëkohësisht është deputetja grua më e votuar në këto zgjedhje. Pse e kundërshtojnë kaq fort pikërisht personin e saj deputetët apo nuk ka lidhje me personin e saj?
Rashiti: Jam i bindur që ka lidhje edhe me personin e saj. Por, janë edhe disa aspekte të tjera. Sistemi zgjedhor i Kosovës është sistem proporcional. Nuk lejon që partisë fituese t’i mundësojë numrat e mjaftueshëm për të bërë qeveri. Kryetari i Kuvendit duhet të jetë një figurë përfaqësuese sepse luan rolin edhe të ushtruesit të detyrës së Presidentit. Kryetari i Kuvendit ka menaxhuar mirë punën në Kuvend dhe marrëdhëniet brenda në Kuvend. Nga kjo pikëpamje, opozita kërkon një kandidat që është më i pranueshëm për një pjesë të deputetëve të opozitës. E dyta, kjo është vetëm një aspekt i mungesës së numrave të Vetëvendosjes. Procesi bllokohet në Kuvend që të mos vijë deri te formula dhe afati i vazhdimit të qeverisë. Dhe e treta, çdo herë forcimi i institucioneve është bërë përmes marrëveshjeve politike. Vetëvendosja nuk ka gjetur ende partner sa i përket bashkëqeverisjes.
Çfarë do të humbiste apo çfarë do të fitonte Vetëvendosje nëse tërhiqej nga kandidatura e Albulena Haxhiut?
Rashiti: Nëse do të vendoste disa emra, tre emra për shembull, do t’i kishin disa vota nga deputetët e opozitës. E dyta, përgjegjësia për të nominuar kandidatin jep edhe përgjegjësinë për formimin apo mosformimin e qeverisë. E treta, kjo tregon mosgatishmërinë për të bërë kompromise me partnerë të mundshëm politikë.
Sa gjasa ka që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja?
Rashiti: Duhet marrëveshje politike. Për çdo hap duhet dialog dhe marrëveshje. Do të ketë shumë opsione të tjera para se të shkohet në zgjedhje.
/vizionplus.tv