Kaosi te Marseille, flet De Zerbi: Kam zgjedhur të ekspozohem, asnjë kontakt me Milanin

Pavarësisht tensioneve pas humbjes së thellë kundër Reims, polemikave që pasuan dhe përplasjes së ashpër me skuadrën, Roberto De Zerbi qëndron i palëkundur dhe konfirmon se ka vepruar me vetëdije për zgjedhjet që nuk janë ndarë nga dhoma e zhveshjes.
“Sot jam shumë i lumtur që jam trajneri i Marseille, sepse më pëlqejnë sfidat dhe polemikat janë pjesë e lojës, – shpjegoi tekniku i klubit francez. – Kam kaluar një javë të vështirë, si gjithë të tjerët, por detyra ime është të nxjerr më të mirën nga lojtarët e mi”.
Pastaj ndalet edhe te “grumbullimi ndëshkues”, i vendosur pas përplasjes me skuadrën: “U stërvitëm në orën 5 të mëngjesit për tri ditë me radhë, nuk ishte një ndëshkim. E dija që këto gjëra do dilnin dhe ndoshta e di edhe kush i ka përhapur. Nëse doja ta shmangia këtë situatë, do të veproja në mënyrë më tradicionale, por zgjodha të ekspozohem, i vetëdijshëm për rrezikun që marr përsipër.
Do jem gjithmonë në krah të lojtarëve. Humbjet janë përgjegjësia ime, por nga ata kërkoj maksimumin. Të thuash që lojtarët janë kundër meje është thjesht e pavërtetë”.
Së fundmi, një koment mbi zërat e merkatos, që kohët e fundit e kanë lidhur me Milanin për sezonin e ardhshëm: “Milani? Nuk kam folur me askënd. Dua të qëndroj këtu”.