Interi në finalen e Champions-it, disa u larguan në rezultatin 2-3… Marotta: Inzaghi, arkitekti kryesor

Interi është zyrtarisht në finalen e Champions League, për herë të dytë brenda tri viteve. Zikaltërit siguruan biletën për aktin final të kompeticionit më prestigjioz europian, që do të luhet më 31 maj në Mynih, duke mposhtur Barcelonën 4-3 në një përballje epike. Një nga ato mbrëmje të paharrueshme të “San Siros”, plot me emocione, kthesa dhe dramë që zgjati 120 minuta. E megjithatë, nuk festuan të gjithë. Disa tifozë të Interit dolën nga stadiumi kur rezultati ishte 3-2 për Barcelonën, të bindur se gjithçka kishte përfunduar. Por pastaj erdhi Acerbi…
Inzaghi: Pak besonin tek neI rrezatueshëm nga gëzimi, trajneri Simone Inzaghi ndau emocionet e tij pas ndeshjes: “Jam shumë i lumtur. Ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme. Ëndrra ime ka qenë të bëhesha futbollist dhe e realizova, luajta në Serie A, madje edhe me kombëtaren së bashku me vëllanë tim. Nuk mund të kërkoja më shumë. Pastaj filloi rrugëtimi im si trajner dhe kam arritur këtu, por merita është e lojtarëve. Fillimisht te Lazio, tani tek Interi. Sot kemi bërë diçka të jashtëzakonshme. Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë, ndaj një kundërshtari të nivelit më të lartë. Pak na kishin parashikuar në këtë pikë, por ne i kemi dëgjuar të gjithë, pak ose shumë…”
Marotta: Inzaghi është arkitekti i kësaj skuadrePresidenti i Interit, Beppe Marotta, nuk i kurseu elozhet për trajnerin: “Simone Inzaghi është qendra e këtij modeli fitues, i mbështetur nga klubi dhe nga një pronësi e re, gjithmonë e pranishme, edhe pse në mënyrë të heshtur. Kjo është fitore kolektive, por arkitekti kryesor është pa dyshim trajneri”. Tashmë mbetet vetëm një detaj për t’u zgjidhur: rinovimi i kontratës së trajnerit. Do të ishte perfekte që të ndodhte para finales së Mynihut.