Guardiola, shumë i ashpër për konfliktin në Gaza: Radhën do ta kenë fëmijët tanë, kam frikë…

Pep Guardiola mbajti një fjalim shumë të komentuar, me ngarkesë të fortë politike, gjatë ceremonisë ku u shpall “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Mançesterit. Ky vlerësim iu dha si “njohje e kontributit të jashtëzakonshëm që ka dhënë për qytetin gjatë 9 viteve, brenda dhe jashtë fushës”.
Trajneri spanjoll foli në “Whitw worth Hall” mbi konfliktin izraelito-palestinez, duke thënë se “është e dhimbshme ajo që po shohim në Gaza. Më dhemb i gjithë trupi. Të jemi të qartë, nuk bëhet fjalë për ideologji. Nuk është se unë kam të drejtë dhe ti jo. Jooooo. Thjesht bëhet fjalë për të dashur jetën. Për t’u kujdesur për tjetrin”, – theksoi trajneri i Manchester City.
Guardiola shtoi: “Ndoshta mendojmë se mund të shohim fëmijë 4 apo 5-vjeçarë që vriten nga një bombë, ose në një spital që tashmë nuk është më spital, dhe të mendojmë se nuk është puna jonë.
Po, në rregull. Mund të mendojmë kështu, nuk është puna jonë…, por bëni kujdes. Herët a vonë do të na prekë edhe neve. Fëmijët e ardhshëm 4-5 vjeçarë do të jenë tanët. Kam shumë dhimbje kur çdo mëngjes shoh fëmijët e mi Maria, Marius dhe Valentina që kur nisi ky makth në Gaza. Dhe jam shumë i frikësuar… Ndoshta kjo pamje ju duket e largët nga jeta që kemi këtu. Ndoshta pyesni veten: çfarë mund të bëjmë?”
Guardiola përdori një fabul për të shprehur ndjenjat e tij rreth luftës në Rripin e Gazës: “Më vjen në mendje një histori. Një pyll është përfshirë nga flakët. Të gjitha kafshët janë të tmerruara, të pafuqishme. Një zog i vogël fluturon nga pylli deri në det e kthehet përsëri, duke mbajtur një pikë ujë në sqepin e tij të vogël. Një gjarpër e sheh dhe i thotë: Përse, o vëlla? Kurrë nuk do ta shuash zjarrin. Zogu i vogël i përgjigjet: E di që nuk do ta shuaj. Atëherë pse e bën pa pushim? – e pyet sërish gjarpri. Dhe zogu përgjigjet: Thjesht po bëj pjesën time. Ai e dinte që nuk do ta shuante zjarrin, por refuzoi të rrinte pa bërë asgjë.
Në një botë që na thotë shpesh se jemi shumë të vegjël për të bërë diferencën, kjo histori më kujton se fuqia e njërit nuk ka të bëjë me madhësinë, por me zgjedhjen. Kjo ka të bëjë me faktin që të paraqitesh, të mos pranosh të heshtësh ose të rrish duarkryq kur ka më shumë rëndësi”.
Në fjalën e tij, Guardiola gjithashtu theksoi: “Katalonja është shtëpia ime, por Manchesteri do të mbetet gjithmonë diçka unike për pjesën tjetër të jetës sime. Kam jetuar momentet më të bukura të jetës sime këtu. Madje po filloj ta dua shiun, ditët dhe netët e errëta. Tashmë janë pjesë e qenies sime, do të thoja”.