Flick, pasi triumfoi me përmbysje ndaj Real Madridit: Nuk ndihemi ende kampionë

Hansi Flick analizoi ndeshjen e La Liga-s ndaj Real Madridit, të luajtur dje në Montjuïc, ku skuadra e tij arriti fitoren 4-3, pas një përmbysjeje të shkëlqyer, pas dy golave të parë të Mbappé. Triumfi praktikisht ua jep titullin e La Liga-s katalanasve, të cilët shpresojnë ta certifikojnë të enjten në fushën e Espanyolit. Trajneri gjerman u shfaq i kënaqur, por nuk e konsideron ende kampionatin të fituar dhe u shpreh kritik ndaj skuadrës së tij, e cila duhet të përmirësohet në mbrojtje.
Ndeshja – “Për tifozët dhe lojtarët ishte fantastike. Real Madridi ka një skuadër të madhe, por ne arritëm të përmbysnim disavantazhin 2-0. Pas ndeshjes në Milano me 120 minuta lojë, nuk ishte aspak e lehtë”.
Përmbysja – “Është e lehtë të thuash: nëse shënon 4 gola, në rregull, por nëse të shënojnë 3 gola, atëherë ka problem. Duhet të përmirësohemi shumë në mbrojtje. Kur ushtrojmë presion, gjithçka shkon mirë, por nëse bëjmë gabime, sidomos si te goli i parë, atëherë vështirësohet. Skuadra merr vendime shumë të mira kolektive. Nuk është justifikim, por nuk është e lehtë t’i korrigjosh këto gjëra në stërvitje, kur luan çdo tri ditë. Po mendojmë tashmë se si të përmirësohemi”.
Qëndrimi – “Jam gjithmonë pozitiv. Nuk ishte e lehtë, por skuadra gjeti forca për ta përmbysur disavantazhin dhe kjo është fantastike”.
Skuadra – “Menaxhimi i gjithë grupit nuk është i lehtë, por kjo skuadër ka një shpirt fantastik. Lojtarëve të mi iu pëlqen të luajnë, të stërviten, të konkurrojnë… Dhe kur shfaqin intensitet në stërvitje, në ndeshje është më e lehtë”.
Vendimet – “Kemi një staf fantastik pranë lojtarëve. Nëse dëshiron dikë që të luajë me stilin e Barçës, duhet të marrësh vendime të mira. Sot kemi pasur kontribute të mira nga stoli dhe kështu duhet të funksionojmë”.
Lewandowski dhe Ferran Torres – “Ferran luajti shumë mirë. Lewandowski sapo kthehet nga dëmtimi, është gjë e mirë që pjesa tjetër e ekipit ndodhet në nivel të mirë”.
Kampionë të La Liga-s: “A ndihemi kampionë? Jo. Do të ishte bukur të fitonim tre tituj, na mjafton vetëm një fitore. Sidoqoftë, ky është futbolli. Jemi në pozicion të mirë, por kurrë nuk dihet çfarë do të ndodhë. Na mungojnë edhe tri pikë, por të gjithë rivalët duan të na mundin”.
E tashmja dhe e ardhmja – “Kur arrin si trajner në një skuadër të re, ke objektiva. Dhe kur punon në një klub si Barça, që është mësuar të fitojë, atëherë fitorja është objektivi i të gjithëve. Ky udhëtim nuk ka përfunduar. Duhet të përmirësohemi në mbrojtje. Duhet të jemi më të qëndrueshëm. Real Madridi ka lojtarë shumë të mirë, që dinë si të të sulmojnë, ndaj nuk është e lehtë të mbrohesh. Bëjmë gabime dhe duhet të përmirësohemi. Nuk është e lehtë të stërvitesh dhe të mësosh me kaq shumë ndeshje. Dua ta festoj këtë fitore, jam shumë i lumtur. Duhet të vazhdojmë të punojmë. Atmosfera është e pabesueshme”.
Nervozizmi në stol – “Nuk e di nëse fjala është nervozizëm. Kishte shumë emocione rreth meje. Shumë gjëra ndodhën, penalltia dhe aksione të tjera. Fituam, mjaftojnë tri pikët, këtë donim sot. Të përmbysësh ndaj Real Madridit, pas dy golave të pësuar, është e pabesueshme. Të gjithë tifozët janë të lumtur”.
Real Madridi – “Ata mund të kishin shënuar, por nuk e bënë. Nuk është e lehtë. E di që duhet të përmirësohemi, duam ta bëjmë këtë për sezonin e ardhshëm”.
Argëtimi në lojë – “Paraqitja nuk është gjithmonë aq argëtuese, por jam shumë i kënaqur me atë që bëjmë. Në futboll bëhen gabime, shpresoj që të përmirësohemi. Gjithmonë duam të përmirësohemi pas çdo ndeshje. Kemi shumë potencial”.
Lamine Yamal – “Po bën shumë mirë. Ka besim në vete. Përveç kësaj, është shumë i zgjuar. Për mua është e rëndësishme që pas ndeshjeve të shikojnë përpara. Ai e bën këtë. Goli i tij ishte shumë i rëndësishëm. Edhe pse vetëm 17 vjeç, Yamal ka cilësi të pabesueshme”.
Ferran Torres – “Po bën shumë mirë, prandaj luan. U rikthye nga një dëmtim, ndaj Real Madridit ishte shumë e rëndësishme ta kishim në formë të plotë. Ushtron presion shumë mirë, gjithashtu dha asistime. Është përmirësuar shumë duke luajtur si sulmues qendror. Kjo na shërben shumë”.
Cubarsí – “Është mirë. Në pushim na kërkoi të luante edhe 15 minuta të tjera, pastaj e zëvendësova”.