Adriatik BALLA
Napoli e fitoi titullin të premten pasdite pas fitores së fundit në kampionatin italian, duke mbetur në kryesim i pari me një pikë më shumë se Interi që e mbylli në vend të dytë. Por ndërsa rrugët e Napolit gëlonin nga festa dhe numri i madh i njerëzve që brohorisnin fitoren e titullit kampion, brenda klubit tensioni është i lartë dhe raportet mes trajnerit dhe presidentit janë të ndezura e jo fort premtuese. Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, bëri një shaka në lidhje me raportimet se Antonio Konte mund të largohet për te Juventusi: “Gjithçka që mund të bëjmë është të kujdesemi për ty.” Trajneri fitoi “Scudetton”, në Serie A italiane në sezonin e tij të parë në “Stadio Diego Armando Maradona”, duke ia marrë titullin Inter-it me vetëm një pikë më shumë në renditje. Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi, tensioni mes Kontes dhe presidentit De Laurentis ka qenë i dukshëm për muaj të tërë, dhe e ardhmja e tij në klub mbetet shumë e pasigurt.
Gjatë festimeve për titullin në Ischia mbrëmjen e kaluar, De Laurentis iu referua zërave për një kalim të mundshëm te rivalët historikë. “Je i madh, shef. S’po shkon te Juve, apo jo?” Sipas gazetës “Repubblica”, Konte qeshi pas kësaj, por nuk dha asnjë përgjigje. “Të shijojmë festën,” shtoi De Laurentis. “Antonio, gjithçka që mund të bëjmë është të kujdesemi për ty, asgjë më shumë.” Presidenti ka dhënë disa herë sinjale në intervistat pas “Scudetos” se vendimi i fundit i takon Kontes, dhe se ai nuk është i gatshëm të luftojë shumë për ta bindur trajnerin të qëndrojë. “Në një dasmë, askush nuk pyet nëse burri apo gruaja do të tradhtojë,” tha De Laurentiis për TG1. Thjesht shpresojnë që pala tjetër të jetë e respektueshme dhe të qëndrojë në marrëveshjen e bërë. Mendoj se dikush duhet të jetë i lumtur në ambientin e tij, dhe nëse nuk është dhe atmosfera ndikohet prej kësaj, atëherë duhet të ndryshojë vend.
Kjo ndodhi me Luçiano Spaletin. Me Konten kemi respekt të ndërsjellë, profesionalizëm të madh, dhe unë e falënderoj për këtë, sepse është ajo që na ka munguar për dy vite”, theksoi ai. Juventusi nuk është e vetmja alternativë për Konten. Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, e ka vendosur trajnerin italian në krye të listës së dëshirave për verën. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Napoli po përgatitet gjithashtu për një epokë pas Konte, duke propozuar një kontratë dyvjeçare për Masimiliano Alegrin me një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon, plus bonuse të lidhura me performancën.
De Laurentis “thumbon” Konten pasi fitoi titullin: Nuk po shkoni te Juventusi?!
