Year: 2025

  • Pollo: Përballë kemi një ushtri mercenarësh! Shpresa e vetme për ndryshim, opozita!

    Pollo: Përballë kemi një ushtri mercenarësh! Shpresa e vetme për ndryshim, opozita!

    Pollo: Përballë kemi një ushtri mercenarësh! Shpresa e vetme për ndryshim, opozita!
    Ish-ministri Genc Pollo, gjatë fjalës së tij në përvjetorin e themelimit të PD tha se, beteja për liri vazhdon edhe sot, 35 vite pas rënies së komunizmit. Ai deklaroi se demokratët gjenden përballë një “ushtrie të disiplinuar, madje një ushtrie mercenarësh”, duke iu referuar kundërshtarëve politikë. Sipas tij, Partia Demokratike është e mbushur me qendrestarë dhe idealistë, dhe ka si mision t’u kthejë lirinë shqiptarëve, duke qenë gati të paguajë çdo çmim për këtë qëllim.
    Në fjalën e tij, Genc Pollo, bëri një pasqyrë të 35 viteve të historisë së partisë, duke theksuar vendimet me ndikim në jetën e qytetarëve. Ai përmendi arritje si pranimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në NATO dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Pollo veçoi si një nga vendimet më themelore të qeverisjes së parë demokratike rikthimin e dinjitetit të njeriut përmes pronës private, duke i bërë shqiptarët pronarë të apartamenteve dhe tokave të tyre.
    Fjala e plotë
    Mbrëma zonja e zotërinj, të dashur miq, zoti Berisha kryetari i Partisë Demokratike. Janë 35 vjet, nuk janë pak në historinë e një kombi. Dhe vendimet e mëdha, vendimet e rëndësishme, vendimet me peshë dhe me ndikim në jetën e njerëzve, që mund të merren gjatë asaj kohe, janë ato që mbahen mend. Dhe ky është momenti për t’i kujtuar, jo thjesht për të thënë, siç kemi bërë shpesh herë, pothuajse 35 herë në fjalime të ngjashme me këtë ditë çdo vit, heroizmin, sfidën e ditëve të dhjetorit, themelimin e partisë, zgjerimin e saj në të gjitha kohët. Por në 35 vjet, për sa kohë ka qenë në pushtet, edhe në kohën që ka bërë opozitë, po heqim pushtet ku merr vendime. Janë gjëra që vërtetë kanë lënë shenjë dhe kujtohen. Dhe ne ndoshta nga psikika e trysnuar nga regjimi, nga izolimi i regjimit komunist, do rreshtonim pranimin në Këshillin e Evropës në qeverinë e parë, pranimin në NATO në qeverinë e dytë. Ë, edhe dy gjëra të tjera në këtë drejtim që harrohen, që dy marrëveshje themelore me Bashkimin Europian, ajo e 92-shit, Bashkimi, marrëveshja për bashkëpunim dhe tjetra që është në fuqi akoma, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, po nga Partia Demokratike në pushtet. Është negociuar dhe është nënshkruar.
    Por ne matemi me marrëdhëniet me jashtë pikërisht sepse është ai shtrembërimi paksa i regjimit komunist edhe marrëdhëniet me botën janë të rëndësishme, siç e tregojnë dhe fotografitë e shpeshta aty. Por unë do thoja një vendim nga të parët, i cili përbën edhe thelbin e atij frymëzimi politik që u shndërrua në një program, që u shndërrua pastaj në legjislacion, që ishte rikthimi i dinjitetit të njeriut dhe rikthimi i lirisë, dhe jo si koncepte abstrakte, por që të jetë qytetar i vendit të vet, duhet të jetë edhe pronar në diçka. Sepse ashtu siç ishte katandisur në fund të regjimit komunist, shqiptarët ishin bërë jabanxhinj në tokën e tyre. Dhe u kujtoi një element, në vitin e parë, në 92-shin më duket, me dekret presidencial, shqiptarët u bënë pronarë të apartamenteve. Hera e parë që gëzoni diçka të tyre. Hera e parë që mund ta mbanin dhe të thoshin, kam çfarë t’i lë fëmijëve, ose mund ta shisnin, ose mund ta jepnin me qira, ose të bënin diçka. Por u bënë për herë të parë pronarë, sot janë pronarë dhe të gjërave të tjera.
    Por jo, ishte një moment çlirimi që nuk është vlerësuar dhe nuk është kujtuar, mendoj unë, aq sa duhet dhe aq sa e meriton. Dhe ka qenë një ndër gjërat e para, themelore, me impakt në jetën e shumicës së shqiptarëve. Dhe të më falin dhe ish-pronarët, një korrespondent me të, është edhe ligji 7501 që i bëri fshatarët me tokë, pavarësisht nga problemet që ai sjell. Dhe në këtë gjurmë janë shumë e shumë arritje të tjera që i dhanë mundësinë që në një ekonomi tregu, që si qytetarë me të drejta, të zhvillonin jetën e tyre apo duke marrë frazën nga etërit themelues të Amerikës, të ndiqnin të lirë lumturinë. Dhe kjo besoj që është nga meritat kryesore të të dyja qeverisjeve të Partisë Demokratike, si të asaj të viteve ’90, por edhe të periudhës 2005-2013. Dhe sot jemi para sfidave të tjera, jo vetëm të drejtat e njeriut janë shpesh të shkelura dhe në përgjithësi të ngushtuara. Edhe të drejtat ekonomike në një situatë ku konkurrenca nuk vepron dhe xhepi i konsumatorit vuan nga kjo, janë një nga sfidat që, një nga problemet, një nga vështirësitë që nuk përmenden aq shumë, por që gjithkush i ndjen në xhepin e vet apo në cilësinë e mallit apo të shërbimit që vuan. Dhe ne përqendrohemi në gjëra të tjera dhe me të drejtë.
    Përqendrohemi në skandalet e mëdha. Dhe më leni të kujtoj që shpeshherë themi pa precedent. Ajo që ndodh me mosdorëheqjen, me mos-shkarkimin e Ballukut, është një skandal i jashtëzakonshëm që s’ka ndodhur ndonjëherë përpara. Kanë ndodhur skandale, kanë ndodhur skandale me Ramën të jashtëzakonshme, kanë ndodhur probleme edhe më parë. Por skandale mund të ndodhin. Ajo që i dallon njerëzit, qytetarët, është mënyra si reagojnë ndaj tyre. Prandaj, ashtu si thoja dikur, që ata qytetarë që protestonin te bashkia çdo të premte, ishin pjesa e mirë, më e mirë e qytetit të Tiranës. Unë insistoj për ata që mblidhen çdo të hënë bashkë me mua apo dhe të tjerët që pavarësisht nga Partia Demokratike me 10 veta apo me 15 veta, janë pjesa më e ndërgjegjshme e këtij vendi. Të ndjekur nga ata që duan të njëjtën gjë, por e shikojnë tubimin nga televizionet apo nga celularët e tyre. Dhe prandaj, zonja e zotërinj, është rast për t’i thënë që në qoftë se ka një shpresë në këtë vend, në një situatë jo të lehtë, të brendshme dhe të jashtme, kjo shpresë nuk mund të jetë në shumë vende.
    Kjo shpresë është e opozita. Kjo shpresë është e Partia Demokratike. Dhe kjo shpresë është e ajo masë qytetarësh që e duan ndryshimin por që duan të bëhen më të ngrohtë, më shpresëtarë, më të bindur që ky ndryshim është i mundur. Dhe ne të gjithë besojmë dhe të gjithë duam që kjo të ndodhi dhe për këtë duhen përpjekje, por në radhë të parë nga Partia Demokratike. Dhe përpjekja si rregull shoqërohet me sakrifica. Dhe sa më lart të jesh në hierarki, proporcionalisht më e lartë është dhe sakrifica. Prandaj, është rasti ta themi që jo vetëm besimi nuk duhet humbur, por dhe përpjekja duhet shtuar, sepse ndryshimi mund të vonojë, mund të mos vonojë, por sado vonojë, varet nga vullneti ynë dhe nga përpjekja jonë. Ju faleminderit dhe me suksese dhe fitore të ardhme.

  • Uji në shishe, rreziqet që nuk i dini

    Uji në shishe, rreziqet që nuk i dini

    Mosbesimi ndaj ujit të rubinetit ka bërë që uji i ambalazhuar të kthehet në një produkt global, edhe në vende ku furnizimet publike janë ndër më të kontrolluarat. Marketingu e paraqet si më të pastër dhe më të shëndetshëm, por provat shkencore tregojnë se kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.
    Studime të viteve të fundit kanë zbuluar se uji në shishe shpesh përmban baktere, mikroplastikë dhe kimikate që rrjedhin nga vetë plastika. Një studim i vitit 2025 gjeti nivele të larta ndotjeje bakteriale në bidonë të rimbushshëm dhe shishe plastike. Në shumë vende, uji i rubinetit kontrollohet më rreptë se ai i shisheve: furnizimet publike testohen çdo ditë për baktere, metale të rënda dhe pesticide, ndërsa prodhuesit e ujit në shishe testohen më rrallë dhe nuk detyrohen të publikojnë të dhëna të detajuara.
    Kërkimet kanë zbuluar se disa produkte të ujit në shishe përmbajnë dhjetëra mijëra grimca mikroplastike për litër. Këto grimca lidhen me inflamacion, çrregullime hormonale dhe akumulim të mundshëm në organe.

    Plastika e shisheve mund të lëshojë substanca si antimon, ftalate dhe bisfenole (BPS, BPF), veçanërisht kur ekspozohet ndaj nxehtësisë. Këto komponime mund të veprojnë si disruptorë endokrinë, të lidhur me probleme të fertilitetit dhe metabolizmit. Edhe pse nivelet në shishe janë të ulëta, shkencëtarët shqetësohen për efektet e ekspozimit të vazhdueshëm.
    Uji i ambalazhuar nuk është steril. Pasi hapet, mikroorganizmat shumohen shpejt, sidomos në shishe të harruara në makina të ngrohta. Ripërdorimi i shisheve njëpërdorimshe shton edhe më shumë rrezikun bakterial.
    Nga ana tjetër, uji i rubinetit shpesh përmban minerale të dobishme dhe në disa vende edhe fluor për parandalimin e kariesit. Fëmijët që pijnë kryesisht ujë në shishe raportojnë norma më të larta të prishjes së dhëmbëve.
    Nga ana mjedisore, ndikimi është i madh: blihen rreth një milion shishe plastike çdo minutë. Prodhimi i një litri uji të ambalazhuar kërkon deri në 2000 herë më shumë energji se furnizimi i një litri uji të rubinetit dhe gjeneron rreth 80 gramë CO₂.
    Në një botë ku ndryshimet klimatike, ndotja dhe rritja e popullsisë po rrisin presionin mbi burimet ujore, zgjidhjet alternative po bëhen thelbësore. Pajisje të decentralizuara si Solar2Water, që prodhon ujë të pijshëm nga ajri duke përdorur energji diellore, mund të ulin varësinë nga plastika dhe të përmirësojnë aksesin në ujë të sigurt.
    Uji në shishe mbetet i domosdoshëm në emergjenca, por në shumicën e vendeve të zhvilluara nuk është më i sigurt se uji i rubinetit. Në një periudhë ndryshimesh të mëdha, dallimi real midis këtyre dy burimeve është më i rëndësishëm se kurrë.

  • Planin i paqes, Zelensky: Ekziston mundësia e një referendumi për çështjet territoriale

    Planin i paqes, Zelensky: Ekziston mundësia e një referendumi për çështjet territoriale

    Volodymyr Zelensky përmendi mundësinë që çështja e kontrollit territorial në Ukrainën lindore të hidhet në referendum, ndërsa Kievi përballet me presion gjithnjë e më të madh për të pranuar kushtet e një plani paqeje që po formësohet për t’i dhënë fund luftës.
    Sipas Bloomberg, Moska insistion që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga Donbasi lindor, i cili përfshin zona të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, territore që ushtria ruse nuk ka arritur t’i pushtojë gjatë pothuajse katër viteve të pushtimit.
    Presidenti ukrainas ka marrë pjesë në bisedimet që lidhen me propozimin më të fundit të paqes të Donald Trump, por ai mban qëndrimin e pandryshuar se Ukraina nuk do të marrë në konsideratë dorëzimin e territoreve ndaj Kremlinit.

    “Rusët duan gjithë Donbasin, ne nuk e pranojmë këtë,” u shpreh Zelensky para gazetarëve në Kiev të enjten. “Besoj se populli ukrainas do t’i përgjigjet këtij pyetjeje. Qoftë përmes zgjedhjeve apo një referendumi, populli duhet të ketë fjalën e tij.”
    Territoret ukrainase janë në qendër të negociatave mes Uashingtonit, Kievit dhe Moskës, teksa palët përpiqen të hartojnë një marrëveshje të mundshme paqeje. Zelensky tha se SHBA ka diskutuar mbi mundësinë që zona të shpallet si “zonë e lirë ekonomike”, ndërsa Rusia propozon krijimin e një “zone të demilitarizuar”.
    “Amerikanët po kërkojnë formatin e duhur,” u shpreh ai. “Le të shohim si do të zhvillohen gjërat. Besoj se shumë do të varen nga ushtria jonë.”
    Aleatët e Ukrainës pritet të shqyrtojnë versionin më të ri të planit të paqes të enjten, pas bisedimeve që zhvilluan një ditë më parë liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe me Trump.
    Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se është “relativisht optimist” për progresin që mund të arrihet deri në fundjavë, teksa palët synojnë të arrijnë një konsensus mbi kushtet.
    “Mbi të gjitha, bëhet fjalë për koncesionet territoriale që Ukraina është e gatshme të bëjë, por kjo është një çështje që duhet ta vendosin presidenti ukrainas dhe populli ukrainas,” tha Merz në Berlin pas takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. “Këtë ia bëmë të qartë presidentit Trump.”
    Zelensky shtoi se Kievi i ka paraqitur SHBA-së një version të përditësuar të planit të paqes. Përveç planit me 20 pika, korniza e marrëveshjes do të përfshijë garanci sigurie dhe një marrëveshje për rindërtimin e Ukrainës, theksoi ai.

  • Orban: Donald Trump ka një vizion të qartë për rënien e Evropës

    Orban: Donald Trump ka një vizion të qartë për rënien e Evropës

    Kryeministri hungarez Viktor Orban, ka shprehur edhe një herë dakordësinë e tij me homologun amerikan Donald Trump, duke vënë në dukje se strategjia e re e sigurisë kombëtare e administratës amerikane tregon se Shtetet e Bashkuara e kuptojnë “rënien e shkallës kulturore” të Evropës.
    Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë publikoi tekstin, i cili deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të rishqyrtojnë marrëdhënien e tyre me Evropën dhe se kontinenti po përballet me “zhdukje kulturore” dhe duhet të ndryshojë kursin.
    Edhe pse teksti ka provokuar reagime në Evropë, Orban, i cili është gjithashtu një aleat i hershëm i Donald Trump, e përshkroi atë si “më të rëndësishmin dhe interesantin në vitet e fundit”. Uashingtoni, argumentoi ai, ka kuptuar se Evropa ka arritur në një “ngërç ekonomik” dhe se vlerat e saj, demokracia dhe tregu i lirë janë të gjitha në rrezik.

    Sipas Orban, qeveria amerikane e kupton që Evropa duhet të rindërtojë marrëdhënien e saj me Rusinë “në një nivel strategjik”. Ai mban lidhje të ngushta me Moskën, pavarësisht pushtimit të Ukrainës.
    “Amerika ka një pamje të saktë dhe të qartë të rënies së Evropës. Ata e shohin rënien në një shkallë kulturore, kundër së cilës ne në Hungari kemi luftuar për pesëmbëdhjetë vjet. Më në fund, ne nuk po luftojmë vetëm”, ​​tha Orbán.
    Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i dhanë Hungarisë një përjashtim njëvjeçar nga sanksionet e SHBA-së për përdorimin e naftës dhe gazit rus, pasi Orban mbrojti kërkesën e tij për një përjashtim gjatë një takimi miqësor me Trump në Uashington.

  • ‘Arkitektët’ e Inteligjencës Artificiale shpallen ‘Personazhi i Vitit’ nga Revista Time

    ‘Arkitektët’ e Inteligjencës Artificiale shpallen ‘Personazhi i Vitit’ nga Revista Time

    Revista prestigjioze Time ka zgjedhur “Arkitektët e Inteligjencës Artificiale” si Personazhin e Vitit 2025, duke theksuar ndikimin e jashtëzakonshëm që teknologjia ka në jetën e përditshme.

    Personazhi i Vitit i revistës Time për vitin 2025 nuk është një person i vetëm.
    Shefi i Nvidia-s, Jensen Huang, kreu i Meta-s, Mark Zuckerberg, pronari i X, Elon Musk, dhe “nëna e inteligjencës artificiale” Fei-Fei Li janë ndër liderët e teknologjisë që paraqiten në njërën nga dy kopertinat e revistës.
    Kjo vjen në kohën e një përparësie me ritëm të shpejtë në teknologji, i nisur nga lançimi i ChatGPT nga OpenAI në fund të vitit 2022.
    Shefi i OpenAI, Sam Altman, tha në shtator se chatbot-i përdoret nga rreth 800 milionë njerëz çdo javë.Firmat e mëdha të teknologjisë po investojnë miliarda dollarë në inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën që qëndron pas saj, në një përpjekje për të qëndruar përpara rivalëve.
    Këtë vit ka dy kopertina, njëra një vepër arti që përshkruan shkronjat e Inteligjencës Artificiale të rrethuara nga ‘arkitektët’, dhe një tjetër pikturë e fokusuar në vetë liderët e teknologjisë.
    Kryeredaktori i revistës, Sam Jacobs, tha se “askush” nuk pati një ndikim aq të madh në vitin 2025 sa “individët që imagjinuan, projektuan dhe ndërtuan inteligjencën artificiale”.
    Analistët thonë se viti 2025 mund të shihet si një “pikë kthese” për sa i përket  përdorimit të inteligjencës artificiale në jetën tonë të përditshme.
    Disa njerëz tani zgjedhin chatbot-et në vend të motorëve të kërkimit dhe mediave sociale për të planifikuar festat , për të gjetur dhurata për Krishtlindje apo për të zbuluar receta.

    Top Channel

  • Një mashtrim qeveritar/ Air Albania shet bileta me licencë të pezulluar

    Një mashtrim qeveritar/ Air Albania shet bileta me licencë të pezulluar

    Mijëra qytetarë shqiptar po ekspozohen përballë një mashtrimi potencialisht të madh, teksa kompania Air Albania vazhdon të shesë bileta fluturimesh, ndonëse është zyrtarisht me licencë të pezulluar.

    Një ditë më parë Kapitali publikoi lajmin e pezullimit të licencës, i cili ndonëse është vendosur zyrtarisht nga Autoriteti i Aviacionit Civil që në fillim të këtij muaji, nuk është njoftuar publikisht. Por për shkak se kompania po vazhdon të shesë bileta, duke ekspozuar potencialisht mijëra qytetarë shqiptarë përballë një mashtrimi të madh, sot Kapitali publikon dokumentin zyrtar të pezullimit.

    Për të mos dekonspiruar burimin, dokumenti nuk publikohet i plotë, por ai dëshmon qartë se kompanisë i është pezulluar licenca. Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë sanksionon tekstualisht se në momentin e pezullimit të liçencës së operimit një kompani ajrore është e detyruar të ndërpresë automatikisht shitjen e biletave.

    Gjasat që Air Albania të rimarrë licencën e saj janë thuajse inekzistente. Kapitali publikon një dokument që dëshmon se dega e Turkish Airlines në Kosovë, kompania aksionare e Air Albanias, e ka ndërprerë shitjen e biletave për fluturimet e operuara nga Air Albania.

    Përmes një njoftimi zyrtar, Turkish në Kosovë ka vënë në dijeni të gjitha agjencitë e udhëtimeve se nuk do të shesë më asnjë biletë për fluturimet e Air Albanias, pas pezullimit të liçencës së saj.

    “Për shkak të situatës së krijuar me fluturimet e Air Albania, kompania jonë është e detyruar t’i ndërpresë shitjet në sistem për fluturimet e operuara nga Air Albania”, thuhet në njoftimin që Turkish ka shpërndarë në Kosovë.

    Por ndërsa Turkish e ka ndërprerë shitjen e biletave, Air Albania po vazhdon të shesë bileta sikur nuk ka ndodhur asgjë. Akti bëhet edhe më i rëndë nga fakti se ky është një mashtrim potencial me bashkëautor shtetin. Kjo pasi shteti është aksioner me 10 për qind në kompaninë Air Albania, përmes Albkontrollit.

    Teksa Air Albania vazhdon aventurat e saj, duke tërhequr edhe shtetin brenda, mijëra qytetarë mund të bien pre e një mashtrimi qeveritar, nëse vazhdojnë të rezervojnë fluturime me Air Albanian. Ndërkohë që asnjë institucion nuk i del zot situatës, për të mbrojtur qytetarët./KAPITALI

  • Berisha: Ata që shpallën ‘non grata’ Sali Berishën sot janë ‘non grata’ në vendin e tyre. Pas Lubisë, radhën e ka Rama

    Berisha: Ata që shpallën ‘non grata’ Sali Berishën sot janë ‘non grata’ në vendin e tyre. Pas Lubisë, radhën e ka Rama

    Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se, ata që e shpallën ‘non grata’, sot janë ‘non grata’ në vendin e tyre dhe këtë mesazh e kishte për ish-sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.

    Berisha paralajmëroi dhe Edi Ramën, duke iu drejtuar nga selia blu, se pas Lubi Ballukut, radha është e tij për tu përballur me vjedhjet dhe korrupsion që ka bërë.

    Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

    Vitet e fundit kanë qenë ndër më të vështirat që ka kaluar forca jonë politike. Siç thashë dhe më parë.

    Asnjë opozitë tjetër nuk do kishte mbijetuar dot sulmeve të padrejta që na u bënë. Nga këto sulme, ditëlindjet që forca jonë politike ka festuar vitet e fundit, kanë qenë në kushte të vështira.

    Disa herë, e keni festuar 11 dhjetorin pa simbolet e partisë. Një herë tjetër në kushte që po arrestohej kryetari i saj. Por pas këtyre viteve të vështira, më duhet të them se para nesh, ky përvjetor i themelimit të Partisë Demokratike është më i veçanti i 4 viteve të fundit për çdo demokrat, sepse ajo që ne kemi arritur është shumë dhe nuk është pak.

    Le të marrim ku jemi sot dhe ku ishim vitet e fundit. Në mënyrën më kriminale, na kishin grabitur simbolet e partisë.

    Sot flamuri ynë është më sovran se kurrë. Dhe Partia Demokratike është e demokratëve.

    Na kishin izoluar padrejtësisht me anë të lobingjeve korruptive të mafies ndërkombëtare.

    Sot, lideri juaj është zëvendëspresident i organizatës më të madhe ndërkombëtare të partive të djathtë, të djathta dhe qendrës së djathtë.

    Deri para një viti asnjë mbështetje ndaj padrejtësive që na bënë.

    Sot 7 rezoluta ndërkombëtare që denoncojnë farsën elektorale të Edi Ramës, narkoshtetin e tij, lidhjet e tij me Sinaloan e Meksikës dhe mbështesin pa kushte Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

    Edi Rama, George Soros dhe mafia e tij shpallën ‘non grata’ Sali Berishën dhe përdorën prokurorinë politike për arrestimin e tij.

    Por sot, ai që mori vendimin, lavdi Zotit, është shpallur ‘non grata’ në vendin e tij si një nga mashtruesit më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara dhe të planetit.

    Na treguan barin, por sot, personat që treguan barin u pensionuan para kohe dhe hetohen për korrupsion.

    Por më e rëndësishmja miq, sot narko-shteti është duke u shkërmoqur. Mbështetja që Edi Rama gëzonte nga mafia më e rrezikshme e planetit, George Soros, po bie me shpejtësi.

    Asnjë urim nuk ka marrë nga Shtetet e Bashkuara Edi Rama. E gjithë Rilindja ka rënë.

    Qeshte Lubia. Një vit më parë kur unë i thoja në parlament se do kesh fatin e Lali Vjedhësit, ndërsa tani nuk futet dot në parlament.

    Sot e them këtu para jush, Edi Rama, pas Lubisë, e ke radhën ti!

  • Vuçiç: Do t’i fal të gjithë të dyshuarit për keqpërdorime në rastin e Shtabit të Përgjithshëm

    Vuçiç: Do t’i fal të gjithë të dyshuarit për keqpërdorime në rastin e Shtabit të Përgjithshëm

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 11 dhjetor njoftoi se, nëse ngrihet aktakuzë lidhur me heqjen e statusit të monumentit të kulturës për kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, ai do t’i falë të gjithë ata që “gjoja kanë marrë pjesë në keqpërdorime”.

    “Nuk do t’iu jap mundësinë që të ndjekin penalisht ata që nuk kanë asnjë faj. Unë jam fajtor. Unë jam ai që kam dashur modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që kam dashur të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiç në Nish, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në fabrikën Palfinger.

    Në vendin ku ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm, i shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, është planifikuar ndërtimi i një kompleksi luksoz nga kompania investuese “Affinity Partners” e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.

    Projekti kundërshtohet nga aktivistët, përfaqësuesit e partive opozitare dhe një pjesë e ekspertëve.

    Ai përsëri ofendoi prokurorinë që po udhëheq hetimin për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim dokumentesh, në bazë të të cilave Qeveria në maj i hoqi statusin e pasurisë kulturore kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit.

    Vuçiq gjithashtu tha se nuk e di nëse ekziston aktakuzë ndaj tij në lidhje me këtë rast.

    “Nuk e di nëse ekziston, por nuk mund ta fsheh buzëqeshjen dhe gëzimin. I nxis që ta publikojnë aktakuzën. Do të ishte kulmi i karrierës sime, sepse kjo do të tregonte në mënyrën më të mirë se si është rrënuar shteti, si e kanë rrëmbyer nga jashtë, çfarë kanë bërë përmes platformave mediale nga të gjitha anët”, tha Vuçiç.

    Ndër të dyshuarit në procedurën e udhëhequr nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar e Serbisë është ministri aktual i Kulturës së Serbisë, Nikolla Sellakoviq. Atij i ngarkohen dy vepra penale: keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.

    Që nga nisja e hetimit nga Prokuroria për Krim të Organizuar, Vuçiç, së bashku me përfaqësues të tjerë të pushtetit në Serbi, kanë bërë një sërë akuzash dhe fyerjesh ndaj prokurorisë.

    Kolegji i Prokurorisë për Krim të Organizuar ka njoftuar disa herë se muajt e fundit prokurorët e tyre kanë qenë të ekspozuar ndaj presionit të vazhdueshëm përmes deklaratave publike të presidentit të Serbisë, përfaqësuesve të Kuvendit dhe Qeverisë si dhe aktorëve të tjerë politikë dhe disa mediave.

  • Skandal/ Masakër me buldozer në Finiq, qeveria gërmon me mjete të rënda në mes të parkut arkeologjik

    Skandal/ Masakër me buldozer në Finiq, qeveria gërmon me mjete të rënda në mes të parkut arkeologjik

    Disa turistë të huaj, ditën e djeshme, kanë shkuar në sajtin arkeologjik të Finiqit për të vizituar këtë sajt. Por janë përballur me punimet të cilat po bëheshin aty.

    Pas gërmimeve në parkun antik të Finiqit nuk qëndrojnë thesar kërkues siç denoncuan turistët në zonë, por punonjës të shtetit që gërmonin në mes të parkut arkeologjik me mjete të rënda si buldozer.

    Në zonën e mbrojtur ka nisur restaurimi dhe konsolidimi i murit të rrethues, me një vendim të datës 25 korrik 2025, i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pas kërkesës së bërë nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.Ndërkohë që institucioni përgjegjës për punimet është Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë. Pikëpyetjet janë të mëdha, jo për faktin që është dhënë leje për të ndërhyrë e restauruar murin rrethues të sitit arkeologjik, por se si është e mundur të lejohen ndërhyrje të tilla me mjete të rënda që dëmtojnë sitin. Bashkia e Finiqit dhe instancat e tjera, i thanë Top Channel se nuk kishin asnjë dijeni për këtë ndërhyrje në Finiq. 

  • Berisha sulmon Ramën: Djali i arteve që nuk duronte disa orë në PD, sot fatkeqësia e kombit

    Berisha sulmon Ramën: Djali i arteve që nuk duronte disa orë në PD, sot fatkeqësia e kombit

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kujtoi sot ditët kur themelohej forca e parë politike opozitare në pluralizëm dhe që rrëzoi diktaturën komuniste.
    Mes tyre edhe një episod me kryeministrin aktual, Edi Rama, të cilin ai e quajti si fatkeqësinë kombëtare, duke shtuar se PD është parti e instiktit, që e kuptoi 35 vite më parë se kush ishte ky “djaloshi i arteve” që iu afrua PD-së si shumë të rinj të tjerë.
    “Është një histori 35 vite më parë, që më së miri tregon se çfarë parti e jashtëzakonshme jemi. Do e ndaj me ju, për t’ju kujtuar vlerat dhe idealet që e kanë bërë PD-në forcën më të suksesshme historike që ka udhëhequr dhe forcën më të palëkundur opozitare që ka parë ndonjëherë edhe Evropa. Shumë të rinj na bashkoheshin në atë kohë, mes tyre edhe një djalë 27 vjeçar i Universitetit të Arteve, e askush nuk do mendonte se ky djalë do kthehej në fatkeqësinë e kombit shqiptarë në shekuj. Ky djalë ishte Edvin Rama, ai nuk rezistoi dot as disa orë te PD. Kjo është forca e PD-së, demokratët kanë instikt të pagabueshëm për ta njohur të mirin dhe të keqin”, tha Berisha gjatë fjalës së tij për ditën e përvjetorit të PD-së.
    Kreu i selisë blu renditi edhe misionet e forcës politike, projektet dhe realizimet e saj ndër vitet qeverisëse, ashtu sikurse përballja me regjimin e narkoshtetit të qeverisë “Rama” aktualisht në opozitë.
    “Të gjithë mbështetësit tanë janë djem, të rinj, burra e gra që janë bërë bashkë rreth interesit kombëtar e që bënë të mundur që PD t’i dhurojë Shqipërisë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në NATO, liberalizimin e vizave, projekte monumentale si Rruga e Kombit, gazsjellësi transatlantik, tuneli i Elbasanit, rrugë dhe autostrada dhe deri te mosha dixhitale. PD dha kontribut edhe në pavarësinë e Kosovës, PD është parti e kontributeve. Ish-presidenti Bush, ishim këtu të gjithë bashkë kur shpalli pavarësinë e Kosovës, shtetit të dytë shqiptar”, tha ai.
    Më tej, lideri i opozitës shprehu bindjen se idealet dhe interesat kombëtare nuk do tradhtoheshin kurrë nga PD, deri në triumfin ndaj narkoshtetit aktual.
    “Idealet dhe interesi kombëtar do sjelli triumfin, suksesin dhe rrëzimin e narkoshtetit të parë në Europë. Pa këto ideale dhe interesin kombëtar partia nuk do kishte mbijetuar dot”, tha Berisha në përvjetorin e themelimit të PD-së.