Year: 2025

  • Hotele, resorte, dhe nën/stacione elektrike, ja lejet për ndërtime që KKT miratoi për Sarandën

    Hotele, resorte, dhe nën/stacione elektrike, ja lejet për ndërtime që KKT miratoi për Sarandën

    Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka miratuar këtë javë disa leje ndërtimi për hotele e resorte që do të ndërtohen në territorin e bashkisë së Sarandë.
    Gjithashtu është miratuar dhe leja për ndërtimin e një nën/stacioni elektrik me vendndodhje në Piqeras.
    Më poshtë vendimet e plota të KKT te sigurara nga Sarandanews.com.

    Leje Zhvillimi për objektin: “Hotel 6 kate mbi tokë me pishinë”, me vendndodhje në Ksamil, Bashkia Sarandë, me zhvillues Z. Taulant Veliaj.
    Leje Zhvillimi për objektin: “Ksamil Seaside Resort and Residential “The Mirrors”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Premium Finance Invest” sh.p.k
    Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë turistike me 1, 4 dhe 5 kate mbi tokë dhe pishinë”, me vendndodhje në Rrugën “Sarandë-Butrint”, Bashkia Sarandë, me zhvillues Z. Ilir Hodaj.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë turistike me 1, 2, 3, 4 dhe 5 kate mbi tokë, me 5 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Sarandë-Butrint”, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Karolina Janina” sh.p.k.
    Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë me funksion miks, banim, hoteleri dhe shërbime 7 kate mbi tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me zhvillues Z. Adim Dema dhe Z. Joani Muço.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt shërbimi hotel me 8 kate mbi tokë dhe pishinë”, me vendndodhje në Ksamil, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Salaez” sh.p.k.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Hotel “Port Side” me 2-5 kate mbi tokë, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë”, me zhvillues Z. Frederik Haderi dhe Znj. Fatmira Haderi.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë banimi dhe shërbimi 6 kate mbi tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me subjekt zhvillues Znj. Blerina Sejko.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i nën/stacionit 110/20/10 kV”, me vendndodhje në Xarrë, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i nën/stacionit 110/20/10 kV”, me vendndodhje në Piqeras, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a

     

  • Turizmi, Ksamilit i shtohet Qendër Mirëseardhjeje për panaire e ekspozita dhe një Kullë Vrojtimi

    Turizmi, Ksamilit i shtohet Qendër Mirëseardhjeje për panaire e ekspozita dhe një Kullë Vrojtimi

    Projekti Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin parashikon që në Ksamil të financojë një Qendër Mirëseardhjeje dhe një Kullë Vrojtimi.
    Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si autoritet kontraktor për këtë projekt njoftoi se do të presë ofertat për këtë zë deri më 8 prill 2025 nga ana e operatoreve të interesuar.
    Në një shpjegim të bërë në faqen e këtij autoriteti sqarohet se Qendra e Mirëseardhjes që parashikohet të vendoset në qytetin bregdetar të Ksamilit është krijuar për të shërbyer si një qendër e gjallë për aktivitete kulturore, sociale dhe rekreative.
    “Duke përbërë dy struktura të dallueshme – Qendrën e Mirëpritjes dhe Kullën e Vëzhgimit – projekti integron pa probleme hapësirat publike me shumëllojshmëri funksionale” thuhet në njoftim.
    Qendra e Mirëseardhjes
    Por çfarë parashikohet të jetë e integruar brenda kësaj qendre?
    “Një strukturë dinamike, me shumë nivele, Qendra e Mirëseardhjes ofron hapësira të ndryshme për angazhimin e publikut:
    Kati përdhes: Një treg i hapur me një plan urbanistik fleksibël lejon shitësit lokalë, panairet sezonale dhe mbledhjet e komunitetit. Baret dhe zonat e ndenjëseve të integruara krijojnë një atmosferë të gjallë.
    Kati i parë: Pret një Shkollë Verore Arti, duke ofruar workshope krijuese, ekspozita dhe ngjarje kulturore.
    Kati i dytë: I dedikuar sportit dhe fitnesit, me zona stërvitore, dhoma zhveshjeje dhe të gjitha ambientet e nevojshme sportive.
    Tarraca e tavanit: Një hapësirë e gjithanshme në natyrë, e adaptueshme si për aktivitetet sportive ashtu edhe për ngjarjet në komunitet, duke maksimizuar mjedisin piktoresk bregdetar të Ksamilit.
    Kulla e Vrojtimit
    “Duke qëndruar si një pikë referimi vizuale dhe funksionale, Kulla e Vëzhgimit shërben për qëllime të shumta:
    Qendra Informative e Turizmit, që ofron udhëzime dhe të dhëna për vizitorët.
    Platforma e shikimit panoramik, duke përfituar nga lartësia e kullës për pamje mahnitëse të bregdetit. Zona e Bar & Lounge, duke ofruar një mjedis të relaksuar me pamje piktoreske. Zonat e ruajtjes dhe shërbimit, duke mbështetur nevojat operacionale të qendrës. Qarkullim vertikal, duke siguruar akses të qetë në të gjitha nivelet” thuhet në shpjegimin e FSHZH.
    Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik ka nisur prej disa vitesh dhe mbështetet nga Banka Botërore me një kredi 63.8 milionë euro dhe mbështet disa aktivitete në qytete si Berati, Gjirokastra, Përmeti dhe Saranda.

  • GJUHA SHQYPE

    GJUHA SHQYPE

    Poezi nga: Ndre Mjeda

    Përmbi za që lshon bylbyli,gjuha shqype m’shungullon;përmbi er’ që jep zymbyli,pa da zemren ma ngushllon.

    Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,ku e shkoj jetën tash sa mot,veç për ty m’rreh zemra e mjerae prej mallit derdhi lot.

    Nji kto gjuhë që jam tue ndie,jan’ të bukra me themelpor prap’ kjo, si diell pa hije,për mue t’tanave iu del.

    ***
    Ku n’breg t’Cemit rritet trimime zbardh, Shqype, zanin tand,e ku Drinit a burimiqë shpërndahet kand e kand.
    Geg’ e tosk’, malsi, jalliajan’ nji komb, m’u da, s’duron;fund e maj’ nji a Shqypniae nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

    Qoftë mallkue kush qet ngatrrimendër kto vllazën shoq me shoq,kush e dan me flak’ e shkrimeçka natyra vet’ përpoq.

    Por me gjuhë kaq t’moçme e mjerasi nj’bij’ kjo që pa prind mbet:për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,s’t’kishte kush për motër t’vet.

    E njat tok’ që je tue gzue,e ke zan’ tash sa mij’ vjet,shqyptaria, që mbet mbluesot nën dhe, edhe shqyp flet.

  • 58- vjeçari sarandiot, gati për maratonën e Napolit

    58- vjeçari sarandiot, gati për maratonën e Napolit

    Nga Thoma Nika
    Atletika europiane është në prag të ngjarjes sportive të 23 shkurtit, siç është Maratona e Napolit, Ndërsa Alush Çukari, i njohur për përfshirjen e tij në vrapime të gjata, bën çdo përgatitje të jetë pjesë e këtij eventi.
    Pas ërfundimit të procedurave të regjistrimit, thotë se po bëhet gati edhe fanella, me mbishkrimin “Saranda-Albania”, me të cilën do vrapojë.
    58-vjeçari Alush Çukari, i njohur edhe si Maratonomaku i Sarandës, thotë se ka disa eksperienca si garues i ecjeve të gjata në Maratona të ndryshme dhe vrapime individuale.
    Maratona e Napolit do të jetë pjesëmarrja e tij e parë në evente të tilla evropiane.Alushi bën një jetë modeste, pasi është një punëtor buxhetor. Por pasioni e bën që në eventet sportive zakonisht të shkojë me shpenzimet e veta. Por nuk harron të jetë falenderues për faktin që mjaft biznese vendore të Sarandës, me dëshirën e tyre, i janë ofruar edhe për Maratonën e Napolit.
    Alush Çukari shkon në Maratonën e Napolit, me përgjegjësinë për të garuar e dhënë më të mirën e tij në 21 km, ndër më shumë se 4 mijë maratonistëve të grupmoshës +50, ku dëshiron të spikatë me fanelën “Saranda-Albania”.
    Çdo ditë e tij deri më 23 shkurt, është e mbushur me stërvitje, pasi thotë që po shkon në Napoli jo thjesht si pjesëmarrës, por edhe për të kapur një vend nderi.

  • Sarandë, kampionat shahu mes shkollave

    Sarandë, kampionat shahu mes shkollave

    Saranda është e vendosur të mbajë flamurin e kampiones së shahut në shkallë vendi. Si për të konfirmuar se cilësia vjen nga bërja masive e atij që njihet si “sporti i mendjes”, në këto dy ditët e fundit, (më 15 e 16 shkurt), është organizuar Kampionati individual i shahut. Dje dhe sot ky sport i dashur ka vënë përballë njeri-tjetrit 30 nxënës të shkollave publike e jopublike të Sarandës.

    – Është aktiviteti që ka shënuar ngritjen e siparit të garave në shah për vitin 2025- tha për Blu TV, trajneri Lime Mihasi.
    Ai tha se ky vit është vit sfidash të mëdha për shahistët e rinj e të rritur të “Butrintit”, pasi i presin gara dhe kampionate të mëdha.
    Ruajtja e standardeve të larta që janë vendosur prej vitesh, për trajnerin Mihasi është faktor parësor që Shahun e Sarandës e ka vendosur në avangardë në shkallë vendi.

    Prandaj ai shprehet falenderues ndaj Bashkisë për gjithë mbështetjen që jep për Ekipin dhe Akademinë e Shahut, pa harruar donatorët, që i kanë suportuar në Kampionate Botërore.

    “Butrinti” në shah është kampion vendi prej 7 vite radhazi. Puna me brezat e shahistëve të rinj, që e duan këtë sport, po tregon se shahu në këtë qytet, është bërë prioritar, siç.ka qenë noti dekada më parë.

  • “Beteja e Anghiarit”, kryevepra e humbur e titanit të Rilindjes, Leonardo da Vinçit

    “Beteja e Anghiarit”, kryevepra e humbur e titanit të Rilindjes, Leonardo da Vinçit

    Në vitin 1505, Firence dëshmoi një përballje të paparë artistike. Dy titanë të Rilindjes, Leonardo da Vinci dhe Michelangelo, u ngarkuan të pikturonin muret kundërshtare në Sallën e Madhe të Pesëqindëshit të Palazzo Vecchio-s. Ajo që pasoi do të bëhej një nga misteret më intriguese të historisë së artit.

    Kontributi i Leonardos, “Beteja e Anghiarit”, premtoi të ishte vepra e tij më e madhe dhe më ambicioze. Pjesa qendrore përshkruan katër kalorës në një luftë të tërbuar për një standard beteje, duke kapur intensitetin e papërpunuar të luftës.

    Skena u interpretua me aq mjeshtëri sa Giorgio Vasari, historiani i njohur i artit, vlerësoi “aftësinë e jashtëzakonshme” të Leonardos për të përshkruar “guxim, muskuj dhe bukuri të këndshme” të kuajve.

    Por fryma novatore e Leonardos rezultoi se ishte zhbërja e pikturës. Duke refuzuar të përdorë teknikat tradicionale të afreskut pas përvojës së tij zhgënjyese me Darkën e Fundit, ai eksperimentoi me ngjyra vaji direkt në mur.
    Kopje e Betejës së Anghiarit e bërë në shekullin e 16-të dhe në pronësi dhe zgjeruar nga Rubens . Me sa duket, nga e majta në të djathtë janë Francesco Piccinino , Niccolò Piccinino , Ludovico Trevisan dhe Giovanni Antonio Del Balzo Orsini .
    Qasja e tij romantike përfshinte një shtresë të trashë të trashë, ndoshta të përzier me dyll. Teksa boja filloi të pikonte, Leonardo u përpoq me dëshpërim të shpëtonte punën e tij duke varur mangale me qymyr pranë murit për të shpejtuar procesin e tharjes. Vetëm pjesa e poshtme mbijetoi e paprekur, ndërsa pjesa e sipërme humbi pasi ngjyrat u bashkuan së bashku.
    Për shekuj me radhë, historianët e artit besonin se kryevepra humbi përgjithmonë kur Vasari rinovoi sallën në vitet 1560. Megjithatë, në vitin 2012, studiuesit e udhëhequr nga Maurizio Seracini bënë një zbulim joshës – dëshmi që sugjerojnë se piktura mund të ekzistojë ende pas një zgavër në murin e ri të Vasarit. Kërkimet u ndërprenë përfundimisht për shkak të konflikteve mes palëve hetuese.

    Megjithatë, historia mori një kthesë tjetër në vitin 2020 kur historianët e artit propozuan një teori tjetër: piktura mund të mos jetë përfunduar fare. Hulumtimi i tyre sugjeroi se teknika eksperimentale e Leonardos do ta kishte bërë të pamundur ngjitjen e duhur të bojës në mur.
    Sot, ne mund të shohim vetëm vizionin e Leonardos përmes studimeve përgatitore dhe një kopje të famshme në pronësi të Rubens. Këto vepra të mbijetuara lënë të kuptohet për atë që mund të ketë qenë një nga arritjet më spektakolare të Rilindjes – një kryevepër që vazhdon të magjeps imagjinatën tonë pesë shekuj më vonë.

    Përgatiti: Albert Vataj

  • Enea Lapa, sarandioti që ngre lart flamurin shqiptar në SHBA

    Enea Lapa, sarandioti që ngre lart flamurin shqiptar në SHBA

    Nga Thoma Nika
    Enea Lapa, djaloshi sarandiot, erdhi këto ditë nga Amerika në qytetin e zemrës. Nxorri mallin e 8 viteve pa u takuar nga afër me familjarët e njerëzit e dashur këtu.
    Dhe kjo i mjafton për ta marrë si fillim të mbarë të 2025-ës. Për të vijuar kështu i gjithë ky vit i ri, në planet që ka në Amerikën e largët. Amerika i dha mundësinë të zhvillojë pasionin që i lindi atje për të bërë emër në një sport fare të veçantë. Jujitsu brazilian, ku ai ushtrohet dhe tashmë jep mësim, thotë se ngjason me xhudon, por ndryshon kaq shumë nga ajo, sa njihet si një “arti xhentil apo i butë”
    Ishte njohur 8 vite më parë me këtë lloj sporti në Sarandë, por e kishte lënë në skaj të vëmendjes. Iu kthye si një nevojë ppr t’u kthyer te linjat e mira trupore, por tani e quan sportin e zgjidhjes së problemeve.
    Tregon se fillimi nuk ishte i lehtë dhe se iu desh të stërvitet fort për të fituar teknikat. Dhe vetëm 5 vite më parë, në vitin 2020, Enea Lapa do të bëhej emri i kampionit të botës në kategorinë e në peshën e tij, ndërsa më 2023 zuri vendin e dytë në klasifikimin panamerican.
    Ngjitja ka qenë e pandalshme dhe sot ai koleksionon 15 medalje ari, shumë medalje argjendi e disa bronzi. E këto e kanë bërë të marrë jo pak vëmendje nga mediat vendase.
    Pasioni tashmë 35 vjeçarit i është bërë profesion. E ai ka bërë emër në atë spirtin jujitsu brazilian, për të cilin thotë se në Amerikë ka përhapje të gjerë, ndërkohë që në botë është në zhvillim.Ëndrra më e afërt e Eneas është të krijojë një Akademi të vetën më jujitsu brazilian dhe të kapë vendin e parë në kampionatin panamerican, që përgatitet për këtë vit.
    Kthimi në Amerikë do të jetë për Enean vazhdimi i punës për ëndrrat e tij. Përhapja e këtij sporti në Sarandë, bën pjesë gjithashtu në projektet e tij jo të largëta. Pasi jujistsu brazilian në vlerësimin e tij, përveçse një art luftarak, është edhe një mënyrë mbrojtjeje personale.
    Jo më kot për jujistu brazilian thuhet se, nëse shikoni një njeri që di lëvizje të jujitsu, këshillohet të mos i afroheni, sepse do përfundoni në spital.

  • “Erdhi për pushime”/ Si i lindi Jared Kushnerit ideja për investime në Sazan? Rama flet për “Financial Times”: Kemi nevojë për turizëm super-luksoz!

    “Erdhi për pushime”/ Si i lindi Jared Kushnerit ideja për investime në Sazan? Rama flet për “Financial Times”: Kemi nevojë për turizëm super-luksoz!

    Biznesi i Jared Kushner vazhdon të rikthehet në vëmendjen e shtypit amerikan, e bashkë me të, edhe investimi i tij 1.4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit.

    Këtë herë është Financial Times që kalon në lupë ecurinë e sipërmarrjeve dhe investimeve të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump nga Lindja e Mesme në Europë. E bashkë me të, rrëfen edhe sesi lindi ideja e resortit luksoz në bazën e braktisur të marinës shqiptare në bregdetin e Vlorës.
    Për herë të parë që pas rizgjedhjes së Trump si president i SHBA, edhe kryeministri Edi Rama komentoi për median prestigjioze projektin luksoz, duke e cilësuar si mundësi tejet të mirë për të tërhequr një turizëm elitar. “Afërsia e Trump me këtë projekt luksoz është një vlerë e shtuar e madhe, nuk mund ta fsheh,” thotë Rama.
    “Ne kemi nevojë për turizëm super-luksoz në këtë vend siç ka nevojë shkretëtira për ujë”, shton shefi i ekzekutivit, duke nënvizuar “ajo çfarë fitohet nga 500 jahte është e njëjtë me atë që fitohet nga 40,000 turistë me buxhet të ulët”.
    Si lindi e gjithë kjo ide? Shumë më thjesht nga sa mund të mendohet, sipas artikullit.
    Kushner po lundronte me jaht në Mesdhe me familjen e tij në verën e vitit 2021, e teksa po ankoronin jahtin në brigjet shqiptare, i kërkoi një miku ta ndihmonte për të ndërmjetësuar një takim me kryeministrin Rama. Gjatë darkës, Rama, i njohur për natyrën e tij miqësore, krijoi një lidhje me Kushner dhe diskutoi sesi bregdeti mahnitës i Adriatikut në Shqipëri shpesh anashkalohet nga turistët e pasur që lëvizin mes Italisë dhe ishujve grekë, thuhet në shkrim. “Kushner nuk përmendi investime”, kujton Rama.
    “Thjesht po pyeste për Shqipërinë… Praktikisht, ata nuk kishin asnjë njohuri mbi historinë shqiptare. Ditën tjetër, u larguan”. Kur u takuan sërish disa muaj më vonë në Davos, Rama thotë se Kushner i tregoi se i kishte pëlqyer shumë Shqipëria.
    Gjatë asaj kohe, ai ishte takuar me Mohamed Alabbar, investitorin miliarder nga Arabia Saudite, i cili po zhvillon një marinë luksoze në portin e Durrësit, dhe kishin diskutuar mundësitë e investimeve.
    Kushner rikthehet në Shqipëri verën e vitit 2023 me një delegacion më të madh, përfshirë Richard Grenell, një aleat i vendosur i Trump. “Qëndruan rreth një javë, duke vizituar disa zona”, thotë Rama. “Kësaj here, Kushner ishte i drejtpërdrejtë, ‘jemi të interesuar të investojmë’”, thekson Financial Times.
    Në 30 dhjetor, nisma e tij mori OK-in paraprak të qeverisë shqiptare, për atë që përshkruhet nga media e njohur si një ndër investimet më të spikatura të firmës së Kushnerit, Affinity Partners.

  • Noti i Sarandës: E djeshmja qesh të sotmen

    Noti i Sarandës: E djeshmja qesh të sotmen

    Nga Thoma Nika
    Trendi i zhvillimit në shumë fusha është që e sotmja ngrihet mbi të djeshmen, por e lë pas atë. Ndërsa me notin e Sarandës është duke ndodhur e kundërta: e djeshmja qesh dhe përqesh të sotmen.
    Ishte një kohë kur Saranda quhej “shtëpia e notit”. Aq sa thuhej se fëmijët e këtij qyteti, më shpejt mësojnë të notojnë, se sa të ecin. Dhe ky masivitet solli cilësinë.
    Plot 60 vite më parë, vajzat notare të “Butrintit” bënë vërtet histori duke u shpallur për herë të parë ekip kampion i Shqipërisë. E kjo ishte historike, një histori që zgjati për 10 vite radhazi.
    Kjo histori noti e notaresh, me autoritet absolut kampionesh, është ndoshta pjesa më e shndritshme e librit “Mozaik noti në Sarandë”, shkruar nga gazetari sportiv sarandiot Xhorxhi Vasili. Një libër, për të cilin ai thotë se i janë dashur 3 vite kohë dhe shfrytëzimi i arkivave e mediave në dy kohë. Është një libër i shkruar prej tij me dashuri, por edhe me nostalgji dhe sidomos duke dashur të bëjë që e djeshmja t’i flasë të sotmes.
    Notarë e notare femra kishte shumë, por ende nuk kishte kampionë, deri sa do vinte viti 1965, që vajzat notare sarandiote do bëheshin yje të Shqipërisë.
    Vajzat notare kanë meritën që për herë të parë në të gjitha llojet e sportit, e ngjitën Sarandën në podiumin e numrit 1.
    – Dy gjëra më kanë mbrtur në kujtesë nga historia e notit dhe nga puna për përgatitjen e librit-thotë ai. Dhe rendit të parën dashurinë e qytetit për Notin dhe sakrificat e panumërta të notarëve dhe notareve që stërviteshin pa asnjë lloj trajtimi dhe pa asnjë lloj investimi, se stërviteshin në det të hapur.
    Këto ndjesi iu kthyen në detyrim dhe motivim për të shkruar librin “Mozaik Noti”, edhe si njeriu që ka shoqëruar ekipin si komentator i garave, në 40 vite, në të gjitha kampionatet kombëtare
    – Nuk është thjesht një libër, por një enciklopedi nga përjetimet e rritjes së emrave të atyre që bënë historinë e notit në nivel lokal dhe në shkallë vendi-shprehet autori.
    Ja çfarë veçon ky botim nga shkëlqimi i “Butrintit” në not.
    – Shkëlqimi erdhi në 1965. Stavri Caka grumbuloi vajza nga qyteti dhe nga Shtëpia Fëmijës. Dhe në gusht 1965 erdhi kampionati që u kthye në festë. 80% e banorëve mbushën shkallët e zadrës. Qyteti, me të madh e të vogël, me të rinj, burra, gra e vajza, përfshi edhe ata pak turistë që vinin atëherë, të gjithë jetuan me emocionet e garave të notit.
    Dhe ndodhi e pabesueshmja: 42 rekorde kombëtare u thyen, që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Nga këto, 10 rekorde kombëtare i thyen vetëm vajzat e Sarandës, që nuk ishin më shumë se 14-15 vjeçare. Dhe mbetën Kampione për 10 vite radhazi. Do të ishte bërthama e ekipit kombëtar të femrave, që shkoi në Kinë.
    Por tjetër është historia e tjetër e sotmja. Një kalim nga shkëlqimi në një mbijetesë. Përpjekjet që bëhen nga trajnerë dhe elementë që e duan dhe e ushtrojnë notin, nuk mungojnë. Por ky sport kampionësh, po mbijeton i shpërfillur nga kampionët e premtimeve. Kur dhjetëra hotele kanë pishina fantastike, një qytet nuk ia ka dalë të bëjë të shumëpremtuarën pishinë olimpike, në vend të zadrës arkaike të ngritur 60 vite të shkuara, me ndihmën e atyre që ndërtonin atëherë Hidrocentralin e Bistricës.
    Referuar momentit historik të 60 viteve më parë, kur vajzat notare i dhuruan Sarandës kupën e parë si kampione vendi dhe dëshirës për ta nxjerrë këtë lloj sporti nga mbijetesa, autori i librit “Mozaik noti në Sarandë”, Xhorxhi Vasili, është me idenë që viti 2025 të shpallet “Viti i titullit të parë Kampione në Not për femra”.
    Nuk është një ide për t’u anashkaluar, nëse duam që ajo pjesë e të djeshmes, që përmban maja arritjesh, të vihet nëshërbim të të sotmes, t’i flasë asaj e të motivojë për ta rikthyer notin në “shtëpinë” e vet.

  • Personazh: 64-vjeçari që sportin e ka stil jete

    Personazh: 64-vjeçari që sportin e ka stil jete

    Nga Thoma Nika
    E sigurt është që Çim Beqon do ta shohësh përditë të lëvizë nëpër hapësirën detare të Gjirit të Sarandës, apo te rëra e plazheve poshtë shetitores. Duke bërë vertikale apo pompa, duke bërë not në disa stile, duke u dhënë lopatave mbi kajak e mjete të tjera të sporteve të ujit. Po nuk e pe në det, të shfaqet si papritur majë biçikletës.Me fizikun plot muskuj, me një veshje shumë të lehtë edhe në palcë të dimrit, me syzet karakteristike dhe duke mbajtur në shpatull papagallin e tij PIKO, aq të njohur nga të gjithë.
    Ky është rituali i çdo dite. Jo vetëm në ditët verore apo në ditë diellore, siç janë edhe më të shumtat e janarit të sivjetëm, por edhe kur moti dhe deti egërsohen, kur bie shi apo fryjnë erëra të forta detare.12 muaj viti, Çim Beqon e ke pranë sporteve të ujit e të tokës. Shumë e thjeshtë arësyeja. Sepse ai thotë që ka një dashuri të pakushtëzuar nga asgjë.Në vlerësimin e tij, sarandiotët janë me fat që jetojnë në këtë mrekulli, ku mund të bësh sport çdo ditë të vitit.
    Ai bën një kombinim të shkëlqyer mes punës dhe marrjes me sport, duke vënë një kufi të artë mes të dyjave. Thotë se merr kënaqësi të merret me punë, ndërkohë që sportin e ka stil jetese
    Në këtë Qytet të Turizmit, ka biznese turistike: klinikën Doktor Fish, anijen turistike “Vikingët” dhe Hotel “Porto Eda”, që e ka dhënë me qera.Ja si është dita e këtij biznesmeni modest të Sarandës, që prioritet nuk ka fitimin, por stilin e jetesës, ku Deti mbetet Kryefjalë.
    Thotë se ditën e fillon me një gotë pije të shëndetshme, që e përgatit vetë.
    Flet për zhytjen në termus me ujë të akullt në shtëpi, pastaj për ushtrimet në palestrën brenda banesës, për mëngjesin e shëndetshëm kryesisht me fara të ndryshme
    Mos prit që Çim Beqon ta shohësh të lëvizë nëpër qytet me makinë. Sepse lëviz sa më pak me automjete, përderisa ka mjete, si: Kajak, sap, stand up.
    Zhytjen dhe vozitjen me lloj-lloj mjete sportive të ujit, e ka një nga rutinat dhe nga kënaqësitë e përditshme. Thotë se nuk ka orare fikse, por e gjen kohën për të gjitha, duke e prishur rutinën
    E pyesim nëse i ndodh që edhe të sëmuret ky njeri i detit dhe i ushtrimit të sporteve të ujit. E ai pranon se nuk është super njeri. Veçoria e tij është se, falë detit, çdo shqetësim, çdo virus e virozë, e kalon me lehtësi dhe vetëm në këmbë. Sepse ky është avantazhi i të marrit me sport.
    Kur e pyet se çfarë dëgjon për këtë histori dashurie që nuk mbaron: me detin, me sportet e ujit e të tokës, ai çmon ata që e admirojnë dhe mbështet ata që kërkojnë asistencën e tij.
    – Marr komente pozitive nga njerëzit për këtë jetë të shëndetshme. Ata që më kërkojnë, i asistoj.A ka ai një vështirimi kritik edhe për ata të rinj që u rrinë larg sporteve dhe sporti i vetëm i tyre është të vrasin kohën në kafe?
    – Është për të ardhur keq që një pjesë kanë përparësi rehatin. Ne nuk jemi makina, jemi njerë ëz dhe kemi nevojë edhe për kafe, problemi është çfarë përparësi vendosim- shprehet ai.
    – Ta ruajmë shëndetin, përpara se ta humbasim- është qasja e tij.
    Sipas tij, ka kohë për të gjitha dhe porosit që të bëhet kujdes me ushqimet e presuara, sidomos me sheqerin, që Çimi e klasifikon ndër drogat e lejuara.Fiziku i tij i bronxuar nga deti dhe plot muskuj nga ushtrimi i sporteve, i fsheh thellë nën lëkurë vitet. Po ai nuk e ka problem ta thotë se këtë verë prek 64 vite, ndërkohë që e rëndësishme për Çim Beqon nuk është sa shkruhet, por sa ndjehet. E ai e thotë me zë të plotë se ndjehet si 20.
    Këtu e ndihmon efhe pëqimi për humorin dhe për jetën sportive, përdor fb, ku shpesh publikon ushtrime matematikore, sepse hap sytë me dfidën për të zgjuar nga gjumi edhe trurin.64 vjeçari Shkëlqim Beqo thotë se ka disa motive që e udhëheqin në jetë,
    “Nëse do të jesh i lumtur ji”-thotë ai, duje cituar thënien e kençur angleze. Në palestër thotë se ka vënë të shkruar thënien tjetër filozofike: “Trupi është i vetmi vend ku ti jeton, kujdesu për të”. Dhe kurrë mos bëj keq-shton ai. – Atë që nuk do doje të ta bënin, mos e bëj.
    Ky është modeli atipik që jep Shkëlqim Beqo i Sarandës, si kontributor në zhvillimet turistike të Qytetit të Turizmit, që sportet e ujit e të tokës i ka stil jetese dhe ku ka një zë edhe si qenie sociale dhe si qytetar i paqtë.