Day: November 25, 2025

  • “Ka cënuar besimin e publikut”, KPA nxjerr jashtë radhëve të Drejtësisë prokurorin shkodran…

    “Ka cënuar besimin e publikut”, KPA nxjerr jashtë radhëve të Drejtësisë prokurorin shkodran…

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 25 nëntor vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Shkodrës, Agron Bushati. Ashtu si drejtuesi i SPAK, edhe Kolegji vlerësoi se prokurori Agron Bushati ka cënuar besimin e publikut, lidhur me qëndrimet në dy çështje të hetuara prej tij dhe për një video ku ai shfaqet me armë të ftohta, prova të sekuestruara të prokurorisë ku ushtronte funksionin.
    Lidhur me një hetim të regjistruar në vitin 2003 për veprat penale vrasje me dashje dhe armëmbatje pa leje, subjekti ka përpiluar urdhërin për veprimet hetimore që duhej të kryente oficeri i Policisë Gjyqësore. Sipas KPA, të vetmet veprimet hetimore të kryera nga subjekti për këtë ngjarje të rëndë janë vetëm dy procesverbale deklarimi që u përkasin vëllezërve të viktimës, një vendim sekuestrimi automjeti, si dhe janë administruar dy akte teknike balistike. Gjatë shpalljes së vendimit, u evidentua se Bushati e ka pezulluar hetimin në shkurt të vitit 2004 dhe e ka mbajtur dosjen në kasafortë për dy vjet e gjysmë, derisa është gjetur nga drejtuesi i prokurorisë Shkodër në shtator të vitit 2007, kur gjatë kontrollit të ushtruar nga ky i fundit, është konstatuar se në kasafortë janë mbajtur dhe dy procedime penalë të tjerë.
    Bazuar në këto zbulime, ndaj subjektit është dhënë masa disiplinore nga Prokurori i Përgjithshëm i kohës, që ka vendosur zbritjen në detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore për një vit.
    Trupi gjykues vëren se kjo situatë nuk i është nënshtruar gjykimit në KPA, por është konsideruar në kuadër të vlerësimit të aftësisë së subjektit për të reflektuar dhe vetëkorrigjuar, apo të vazhdimësisë së të njëjtave qasje në vijimësi.
    Lidhur me një tjetër çështje të denoncuar nga publiku, konstatohet se denoncuesi ka depozituar disa kallëzime penale në Prokurorinë e Shkodrës, ku ngriheshin për humbjen e kallëzimit penal në Komisiariatin e Policisë Shkodër. Sipas denoncuesit, kallëzimi penal ishte marrë nga subjekti, i cili nuk kishte kryer asnjë veprim procedural. Në 2008-ën, denoncuesi ka depozituar kallëzim penal dhe ndaj prokurorit Bushati.
    Sipas KPA, vërtetohet se kallëzimi ndaj një zyrtari publik është përcjellë në prokurori në vitin 2002 nga ana e komisariatit të policisë dhe është marrë me nënshkrim nga prokurori Agron Bushati. Rezulton se subjekti nuk e ka regjistruar kallëzimin në regjistrin e prokurorisë. Po ashtu, nuk gjendet ndonjë veprim procedural i subjektit për të kundërshtuar këtë fakt, megjithëse ndaj tij ka pasur hetim penal për një periudhë gjashtëvjeçare. KPA vëren se subjekti nuk arriti të provojë se nuk e ka nënshkruar ai dhe se nënshkrimi nuk ishte i tij. Mosveprimi i subjektit për mosregjistrimin e çështjes ka vijuar deri në vitin 2008, kur denoncuesi ka kryer kallëzim dhe ndaj tij.
    Mosveprimi çmohet se është në kundërshtim të hapur me Kodin e Procedurës Penale. Sipas KPA, subjekti me mosveprimin e tij ka cënuar jo vetëm interesat e kallëzuesit, por edhe interesat e ligjshme të shtetit, duke krijuar perceptimin në publik se ndjekja penale ndaj funksionarëve publikë nuk ushtrohet nga organet e drejtësisë, pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të një qytetari në një hark kohor prej mbi 10 vitesh.
    KPA çmon se subjekti ka diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit si mbrojtës i interesit publik, si dhe të perceptimit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
    Lidhur me problemin tjetër të ngritur në ankim, që ka të bëjë me një video ku subjekti shfaqet në makinën e tij me armë të ftohta, prova të prokurorisë, trupi gjykues vlerëson se përdorimi i një sendi që ka qenë provë materiale, i marrë në vendin e ruajtjes në organin e akuzës ku Bushati ushtronte detyrën, është një veprim në kundërshtim të hapur me rregullat për marrjen, ruajtjen e disponimin e tyre.
    “Përdorimi i provave materiale në kushte paligjshmërie të hapur, në këtë rast, nga një prokuror që njeh rëndësinë e tyre, për më tepër një arme të ftohtë, veç rrezikut që mund të ketë për personat e pranishëm, mund të cënoje dhe procesin penal për të cilin janë administruar, duke cënuar interesat e individit e të shtetit. Këto veprime cilësohen si shkelje shumë të rënda”, vlerëson Kolegji.
    Bazuar në këto konstatime, KPA konkludon se subjekti ka pasur një sjellje jo të përshtatshme e të vazhdueshme, që nuk është rikuperuar dhe pas vendosjes së dy masave disiplinore në vitin 2005 e në 2008-ën.
    Në përfundim, Kolegji çmon se në vlerësimin tërësor, konkludohet se prokurori Agron Bushati ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Për rrjedhojë, u vendos ndryshimi i vendimit të KPK dhe shkarkimi nga detyra i këtij subjekti rivlerësimi.

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • Krim i rëndë/ Nusja masakron për vdekje vjehrrën! Inçizimi dhe gjurmët e tradhtuan, si e reja shkoi ta grabiste për të shlyer borxhet e kumarit

    Krim i rëndë/ Nusja masakron për vdekje vjehrrën! Inçizimi dhe gjurmët e tradhtuan, si e reja shkoi ta grabiste për të shlyer borxhet e kumarit

    Një vrasje ka ndodhur në Greqi ditë më parë dhe u zbulua sot. Mësohet se nusja ka masakruar për vdekje vjehrrën e saj 75-vjeçare për shkak të borxheve të kumarit që autorja kishte dhe teksa u zbulua kur shkoi të grabiste paratë e familjes për t’i shlyer. Mediat greke bëjnë me dije gjithashtu se një video incizim 35-minutësh i fjalëve të fundit të gruas 75-vjeçare që u vra nga nusja e saj në Salaminë është në zotërim të autoriteteve.
    Në të, dëgjohen kërcënimet e gruas 46-vjeçare dhe lutjet e 75-vjeçares për të ndaluar së godituri. Nga dialogët, mund të konkludohet se gruaja nuk e kuptoi se ishte nusja e saj, ndërsa foli duke supozuar se personi që e godiste ishte një burrë. Në fund, dëgjohet gruaja fatkeqe duke thënë “Ati ynë”, një lutje para frymës së fundit.
    Sipas imazhit që autoritetet kanë deri më tani të 46-vjeçares, autorit të rrëfyer të vrasjes, varësia e saj nga kumari, kamerat e sigurisë dhe gjurmët e gjakut të gjetura në makinën e saj ishin provat që e tradhtuan atë. Skuadra e vrasjeve e kishte vënë në shënjestër 46-vjeçaren që në fillim, si për shkak të profilit të saj (ata kishin mësuar se ajo kishte tendencë të luante bixhoz), ashtu edhe për shkak të kamerave në zonë që e tregonin atë duke mbërritur dhe duke dalë nga shtëpia e viktimës, informon “Protothema”.
    Çfarë i tha 46-vjeçarja policisë?
    Autorja e krimit, duke folur në polici, deklaroi se arsyeja pse hyri në shtëpinë e 75-vjeçares ishte për të marrë para, konkretisht 1100 euro, por situata doli nga shinat kur siç tha ajo mendoi se viktima e kuptoi. Në veçanti, ajo pretendoi se 75-vjeçarja i kishte dhënë më parë djalit të saj dhe burrit 10,000 euro për t’i mbajtur për të. Megjithatë, paratë humbën.
    Dikush i mori (ende nuk është sqaruar se kush), duke rezultuar në pendim të burrit për paratë e nënës së tij. Kështu që vendosi t’ia kthente asaj. Ai mblodhi 8,000 euro dhe ia dha asaj me premtimin se do t’i kthente së shpejti 2,000 të mbetura. Më në fund, ai arriti të mblidhte edhe 1,100 euro të tjera dhe po përgatitej t’ia jepte edhe asaj.
    Një natë, megjithatë, gruaja e tij, e cila dyshohet se është e varur nga bixhozi, mori këto 1,100 euro, luajti me to dhe i humbi. Pastaj, për të mos u kapur nga burri i saj, ajo vendosi të hynte fshehurazi në shtëpinë e vjehrrës së saj, të merrte 1,100 euro dhe t’i kthente ato në vendin ku i kishte lënë burri i saj. Dhe kështu ndodhi, duke pasur akses në kamerat e sigurisë, ajo ndryshoi drejtimin e tyre në mënyrë që ata të mos e filmonin, vuri një maskë dhe doreza, mori një çekiç dhe u nis për në shtëpinë e saj.
    Ajo theu xhamin e një dritareje, hyri me forcë në vend dhe filloi ta kërcënonte gruan dhe t’i kërkonte para. Ajo reagoi dhe më pas autorja mori një shishe dhe, duke besuar siç tha ajo se e kishte kuptuar, e goditi në kokë, duke bërë që gruaja të binte në dysheme. Pastaj, në gjendje shoku siç tha ajo, mori një thikë nga vendi i ngjarjes dhe e theri. Pas krimit , ajo u kthye në shtëpinë e saj, lau rrobat që kishte veshur dhe i hodhi në një kosh plehrash.
    Fillimisht, hetimet u kthyen në të gjitha drejtimet dhe oficerët e policisë së vrasjeve u përpoqën, nëpërmjet deklaratave të të afërmve të saj dhe personave që kishin akses në shtëpinë në rrugën Ikarou, t’i çonin në gjurmët e autorëve. Më në fund, pas një hetimi të plotë, ata arritën në gjurmët e gruas e cila më në fund u dorëzua dhe rrëfeu.

  • Nëse mbyllet SPAK plas “lufta”, eksperti zbulon: Ja çfarë plani ka SHBA

    Nëse mbyllet SPAK plas “lufta”, eksperti zbulon: Ja çfarë plani ka SHBA

    Eksperti i ekonomisë Azmi Stringa ka komentuar në një studio televizive, debatet e fundit për presionin ndaj institucioneve të drejtësisë.
    Ai theksoi se politika shqiptare rrezikon të futet në një përballje të ashpër, në një luftë, nëse sfidohen strukturat e ndërtuara me mbështetjen e ndërkombëtarëve.
    Stringa paralajmëroi se çdo tentativë për sabotim do ta vendoste Shqipërinë në një situatë shumë të vështirë, ndërsa nënvizoi se aleatët perëndimorë kanë mjetet dhe fuqinë për të reaguar ndaj atyre që kërkojnë të ruajnë interesat personale.
    Pjesë nga biseda:
    Stringa: Hapi tjetër që mund të bëjë politika është të bëhemi të gjithë bashkë, t’i tregojmë shqiptarëve fytyrën e vërtetë të atyre që janë kundra kësaj dhe po e bëjnë për të mbrojtur veten e tyre.
    Borakaj: Mund ta bëjnë, ose mund ta lënë ndërkombëtarët ta bëjnë. Pra, ata të cilët kanë harxhuar deri tani miliona euro për ta krijuar këtë strukturë mund të heqin dorë dhe të thonë: “Ok, bëni çfarë të doni.”
    Stringa: Po, do shkoni në luftë frontale, pastaj totale, do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion shumë të vështirë. Unë besoj që ndërkombëtarët i kanë këto mjete për të marrë masa ndaj tyre. Ata mund të bëjnë dhe si Enver Hoxha, duke i mbajtur gjithë kohës në Shqipëri, mos të dalin jashtë kufijve fare. Në qoftë se duam, fatkeqësia do jetë mbi ne. Në qoftë se ajo gjë ndodh, duhet të na bëjë neve të shqetësohemi, se kemi pasur raste të tjera. Unë besoj që ndërkombëtarët kanë fuqi, sepse kjo strukturë është krijimi i tyre. U krijua një përshtypje, në qoftë se e mbani mend, që krijoi pak dilemë.
    Borakaj: Me fondet e amerikanëve, me ndërprerjen e fondeve.
    Stringa: Dhe u dha kjo përshtypja nga keqinformimi, që gjoja e prenë për këtë, e prenë për atë, ia prenë SPAK-ut, s’ia prenë SPAK-ut. Kur në fakt, ai vendim ia preu të gjithë botës nëse bënte rishikimin. Dhe faktet treguan që këtyre iu hapën më tepër mundësi, fonde, pasi ishte një politikë e ndryshimit të tyre. Unë kam një parim që përdor, që ma kanë mësuar në Amerikë, është mos e ndrysho strategjinë pa t’u mbushur mendja, pa pasur evidenca të mjaftueshme që disa gjëra kanë ndryshuar një herë e mirë.

  • Pezullimi i Ballukut, qeveria: Ndërhyrje në ekzekutiv

    Pezullimi i Ballukut, qeveria: Ndërhyrje në ekzekutiv

    Më 21 nëntor, Këshilli i Ministrave iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një shkresë për të pezulluar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila pezulloi nga detyra Belinda Ballukun nga postet e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
    Në këtë shkresë të siguruar nga Klan News, ku kërkues është Kryeministri Edi Rama, argumentohet se lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së “do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakuum institucional”.
    “Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së, objekt i kësaj kërkese, do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakuum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv. Theksojmë se pezullimi i një ministri apo zëvendëskryeministri, përveçse shkakton mosfunksionalizim të Këshillit të Ministrave si një organ kolegjial i pushtetit ekzekutiv, njëkohësisht pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë së ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar”.
    Më tej renditen edhe pasojat që mund të sjellë mungesa e ministrit në detyrë.
    “Mungesa e ushtrimit të pushtetit ekzekutiv, qoftë edhe në një fushë të përgjegjësisë, sjell pasoja të rënda për interesin shtetëror e shoqëror, duke krijuar vakuum institucional në realizimin e pushtetit ekzekutiv, por edhe të vetë pushtetit legjislativ, pasi pamundëson propozimin e projektakteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projektakte për t’u miratuar deri në fund të vitit 2027, nga ministria që udhëhiqet nga ministri i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”.
    Kryeministri në argumentet e tij rendit edhe arsyet pse ky pezullim është antikushtetues.
    “Cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, i cili, sipas pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës, gëzon imunitetin e deputetit.
    Cenon parimin e ndarjes së pushteteve, të parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, duke vendosur pezullimin nga detyra të ministrit, si organ kushtetues i një pushteti tjetër, dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
    Ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese që kryejnë propozimin, emërimin dhe miratimin e ministrit në detyrë“.
    Në përfundim të shkresës së firmosur nga vetë Rama, kërkohet shfuqizimi i këtij akti pezullimi, duke zgjidhur edhe mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet GJKKO-së dhe Kryeministrit.
    Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo akuzohet për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe atë të lotit 4 të Unazës së Madhe.
    Ndërsa në arrest shtëpie janë edhe dy zyrtarët: kreu i ARSH-së, Gentian Gjyli, dhe drejtori i KESH-it, Erald Elezi./ Klan News

  • Kush është pro “grushtit të shtetit”?

    Kush është pro “grushtit të shtetit”?

    Kush është pro “grushtit të shtetit”?
    Nga Andi Bushati
    Grusht shteti nuk është ai ndaj të cilit gëzon të drejtën të ankohesh, të apelosh apo ke mundësinë të gjesh zgjidhje. Grusht shteti është të qëndrosh në detyrë edhe pasi je kapur duke grabitur duke vazhduar ta bësh këtë pa dhënë llogari
    Pezullimi nga detyra i zv/kryeministets Belinda Balluku, menjëherë pasi ajo u mor e pandehur nga SPAK për tenderat e tunelit të Llogarasë dhe atij të unazës së Tiranës, po përcillet me tone alarmiste nga mbështetësit e qeverisë, që po nxitojnë ta përshkruajnë atë si një “grusht shteti”. Në themel të argumenteve të tyre qëndron prishja e balancës mes pushteteve dhe frika e precedentit se një prokuror apo një gjykatës, mund të vendosin për të shkarkuar apo emëruar ministra. Si mundet drejtësia të ndërhyjë në mandatet e atyre që gjenden aty falë votës popullore? Çfarë gjëme mund të ndodhë, nëse papritmas, shefi i qeverisë sëmuret dhe ai nuk ka ku ta delegojë detyrën, pasi zëvendësen ia kanë “ngrirë”? Kush mund ta përfaqësojë kryeministrin jashtë shtetit në udhëtimet që ai nuk mund të shkojë-, bëjnë sikur shqetësohen ata.
    Pra, ky paralizim i supozuar i punës së ekzekutivit, nga bashkëpunimi mes SPAK dhe GJKKO-së, barabitet në këndvështrimin e tyre me një puç.
    Në fakt, situata është larg së qeni kaq rrënqethëse dhe e rrezikshme. Një grusht shteti, konsiderohet i tillë, kur “viktimat” e tij, nuk kanë mundësinë për apelim. Në këtë rast, edhe Rama, që qahet se i kanë hyrë në kompetenca edhe Balluku që prtetendon se askush nuk ka të drejtë ta pezullojë, i kanë të hapura mundësitë për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese, ashtu sikurse kanë bërë. Pra, puç ndaj të cilit mund të ankohesh nuk ka se si të ketë.
    Po le të shkojmë më tej. Koncepti i rrëmbimit me dhunë të kompetencave të një pushteti tjetër, mer kuptim llogjik kur ky i fundit vihet me shpatulla për muri dhe mbetet pa zgjidhje. Situata imagjinare që kryeministrit i bie, largqoftë një atak, dhe kompetencat e tij mbeten pa zot, mund të përbënte teorikisht një kazus ilustrues. Por edhe në këtë rast, Edi Rama, nuk është pa zgjidhje, madje ka disa të tilla. Së pari, në një vend normal, që porsa u mor e pandehur, pa pritur që ta ç’mobilizonin, Balluku me dinjitet mund të kish dhënë dorëheqje. Ajo zëvendësohej dhe askush nuk kishte pse shqetësohej për krizë. Së dyti, vetë kryeministri, që në 12 vjet ka treguar se vetëm ai është i pazëvendësueshëm, mund ta shkarkonte dhe të caktonte një pasardhëse. Së treti, Edi Rama dhe PS i kanë votat e mjaftueshme për të ndryshuar organigamën e Këshillit të Ministrave dhe nëse duan ta mbajnë me çdo kusht Belën, qoftë dhe të ngrirë, mund të caktonin edhe një, dy, apo tre zv/kryeministra përkrah asaj.
    Për të gjitha këto arsye, një ngërç për të cilin gjenden pafundësisht zgjidhje, nuk mund të shitet si një puç institucional. Duke pezulluar ministren e infrastrukturës dhe zvendësen e kryeministrit, drejtësia as e ka imagjinuar e aq më pak ta ketë realizuar, paralizimin e pushtetit ekzekutiv.
    Po, atëherë, kur nuk ka patericë që ta mbajë në këmbë, pse u ngrit kjo tymnaja e grushtit të shtetit? Arsyeja është e thjeshtë, shumë më pak juridike sesa politike, shumë më pak institucionale sesa propagandistike.
    Ajo lidhet hapur me interesat e Edi Ramës. Rasti Balluku është shumë më i veçantë se paraardhësit, kur drejtësia ka shënjestruar brenda vathës së kryeministrit. Një forcë e padukshme duket sikur e ka trimëruar SPAK-un, të godasë në zëmër të pushtetit, pa marrë paraprakisht lejen e shefit. Të njëjtët faktorë po gërmojnë në thelbin e vendimarrjes së tij, në ca tendera ku ai nuk mund të përdorë më alibinë se janë bërë pas shpinës së vet. Prokurorët sepecialë, për herë të parë, po godasin një anëtar qeverie në detyrë, madje numrin dy të saj.
    Të gjitha këto “risi”, e kanë detyruar kryeministrin që të përgënjeshtrojë ato që ka deklamuar përgjatë një dekade. Ai dikur përbetohej se Partia Socialiste dhe qeveria nuk do bëhen mburojë e njerëzve në hetim, tani po sillet ndryshe. Ai dikur predikonte se ata s’duhet të kërkojnë mbështetje politike, por avokat, tani e ka veshur vetë këtë togë. Ai dikur thoshte se gjithmonë do të ketë të babzitur që do hanë kumblla dhe dardha pa djeninë e tij, tani se përdor dot më këtë alibi.
    Nuk dihet nëse – ashtu siç pëshpëritet pa fakte, Rama mund të ketë ndryshuar qëndrim prej shantazheve të Ballukut. Po aq e pa sigurtë është edhe pandehma se ai ka vendosur ta mbrojë atë, pasi frikësohet se loja mund ti dalë nga kontrolli dhe se laku po mblidhet rreth tij.
    Këto hipoteza, sado që ngjajnë logjike, mund të jenë edhe shumë larg të vërtetës. Por ato sëbashku përmblidhen në një emërues. Rasti Balluku është i ndryshëm nga të gjithë ato të shokëve të shitur rrugës dhe këtë e vërteton fakti se, këtë radhë, Edi Rama, po sillet 100% ndryshe nga të gjithë herët e tjera.
    Për të fshehur sadopak një legenosje ulëritëse në sy të publikut atij i duhej tymnaja që ngritën borizanët e alarmit të grushtit të shtetit. Ajo përbënte zhurmuesin e vetëm të mundshëm për të mos folur për një të vërtetë bazike: mbajtjen në detyrë të një të dyshuare si hajdute recidiviste që, duke ndejtur në karrige, mund të përsërisë të njëjtat skenare që u zbuluan nga celulari i Elvis Berberit.
    E pra, kaq i thjeshtë është roli i atyre që vunë kujën për rrezikun e një puçi. Paradoksalisht, ata që dukej sikur po përpiqeshin të na mbronin, janë promovuesit kryesorë që ai të ndodhë. Sepse grusht shteti nuk është ai ndaj të cilit gëzon të drejtën të ankohesh, të apelosh apo ke mundësinë të gjesh zgjidhje. Grusht shteti është të qëndrosh në detyrë edhe pasi je kapur me dorën në thes, duke pretenduar ta vijosh këtë ves pa pyetur për normat e shtetit ligjor.
    Akoma dhe më e vërtetë bëhet kjo në mjedisin shqiptar, ku sistemi nuk vuan nga paralizimi qeverisë prej pushteteve të tjera, por nga hiperfuqia e saj për të bërë ç’të dojë, pa dhënë llogari askund. Prandaj alarmi i propogandistëve të rilondas, përveçse fallc, është edhe pervers, pasi ai mëton të ruajë të pacënuara pozitat dhe liritë e atyre që janë vërtetuar se kanë dorë.
    ©Lapsi.al

  • Si ndikojnë emocionet negative tek shëndeti i njeriut

    Si ndikojnë emocionet negative tek shëndeti i njeriut

    Ndërsa përjetojmë apo kalojmë përmes situatave e gjendjeve të caktuara, truri ynë sinjalizon trupin tonë, duke shkaktuar ndryshime fiziologjike që jo gjithmonë “vihen re” prej nesh. Nga ana tjetër, këto ndijime trupore e ndihmojnë mendjen të njohë një emocion që mund të jemi duke përjetuar.
    Kjo shpjegon deri diku, pse përpjekja për të buzëqeshur, apo pozicionimi i duhur i trupit, kur qëndrojmë ulur, ndikojnë pozitivisht dhe thuajse në mënyrë të menjëhershme, në humorin, sjelljen tonë apo ndoshta, në një situatë stresuese edhe dhimbjet e stomakut, dhëmbëve, etj.
    Le të shohim konkretisht një interpretim të zonave të dhimbjes dhe emocioneve negative të lidhura me to, sipas përkrahësve të kësaj teorie:

    Qafa: Refuzim për të parë anët e tjera të një çështjeje, kokëfortësi dhe mungesë fleksibiliteti.
    Shpatullat: Paaftësi për të jetuar gëzueshëm eksperiencat e jetës, për të marrë më të mirën e tyre.
    Pjesa e sipërme e shpinës: Mungesë mbështetjeje emocionale. Ndjesia se askush nuk të do. Vështirësi për të falur dashuri.
    Pjesa e mesme e shpinës: Ndjenjë faji. E kaluara nuk të lëshon.
    Pjesa e poshtme e shpinës: Pasiguri financiare. Bërrylat: Frikë nga ndryshimet. Mospranim i eksperiencave të reja.
    Kyçet e duarve: Pamundësi për t’i vënë gjërat në lëvizje apo për t’i lehtësuar.
    Ijët: Frikë për të marrë vendime të mëdha. Mungesë objektivash.
    Gjunjët: Krenari dhe ego e sëmurë. Ke frikë të përfshihesh. Vështirësi në përshtatje. Mungesë fleksibiliteti.
    Kyçet e këmbëve: Nuk merr kënaqësi nga jeta. Mungesë fleksibiliteti dhe ndjesi faji. Mungesë mbështetjeje financiare.

  • Rusia refuzon planin e ri me 19 pika, kërkon zbatimin e dokumentit fillestar me 28 pika

    Rusia refuzon planin e ri me 19 pika, kërkon zbatimin e dokumentit fillestar me 28 pika

    Rusia po përgatitet të refuzojë planin e ri të armëpushimit prej 19 pikash të hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina, sipas burimeve të cituara nga New York Post.

    Megjithatë, e njëjta media thekson se Moska do të jetë e hapur për negociata në mënyrë që të mbajë Donald Trump të përfshirë, që do të thotë se lufta do të vazhdojë të paktën deri në Krishtlindje.
    Shtëpia e Bardhë këmbëngul se po punon drejt një marrëveshjeje, pas një propozimi fillestar prej 28 pikash nga i dërguari special Steve Witkoff. Plani fillestar u kritikua ashpër ndërkombëtarisht dhe u reduktua në 19 pika pas bisedimeve të nivelit të lartë midis Uashingtonit dhe Kievit të dielën. Versioni i ri u konsiderua i pranueshëm nga Ukraina.
    Megjithatë, burime për New York Post thanë se Rusia nuk ka ndërmend të bjerë dakord as me versionin e shkurtuar, pasi nuk ishte e kënaqur me kornizën fillestare.
    Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ngriti rreziqet sot, duke përsëritur se Moska nuk do të mbështeste asnjë plan që devijon nga propozimi origjinal prej 28 pikash.
    Lavrov e lidhi planin e ri me kontaktet Trump-Putin në samitin e gushtit në Anchorage: “Pas Anchorage-it ne menduam se mirëkuptimet ishin kapur tashmë. Pati një pauzë të gjatë dhe tani ajo është ndërprerë me prezantimin e dokumentit të ri”, tha ai.
    Kremlini e kishte përshëndetur planin fillestar si një rrugë të vërtetë drejt paqes. Lavrov paralajmëroi, sipas Financial Times, se nëse “fryma dhe shkronja e Anchorage-it” shkeleshin, situata “do të ndryshonte rrënjësisht”.
    Megjithatë, sipas New York Post, Rusia nuk dëshiron të shfaqet si pala që e hedh poshtë plotësisht iniciativën amerikane.

    Top Channel

  • Bisedimet për luftën Rusi-Ukrainë, Erdogan: Le të zhvillohen në Stamboll, do punojmë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme

    Bisedimet për luftën Rusi-Ukrainë, Erdogan: Le të zhvillohen në Stamboll, do punojmë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme

    Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka propozuar që bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës të zhvillohen në Stamboll, duke e pozicionuar sërish Turqinë si ndërmjetëse kyçe në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

    Erdogan theksoi se Ankaraja do të vazhdojë të punojë për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ndërsa nënvizoi se Turqia është gati të mbështesë çdo nismë diplomatike që çon drejt armëpushimit.
    Ai u shpreh se bisedimet direkte mes palëve “mund të mbahen në Stamboll”, duke kujtuar se Turqia është në kontakt të vazhdueshëm si me Moskën, ashtu edhe me Kievin.
    Kjo lëvizje konsiderohet pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Ankarasë për të ruajtur rolin e saj si kanali kryesor i komunikimit mes dy vendeve, duke u mbështetur në përvojën e raundeve të mëparshme të negociatave që u zhvilluan pikërisht në Stamboll.

    Top Channel