Nga Eduard Zaloshnja
Vjet ndërruan jetë 22102 shtetas në Shqipëri. Nga këta, vetëm 3% vdiqën prej shkaqesh jonatyrale – gjithsej 633 vdekje jonatyrale. Ndër vdekjet jonatyrale, 199 ishin nga vetvrasjet, 44 nga vrasjet, dhe 390 nga aksidente të ndryshme – rrugore, ujore, pune, zjarri, alpinizmi, helmimi, etj.
INSTAT ende nuk ka nxjerrë statistika rreth shkaqeve të vdekjeve për këtë vit (i nxjerr pas mbylljes së vitit). Sidoqoftë, në rrugë operative kam siguruar të dhëna rreth vdekjeve jonatyrale deri më sot, të cilat tregojnë se kanë humbur jetën në mënyrë jonatyrale këtë vit rreth 430 shtetas në Shqipëri.
Në qoftë se vazhdon ky trend deri në fund të dhjetorit, do të shënohet reduktimi më i fortë vjetor i vdekjeve jonatyrale në vendin tonë (përveç vitit të pandemisë, kur u kufizuan ndjeshëm lëvizjet e njerzve jashtë shtëpisë). Dhe reduktimi aktual është pothuaj i njëtrajtshëm për të gjitha shkaqet e vdekjeve jonatyrale.
Le të shpresojmë se ky vit do të mbyllet me sa më pak jetë të humbura nga shkaqe jonatyrale!
Day: November 24, 2025
-

Vjet, 633 vdekje jonatyrale. Këtë vit deri sot, rreth 430
-

Venecia i mbyll dyert Greta Thunberg, aktivistja gjobitet dhe ndalohet të hyjë
Greta Thunberg dhe 35 aktivistë të grupit “Extinction Rebellion” janë ndaluar të hyjnë në Itali për 48 orë dhe janë gjobitur me nga 150 euro secili, pas një serie protestash ku lumenjtë, kanalet dhe shatërvanët në dhjetë qytete italiane u lyen me një ngjyrë të gjelbër të ndezur. Mes këtyre qyteteve ishte edhe Venecia, ku aktivistët ngjyrosën Kanalin e Madh, një prej pikave më ikonike të qytetit.
Sipas grupit, ngjyra e përdorur ishte “plotësisht e biodegradueshme dhe miqësore me mjedisin”, ndërsa protesta u zhvillua me sloganin “Stop Ecocide”, në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare për samitin COP30 që do të mbahet në Brazil.
Gjatë protestës në Venecia, ku mori pjesë edhe vetë Greta Thunberg, aktivistët marshuan pranë turistëve në Urën e famshme Rialto, duke tërhequr vëmendjen e madhe të mediave dhe kalimtarëve. Reagimi i autoriteteve italiane ishte i menjëhershëm.
Luca Zaia, guvernatori i rajonit të Venetos, e dënoi ashpër veprimin duke e cilësuar si “shkelje të respektit ndaj qytetit dhe historisë sonë”. Sipas tij, edhe nëse substanca ishte e padëmshme, “një gjest i tillë mund të ketë pasoja për mjedisin dhe krijon precedent të rrezikshëm për zonat e mbrojtura”.
Ngjyra e gjelbër u hodh në disa pika të tjera në Itali, përfshirë lumin Po në Torino, lumin Reno në Bolonjë, lumin Tara në Taranto, si dhe shatërvanë në Padova dhe Xhenova. Aksioni synonte të vinte në dukje urgjencën e krizës klimatike dhe kërkesën e aktivistëve që qeveritë të trajtojnë “ekocidin” si krim ndërkombëtar.
Ndërkohë, ndalimi 48-orësh i hyrjes në Itali dhe gjobat janë parë nga mbështetësit e Greta Thunberg si masa të tepruara, ndërsa kritikët i konsiderojnë protestat si të dëmshme për trashëgiminë kulturore dhe mjedisore të qyteteve historike. -

Dumani: Kemi marrë kërcënime nga politika, media dhe krimi i organizuar
Kreu i SPAK Altin Dumani, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave ka folur për vështirësitë gjatë punës në SPAK që prej krijimit 6 vite më parë.
Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut.
Megjithatë Dumani përmendi si vështirësi edhe presionet nga politika, media apo krimi.
“Vështirësitë kanë qenë të shtumta. Ne në dhjetor mbushim 6 vjet. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve. Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendjeshim, i publikut qe kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndërsa pritshmëritë ishin të mëdha, mundësitë tona reale ishin të kufizuara.
Tjetër vështirësi ishte menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar.
Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar”,- tha Dumani. -

Bashkëpunim ndërkombëtar! BBVIP Kosova dërgon këtë banore në formatin italian
Një moment historik po vjen për “Big Brother VIP Kosova 4”. Moderatori Alaudin Hamiti ka shpallur gjatë spektaklit të sotem një lajm , duke bërë të ditur se për herë të parë në historinë e këtij edicioni do të realizohet një shkëmbim banorësh me “Grande Fratello” në Itali.
Hamiti konfirmoi se një prej banorëve të shtëpisë së BBVK do të udhëtojë drejt Italisë, ku do të qëndrojë për një javë në një nga shtëpitë më të famshme të formatit italian. Sipas moderatorit, banorja e zgjedhur për këtë eksperiencë ndërkombëtare është Dolce, një prej protagonisteve që ka tërhequr vëmendjen e publikut që nga dita e parë e hyrjes në shtëpi.
“Dolce do të shkojë për një javë në Grande Fratello”, tha shkurt Hamiti.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në rritjen e nivelit të produksionit, duke forcuar lidhjet mes dy tregjeve televizive, atij shqiptar dhe italian. Për herë të parë, një banor i “Big Brother VIP Kosova” do të përballet me sfida, dinamikë dhe audiencë krejtësisht të re, përmes një eksperiencë që pritet të sjellë shumë reagime dhe zhvillime të reja në lojë.
Ky shkëmbim konsiderohet një moment unik, që jo vetëm i shton emocion programit, por edhe e vendos BBVK në një nivel më të gjerë ndërkombëtar. -

Vinicius ndan mendjen, merr vendimin për të ardhmen
Vinicius nuk do rinovojë me Real Madrid. Sulmuesi brazilian ka marrë këtë vendim, për shkak të raporteve jo të mira me trajnerin e skuadrës Alonso.
Pas një takimi me Presidentin Perez muajin e kaluar, Vinicius ka lënë të kuptohet se vullneti i tij nuk është qëndrimi në Madrid. Mbetet të shihet si do shkojnë gjërat në verë, me Los Blancos që mund të shesë lojtarin, para se t’i përfundojë kontrata në vitin 2027. -

“Më mungon të gjej shtëpinë me gëzim”/ Elijona rrëfen se si humbi nënën dhe motrën në aksident
Banorja e “Big Brother VIP Kosova 4”, Elijona, ka ndarë një rrëfim shumë emocionues dhe prekës për jetën e saj, ku ka zbuluar dhimbjen e thellë që ka përjetuar pas humbjes së nënës dhe motrës në një aksident tragjik. Me lot në sy, Elijona ka përshkruar momentet e vështira kur, më 25 korrik, u nis për në Kosovë me autobus, por rruga përfundoi në tragjedi.
“Jena nis me autobus për në Kosovë, dhe menzi prisnim me mbërrit. Nuk ka pasur më të lumtur. Me 25 korrik, në ora 6:20, kam dëgjuar njerëz duke bërtitur, dhe veç e mbaj mend që kam dalë e kam qenë krejt vet. Kur e kam pa që e kam motrën e madhe, m’u hek një dert, por motra tjetër mungonte. Babi dhe vëllai ishin në Gjermani, na ishim vetëm vëllai dhe motrat”, tregon Elijona.
“Jena kanë duke e kërkuar, e pastaj kam pa kamën e mamit dhe ia tregova motrës. Jam dalë në rrugë dhe e thirra babin në telefon, sepse e gjeta telefonin e mamit në rrugë. E kam thirr babin dhe i thashë se kishim pasur aksident. Babi u nis të vinte në Kroaci. Për motrën, kishim mbajtur shumë shpresë”, rrëfeu Elijona.
“Më mungon mami dhe motrat, dhe më mungon të gjej shpinë vetëm me gëzim”.- shtoi ajo. -

Muçi “ndez” më në fund me Trabzonspor, realizon dy golat e parë (VIDEO)
Ernest Muçi më në fund ka mundur të lërë gjurmë me Trabzonspor. Sulmuesi kuqezi ka realizuar dy gola, në fitoren e kampionatit ndaj Basaksehir.
Ai u aktivizua në minutën e 63-të dhe menjëherë u shndërrua në protagonist. Muçi gjeti golin e parë, në minutën e 77-të.24 vjeçari kompletoi dopietën personale, në fundin e sfidës. Për të këta janë dy golat e parë me fanellën e Trabzonspor.
Muçi nuk u grumbullua në nëntor, për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë. -

Serie A luhet gjatë ndeshjeve të Play Off të Botërorit? Italia tregon vendimin e fundit
Italia e Genaro Gatusso kërkoi që ndeshjet e javës së 30-të të Serie A të shtyhen, në mënyrë që trajneri i kombëtares të ketë mundësi të punojë me skuadrën për Play Off-in e marsit.
Diçka e tillë është e pamundur të ndodhë, për shkak të kalendarit të ndeshjeve, i cili është tepër i ngjeshur. Konfirmimi ka ardhur së fundmi nga presidenti i federatës italiane, Gabriele Gravina.“Ne nuk po kërkojmë alternativa apo rrugë të shkurtra. Nuk e konsideroj shtyrjen e ndeshjeve si një mundësi”- tha Gravina.
Vlen të theksojmë se në rast të shtyrjeve të ndeshjeve do përfitonte edhe Sylvinho, pasi në Serie A luajnë lojtarë si si Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Elseid Hysaj, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha.
Shqipëria synon që të shkojë në Botëror për herë të parë në histori. Në gjysmëfinale të Play Off, luajmë ndaj Polonisë. -

“Skifteri” nga Lezha me Rolex dhe Lamborghini, “The Telegraph”: Bën karshillëk, teksa kundërshton dëbimin
“The Telegraph” i ka kushtuar një artikull shqiptarit Dorjan Puka, që sipas kësaj mediaje bën “karshillëk me ora të shtrenjta e mjeti luksi, ndërsa kundërshton dëbimin në Shqipëri”.
Pjesë nga shkrimi:
Dorian Puka, 29 vjeç, është burgosur dhe deportuar dy herë për vjedhje
përpara se të kthehej fshehurazi në Britani, ku e ka kaluar vitin duke tallur Ministrinë e Brendshme me video të stilit të tij luksoz të jetesës në TikTok.
Ministria e Brendshme ka pranuar se është e pafuqishme ta largojë
përsëri Pukën derisa kërkesa e tij për azil të jetë dëgjuar plotësisht, por ka paralajmëruar se kriminelët e huaj nuk duhet të kenë “asnjë dyshim” për zbatimin e ligjit.
Në videot e tij të fundit, shqiptari ka filmuar veten duke drejtuar një Lamborghini Urus V8 të vitit 2022 , me vlerë 184,950 paund.
Ai ka publikuar gjithashtu video të koleksionit të tij të orëve, duke filluar nga një Rolex Day-Date, shpesh i quajtur Rolex President, me vlerë 53,000 £, deri te më e lira, me çmim nga 5,000 deri në 10,000 £. Vlera totale e gjashtë orëve vlerësohet në 162,500 £.
Kjo vjen më pak se një javë pasi Shabana Mahmood, Sekretarja e Brendshme, njoftoi masat e saj të rrepta ndaj azilit, duke përfshirë një rishikim të sistemit të apelimit për të përshpejtuar deportimet dhe një premtim për të kthyer familjet shqiptare që nuk kanë kërkuar azil në vendin e tyre.
Ajo njoftoi gjithashtu plane për t’u kërkuar azilkërkuesve të paguajnë për mbështetjen e tyre nëse kanë asete të tilla si makina, biçikleta elektrike, para të gatshme ose investime.
Ka kaluar më shumë se një vit që kur Puka promovoi videon e tij të parë duke ngarë një Ferrari të kuq. Kjo video u pasua menjëherë nga një foto e postuar në mediat sociale në të cilën ai tallte Nigel Farage pasi kreu i Reform UK e përshkroi atë si një “njeri të gabuar” që duhet të deportohet.
Puka iu kundërpërgjigj me një foto të tij, së bashku me një imazh të modifikuar në Photoshop të z. Farage duke i bërë dolli fotografit që po bënte “foto”.
Ai gjithashtu postoi një video të tij në Ferrari, me kritikat e udhëheqësit të Reform UK që luheshin në sfond.
Ai u burgos fillimisht për nëntë muaj në vitin 2016 dhe u deportua vitin pasardhës për përpjekje për të hyrë me forcë në një pronë. Pronari e pa atë në kamerA, ndërsa ishte me pushime në Francë.
Brenda një viti, ai arriti t’i shmangej kontrolleve kufitare dhe të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar, duke kryer një sërë vjedhjesh në periferi të Londrës.
Puka u kap përfundimisht nga oficerë të veshur civilë që patrullonin Surbiton, në jugperëndim të kryeqytetit. Ai mbante një orë të shtrenjtë që e kishte vjedhur. Ai u burgos për tre vjet e gjysmë dhe më pas u deportua në mars të vitit 2020.
Gjatë kohës që kaloi në një burg në Mbretërinë e Bashkuar, ai fitoi famë të keqe për përdorimin e një telefoni celular të futur ilegalisht në burg për të postuar foto të vetes në Instagram.
Ai pozoi përkrah udhëheqësit të një grupi të krimit të organizuar, i cili po vuante një dënim me 12 vjet burg për furnizim me kokainë dhe pastrim parash.
Pasi u kthye në Shqipëri për disa muaj, ai udhëtoi nëpër Gjermani, Belgjikë dhe Holandë përpara se të kalonte kontrollet kufitare për të hyrë përsëri në Britani në dhjetor 2020, sipas llogarisë së tij në Instagram.
I përballur me deportimin, ai paraqiti një kërkesë për azil dhe ka qenë me kusht për imigracionin dhe i nënshtruar një etikete elektronike që nga viti 2023, ndërsa pret një gjykatë të vendosë për kërkesën e tij.
Përveç videos së Ferrarit, ai ka postuar foto dhe video nga koha e tij me pushime në hotelin Carbis Bay pranë St Ives, Cornëall, ku shfaqet duke ecur në plazh.
Llogaria e tij në rrjetet sociale përfshin gjithashtu imazhe me makina të tjera luksoze, duke përfshirë një Porsche Cayenne, një Mercedes G-Wagon, një Bentley Bentayga, një BMW X5, një Mercedes AMG dhe një Jaguar XF.
Burimet e tij të financimit mbeten të panjohura, por raportet shqiptare sugjerojnë se ai ka qëndruar në një apartament me dy dhoma gjumi me vlerë 250,000 paund në Hounsloë, në perëndim të Londrës. -

Banesa e rrethuar nga RENEA/ Gazetari bën profilin e Hamza Ukës: Kërcënoi gjyqtarin e prokurorin…
Gazetari Ferdinand Dervishi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, rindërtoi profilin e personit të shumëkërkuar Hamza Uka, njërit prej dy personave që u vetëdorëzuan sonte pasi u rrethuan nga RENEA, në një shtëpi në një zonë të thellë të Fushë Arrëzit, në Pukë.
Dervishi tha se Hamza Uka që emrin e vërtetë e ka Erzen, ka qenë komando në Afganistan dhe prej nga aty, u kthye i radikalizuar dhe se ishte dënuar me tre vite burg, ndërsa kishte kërcënuar edhe gjyqtarin dhe prokurorin në gjyq.
“Hamza në gjuhën arabe do të thotë Luan. Ai e ka emrin Erzen, por nuk e dimë nëse personat e dorëzuar janë këta, do të verifikohet. Erzeni është arrestuar në 12 dhjetor 2019 për terrorizëm, si person me pritje radikale dhe ka qenë komando në Afganistan. E çuditshme është që të shkosh atje për të luftuar terrorin dhe të kthehesh radikal. Është gjetur video ku u mësonte fëmijëve se si të stërviteshin. Është mbrojtur dhe kanë thënë se këto janë private.
U dënua 3 vite burg në 2019 dhe e kreu. Në sallën e gjyqit kërcënoi gjyqtarin dhe prokurorin Eugen Beçi dhe madje futi edhe njerëz nga jashtë për t’i kërcënuar.
Ky njeri është ndër personat më të vëzhguar nga antiterrori për problemet që ka paraqitur për lidhjet dhe mënyrën si funksionon”- tha Dervishi.