Day: November 21, 2025

  • Kaubojsi amerikan/ Kush qëndron pas trimërimit të SPAK, Bushati: Rama nuk e lëshon Ballukun

    Kaubojsi amerikan/ Kush qëndron pas trimërimit të SPAK, Bushati: Rama nuk e lëshon Ballukun

    Analisti Andi Bushati, ka folur për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut dhe ndalimin e saj për të dalë jashtë vendit, të dyja vendimet të GJKKO, pas kërkesës së SPAK.  Bushati tha se në pamje të parë, duket sikur SPAK po vepron pa lejen e Edi Ramës, pasi ky i fundit ka dhënë shenjat se jo vetëm nuk e ka “lëshuar” Ballukun, por po “konfrontohet” për herë të parë me SPAK.  Bushati foli edhe për hipotezën e hedhur se mbrapa këtij “trimërimi” të SPAK mund të jetë një faktor i huaj, si amerikanët.
    “Duket sikur për herë të parë, SPAK ka dalë përtej lejes që i jep Edi Rama. Nuk ka shkuar deri te Rama, por sikur ka leje të veprojë edhe pa lejen e Ramës. Duket qartë që Rama nuk do ta dorëzojë Belinda Ballukun. Është pak më pozitive, se përpara, por jemi larg një drejtësie të pavarur.
    Konkluzioni i dytë, jemi për herë të parë, që duket sikur Rama, konfrontohet ballë për ballë me drejtësinë. Nëse e mbajmë mend, pa u bërë reforma, që nga rasti i Shpëtim Gjikës, deviza e Ramës ka qenë “nuk do të bëhemi pengesë për drejtësinë” dhe strehë për njerëzit e familjes tonë me të cilën ka punë drejtësia. Sot ndejti shtatë orë me Ballukun pas vendimit të gjykatës, kur prisnim minimumin e pezullimit apo shkarkimit. Mediat e Ramës, thonë se pezullimi i Ballukut është anti-kushtetuese. Duket se ka konfrontim midis SPAK, GJKKO dhe Ramës.
    E treta, ore çfarë i trimërojë këta njerëz? Me sa i njohim, këta nuk veprojnë pa patur ndonjë ombrellë. A kemi një lëvizje tektonike të ekuilibrave? Mos është futur ndonjë kaubojs amerikan? Kjo shpjegon edhe trimërimin e SPAK, GJKKO-së dhe faktin që Rama po e sheh që një faktor tjetër mund të luajë lojën që do luajë ai. Këtu pastaj, duket sikur hyn në një fazë të re të lojës. Këto janë për mua tre pikat.
    Po ti shtojmë, edhe faktin që është kapur Veliaj, por për brekët e Ajolës. Beqja për faturat e resotrantit. Ben Ahmetaj për vilat dhe jo vendimet. Te rasti Balluku, jemi për herë të parë, që po hetohen dy vepra madhore ku është Rama i përfshirë, Tuneli dhe Unaza. Nuk kemi më fabulën e njerëzve që hanë kumblla dhe dardha pas kurrizit të Ramës, por po tregohet se korrupsionin e bën Rama. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e kundërvënies që po lind, që është në filizë mes Ramës dhe SPAK”, deklaroi Bushati.

  •  Capello: Të krijojmë mentalitetin e grupit, Italia nuk ka kampionë të mëdhenj   

     Capello: Të krijojmë mentalitetin e grupit, Italia nuk ka kampionë të mëdhenj  

    21 Nëntor 2025

    7:43

    Alfred Lleshi

    Shorti i “play off”-it për Botërorin 2026 e vendosi kombëtaren italiane ndaj Irlandës së Veriut. “Gazzetta dello Sport” kontaktoi Fabio Capellon për të analizuar situatën e axurrëve: “Gattuso e mori drejtimin pas dy ndeshjeve të para kualifikuese të grupit, arriti fitore dhe i dha pak shpirt ekipit.
    Nuk pamë lojë të madhe ose personalitet të fortë; humbja ndaj Norvegjisë la gjurmë te lojtarët, por Gattuso bëri atë që duhej dhe kjo është e rëndësishme. Kundër Norvegjisë u dorëzuam përsëri, ndaj kjo na detyron të mendojmë për aftësitë tona reale. E kam dëgjuar çfarë tha Rino pas ndeshjes…
    Tani nuk kemi kampionë të mëdhenj, prandaj aspekti më i rëndësishëm është të krijojmë mentalitetin e grupit, por është e vështirë. Historikisht Italia ka shkuar përpara në turne të mëdhenj kur ka pasur një grup të fortë. Tani jemi pak të fragmentuar, çdo futbollist vjen nga realitete të ndryshme”.

  • Demokratët i përgjigjen Trumpit me një video të Messit, pas vizitës së CR7 në “Shtëpinë e Bardhë”

    Demokratët i përgjigjen Trumpit me një video të Messit, pas vizitës së CR7 në “Shtëpinë e Bardhë”

    21 Nëntor 2025

    7:50

    Alfred Lleshi

    Partia Demokratike në SHBA ndezi debatin politik dhe atë sportiv duke publikuar në TikTok një video me Lionel Messin, vetëm 24 orë pasi “Shtëpia e Bardhë” publikoi pamjet e presidentit Donald Trump duke ecur me Cristiano Ronaldon, të shoqëruara me mbishkrimin “two GOATs”.
    Videoja e demokratëve përmbledh momentet më ikonike të Messit; gola historikë me Barcelonën, lojëra me PSG-në, festime me Argjentinën dhe paraqitjen e njërit prej 8 “Topave të Artë”; një kundërpërgjigje simbolike ndaj gjestit të Trumpit.
    Vizita e Ronaldos në Washington, së bashku me Georgina Rodriguez, u kthye në fenomen politik e mediatik. Trump theksoi entuziazmin e të birit, Barron, për takimin me yllin portugez, ndërsa interpretimi publik ishte se presidenti kërkonte të lidhej me një nga figurat më me ndikim në sport.
    Ronaldo, tashmë promotori kryesor i projektit global të Arabisë Saudite dhe i Botërorit 2034, u shfaq në SHBA vetëm 7 muaj para Botërorit 2026, duke nxitur spekulime mbi motive promocionale. Përplasja Messi–Ronaldo u transferua kështu në arenën politike amerikane.
     

  • Marotta: Ja pse ky derbi është epokal. Adeyemi tek Interi? Nuk flas për merkaton tani…

    Marotta: Ja pse ky derbi është epokal. Adeyemi tek Interi? Nuk flas për merkaton tani…

    21 Nëntor 2025

    8:13

    Alfred Lleshi

    Giuseppe Marotta, në “Sport Industry Talk” të RCS, foli për derbin e së dielës, të cilin e quajti “epokal”, pasi është i pari që Interi dhe Milani e luajnë si bashkëpronarë të “San Siros”. Ai theksoi “rivalitetin e shëndetshëm” mes klubeve dhe rëndësinë e këtij hapi të përbashkët që, sipas tij, garanton respekt dhe vazhdimësi për të ardhmen e stadiumit. Marotta e cilësoi derbin “një spot për gjithë futbollin italian”.
    Presidenti zikaltër u ndal edhe te Pio Esposito, sulmuesi i lindur më 2005: “Prej vitesh ishte i destinuar për t’u bërë i madh. Jemi krenarë që vjen nga akademia dhe mban fanellën e Interit. Ai duhet të bëhet shembull për gjeneratat e reja”.
    Sa i përket merkatos, Marotta frenoi zërat për Karim Adeyemi: “Nuk flasim për merkaton tani, jemi krenarë për lojtarët tanë. Do të shohim më vonë me drejtorët sportivë”. Pra, mbylli çdo spekulim të menjëhershëm.
     

  • San Antonio rikthehet protagonist, Milwaukee ndalet pas kohës shtesë, fitojnë Orlando e Memphis

    San Antonio rikthehet protagonist, Milwaukee ndalet pas kohës shtesë, fitojnë Orlando e Memphis

    Fitorja e tretë radhazi për San Antonio, që mundi 135-126 Atlanta. Një ndeshje spektakolare. De’Aron Fox me 26 pikë e Keldon Johnson me 25 pikë bënë diferencën për Spurs, ndërsa 38 pikët e Walker për miqtë mbetën për statistikë.
    Pas kohës shtesë triumfoi skuadra e Philadelphia, që mundi 123-114 Milwaukee jashtë fushe. Mungesa e Antetokounmpo u ndje për vendasit (Rollins 32 pikë), ndërkohë që për miqtë shkëlqeu Tyrese Macey, autor i 54 pikëve.
    Fiton edhe Orlando, që mposhti 129-101 Clippers, ndeshje ku diferencën e bëri stoli i Orlando, nga ku erdhën 47 pikë. Ndërsa Memphis, falë 50 pikëve të dyshes Aldama-Landale, mposhti pa probleme ekipin e Sacramento me rezultatin 137-96.
    NBA-Rezultatet e sotme
    Orlando – Clippers, 129-101
    Memphis – Sacramento, 137-96
    Milwaukee – Philadelphia, 114-123
    San Antonio – Atlanta, 135-126

  • Befasuese, Pol Pogba kthehet në fushë pas 26 muajsh mungesë dhe bashkohet me Monakon

    Befasuese, Pol Pogba kthehet në fushë pas 26 muajsh mungesë dhe bashkohet me Monakon

    Adriatik BALLA
    Më shumë se dy vjet kishte Pol Pogba që ishte pezulluar nga garat e futbollit pasi u gjet fajtor për përdorim dopingu dhe u pezullua nga VADA, agjencia ndërkombëtare e antidopingut. Në fakt, shumë peripeci kaloi mesfushori francez, i cili atëherë ishte pjesë e Juventusit, por tani ai mund të gëzohet që është kthyer në fushë dhe mund të luajë sërish. Janë vetë mediat sportive që shkruajnë se Pol Pogba pritet të përfshihet në skuadrën e Monakos për ndeshjen ndaj Renes këtë të shtunë, duke shënuar rikthimin e tij në fushë pas 26 muajsh mungesë. Mesfushori francez, 32-vjeçar, nuk ka luajtur që nga 3 shtatori 2023, kur u aktivizua për 28 minuta me Juventusin kundër Empolit. Ky do të jetë debutimi i tij në Ligue 1, pasi ka lënë Le Havre për Mançester Junajtid në moshën 16-vjeçare.
    Pogba ishte i pezulluar për përdorim të DHEA, një substancë që rrit nivelin e testosteronit, dhe dënimi i tij fillestar prej katër vitesh u reduktua nga CAS në 18 muaj, duke e bërë të mundur rikthimin e tij nga marsi 2025. Francezi me 91 ndeshje dhe 11 gola për kombëtaren ka stërvitur normalisht gjatë javës dhe, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të grumbullojë minutat e para për të rikuperuar ritmin dhe formën e plotë. Plani i klubit është që Pogba të rrisë gradualisht minutat në fushë, deri sa të jetë gati të luajë 90 minuta radhazi. Trajneri i ri i Monakos, Sebastien Pokognoli, e sheh Pogbën si një udhëheqës të rëndësishëm për një skuadër të re që aktualisht renditet e gjashta në Ligue 1, pesë pikë pas Marsejës dhe shtatë pas liderit PSG.
    Që nga nënshkrimi i kontratës dyvjeçare në qershor 2025, Monako ka zhvilluar një program të plotë rikuperimi dhe përgatitjeje fizike për Pogbën, duke përfshirë analiza biokimike, teste kognitive dhe stërvitje intensive për të shmangur rrezikun e lëndimeve. Pogba do të vesh fanellën me numrin 8 dhe pritet të nisë kapitullin e ri të karrierës së tij këtë fundjavë, duke sjellë eksperiencën dhe udhëheqjen e tij në një skuadër të rinovuar dhe ambicioze. Rikthimi i Pol Pogba në fushë tregon se ai ka vullnet dhe ka ende energji për të treguar cilësi në fushë. mediat e presin me interes angazhimin e tij në lojë, por mbetet për t’u parë a e gëzon formën e tij më të mirë sportive. Një qëndrim kaq i gjatë larg fushave mund të ketë pasoja, ose të paktën do të kërkojë shumë kohë të kapë nivelin e vet më të mirë. Në këtë moshë duket e vështirë, por ai është kthyer gjithsesi dhe mund të jetë kthimi më mbresëlënës i karrierës së tij të gjatë në fushat e blerta.
     

  • Ermal Hadribeaj: Kthimi im në Tiranë për të mbrojtur titullin, objektiv të kap majat e boksit botëror

    Ermal Hadribeaj: Kthimi im në Tiranë për të mbrojtur titullin, objektiv të kap majat e boksit botëror

    Të dielën, një nga boksierët më të mirë shqiptarë të viteve të fundit, Ermal Hadribeaj, do të ngjitet në ring për të mbrojtur titullin WBC International, në një ndeshje që do të zhvillohet në Tiranë. Është një moment që sportisti duket se e ka pritur gjatë, për të qenë një kampion edhe para publikut të tij. Kjo është sa emocionuese, aq dhe me përgjegjësi. Askush nuk e dëshiron humbjen para tifozëve të vet ndaj dhe Hadribeajt i duhet të japë maksimumin në ring për të dalë fitues. Nga ana tjetër, ai synon të thellojë rekordet e tij si boksier profesionist dhe të mbajë të paprekur xherdanin e fitimtarit në peshën e tij. Ndeshja do të zhvillohet në ambientet e “Parkut Olimpik” në Tiranë të dielën e 23 nëntorit, ora 19:00. Për Hadribeajn shpresohet të dalë fitues dhe të ruajë të paprekur rezultatet e tij fantastike deri më tani. Gazeta “SOT”, sjell në këtë numër intervistën me boksierin e njohur, në prag të duelit të tij të 23 nëntorit. Kujtojmë që Hadribeaj ka zhvilluar 21 ndeshje deri tani dhe i ka fituar të gjitha. Ai ka mbaruar Universitetin e Sporteve në Shqipëri, por jeton në SHBA.
    – Një kthim në shtëpi, por me përgjegjësi të shtuara. Çfarë do të thotë për ju kjo ndeshje?
    – Të ngjitem në ring në Tiranë është një emocion i veçantë. Është kthimi në rrënjët e mia, para publikut që më ka mbështetur që nga fillimi. Por është edhe një përgjegjësi e madhe: dua të tregoj se Shqipëria ka kampionë që luftojnë me zemër dhe dinjitet. Kjo ndeshje është më shumë se sport, është një mesazh për të rinjtë që ëndrrat realizohen me punë.
    – Për çfarë titulli zhvillohet dueli, në çfarë peshe dhe kategori konkurroni?
    – Dueli zhvillohet për mbrojtjen e titullit WBC International, të cilin e mbroj për herë të nëntë. Konkurrenca është në kategorinë super welterweight, një klasë që kërkon balancë mes teknikës, shpejtësisë dhe forcës. Është një nivel ku çdo detaj bën diferencën.
    – Sa e njihni rivalin tuaj, sa e besoni triumfin në këtë përballje?
    – Rivalin e kam analizuar me kujdes. Ka eksperiencë dhe stil të fortë, por kam besim të plotë në përgatitjen time dhe në strategjinë që kemi ndërtuar me ekipin. Nuk ka vend për nënvlerësim, por as për frikë. Jam gati të jap maksimumin dhe të dal fitues.
    – Sa ia keni dalë me karrierën ndërkombëtare dhe a jeni i kënaqur me ecurinë?
    – Kam luftuar në SHBA, kam ndërtuar një karrierë që më ka formuar si sportist dhe si njeri. Kam përballuar sfida të mëdha dhe kam fituar respektin e komunitetit ndërkombëtar të boksit. Jam i kënaqur me ecurinë, por ambicia ime nuk ndalet këtu. Ka ende shumë për të arritur.
    – A është titulli kampion bote një objektiv i arritshëm për ju?
    – Po, është objektivi im kryesor. Të bëhesh kampion bote nuk është thjesht një ëndërr, është një qëllim konkret për të cilin punoj çdo ditë. Në planin afatshkurtër dua të ngjitem më lart në renditjet botërore, ndërsa në planin afatgjatë synoj titullin kampion bote. Kam besim se do ta arrij.
    – Çfarë ju shtyu të dueloni në Shqipëri dhe a është ky një sinjal për pjekurinë e vendit në organizimin e eventeve?
    – Dëshira për të ndarë këtë rrugëtim me shqiptarët më shtyu të pranoj këtë sfidë. Dua që të rinjtë të shohin se mund të arrijnë lart, edhe duke nisur nga Shqipëria. Ky event është një dëshmi se vendi ynë po rritet dhe ka kapacitetin për të organizuar mbrëmje boksi me standarde ndërkombëtare. Është një hap i rëndësishëm për sportin shqiptar.
    – Si e përshkruajnë specialistët stilin tuaj të boksit jashtë vendit?
    – Stili im është i balancuar mes teknikës dhe agresivitetit. Kam një qasje taktike, por nuk më mungon guximi për të sulmuar kur është momenti. Specialistët jashtë vendit më kanë vlerësuar për disiplinën, përgatitjen fizike dhe aftësinë për të lexuar ndeshjen. Më shohin si një boksier inteligjent dhe të qëndrueshëm.
    – Cila është rutina juaj ditore dhe çfarë dëshironi jashtë ringut?
    – Rutina ime është e strukturuar: stërvitje intensive, ushqim i kontrolluar, pushim i mjaftueshëm. Çdo ditë është e planifikuar për të maksimizuar performancën. Jashtë ringut, jam një njeri i thjeshtë. Më pëlqen të kaloj kohë me familjen, të lexoj dhe të eksploroj vende të reja. Sporti më ka mësuar disiplinën, por edhe rëndësinë e balancës në jetë.
    – Çfarë presim në këtë duel të radhës dhe ku dëshironi të arrini?
    – Pres një duel të fortë, por edhe një performancë që do të frymëzojë. Dua të tregoj se jam gati për sfida më të mëdha dhe se Shqipëria ka një kampion që mund të përfaqësojë vendin në skenën botërore. Objektivi im është të ngjitem në majat e boksit profesionist dhe të sjell një titull bote në Shqipëri.
    Intervistoi: Adriatik BALLA
     

  • Detaje nga shorti i “play-off”-it të Botërorit, Shqipëria përballë Polonisë

    Detaje nga shorti i “play-off”-it të Botërorit, Shqipëria përballë Polonisë

    Adratik BALLA
    Kombëtarja shqiptare do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e “play-off”-it të Botërorit 2026. Në shortin e “play-off”-it të hedhur sot në selinë e FIFA-s në Zyrih, goglat pozicionuan Shqipërinë përballë Polonisë. Ky takim do të luhet më 26 mars 2026, ndërsa kuqezinjtë kanë mësuar edhe kundërshtarin e mundshëm për finalen e “play-off”-it. Nëse Shqipëria kalon me sukses Poloninë, në finalen e “play-off”-it që të dërgon në Botërorin 2026 do të luajë ndaj fituesit të çiftit Ukrainë/Suedi.
    Silvinjo i përmbajtur: Poloninë e njohim e na njeh
    Kombëtarja shqiptare njohu sot kundërshtarin e fazës “play-off” në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Zyrih. Polonia është ekipi kundërshtar i fazës gjysmëfinale dhe në rast fitoreje, do të ndeshemi në finale ndaj ekipit fitues të çiftit Ukrainë-Suedi. Trajneri Silvinjo foli për fshf.org dhe komentoi shortin e Shqipërisë. Ai u shpreh se Polonia është një kundërshtar I fortë, por që e njohim dhe na njeh mirë. Polonia? – Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. Po flisja me shumë të tjerë, italianë dhe përfaqësues të tjerë. Në futboll, për 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë gjithashtu. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara. Finalja e mundshme, ndaj Ukrainës ose Suedisë? Janë të gjitha skuadra të forta, Polonia fillimisht, por edhe nga ana tjetër dy kundërshtarë të fortë. Ukrainën e njohim tashmë nga Nations League, ndërsa ndaj Suedisë kemi zhvilluar një miqësore. Janë skuadra të forta, me lojtarë të fortë. Janë katër skuadra shumë të forta.
    Ish-futbollisti i Polonisë, Bak: Shqipëria s’është e fortë për ne
    Ish-kapiteni i kombëtares polake, Jaçek Bak beson se do të fitojnë kundër Shqipërisë dhe do të preferonte në finale Suedinë. “A nuk duhet të fitojmë kundër Shqipërisë në shtëpi? Pa ekzagjerim. Pastaj kemi Suedinë ose Ukrainën… dhe mendoj se do të preferoja Suedinë. Dhe Ukrainën vetëm nëse ndeshja do të luhej në Poloni. Nëse do të donin, jam i sigurt se Shoqata Polake e Futbollit do të ishte dakord. Megjithatë, ia vlen të përmendet se nëse na duhet të shkojmë në Suedi, sigurisht që nuk do të jetë e lehtë. Suedezët do të duan të kompensojnë humbjen e tyre në finalen e “play-off” para kampionatit të mëparshëm”, thotë Bak. “Shqipëria? Pse duhet të kemi frikë? Ne luajtëm në kushte të barabarta me Holandën, por kemi frikë kundër Shqipërisë ose Suedisë? E kuptoj që kjo nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Nëse dikush pret një të tillë, duhet të korrigjohet menjëherë. Do të shtyjnë, do të luftojnë dhe do të vendosin kushte të vështira, por nuk mund ta imagjinoj që të mos fitojmë. Shqipëria… të mos gënjejmë veten. Siç thotë Urbani, ne jemi favoritët dhe supozohet ta fitojmë këtë ndeshje”, thekson Bak.
    Ndeshjet e “play-off”-it
    FIFA ka publikuar orarin e ndeshjeve “play-off”, ku Shqipëria do të luajë në transfertë me Poloninë në orën 20:45 ndërsa stadiumi ende nuk është bërë i ditur. Në të njëjtin orar do të luajë edhe Sllovakia me Kosovën. Ndërkohë, finalet janë planifikuar për më 31 mars dhe të gjitha ndeshjet vendimtare janë planifikuar të zhvillohen në orën 20:45.

  • Tirana pret sot Samitin e Planit të Rritjes, të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor (Agjenda)

    Tirana pret sot Samitin e Planit të Rritjes, të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor (Agjenda)

    Në Tiranë zhvillohet sot më 21 nëntor 2025, samiti rajonal “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”, ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për integrimin ekonomik, zhvillimin e rajonit dhe afrimin me tregun e Bashkimit Europian. Takimi mbahet në Pallatin e Brigadave dhe nis në orën 09:30.
    Në samit merr pjesë edhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ndodhet në Tiranë që nga dita e djeshme. Ajo ka zhvilluar një takim dhe një darkë pune me kryeministrin Edi Rama.
    Pas pritjes së liderëve në orën 09:30, samiti fillon zyrtarisht në orën 10:00. Fjalët hyrëse do t’i mbajnë kryeministri Rama dhe komisionerja Kos. Rreth orës 11:30 do të realizohet fotoja familjare, ndërsa në 11:35 pritet konferenca e përbashkët për mediat e Ramës dhe Kos.
    Ky samit zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila ka hapur së fundmi grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në, atë të Bujqësisë dhe Kohezionit. Qeveria shqiptare synon anëtarësimin deri në vitin 2030, ndërsa Bashkimi Europian ka vlerësuar progresin e bërë deri tani.
    Axhenda (09:30 – 12:00), Pallati i Brigadave
    09:30 – Mikpritja e liderëve / Deklaratat hyrëse
    10:00 – Nisja e punimeve të Samitit “Growth Plan”– Fjalë hapëse:
    Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
    Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin
    11:30 – Foto familjare
    11:35 – Konferencë për shtyp (Rama & Kos)

  • Vjosa arrin në pikën 8.25 metra, 10 banesa të përmbytura në Novoselë dhe Fitore

    Vjosa arrin në pikën 8.25 metra, 10 banesa të përmbytura në Novoselë dhe Fitore

    Sot.com.al është një media online, që ka për qëllim informimin e paanshëm duke vënë profesionalizmin në plan të parë. Ky portal informativ është një alternativë e re që rreket të krijojë nje hapësirë sa më të lirë për gazetarinë e vërtetë. Përvoja e gjatë dhe nevoja për të shkuar sa më pranë të vërtetës, janë vijat mbi të cilat do të shkruajë media jonë.