Day: November 21, 2025

  • Arsyetimi i Gjykatës së Posaçme për masat ndaj Ballukut/ BIRN: Rrezikon deri në 5 vite burg

    Arsyetimi i Gjykatës së Posaçme për masat ndaj Ballukut/ BIRN: Rrezikon deri në 5 vite burg

    Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, për pezullimin nga detyra dhe ndalimin për të udhëtuar jashtë shtetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe të masave të sigurimit “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezei, analizon gjithë arsyet përse ato ishin të domosdoshme, që nga mundësia se të pandehurit mund të dëmtojnë provat e trembin dëshmitarët, e deri në vijimin e abuzimeve me fondet publike dhe arratisjen e mundshme të tyre.
    Në arsyetimin e gjyqtarit Erjon Çela, renditen si shkaqe për caktimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut, mundësia se ajo mund të sjellë dëme të tjera në fondet publike, nëse do të vijojë të qëndrojë në detyrat që mban, si ministre dhe zëvendëskryeministre.
    Ashtu si prokurori i SPAK, Dritan Prençi, edhe gjyqtari Çela çmon se në rastin konkret plotësohen të gjitha kushtet dhe kriteret e parashikuara në ligj për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj Ballukut e dy vartësve të saj.
    Që në fillim të arsyetimit të tij për nevojën e masave të sigurimit personal, gjyqtari Çela sjell në vëmendje se e drejta për liri dhe siguri, e parashikuar në nenin 27 të Kushtetutës, është një nga vlerat themelore në një shoqëri demokratike.
    Megjithatë, sipas tij, edhe e drejta për liri dhe siguri, si çdo e drejtë tjetër mund të kufizohet për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.
    Çela vëren se një nga rastet kur e drejta e individit për liri dhe siguri mund të kufizohet është kur ka dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, parashikuar në shkronjën “c” të paragrafit 2 të nenit 27 të Kushtetutës.
    Gjykata vlerëson se, në gjëndjen që janë aktet e procedimit penal në ngarkim të të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ka rrethana që tregojnë se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova për kryerjen e veprave “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim në dy procedurat e tenderimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë’ dhe ai i “Ndërtimit të Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, të financuara me mbi 210 milionë euro nga buxheti i shtetit.
    Në vijim, gjykata konstaton se vepra penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” për të cilën akuzohet Balluku, kryhet me veprime aktive të kundërligjshme në format e përzgjedhjes së procedurave të prokurimit, shkeljen e rregullave që pengojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe realizimin e barazisë së shtetasve në tendera dhe ankande publike. Kjo, me qëllim krijimin e avantazheve ose privilegje të padrejta për të tretët, për të eleminuar konkurentët e padëshiruar në garë dhe në forma dhe mënyra të tjera.
    “Nga ana subjektive, krimi kryhet me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, nisur nga motivet se e ka të afërm, mik, shok apo ka interesa të tjera materiale ose morale”, argumenton gjykata në vendimin për caktimin e masaës së sigurisë dhe nënvizon se kjo vepër penale kryhet nga ana e funksionarëve shtetërorë.
    Në vijim, gjykata thekson se për të marrë një vendim për caktim mase sigurimi personal, përveç ekzistencës së kushteve të përgjithshme, duhet që të verifikohet nëse ekziston edhe një nga kushtet e veçanta siç janë, “ekzistenca e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, largimi i të pandehurit ose rreziku që ai të largohet, rreziku që i pandehuri për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të tij mund të kryejë krime të renda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet”.
    Sipas gjykatës, nëse vërtetohet vetëm një nga këto shkaqe, nuk ka detyrim të hetohet dhe të vërtetohet për ekzistencën ose jo të kushteve të tjera që sipas ligjit justifikojnë apo jo caktimin e masës së sigurimit.
    Në analizë të fakteve dhe duke konsideruar rrezikshmërinë e veprave penale, si dhe masën e dënimit të parashikuar, vlerësohet nga gjykata se plotësohen të treja kushtet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për të caktuar masat.
    Gjykata vlerëson se, në rastin konkret, ekziston mundësia që Balluku në cilësinë e zëvendës kryeministres dhe ministres së Energjisë e Infrastrukturës, si dhe dy të pandehurit e tjerë, Gentian Gjyli si drejtor i përgjithshëm i ARRSH-së e Erald Elezi, administrator i KESH, të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave.
    “…Kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet Qëndrore që drejtojnë vetë të pandehurit në detyrë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, por edhe nisur nga fakti që organi procedues po vijon me pyetjen e personave zyrtarë që kanë vepruar në kuadër të ndjekjes së procedurave të prokurimit, të cilët janë vartës të drejpërdrejtë të të pandehurve të sipërcituar. Si dhe nisur nga fakti që organi procedues po heton për shkeljet e këtyre të pandehurve edhe në procedura prokurimi të tjera”, argumenton gjyqtari Çela.
    Në vijim, gjykata vlerëson se, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë i dënimit nga 1 deri në 5 vjet që parashikon ligji për veprën penale që ata po hetohen, si dhe nga fakti se e kanë kryer dy herë e në bashkëpunim, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve Balluku, Gjyli e Elezi.
    Po ashtu, Çela çmon se, për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve, duke qenë në ushtrimin e funksioneve të tyre shtetërore, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen. “…Kjo, lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë”, arsyeton gjykata.
    Një praktikë e mëparshme e SPAK në rastin e hetimit në gjendje të lirë, pa caktuar asnjë masë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për aferën e sterilizimit, rezultoi me dëme financiare, pasi ndëkohë që ishte i pandehur, ai vijonte të bënte korrupsion me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kohën kur drejtonte SASPAC – ç’ka solli më pas arrestimin e tij.
    Për të pandehurën Belinda Balluku, gjykata vlerëson se nuk ka ndalim për caktimin e masës së sigurimit pezullim nga detyra lidhur me funksionin e saj si zëvendëskryeministres apo ministre. Në vendim sillet në vëmendje përcaktimi i nenit 242 i Kodit të Procedurës Penale “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ku në pikën 1 parashikohet se: “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to”.
    Nga ana tjetër, konstatohet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”, që janë personat e zgjedhur deputetë, kryetar bashkie dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
    Çela ka vlerësuar se bazuar në rrethanat konkrete, ndaj Ballukut më e përshtatshme ka qenë caktimi do masave të sigurimit, pezullimi nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Gjykata thekson se, caktimi i këtyre masave të sigurimit personal, nuk e pengojnë të pandehurën Belinda Balluku që të ushtrojë funksionet e saj si deputet i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.
    Ndërsa ndaj dy të pandehurve të tjerë është caktuar masë sigurimi “Arrest në shtëpi”. Për të tre është konsideruar dhe fakti se kanë fëmijë të mitur.

  • “Qeveria mund të mbetet pa drejtues”, Artan Hoxha zbulon arsyen pse Rama iu drejtua Kushtetueses: Kryeministri në…

    “Qeveria mund të mbetet pa drejtues”, Artan Hoxha zbulon arsyen pse Rama iu drejtua Kushtetueses: Kryeministri në…

    Gazetari Artan Hoxha ishte sot i ftuar në një emision televiziv ku foli në lidhje me situatën e krijuar me marrjen e masave të sigurisë ndaj zëvendës kryeministres dhe ministres së Energjetikës Belinda Balluku, për aferën e tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.
    “Kemi të bëjmë me një situatë jo normale.Ndryshe nga rastet e tjera ku ministrat ishin të larguar nga detyra, në rastin konktret SPAK ka bërë një veprim të drejtpërdrejtë duke kërkuar masë sigurie.Nuk ka sens që të zv kryeministrja të ishte në detyrë dhe të ishte e pandehur. Standardi i vendosur deri tani u ndryshua me rastin e Ballukut. Ka në dorë të dëmtojë provat dhe intimidojë dëshmitarët.Kryeministri u kap në befasi, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese jo për masën e sigurisë, por sepse nëse Rama largohet nesër nga vendi qeveria ngelet pa drejtues.Rama për mua duhet të heqë maskën e hipokrizisë, nëse mendon që ka shkelje duhet të dalë e të thotë që ka shkelje”, tha ai.

  • Ben Blushi: Nëse Kosova shkon në Botëror do të ishte pavarësia e dytë!

    Ben Blushi: Nëse Kosova shkon në Botëror do të ishte pavarësia e dytë!

    Ben Blushi, në emisionin Versus në Telesport, në Kosovë ka thënë ndër të tjera se “Nëse Kosova shkon në Botëror, ky shtet nuk cenohet më. Sot e njohin 200-300 milionë europianë, por nëse Kosova shkon në Botëror dhe atje luan, për shembull, kundër SHBA-së ose Anglisë, do ta njohin 2, 3 apo 4 miliardë njerëz. Ky vend pastaj nuk ka asnjë rrezik, nuk zhbëhet më. Kualifikimi në Botëror do të ishte pavarësia e dytë për Kosovën”.
     

  • KQZ miraton afatet, 12 ditë fushatë elektorale në Kosovë

    KQZ miraton afatet, 12 ditë fushatë elektorale në Kosovë

    Kosova E Premte, 21 Nëntor 2025 20:36
    Dymbëdhjetë ditë do të ketë fushatë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku mes tjerash janë përcaktuar edhe afatet për aktivitetet e tjera për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Fushata do të fillojë më 17 dhjetor deri më 28 dhjetor, ditën kur do të votohet dhe njëkohësisht do të ketë heshtje zgjedhore.
    Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në KQZ, Arianit Elshani tha se afati i aplikimit të vëzhguesve fillon me datën 5 dhjetor dhe përfundon më 20 dhjetor. “Partitë politike të regjistruara të deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve në periudhën kohore prej 24 nëntorit, deri më datën 30 nëntor. Periudha e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më datën 30 nëntor, ky proces është ndryshe nga proceset tjera, është i ndarë në dy faza, bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike, ashtu siç e parasheh edhe ligji, pra janë dy afate të ndryshme.

    Çështja e listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara realizohet prej datës 24 nëntor deri më datën 7 dhjetor. Tërheqja e shortit bëhet më 8 dhjetor. KQZ merr vendimin për emërimin e anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore më 26 nëntor dhe periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit fillon prej datës 26 nëntor deri më datën 6 dhjetor… Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon më datën 26 nëntor dhe përfundon më datën 6 dhjetor. Periudha e votimit përmes postës fillon më 12 dhjetor dhe përfundon më datën 27 dhjetor të këtij viti. Dhe fushata zgjedhore që është e rëndësishme për subjektet politike dhe për gjithë vëzhguesit e mediat fillon më datën 17 dhjetor dhe përfundon më 28 dhjetor, pra është 12 ditë fushatë për subjektet politike”, tha Elshani.

    Në mbledhjen e sotme të KQZ-së janë certifikuar edhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale. Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka njoftuar fituesit e kryetarëve të komunave. Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arianit Elshani ka reaguar për rezultatin në Mitrovicën e Jugut, megjithatë potencoi se do të votojnë pro miratimit të këtyre rezultateve. Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë kundër certifikimit të rezultateve për kuvende komunale, ku Lista Serbe ka shumicë votash. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se jashtë listës së certifikimit mbetet komuna e Istogut, ku theksoi se “çështja është kthyer në rivendosje në PZAP”.

  • Rriten prurjet në lumin Vjosa, niveli shkon në 8.3 metra

    Rriten prurjet në lumin Vjosa, niveli shkon në 8.3 metra

    Kronikë E Premte, 21 Nëntor 2025 20:22
    Këtë mbrëmje prurjet në lumin Vjosa kanë vijuar me intensitet të lartë. Shiriti matës i metrave që ndodhet në urën e vjetër të Mifolit është mbuluar totalisht, ç’ka tregon se niveli ka shkuar në 8.3 metra. Situata vijon të jetë në alert, për shkak se zona rrezikon. Rreziku vazhdon për përmbytjen e tokave të tjera bujqësore, si dhe shtëpive e njësive të biznesit. Niveli i Vjosës pak nga pak po mbulon dhe urën e vjetër të Mifolit duke u futur në pikën kritike. Uji i lumit po shkon në nivel maksimal dhe pritet që të kaloj argjinaturën e Vjosës në vijimësi, nëse prurjet do të jenë të larta.

  • “E takova, ok”: Çfarë zbulojnë mesazhet Berberi–Balluku pas takimit me Shtufin?

    “E takova, ok”: Çfarë zbulojnë mesazhet Berberi–Balluku pas takimit me Shtufin?

    Në dosjen voluminoze të akuzës së dytë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, që lidhet me procedurat e prokurimit për Lotin 4 të Unazës së Re të Tiranës, prokuroria ka zbardhur një sërë komunikimesh të konsideruara të rëndësishme për hetimin. Për herë të parë, mes personave të përfshirë përmendet edhe emri i biznesmenit Ilir Shtufi.
    Sipas aktit të ekspertimit informatik të datës 26.09.2024, nga celulari “Blackberry” i sekuestruar ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, janë nxjerrë mesazhe që dokumentojnë komunikime të drejtpërdrejta ndërmjet Ballukut, Berberit dhe Shtufit, në prag të procedurave të tenderimit për Lotin 4.
    Më datë 10 shtator 2021, Balluku i shkruan Berberit: “Hajde tek une ne 11”, vijuar nga udhëzime për t’i bërë të qartë një operatori se “Punet i ke me gimin thuaj jo me mua”.
    Menjëherë pas kësaj bisede, Evis Berberi komunikon me Ilir Shtufin, i cili i shkruan: “persh si ke kan.. ilir shufi nova jam. te tak pak mkan then kure mundesh”.
    Takimi, sipas mesazheve, është realizuar brenda ditës. Pas takimit me Shtufin, Berberi njofton Ballukun me mesazhin: “E takova ok”.
    Në vijim, komunikimet mes tyre përqendrohen te çështje që lidhen me fituesit e mundshëm dhe konkurrencën në tender, mes të cilave Balluku i shkruan: “Ne jemi per konkurrim te mireqene dhe te paster. Pamfleti ka ti hedh nga jeta konkurrimin fitues te UK”.
    Në materialin hetimor pasqyrohet gjithashtu se, përpara se të mbyllej afati i ofertave, shoqëria “Nova Construction 2021”, e lidhur në komunikim me Shtufin, kishte formalizuar marrëveshje bashkëpunimi me dy kompani të tjera për të marrë pjesë në garë, ku më pas rezultuan shpallur fituesit e procedurës./Alfapress.al
     

  • Fshati Sheqeras në Maliq rrezikon përmbytjen, prurjet dobësojnë argjinaturën e lumit

    Fshati Sheqeras në Maliq rrezikon përmbytjen, prurjet dobësojnë argjinaturën e lumit

    Situatë e rënduar paraqitet në fshatin Sheqeras në Maliq nga reshjet e dendura të shiut. Mësohet se fshati ka rrezik për tu përmbytur pasi rrezikohet të çahet argjinatura e lumit dytësor që vjen nga fshatrat Orman dhe Pojan.
    Prurjet e shumta të ujit kanë sjellë një problematikë të madhe për banorët e fshatit, ndërsa në terren ndodhet kryetari i bashkisë Maliq Gëzim Topçiu, policia e shtetit dhe dhjetëra forca të emergjencave dhe zjarrfikëses.
    Krahas këtij problemi, mësohet nga banorët se janë përmbytur edhe tokat bujqësore dhe brenda në fshat ka pasur edhe banesa ku është futur uji në oborre.
     

  • Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë, KQZ-ja vendos 12 ditë fushatë

    Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë, KQZ-ja vendos 12 ditë fushatë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të zgjasë 12 ditë, nga 17 dhjetori deri më 28 dhjetor, ditë kjo kur do të mbahet votimi dhe njëkohësisht do të ketë heshtje zgjedhore.
    Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, bëri me dije datat për aplikimin e vëzhguesve dhe certifikimin e subjekteve politike. Ai tha se periudha e aplikimit për vëzhgues fillon më 5 dhjetor dhe përfundon më 20 dhjetor.
    “Partitë politike të regjistruara të deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve në periudhën kohore prej 24 nëntorit, deri më datën 30 nëntor. Periudha e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më datën 30 nëntor, ky proces është ndryshe nga proceset tjera, është i ndarë në dy faza, bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike, ashtu siç e parasheh edhe ligji, pra janë dy afate të ndryshme.
    Dhe çështja e listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara realizohet prej datës 24 nëntor deri më datën 7 dhjetor. Tërheqja e shortit bëhet më 8 dhjetor. KQZ merr vendimin për emërimin e anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore më 26 nëntor dhe periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit fillon prej datës 26 nëntor deri më datën 6 dhjetor… Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon më datën 26 nëntor dhe përfundon më datën 6 dhjetor.
    Periudha e votimit përmes postës fillon më 12 dhjetor dhe përfundon më datën 27 dhjetor të këtij viti. Dhe fushata zgjedhore që është e rëndësishme për subjektet politike dhe për gjithë vëzhguesit e mediat fillon më datën 17 dhjetor dhe përfundon më 28 dhjetor, pra është 12 ditë fushatë për subjektet politike”, tha Elshani.
    Në mbledhjen e sotme të KQZ-së janë certifikuar gjithashtu rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale, ndërsa kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, njoftoi fituesit e kryetarëve të komunave.
    Elshani reagoi për rezultatin në Mitrovicën e Jugut, megjithatë potencoi se do të votojnë pro miratimit të rezultateve. Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë kundër certifikimit të rezultateve për kuvendet komunale, ku Lista Serbe ka shumicë votash.
    Radoniqi theksoi se jashtë listës së certifikimit mbetet komuna e Istogut, ku çështja është kthyer në rivendosje në PZAP.

  • Dorëhiqet anëtari i bordit drejtues të BBC/ Shkak, probleme të qeverisjes së korporatës

    Dorëhiqet anëtari i bordit drejtues të BBC/ Shkak, probleme të qeverisjes së korporatës

    Një anëtar i bordit të BBC ka dhënë dorëheqjen pasi kritikoi atë që e quajti “probleme të qeverisjes” në nivelet më të larta të korporatës. Shumeet Banerji njoftoi bordin për dorëheqjen e tij të premten, konfirmoi BBC në një deklaratë.
    Dorëheqja e tij vjen pas largimit të drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe drejtoreshës ekzekutive të BBC News, Deborah Turness, më herët këtë muaj, pas debatit të ashpër të shkaktuar nga mënyra e montimit të një dokumentari Panorama për Donald Trump.
    Sipas BBC News, Banerji citoi “probleme të qeverisjes” në majën e BBC-së si arsyen kryesore të dorëheqjes, duke thënë në një letër se ai “nuk ishte konsultuar” për ngjarjet që çuan në largimin e Davie dhe Turness.
    “Mandati i z. Banerji në Bord, si një drejtor joekzekutiv, do të përfundonte në fund të dhjetorit dhe e falënderojmë për shërbimin e tij,” tha një zëdhënës i BBC-së. “Procesi i kërkimit të një pasuesi është tashmë në zhvillim e sipër dhe do të kemi njoftime të tjera në vijim.”
    Shumeet Banerji u emërua në bordin e BBC-së në janar 2022 si një nga drejtorët joekzekutivë, me mandatin që zgjaste deri më 31 dhjetor.

  • ‘Diella’ feston në Festën Kombëtare të Shqipërisë në Athinë, do të takohet me ministra e zyrtarë të lartë

    ‘Diella’ feston në Festën Kombëtare të Shqipërisë në Athinë, do të takohet me ministra e zyrtarë të lartë

    Ministrja Diella

    GREQI-Ministrja Diella u shfaq sot në Athinë, aty ku po mbahet Festa Kombëtare e Shqipërisë. Sipas një postimi në Facebook nga Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, gjatë vizitës ministrja Diella do të zhvillojë takime me homologët grekë dhe zyrtarë të lartë, për të diskutuar çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
    “Bashkë me Ministren Diella sonte Athinë, në Festën Kombëtare të Shqipërisë për tu takuar me ministra të Qeverisë greke, deputetë, ambasadorë dhe shumë motra dhe vëllezër shqiptarë që jetojnë në Greqi”, shkruan Balla.

    /ZËRI