Month: October 2025

  • “Humbja e tij është e dyfishtë”, Anastas Angjeli flet për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos

    “Humbja e tij është e dyfishtë”, Anastas Angjeli flet për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos

    Ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Në një lidhje direkte për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, Angjeli e përshkroi këtë ngjarje si një humbje të rëndë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe në plan personal.
    “Koha nuk do të diskutohet që të ishte e mjaftueshme për një ngjarje të tillë, kaq e rëndë për gjithë Shqipërinë, për humbjen e jetës së Fatos Nanos,” tha Angjeli. “Faktikisht, e dyfishtë: e para, humbja e jetës së mikut tim të shtrenjtë, shokut tim, bashkëpunëtorit dhe bashkëudhëtarit tim prej dekadash. Humbja e jetës së Fatos Nanos është edhe për mua fatkeqësi, sepse nuk ndodhem në Tiranë, por jam në SHBA.”
    Ai tregoi se ka ndjekur situatën që nga momenti kur u bë njoftimi për gjendjen e rëndë të Nanos: “Ngjarjen e kam ndjekur më shumë se prej dy javësh, kur u bë njoftimi se Fatos Nano ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Kam përjetuar një moment shumë të vështirë që nga dita e parë që mora vesh lajmin e rëndë për gjendjen dhe situatën e tij.”
    Angjeli tha se ka komunikuar me doktorin që e trajtonte Nano-n: “Kam komunikuar me doktorin Salin, në spitalin privat ku Fatos Nano ndodhej, dhe kam marrë informacion për gjendjen e tij. Një situatë e vështirë edhe për mua si një nga bashkëpunëtorët e tij që nga ditët e para të themelimit të Partisë Socialiste.”
    Për figurën e Nanos, Angjeli tha: “Vlerësimi im mbetet më i lartë për një nga figurat më të shquara të jetës politike shqiptare që prej vitit 1990, një figurë historike, jo vetëm si drejtues i emancipuar që revolucionoi dhe modernizoi Partinë Socialiste, por jo vetëm atë, por edhe të gjithë shoqërinë demokratike në Shqipëri.”
    Ai shtoi se Nano ishte një udhëheqës shtetëror me vizion të qartë: “Me detyrat dhe funksionet e ndryshme që prej vitit 1991, ai ka pasur një vizion të qartë, një mendim të kthjellët dhe një kontribut të çmuar për zhvillimin gjithanshëm ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë, të cilin e ka ushtruar gjatë gjithë kohës që ka qenë në drejtim të partisë dhe në funksione të larta shtetërore.”
    Miqësia mes tyre daton që prej vitit 1983: “Me Fatos Nanon kam një miqësi dhe një shoqëri që rrjedh që nga viti 1983, kur ne të dy, unë pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, dhe Fatos gjithashtu pedagog i jashtëm, pasi ishte në funksione të tjera, jepnim mësim në të njëjtin universitet. Kështu që njohja e parë fillon 7 vjet para fillimeve demokratike në Shqipëri,” përfundoi Angjeli.

  • Dumani e thërret “shefe”/ Berisha: Motra e Ballukut u regjistrua vetëm dje në QKB pa objekt veprimtarie

    Dumani e thërret “shefe”/ Berisha: Motra e Ballukut u regjistrua vetëm dje në QKB pa objekt veprimtarie

    Gazeta Standard është portali zyrtar i gazetës se përditshme “Standard”. Parimi ynë është informimi i thelluar i mbeshtetur ne objektivitet dhe investigim. “Behu pjese e lajmit”- eshte motoja jone kryesore qe fton lexuesit te jene pjese e jona

  • Enkileda Carja, kampione e trefishtë e Europës! Sako: Performancë fantastike!

    Enkileda Carja, kampione e trefishtë e Europës! Sako: Performancë fantastike!

    Peshëngritësja e talentuar e KSHS Teuta, Enkileda Carja, është shpallur kampione e trefishtë e Europës në Kampionatin Europian për të Rinj dhe U23, që po zhvillohet në Durrës.
    Carja dha një paraqitje spektakolare, duke thyer tre rekorde europiane në kategorinë Youth (63 kg) dhe madje edhe një rekord bote në shkëputje për Youth.
    Për këtë sukses të jashtëzakonshëm të sportistes Carja, ka reaguar edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako.

    “Urime të përzemërta peshëngritëses sonë të jashtëzakonshme, Enkileda Carja, që shkëlqeu në Kampionatin Europian për të Rinj & U23 që po zhvillohet në Durrës, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës!
    Me një performancë fantastike, Enkileda theu 3 rekorde europiane dhe madje edhe 1 rekord bote, duke treguar forcë, vendosmëri dhe përkushtim shembullor”, shkruan Sako.
    Carja i realizoi me sukses të gjashta provat, duke ngritur 98 kg në shkëputje, 118 kg në shtytje dhe 216 kg në dygarësh, duke shfaqur një performancë të shkëlqyer dhe plot vetëbesim.
    Ky është një sukses i madh për talenten e Teutës, por edhe për trajneren e saj të palodhur, Eglantina Kalemi.

  • Trump: Nuk po e shqyrtojmë mundësinë e sulmeve ndaj Venezuelës

    Trump: Nuk po e shqyrtojmë mundësinë e sulmeve ndaj Venezuelës

    Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 31 tetor se ai nuk po e shqyrton mundësinë që të kryejë sulme ndaj Venezuelës, shtet që ka shprehur frikën se grumbullimi ushtarak amerikan në rajon synon ndryshimin e regjimit në Karakas.
    Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar tetë anije të Marinës në Karaibe, kanë dërguar aeroplanë luftarakë F-35 në Puerto Riko dhe një grup aeroplanmbajtësish është nisur drejt rajonit – një forcë masive ushtarake që Uashingtoni insiston se ka për qëllim të frenojë trafikun e drogës.
    “Jo” u përgjigj Trump kur u pyet nga një gazetar në bordin e avionit presidencial lidhur me raportimet se ai po shqyrtonte sulme të tilla.

    Uashingtoni ka nisur një fushatë sulmesh që kanë për shënjestër anijet e dyshuara për kontrabandë droge në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor që nga fillimi i shtatorit. Kjo fushatë deri më tani ka shkaktuar të paktën 62 viktima dhe ka shkatërruar 14 anije dhe një nëndetëse.
    Administrata e Trumpit argumenton se këto anije paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane për shkak se thotë se ato po trafikojnë drogë.
    Përveç pajisjeve ushtrake të dislokuara në rajon, Uashingtoni ka kryer disa demonstrime force me bombarduesit B-52 dhe B-1B, të cilët kanë fluturuar pranë bregdetit të Venezuelës. Rasti i fundit ndodhi të hënën.
    Tensionet rajonale janë përshkallëzuar si rezultat i këtyre sulmeve ndaj anijeve të dyshuara se po transportojnë drogë dhe grumbullimit ushtarak, ndërsa Venezuela ka thënë se SHBA-ja po planifikon rrëzimin nga pushteti të Nicolas Maduros, i cili e ka akuzuar Uashingtonin për “fabrikim të një lufte”./REL

  • Simptomat e para të gripit që zakonisht i injorojmë

    Simptomat e para të gripit që zakonisht i injorojmë

    Gripi është një infeksion viral që kthehet çdo dimër, duke shkaktuar simptoma që variojnë nga të lehta deri në të rënda. Edhe pse shumë e ngatërrojnë atë me ftohjen e zakonshme, gripi është më i rëndë, më dobësues dhe mund të çojë në ndërlikime, veçanërisht në grupet vulnerabël.
    Njohja e hershme e shenjave të para është thelbësore për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të lehtësuar shërimin.
    Zilja paralajmëruese për gripin

    Lodhja e papritur dhe intensive është shpesh simptoma e parë e gripit, madje edhe para se të shfaqen shenjat më të njohura si ethet ose kolla.
    Nuk bëhet fjalë për lodhjen e thjeshtë të një dite të vështirë dhe as për dobësinë e shkaktuar nga ftohja e zakonshme, por për një rraskapitje që mund të “pengojë” aktivitetet e përditshme.
    Në këtë fazë, është e rëndësishme t’i jepni përparësi pushimit dhe ta lini trupin të rikuperohet.
    Qëndrimi në shtëpi, zvogëlimi i aktiviteteve dhe gjumi i mjaftueshëm forcojnë sistemin imunitar dhe e ndihmojnë atë të luftojë virusin në mënyrë më efektive. Edhe nëse nuk ka temperaturë, të qëndruarit larg punës ose shkollës për disa ditë mund të bëjë një ndryshim të madh si për veten tuaj ashtu edhe në parandalimin e transmetimit.
    Dhimbje trupi dhe të dridhura
    Menjëherë pas lodhjes, shumë njerëz përjetojnë dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit, si shpina, këmbët ose koka, shpesh të shoqëruara me të dridhura.
    Edhe nëse nuk keni temperaturë, këto simptoma janë një tregues i qartë se keni grip. Mbështilleni veten me një batanije të ngrohtë dhe merrni qetësues kundër dhimbjeve.
    Kollë dhe dhimbje fyti
    Një tjetër shenjë e zakonshme e gripit është kolla e vazhdueshme dhe e thatë. Ndërsa sëmundja përparon, mund të përjetoni gulçim ose shtrëngim në gjoks, ose edhe të keni gëlbazë.
    Nga ana tjetër, kolla shkakton dhimbje ose ënjtje dhe skuqje në fyt. Në disa raste, një dhimbje fyti paraprin ose ndodh në mënyrë të pavarur, si një reagim ndaj infeksionit.
    Kolla dhe dhimbja e fytit trajtohen me anë të hidratimit: preferoni ujë ose pije të ngrohta pa kafeinë. Nëse ju shqetëson shumë, mund të merrni edhe shurup për kollën. Gjithmonë vendosni dorën para gojës kur kolliteni dhe lani duart më pas.
    Kjo fazë kërkon vëmendje, pasi nëse nuk e kontrolloni, ekziston rreziku që gripi të zhvillohet në bronkit dhe pneumoni.
    Ethe
    Një temperaturë mbi 38°C është një nga simptomat më karakteristike të gripit. Mund të shoqërohet me të dridhura dhe një ndjenjë të përgjithshme të kequshqyerjes.
    Në fakt është një shenjë “e mirë”, sepse tregon se trupi po aktivizon mbrojtjen e tij për të luftuar gripin. Mund të merrni paracetamol ose ibuprofen për të ulur temperaturën.
    Probleme gastrointestinale
    Në disa lloje të virusit, veçanërisht tek fëmijët, mund të shfaqen diarre, të përziera ose të vjella . Edhe në këtë rast, duhet kujdes, pasi mund të dehidratoheni. Mos harroni të pini ujë, lëngje ose pije të nxehta, ose të hani pak supë.
    Kur të shqetësoheni
    Simptomat dhe kohëzgjatja e sëmundjes së gripit ndryshojnë nga pacienti në pacient. Në përgjithësi, duhen deri në një javë , ndonjëherë edhe dy javë, për t’u shëruar plotësisht.
    Megjithatë, do të ishte mirë të kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse përjetoni ndonjë nga simptomat e mëposhtme:
    vështirësi në frymëmarrje,
    dhimbje në gjoks,
    kollë që përkeqësohet vazhdimisht,
    temperaturë e lartë ose e vazhdueshme,
    buzë ose lëkurë blu,
    konfuzion,
    dehidratim i rëndë.
    Siç është përmendur tashmë, gripi mund të zhvillohet në sëmundje të tjera më serioze, siç janë pneumonia, bronkiti, sinusiti, otiti media dhe encefaliti.
    Parandalimi: Trajtimi më i mirë për gripin
    Vaksinimi vjetor është mburoja më efektive kundër gripit. Në të njëjtën kohë, larja e duarve rregullisht, shmangia e kontaktit me njerëzit e sëmurë dhe qëndrimi në shtëpi kur jemi të sëmurë kontribuojnë në mbrojtjen e vetes dhe të atyre përreth nesh.

  • Kapet një tjetër avion spiun rus mbi Baltik

    Kapet një tjetër avion spiun rus mbi Baltik

    Polonia njoftoi se avionët e saj luftarakë kishin interceptuar një tjetër aeroplan zbulues rus mbi Detin Baltik, për herë të tretë këtë javë.
    Avioni nuk shkeli hapësirën ajrore polake, tha Komanda Operacionale e ushtrisë polake, por ashtu si në incidentet e mëparshme, nuk kishte paraqitur një plan fluturimi dhe transponderët e saj ishin jashtë funksionit.
    “Ky është tashmë rasti i tretë i tillë këtë javë, duke konfirmuar aktivitetin në rritje të aviacionit rus në rajonin e Baltikut”, tha ushtria.

    Vendet në krahun lindor të NATO -s kanë qenë në gatishmëri të lartë për shkelje të mundshme të hapësirës ajrore që nga shtatori, kur tre avionë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, ditë pasi më shumë se 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake.
     

  • Pse nuk duhet ta humbisni hënën e artë të nëntorit

    Pse nuk duhet ta humbisni hënën e artë të nëntorit

    Më 4 nëntor, hëna do të ofrojë spektaklin e saj më të ndritshëm dhe të madh të vitit. Ajo do të jetë hëna e dytë nga tri superhënat që mbyllin vitin 2025.
    E quajtur ndonjëherë “hëna e kastorit”, ajo shënon stinën kur kastorët ndërtojnë trarët e tyre të drurit dhe kur nis lundrimi para ngrirjes së lumenjve.
    Madhësia e saj mund të jetë thuajse e padallueshme me sy të lirë, por shkëlqimi i fortë është i pagabueshëm sepse do të ketë hije të lehta dhe qielli do të ndrijë nga muzgu në agim.

    Kjo hënë e plotë do të jetë 27,358 kilometra më afër Tokës sesa mesatarja. Do të duket 7% më e madhe dhe 16% më e ndritshme se hëna e zakonshme.
    Hëna nuk do të duket kaq e madhe dhe e shndritshme deri më 24 nëntor 2026 kur “hëna e kastorit” që pason do të arrijë një orbitë të ngjashme.
    Gjatë natës, hëna do të gjendet pranë yjësisë së Demit. Me sy të lirë, shkëlqimi i saj mund të zbehë atë të yjeve, por nëse e mbuloni hënën me gishtin e madh të dorës ose përdorni dylbi, kërkoni yllin në portokolli të ndezur, Aldebaran, i cili ndodhet 65 vite dritë larg dhe është syri i demit.
    Mes hënës dhe Aldebaran gjendet Plejada ose Shtatë Motrat, një yjësi 330 vite dritë larg nesh. Tri trupat qiellorë do të formojnë një trekëndësh mahnitës kozmik gjatë natës.
     

  • Ish-kryetari i Odesës arrestohet për përmbytjet vdekjeprurëse

    Ish-kryetari i Odesës arrestohet për përmbytjet vdekjeprurëse

    Një gjykatë në Kiev shqiptoi masën e arrestit shtëpiak për 60 ditë ndaj ish-kryetarit të Odesës, Hennadiy Trukhanov, i akuzuar për neglizhencë zyrtare, disa javë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ia hoqi shtetësinë ukrainase.
    Gjykata e Qarkut Peçersk në Kiev e vendosi këtë masë më 31 tetor, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pasi Trukhanov dyshohet për keqmenaxhim gjatë përmbytjeve në Odesë, kur vdiqën disa persona.
    Ish-deputet i Parlamentit të Ukrainës dhe kryetar i qytetit në Detin e Zi që nga viti 2014, Trukhanov ishte njoftuar disa ditë më parë se dyshohej për moskryerje siç duhet të detyrave zyrtare.

    Duke folur përmes video-lidhjes gjatë seancës gjyqësore, Trukhanov e quajti akuzën ndaj tij një “shpërqendrim të planifikuar politik” dhe pretendoi se nuk kishte bërë asgjë gabim.
    Sipas hetimit, ish-kryetari dështoi të siguronte funksionimin e duhur të sistemit të kullimit të qytetit dhe të informonte banorët për rrezikun e një emergjence më 30 shtator, ditën kur përmbytjet vdekjeprurëse goditën qytetin-port të Odesës.
    “Si pasojë e përmbytjeve në një pjesë të qytetit, të shkaktuara nga dështimi i sistemit të kanalizimeve për të përthithur ujin nga rrugët, vdiqën nëntë persona, përfshirë një fëmijë i moshës 9-vjeçare”, tha prokuroria më 29 tetor.
    Trukhanov deklaroi se vendimi i autoriteteve për ta trajtuar atë si të dyshuar, ishte “befasi” për të, megjithëse pranoi se problemi me sistemin e kullimit të ujit në Odesë ishte “katastrofik”.
    “Zgjidhja e këtij problemi kërkon miliarda investime dhe mbështetje nga Qeveria. Vetëm qyteti asnjëherë nuk mund ta menaxhojë zgjidhjen e këtij problemi”, shtoi ai.
    Menjëherë pas tragjedisë më 30 shtator, Trukhanov deklaroi se në qytet kishte pasur reshje shiu brenda shtatë orësh sa gati për dy muaj.
    “Asnjë sistem kanalizimi nuk mund të përballojë një ngarkesë të tillë”, shkroi ai në Telegram.
    Dy javë pas përmbytjeve në Odesë, Zelensky njoftoi se po ia revokonte shtetësinë ukrainase Trukhanovit, duke u bazuar në raporte të agjencisë kryesore të sigurisë të shtetit që tregonin se ai posedonte pasaportë ruse.
    Trukhanov ka premtuar se do të ngrehë padi me qëllim që të rimarrë shtetësinë ukrainase.
    Që një kohë të gjatë, Trukhanov është përballur me akuza se ka shtetësi ruse, që është e paligjshme sipas ligjeve në Ukrainë.
    Më herët, disa banorë të Odesës iniciuan një peticion për t’i hequr shtetësinë ukrainase, duke pretenduar se ai po ashtu paguante taksa në Rusi.
    Megjithatë, jo të gjithë ishin të bindur, duke argumentuar se Trukhanov ishte zgjedhur në mënyrë të drejtë dhe se, me luftën që vazhdon kundër forcave ruse, ka çështje më urgjente për t’u trajtuar./REL

  • Ngjarje horror në Greqi/ Djali djeg nënën dhe xhaxhain për së gjalli dhe më pas hidhet nga ballkoni

    Ngjarje horror në Greqi/ Djali djeg nënën dhe xhaxhain për së gjalli dhe më pas hidhet nga ballkoni

    Një ngjarje horror ka ndodhur këtë të premte në qytetin e Heraiklionit në Kretë të Greqisë, ku një i ri ka djegur nënën dhe xhaxhain dhe më pas është hedhur nga ballkoni.
    Mediat greke raportojnë se i riu i vuri flakën dhe dogji nënën dhe xhaxhanë e tij, në një apartament në Heraklion të Kretës.
    Më pas ai u hodh nga ballkoni në një përpjekjeje vetëvrasjeje sipas autoriteteve që e gjetën në gjendje të rënduar psikologjike. Autori i dyshuar u dërgua me urgjencë drejt spitalit.

    Sipas policisë, burri ia vuri zjarrin duke dashur të digjte nënën dhe xhaxhanë e tij, që ndodheshin brenda në shtëpi në atë kohë. Nëna mësohet se vuante nga një sëmundje dhe nuk mund të ecte dot.
    Po hetohet gjithashtu nëse autori i krimit kishte probleme psikike, ndërsa sipas informacioneve nga “Protothema”, trupat e djegur u gjetën në zona të ndryshme të shtëpisë.
     

  • Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Albin Kurti: U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik!

    Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Albin Kurti: U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik!

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.
    Përmes një postimi në rrjetet sociale Kurti shkruan e ka cilësuar Fatos Nanon si figurë të rëndësishme për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
    Sipas tij në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së, deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së.

    Reagimi i Albin Kurtit:
    Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të. Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë e imja, u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim tonin njohës.
    Fatos Nanon e kam takuar për herë të dytë kur ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, me ç’rast ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Nga atëherë, më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal.
    Në historinë politike të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit nga sistemi monist dhe regjimi komunist tek ai demokratik liberal dhe pluralist, emri i politikanit Fatos Nano ishte një figurë qendrore. Ai shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë: nga 22 shkurti deri më 4 qershor 1991, kur Shqipëria ishte në kapërcyell nga komunizmi në demokraci; pastaj nga 25 korriku i vitit 1997 deri më 27 shtator të vitit 1998, kur Shqipëria u përfshi nga trazirat kurse Kosova nga lufta; për herë të tretë dhe më së gjati, Nano shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë për tri vite, mes 29 shtatorit 2002 dhe 1 shtatorit 2005, kur Shqipëria po përballej me sfidat e ngritjes nga pasojat e regjimit të gjatë komunist dhe nga trazirat.
    Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së. Historia moderne e shtetit shqiptar dhe historia politike e Shqipërisë dhe e Kosovës, do ta kenë të dendur emrin e tij mes emrave të politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI.
    Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij.
    U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik!