Day: October 31, 2025

  • LIVE/ Kushtetuesja shqyrton sot shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak nga Qeveria. Rrëzohet kërkesa e Begajt për moskompetencë

    LIVE/ Kushtetuesja shqyrton sot shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak nga Qeveria. Rrëzohet kërkesa e Begajt për moskompetencë

    Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e kërkesën e ish-kryebashkiakut të Tiranës për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.

    Seanca nisi në orën 10:00, teksa i pranishëm është edhe ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa u ndërpre për 30 minuta për një pushim, për të rinisur në 13:05.

    Në seancë do të shqyrtohet gjithashtu edhe dekreti i Presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë, dekret i pezulluar pak javë më parë nga Kushtetuesja.
    12:33 Sa e ligjshme është delegimi i detyrave në mungesë? Veliaj- Këshillit të Ministrave: Pse nuk u shqetësuat për delegimet e kryetarit të Tropojës?! Po mbani dy standarde
    Erion Veliaj është duke iu përgjigjur tani pyetjeve që po i vijnë nga përfaqësuesit ligjor të Këshillit të Ministrave. Pyetjes se sa është e ligjshme delegimi i detyrave nga burgu për një afat kaq të gjatë, Veliaj iu përgjigj se këtë pyetje do duhej që t’iu bënin e dhe kryetarit të bashkisë së Tropojës që qëndroi në arrest shtëpie për 11 muaj.
    12:20 VIDEO-LAJM/ Masat e sigurisë brenda Kushtetueses, efektivi i policisë ngrihet në këmbë sa herë Veliaj i përgjigjet pyetjes së gjyqtarëve
    Ish-kryebashkiaku Erion Veliaj po vijon t’i përgjigjet pyetjeve në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me shkarkimin nga posti drejtues. Por ajo që u vu re gjatë seancës ishte polici, i cili qëndron në tavolinën pas Veliajt. Ai ngrihet në këmbë sa herë që ish-kryebashkiaku merr fjalën dhe po ashtu ngrihet në këmbë.
    12:14 “Sot jam në një roman të Kafkës”, Veliaj para gjyqtarëve: Delegimi i detyrës është e ligjshme, s’kam penguar punën e bashkisë
    ”Për shpirt do doja të isha në zyrë jo në burg me delegim, por sa kohë është e ligjshme delegimi i detyrës, Tiranës nuk i ka munguar dhe nuk është penguar asnjë procedurë prej meje, jam në mungesë me arsye. Sot gjendem në një absurditet, jam në një roman të Kafkës…”, tha Veliaj.
    12:09 “Pse për Tropojën pati standard tjetër?” Veliaj: Po sikur të lëshojnë masë për Ogertën? Florin?
    ”Kryetari i bashkisë Tropojës ka qenë 11 muaj arrest në shtëpi… pse është ndryshe një kryetar i Tropojës dhe ai i Tiranës. Kemi disbalancë. Dy gabime nuk prodhojnë më shumë drejtësisë. Po sikur nesër t’ia bëjnë Ogertës, Florit, Arlindit një masë? Kjo është betejë që po e bëj dhe për ata që do vijojnë pas meje”, u shpreh Erion Veliaj.
    12:02 Seanca në Kushtetuese/ “A delegohen detyrat nga burgu”, Veliaj: Nuk i kam penguar unë të mbjellin pemë apo të pastrojnë. Drejtorët kanë qenë aty
    Ish-kryetari i bashkisë së Tiranë Erion Veliaj po u përgjigjet pyetjeve nga gjyqtarët e Kushtetueses, teksa shqyrtohet ankimimi i tij për shkarkimin nga detyra.
    11:50 Seanca në Kushtetuese/ “Do ta ndryshoje vendimin e Këshillit Bashkiak nëse do ishe i pranishëm?” Ja si përgjigjet Veliaj
    Anëtarja e Kushtetueses Marjana Semini e pyeti gjatë seancës ish-kryebashkiakun nëse do të ndryshonte vendimmarrjen e Këshillit po të ishte i pranishëm në seancë ku u vendos shkarkimi i tij.
    11:35 E PLOTË/ “Zoti i faltë bashkëpunëtorët e mi”, Veliaj flet në Kushtetuese: U shkarkova se nuk u paraqita në punë, fyerje më të rëndë nga kjo nuk ka
    Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot kërkesën e ish-kryebashkiakut të Tiranës për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra. Erion Veliaj thotë se u shkarkua se nuk u paraqit në punë, ndërsa shton se ‘fyerje më të rëndë nga kjo nuk ka’.
    11:32 “Djalin tim më shumë e takoj në burg se në liri”, Veliaj: Më hoqën nga puna ata që donin të më shihnin me pranga në duar dhe jo me lopatë në duar
    Ish-kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj po mban fjalën e tij në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkon rrëzimin e vendimit për shkarkimin nga detyra, pasi e quan jo të ligjshëm.
    11:29 “Shoqërimi im në qeli, më rëndë se një vrasës serial”, Veliaj në Kushtetuese: Kam më shumë policë sot këtu, sesa kam avokatë
    ‘’Beteja ime për t’u dëgjuar prej jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese, për të dëgjuar se çfarë kam bërë, që jam rrëmbyer nga zyra, ku më kanë zgjedhur qytetarët, dhe jam mbyllur në një qeli me regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë’’, tha Veliaj.
    11:22 Veliaj ‘jashtë’ qelie/ “Kam pritur 9 muaj për këto 9 minuta”, ish-kryetari i Bashkisë Tiranë para ‘Kushtetueses’: S’kam ardhur për të mbrojtur veten, por..
    ”Ju falënderoj që më keni dhënë mundësi për t’u dëgjuar. Kam pritur 9 muaj për këto 9 minuta. Është zhgënjyese për të dëgjuar çfarë kam bërë, që jam rrëmbyer nga zyra dhe jam burgosur në qeli. Nuk jam për të mbrojtur veten se s’kam kryer asnjë shkelje, por jam për të kërkuar të mbrojmë bashkë demokracinë që sot po vihet në sprovë”, u shpreh Veliaj.
    11:10 Veliaj mbërriti i prangosur në Gjykatë/ “Forca Lali”, ja si u prit ish-kryebashkiaku në Kushtetuese (Video)
    Gjykata Kushtetuese po shqyrtn sot kërkesën e ish-kryebashkiakut të Tiranës për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra. Ai është pritur me brohoritma në Gjykatën Kushtetuese nga qytetarë që thërrisnin “Forca Lali”.
    11:00 Seanca për shkarkimin e Veliajt, avokati i ish-kryebashkiakut: As nuk u thirr në mbledhjen e Këshillit bashkiak, sekretari i tha “s’ke ndalim të vish në mbledhje, por po munde”
    Për rreth 20 minuta, ai tha se shkarkimi nga detyra i Veliajt për shkak të mos paraqitjes në detyrë, nuk erdhi prej vullnetit të tij.
    10:40 Seanca për Veliajn/ “Shpallni moskompetencë për shqyrtimin e dekretit”, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Begajt
    Ka nisur seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e ankimimit nga Erion Verliaj të shkarkimit të tij nga detyra si dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të reja për Tiranën.
    10:12 Kërkesa e Presidentit për moskompetencë nga Kushtetuesja për ankimimin e Veliajt, gjyqtarët tërhiqen për të marrë vendim
    Në nisje të seancës, përfaqësuesit ligjorë të Presidencën i kërkuan ‘Kushtetueses’ që të shpallë moskompetencë për shqyrtimin e dekretit të Presidentit pas ankimimit të Veliajt, pasi sipas tyre nuk u është dhënë kohë që të për argumentet.
    10:01 VIDEO/ Nis seanca në Kushtetuese, Veliaj para trupës gjykuese
    Ka nisur seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e ankimimit të Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut nga Qeveria, si dhe për dekretin e Presidentit për hapjen e garës për zgjedhje në Tiranë.
    09:36 Video-Lajm/ Me pranga në duar dhe i rrethuar nga policët, momenti i mbërritjes së Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese
    I prangosur dhe nën shoqërinë e masave të rrepta të sigurisë, Veliaj sapo ka zbritur nga fugoni i policisë ka parë nga gazetarët, të cilët po ndjekin hap pas hapi seancën e sotme.
    08:55 Seanca në Kushtetuese/ Veliaj del nga paraburgimi i Durrësit dhe niset drejt Tiranës, prezencë e shtuar e policisë në perimetrin e gjykatës (Video)
    Erion Veliaj ka lënë ambientet e paraburgimit në Durrës dhe është nisur drejt Tiranës.
    Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu raporton se ka prezencë të shtuar të policisë së rendit në perimetrin e gjykatës.

    Top Channel

  • Berisha: Rama nuk lejon hetimin për McGonigalin sepse kjo do e damkoste atë dhe do zemëronte miqtë e tij në Evropë dhe SHBA

    Berisha: Rama nuk lejon hetimin për McGonigalin sepse kjo do e damkoste atë dhe do zemëronte miqtë e tij në Evropë dhe SHBA

    Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamntar, kreu i PD Sali Berisha deklaroi se, “Rama nuk lejon hetimin për McGonigalin sepse kjo do e damkoste atë dhe do zemëronte miqtë e tij në Europë dhe SHBA.

    Berisha: Por, historitë e tyre nuk kanë fund.

    Tani rikthehemi ne tek problemi ynë.

    Cili është qëndrimi i tyre ndaj opozitës?

    U shpreh në mënyrën më të qartë se kurrë këto javë të parlamentit që kulmuan me ditën e djeshme.

    Gjatë këtyre javëve të parlamentit, çfarë u provua?

    U provua se për t’i mohuar fjalën opozitës, ata ishin të gatshëm të sakrifikojnë parlamentin.

    Ishin të gatshëm de facto të asgjësonin parlamentin dhe parlamentarizmin.

    Nuk kishte ndodhur kurrë kjo.

    Ishte hera e parë.

    Se si mundesh të pranosh kryeministër të miratosh programin 4-vjeçar dhe programin për 28 minuta, tregon se je një pasardhës besnik i Enver Hoxhës, një bastard i Kim Jong Unit apo Gedafit se kush në botë nuk e bën këtë akt të tillë. Jo, Enver Hoxha nuk e bënte një akt të tillë.

    E patë, dy ditë ka zhvilluar parlamenti që kur është hapur.

    Dhe ato dy ditë u shpëtuan nga duart, se doli Taulant Balla e tha, o këto, ose do i votojmë.

    Por kulmi i tyre arriti dje.

    Ne paraqitëm të drejtën në përputhje me Kushtetutën, kërkuam të ushtrojmë të drejtën e komisioneve hetimore, mision kryesor i opozitës, kontrolli. Kaq ka opozita.

    Kontrollin po, e ka, e ka mision kryesor.

    Ajo opozitë që nuk bën kontroll, ajo nuk është opozitë. Ajo është pseudo-opozitë. Është letër kot.

    Në qoftë se nuk kontroll dot sistemin, çfarë bën aty?

    Filloi me refuzimin e ministrave për t’u paraqitur para jush në komisione, me refuzimin e interpelancave të Ramës, me refuzimin e komisioneve dhe kulmoi me refuzimin e dy komisioneve hetimore parlamentare të një rëndësie themelore për shoqërinë shqiptare.

    Jo vetëm për opozitën.

    McGonigali është i një rëndësie të jashtëzakonshme.

    Emri i Edi Ramës, sipas medieve amerikanë më serioze, të bazuar në dosjen e gjykatës së Uashingtonit, në atë dosje citohet 13 herë.

    Edi Rama, publikisht ka deklaruar krenarinë e tij për miqësinë me McGonigalin.

    Tani duhet të jemi të hapur dhe të vërtetë.

    Edi Rama e korruptoi njeriun kryesor që kishte mision kryesor të mbronte kombin amerikan nga korrupsioni. E thotë gjykatësi në vendimin e tij, nuk e them unë.

    Edi Rama e pagoi atë për aksionin direkt kundër opozitës.

    Edi Rama e futi atë në hetime të pista, të turpshme, të padenja. Me Tom Doshin dhe Durim Bamin, i çoi në Vjenë që t’i hetonte. Se e ka porositur Durimin, Ilir Meta ta vriste Tomën apo të mos e vriste.

    E kuptoni? Presidenti i Republikës tani të hetohej për një trillim të mirëfilltë dhe merrej, paguhej kryezbuluesi i SHBA për hetimin në Vjenë, vend neutral.

    Ka akt më të turpshëm?

    Dorian Duçka dhe Agron Neza, bashkë me McGonigalin takonin prore këtu biznesmenë që kanë pasur kurajën të dalin publikisht dhe t’i denonconin dhe u kërkonin 1-2 milionë për t’u hequr sanksionet. 5 milionë e me radhë.

    Kjo është veprimtari e fuqishme kriminale e Edi Ramës, McGonigalit, Dorian Duçkës, Agron Nezës, por e vërteta, edhe e kompanisë që solli mbrapa dhe e kontraktoi Edi Rama për t’u marrë me opozitën.

    Siç vërtetohet nga dokumentet.

    A ka opozitë në botë që nuk do kërkonte hetimin e këtij problemin?

    Nuk besoj që një opozitë i thotë vetes opozitë dhe nuk merr përsipër hetimin.

    Dosja shqiptare nuk ka dalë e tëra në gjykatën amerikane dhe ne mund të kontribuonin më shumë me hetimin tonë parlamentar.

    Sigurisht që kjo do damkoste më shumë Ramën dhe do zemëronte miqtë e Ramës në Europë dhe SHBA.

    Por ne nuk e bëjmë as për të zemëruar, ne e bëjmë që t’i japim Edi Ramës dhe McGonigalit atë që meritojnë për qëndrimin në Shqipëri dhe të kontribuojmë në hetimin e tij, apo në njohjen e plotë të veprimtarisë së tij kriminale në Shqipëri.

    Refuzuan, nuk lejuan.

    Kjo është hera e dytë, nuk e lejuan edhe njëherë tjetër.

  • Lituania mbyll përsëri aeroportin e Vilniusit, shkak balonat në hapsirën ajrore

    Lituania mbyll përsëri aeroportin e Vilniusit, shkak balonat në hapsirën ajrore

    Aeroporti i Vilniusit në Lituani u mbyll përkohësisht të enjten për shkak të disa balonave që fluturonin në afërsi të tij, tha aeroporti në një postim në Facebook, incidenti i gjashtë brenda këtij muaji.

    Lituania ka thënë se balonat dërgohen nga kontrabandistë që transportojnë cigare të kontrabanduara, por fajëson gjithashtu Presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin, për mosndalimin e kësaj praktike.

    “Sipas informacioneve paraprake, vendimi për të kufizuar hapësirën ajrore u mor për shkak të një balone që fluturonte në drejtim të Aeroportit të Vilniusit”, tha aeroporti të enjten.

    Ndërkohë, trafiku në aeroportin e kryeqytetit u pezullua deri në orën 21:10 GMT, sipas orës lokale.

    Lituania ka mbyllur tashmë pikat kufitare me Bjellorusinë për shumicën e udhëtarëve deri në fund të nëntorit në përgjigje të ndërprerjeve të lëvizjeve ajrore, dhe ka deklaruar se planifikon të rrëzojë të gjitha balonat që kërcënojnë hapsirën ajrore të Lituanis.

    Sakaq, Lukashenko, e quajti mbylljen e kufirit lituanez një “veprim të çmendur” dhe akuzoi Perëndimin se po zhvillonte një luftë hibride kundër Bjellorusisë dhe Rusisë, e cila po sillte një epokë të re të ndarjes me tela me gjemba.

  • Elbasan/ 58-vjeçarja humb jetën pasi konsumoi acid në gjendje të rënduar psikologjike

    Elbasan/ 58-vjeçarja humb jetën pasi konsumoi acid në gjendje të rënduar psikologjike

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku një grua 58-vjeçare ka humbur jetën pasi ka konsumuar acid (detergjent), dyshohet në kushte të rënduara psikologjike.

    Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, kur shtetasja N. Ll., 58 vjeçe, u dërgua me urgjencë për mjekim në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Pavarësisht ndihmës së dhënë nga mjekët, gruaja nuk mundi të mbijetonte.

    Nga hetimet paraprake dyshohet se ajo ka kryer aktin ekstrem për shkak të problemeve psikologjike.

    Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.

  • “Nuk kam vdekur”, Veliaj i përgjigjet Këshillit të Ministrave: Jam vetëm përkohësisht në Durrës, dorëheqja nuk më është kërkuar

    “Nuk kam vdekur”, Veliaj i përgjigjet Këshillit të Ministrave: Jam vetëm përkohësisht në Durrës, dorëheqja nuk më është kërkuar

    TIRANË- Vazhdon prej 3 orësh, seanca në Gjykatën Kushtetuese, ku diskutohet mbi ankimimin e Erion Veliajt, për shkarkimin e tij nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës. Veliaj u pyet nga përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, nëse ligji për qeverisjen vendore, është në përputhje me Kushtetutën. Veliaj tha se në rastin e tij nuk plotësohet asnjë prej kushteve për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të kryetarit të Bashkisë.
    A është në përputhje me Kushtetutën neni 61 i ligjit për qeverisjen vendore, për përfundimin e mandatit parakohe të kryetarit të Bashkisë?
    Erion Veliaj: Mund të përgjigjem, mandati ndërpritet parakohe kur Kryetari i Bashkisë vdes, nuk kam vdekur se sot jam i pranishëm këtu, kur humbet zotësinë juridike për të vepruar, me vendim të formës së prerë. Nuk ka një vendim të formës së preë! Nuk kam kandiduar për deputet, jam vetëm përkohësisht në Durrës, nuk më është kërkuar dorëheqja dhe nuk e kam dhënë. Pikërisht se e kam bërë betimin jam sot këtu.

  • Veliaj replikon me juristin e Kryeministrisë: Nuk shqetësoheni për qytetarët e Tropojës që kanë 11 muaj pa kryetar, po targetoni një njeri të vetëm!

    Veliaj replikon me juristin e Kryeministrisë: Nuk shqetësoheni për qytetarët e Tropojës që kanë 11 muaj pa kryetar, po targetoni një njeri të vetëm!

    Erion Veliaj

    TIRANE- Herald Jonuzaj përfaqësoi sot interesat e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese. Ai e pyeti Erion Veliajn se sa e ligjshme është që një njeri i pazgjedhur nga qytetarët si Anuela Ristani të drejtojë bashkinë për një afat të pacaktuar. Veliaj zgjodhi ti përgjigjej vetë, duke i kujtuar rastin e bashkisë Tropojë, ku Rexhë Byberi ka 11 muaj me masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe bashkia drejtohet nga një i deleguar prej tij. 

    Diskutimi në GJK
    Kryeministria Herald Jonuzaj: Kompetencat e deleguara te nënkryetari. A mund të kryhen të gjitha kompetencat e deleguara? Delegimi a është në përputhje me procedurat administrative? A është në përputhje me Kushtetutetën, nenin 109,pika 2, që kompetencat të ushtrohen nga një i pazgjedhur pa afat kohor të caktuar? 

    Herald Jonuzaj, jurist i Keshillit te Ministrave

    Erion Veliaj: I nderuar, kjo pyetje do të ishte e ndershme nëse do t’ja bënit qytetarëve të Tropojës. Nëse për ata jeni ok që të rrinë 11 muaj pa kryetar bashkie, por kjo specifikon dhe targeton vetëm një njeri, dhe kjo nuk më duket normale. Fakti që nuk e bëni këtë pyetje, për një njeri që është në një gjendje më të gjatë se e imja po bëni diferencim. Përsa kohë kanë qenë të vlefshme delegimet e kryebashkiakut të Tropojës, nuk duhet t’ju shqetësojë as që unë kam bërë delegimin e vullnetit tim. Do ishte në dobi të vendit dhe të integritetit të zyrës që përfaqësoni që të shqetësoheni për paraburgimin dhe standardet.
    Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet në seancë publike ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca nisi në orën 10:00 dhe i pranishëm është edhe kryebashkiaku Veliaj që shfaqet për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt./ZËRI

  • Rritet çmimi i transportit publik për linjën Kamëz–Tiranë: Bileta shkon 50 lekë, aboneja 1400 lekë

    Rritet çmimi i transportit publik për linjën Kamëz–Tiranë: Bileta shkon 50 lekë, aboneja 1400 lekë

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË-Qytetarët e Tiranë nga 1 nëntori do të përballen me një ndryshim çmimi të biletës së transportit publik. Çmimi i biletës për linjën Kamëz–Tiranë do të rritet nga 40 në 50 lekë, ndërsa abonetë mujore do të shkojnë nga 12 mijë në 14 mijë lekë. 
    Operatori i linjës i është drejtuar Bashkisë Kamëz me një kërkesë zyrtare për rritjen e tarifave, duke argumentuar vendimin me shtimin e kostove të karburantit dhe shpenzimeve operative. Pas shqyrtimit nga Drejtoria e Transportit dhe komisionet përkatëse të Këshillit Bashkiak, propozimi është miratuar me votim./ZËRI

  • Ankimimi i Veliajt, Kushtetuesja ndërpret seancën për 30 minuta

    Ankimimi i Veliajt, Kushtetuesja ndërpret seancën për 30 minuta

    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj njoftoi pushim për 30 minuta. Në orën 13:05, do te vijohet me shqyrtimin e ankimimit të Veliajt kundër shkarkimit të tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
    “Do të bëjmë gjysmë ore pushim dhe do të vazhdojmë me subjektet e interesuara. Gjykata do të kthehet në orën 13:05.”, tha kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj.

  • PAMJET-Vodhi 10 mln lekë mijëra euro sende, grabitësi me qetësi zbret nga shkallët

    PAMJET-Vodhi 10 mln lekë mijëra euro sende, grabitësi me qetësi zbret nga shkallët

    grabitësi

    TIRANË-Një 52-vjeçar autori i një vjedhjeje të kryer në rrugën “Musa Agolli” është arrestuar nga Policia e Tiranës. Pashk Zefi është kapur nga kamerat e sigurisë së apartamentit, ku i veshur me të zeza më 24 tetor 2025, ka grabitur nga kasaforta e një banese shumën prej 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë 20 000 euro. Ndërkohë në kërkim është shpallur shtetasi që largoi 52-vjeçarin nga vendngjarja.

    Njoftimi i policisë:
    Vodhi 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë 20 000 euro, në kasafortën e një banese në rrugën “Musa Agolli”, identifikohet, lokalizohet dhe kapet 52-vjeçari.
    Shpallet në kërkim shtetasi që largoi 52-vjeçarin, me automjet, nga vendngjarja.
    2 bashkëpunëtorët kanë mbajtur në vëzhgim zonën dhe kanë hyrë në banesë, kur aty nuk kishte banorë.
    Sekuestrohen 2 automjete, 1 celular dhe 1 armë zjarri pistoletë me leje, gjatë kontrollit të banesës të 52-vjeçarit.
    Pas kallëzimit të një shtetaseje, se më datë 24.10.2025, nga kasaforta në banesën e saj, ishin vjedhur gjatë kohës që nuk kishte patur banorë, 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë 20 000 euro, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për kapjen e autorit/ëve.
    Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Rojtaret”, u mundësua identifikimi i të dy shtetasve të implikuar në këtë rast, konkretisht P. Z., 52 vjeç dhe D. B., 56 vjeç, të banues në Tiranë. 52-vjeçari u vu në pranga, ndërsa shtetasi D. B. u shpall në kërkim.
    Nga këto veprime dyshohet se 2 shtetasit kanë mbajtur në vëzhgim banesën në rrugën “Musa Agolli”, ku shtetasi P. Z. ka hyrë për të vjedhur, kur nuk ka patur banorë. Ndërkaq, shtetasi D. B. ka larguar me automjet, 52-vjeçarin, nga banesa, pasi ky i fundit dyshohet se vodhi nga kasaforta, 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë 20 000 euro.
    Vijojnë kërkimet për kapjen e shtetasit D. B.Gjithashtu, vijojnë hetime për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të metejshme.

  • BIRN: Parlament i vogël? Ekspertët peshojnë efektet e një pakti të dytë mes Ramës dhe Berishës

    BIRN: Parlament i vogël? Ekspertët peshojnë efektet e një pakti të dytë mes Ramës dhe Berishës

    Në nisje të mandatit të katërt në shtator, kryeministri Edi Rama shprehu ambicien për një reformë kushtetuese që do çonte drejt “një parlamenti të vogël”. Sipas Ramës, Kuvendi i Shqipërisë duhej të reduktohej nga 140 deputetë në të paktën 101 të tillë.
    Dy muaj më pas, ideja po mbështetet në distancë edhe nga lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili po shprehet në favor të një sistemi parlamentar me dy dhoma, i shoqëruar nga reduktimi i numrit të deputetëve.
    “Nuk ka asgjë për të prekur Kushtetutën. Por nëse është problemi për të përcaktuar Senatin e Republikës, po jam gati, nuk kemi asnjë kompleks aty, sepse besojmë se është një institucion i dobishëm dhe jo duke rënduar buxhetin e taksëpaguesve, por duke zvogëluar numrin e deputetëve,” deklaroi ai.
    Qëndrimet në të njëjtën linjë të Ramës dhe Berishës po i hapin rrugën një pakti të dytë mes tyre, që prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 që përcaktuan shtyllat e sistemit politik që vendi trashëgon edhe sot. Me ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në Kuvend, palët po kalkulojnë efektet e një marrëveshjeje të mundshme drejt këtij synimi. Për organizatat që monitorojnë Kuvendin, çdo ndryshim në Kushtetutë do të duhet të jetë gjithpërfshirës dhe transparent dhe të mos shkasë në ‘pazare politike’ mes dy partive të mëdha, në dëm të partive të reja.
    “Çdo marrëveshje konsensuale midis dy partive kryesore politike në vend përbën monopol të rrezikshëm për demokracinë, veçanërisht plurarizmin politik si një nga shtyllat kryesore të saj si dhe shtetin e së drejtës,” tha për BIRN Erida Skëndaj, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
    Skëndaj theksoi se procesi duhet të garantojë pjesmarrjen aktive të çdo individe apo partie politike që mund të preket nga ndryshimet e pritshme. Rrjedhimisht, shton Skëndaj, “partitë e vogla politike si dhe grupe të tjera interesi kanë të drejtë të dëgjohen në çdo proces vendimmarrës, aq më tepër në ndryshime të nivelit të tillë kushtetues, në aktin themeltar, nga të cilat ato mund të cenohen apo preken”.
    Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike e sheh si të nevojshme dhe të vonuar një reformë për reduktimin e numrit të deputetëve, por nga ana tjetër ai flet për rriskun që ekziston për ‘pazare’, sa herë që dy partitë e mëdha bien dakord që të ndryshojnë Kushtetutën.
    “Shqipëria nuk e ka më luksin të ketë 140 deputetë, shumë prej të cilëve prej disa legjislaturash nuk janë aktivë dhe nuk ushtrojnë detyrat parlamentare,” tha Krasniqi, duke argumentuar se ky reduktim duhet të shoqërohet me reduktim të partive fiktive politike, strukturës administrative dhe strukturës shtetërore në institucione, që janë sipas tij, më shumë burokratike se sa funksionale.
    Por nga ana tjetër, ai pranon se, “kur palët bien dakord që të ndryshojnë Kushtetutën, ekziston rrisku dhe frika që palët mund të kërkojnë koncensione të njëri-tjetri për të bërë ndërhyrje të tjera në Kushtetutë”. Krasniqi nuk e sheh reduktimin e numrit të deputetëve si kufizim të hapësirës për partitë e reja dhe të vogla politike, duke e lidhur mbijetesën e tyre politike me mundësimin e kushteve të barabarta dhe një bazë ligjore solide e gjithpërfshirëse.
    Gjithsesi, nëse pakti PS-PD do të shkonte më tej se reduktimi i numrit të deputetëve, për Krasniqin, “kjo do të vinte në provë nëse PS-PD kanë një strategji kundër partive të reja”. Nga ana tjetër, ai e quan joefektive idenë e Berishës për një Senat, pasi nuk janë kushtet që kërkon krijimin e një dhome të tillë në parlament, që lidhet me një elitë politike të aftë të pranojë ndarjen e balancave të pushteteve.
    Përvojat e mëparshme politike e të paktën dy dekadave të fundit kanë treguar se dy partitë e mëdha, pavarësisht krijimit të një klime konfliktuale dhe polarizuese të arenës politike, e gjejnë gjithmonë gjuhën e përbashkët kur iu përputhen interesat për ruajtjen e dominimit të tyre.
    Për Skëndajn, “kjo praktikë e dëmshme është ndjekur edhe në të kaluarën për ndryshime që ndikojnë në ruajtjen e status-quosë politike, sikurse janë ato kushtetuese të sistemit zgjedhor”. Edhe Krasniqi thekson se historia e parlamentarizmit tregon se partitë kanë ndërhyrë në Kushtetutë për arsye zgjedhore dhe ai veçon si më të dukshmen atë të vitit 2008, ndryshime sollën një sistem proporcional që synonte kufizimin e partive të vogla.
    “Por nga ideja e tyre për të ulur numrin e partive politike kundër tyre, në fakt rezultoi në krijimin artificialisht të partive të tilla dhe duke i futur në listat e tyre, sot numrin i partive parlamentare është më i lartë se ajo që kanë votuar shqiptarët,” theksoi Krasniqi./BIRN