Day: October 31, 2025

  • FBI-ja parandalon sulmin terrorist në Michigan, arrestohen 5 persona

    FBI-ja parandalon sulmin terrorist në Michigan, arrestohen 5 persona

    Drejtori i FBI-së, Cash Patel, njoftoi se një “sulm i mundshëm terrorist” i planifikuar të ndodhte në Michigan të SHBA-së, gjatë fundjavës së Halloween-it është parandaluar.

    “Këtë mëngjes, FBI-ja parandaloi një sulm të mundshëm terrorist dhe arrestoi disa individë në Michigan, të cilët dyshohen se planifikonin një sulm gjatë fundjavës së Halloween-it”, tha Patel.
    Kreu i policisë federale nuk dha detaje të mëtejshme. Sipas CBS News, duke cituar burime policore, sulmi ishte “i frymëzuar” nga Shteti Islamik. Rrjeti televiziv amerikan specifikoi se pesë persona të moshës midis 16 dhe 20 vjeç u arrestuan.
    Të paktën një nga të arrestuarit njihte një ish-anëtar të Gardës Kombëtare të Michiganit, i cili u arrestua në maj me akuzën e planifikimit të një sulmi terrorist ndaj objekteve ushtarake amerikane në periferi të Detroit-it.
    FBI kishte monitoruar një diskutim online në lidhje me këtë sulm për njëfarë kohe, sipas mediave amerikane.
    CNN raportoi se anëtarët që morën pjesë në diskutim ishin trajnuar me armë automatike dhe kishin folur për “Ditën e Kungullit”, simbolin e Halloween-it.
    Policia e Dearbornit njoftoi në Facebook se FBI-ja kishte kryer arrestime në qytet, i cili ndodhet në periferi të Detroitit.
    “Ne i sigurojmë banorët e qytetit tonëse aktualisht nuk ka asnjë kërcënim për popullsinë”, tha policia e qytetit në një deklaratë.

    Top Channel

  • ‘U takuam pasi dola nga burgu në Serbi’/ Albin Kurti shpreh ngushëllimet për vdekjen e Fatos Nanos

    ‘U takuam pasi dola nga burgu në Serbi’/ Albin Kurti shpreh ngushëllimet për vdekjen e Fatos Nanos

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti kujtoi takimet e tij personale me Nanon dhe vlerësoi kontributin e tij politik në periudhën e tranzicionit demokratik të Shqipërisë.

    ‘Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të’, shkruan Kurti. ‘Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim njohës.’

    Ai tregon se takimin e dytë me Nanon e kishte zhvilluar kur ky i fundit ishte në krye të qeverisë shqiptare. ‘Fatos Nanon e kam takuar për herë të dytë kur ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, me ç’rast ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Nga atëherë, më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem dhe Arbën Xhaferin.’

    Kurti e përshkruan Fatos Nanon si një figurë qendrore në historinë politike të Shqipërisë gjatë kalimit nga regjimi komunist në sistemin demokratik pluralist.

    ‘Ai shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë në periudha të vështira për vendin, nga rënia e komunizmit, te trazirat e vitit 1997 dhe proceset e rindërtimit të mëvonshme’, thekson ai.

    Në reagimin e tij, Kurti nënvizon edhe rolin që Nano pati në mbështetjen e çështjes së Kosovës gjatë viteve të luftës dhe mbështetjen për UÇK-në.

    ‘Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në periudhën e parë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të saj’, shkruan Kurti.

    Kryeministri i Kosovës e mbyll reagimin me një mesazh ngushëllimi për familjen, bashkëpunëtorët dhe bashkëpartiakët e Fatos Nanos.

    ‘Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të tij, si dhe miqve e të afërmve. U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik.’

  • Jo vetëm për Hallouin! Kungulli i vjeshtës është një superushqim

    Jo vetëm për Hallouin! Kungulli i vjeshtës është një superushqim

    Çdo tetor, kungujt vendosen në qendër të vëmendjes duke marrë trajtën e fenerëve, kafeve dhe vitrinave.  Por sapo hiqen zbukurimet e Hallouinit, i harrojmë.

    Një gabim për të të ardhur keq sepse kungujt dhe farat e tyre janë fabrika energjie që duhet të jenë gjithnjë në kuzhinë.

    Shëndet dhe shkëlqim

    Nën tulin në portokalli të ndezur, ka një sërë lëndësh ushqyese. Kungujt kanë karetoneide. Beta-karoteni kthehet në vitaminë A që ndihmon shikimin, lëkurën dhe sistemin imunitar. Dietat me përmbajtje të lartë karoteni ulin inflamacionin dhe sëmundjet kronike, nga zemra te disa lloje kanceri.

    Kungujt janë burim i mirë vitaminë C që fuqizon barrierën imunitare dhe prodhimin e kolagjenit për lëkurë të shëndetshme. Niveli i lartë i kaliumit ndihmon shëndetin e zemrës dhe ekuilibron kripën.

    Në 100 gramë kungull të gatuar ka 2 gramë fibër që stabilizon sheqerin në gjak, forcon shëndetin e zorrëve dhe të mban të ngopur.

    Ëmbëlsia e tij i jep shije dhe trajtë kremoze supave, gjellëve dhe lëngjeve pa nevojën e sheqernave të shtuar apo bulmetit.

    Kungujt më të mirë për t’u ngrënë nuk janë ata gjigantët, por varietet më të vogla që përmbajnë më shumë shije dhe lëndë ushqyese.

    Farat

    Nëse tuli është trupi i kungullit, farat janë zemra. Farat përmbajnë shumë zink, magnez dhe selen, elementë që forcojnë imunitetin, shëndetin e zorrëve dhe balancojnë hormonet. Zinku ndihmon në prodhimin e rruazave të bardha të gjakut, seleni lufton inflamacionin dhe ndihmon tiroiden kurse magnezi qetëson muskujt, ndikon në një gjumë më të mirë dhe rregullimin e zorrëve.

    Ka vetëm një rregull të artë: pak fara kungulli janë më mirë se asgjë. Mjafton të spërkasni disa në sallatën, supën apo t’i hidhni në një smoothie dhe do të merrni gjithçka ju nevojitet.

  • Diplomatët më të lartë të Lindjes së Mesme do të takohen në Stamboll për bisedime në Gaza

    Diplomatët më të lartë të Lindjes së Mesme do të takohen në Stamboll për bisedime në Gaza

    Ministrat e jashtëm nga disa vende të Lindjes së Mesme pritet të takohen në Stamboll të hënën për të diskutuar hapat e mundshëm të mëtejshëm në procesin e paqes në Gaza, sipas ministrit të jashtëm turk, Hakan Fidan.

    Takimi do të bashkojë ministrat nga tetë vendet që morën pjesë në bisedimet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u tha Fidan i Turqisë gazetarëve të premten në Ankara.

    Deri më tani nuk ka pasur konfirmim të takimit nga këto vende.

    Diskutimet e mëparshme në Nju Jork përfshinin përfaqësues nga Turqia, Katari, Arabia Saudite, Indonezia, Pakistani, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania.

    Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-të midis Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas mbetet i brishtë. Zbatimi i fazave të ardhshme të procesit të paqes – përfshirë çarmatimin e Hamasit – mbetet i pasigurt./DPA News.

  • I mori paratë të moshuarit dhe nuk i dha tokën, ‘Piranjat’ përballen me pronarin nga Durrësi

    I mori paratë të moshuarit dhe nuk i dha tokën, ‘Piranjat’ përballen me pronarin nga Durrësi

    Emisioni ‘Piranjat’-  31 tetor 2025

    Në vendin tonë, çështjet e pronësisë dhe mashtrimet në tregun e pasurive të paluajtshme mbeten një nga problemet më të ndërlikuara. Herë pas here “Piranjat” kanë trajtuar raste të tilla, ku viktimat kanë qenë gjithmonë blerësit, të cilët dorëzojnë paratë, por nuk marrin në këmbim atë që u takon. Në të njëjtën situatë është gjendur edhe një zotëri nga Elbasani, Bashkim Bedinja.

    Ky i fundit në vitin 2017, bleu një tokë me vlerë rreth 11 milionë lekë tek Arben Tota. Ky i fundit, i premtoi se dokumentat e pronësisë do i bënte gati brenda dy muajsh, por nuk e mbajti fjalën. Për këtë arsye, palët u detyruan të nënshkruajnë një akt noterial, në të cilin u përcaktua se Arbeni do i bënte kalimin e pronësisë brenda muajt gusht 2018, ose në të kundërt do i kthente Bashkimit shumën prej 11 milionë lekësh. Mirëpo, në fund i moshuari nga Elbasani nuk mori asgjë, as token, as, lekët.

    Për këtë arsye, ai u detyrua t’i drejtohej gjykatës, në të cilën fitoi. Gjykata e Durrësit urdhëroi Arbenin që t’i kthente paratë Bashkimit. Por këtë vendim, Arbeni e ankimoi dhe që prej atij momenti dy zotërinjtë kishin humbur kontaktet me njëri-tjetrin.

    Ndaj “Piranjat” udhëtuan drejt Durrësit për të gjetur zotin Tota dhe për ta bindur që t’i kthente shumën Bashkimit. Në përballjen me “Piranjat”, pas shumë debatesh, Arbeni pranoi se vendimin e gjykatës e kishte ankimuar për të fituar më shumë kohë për të mbledhur paratë.

    Ai dha fjalën se Bashkimit do ia kthej 11 milionë lekët brenda muajit dhjetor të këtij viti.

  • Fatos Nano, njeriu që nuk ra viktimë e pushtetit të tij!

    Fatos Nano, njeriu që nuk ra viktimë e pushtetit të tij!

    Nga Lutfi Dervishi
    Nëse ka një politikan që koha e vendosi menjëherë si “sanduiç” mes “të vjetrës që shembet dhe të resë që po lindte”, ky është Fatos Nano.
    Ai e nisi karrierën politike në anën tjetër të barrikadës. Në momentin kur diktatura po shkërmoqej përballë presionit të kohës dhe studentëve, ndryshe nga shumë intelektualë, ai u rreshtua me Partinë e Punës. Në Dhjetor 1990, u shfaq si “njeriu liberal”, fasada që regjimi kishte nevojë ta përdorte për të treguar se “po ndryshojmë edhe ne”. Nga sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave shumë shpejt arriti majën e piramidës.
    Në shkurt 1991, u emërua kryeministër në qeverinë tranzitore, për t’u përballur menjëherë me grevën e minatorëve, e cila e rrëzoi qeverinë e tij.
    Vetëm katër muaj më pas, në qershor 1991, ai u zgjodh kryetar i partisë trashëgimtare të PPSH-së. Detyra ishte gati e pamundur: transformimi i komunistëve në një forcë socialiste.
    Kjo ishte, ndoshta, sfida e tij më e madhe: të bënte që 120 mijë anëtarë të PPSH-së të ndërronin mentalitetin, statusin, stilin, dhe të pranonin se kishte ardhur një epokë tjetër; se pushteti nuk u takonte vetëm komunistëve dhe se përballë nuk ishin armiqtë, reaksionarët, ballistët e zogistët, por shqiptarët.
    Në 22 mars 1992, Partia Socialiste (PS) humbi thellë në zgjedhjet parlamentare, shenjë se shqiptarët prisnin ndryshim rrënjësor. Vetëm tre muaj më pas, në zgjedhjet lokale, PS u rikuperua shpejt. Kjo rimëkëmbje tregon aftësinë e Nanos dhe të ekipit të tij për të reflektuar, për t’u riorganizuar dhe për të mbijetuar politikisht.
    Ndërkohë, erdhi arrestimi dhe burgosja i tij, në një proces që la më shumë hije sesa dritë. U akuzua dhe dënua për abuzim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në lidhje me ndihmat italiane. Burgu çimentoi postin e kryetarit të partisë dhe e ktheu në “martir” politik. (Është nga ata që në fillimin ka bërë burgun, me pas zullumet – thoshte me shpoti një vëzhgues i hollë i jetës politikës)
    Kur vendi ra në kaos total në vitin 1997 (kolapsi i skemave piramidale), Nano u rikthye në krye të PS-së me premtimin e madh: “Do të kthehen paratë e humbura.” Ai nuk u hakmorr për çfarë kishte pësuar; përkundrazi, u përpoq të ringrinte ekonominë e rrënuar dhe të qetësonte sa të mundte një vend të armatosur deri në dhëmbë.
    Vetëm 14 muaj më pas, pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, dha dorëheqjen, duke ia lënë drejtimin dy të rinjve të Forumit Rinor Eurosocialist (Majko-Meta).
    Në 2002, u rikthye për herë të tretë si kryeministër. Në këtë mandat, ai provoi të balancojë pushtetet, të punojë për pavarësinë e institucioneve dhe të siguronte që rotacioni të bëhej në kutinë e votimit dhe jo në rrugë apo me dhunë.
    “Organizmi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është më i rëndësishëm se rezultati” – kjo thënie që i atribuohet Nanos nuk shprehte vetëm një ideal larg realitetit të kohës, pasi u bë realitet shumë shpejt.
    Në këtë periudhë shënohet edhe paqja e madhe politike, pas një konflikti të gjatë me rivalin e tij Berisha. (zgjedhja e Presidentit me konsensus, disa emërime në Gjykatën e Larte/Kushtetuese, reforma zgjedhore)
    Në kohën e “qeverisjes” së tij (2002-2005), pushteti u nda jo vetëm me aleatët, por edhe brenda vetë Partisë Socialiste, duke lejuar shfaqjen e figurave të forta politike edhe brenda kabinetit, edhe brenda grupit parlamentar.
    Në retrospektivë, ajo çka quhej dhe akuzohej për korrupsion në kohën e tij, shpesh duket si lojë kukullash kur krahasohet me aferat e dekadës së fundit, një kontrast i dhimbshëm që e vendos periudhën e Nanos në një dritë tjetër, ku e ku më të zbehtë, krahasuar me aferat dhe babëzitë e sotme për pushtet dhe pasuri.
    Në 2005, PS humbi zgjedhjet parlamentare, dhe Nano dha dorëheqje nga drejtimi i partisë. Fishekët e fundit të kapitalit politik në Parlament i përdori që Bamir Topi të zgjidhej President më 2007.
    Në vitin 2012 e synoi vetë postin e kreut të shtetit, por e kuptoi menjëherë se sa i vetmuar kishte mbetur. Dëshira dhe këmbëngulja e tij për t’u rikthyer përplasej me një të vërtetë brutale: miqtë e shumtë në politikë janë të përkohshëm dhe i takojnë vetëm pushtetit, jo personit.
    Vitet e fundit i kaloi në heshtje, si një burrë që i kishte bërë herët dhe me intensitet betejat e mëdha, kryesisht të imponuara nga koha dhe fati.
    Nano ishte njeri me pasione dhe vese (pija, kumari, neglizhenca), të cilat e bënë shpeshherë objekt kritikash dhe përfoljesh.
    Ironikisht, natyra e tij “liberale” dhe vetë veset e bënë më njerëzor, më të aksesueshëm, duke krijuar një kontrast që i vuri në pah edhe më shumë virtytet e tij. E quajtën liberal, por toleranca ishte ves i tij.
    Reformimi dhe demokratizimi i PS-së, ndarja e pushteteve (në krahasim me përqendrimin e sotëm); organizimi i zgjedhjeve të lira (krahaso sot pas 20 vitesh); dorëzimi i pushtetit dhe ngulitja e idesë se shteti nuk i përket një partie të vetme, janë kontributet e Fatos Nanos në tranzicionin shqiptar.
    Në retrospektivë politike, Fatos Nano spikat si “sanduiçi” që dha një hapësirë “liberalizmi” midis dy modeleve të fuqishme dhe shpesh autoritare të qeverisjes: pushtetit të centralizuar të Sali Berishës në vitet ’90 dhe dominimit të gjatë autoritarist të Edi Ramës në dekadën e fundit.
    Ai u thirr në skenë në Dhjetor 1990 dhe jetoi 15 vite intensive politike. U largua i qetë si nga drejtimi politik, ashtu edhe nga kjo jetë, duke lënë pas një trashëgimi të debatueshme, por të pamohueshme!

  • Rezultat “historik” në Hollandë, Rob Jetten pritet të jetë kryeministri më i ri në historinë e vendit!

    Rezultat “historik” në Hollandë, Rob Jetten pritet të jetë kryeministri më i ri në historinë e vendit!

    Rob Jetten

    HOLLANDË- Udhëheqësi liberal i qendrës, Rob Jetten, ka shpallur fitoren në zgjedhjet e ashpra holandeze të së mërkurës, pasi analiza e votave tregoi se partia e tij nuk mund të mposhtet nga populisti anti-islamik, Geert Wilders.
    Partia D66 e Jetten aktualisht ka një epërsi të ngushtë prej 15,000 votash ndaj Partisë së Lirisë të Wilders, dhe agjencia holandeze e lajmeve ANP thotë se edhe pse numërimi i votave nuk është i plotë, Wilders nuk mund të fitojë më.
    “Ne jemi partia më e madhe në Holandë! Tani do të fillojmë të punojmë për të gjithë holandezët”, postoi Jetten në X.
    Wilders tha se ishte këshilli zgjedhor, jo një agjenci lajmesh, që vendosi rezultatin: “Çfarë arrogance të mos presësh për këtë.”
    Parashikimet nga rreth 99% e votave i vendosin të dyja partitë në 26 vende në parlamentin me 150 vende – por ANP thotë se centristët e Jetten mund të fitojnë një vend të 27-të.
    Jetten, 38 vjeç, u tha gazetarëve se ishte “shumë krenar për këtë rezultat historik” dhe tani ndiente një përgjegjësi të madhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme dhe ambicioze.
    Wilders kryesonte sondazhet e opinionit para zgjedhjeve të së mërkurës, por Rob Jetten arriti të fitonte në disa nga qytetet kryesore holandeze, përfshirë Roterdamin, Hagën dhe Utrechtin, me një fushatë pozitive duke përdorur sloganin “Po, ne mundemi”.
    Asnjë garë zgjedhore holandeze nuk ka qenë ndonjëherë kaq e ngushtë, dhe nëse Jetten bëhet kryeministër, ai do të jetë më i riu në historinë e Holandës.
    Deri më tani, Jetten ishte i kujdesshëm të mos shpallte fitoren derisa të mblidheshin të gjitha votat, por ANP tha se bazuar në shifrat e votuesve me postë jashtë vendit, ai tani mund të shpallej fitues.
    Wilders tha se edhe nëse D66 do të bëhej partia më e madhe, Partia e tij e Lirisë (PVV) “nuk do të lejonte që Holanda të shpërbëhej nga Jetten dhe populli i tij”.

  • Krim makabër/ Djali djeg të gjallë nënën dhe…

    Krim makabër/ Djali djeg të gjallë nënën dhe…

    Një krim i rëndë në familje ka ndodhur në Greqi mbrëmjen e sotme (31 tetor).
    Një person dyshohet se i vuri flakën dhe dogji nënën dhe xhaxhanë e tij, në një apartament në Heraklion të Kretës. Njëri prej viktimave u gjet me një qese mbi kokë, ku dyshohet se autori e ka mbytur me asfiksim.
    Më tej ai u hodh nga ballkoni në një përpjekjeje vetëvrasjeje sipas autoriteteve që e gjetën në gjendje të rënduar psikologjike. Autori i dyshuar u dërgua me urgjencë drejt spitalit.
    Tragjedia ndodhi në rrugën Halepa në Mastaba, në Heraklion të Kretës, me dy persona vdekur, në një dinamikë të pastër vrasjeje, për motive të paqarta ende.
    Sipas policisë, burri ia vuri zjarrin duke dashur të digjte nënën dhe xhaxhanë e tij, që ndodheshin brenda në shtëpi në atë kohë. Nëna mësohet se vuante nga një sëmundje dhe nuk mund të ecte dot.
    Po hetohet gjithashtu nëse autori i krimit kishte probleme psikike, ndërsa sipas informacioneve nga “Protothema”, trupat e djegur u gjetën në zona të ndryshme të shtëpisë.
    Mobilizimi i Zjarrfikësve ishte i madh me 16 zjarrfikës dhe 4 automjete që nxituan në vendngjarje.
    Zjarrfikësit thanë se nxorrën djalin fillimisht nga godina, por ai më pas u ngjit përsëri në ndërtesë dhe u hodh nga ballkoni, ndërsa u dërgua me ambulancë në spital.

  • Njëri “e transportonte” drogën me biçikletë, tjetri e ruante në shtëpi, arrestohen dy të rinj shqiptarë në Itali

    Njëri “e transportonte” drogën me biçikletë, tjetri e ruante në shtëpi, arrestohen dy të rinj shqiptarë në Itali

    itali

    ITALI- Dy të rinj shqiptarë, 21 dhe 25-vjeç, u arrestuan në flagrancë nga karabinierët e Folignos për komplot për shpërndarje të lëndëve narkotike.
    Konkretisht, 21-vjeçari pa precedentë penalë, u ndalua nga policia ndërsa po ngiste biçikletën e tij në mënyrë të dyshimtë në zonën e Folignos. Gjatë një kontrolli, të riut iu gjetën në posedim pesë pako kokainë dhe kokainë të fortë, me një total prej afërsisht 4.5 gramë.
    Gjatë kontrollit të mëvonshëm në shtëpi, karabinierët kapën bashkëpunëtorin 25-vjeçar, i cili kishte precedentë penalë, duke u përpjekur të fshihte 908 pako me drogë dhe një kanaçe të mbushur me narkotikë të tjerë, me një peshë totale prej 1.17 kg kokainë dhe kokainë. Për më tepër, në shtëpi u gjetën 555 euro në para të gatshme, që besohet të jenë të ardhurat e aktivitetit të paligjshëm së bashku me katër peshore precize dhe disa telefona celularë. Të gjitha sendet u sekuestruan.
    Në përfundim të formaliteteve rituale, dy të rinjtë shqiptarë u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Spoletos, në pritje të mbajtjes së seancës së vlerësimit.

  • “Si Kadri Hazbiu para Byrosë,por me modë dhe makiazh politik”, Boçi tall Veliajn: E dënuan për tanga e bizhu, jo për 5D

    “Si Kadri Hazbiu para Byrosë,por me modë dhe makiazh politik”, Boçi tall Veliajn: E dënuan për tanga e bizhu, jo për 5D

    Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka ironizuar seancën e Erion Veliajt në Gjykatë Kushtetuese, ku ish-kryebashkikau i Tiranës mori pjesë për të parashtruar argumentet e tij kundër shkarkimit nga detyra.
    Boçi e ka paralelizuar situatën e Erion Veliajt me atë të ish-ministrit të Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, para Byrosë.
    Deputeti thotë se Kadriun e dënoi Hoxha për spiunazh ndërkohë që meritonte dënim për krimet çnjerëzore bashkë me Hoxhën vetë, ndërsa shton se e njëjta situatë është edhe me Veliajn, i cili, sipas tij, duhet të dënohet për akuza të tjera përveç atyre që i janë ngritur nga SPAK
    “Dhe Veliaj njëjtë, e dënon (akuzon) Rama (SPAK) për tanga e bizhu në vend të 5D e inceneratorëve, ku brenda është Rama vetë me të gjithë pikturat e tij”, shkruan deputeti i PD-së.
    Reagimi i Luçiano Boçit:
    Veliaj sot, nuk e di, por m’u duk në shumë pika si Kadri Hazbiu para Byrosë.
    Kadriun e dënoi Hoxha për spiunazh ndërkohë që meritonte dënim (në një realitet tjetër drejtësie) për krimet çnjerëzore ndaj kundërshtarëve të regjimit, patriotëve e nacionalistëve, bashkë me Hoxhën vetë.
    E dënon (akuzon) Rama (SPAK) për tanga e bizhu në vend të 5D e inceneratorëve, ku brenda është Rama vetë me të gjithë pikturat e tij!