Day: October 30, 2025

  • Ankesat e Ramës për median dhe raporti i OSBE/ Kush po shpif?

    Ankesat e Ramës për median dhe raporti i OSBE/ Kush po shpif?

    Në sallën e Forumit të Paqes në Paris, përballë një audience të huaj që e njeh pak ose aspak realitetin shqiptar, Edi Rama foli me tonet e një njeriu të lënduar, me gjuhën e një të politikani të përndjekur dhe të abuzuar nga armata e portaleve dhe e shkrimeve pa emër. Ai e pikturoi veten si viktimë të një bote mediatike të pamëshirshme, ku mbizotëron shpifja dhe zhvatja, ndërsa e vërteta nuk gjen më hapësirë.

    Në fjalimin që mori tonet e një rrëfimi personal, Rama foli për një Evropë që “dikur ishte mbretëria e verifikimit të fakteve” por që sot “është bërë mbretëria e kaosit”. Madje në një pasazh të fjalimit të tij, e kaloi cakun kur kujtoi se viktima të këtij ambjenti kaotik në media janë familjarët e politikanëve. “Është thjesht një shtëpi ku të gjithë mund të hyjë, të futet në shtrat, ta trajtojë gruan tënde si kurvë, ta trajtojë veten si kriminel, t’i trajtojë fëmijët e tu si të çoroditur, të bëjë çfarëdo që të jetë dhe nuk duhet ta hapë gojën.”
    Duke shtjelluar më tej idenë se politikanët janë shënjestra të pafajshme të një media të ligë dhe të papërgjegjshme, kryeministri i Shqipërisë vazhdoi duke e përshkruar rrezikun nga tepria e fjalës. “Ne vazhdojmë të themi se do të ndërtojmë mure mbrojtëse për të mbrojtur zgjedhjet tona dhe për të mbrojtur demokracinë tonë nga rusët… por kemi një shtëpi pa dyer, pa dritare, pa siguri, pa asgjë”.
    Fjalët e Ramës ishin pa asnjë dyshim muzikë për veshët e presidentit të Francës, Emanuel Makron, që kohët e fundit është i shqetësuar për lajmet mbi të kaluarën e bashkëshortes së tij, e cila përflitet se ka ndryshuar gjininë në rininë e saj. Por, për këdo që jeton në Shqipëri, ankesat e Edi Ramës, ky patos viktimizues i kryeministrit tingëllon si një hipokrizi e pastër.
    Mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama prej muajsh tashmë është në sprovë. Bashkimi Europian po pret miratimin e paketës së re të medias, një ndërhyrje që parashikon dekriminalizimin e shpifjes dhe (të paktën ligjërisht) e ndihmon disi tregun mediatik nga kapja politike.
    Rama e preku këtë moment në fjalimin e tij duke kujtuar se “24 nga 27 vende të Bashkimit Europian ende e ruajnë shpifjen në Kodin Penal”, ndërsa Komisioni Europian, OSBE dhe ODIHR kërkojnë pikërisht të kundërtën: dekriminalizimin real të fjalës, për të mbrojtur gazetarët nga ndëshkimi penal.
     
    Sepse ndryshe nga çfarë përshkruan Rama, panorama e tregut mediatik në Shqipëri është krejt e përmbysur dhe për këtë mjafton të lexosh raportin e fundit i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit 2025.
    “Pavarësia, diversiteti dhe integriteti i lajmeve në dispozicion të votuesve është dëmtuar nga varësia e shumicës së mediave ndaj financimeve jotransparente nga interesa politike dhe biznesi, shpesh të mbështetura në kontrata qeveritare,” thekson raporti.
    Në të njëjtin dokument thuhet se “ndërhyrjet e përhapura nga pronarët e mediave në autonominë editoriale, së bashku me autocensurën mes gazetarëve, ndikojnë negativisht në cilësinë e informacionit që u vihet në dispozicion publikut.”
    Gazetarët, përkundër politikanëve, janë ata që përballen çdo ditë me sulme verbale e ndonjëherë fizike nga zyrtarë publikë, që punojnë në kushte presioni e pasigurie, që nuk kanë qasje të lirë në informacion dhe që shpesh u ndalohet pjesëmarrja në ngjarje publike. “Transmetuesi publik nuk konsiderohet se ka audiencë të gjerë, ndërsa procedura për emërimin e drejtuesve të RTSH dhe AMA nuk siguron pavarësi de facto,” vijon raporti.
    Nga ajo që shkruan OSBE/ODHIR kuptohet se media shqiptare nuk është një shtëpi “pa dyer e pa dritare”, siç e përshkruan Rama, por një burg i fjalës për gazetarët, që kontrollohen nga qeveria.
    Raporti i OSBE/ODIHR përmend gjithashtu se mbulimi i fushatave zgjedhore dominohet nga partitë e mëdha, ndërsa lajmet “shpesh prodhohen nga vetë partitë politike dhe transmetohen nga mediat si materiale të pavarura, pa etiketim dhe pa distancë profesionale.” Në shumicën e televizioneve kombëtare, Partia Socialiste ka marrë mesatarisht mbi 50% të mbulimit, një shifër që tregon më shumë për një media të kontrolluar, sesa për një treg të lirë.
    Në këtë kontekst, thirrja e Ramës në Paris për “mbrojtjen e politikanëve nga shpifjet”tingëllon ironike. Dhe ankesa e tij se “ta trajtojnë gruan tënde si kurvë”, faktet e raportuara nga institucionet ndërkombëtare tregojnë se këtë trajtim e pësojnë më së shumti profesionalisht gazetarët shqiptarë, kur kërcënohen dhe detyrohen të heshtin, në një ambjent mediatik të kapur nga qeveria.
    Ndaj përkundër përpjekjeve të Edi Ramës për t’u paraqitur si viktimë e medias në Paris, në Shqipëri ai rezulton të jetë njeriu që e kontrollon fjalën në mediat më të mëdha të vendit duke i financuar me kontrata publike dhe duke i ushqyer me reklamat shtetërore. Prandaj fjalimi i tij në Paris, pavarësisht frazave të fuqishme, tingëllon më shumë si një tentativë për të krijuar idenë e politikanit të persekutuar, ndërkohë që në Shqipëri, ata që janë vërtet të persekutuar, janë gazetarët./Lapsi.al

  • “Nëntori do të jetë transformues”, Meri Gjini bën parashikimin e muajit: Shenja që ka përmirësim të madh financiar

    “Nëntori do të jetë transformues”, Meri Gjini bën parashikimin e muajit: Shenja që ka përmirësim të madh financiar

    Astrologe Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit për muajin nëntor në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.
    Muaji nëntor vjen me një energji të veçantë për reflektim dhe përparim, duke nxjerrë në pah nevojën për ekuilibër midis punës, familjes dhe jetës personale. Planetët sjellin mundësi për ndryshime, por edhe sfida të vogla që kërkojnë kujdes dhe durim. Është një kohë për të vendosur prioritetet e duhura, për të përforcuar marrëdhëniet dhe për të përgatitur terrenin për muajt e ardhshëm me hapësirë për rritje personale dhe profesionale.
    Muaji nëntor do jetë me disa ndryshime thelbësore. Hyrja e Mërkurit te Shigjetarët ndeshet me një Uran te bnjakët: Këshilla kryesore është që deri në datën 6 të jeni të kujdesshëm në lëvzije, sidomos ata me makinë. Mos u nxitoni në firmosje dhe vendime të rëndësishme.

    Marsi me 5 nënëtor përball uranit nxisin aktivitetin. Gjithashtu në datën 5 Hena e Plotë te Demat nxjerr nje emapti dhe ndjeshmëri për njerëzit në ambjetet familjare.
    Dashi
    Kryefjala e muajit nëntor është ekonomia dhe profesioni. Muaji nëntor nis me potencial të mirë për punë dhe ekonomi, me theks të veçantë te përditshmëria, axhenda, planet profesionale dhe xhepi. Hyrja e mirë fillimisht përditëson energjitë, dhe nga data 20 e tutje përforcohen rezultatet. Raportet personale janë relativisht të qëndrueshme, kështu që mund të shmangni shpërqendrimet dhe të kanalizoni energjinë në drejtim të duhur. Nga nesër, kujdes me trupin dhe gripin.
    Demi
    Fillimi i muajit ju vë në qendër të vëmendjes, sidomos në punë dhe me familjen. Hëna e plotë ju ndihmon të tregoni një empati më të madhe dhe të rigjykoni raportet dhe ambientin në shtëpi. Marsi në të kundërt ju bën të këmbëngulni, por kujdes çdo gjë me metër. Gjatë pjesës së dytë të muajit, procesi i rikontrollimit të planeve profesionalisht dhe emocionalisht merr hov.
    Binjakët
    Keni një muaj me lëvizje dhe energji të përshpejtuar, por ndoshta edhe me nevojë për kujdes sidomos në fillim. Për ata që kanë lindur në ditët e para të shenjës, hyrja e Uran mund të sjellë tronditje. Përqendrimi te shëndeti dhe bashkëpunimet e reja janë të rëndësishme. Me Mërkurin përballë deri në datën 19 gjeni bashkëpunime sepse ka shanse të mira në ccështjet e punës dhe karrierës. Në tërësi, ka mundësi njohjesh dhe zhvillimesh, por kujdesi në planin emocional është i nevojshëm.
    Gaforrja
    Ky muaj ju fton të përqendroheni tek raportet njerëzore dhe familjare. Fillimi nuk është plotësisht i rehatshëm për shkak të kalimeve planetare, por një hënë e plotë në fillim ndihmon të veproni me inteligjencë emocionale. Në pjesën e dytë të muajit, për beqarët hapen mundësi për dashuri, ndërsa edhe për investime apo vendime të rëndësishme jeni më mirë të veproni me kujdes. Kalim i Marsit ju bën të zgjidhni probleamtikat që keni shkatuar deri në mesin e muajit.
    Luani
    Muaji sjell përmirësim minimal në situatat e punës që ju kishin lodhur. Idetë dhe bashkëpunimet arrijnë energji të reja, megjithëse disa prej tyre nuk do të realizohen për të gjithë. Në pjesën e dytë të muajit, vëmendja ndryshon te shtëpia, familja dhe raportet, dhe jo vetëm te puna.
    Virgjëresha
    Fillimi i muajit ju këshillon të kujdeseni për shëndetin dhe të mos e provokoni lodhjen ritmi mund të shpejtohet papritur. Nga ana e dashurisë, hyrja e Venus tek akrepat sjell një hyrje të mirë për ndjenja dhe për t’u ndjerë mirë, por për ekonominë është koha për kursim dhe vëmendje të shtuar. Kujdes me shpenzimet dhe blerjet, deri në datën 4. Në datën 5, Hëna e plotë sjell një përmirësim buxheti, për punën që kanë bërë, rritje rroge ose shpërblim.
    Peshorja
    Puna mbetet prioritet i qartë për ju megjithatë, ekuilibri në përkushtim ndaj kohës për partnerin/partneren apo familjen do të jetë sfidë. Në muajin nëntor, ndjenjat financiare përmirësohen në krahasim me tetorin. do jetë shumë më mirë Miqësitë, bashkëpunimet dhe njohjet e reja marrin hov, ndërsa dashuria fiton hapësirë.
    Akrepi
    Me Venusin te vetja, do kenë shanse shumë të mira ekonomike dhe do jetë shumë muaj i mirë për beqarët. Një pjesë e mirë do keni ndryshime me njerezitë që kanë mbi vete në anën profesionale. Shumë shpejt e marrin teritorin në kontroll. Puna dhe zhvillimi përmes njohjeve sjellin ndryshime, ndërsa mërkuri në të kundërt nga data 20 ju fton të rishikoni territorin profesional dhe emocional. Hyrja është e mbështetur për të vendosur pozicione më të qëndrueshme.
    Shigjetari
    Muaji nis me hyrje aktive; por nga data 10 mërkuri kthehet në lëvizje të kundërt, që mund të sjellë çrregullime në komunikim dhe plane. Megjithatë, nga data 20 një hënë e re nxit nisje dhe përmirësime; do të keni mundësi njohjesh dhe bashkëpunimesh të reja. Megjithëse lodhja mund të jetë prezente, është një muaj me mundësi reale.
    Bricjapi
    Në ditët e para kujdes me fizikun dhe shëndetin. E dyta, kur Mërkuri të kthehet në të kundërt te Akrepi në datën 20 deri në fund të muajit, kujdes me komunikimin në vendin e punës. Kujdes sepse Marsi nuk ju ndihmon të ndiheni të fuqishëm dhe ju ulet vetëbesimi, gjë që nuk shkon për shtat me karakterin e tyre. Ndërsa në dashuri situata mbetet e qëndrueshme falë Venusit. Praktike është të keni kontrollin e mirë mbi veten dhe rrethanat.
    Ujori
    Hyrja juaj në muajin nëntor sjell nevojën për të përqendruar vëmendjen te familja dhe pasardhësit, ndërkohë që puna dhe njohjet kanë mirëhyrje. Ndërsa përjetimi emocional dhe rishikimi i investimeve është i pranishëm.Është një kohë ku intuicia e lëviz butë, por vendimet e rëndësishme kërkojnë logjikë dhe jo vetëm ndjesi.
    Peshqit
    Muaji ju fton të organizoheni mirë shtëpia, familja, raportet janë në fokus. Një hënë e re nxit lëvizje të reja në sferën familjare ose bashkëpunimeve, por e mira është të mos nxitoheni. Me Venusin që sjell kënaqësi, duhet të kini kujdes në ekonominë tuaj dhe në detyrimet që ju rëndojnë është koha për maturi.
    Në përgjithësi, nëntori paraqitet si një muaj produktiv, por me shumë nevoja për ekuilibrim, për të mos u nxitur nga presionet e momentit dhe për të vepruar me qetësi, veçanërisht në fillim të muajit. Nëse dëshironi, mund të përkthen për çdo shenjë edhe në formë më të detajuar apo të shkurtuar jam këtu për këtë.
    /vizionplus.tv

  • Osmani thërret krerët e partive, Presidentja vijon përpjekjet për zgjidhjen e krizës politike

    Osmani thërret krerët e partive, Presidentja vijon përpjekjet për zgjidhjen e krizës politike

    Presidentja Vjosa Osmani  ka thirrur kryetarët e partive politike në takim nesër ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet për formimin e një qeverie të re gati nëntë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.
    Bekim Kupina, këshilltari i Osmanit, tha për Radion Evropa e Lirë se takimi do të mbahet të premten në orën 12.
    Pas dështimit të Albin Kurtit për të bërë qeverinë, Presidentja duhet të caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh.

    Zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë tashmë duket se janë të pashmangshme./vizionplus.tv

  • “Armët, për tre grupe kriminale”, pronari i furgonit mohon të ketë dijeni për automatikët, snajperat dhe pistoletat

    “Armët, për tre grupe kriminale”, pronari i furgonit mohon të ketë dijeni për automatikët, snajperat dhe pistoletat

    Eugert Sino, 34-vjeçari i arrestuar pas zbulimit të arsenalit të armëve në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ka mohuar akuzat për përfshirje në veprimtarinë kriminale.
    Edhe pse furgoni brenda të cilit u gjetën armët është në emër të tij, Sino ka thënë se nuk e ka idenë se kush mund t’i ketë futur brenda.
    Furgoni prej kohësh ka qenë i parkuar në afërsi të rrugës Myslym Shyri dhe agjentët e policisë prej disa javësh po e vëzhgonin për të parë se kush fshihet pas trafikut të armëve.

    Ndërkohë blutë kanë shpallur në kërkim dy persona.
    Në këto foto ku duket mjeti i sekuestruar nga policia, furgoni ishte kamufluar me mbishkrime për punimin e rrugëve. Kjo sipas hetuesve është përdorur si mbulim nga autorët në mënyrë që mjeti të mos ndalohej apo të kontrollohej nga patrullat e policisë.
    Gjatë kontrollit në makinën e 34-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh.
    U sekuestruan 12 armë zjarri të markave të ndryshme, 6 armë automatike, 5 snajpera, 1 silenciator, 17 krehra për armë zjarri dhe 15 000 fishekë, pjesë armësh dhe pajisje për shpërthime në distancë, municione të tjera si dhe uniforma policore.
    Sipas burimeve, armët dyshohet se i përkasin një grupi kriminal që është goditur më parë nga SPAK. Hetuesit kanë dyshime se armët ishin planifikuar për t’u përdorur në ngjarje kriminale nga grupe të tjera që veprojnë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
    Armët e sekuestruara rezultojnë të jenë të reja dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova./vizionplus.tv

  • Rrëzimi i kërkesës së PD për shkarkimin e Peleshit, Balla ironizon Berishën: U mbush mali plot me rrush dhe polli vetëm 10 vota, ku shkuan 36 firmëtarë?

    Rrëzimi i kërkesës së PD për shkarkimin e Peleshit, Balla ironizon Berishën: U mbush mali plot me rrush dhe polli vetëm 10 vota, ku shkuan 36 firmëtarë?

    Mazhoranca socialiste votoi kundër kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se kryetarja e seancës Klodiana Spahiu nuk zbatoi  procedurat parlamentare dhe se vendimmarrjet bëhen pa respektuar rregulloren.
    Por kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj pretendimeve të Berishës se në fillim duhet që të ishin votuar dy raportet e PD dhe PS dhe më pas të votohej për shkarkimin e Peleshit si kryetar i Kuvendit.
    Ndërkohë nga kampi blu, vetëm 10 deputetë votuan pro kërkesës së tyre për shkarkim. Balla nuk i kurseu ironitë dhe i kërkoi Berishësh që “të gjejë se ku i shkuan votat”.

    Balla: Sa i përket kërkesës së 36 deputetëve për shkarkimit e kryetarit të kuvendit, zoti Këlliçi dhe ju të nderuar anëtarë të PD, neni 114, pika 4 e rregullores e ka sqaruar votohet kërkesa. Raportet janë relacione shoqëruese mbi bazën e arsyetimeve. Bazuar në nenin 60, pika 1, votimi bëhet i fshehtë. Nuk ka pasur një kërkesë dhe nuk u përmend këtu, të depozituar nga ana juaj për mënyrën e votimit, dhe për pasojë sqaroni edhe kryetarin e partisë tuaj, mos të dalë në tv që t’ja fusë kot, jo votohet raporti…Ej doktor vetëm kërkesa për shkarkimin votohet. Dezertimin tuaj që u mbush mali plot me rrush dhe na polli vetëm 10 vota në favor të kërkesës për shkarkim shkoni dhe mblidhni grupin, gjejeni ku ju kanë shkuar votat, nuk kanë ardhur nga ne por nuk dihet ku kanë ikur. Na vjen keq që keni humbur edhe 26 nga firmëtarët. Erdhët me 36 veta dhe sot dolët me 10, po të vinit një herë tjetër s’dihet si dilni.

  • Marrëdhënie seksuale me dhunë, arrestohet 46-vjeçari i shpallur në kërkim

    Marrëdhënie seksuale me dhunë, arrestohet 46-vjeçari i shpallur në kërkim

    Finalizohet operacioni policor i koduar “Alert”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
    I dënuar në Itali, me 6 vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 46-vjeçari.
    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Alert”, si rezultat i të cilit u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi:
    Vladimir Rama, 46 vjeç, banues në fshatin Fierzë, Tropojë.
    Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Triestes, Itali, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë”.
    Interpol Tirana do të kryejë procedurat në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

    Top Channel

  • Pengonin qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve, “zhduken” mjetet e parkuara në anë të rrugës në Vlorë

    Pengonin qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve, “zhduken” mjetet e parkuara në anë të rrugës në Vlorë

    Policia e Vlorës vijon aksionin për largimin e automjeteve të parkuara në mënyrë të gabuar në qytet.

    Gjatë kontrolleve, disa automjete që ishin vendosur në vende të palejuara apo që pengonin qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve, janë hequr me karotrec.
    Sipas njoftimit zyrtar, ky operacion do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim krijimin e rendit dhe sigurisë në rrugë, si dhe lirimin e hapësirave publike që shpesh bllokohen nga parkimet abuzive.
    Policia e bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe rregullat e parkimit, për të shmangur gjobat dhe masat administrative që parashikon ligji.
    Aksioni është zhvilluar në disa nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, përfshirë zonën e qendrës dhe Lungomaren.

    Top Channel

  • “Pezullimi ose zëvendësimi i kryebashkiakëve, shkelje e autonomisë vendore”, Raporti i Komisionit të Venecias: Cenohet vullneti i zgjedhësve

    “Pezullimi ose zëvendësimi i kryebashkiakëve, shkelje e autonomisë vendore”, Raporti i Komisionit të Venecias: Cenohet vullneti i zgjedhësve

    Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias), në raportin e miratuar në sesionin e 144-t plenar më 24 tetor 2025, thekson se “Pezullimi ose përfundimi i mandatit të kryetarëve të bashkive për shkak të ndalimit apo paraburgimit të tyre prek thelbin e autonomisë vendore dhe shkel parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.”

    “Ndikimi i paraburgimit të kryetarëve të bashkive është i dyfishtë: ai mund të ndikojë jo vetëm mbi të drejtat individuale të kryetarit të prekur, por gjithashtu shtrihet përtej individit dhe ndikon mbi të drejtat e zgjedhësve, zgjedhja e të cilëve, e shprehur në mënyrë demokratike përmes votës, mund të dëmtohet përmes emërimit të një kryetari bashkie që nuk përputhet me vullnetin e tyre zgjedhor”.
    “Në mënyrë të drejtpërdrejtë, paraburgimi mund të pengojë ndërveprimin publik dhe shprehjen e ideve, duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë. Në mënyrë të tërthortë, ai dekurajon aktorët publikë dhe qytetarët nga pjesëmarrja në mbledhje politike apo protesta, për shkak të frikës nga ndëshkimi përshkak të shoqërimit ose të hakmarrjes politike.”
    “Paraburgimi ose pezullimi i përfaqësuesve vendorë mund të interpretohet si një cenim i garancive institucionale të vetëqeverisjes vendore të paktën në dy aspekte kryesore. Sëpari, ai ndërhyn në ushtrimin e lirë të mandatit (neni 7(1)) duke privuar zyrtarët e zgjedhur nga aftësia për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre. Së dyti, ai pengon të drejtën e qytetarëve për të përcaktuar interesat e tyre përmes tëzgjedhurit prej tyre (neni 3(2)), duke gërryer kështu karakterin përfaqësues të demokracisë vendore”
    Sipas raportit, demokracia vendore mbështetet mbi “integritetin e mandatit zgjedhor, përgjegjshmërinë ndaj zgjedhësve dhe vazhdimësinë e administrimit” dhe çdo ndërhyrje e qeverisë qendrore në këtë proces “përbën shkelje të drejtpërdrejtë të këtyre parimeve.”
    Komisioni nënvizon se pezullimi apo shkarkimi i një të zgjedhuri vendor duhet të jetë një masë e jashtëzakonshme, e përcaktuar qartë në ligj dhe e justifikuar vetëm në raste të rënda, duke shtuar se “garancitë procedurale, përfshirë kontrollin gjyqësor, duhet të jenë të parashikuara qartë me ligj, për të shmangur çdo formë politizimi apo arbitrariteti ekzekutiv.”
    Në një tjetër pasazh kyç, Komisioni thekson se:
    “Paraburgimi dhe pezullimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive cenojnë lirinë e shprehjes dhe të tubimit paqësor, duke shndërruar një masë procedurale parandaluese në kufizim ndaj debatit demokratik.”
“Kur zbatohet ndaj kryetarëve të bashkive, paraburgimi paraprak prodhon efekte të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mbi liritë e mbrojtura… duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë.”
    Një nga qëndrimet më të forta të raportit lidhet me mekanizmin e zëvendësimit të kryetarëve nga qeveria:“Zëvendësimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive me të emëruar nga qendra praktikisht shkel vullnetin e elektoratit, duke gërryer themelet e demokracisë vendore… dhe bie ndeshme ndarjen vertikale të pushteteve.”
    “Komisioni i Venecias ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme praktikën e zëvendësimit të kryetarëve të bashkive nga qeveria qendrore, duke vlerësuar se kjo përbën një shkelje të nenit 3(1) të Kartës.”Sipas Komisionit, çdo vendim për pezullim duhet të kalojë testin e proporcionalitetit, të jetë i bazuar në ligj dhe të merret “nga gjyqësori, për të shmangur ndikimet politike”. Ai thekson se shkarkimi i një përfaqësuesi të zgjedhur është “një masë e jashtëzakonshme që duhet të zbatohet vetëm në raste të shkeljeve të rënda”, me garanci të plota procedurale dhe me ndërhyrje të detyrueshme të gjykatës.
    Në fund, raporti i Komisionit të Venecias arrin në përfundimin se:
    “Demokracia vendore mund të mbijetojë vetëm nëse përfaqësuesit e zgjedhur janë të lirë të ushtrojnë mandatin e tyre dhe vullneti i zgjedhësve respektohet plotësisht. Çdo ndërhyrje që zëvendëson zgjedhjen me emërim administrativ bie ndesh me frymën dhe germën e Kartës Evropiane.”

    Top Channel

  • Vrau 42-vjeçarin sepse u bëri foto fëmijëve me kalin e tij, lihet në burg autori, pendohet në sallën e gjyqit

    Vrau 42-vjeçarin sepse u bëri foto fëmijëve me kalin e tij, lihet në burg autori, pendohet në sallën e gjyqit

    Gjykata e Shkallës së parë Berat shqyrtoi sot vendimin për masën paraprake të vrasësit Kastriot Oxhaj (emri tjetër Kristo Mema).
    Masa u vendos arrest me burg.
    Mbi 63- vjecarin është ngritur akuza e vrasjes me dashje parashikuar nga neni 76 i kodit Penal dhe neni 228 vijues i Kodit te Procedurës Penale.
    Vijon…

    Top Channel

  • “S’duhet rend dite me 25 pika, s’mbarojmë as deri nesër”, Topalli ankesa për kohën, deputeti Gjoni: Mos humbim kohë me ‘e lagu, s’e lagu’

    “S’duhet rend dite me 25 pika, s’mbarojmë as deri nesër”, Topalli ankesa për kohën, deputeti Gjoni: Mos humbim kohë me ‘e lagu, s’e lagu’

    Deputetja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit duke i thënë se rendi i ditës me 25 pika është absurd, pasi nuk arrihet brenda një ditë që të mbyllen gjithë diskutimet apo raportimet.

    Ajo tha që herë tjetër të mos bëhet një rend dite me kaq shumë pika.
    “Reni i ditës sot, është një rend dite absurd. Brenda kësaj dite të diskutosh, të shqyrtosh dy institucione të drejtësisë dhe katër institucione që ishin më parë, katër projektligje, dy komisione, raportimin e BSH edhe projekt ligje të tjera, që të gjithë e kuptojmë që kjo nuk ndodh, nuk e mbyllas nesër në orën 12. Përpiqu I që një ren dite me 25 pika të mos vendosni më, është e pamundur. Mendoj se dhe të mblidheni dhe të bëni reduktim, ose ta ndani, nuk është racionale kjo që po bëni”, tha Topalli.
    Ndërkohë deputeti i PD Gjin Gjoni mori fjalën dhe tha se nuk duhet humbur më kohë, por të vazhdojnë punimet, dhe nëse në shihet e arsyeshme, të shtyhet seanca për një tjetër ditë.
    “Të fillojmë me rendin e ditës mos humbim kohë me jo e lagu jo s’e largu. Të shohim ku arrijmë, dhe ta shtyjmë më pas nëse duhet’, tha Gjin Gjoni.

    Top Channel