Përpara se të luanim me Serbinë në transfertë, shumëkush tha se për Shqipërinë nëse fitohej në këtë ndeshje, do të vlente më shumë sesa kalimi në Botëror. Por ajo ndeshje ka përfunduar me fitoren tonë dhe festa gjithashtu, sot mund të quhet e përfunduar. E përfunduar me një festival golash 4-2 ndaj Jordanisë, në një ndeshje shumë emocionuese dhe me një Armando Broja të rikthyer.Në grupin K kemi një barazim ndeshjesh sa i përket tre vendeve të para. Anglia është kualifikuar zyrtarisht pas fitores së thellë sot ndaj Letonisë duke siguruar vendin e parë. Më pas vjen Shqipëria me 11 pikë dhe Serbia me 10 pikë, me të njëjtin numër ndeshjesh të luajtura. Disa shpresonin se Andorra mund të bënte befasinë sot kundër Serbisë dhe deri në një moment ia doli, madje në pjesën e parë shënoi dy gola, një në portën e Serbisë dhe një në portën e saj, ndërsa Serbia e përmbysi në 1-3.
?Me këtë fitore, Serbia shkon në golavarazhin 7-7, ndërsa Shqipëria është në golavarazhin 6-3. Për fatin tonë të keq, këtë herë nuk kemi rregullin e ndeshjeve direkte, por të golavarazhit. Ndeshja jonë e radhës është kundër Andorrës dhe nëse e fitojmë do të shkonim në kuotën e 14 pikëve. Problemi qëndron në faktin se nëse Anglia, tani e kualifikuar, hap krahun me Serbinë duke dalë në barazim, atëherë situatën e vendos golavarazhi.
Kështu Serbia do të qëndronte në kuotën e 0 golave, ndërsa Shqipëria që është +3 gola, duhet të kujdeset që të fitojë sa më thellë me Andorrën në transfertë, gjë që është e vështirë të ndodhi për ne. Në ndeshjen e fundit ne do të luajmë me Anglinë dhe në rast të një humbje 0-2 dhe një fitore 0-1 në Andorrën, golavarazhi ynë do të ishte +2, ndërsa Serbia pret Letoninë në shtëpi dhe në rast të një fitore 2-0, do të na parakalonte automatikisht në renditje.
Në rast të barazimit edhe të golavarazhit, atëherë merren për bazë se kush ka shënuar më shumë gola dhe aty Serbia është një gol para nesh. Pra për të qenë të qetë, Shqipëria duhet të fitojë me 4 gola diferencë ndaj Andorrës në mënyrë që edhe barazimi i Serbisë në Angli, të mos e vendos shumë në rrezik. Në rast se Anglia bën detyrën dhe fiton ndaj Serbisë dhe Shqipëria fiton me Andorrën, do të kualifikoheshim automatikisht. Ndërkohë në rast fitore të Serbisë kundër Anglisë në transfertë, atëherë duhej me patjetër që edhe ne të fitonim kundër Anglisë në Air Albania pasi në të kundërt, do të ishim të skualifikuar. Gjithçka varet në dorën tonë, por edhe të Anglisë… /Sport Ekspres/
Day: October 14, 2025
-

Skenaret/ Fitorja e Serbisë vë në rrezik kalimin e Shqipërisë, fitore 0-4 me Andorrën ose në dorën e Anglisë
-

Aeroporti i Vlorës/ Behgjet Pacolli nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, shërbimet partnere nxitën lëvizjen
Nga Habjon Hasani
Prokuroria e Tiranës ka strukturuar një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës. Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Shtetasi Nelson Çela u thirr sot paradite në Prokurorinë e Tiranës; ai dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit. Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Procedimi penal kundër zotit Pacolli dhe dy të tjerëve mban nr. 64/06 dhe ka nisur në shtator, pasi një kallëzues me vlerë u vu në lëvizje nga shërbimet inteligjente partnere; një anëtar i strukturës hetimore besohet se ka marrë “clearance” nga FBI.
Kjo histori, në dukje si përplasje korruptive (Balluku–Pacolli), mbart një shqetësim edhe më të fortë se korrupsioni, pasi ka indicie se Pacolli është duke lidhur ujdi shumë larg për të vënë kolateral aeroportin e Vlorës. Veprimet e tij kanë lënë gjurmë pranë Astanas, Kazakistan.
Shqetësimi është se akrobacitë korruptive të zyrtarëve të Tiranës e kanë çuar lojën shumë më larg se korrupsioni: Aeroporti i Vlorës është kapacitet strategjik logjistik në Mesdhe, ndërsa mënyra si ka vepruar Pacolli ka ngritur shqetësime se ai mund të jetë duke krijuar korridor për interesa strategjike ruse në Shqipëri.
Por le ta nisim këtë histori nga fillimi.
Një ditë të bukur, Behgjet Pacolli u fotografua si pa dashje te avllia e Kryeministrisë. Spekulimi shkoi deri aty sa një pjesë e mediave raportoi se ai mund të ishte kandidat i Ramës për poste ministrore.
Në fakt jo vetëm që nuk ishte i tillë, por atë fotografinë “si pa dashje” e kërkoi Rama të shkrepej, pas një bisede tepër të tensionuar me Pacollin në zyrën e kryeministrit.
Në këtë takim zoti Pacolli bëri një lëvizje të paimagjinueshme, ai i deklaroi kryeministrit:
“Unë do të mbaj 98 për qind të aksioneve të aeroportit dhe nuk kam pasur asnjë dijeni për matrapazllëqet që ka bërë administratori im Valon Lluka me zyrtarët e tu. 40 për qind të aksioneve të kompanisë turke që u largua, unë i kam blerë me kontratë dhe nuk i kam detyrime kujt. Valon Lluka s’do të jetë më administrator im, pasi ai me zyrtarët e tu e kanë bërë këtë korrupsion”, – mësohet t’i ketë thënë Pacolli kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa ky i fundit, pikërisht në atë moment, kuptoi se në çfarë telashesh mund të ishte.
Pasioni për pikturën dhe podcastet e të dielave zor se i linin kohë kryeministrit Rama të nuhaste atë që kishte muaj duke u gatuar.
Pacolli pretendon se ka pasur një aferë dhe ujdi korruptive ndërmjet zonjës Balluku dhe ish-administratorit të tij Valon Lluka, për të cilën zoti Pacolli thotë se nuk dinte gjë prej gjëje, duke luajtur kartën e një burri në moshë, të çiltër dhe deri diku naiv.
Ndërkohë, partneri i tij në koncension “2A Group” rezulton se ka investuar më shumë se Pacolli, ndërsa të dy kanë marrë një kredi në shumën e 56 milionë eurove në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT).
Ndërmjet kompanisë së Pacollit “Mabco” dhe partnerit “2A Group” të Imer Ademit ka disa kontrata noteriale që bëjnë fjalë pikërisht për kalimin e aksioneve, por BKT deri në këto momente rezulton se po mbështet hapur inkursionin e zotit Pacolli dhe nuk po i kryen procedurat paraprake që lejojnë regjistrimin e kontratave të mëparshme në QKB.
Janë ende të panjohura motivet pse BKT po e mbështet kaq hapur zotin Pacolli, por është fakt që zoti Pacolli ka kryer një veprim që ka ngritur dyshime tepër të forta, jo për korrupsion kësaj here, por për inkursion të interesave strategjike të Rusisë në Shqipëri.
Është një deduksion logjik ai që ka vënë në lëvizje partnerët amerikanë.
Supozojmë një moment për lehtësi arsyetimi se zoti Pacolli është një burrë i moshuar, i çiltër e naiv, dhe se “shtriga” Belinda Balluku, së bashku me ish-administratorin e tij Valon Lluka, kanë bërë ujdi e korrupsion pa dijeninë e këtij burri kaq të ndershëm.
Në këtë skenar pyetja që shtrohet është:
Ku e gjen forcën zoti Pacolli të sfidojë këtë klan të presupozuar si të korruptuar në territorin e vet?
Nëse zoti Pacolli është një biznesmen i rëndomtë që sheh hallin e punëve të veta, ashtu si me stil naiv, si mundet ai të shkojë në zyrën e kryeministrit (që presupozohët bosi i bosëve mbi territorin) dhe të mos synojë fare asnjë negociatë apo shteg për zgjidhje, por të shkojë dhe ta vendosë kryeministrin para faktit të kryer në territorin e vet?
Për të abstraguar më tej, na vlen të shohim profilin si biznesmen të zotit Pacolli. Rezulton se nga hetimet e largëta të vitit 1997 të ish-prokurores Carla Del Ponte, Pacolli drejtonte në Zvicër një kompani me gjithsej 5 veta staf në punë, zyra e tij ishte më e vogël se një redaksi portali online, por nga ana tjetër në kompaninë e tij “Mabetex” faturoheshin kontrata miliardëshe nga Kazakistani dhe Kremlini. Kartat e tij të kreditit përdoreshin edhe nga vajza e presidentit të Rusisë Boris Jelcin.
Fillimet e biznesit zoti Pacolli i kishte falë një lidhjeje personale të tij me Pavel Borodinin, person kyç në “rrethin e tenisit” të Jelcinit. Borodini i hapi rrugën zotit Pacolli të privatizonte si fillim fabrika tekstilesh, ndërsa në Moskë është sekret i hapur se Pacolli deri vonë ka lëvizur paratë e Borodinit. Fiks të njëjtat pretendime ngrinte edhe ish-prokurorja Carla Del Ponte në Zvicër.
Ky koncentrat i CV-së së zotit Pacolli nuk flet aspak për një biznesmen që s’bën kompromise me pushtetin politik, se të ishte ndryshe, vajza e Jelcinit do përdorte kartën e kreditit të Valon Llukës dhe jo të Behgjet Pacollit.
Pra nuk kemi aspak të bëjmë me një burrë të moshuar parimor dhe paksa naiv; përkundrazi, kemi të bëjmë me një biznesmen i cili që prej ditës së parë është i formatuar dhe i kultivuar si dordolec i politikës dhe i pushtetit – si prestanome.
Dhe në kushtet kur një biznesmen prestanome dhe i shtrirë barkas para pushtetit politik sfidon hapur një pushtet në territorin e vet, ka vetëm dy opsione logjike:
a) Pacolli ka lajthitur
b) Dikush tjetër po e mbron Pacollin
Zakonisht të lajthiturit janë të painteresuar për shifrat dhe tepër të lidhur me aspekte emocionale ose estetike. Janë profil gati-gati identik me atë të kryeministrit të Shqipërisë.
Pacolli shfaqet tepër i qetë dhe i kalkuluar; ai s’ka bërë asnjë gabim me shifrat e veta dhe s’ka përjetuar emocionalisht asgjë nga sikleti ku ka futur të vetët dhe qeverinë shqiptare, çka të çon rrjedhimisht në bindjen se dikush tjetër po e mbron Pacollin. Dikush tjetër e komandon atë si dordolec.
Nuk është aspak e vështirë të bësh identikitin e këtij faktori për sa kohë CV-ja e zotit Pacolli kumbon fort jo vetëm si dordolec i Jelcinit apo Borodinit, por edhe si akrobat që muajin e fundit po bën hapa konkretë për të lidhur ujdi në Kazakistan për shitjen e gjysmës së paketës së aksioneve që ai posedon.
Një tjetër fakt interesant është se procedimi në Tiranë ndaj zotit Pacolli nuk është kurdisur në SPAK, por në Prokurorinë e Tiranës. Kjo mund të ketë ardhur ndoshta edhe për shkak se administrata e re e State Department (OPDAT) mund të ketë dijeni ekskluzive mbi pamundësinë absolute të kreut të SPAK Altin Dumani për të çuar përpara hetime ku mund të bëhet pis zonja Balluku.
E megjithatë, loja që ka hapur Pacolli në Tiranë është përtej cilësdo skeme korruptive apo zyrtari shqiptar, sepse Pacolli ka lënë zbuluar një aset gjeostrategjik si Aeroporti i Vlorës, ku minimalisht pronari i ri potencial me fijet në Kremlin zbarkon aty shpejt e shpejt disa radarë anti-dron ose sisteme interceptimi që ndryshojnë ekuilibrat e forcës në Mesdhe. /Hashtag.al -

Vrasja e shqiptarit në Greqi/ Arrestohet 22-vjeçari: Pronari grek më ngacmoi
Një 22-vjeçar grek u arrestua si bashkëpunëtor në vrasjen e dyfishtë në një kamping në Finikounda që ndodhi të dielën e 5 tetorit. Në atë ngjarje humbi jetën një 68-vjeçar grek, pronar i një kampingu dhe një punonjës i tij, shqiptar.
Këtë mëngjes 22-vjeçari grek shkoi në polici së bashku me avokatin e tij, për t’u dorëzuar. Protothema shkruan se fillimisht, burimet policore raportuan se ai është një i afërm i pronarit të kampingut që u vra. Megjithatë, sipas informacioneve, ai nuk është i afërm i viktimës, por ka qenë pasagjer në motoçikletën me të cilën lëvizi autori pas ngjarjes.
Ai i dha policisë emrin e autorit, i cili është gjithashtu 22 vjeç dhe është identifikuar tashmë. Të dy të rinjtë thuhet se njohin një të afërm të pronarit. I riu i ndaluar dyshohet se i tha policisë se viktima (pronari i kampingut) e kishte ngacmuar seksualisht në verën e vitit 2022, kur ai kishte vizituar kampingun dhe kishte takuar viktimat. 22-vjeçari pretendoi se ata donin ta shantazhonin pronarin për para.
Megjithatë, hetuesit besojnë se të paktën 3 persona janë të përfshirë në vrasjen e dyfishtë, që do të thotë se ka edhe një organizator, ndërsa autori i vrasjes së dyfishtë në kamping është ende i lirë.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e 5 tetorit në një kamping në Finikounda, kur autori, pasi kishte mbuluar fytyrën, hyri me forcë në recepsionin ku ndodhej pronari 68-vjeçar me kujdestarin e tij shqiptar 60 vjeç dhe njëkohësisht mikun e tij të vjetër.
Personi i armatosur qëlloi me gjakftohtësi pronarin, duke e plagosur për vdekje, dhe më pas vrau mikun e tij, i cili u përpoq të arratisej. Në vrasjen e dyfishtë ishte i pranishëm edhe nipi i pronarit, i cili arriti të arratisej. -

FMN ul parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2025: Shtylla e ekonomisë në rrezik…
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rishikuar në ulje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2025.
Sipas raportit më të fundit të Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit, të sapopublikuar, ekonomia shqiptare parashikohet të zgjerohet me 3.4%, nga 3.8% që ishte pritshmëria në raportin e pranverës.
Në të kundërt është rishikuar me rritje të lehtë pritshmëria për vitin 2026, ku ekonomia vendase parashikohet tashmë të zgjerohet me 3.6%, nga 3.5% në raportin e pranverës.
Inflacioni mesatar vjetor pritet të rritet lehtë në 2.3%, nga 2.2% që ishte në 2024-ën dhe të kërcejë në 2.8% në 2026-ën.
Në rajon, rritjen më të lartë pritet ta ketë Kosova, me 3.9% në 2025-ën dhe 4% në 2026-ën.
Maqedonia e veriut pritet të ketë të njëjtën rritje si Shqipëria me 3.4% në 2025-ën. Në Mal të Zi performanca pritet në 3.2% në 2025-ën.
Ekonomia e Bosnjë Hercegovinës do të zgjerohet me 2.4% në 2025 dhe 2.7% në 2026. Në të njëjtat nivele prej 2.4% në 2025-ën pritet edhe Serbia.
FMN: Ekonomia botërore po tregon qëndrueshmëri përballë tarifave të Trump, por perspektiva mbetet “e zymtë”
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se ekonomia botërore po tregon shenja presioni nga tarifat e gjera amerikane dhe proteksionizmi, edhe pse deri tani ka rezistuar më mirë se pritej.
Sipas raportit të fundit World Economic Outlook, publikuar të martën nga institucioni me qendër në Uashington, ekonomia botërore pritet të rritet me 3.2% këtë vit, nga 3% që ishte parashikimi në korrik. Në vitin 2026, rritja parashikohet të ulet lehtë në 3.1%.
FMN tha se përmirësimi i parashikimit për këtë vit vjen kryesisht nga faktorë të përkohshëm, si një rritje e aktivitetit ekonomik ndërsa kompanitë dhe familjet u nxitën të furnizohen përpara tarifave të larta, si dhe një dobësim i dollarit që ka ndihmuar tregtinë globale. Megjithatë, perspektiva përpara mbetet me “pritshmëri të zbehta”, si në afat të shkurtër ashtu edhe të gjatë.
“Nuk është aq keq sa kishim frikë, por është më keq se sa prisnim një vit më parë — dhe më keq se sa do të duhej,” tha kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, në një deklaratë për mediat.
Ministrat e Financave dhe drejtuesit e bankave qendrore po mblidhen këtë javë në Uashington për takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, nën kërcënimin e rinovuar të një lufte tregtare mes ekonomive më të mëdha të botës.
Pas një periudhe relative qetësie në muajt e fundit, tensionet janë rritur sërish, me presidentin amerikan Donald Trump që tha javën e kaluar se do të vendosë një tarifë shtesë prej 100% ndaj Kinës duke filluar nga 1 nëntori — një përgjigje ndaj kufizimeve të fundit të Pekinit për eksportet e elementeve të rralla. Që atëherë, të dyja palët kanë sinjalizuar se bisedimet mbeten të mundshme për të shmangur çdo përshkallëzim.
Në SHBA, rritja ekonomike do të ngadalësohet në 2% këtë vit, duke shënuar një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin 2024, dhe pritet të mbetet e qëndrueshme në 2.1% në vitin 2026, sipas FMN-së.
Në zonën e euros, rritja pritet të rritet në 1.2% këtë vit dhe në 1.1% vitin e ardhshëm, ndërsa zgjerimi i Kinës parashikohet të ulet në 4.8% në 2025 dhe në 4.2% në 2026.
Për të shmangur luhatjet në parashikimet e këtij viti dhe për të eliminuar shtrembërimet e shkaktuara nga importet e parakohshme që nxitën aktivitetin në gjysmën e parë të vitit, FMN analizoi rritjen e njëpasnjëshme nga gjysma e dytë e vitit 2025 deri në 2026.
Kjo analizë parashikon që ekonomia botërore të rritet me një mesatare vjetore të përafërt prej 3% gjatë kësaj periudhe 18-mujore — një ulje prej 0.6 pikë përqindjeje krahasuar me normën mesatare 3.6% të vitit 2024.FMN shton se inflacioni po stabilizohet mbi objektivat e bankave qendrore në disa vende të tjera, ndërsa perspektiva për çmimet mbetet e pasigurt, duke e vështirësuar punën e politikëbërësve monetarë.
Një tjetër arsye shqetësimi është rritja e huamarrjes. Qeveritë do të duhet të shkurtojnë shpenzimet, veçanërisht në Europë, për shkak të kostove shtesë të lidhura me plakjen e popullsisë, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë energjetike./Monitor
-

Lubonja paralajmëron: Tirana duhet ribërë dhe kryebashkiaku të rikthejë kompetencat me GJK
Analisti Fatos Lubonja, gjatë një interviste të dhënë ditën e sotme për News24, ngriti shqetësimin për situatën urbanistike dhe mungesën e hapësirave të gjelbra në Tiranë. Në vlerësimin e tij, Tirana ka degraduar në një qytet ku është thuajse e pamundur të përmbushet standardi minimal prej 18 m² gjelbërim për banor, për shkak të betonizimit të pakontrolluar dhe mungesës së një vizioni urbanistik.
Lubonja theksoi se rikthimi i kompetencave të kryebashkiakut përmes Gjykatës Kushtetuese është një domosdoshmëri për të pasur një qeverisje vendore reale dhe jo të centralizuar në duart e kryeministrit. Në këtë kontekst, ai solli në vëmendje premtimin e pambajtur të Erion Veliajt për “zero ndërtime”, duke e cilësuar si një tjetër shfaqje mashtruese për qytetarët.
Fatos Lubonja:
Pra duhet të ketë 18 metra katrorë, kemi në një Tiranë ku atje ku banoj ka apo s’ka fusha. Prapa Piazës, tani jam në Petrelë. E di sa kemi ne aty, asanjë metër katror për banorë. A mund ta kthejmë dot një Tiranë normale për ti dhënë çdo qytetari 18 m2. E pamundur. Po që të shtosh metra2 gjelbërim ,duht studim thelbësor. Duhet ribërë Tirana. Duhet projekt urbanistik, kjo kërkon moratorium për gjithë ndërtimet. Lali Eri kur tha zero ndërtime, unë thashë bravo. Pse nuk e realizoi, çështje tjetër.
Gjëja e parë që do bëja në një fushatë dhe do kërkoja nëse fitoj, kthimi përmes GJK i të drejtës së kryebashkiakut të marrë kompetencat. Kur i flisja lali Erit, i kam thënë të ka zgjedhur populli. Nuk mund t’ja japësh Ramës.
-

Trump nderon Charlie Kirk dhe paralajmëron luftë ndaj ekstremizmit të majtë
Presidenti Donald Trump i dha të martën Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimin më të lartë civil të Shteteve të Bashkuara, aktivistit konservator të vrarë Charlie Kirk, duke e quajtur atë “një luftëtar të patrembur për liri” gjatë një ceremonie në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë.
“Sot jemi këtu për të nderuar dhe kujtuar një udhëheqës të dashur që motivoi brezin e ardhshëm si askush tjetër,” deklaroi Trump gjatë fjalës së tij përpara zyrtarëve dhe mbështetësve të pranishëm.
Kirk, themelues i organizatës Turning Point USA, u vra më 10 shtator gjatë një fjalimi në Universitetin e Utah-ut, në një ngjarje që tronditi kombin dhe ndezi debatet për dhunën politike në vend.
Vrasja e tij është kthyer në një simbol për kampin republikan dhe një pikë mobilizimi për presidentin Trump, i cili nuk ka lënë menjanë frymëzuesit e këtij akti, organizatat e krahut të majtë në SHBA.
Administrata e tij ka përfshirë në këtë fushatë disa agjenci federale, përfshirë FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe IRS-në, me qëllim hetimin dhe ndërprerjen e grupeve të dyshuara për financimin e dhunës politike.
Ndërkohë, Trump ka minimizuar rolin e grupeve të djathta ekstreme, duke këmbëngulur se dhuna politike është kryesisht një fenomen i lidhur me të majtën.
Në ceremoninë e së martës morën pjesë figura të njohura republikane, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e shtetit Marco Rubio, si dhe senatorët Ted Cruz, Mike Lee, Rick Scott dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson.
Kirk, i njohur për qëndrimet e tij kundër “kulturës progresive”, kishte luajtur një rol kyç në mobilizimin e të rinjve për fushatën presidenciale të Trump për vitin 2024.
Përkrahësit e konsiderojnë atë një kampion të lirisë së fjalës.
Që pas vdekjes së tij, Trump e ka cilësuar Kirk-un si një “martir për lirinë amerikane”.
Kongresi amerikan ka miratuar rezoluta që shpallin 14 tetorin si “Ditë Kombëtare Përkujtimore për Charlie Kirk”, ndërsa presidenti nënshkroi një shpallje të veçantë duke e bërë këtë ditë zyrtare në kalendarin kombëtar.
-

Energjia, shqiptarët paguan 6.5 mln euro si kamatëvonesa për faturat jashtë afatit
Të paktën 3 milionë fatura energjie nuk u paguan në kohë nga ana e konsumatorëve e për rrjedhojë mbi to është aplikuar dhe paguar kamatëvonesë.Të dhënat zyrtare të raportuara nga kompanitë publike të sektorit të energjisë dhe të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se shuma totale e kamatëvonesave deri në fund të gushtit ishte 652 milionë lekë apo rreth 6.5 milionë euro.Muaji me nivelin më të lartë të kamatëvonesave ishte gushti me 122 milionë lekë apo rreth 1.22 milionë euro dhe pas saj vjen korriku me 850 mijë euro dhe janari me mbi 830 mijë euro.Sa i takon numrit të faturave mujore mbi të cilat janë paguar kamatëvonesa ato luhaten mes 300 mijë që është muaji me nivelin më të ulët që përkon me shkurtin dhe mbi 464 mijë që është muaji gusht.Kamatëvonesat lindin në një faturë në momentin kur fatura e muajit nuk paguhet brenda afatit 30 ditor të muajit pasardhës. Pra nëse fatura është lëshuar për muajin shtator ajo mund të paguhet pa kamatë deri në fund të tetorit.Përpos këtyre, OSHEE vijon prej vitesh që të arkëtojë edhe detyrimet e prapambetura nga konsumatorët që kanë lidhur aktmarrëveshje për shkak të borxhit të akumuluar ndër vite. Këto aktmarrëveshje u lidhën prej disa vitesh si për klientët familjarë dhe për biznesin dhe parashikonin shlyerjen me këste.Deri në fund të gushtit arkëtimet totale të Furnizuesit të Shërbimit Universal që është pjesë e OSHEE Group ishin 50.7 miliardë lekë apo rreth 507 milionë euro. Pagesat e faturave brenda afatit ka rezultuar në nivelin 97.8 për qind për 8-mujorin.Numri i konsumatorëve të lidhur në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike sipas statistikave periodike të OSHEE rezulton në 1.36 milionë ndërkohë që faturat në total me lexim konsumi në 8 muajt të këtij viti ishin 8.5 milionë./ N.Maho Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Kosto të larta, markat e njohura të veshjeve po tërheqin prodhimin nga Shqipëria
Rritja e kostove të brendshme ka bërë që shumë marka të njohura të modës të tërheqin ose të kufizojnë ndjeshëm prodhimin në Shqipëri, evidenton një raport i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për ecurinë e fabrikave të prodhimit të këpucëve dhe tekstilit në vendin tonë.Aktualisht, tendenca e përgjithshme midis markave dhe shitësve me pakicë është të tërhiqen nga Shqipëria. Për shembull, Esprit, New Look, PVH (markat Calvin Klein, Tommy Hilfiger), Bonprix (pjesë e Grupit gjerman Otto), VF Corporation (The North Face, Timberland, Altra, etj.) dhe Ralph Lauren nuk furnizohen më nga vendi ynë.Në vitin 2019, Benetton kishte pesë furnizues nga Shqipëria dhe aktualisht nuk ka asnjë. E njëjta gjë vlen edhe për kompaninë amerikane Stitch Fix, e cila kishte dy partnerë biznesi në vitin 2023 dhe që atëherë ka ndaluar porositë në Shqipëri. Inditex dhe Zalando gjithashtu kanë zvogëluar prodhimin.Shkëputja nga markat nuk lidhet vetëm me zinxhirin e furnizimit, por edhe me objektet e prodhimit. Markat e huaja, kryesisht italiane, po zhvendosen në vende me kosto më të ulët, si Tunizia dhe Egjipti.Në janar 2024, marka italiane Cotonella njoftoi se po zhvendoste një pjesë të prodhimit të saj në rajonin Kashkadarya të Uzbekistanit, duke përmendur rritjen e kostove të prodhimit në Shqipëri, të cilat i atribuohen zhvlerësimit të euros dhe rritjes së pagës minimale. Cotonella erdhi në Shqipëri në vitin 1996 dhe në vitin 2008 fabrika e saj në Shkodër hapi një laborator modern për prerjen e pëlhurave, duke u bërë një qendër ndërkombëtare logjistike për markën.Disa kohë më parë, Kral Shoes zhvendosi 30% të biznesit të saj në Tunizi dhe ka deklaruar se i gjithë prodhimi do të transferohet atje së shpejti.Italia ka pasur një prani të fortë në industrinë e modës në Shqipëri për disa dekada. Në fillim të viteve 1990, markat italiane e panë Shqipërinë si një treg të ri për zgjerim. Shumë kompani të njohura ngritën objekte prodhimi në vendin tonë, duke siguruar punësim për mijëra njerëz. Megjithatë, varësia e madhe nga një treg specifik, si për këpucë ashtu edhe për veshje, e bën sektorin shqiptar të modës më të prekshëm ndaj luhatjeve të porosive.Markat e huaja janë të pranishme në Shqipëri, drejtpërdrejt përmes ambienteve të prodhimit, por kryesisht përmes zinxhirëve të furnizimit.Studimi tregon se pagat mesatare në sektorin fason janë 450–500 euro, ndërsa kufizimet në fuqinë punëtore nuk lejojnë përmbushjen e porosive. Gjithashtu, fabrikat shqiptare u përballën me humbje nga rënia e euros. Për të përballuar zhvlerësimin e monedhës dhe rritjen e pagave, fabrikat rritën çmimet dhe në këtë mënyrë humbën një pjesë të madhe të klientëve. Edhe në kushtet e inflacionit pas pandemisë dhe uljes së kërkesës në tregjet ndërkombëtare, shumë marka transferuan prodhimin në vende me kosto më të ulët, duke u tërhequr nga Shqipëria.Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se eksportet e tekstile e këpucë ranë me 16.8% në 2024-n, në raport me vitin e mëparshëm. Tendenca ka vijuar negative edhe në 8 mujorin 2025, ndonëse me ritme të ngadalësuar, me shitjet jashtë vendit të këtij produkti që u tkurrën me 1%./ B.HoxhaBurimi: INSTAT Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Niveli maksimal i sigurimit të depozitave do të rritet në 6 milionë lekë deri në vitin 2027
Shuma e siguruar e depozitave në institucionet financiare pritet të rritet në nivelin e 6 milionë lekëve brenda vitit 2027.Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) u shpreh të martën gjatë raportimit të Kuvendin e Shqipërisë, se po punon për përgatitjen e projektligjit që do të mundësojë përafrimin e legjislacionit shqiptar për sigurimin e depozitave me direktivën përkatëse europiane.Një nga çështjet kryesore në përafrimin e legjislacionit do të jetë edhe niveli maksimal i sigurimit të depozitave. Me ligjin aktual, ASD siguron depozitat bankare deri në shumën e 2.5 milionë lekëve dhe depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit deri në shumën e 2 milionë lekëve. Direktiva e Bashkimit Europian 49/2014 kërkon që vlera e sigurimit të depozitave në vendet anëtare të jetë të paktën 100 mijë euro.Megjithatë, rritja e menjëhershme me afërsisht katër herë e nivelit maksimal të mbulimit të depozitave do të ishte e vështirë. Për këtë arsye, ASD projekton një rritje me dy etapa.Me ligjin e ri “Për sigurimin e depozitave”, që parashikohet të dërgohet për miratim brenda vitit 2026 ose fillimit të vitit 2027, do të ketë një rritje të ndërmjetme të shumës së mbulimit të depozitave, nga 2.5 milionë lekë në 6 milionë lekë. Në një etapë të dytë, në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, shuma maksimale e sigurimit të depozitave do të rritet në kufirin e parashikuar në direktivë, prej 100 eurosh.Informacioni i ASD tregon se aktualisht 95% e depozitave të siguruara me ligj kanë një vlerë brenda nivelit maksimal të mbulimit, prej 2.5 milionë lekësh. Vlerësohet se me rritjen e nivelit maksimal në 6 milionë lekë, përqindja e depozitave të mbuluara do të rritet në 98%.Një përfarim tjetër i domosdoshëm me direktivën e BE-së do të jetë mënyra e llogaritjes së primit të sigurimit që paguajnë subjektet anëtare të skemës së sigurimit të depozitave.Sipas ligjit, për të gjitha bankat tregtare në skemë, primi tremujor i sigurimit përllogaritet në mënyrë uniforme, si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara. Për SHKK-të primi tremujor i sigurimit është 0,075% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara. Direktiva e BE-së kërkon që primi i sigurimit të llogaritet bazuar mbi nivelin specifik të rrezikut të secilit subjekt anëtar të skemës.ASD bën të ditur se e ka përgatitur tashmë metodologjinë e re për llogaritjen e primit të sigurimit të depozitave me bazë rreziku. Megjithatë, aplikimi i kësaj metodologjie mund të fillojë vetëm pas të jenë miratuar ndryshime e nevojshme në ligjin “Për sigurimin e depozitave”.Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) u rrit më tej vitin e kaluar. Sipas informacionit të ASD, raporti arriti në 7.61%, nga 7.27% që pati qenë një vit më parë.Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara. Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit të ASD edhe vitin e kaluar është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara.Vlera e fondit të sigurimit të depozitave në banka në fund të vitit të kaluar arriti në 70.14 miliardë lekë, lekë me një rritje prej 10.3% krahasuar me një vit më parë.Ky fond ka dy burime kryesore financimi: primet që paguhen nga bankat dhe të ardhurat nga investimi i fondit. Të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin 2024 arritën në 4.39 miliardë lekë ose 5.4% më të larta se në vitin 2023. Në dekadën e fundit, të ardhurat nga primet kanë ardhur vazhdimisht në rritje, gjë që lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e depozitave të siguruara në sistemin bankar në këto vite.Ndërsa të ardhurat nga investimi i mjeteve financiare të fondit të sigurimit të depozitave në banka për vitin 2024 ishin 2.83 miliard lekë ose 20.7% më shumë se në vitin 2023./ E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

(VIDEO) Anglia siguron Botërorin, Serbia fiton ndaj Andorës me autogol dhe penallti skandaloze
Ndërsa Shqipëria luante miqësore me Jordaninë, sot janë luajtur dy ndeshje të Grupit K të kualifikuesve të Botërorit ku ajo bën pjesë.
Anglia, me një fitore 5-0 ndaj Letonisë, ka siguruar vendin e parë në grup edhe matematikisht, duke u bërë ekipi i parë i zonës së Europës që siguron biletën për në Botërorin 2026.
Ndërkohë, ndeshja që i interesonte më shumë Shqipërisë ishte ajo në Andorra ku vendasit përballeshin me Serbinë. Vendasit kanë kaluar të parët në avantazh, por vetëm 2 minuta më vonë shifrat u barazuan falë një autogoli të çuditshëm të Garsia i cili la të shtangur edhe portierin e vet.
Vlahoviç përmbysi rezultatin në pjesën e dytë, ndërsa fitorja përfundimtare 3-1 erdhi me penallti skandaloze të dhënë në dëm të vendasve, pas një simulimi të Mitroviç pas një ndërhyrje po të Garsia i cili më pas ekzekutoi nga pika e bardhë.
Kësisoj, Serbia i afrohet me 1 pikë Shqipërisë, duke u kthyer përsëri kërcënuese për kuqezinjtë në rrugëtimin drejt play-off.
REZULATTET
LETONI-ANGLI 0-526′ Gordon, 44′, 45’+3′ (p) Kejn, 59′ (ag) Tonisevs, 86′ Eze
ANDORRA-SERBI 1-317′ Lopez / 19 (ag) Garsia, 54′ Vlahoviç, 77′ (p) Mitroviç
Goli i Lopez (VIDEO)
Autogoli i Garsia (VIDEO)
Goli i Vlahoviç (VIDEO)
Goli i Mitroviç (VIDEO)
gijotina.com/