Day: October 13, 2025

  • Fitorja e Shqipërisë ia prish gjumin presidentit të Serbisë, Vuçiç në gjendje të rëndë por për disfatën akuzon…

    Fitorja e Shqipërisë ia prish gjumin presidentit të Serbisë, Vuçiç në gjendje të rëndë por për disfatën akuzon…

    Adriatik BALLA
    I pagjumë, në ankth dhe i shpërfytyruar. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ndodhet në situatë të rëndë shpirtërore pas disfatës që përfaqësuesja e Shqipërisë i shkaktoi kombëtares së Serbisë. Vuçiç u përpoq dje të mbronte ekipin por nga ana tjetër hodhi akuza për protestuesit kundër tij që, referuar vetë fjalëve të tij, janë shkaktarët e vërtetë të humbjes së skuadrës.
    Situata rreth Vuçiç
    Sipas mediave, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka përjetuar rëndë humbjen e Serbisë nga Shqipëria. Ai ka kritikuar ashpër paraqitjen e Serbisë në ndeshjen kundër Shqipërisë. Ndeshja Serbi-Shqipëri u zhvillua të shtunën në Leskovc. Fitorja i takoi Shqipërisë me rezultat 1:0. Me fitore, Shqipëria ka bërë një hap të madh drejt plejofit për Kupën e Botës 2026. “Ekipi nuk ishte i përgatitur mirë, nuk luajti mirë, jemi të zhgënjyer, pësuam një humbje të rëndë. Nuk munda të flija për shkak të trishtimit, jo për shkak të zemërimit si disa njerëz të tjerë. Disa njerëz në vendin tonë prodhojnë vetëm zemërim”, ka thënë Vuçiç të cilit I referohet “blic.rs”. Ai ka thënë se i vjen keq që për shkak të lodhjes nuk ishte i pranishëm në stadiumin në Leskovc. Ai po ashtu ka thënë se shteti i ka qëndruar prapa duke ia plotësuar të gjitha kushtet përfaqësueses serbe të futbollit. “A kemi futbollistë më të mirë se ata që kishim? Nuk kemi asnjë. Asnjëri prej tyre nuk luan. Kemi vetëm një lojtar që u paraqit mbrëma dhe ai është i vetmi që luan në Ligën e Kampionëve. Është një djalë, djali i vogël i Stankoviçit. Nuk ia di as emrin. Mbrëmë e pash për herë të parë në jetën time. Ai është i vetmi që luan në Ligën e Kampionëve. Askush tjetër nuk po luan. Shqiptarët kanë një ekip – lojtarë nga Lacio, Atalanta dhe nuk e di se cilat klube”, analizoi Vuçiçi ndeshjen e luajtur të shtunën gjatë një vizite në punimet e rinovimit të Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë të Qendrës Klinike të Serbisë.
    Akuzat ndaj studentëve, i bën shkaktarë të humbjes
    Referuar mediave sportive, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në një monolog të gjatë ka akuzuar sot protestuesit që kanë dalë në sheshe kundër tij, se ishin edhe ata fajtorë për humbjen e Serbisë në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Presidenti i Serbisë, nuk ngurroi të akuzonte protestues të cilët kishin dalë në shesh në Nish, se kishin shqetësuar ekipin pak orë para ndeshjes. “Në Nish, në orën 6-7, kur djemtë po çlodheshin për ndeshjen, rreth 200-300 njerëz u mblodhën para hotelit të ekipit tonë kombëtar. Ata menduan se ishin shqiptarët që kishin shkuar t’i kontestonin. Nuk ishin shqiptarët, por bllokuesit, pasi ata nuk pëlqenin faktin që 5-6 mijë njerëz ishin mbledhur në një kënd tjetër të qytetit e nuk po shqetësonin futbollistët tanë”, ishin fjalët e Vuçiç i cili fajësoi kështu studentët që kishin dalë në protestë kundër tij. Dhe këta të fundit nuk kanë vonuar t’i përgjigjen publikisht. “Po, jemi ne fajtorët që ti, për shkak të egos tënde, lëvize ndeshjen në këtë stadium në Leskovac dhe se që nga starti i kualifikuesve ne kemi shënuar gola vetëm kundër Andorrës dhe Letonisë”, ishte përgjigja nga studentët e Universitetit të Drejtësisë në Nish që kishin organizuar një protestë kundër Vuçiç e jo kundër përfaqësueses serbe.

  • Llogaritë e kualifikimit, si qëndrojnë pozitat e Shqipërisë në grupin K dhe Botërori në horizont

    Llogaritë e kualifikimit, si qëndrojnë pozitat e Shqipërisë në grupin K dhe Botërori në horizont

    Adriatik BALLA
    Shqipëria mundi 1-0 Serbinë dhe me tri pikët e kësaj ndeshjeje forcoi pozitat e saj në grupin K, duke pasur shanse reale jo vetëm ta mbyllë e dyta në grup por edhe të shpresojë për kualifikim në Botërorin e vitit 2026 në SHBA, Meksikë e Kanada. Duhet thënë se rruga drejt Botërorit është ende e largët dhe shumë e vështirë. Kjo pasi koha ka treguar se edhe vendi i dytë nuk mjafton ndonjëherë sepse në “play-off” dalin skuadra shumë cilësore, me siguri më cilësore sesa përfaqësuesja serbe. Në “play-off” mund të bjerë në short një ekip si Holanda apo Belgjika, Polonia apo Çekia, pse jo Italia apo ndonjë përfaqësuese tjetër cilësore. Por për momentin morali i skuadrës është i lartë sepse është mposhtur një rival direkt në grup dhe kjo tregon shumë.
    Rëndësia e fitores me Serbinë
    Me fitoren e së shtunës mbrëma ndaj Serbisë në Leskovac, Shqipëria ka bërë një hap gjigant drejt vendit të dytë në Grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Vendi i dytë në grup në kualifikimet evropiane nuk ofron biletën për Botëror, por ofron vend në “play-off”. Për Shqipërinë do të ishte sukses shumë i madh. Deri më tani kuqezinjtë asnjëherë nuk janë paraqitur në plejof për kualifikim në Botëror. Deri në fund të kampanjës kualifikuese, Shqipëria i ka edhe dy ndeshje. Më 13 nëntor luan në udhëtim ndaj Andorrës dhe do të ishte befasi shumë e madhe nëse nuk i fiton tri pikët. Ndërkohë më 16 nëntor e pret Anglinë në “Air Albania” në Tiranë. Aktualisht Shqipëria është e dyta në Grupin K me 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Anglia udhëheq me 15 pikë nga pesë ndeshje dhe thuajse e ka siguruar vendin e parë që dërgon në Botëror. Ndërkohë, Serbia është e treta me shtatë pikë nga pesë ndeshje. Pra ka katër pikë më pak se Shqipëria. Serbia të martën mbrëma luan në udhëtim ndaj Andorrës dhe vlerësohet favorite e madhe. Por edhe me fitore, mbetet një pikë prapa Shqipërisë. Kështu, vendimtare do të jenë ndeshjet e 13 nëntorit. Ka pak gjasa që Anglia të lëshoi pikët ndaj Serbisë në “Wembley”. Dhe në të njëjtën kohë që Shqipëria të lëshojë pikët në udhëtim ndaj Andorrës. Me fitore të Shqipërisë dhe të Anglisë, vendi i dytë do të ishte i kuqezinjve. Me këtë skenar, Shqipëria sërish do t’i kishte katër pikë më shumë se Serbia, një xhiro para fundit. Kjo do të bënte që ndeshja e 16 nëntorit, Shqipëri – Angli, të ishte festive. Dhe ndeshja tjetër, Serbi – Letoni, të ishte pa vlerë.
    “Play-off” një shans, por jo i sigurt
    Arritja në “play-off”, megjithatë është gjysma e rrugës drejt Botërorit. Në këtë fazë paraqiten 12 përfaqësueset që përfundojnë në vendet e dyta në grupet kualifikuese dhe katër përfaqësueset më të mira të Ligës së Kombeve që përfundojnë më poshtë se dy pozitat e para në grupet kualifikuese. Gjithsej në “play-off” paraqiten 16 përfaqësuese. Në “play-off” formohen katër mini-grupe, ku gara zhvillohet në formë eliminimi. Janë dy gjysmëfinale dhe finalja e secilit grup. Dhe fituesit e katër finaleve sigurojnë biletën e Botërorit. Rruga deri në Botëror është e gjatë, por vetë paraqitja në “play-off” do të ishte sukses shumë i madh për kuqezinjtë.

  • Lezha dhe Shkodra me pagat mesatare më të ulëta në vend

    Lezha dhe Shkodra me pagat mesatare më të ulëta në vend

    Lezha dhe Shkodra kishin pagat mesatare më të ulëta në krahasim me 12 qarqet e vendit, sipas të dhënave rajonale të INSTAT.

    Në vitin 2023, paga mesatare në Lezhë ishte 56,802 lekë në muaj dhe në Shkodër 57,043 lekë në muaj. Në anën tjetër, Tirana kishte pagë mesatare 79,212 lekë në muaj, ndjekur nga Gjirokastra me 65 mijë lekë në muaj.

    Të dhënat e pagave mesatare sipas qarqeve tregojnë për një diferencë të theksuar në nivel kombëtar, ku Tirana kryeson me një pagë mesatare ndjeshëm më të lartë se pjesa tjetër e vendit, si rrjedhojë e përqendrimit më të madh të aktiviteteve ekonomike, institucioneve publike dhe kompanive private që ofrojnë paga më konkurruese në kryeqytet.

    Në krahun tjetër, pagat më të ulëta regjistrohen në Lezhë (rreth 56,800 lekë), me pagë 40% më të ulët se Tirana; në Shkodër, me pagë 38% më të ulët se Tirana; dhe në Berat, gjithashtu me pagë 38% më të ulët se Tirana. Pagat në qarqe tregojnë për prani më të ulët të sektorëve me vlerë të shtuar dhe punësim më të lartë në aktivitete me produktivitet të kufizuar, si tregtia e vogël apo bujqësia.

    Gjirokastra renditet pas Tiranës me një pagë mesatare prej rreth 65,000 lekësh, duke u dalluar si një nga qarqet më të paguara në jug, ndoshta si pasojë e zhvillimit të turizmit dhe sektorëve të shërbimit. Qarqe si Dibra, Fieri, Kukësi dhe Durrësi qëndrojnë në një nivel të ngjashëm, midis 61–62 mijë lekëve, që përfaqëson mesataren e përgjithshme kombëtare.

    Në total, hendeku mes Tiranës dhe qarqeve më të varfra shkon deri në mbi 20 mijë lekë, duke reflektuar diferenca të forta ekonomike rajonale.

    Është paradoksal fakti që Kukësi, një nga qarqet me nivelin më të ulët të jetesës në vend, shfaqet me një pagë mesatare relativisht të lartë krahasuar me disa qarqe të tjera si Lezha, Shkodra apo Berati. Kukësi ka një numër më të vogël të punësuarish dhe, për pasojë, disa sektorë të kufizuar — veçanërisht në administratë, arsim apo shëndetësi — kanë një peshë më të madhe në llogaritjen e pagës mesatare.

    Në këto sektorë, pagat janë të rregulluara dhe shpesh më të larta se në tregun privat lokal. Kjo bën që mesatarja të ngrihet, edhe pse pjesa më e madhe e popullsisë nuk punon në sektorë me paga të tilla.

    Paga e lartë mesatare nuk përkthehet në mirëqenie të përgjithshme, pasi pjesëmarrja në tregun e punës është e ulët dhe një pjesë e madhe e familjeve mbështeten ende në remitanca dhe të ardhura nga jashtë./ Monitor

  • BBC raporton nga Jerusalemi: Niset operacioni për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve në Gaza

    BBC raporton nga Jerusalemi: Niset operacioni për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve në Gaza

    Gazetari i BBC-së nga Jerusalemi raporton se ka nisur procesi i ndjeshëm i shkëmbimit të pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë.

    Sipas ushtrisë izraelite, Kryqi i Kuq ndodhet aktualisht në rrugë drejt pjesës veriore të Rripit të Gazës, ku do të marrë disa nga pengjet izraelite që ndodhen ende në paraburgim.

    Pas marrjes së tyre, besohet se organizata do t’i transferojë pengjet në zonën e Gazës të kontrolluar nga ushtria izraelite, për t’i dorëzuar më pas në bazën ushtarake Re’im, në jug të Izraelit.

    Atje, pengjet do të ribashkohen me familjet e tyre dhe më pas do të transportohen në spitale për ekzaminime dhe kujdes mjekësor.

    Ushtria izraelite ka njoftuar se helikopterë të forcave ajrore janë në gatishmëri për të dërguar menjëherë çdo peng që mund të ketë nevojë për trajtim urgjent.

    Burimi: BBC/ Përshtati: Syri.Net