Adriatik BALLA
Në kampionatin Botëror që po mbahet në Forde të Norvegjisë, përfaqësuesja e Shqipërisë arriti një sukses të rëndësishëm. Në të vërtetë ishte paralajmëruar një shpërthim i Ertjan Kofshës në këtë aktivitet, shpërthim i paralajmëruar nga vetë trajneri i tij Leonard Toska ditë më parë në një intervistë për gazetën “SOT”. Dje Kofsha garoi në mesditë në baterinë C të peshës trupore 94 kg, duke bërë një start të shkëlqyer në stilin e shkëputjes, por duke e mbyllur keq me mosrealizimin e provave në stilin e shtytjes. Kështu, ai realizoi në shkëputje një rezultat fantastik prej 161 kg, duke thyer kështu një rekord europian për të rinj. Edhe pse aktiviteti ishte Botëror për të rritur, qëllimi i tij ishte të thyente rekordin europian për të rinj, pasi formula e garës e lejon këtë. Dhe në stilin e shkëputjes ai bëri performancë fantastike. Por Kofsha do të dështonte tre herë rresht në stilin e shtytjes, për të ngritur 193 kg. Këtë peshë ai e ka realizuar gjatë provave në stërvitje dhe dje pati pritshmëri të mëdha për të. Rezultati me 193 kg ishte për rekord europian dhe nëse gjyqtaria do ta certifikonte atëherë do të kishim tre rekorde europiane për të rinj nga Kofsha, gjë që do të shënonte një kapërcim cilësor në karrierën e tij. duke folur për këtë çështje, trajneri i tij Leonard Toska tha: “Në shkëputje gjërat shkuan mirë, por në shtytje sportisti nuk u përqendrua si duhet
Qëndrimi i federatës
Federata Shqiptare e Peshëngritjes ishte e para dje që dha lajmin e bukur të rekordit europian nga Kofsha. Në fund të fundit ky ishte dhe objektivi i stafit teknik e drejtues. “Me një ngritje spektakolare prej 161 kg në shkëputje, sportisti ynë i jashtëzakonshëm Ertjan Kofsha ka thyer rekordin europian në kategorinë deri në 94 kilogramë, gjatë Kampionatit Botëror të Peshëngritjes për të Rritur që po zhvillohet në Forde, Norvegji. Ky rezultat historik tregon talentin, punën dhe përkushtimin e një kampioni të ri që po ngjitet fuqishëm në majat e peshëngritjes botërore. Krenari për Shqipërinë dhe për brezin e ri të kampionëve kuqezi”, shkruan federata e peshëngritjes në faqen e vet zyrtare në “facebook”.
Gara e radhës më 28 tetor
Referuar trajnerit Toska, gara e radhës për sportistin do të jetë më 28 tetor, kur të zhvillohet Kampionati Europian i të rinjve dhe ku Kofsha do të tentojë të përmbushë atë që nuk e bëri dje në Forde të Norvegjisë. Sipas Toskës, në atë aktivitet sportisti do të ketë mundësinë të përqendrohet dhe ta përmbushë këtë objektiv të vënë gjatë kësaj periudhe. Jo vetëm kaq, por në nëntor sportisti do të marrë pjesë edhe në Lojërat Islamike në Riad të Arabisë Saudite. Kujtojmë se Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka investuar muajt dhe dy vitet e fundit shumë me kontigjentin e të rinjve, duke dashur që të zëvendësojë brezin e veteranëve me sportistë të rinj cilësorë. Kofsha nga meshkujt dhe Enkileda Carja nga femrat po bëjnë progres në rezultate dhe kjo duket premtuese e pozitive. Ndërsa veteranët Briken Calja dhe Erkand Qerimaj vijojnë të jenë gjithsesi në top, falë rezultateve të tyre.
Day: October 9, 2025
-

Ertjan Kofsha thyen rekord europian për të rinj në Botërorin e të rriturve në Forde të Norvegjisë
-

Broja shpreson të kthehet te goli, Ajeti mendon se Shqipëria kthehet me 3 pikë nga Serbia
Adriatik BALLA
Pak nga pak po afron ora e përplasjes së madhe në futboll, midis Shqipërisë dhe Serbisë, në stadiumin e Leskovcit, një ndeshje vendimtare për renditjen e grupit K eliminator të FIFA-s për Botërorin 2026, ku të dy ekipet do të synojnë fitoren. Aty Shqipëria do të luajë të gjitha shanset e saj për një vend në “play-off”-in e Botërorit 2026. Shqipëria pritet të luajë një futboll racional në këtë duel, duke dëshiruar të mbrohet mirë dhe të sulmojë atëherë kur duhet. Synimi është të dilet me tri pikë nga stadiumi i Leskovcit, por do të jetë fusha ajo që do të flasë më mirë. Të dy ekipet pretendojnë maksimumin, por çfarë thonë kuqezinjtë tanë, sidomos ata lojtarë prej të cilëve ka pritshmëri të mëdha?
Broja, një gol do t’i çlironte të gjithë
Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, i cili doli në konferencë për shtyp, u ndal te mungesa e golit, i cili u shpreh se rëndësi ka vetëm ndihma për skuadrën që të marrë tre pikët. “Për mua më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjet dhe të marrim tre pikët. Normalisht që kam qejf të bëj gola, por më bukur është të fitojmë ndeshjen dhe të ndihmoj ekipin. Kjo është një ndeshje futbolli. Është shumë e rëndësishme, por ne jemi shumë të fokusuar sepse është ndeshje e madhe. Luajmë jashtë shtëpie. Bashkë si skuadër do bëjmë çfarë duhet në fushë. Ka mundësi të bëj gola dhe në krahun e djathtë të sulmit. Unë kam dëshirë vetëm të ndihmoj ekipin. Edhe trajneri më thotë që duhet të jem i përqendruar, sepse rasti do të dalë. Në ndeshje mund të ketë vetëm një rast dhe të jem i fokusuar te ai rast për të shënuar. Kemi shanse maksimale. Është grup i vështirë, sepse kemi dhe Anglinë. Do të luftojmë deri në fund. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme dhe jemi të fokusuar ta fitojmë”, u shpreh Broja. Sfida do të luhet më datë 11 tetor në orën 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti në “DigitAlb”.
Arlind Ajeti: Shkojmë në Serbi për të marrë tri pikë
Siç e cekëm më lart, Shqipëria do të luajë “finalen” e saj për një vend në “Play Off”-et e Botërorit 2026, me kuqezinjtë që më 11 tetor do të zbarkojnë në Leskovc për t’u përballur me Serbinë. I pyetur për këtë ndeshje, mbrojtësi i Kombëtares, Arlind Ajeti tha: “Normalisht që emocionet i kemi përpara çdo ndeshje. Edhe këtë ndeshje do e shohim vetëm si një ndeshje futbolli. Do mundohemi të jemi profesionist në çdo aspekt. Ne shkojmë për të dhënë maksimumin dhe të marrim tre pikë. Emocionet janë të larta, por do të jemi profesionistë. Besoj që Serbia në çdo rol ka cilësi të lartë. Në sulm kanë lojtarë si Mitrovic që është fizikisht shumë i fortë, Vlahoviç që ka pasur ndeshje të mira me Juventus. Do analizojmë çdo futbollist dhe të jemi të përgatitur në çdo rast. Atje s’do kemi tifozë, por prapëseprapë do japim maksimumin dhe shpresoj t’ia dalim. Këshilla nuk besoj se mund t’i japim ne sulmuesve. Shpresoj që rastet që do kemi, t’i shfrytëzojmë. Mbrapa do përpiqemi ta mbajmë portën e paprekur”, nënvizoi ai. Sfida do të luhet më datë 11 tetor në orën 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti në “DigitAlb”. Të gjithë shpresojnë që Shqipëria do të dalë e fituar nga ky duel i rëndësishëm në grupin K eliminator të Botërorit. Është duel direkt për vendin e dytë (vendin e parë e mban Anglia). -

Mblidhet sot Parlamenti! Do të nisë me një minutë heshtje për gjyqtarin Kalaja
Sot, 9 tetor, në orën 10:00, Kuvendi do të zhvillojë seancën plenare, e cila do të nisë me një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, i cili u vra mesditën e së hënës gjatë seancës në sallën e gjyqit.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar që gjatë seancës të diskutohet edhe çështja e sigurisë në institucionet gjyqësore.
Në rendin e ditës parashikohet raportimi i disa institucioneve për aktivitetin e tyre gjatë vitit 2024, si dhe debat dhe pyetje nëse kërkohen nga deputetët.
Para fillimit të seancës, në orën 09:30, do të mbahet Konferenca e Kryetarëve, ku do të përcaktohet koha dhe mënyra e zhvillimit të debatit për raportimet e institucioneve.
Në hapje të seancës, drejtuesi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Gentian Sala, do të prezantojë raportin për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2024, me një kohëzgjatje prej 20 minutash.
Më pas do të lexohen dhe votohet projektrezoluta e përgatitur nga Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, së bashku me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Po ashtu, komisioneri Besnik Dervishi do të prezantojë raportin për veprimtarinë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) për vitin 2024. Më tej, pritet prezantimi dhe votimi i projektrezolutës nga Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, në bashkëpunim me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Në këtë seancë do të raportojë edhe Petrit Ahmeti, kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), i cili do të paraqesë aktivitetin e institucionit gjatë vitit të kaluar. Pas tij, do të lexohet dhe votohet projektrezoluta e përgatitur nga dy komisionet: ai për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Gjithashtu, kryetarja e Entit Rregullator të Ujit (ERRU), Gerta Lubonja, do të prezantojë raportin vjetor të këtij institucioni, ndërsa komisionet përkatëse do të paraqesin projektrezolutën që do të vijojë të votohet nga deputetët.
Në seancën e fundit më 29 shtator, deputetët demokratë kishin kërkuar sërish organizimin e një debati për programin qeverisës. Maxhoranca u përgjigj përmes deputetëve të rinj, të cilët kritikuan sjelljen e opozitës në Kuvend. -

Kushte të qëndrueshme me vranësira të pakta në mesditë, parashikimi i motit për këtë të enjte
Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.
Moti parashikohet i kthjellët dhe vranësira të pakta kalimtare në orët e mesditës.
Era do të fryjë me drejtim verilindje-veri me shpejtësi mesatare 8m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina do të arrijë shpejtësi 12m/s.
Deti – Valëzimi i forcës në detet Adriatik dhe Jon i forcës 1-2 ballë.Top Channel
-

Hulumtim i ri: Cilët faktorë përcaktojnë gjininë e fëmijës sonë
Gjinia e një foshnjeje nuk është thjesht e rastësishme, por rezultat i një sërë faktorësh, çka mund të shpjegojë pse disa familje kanë kryesisht djem, ndërsa të tjera vetëm vajza. Kjo ide mbështetet nga një studim i ri i publikuar në revistën Science Advances.
Studiuesit nga Universiteti i Harvardit analizuan të dhëna nga mbi 146,000 shtatzëni, të mbledhura nga 58,000 infermiere në SHBA midis viteve 1956 dhe 2015. Ata zbuluan se familjet që kanë tashmë tre ose më shumë fëmijë të të njëjtit seks kanë më shumë gjasa të kenë sërish një fëmijë të së njëjtës gjini, nëse vendosin të kenë një tjetër.
Siç shpjegon studiuesi kryesor i studimit, Jorge Chavarro:
“Nëse tashmë keni dy ose tre vajza dhe po përpiqeni për një djalë, gjasat nuk janë 50-50. Ka më shumë mundësi që të keni edhe një vajzë tjetër.”
Sipas rezultateve:
Familjet me tre vajza kishin 58% gjasa që edhe fëmija i katërt të ishte vajzë
Ndërsa ato me tre djem kishin 61% gjasa që të thoshin sërish: “Është djalë!”
Çfarë ndikon në përcaktimin e gjinisë?
Një nga faktorët që studiuesit identifikuan ishte mosha. Gratë që nisnin të kishin fëmijë pas moshës 28 vjeç kishin pak më shumë gjasa të lindnin fëmijë të së njëjtës gjini, vetëm djem ose vetëm vajza. Kjo mund të lidhet me ndryshime biologjike që ndodhin me kalimin e kohës, si rritja e aciditetit në mjedisin vaginal, që teorikisht favorizon lindjen e një djali.
Gjithashtu, u identifikuan dy gjene që duket se lidhen me gjininë e foshnjave, ndonëse mekanizmi i kësaj lidhjeje nuk u kuptua plotësisht.
Megjithatë, Iain Mathieson, profesor i gjenetikës në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Pensilvanisë, theksoi se rezultatet që lidhen me faktorët gjenetikë duhen trajtuar me kujdes, pasi mostra e studiuar ishte relativisht e kufizuar dhe mund të ndikohet nga faktorë të tjerë që nuk janë përfshirë në analizë.
Edhe pas përjashtimit të faktorëve të tjerë, modeli mbetet i njëjtë
-

‘Po e destabilizon Ballkanin duke e furnizuar me armë Kosovën’, Politico shkruan për akuzat e Vuçiq ndaj Turqisë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Turqinë për shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe për destabilizim të Ballkanit Perëndimor pas furnizimit me armë të Kosovës.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe nga shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së Kosovës” ka shkruar Vuçiq të mërkurën në rrjete sociale.
Ai tha se është “tani plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe po ëndërron rikthimin e Perandorisë Osmane”.
“Serbia është një vend i vogël, por ne e kemi kuptuar qartë mesazhin,” shtoi Vuçiq, transmeton Express.
Politico shkruan se Beogradi dhe Ankaraja kanë marrëdhënie të ndërlikuara, të karakterizuara nga bashkëpunimi ekonomik, por edhe tensionet historike e politike. Turqia mbetet një nga aleatët më të fortë të Kosovës dhe ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e saj në vitin 2008.
Ankaraja ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të Vuçiqit, por zyrtarët turq më herët kanë mbrojtur bashkëpunimin ushtarak me Kosovën si pjesë e përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes rajonale.
Në janar të vitit 2024, ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, dhe homologu i tij kosovar, Ejup Maqedonci, nënshkruan në Ankara një marrëveshje kornizë ushtarake për zgjerimin e bashkëpunimit në shitjen e armëve, ushtrimet e përbashkëta dhe programet e trajnimit.
-

Kosova pranon “mijëra” dronë kamikazë, Vuçiq e kritikon Turqinë
-Botuar në radion “Europa e Lirë”-
Kosova ka pranuar “mijëra” dronë kamikazë të tipit Skydagger, të cilët kanë arritur në vend më herët sesa data e parashikuar.Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bëri me dije se ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë janë trajnuar për përdorimin e këtyre dronëve dhe se blerja është bërë përmes një kontrate me kompaninë turke Baykar.
Serbia është shprehur e alarmuar nga ky lajm dhe e ka kritikuar Turqinë për shitjen e pajisjeve. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është kundërpërgjigjur ashpër dhe është zotuar se Kosova do ta vazhdojë bashkëpunimin me aleatë të NATO-s.
Kosova ka pranuar të mërkurën kontejnerët “me mijëra dronë” luftarakë kamikazë, Skydagger, njoftoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti tha në Facebook se dronët kanë mbërritur para afatit të paparaparë kohor dhe se dhjetëra ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.
Kosova nënshkroi kontratën në dhjetor të vitit të kaluar me kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager, tregoi Kurti.
“Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët”, tha ai.
“Këta dronë kamikazë të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, shkroi Kurti.
Kurti tha se, me blerjen e këtyre dronëve, Kosova po vazhdon “ta ngrejë dhe shtojë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka kritikuar Turqinë, duke thënë se është i tmerruar nga sjellja e këtij vendi dhe ka konsideruar se ai e ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, ka thënë presidenti serb përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se, pas dërgimit të dronëve turq në Kosovë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq e ka zhvilluar një bisedë telefonike urgjente me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.
Në komunikatën për media është thënë se gjatë bisedës me komandantin e KFOR-it, Mojsilloviq ka shprehur protestë të ashpër kundër “vazhdimit të armatosjes së Kosovës”.
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm theksoi se veprime të tilla përbëjnë një sinjal shumë negativ dhe rrezikojnë jo vetëm sigurinë në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është thënë mes tjerash në komunikatë.
Radio Evropa e Lirë u është drejtuar autoriteteve turke për koment dhe është në pritje të përgjigjes.
Osmani i kundërpërgjigjet Vuçiqit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, duke thënë se Vuçiqi është duke e sulmuar paturpësisht Turqinë, shtet, i cili si vend anëtar i NATO-s, është duke i ndihmuar Kosovës që ta ruajë paqen.
“Jam krenare që kam punuar ngushtë me presidentin [e Turqisë, Recep Tayyip] Erdogan, i cili ka treguar gjithmonë kujdes të thellë për njerëzit e rajonit tonë, dhe ka bërë kontribut të jashtëzakonshëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Vuçiqi, në anën tjetër, duket se beson që mund ta kërcënojë një shtet të madh të NATO-s, sikurse është Turqia, njësoj sikurse i kërcënon shtetet fqinje. Në vend që të punojë nga afër me vendet anëtare të NATO-s, ai e çon përpara bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin në fushën e mbrojtjes”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Twitter.
Ajo është zotuar se Kosova do të vazhdojë t’i forcojë lidhjet me aleatë të NATO-s, duke i modernizuar kapacitetet në mbrojtje, të bazuara në standarde të NATO-s, aleancë ku synon të anëtarësohet.
“Vuçiqi duhet të tentojë ta bëjë të njëjtën, në vend që t’i sulmojë vazhdimisht fqinjët. Por, duket se për mendësinë e tij hegjemoniste që ka mbetur në të kaluarën dhe është vazhdimisht e fiksuar në ngacmim të të tjerëve, një maturi e tillë duket përtej të arritshmes”, ka thënë mes tjerash Osmani.
Çfarë është Skydagger RTF?
Skydagger RTF është dron “i gatshëm për fluturim”, shpesh edhe dron luftarak, i pajisur me një mjet shpërthyes për përdorim kundër shënjestrave të palëvizshme dhe të lëvizshme, megjithëse ka edhe aplikime profesionale si vëzhgimi dhe kërkim-shpëtimi.
RTF nënkupton se droni është plotësisht i montuar dhe përfshin të gjitha komponentët e nevojshëm, si vetë droni, një transmetues radioje, një marrës dhe bateritë, duke e bërë atë të gatshëm menjëherë për fluturim sapo të blihet.
Ky dron mund të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 130kmh në largësi maksimale deri në 10 kilometra. -

Lojtari serb sfidon kuqezinjë: Serbia ka më shumë cilësi se sa Shqipëria
Serbia do të presë Shqipërinë në Leskovc të shtunën në mbrëmje. Një ndeshje mjaft e rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi fituesi thuajse siguron vendin dytë në grup. Pozicion ky që të dërgon në fazën “play off” të Kupës së Botës 2026. Portieri Milosavljeviç ka dhënë një intervistë për faqen e Federatës Serbe të Futbollit, ku vlerëson cilësitë e kuqezinjve. Megjithatë, sipas tij, niveli i Serbisë është më i lartë se i Shqipërisë.
“E pashë atë ndeshje. Ata janë një ekip cilësor, por mendoj se kemi lojtarë më të mirë dhe jemi më cilësorë. Besoj se do ta tregojmë këtë në fushë. Mendoj se duhet të shohim vetëm veten dhe mënyrën se si do të luajmë”, ka deklaruar ndër të tjera Veljko Milosavljeviçi./Sport Ekspres/