Day: October 7, 2025

  • Egnatia gjen ekuilibrin dhe marshon drejt kreut/ Kampionët tregojnë se janë gati për betejën e titullit

    Egnatia gjen ekuilibrin dhe marshon drejt kreut/ Kampionët tregojnë se janë gati për betejën e titullit

    Egnatia ka dhënë një tjetër sinjal të qartë se synon ta mbrojë kurorën e kampiones me çdo kusht. Skuadra rrogozhinase ka nisur të rikthejë ritmin e sezonit të kaluar, duke treguar se po hyn seriozisht në fazën ku fillon të bëjë diferencën.
    Fitorja ndaj Vorës në këtë fundjavë nuk ishte thjesht një rezultat pozitiv, por një demonstrim force, qartësie taktike dhe pjekurie që i shkon për shtat një ekipi që di çfarë kërkon nga çdo ndeshje. Pas një fillimi të luhatshëm, ku rezultatet nuk pasqyronin gjithmonë lojën e zhvilluar në fushë, Egnatia duket se ka gjetur ekuilibrin e duhur mes mbrojtjes dhe sulmit.

    Përballë Vorës, bardhejeshilët e menaxhuan perfekt takimin: dominim territorial, qarkullim topi inteligjent dhe efikasitet përpara portës atëherë kur duhej. Përveç kontrollit të lojës, ajo që bie në sy është qetësia me të cilën skuadra po përballon ndeshjet, edhe kur rezultati është i ngushtë apo loja kërkon durim.
    ECURI NË RRITJE – Në krahasim me rivalët direkt, Egnatia duket më e balancuar dhe me një grup që e njeh mirë njëri-tjetrin, edhe pse lëvizjet gjatë merkatos së verës kanë qenë të shumta. Kampionët kanë bërë një ecuri të pastër fituese që nga momenti kur nisën kthesën me suksesin ndaj Bylisit, për t’u pasuar më pas me fitore ndaj Tiranës, Flamurtarit dhe së fundmi Vorës.
    Katër ndeshje, katër fitore dhe 12 pikë të plota që e kanë ngjitur skuadrën përsëri mes më të mirave në tabelë. Në Rrogozhinë është rikthyer stabiliteti që mungonte në fillim dhe kjo falë edhe mënyrës së menaxhimit të grupit. Trajneri ka arritur të gjejë balancën e duhur mes lojtarëve të vjetër dhe afrimeve të reja, ndërsa stili i lojës po bëhet gjithnjë e më funksional. Në këtë fazë, Egnatia nuk po kërkon të impresionojë, por të marrë maksimumin me maturi dhe saktësi, një tipar tipik i skuadrave që e kanë provuar suksesin.

    Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb

  • Coman: Do rikthehem te Bayern një ditë, edhe pse kishte njerëz që nuk më donin

    Coman: Do rikthehem te Bayern një ditë, edhe pse kishte njerëz që nuk më donin

    Kingsley Coman foli për L’Equipe në lidhje me lamtumirën e tij me Bayern Munich. Sulmuesi i Al Nassr, shprehet se një ditë me shumë mundësi do rikthehet te kampionët e Gjermanisë, edhe pse te ky klub kishte njerëz që nuk e donin.
    “Kisha dashurinë e trajnerit, tifozëve, disa njerëzve në bord, por jo të gjithëve.

    Kishte një pjesë të klubit që donte që unë të largohesha. Por do të kthehem një ditë për t’i thënë lamtumirë këtij klubi dhe tifozëve, sepse kalova pothuajse dhjetë vjet atje, dhe është klubi që ka mbetur më afër zemrës sime.”
    © BalkanWeb

  • Nga puna si shitës deri tek ftesa e Argjentinës, përralla e Lautaro Rivero

    Nga puna si shitës deri tek ftesa e Argjentinës, përralla e Lautaro Rivero

    Lautaro Rivero është një nga risitë më të mëdha të Argjentinës për ndeshjet e tetorit. Qendërmbrojtësi i River Plate ka marrë së fundmi ftesën e parë, nga kjo kombëtare.
    Historia e Lautaros është një përrallë, ai tani do ndajë dhomat e zhveshjes me Messin, por dy vite më parë, jetonte duke shitur biskota.

    “Objektivi im i parë është të jem në gjendje të ndihmoj familjen time. Ne jemi njerëz shumë të përulur dhe punëtorë. Gjëja e parë që dua është që ata të jenë më mirë dhe të kenë gjithçka që meritojnë” – thoshte Lautaro para dy vitesh. 22vjeçari është gati për miqësoret e Argjentinës ndaj Venezuelës dhe Porto Rikos.
    © BalkanWeb

  • Peleshi i pambuktë dhe parlamenti prej leshi që s’ka turp të ketë turp

    Peleshi i pambuktë dhe parlamenti prej leshi që s’ka turp të ketë turp

    Peleshi i pambuktë dhe parlamenti prej leshi që s’ka turp të ketë turp
    Nga Luciano Boci
    Kjo nuk është më politikë dhe kjo nuk është lojë fjalësh.
    Kjo që servirin këta sot është një orgji morale në sytë e një kombi që e kanë lodhur, shkelur e grabitur.
    Parlamenti i Shqipërisë, institucioni që duhet të ruante kujtesën dhe dinjitetin e Republikës, me iniciativën e Peleshit të pambuktë dhe të Marrit me lesh, ka shkelur mbi to me çizmen e injorancës dhe poshtërsisë.
    Kanë futur pa as më të voglin turp në listën e “personaliteteve që duhen nderuar” diktatorin Enver Hoxha.
    O tempora, o mores!!!
    E ky nuk është thjesht një turp. E gjitha kjo është tradhti ndaj historisë.
    Është zhvarrosje e atyre që u pushkatuan pa gjyq.
    Është dhunë ndaj çdo burri, gruaje, të riu e të reje që u internua, u degdis, u torturua fizikisht e emocionalisht nga terrori e falangat e diktaturës hoxhiste.
    Dhunë ndaj çdo fëmije që u rrit me dhimje në sy e zemër pas telave me gjemba.
    Të listosh Enver Hoxhën ndër personalitetet që duhen nderuar është një krim historik e moral.
    Është një diversion ndaj kujtesës e sakrificave dhe fyen çdo shqiptar që beson te liria.
    Në këtë vend ku martirët e komunizmit ende nuk kanë drejtësi, këta lolo të historisë guxojnë me Parlamentin e futur në xhep, të glorifikojë xhelatin e tyre.
    Dhe e bëjnë këtë me një buzëqeshje të vakët, me trashësinë e zgjuar “intelektuale” që i karakterizon, me gjuhën e stilizuar me dokrra e doktrinë, me ca përfaqësues politikë që binden si automatë partie, me heshtjen servile të atyre që kanë harruar me ndërgjegje të pastër se çfarë është të ndiesh turp të zi.
    Asgjë nuk është e rastit.
    Barku që e polli është mbarsur nga fryma antishqiptare dhe antinjerëzore dhe pasardhësit e trashëguar përkëdhelin sot bustet e krimit historik.
    Regjimet nuk ushqehen vetëm nga dhuna e paraja, por kanë uri dhe për pjesë të zeza historie me paraardhës gjakatarë e çnjerëzorë.
    Pas kësaj ky parlament dhe kjo qeverisje e ata që e drejtojnë, nuk janë më përfaqësues të popullit, por të përbaltjes dhe të përdhosjes së tij.
    Ky parlament e kjo qeverisje s’kanë më turp të kenë turp.
    Ato sot janë dëshmia që historia mund të përdhunohet në emër të harresës kolektive për të sanksionuar nga aty autokracinë “e pambuktë” të njerzve prej leshi.
    E pra, kjo nuk është më politikë.
    Kjo është luftë!

  • Shenjat që tregojnë se nuk po merrni mjaftueshëm Vitaminë D, ushqimet ku gjendet

    Shenjat që tregojnë se nuk po merrni mjaftueshëm Vitaminë D, ushqimet ku gjendet

    Vitamina D ndihmon në forcimin e dhëmbëve dhe kockave tona, por ka shumë arsye pse është e nevojshme që trupi ynë të funksionojë mirë. Prandaj, nëse ka një mangësi, mund të vëreni se ndiheni më të lodhur ose të dobët.
    Më poshtë janë 5 shenja që tregojnë se nuk po merrni mjaftueshëm vitaminë D.
    Dhimbje kockash

    Vitamina D është e rëndësishme për ruajtjen e kockave të shëndetshme, kështu që ka kuptim që mungesa e saj do të shkaktonte anomali dhe dhimbje kockash. Kur nivelet e vitaminës D janë të ulëta dhe trupi nuk mund të absorbojë siç duhet kalciumin dhe fosforin, rreziku i dhimbjeve të kockave, frakturave, dhimbjeve të muskujve dhe dobësisë së muskujve rritet.
    Dobësi muskulore
    Mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë dobësi të muskujve. Një studim i vitit 2018 vuri në dukje se vitamina D luan një rol të rëndësishëm në funksionin normal të muskujve, duke argumentuar se “statusi i ulët i vitaminës D lidhet me një rrezik në rritje të rënies dhe dobësisë së muskujve”.
    Lodhje
    Vitamina D mendohet se ndikon në shëndetin mendor përveç shëndetit fizik, mungesa e vitaminës D lidhet me lodhjen mendore dhe fizike.
    Rritja e infeksioneve
    Vitamina D është kritike për funksionin e sistemit imunitar, kështu që nëse sëmureni shpesh, mungesa e vitaminës D mund të jetë një faktor. Shkencëtarët kanë zbuluar se vitamina D është e pranishme pothuajse në të gjitha qelizat e sistemit imunitar dhe një studim zbuloi një lidhje midis infeksioneve dhe sëmundjeve autoimune dhe mungesës së vitaminës D.
    Depresioni
    Shumë njerëz ndihen më të trishtuar në dimër. Një arsye pse shkencëtarët besojnë se kjo ndodh është mungesa e vitaminës D. Një studim zbuloi se vitamina D ka veti që ndikojnë në indet e trurit të përfshirë në proceset normale të depresionit dhe ankthit.
    Ushqimet ku gjendet:
    -Peshk i yndyrshëm (Salmon, Skumbri, Sardelet)
    -Vaji i mëlçisë së merlucit
    -Vezë
    -Kërpudha.

  • Putin: Kemi marrë në kontroll rreth 5000 kilometra katrorë tokë në Ukrainë

    Putin: Kemi marrë në kontroll rreth 5000 kilometra katrorë tokë në Ukrainë

    Që prej fillimit të këtij viti, forcat ruse kanë marrë nën kontroll rreth 5.000 kilometra katrorë territor në Ukrainë, deklaroi sot presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi me zyrtarë të lartë ushtarakë.
    Lideri i Kremlinit theksoi se Moska vazhdon të mbajë iniciativën strategjike në fushëbetejë.
    Duke komentuar goditjet ukrainase në territorin rus, Putin tha se Kievi po përpiqet të sulmojë objektiva jo-ushtarake në thellësi të Rusisë, por sipas tij, këto përpjekje nuk do të ndryshojnë ekuilibrat e përgjithshëm të luftës.

    Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po përdor cisternat e naftës për mbledhje informacioni dhe për kryerjen e operacioneve sabotuese.
    Në një postim në aplikacionin Telegram, pas një informimi që mori nga kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Ukrainës, Zelensky tha se Ukraina po bashkëpunon ngushtë me aleatët në këtë çështje.
    “Sot, rusët nuk i përdorin cisternat vetëm për të financuar luftën, por edhe për mbledhje informacioni dhe madje për operacione sabotimi. Kjo mund të ndalet plotësisht,” shkroi ai.

  • Charlie Kirk po mendonte të tërhiqej nga kauza pro-Izrael, donatorët hebrenj po i ushtronin presion/ Zbulohen mesazhet e publikuara më parë

    Charlie Kirk po mendonte të tërhiqej nga kauza pro-Izrael, donatorët hebrenj po i ushtronin presion/ Zbulohen mesazhet e publikuara më parë

    Mesazhe private të publikuara nga Candace Owens tregojnë se Charlie Kirk, themeluesi i “Turning Point USA”, po mendonte të largohej nga kauza pro-Izrael për shkak të presionit dhe tërheqjes së fondeve nga disa donatorë hebrenj.

    Zëdhënësi i organizatës, Andrew Kolvet, ka konfirmuar vërtetësinë e pamjeve të ekranit. Në mesazhe, Kirk ankohet se kishte humbur një donator prej 2 milionë dollarësh në vit pasi nuk pranoi të anulonte ftesën për Tucker Carlson në ngjarjen “AmericaFest”. Ai shkruan: “Donatorët hebrenj përmbushin të gjitha stereotipet. Nuk mund dhe nuk do të ngacmohem në këtë mënyrë”.

    Publikimi i mesazheve vjen disa ditë pas vdekjes së Kirkut dhe ka nxitur spekulime dhe debate rreth pikëpamjeve të tij të vërteta për Izraelin. Sipas Owens, mesazhet ishin dërguar dy ditë para vrasjes së tij në një sulm me armë në Utah. Autori i dyshuar, Tyler Robinson, është arrestuar dhe mund të përballet me dënim me vdekje.
    Tucker Carlson deklaroi se Kirk kishte kritikuar shpesh kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e quajtur “forcë shkatërruese” dhe duke akuzuar Izraelin për përdorimin e SHBA-së në luftëra të huaja.
    Kirk ishte prej kohësh një mbështetës publik i Izraelit dhe kishte lidhje personale me vendin, përfshirë edhe faktin që atje kishte takuar bashkëshorten e tij.

    Top Channel

  • ‘Shqiptarët në Amerikë meritojnë zërin e tyre në Kongres’/ Lulgjuraj: Me krenari për prejardhjen dhe mbiemrin tim

    ‘Shqiptarët në Amerikë meritojnë zërin e tyre në Kongres’/ Lulgjuraj: Me krenari për prejardhjen dhe mbiemrin tim

    Robert Lulgjuraj, shqiptaro-amerikan me profesion avokat dhe Prokuror Republikan nga qyteti Sterling Heights në Michigan, ka shpallur kandidaturën e tij për në Kongresin amerikan në zgjedhjet e vitit 2026. Ai synon të përfaqësojë Distriktin e 10-të të Michiganit, duke zënë vendin e John James, i cili do të kandidojë për postin e guvernatorit të shtetit.

    Lulgjuraj është i besimit katolik dhe anëtar i Famullisë shqiptare të Shën Palit në Michigan. Familja e tij ka rrënjë nga viset shqiptare në Mal të Zi, ndërsa gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969, duke u larguar nga komunizmi dhe persekutimi fetar.

    Në një intervistë në A SHOW në SYRI TV, Lulgjuraj ka theksuar krenarinë për origjinën dhe mbiemrin e tij shqiptar. Ai ka treguar se vjen nga Mali i Zi, nga ana e babait dhe nga Kelmendi nga ana e nënës, duke nënvizuar se ndjehet plotësisht shqiptar edhe pse ka lindur dhe është rritur në Amerikë.

    Sipas tij, koha ka ardhur që komuniteti shqiptaro-amerikan të ketë një përfaqësues në Kongres. Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhje dhe në mbështetjen e kandidatëve të tyre, duke e krahasuar këtë me mënyrën se si komunitete të tjera etnike, si arabët, grekët, italianët dhe aziatikët, kanë përfaqësuesit e vet politikë në institucionet amerikane.

    Në qëndrimet e tij politike, Lulgjuraj shprehet mbështetës i presidentit Donald Trump dhe platformës republikane “Amerika e Para”. Ai ka theksuar se politika e demokratëve po tenton të sjellë modele socialiste që, sipas tij, nuk kanë funksionuar asnjëherë në asnjë vend. Lulgjuraj kujton se familja e tij u largua nga Shqipëria për të shpëtuar nga regjimi komunist dhe thekson se në Amerikë populli duhet të qëndrojë mbi qeverinë, ashtu siç e garanton Kushtetuta.

    Ai deklaron se nuk vjen nga pozita të privilegjuara, por nga një familje shqiptaro-amerikane që beson në shërbimin publik dhe në vlerat tradicionale. Si prokuror në profesion, Lulgjuraj thotë se është përkushtuar ndaj njerëzve, së vërtetës dhe drejtësisë. Ai premton të jetë një përfaqësues i denjë i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe i qytetarëve të distriktit të 10-të në Kongres, duke theksuar se ka marrë mbështetje të gjerë dhe do të vazhdojë të punojë për këtë qëllim.

    Lulgjuraj:

    Jam shumë krenar për mbiemrin tim, është mbiemri i babait tim, ai është nga Malësia e Madhe, dhe nga ana e nënës janë nga zona e Kelmendit kështu që jam 100% shqiptar.

    Kam lindur në Amerikë, tani është koha që të garoj për Kongresin amerikan, sigurisht që kam shtetësinë amerikane por kam gjak shqiptar në deje.

    Në këtë zonë ku jetoj unë, në Michigan ka shumë shqiptarë kështu që njerëzit janë të njohur me shqiptarët.
    Jam shumë krenar për mbiemrin sepse është shumë i bukur.

    Kemi nevojë për të gjithë shqiptarët të votojnë, të dhurojnë, të suportojnë, e të tjera sikurse janë arabët, grekët, italianët, aziatikët, ata kanë përfaqësuesit e tyre në Kongres dhe tani kemi nevojë për një shqiptar që shqiptarët të kenë përfaqësuesin e tyre në Kongres.

    Nën drejtimin e presidentit Donald Trump, pjesë e partisë së cilës jam edhe unë, demokratët duan të sjellin socializmin, asnjëherë nuk ka funksionuar dhe në asnjë vend nuk ka funksionuar.
    Prandaj edhe familja ime u arratis nga Shqipëria, nga Malësia e Madhe, dhe ne në Amerikë shohim se kemi të drejtat tona nën Kushtetutën dhe mbi të gjitha populli është mbi qeverinë, dhe ne nuk e lavdërojmë dhe nuk i lutemi qeverisë, njësoj si disa vende të tjera e kanë qeverinë si idhullin e tyre dhe pikërisht këtë mbështet edhe Trump.

    Ne jemi të interesuar për paqen, kudo populli, kudo do administratë, ne duam që të kemi paqe kudo në vend.
    Tani ne jemi në krye të republikanëve, kemi pasur donacione edhe prej republikanëve, edhe prej demokratëve. Jam i vetmi person i cili ka lindur dhe është rritur në këtë distrikt dhe votuesit duan dikë të tillë.

    Unë nuk vij nga pozicione me pushtet prestigji, unë vij nga një familje shqiptaro-amerikane që beson te shërbimi publik, që beson te rrënjët e te vlerat. Gjithashtu kam qenë edhe prokuror, kështu që kujdesem për njerëzit, për të vërtetën, për drejtësinë dhe ky është udhëheqësi që duan amerikanët, dhe unë këtë lloj lideri do t’ju jap. Do të jem përfaqësues shumë i mirë i personave të këtij distrikti dhe do të përfaqësoj komunitetin shqiptaro-amerikan në Kongres dhe ne kemi marrë shumë mbështetje, dhe vazhdojmë të punojmë.

  • ‘Produktet e procesuara, problemi më i madh’/ Bombaj: Për kolesterolin kanë rënë poshtë shumë studime

    ‘Produktet e procesuara, problemi më i madh’/ Bombaj: Për kolesterolin kanë rënë poshtë shumë studime

    Nutricionistja Blerina Bombaj, e ftuar në A Show në SYRI TV me Adi Krastën, foli për ushqimin e shëndetshëm dhe jo vetëm.

    Bombaj theksoi se ‘çfarë kanë ngrënë të parët tanë është e sigurtë që është një ushqim i sigurtë’ dhe se ‘shumë studime për kolesterolin kanë rënë poshtë’.

    ‘Për kolesterolin kanë rënë poshtë shumë studime, veza psh. ka rënë poshtë që e rrit kolesterolin. Kolesteroli prodhohet nga vetë organizmi në 90% të rasteve dhe vetëm 20% të njerëzve janë hiperabsorbues të kolesterolit që ne hamë nga ushqimi dhe pjesa tjetër nuk e absorbojnë shumë. Veza që ishte armiku kryesor për kolesterolin nuk konsiderohet më që është një armik’, u shpreh Bombaj.

    Bombaj: Të hash ato ushqime që kanë ndihmuar njeriun të evolojë. Çfarë kanë ngrënë të parët tanë? Për një kohë të gjatë, çfarë kanë ngrënë të parët tanë është e sigurtë që është një ushqim i sigurtë. Si psh. mishi, një nga ushqimet më të anatemuara… Për kolesterolin kanë rënë poshtë shumë studime, veza psh. ka rënë poshtë që e rrit kolesterolin. Kolesteroli prodhohet nga vetë organizmi në 90% të rasteve dhe vetëm 20% të njerëzve janë hiperabsorbues të kolesterolit që ne hamë nga ushqimi dhe pjesa tjetër nuk e absorbojnë shumë.

    Veza që ishte armiku kryesor për kolesterolin nuk konsiderohet më që është një armik.

    Produktet që kemi ngrënë gjithmonë nuk mund të na bëjnë keq, qumështi, buka e zezë…

    Sheqerin e ke nga të gjitha anët. Produktet e procesuara janë problemi më i madh.

  • Pesë mësime nga seanca e tensionuar dhe partiake e Senatit me Pam Bondin

    Pesë mësime nga seanca e tensionuar dhe partiake e Senatit me Pam Bondin

    Dëshmia e Pam Bondit para Komitetit Gjyqësor të Senatit pritej të ishte e ashpër dhe e politizuar — dhe ashtu ndodhi. Ishte hera e parë që Prokurorja e Përgjithshme u paraqit në një seancë dëgjimore mbikëqyrëse të Kongresit, dhe momenti ishte mjaft i ndjeshëm. Vetëm dy javë më parë, departamenti i saj i drejtësisë kishte paditur ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, duke shkaktuar një reagim të fortë nga demokratët. Dëshmia e saj të martën erdhi gjithashtu një ditë pasi një grup ish-punonjësish të Departamentit të Drejtësisë publikuan një letër, ku e akuzonin Bondin për ndihmë në “minimin e punës së gjatë të departamentit për mbrojtjen e komuniteteve dhe sundimit të ligjit”. Atmosfera ishte e tensionuar — dhe Bondi ishte qartazi gati për përballje.

     

    Ja pesë mësimet kryesore nga seanca dëgjimore.

     

    1. Bondi kalon në sulm

     

    Zyrtarët e fundit të administratës Trump – përfshirë Sekretarin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. dhe Drejtorin e FBI-së, Kash Patel – janë mbështetur shpesh te një manual i qartë për përballjet me komitete armiqësore të Kongresit: sulmo që në fillim dhe shpesh.
    Kjo strategji u pa qartë edhe te Bondi. Kur u pyet për vendosjen e Gardës Kombëtare, ajo u kundërpërgjigj duke thënë se senatorët demokratë Dick Durbin (Illinois) dhe Alex Padilla (Kaliforni) “duhet t’i duan shtetet e tyre po aq sa e urrejnë Donald Trumpin.”
    E pyetur për Jeffrey Epstein, ajo theksoi se disa senatorë demokratë kishin marrë donacione nga individë të pasur me lidhje me trafikantin e dënuar të seksit.
    Bondi goditi pa hezitim senatorët, njëri pas tjetrit. Kur erdhi radha e senatorit të Vermontit, Peter Welch, ai vuri re me ironi prirjen e Bondit për sulme personale:
    “Do të pres radhën time,” tha ai qetësisht. “Por nuk keni pse ta bëni tani.”

     

    2. Shumë pyetje, pak përgjigje

     

    Kur nuk po kundërsulmonte, Bondi refuzonte t’i përgjigjej shumicës së pyetjeve — si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët.
    Ajo tha se nuk mund të komentonte për “çështje personeli”, kur u pyet për shkarkimet e fundit të zyrtarëve të lartë në Departamentin e Drejtësisë, përfshirë figura të larta të FBI-së dhe një prokuror që kishte kundërshtuar ngritjen e aktakuzës ndaj Comey-t.
    Ajo shmangu komentet për “hetimet në vazhdim” dhe për bisedat me presidentin apo stafin e Shtëpisë së Bardhë.
    Kur iu tregua një fotografi ku shihej me presidentin një ditë pasi Trump kishte postuar në Truth Social thirrjen për padinë ndaj Comey-t, përgjigjja e saj e vetme ishte: “Më pëlqen ajo foto.”
    “Kjo duhet të jetë një seancë mbikëqyrëse ku Kongresi merr përgjigje serioze për pyetje serioze,” tha senatori Adam Schiff.
    “Mendoj se i detyroheni presidentit një falje për gjithë karrierën tuaj,” ia ktheu Bondi.

     

    3. Bondi e zhvendos vëmendjen te krimi

     

    Bondi u përpoq ta përqendronte diskutimin te ajo që e quajti “misioni kryesor” i administratës Trump: ulja e kriminalitetit në SHBA.
    Ajo solli një sërë statistikash për sukseset e departamentit — arrestime në Uashington DC, operacione kundër drogës dhe konfiskime të armëve të paligjshme në Çikago, si edhe sekuestrime droge në kufi.
    “Po rikthehemi te misioni ynë themelor: lufta kundër krimit të vërtetë,” tha ajo.
    Për Trump dhe Bondin, fokusi te krimi shihet si terren i sigurt politik, sidomos në një kohë kur shumë amerikanë, sipas sondazheve, e kanë sigurinë publike si shqetësim kryesor.

     

    4. Demokratët përqendrohen te Epstein

     

    Një pjesë e madhe e seancës u dominua nga pyetjet për trajtimin e hetimit ndaj Jeffrey Epstein.
    Senatori Sheldon Whitehouse kërkoi të dinte nëse FBI kishte gjetur “fotografi të Trump me gra të reja gjysmë të zhveshura” dhe nëse ishte hetuar aktiviteti financiar i Epstein. Bondi nuk dha përgjigje.
    Dick Durbin pyeti për raportet që mund të lidhin presidentin me çështjen Epstein. “Nuk do të diskutoj asgjë për këtë me ju, senator,” u përgjigj Bondi.
    Ajo gjithashtu mohoi të kishte një “listë klientësh” të Epstein, duke cituar gjetjet e mëparshme të departamentit se nuk kishte prova për një komplot apo fshehje të aferës.

     

    Pyetjet për Epstein janë bërë një nga të paktat çështje ku ka interes dypartiak. Madje, senatori republikan John Kennedy (Luiziana) citoi Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick, i cili e kishte quajtur Epstein “shantazhuesin më të madh ndonjëherë”.
    Bondi iu shmang përgjigjeve konkrete, duke thënë se vendimi i takon Lutnick dhe drejtorit të FBI-së.

     

    5. Republikanët rikthejnë betejat e së kaluarës

     

    Ndërsa demokratët akuzuan Departamentin e Drejtësisë për “armëzim politik”, republikanët e përdorën seancën për të rihapur plagët e presidencës Biden — apo edhe më herët.
    Chuck Grassley (Ajova) foli për hetimet e supozuara të penguara ndaj biznesit të familjes Biden.
    Lindsey Graham (Karolina e Jugut) sulmoi hetimin e FBI-së për lidhjet e fushatës Trump me Rusinë.
    Ted Cruz (Teksas) solli në vëmendje protestat jashtë shtëpive të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë pas vendimit për abortin në vitin 2021.
    Eric Schmidt (Misuri) përmendi të gjitha pakënaqësitë e krahut të djathtë ndaj Departamentit të Drejtësisë.
    Bondi, nga ana e saj, ishte në një linjë me ta.

     

    Kur seanca pesëorëshe më në fund përfundoi, ajo la pas një atmosferë të ndarë thellë partiake – me secilën palë që akuzonte tjetrën për armëzim politik dhe ndjekje penale selektive.
    “Departamenti i Drejtësisë duhet të jetë mbrojtësi i drejtësisë dhe sundimit të ligjit në vend,” tha senatori Alex Padilla. “Kur besimi i publikut bie, vetë drejtësia është në rrezik.”
    Një deklaratë me të cilën, paradoksalisht, të dyja palët mund të bien dakord — përpara se të fajësojnë njëra-tjetrën për gjendjen aktuale./BBC – Syri.net