Month: September 2025

  • Katari, Egjipti dhe Turqia i kërkojnë Hamasit të pranojë planin e paqes të Trumpit

    Katari, Egjipti dhe Turqia i kërkojnë Hamasit të pranojë planin e paqes të Trumpit

    Pas shpalljes së planit të paqes nga presidenti amerikan Donald Trump në Uashington, një numër vendesh arabe dhe islame kanë dalë në mbështetje të tij.

    Pavarësisht raportimeve për ndryshime të minutës së fundit në dokumentin final nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, mbështetja ndërkombëtare nuk ka munguar.
    Sipas një raporti të publikuar nga Axios, Katari, Egjipti dhe Turqia, vende që historikisht kanë shërbyer si ndërmjetëse në bisedimet me Hamasin, i kanë bërë thirrje këtij grupi që të pranojë propozimin e paqes të mbështetur nga Trump.
    Axios citon dy burime të afërta me bisedimet, të cilat tregojnë se tre shtetet po ushtrojnë presion diplomatik mbi Hamasin për të dhënë një përgjigje pozitive dhe për të mos e humbur këtë mundësi të re për ndaljen e luftës dhe nisjen e procesit të rindërtimit të Gazës.
    Katari, Egjipti dhe Turqia kanë qenë prej kohësh aktorë kyç në përpjekjet për ndërmjetësim në konfliktin izraelito-palestinez dhe zotërojnë njëfarë ndikimi mbi qëndrimet e Hamasit.

    Top Channel

  • “Nuk kërkoj mëshirë, por të vërtetën”/ Prej 50 ditësh në burgun e Fierit, reagon profesori italian: Shpresoj te drejtësia shqiptare

    “Nuk kërkoj mëshirë, por të vërtetën”/ Prej 50 ditësh në burgun e Fierit, reagon profesori italian: Shpresoj te drejtësia shqiptare

    Michele D’Angelo, profesori universiteti nga L’Aquila, ka dërguar një mesazh falënderimi dhe reflektimi nga paraburgimi i Fierit, ku ndodhet prej gati 50 ditësh pas një aksidenti rrugor më 8 gusht.

    Mesazhi i tij është përcjellë për publikun nga bashkëshortja, Vanessa Castelli, e cila e vizitoi këtë të martë.
    “Po jetoj këto ditë me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje ndaj atyre që më mbështesin dhe shprehin atë që ka ndodhur, në mënyrë që të krijohet qartësi,” shkruan ai në letrën e publikuar.
    Profesori italian thekson se masa ndaj tij është e rëndë dhe e panevojshme: “Nuk mund ta mohoj se paraburgimi në burg është, sipas mendimit tim, i tepruar. Është një gjendje jashtëzakonisht e vështirë, e bërë edhe më e rëndë nga fakti që jam larg shtëpisë, në një vend gjuhën e të cilit nuk e flas.”
    Ai apelon për gjetjen e alternativave ligjore që nuk do të dëmtonin shëndetin e tij psikologjik: “Duke marrë parasysh sjelljen time, historinë time personale dhe profesionale, shpresoj që të merret në konsideratë një zgjidhje më proporcionale.”
    Në mesazhin e tij, D’Angelo vlerëson fuqinë e mbështetjes që po merr: “Mbështetja që marr nga Vanessa, nga kolegët dhe studentët është spiranca ime. Çdo fjalë apo gjest shqetësimi është si një dritare që hapet,” shprehet ai.
    Profesori shpreh gjithashtu besim tek drejtësia shqiptare: “Unë i besoj autoriteteve shqiptare dhe aftësisë së tyre për të vlerësuar çdo faktor në mënyrë të paanshme.”
    Mesazhi mbyllet me një thirrje të qartë: “Unë nuk po kërkoj dhembshuri, por të vërtetë. Nuk po kërkoj privilegje, por proporcionalitet. Vazhdimisht përpiqem ta përballoj këtë situatë me disiplinë, durim dhe shpresën se drejtësia do të jetë e ekuilibruar.”

    Top Channel

  • Moti, pritet furtunë në Shqipëri/ Meterologu grek jep alarmin: Priten përmbytje dhe reshje bore

    Moti, pritet furtunë në Shqipëri/ Meterologu grek jep alarmin: Priten përmbytje dhe reshje bore

    Një valë e re e motit të keq pritet të godasë Shqipërinë në ditët e para të tetorit me rënie të ndjeshme temperaturës, reshje intensive shiu dhe stuhi.

    Lajmin e bën të ditur meteorologu i njohur grek dhe njëkohësisht eurodeputeti i Pasok-ut, Sakis Arnaoutoglou, i cili shpesh paralajmëron për fenomenet e rrezikshme kohore që prekin vendin tonë përmes Top Channel.
    Sipas tij e enjtja, 2 tetor, do të sjellë reshje të dendura shiu dhe dëbore në shumë zona të Shqipërisë.
    Konkretisht në veriun e vendit, nga Shkodra deri në Kukës dhe Peshkopi, priten reshje shumë të forta shiu, ndërsa mbi 900–1000 metra lartësi do të ketë reshje të dendura bore me shtresim të konsiderueshëm. Në zonat qendrore, si Dibra, Burreli dhe Elbasani, reshjet do të jenë po ashtu të bollshme, ndërsa në malet Korab dhe Shebenik dëbora do të nisë mbi 1000 metra, me intensitet në lartësi më të mëdha -thekson meteorologu grek.
    Po ashtu në juglindje, në Gramsh , në Korçë dhe rreth maleve Moravë dhe Gramoz, parashikohen reshje të dendura shiu dhe dëborë mbi 1200 metra. Ndërsa në jug, në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, do të ketë kryesisht reshje shiu, ndërsa nuk përjashtohen reshje bore në zonat mbi 1200–1300 metra.
    Ndryshe paraqitet situata në bregdetin perëndimor, nga Tirana e Durrësi deri në Vlorë, ku reshjet do të jenë të pakta dhe të dobëta, madje në disa zona mund të mungojnë fare.
    Moti i keq do të shkaktojë probleme në lëvizjen e automjeteve në disa akse malore. Zinxhirët do të jenë të nevojshëm në rrugën Shkodër–Kukës, në segmentin malor Burrel–Peshkopi mbi 900–1000 metra, në rrugën Elbasan–Librazhd drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut mbi 1000 metra, si dhe në disa kalime malore drejt Korçës dhe rreth Gjirokastrës e Përmetit mbi 1300–1400 metra.
    Erërat do të fryjnë të enjten në mbrëmje përgjatë vijës bregdetare nga Vlora deri në Shkodër, me shpejtësi  60–80 km/h, që korrespondojnë me forcën 8 të shkallës Beaufort, ndërsa në brendësi të vendit era nuk pritet të kalojë forcën 5–6 Beaufort.

    Top Channel

  • Pas orësh ankthi, gjendet në Tiranë 15-vjeçari që kërkohej nga familja, ja si paraqitet gjendja e tij shëndetësore

    Pas orësh ankthi, gjendet në Tiranë 15-vjeçari që kërkohej nga familja, ja si paraqitet gjendja e tij shëndetësore

    Është gjetur në Tiranë 15-vjeçari Mateo Kalemi, i cili ishte shpallur i zhdukur prej më shumë se 7 orësh nga familja e tij në Gjirokastër.

    Burime pranë familjes bëjnë me dije se adoleshenti ndodhet në prani të një psikologeje, së bashku me vëllain e tij, dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
    Ende nuk dihen detaje rreth mënyrës se si ka mbërritur në Tiranë, por familja është njoftuar dhe ka marrë konfirmimin për vendndodhjen e tij.

    Top Channel

  • Ekskluzive/ Nello Trocchia: Në Shqipëri keni problem gjigant me krimin, korrupsionin e pastrimin e parave! Nëse s’e luftoni do rrëzoheni

    Ekskluzive/ Nello Trocchia: Në Shqipëri keni problem gjigant me krimin, korrupsionin e pastrimin e parave! Nëse s’e luftoni do rrëzoheni

    Gazetari italian Nello Trocchia autori i librit ‘Të pamposhturit’ në një intervistë ekskluzive për ‘A Show’ në Syri Tv dha alarmin se Shqipëria ka një problem gjigant me krimin korrupsionin dhe kriminalitetin.

    Për gazetarin Adi Krasta Trocchia tha se  mafia shqiptare po arrin në të njëjtin nivel me Ndraghetan, dhe për ta luftuar duhen instrumente të përshtatshme.

    Duke nënvizuar se po bën detyrën e vet si gazetar i paanshëm, duke raportuar vetëm të vërtetën edhe pse qeveria Rama përpiqet ta fshehë dhe të heshtë, Trocchia paralajmëroi se nëse nuk do t’i bëhet ballë dhe shihet realiteti atëherë do të ketë pasoja të vërteta ekonomiko sociale.

    Pjese nga intervista

    Adi Krasta:  A mund të themi në këtë moment që të qeverisësh Shqipërinë është bërë dhe të kesh interesa për grupet e kriminalitetit ndërkombëtar që është shumë i pranishëm në Shqipëri?

    Nello Trocchia:Duhet të jemi shumë të qartë. Presidenti i Këshillit të Ministrave Italian, Andreoti ka pasur marrëdhënie deir në ’80 me mafian siciliane. Ne si gazetarët kemi detyrë të jemi të saktë. Të rrëfesh për kriminalitetin në territore do të thotë ti duash , ti çlirosh nga kriminaliteti që u heqin të ardhmen njerëzve.

    Kur kam folur për ’të padukshmit’   e pamposhturit’ e mafias shqiptare kam intervistuar magjistratin më të madh, Nicola Gratteri të cilit i kam shtruar një pyetje: Sipas jush përkufizimi i narkoshtetit është e tepruar? Gratteri m’u përgjigj: Jo përkundrazi. Eshtë më tepër.

    Grupet shqiptare kanë nisur të trafikojnë nga marijuana tek heroina. Kanë marrëdhënie me mafian turke. I kanë dhënë një fuqi ekonomike politike grupeve shqiptare. Kanë një prani në territor shumë të fuqishëm. Edhe pse mund të ndodhen në Holandë, Gjermani, Ekuador, Itali, kthehen dhe riinvestojnë. Është një cështje korrupsioni, pastrim parash kriminalitet, që nëse nuk lexohet, problemi mbetet.

    Fakti që nuk flasim për këto gjëra nuk e zgjidh atë.

    Nëse nuk përballemi me këto probleme nuk e zgjidhim por shtohet dhe rritet.  Pra kriminaliteti, pastrimi i parave, korrupsioni ekziston dhe këto pyetje duhet të jepen përgjigje.

    Adi Krasta: A ka pasur shqiptarë të pamposhtur në Itali që për arsye të ndryshme apo rrethana nuk kanë mundur të takojnë fuqinë e ligjit. Ka një dyshim popullor që shkojnë e vijnë duke përdorur Shqipërinë si mburojë mbrojtëse. A ke takuar raste të tilla?Nello Trocchia:  Absolutisht po. ‘Membrana mbrojtjëse’ është e përsosur si imazh. Keni një problem gjigant krimi, korrupsioni e kriminaliteti. Ajo që po jetoni si një zhvillim në një tokë jashtëzakonisht të bukur do të bëhet si veshje e rreckosur. Do ta kuptoni më vonë. Sepse nëse vazhdohet me atë ekonomi që në fillim ishte e zezë, e paligjshme dhe futet në atë të ligjshmen e i bëhet konkurrencë kompanive të ndershme. Ky është një problem që e kemi jetuar prej vitesh në vendin tim.

    Intervistova magjistratin Francesko Mandoi që ka bashkëpunuar me Shqipërinë dhe më thotë se më përpara kishin bërë hapa përpara, tani janë bërë hapa prapa.Nëse mafiave nuk u hiqen paratë, pronat e patundshme, shtëpitë, kompanitë që kanë ngritur ata do të begatojnë. Mafia do të zhvillohet edhe më shumë. Nuk mjafton të arrestohen 2 – 3 – 4 – 5. Nëse mafia do vijojë të ketë paratë do të ketë mundësinë të strukturojë sistemet korruptuese që mund të arrijnë gjithandej. Një ish vrasës i Kamorrës tregon se me pushkë mund të vrasësh 2 persona por me para mund të korruptosh të gjithë. Cështja është të kuptosh – sic e thotë magjistrati Mandoi – ka nevojë për të konfiskuar tek ju. Të shtetëzosh apartamente, prona e kompani që janë fryt i korrupsionit. Ka dhe një legjislacion të ndryshëm për këta subjekte.  Aben Xoi që është një trafikant i lirë në Dubai.

    Gradualisht mafia po arrin në të njëjtin nivel me Ndraghetan, dhe për ta luftuar duhen instrumente të përshtatshme. Mua nuk më intereson nëse është e majta apo e djathta në qeveri. Unë marr lajmin e verifikoj dhe aktet gjyqësore e shkruaj. Nuk më interesojnë partitë. Them që klasa politike duhet të merret me krimin e korrupsionin, sepse sic thotë Gratteri nuk do të arrijmë më t’i bëjmë ballë asaj ekonomie të paligjshme të zezë, që hyn në mënyrë të paligjshme dhe është shumë e vështirë për tu çrrënjosur nga struktura ekonomiko sociale.

    Adi Krasta: Të falenderoj. Trocchia ishte jashtëzakonisht i qartë. Deklarata e tij tregon se ekziston një dosje. Ekzistojnë emrat dhe emrat janë. Kjo është një deklaratë e fortë që e vendos Arubën në një pozicion të vecantë, e droga do ta bëjë që kryeministri të bjerë. . 

  • Pse duhet të hamë të njëjtat ushqime kur jemi në dietë?

    Pse duhet të hamë të njëjtat ushqime kur jemi në dietë?

    Në shumicën e dietave, një nga këshillat më të zakonshme është që personi të ndjekë një plan ushqimor të përsëritur, shpesh me të njëjtat vakte apo përbërës gjatë ditës ose javës. Kjo nuk është thjesht rastësi, por një strategji që ka disa arsye shkencore dhe praktike.

    Thjeshtëson vendimmarrjen

    Kur jemi në dietë, zgjedhjet e shumta ushqimore shpesh sjellin konfuzion dhe lodhje mendore. Konsumimi i të njëjtave ushqime e zvogëlon këtë lodhje, duke na ndihmuar të mos devijojmë nga plani.

    Kontroll më i mirë i kalorive

    Ushqimet e përsëritura na japin siguri për kaloritë dhe vlerat ushqimore që po konsumojmë. Kështu shmangen gabimet e padëshiruara që mund të prishin deficitin kalorik ose balancën e makronutrientëve.

    Stabilizon zakonet

    Trupi mësohet me një rutinë të caktuar dhe kjo ndikon pozitivisht te metabolizmi. Një regjim i parashikueshëm na ndihmon të shmangim shpërthimet e urisë dhe ngrënien emocionale.

    Parandalon mbingrënien

    Shumëllojshmëria e tepërt shpesh lidhet me tendencën për të ngrënë më shumë. Kur kemi ushqime të paracaktuara, kontrolli i sasisë bëhet më i lehtë.

    Rezultate më të shpejta

    Duke pasur një menu të përsëritur, është më e thjeshtë të ndiqet progresi dhe të bëhen rregullime të vogla sipas nevojës. Kjo e bën dietën më efektive dhe më të matshme.

  • Panik në Ibiza të Spanjës, shirat e rrëmbyeshëm bënë që të mbyllen plazhet dhe shkollat

    Panik në Ibiza të Spanjës, shirat e rrëmbyeshëm bënë që të mbyllen plazhet dhe shkollat

    Në gjendje “alarm të kuq” për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, ishujt turistikë të Ibizës dhe Formenterës mbyllën sot plazhet dhe shkollat, pothuajse një vit pas përmbytjeve që e zhytën në zi rajonin e Valencias, përgjatë arqipelagut Balearik.

    Shërbimet e reagimit ndaj emergjencave të dy ishujve dërguan mesazhe paralajmëruese në telefonat e banorëve, duke u kërkuar atyre të shmangin udhëtimet dhe aktivitetet në natyrë, si dhe të mos qëndrojnë pranë burimeve të ujit ose nëntokës.

    Aemet, agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës, tha se deri në 200 litra ujë për metër katror ranë në Ibiza, e cila u godit nga një stuhi që po lëvizte “shumë ngadalë”. Videot e postuara në mediat sociale tregonin këmbësorë duke ecur nëpër ujin me baltë në bregdetin e Ibizës, i cili është i mbushur me bare dhe restorante. Sirenat e zjarrfikësve mund të dëgjoheshin në sfond.

    Rrugët janë mbuluar me baltë dhe mbeturina, duke i detyruar makinat të udhëtojnë me shpejtësi të ulët.

    Qeveria e Ishujve Balearik tha se departamenti i zjarrfikësve mori 132 thirrje në Ibiza, kryesisht për përmbytje në bodrume ose në rrugë dhe për pemë të rrëzuara dhe objekte të tjera ose për lumenj të tejmbushur. Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar.

    Autoritetet lokale pezulluan mësimin dhe u kërkuan nxënësve të qëndronin brenda shkollave të tyre, duke shmangur udhëtimet “deri në njoftim të mëtejshëm”. Plazhet u mbyllën gjithashtu.

    Një njësi ushtarake nga Mallorca fqinje pritet të vendoset në ishuj, duke sjellë përforcime. Vonë pasdite, Aemet uli nivelin e fenomeneve të rrezikshme të motit nga “e kuqe” në “portokalli” për të dy ishujt.

    Ky mot i keq ndodhi rreth një vit pas përmbytjeve vdekjeprurëse të tetorit 2024 në Valencia, ku humbën jetën më shumë se 230 njerëz.

  • Sinisha Karan do të jetë kandidat për president të Republikës Sërpska, konfirmon Dodiku

    Sinisha Karan do të jetë kandidat për president të Republikës Sërpska, konfirmon Dodiku

     

    Sinisha Karan do të jetë kandidat i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur në zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë, ka konfirmuar kryetari i partisë, Millorad Dodik.

    Dodiku, ish-president i këtij entiteti serb në Bosnje, i ka thënë Radio-Televizionit RS se do ta propozojnë Karanin para partnerëve të koalicionit.

    Karan është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit, për pjesëmarrje në organizimin dhe shënimin e festave jokushtetuese të Republikës Sërpska.

    Ai është profesor i çështjeve kushtetuese dhe ministër për Zhvillim Teknologjik dhe Shkencor në Qeverinë jokushteteuse të Republikës Sërpska.

    Zgjedhjet e parakohshme janë thirrur për 23 nëntor, pasi Gjykata e Bosnje-Hercegovinës ia ka revokuar mandatin Dodikut, për shkak të një vendimi përfundimtar për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

    Vendimi i Gjykatës ia ka pamundësuar atij mbajtjen e ndonjë pozite publike për gjashtë vjetët e ardhshëm.

    Partia e Dodikut pati thënë fillimisht se nuk do të kishte kandidat për zgjedhje, mirëpo më vonë ka vendosur të marrë pjesë në to.

    Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike Serbe, ka thënë se kandidati i saj do të jetë Branko Bllanusha, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Banjallukë.

  • “Shikoni veten në pasqyrë”, avokati i ashpër me opozitën: Berisha shkon 85 vjeç, ju thoni do bëhet kryeministër

    “Shikoni veten në pasqyrë”, avokati i ashpër me opozitën: Berisha shkon 85 vjeç, ju thoni do bëhet kryeministër

    Avokati Leonard Karaj, i ftuar në një emision televiziv, u shpreh se në zgjedhjet e vitit 2029 Partia Demokratike nuk mund të shkojë me Sali Berishën kandidat për kryeministër.
    “Të ankohesh dhe të qahesh vazhdimisht, nuk të sjell kurrë në pushtet. Asgjë nuk të ndryshon. Unë them se përpara se të rregullohet Shqipëria, duhet rregulluar shtëpia. I djathti ka parime dhe ato janë Zoti, familja dhe shteti. Partia Demokratike duhet të shikojë veten në pasqyrë”, tha Karaj.
    “Nëse i pëlqen vetja dhe i duket shumë mirë, do të kemi Zahon për kryeministër. Këta le të presin. Me gjithë respektin për moshën e gjithkujt, nuk e kuptoj se si mund të shkohet me një person që në 2029 do të jetë 85 vjeç në zgjedhje, dhe t’i thuash që ne të kemi ty kandidat për kryeministër”, shtoi Karaj.
    Avokati shtoi se “një pjesë e mirë e opozitarëve nuk e vrasin mendjen sepse kanë bërë më shumë lekë duke qenë në opozitë sesa kur ishin në pushtet”.

  • “Pedri është si Harri Poteri, shpresoj mos ta ketë shkopin magjik nesër”, Luis Enrike e ka ende zemrën te Barça: I ndjek me dashuri ndeshjet e tyre

    “Pedri është si Harri Poteri, shpresoj mos ta ketë shkopin magjik nesër”, Luis Enrike e ka ende zemrën te Barça: I ndjek me dashuri ndeshjet e tyre

    Të gjithë sportdashësit i pret një shfaqje e vërtetë spektakli mbrëmjen e nesërme. Barcelona pret PSG-në në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve. Luis Enrike gjendet në stolin e PSG-së, por zemrën pranon se e ka ende te Barça. Trajneri katalanas ka deklaruar në konferencë për shtyp se vazhdon t’i ndjekë me kënaqësi ndeshjet e klubit blaugrana. Ai ka bërë gjithashtu një batutë për Pedrin, të cilin e quan magjistar si Harri Poteri.
    “E dashuroj ta shoh Barçën! Më pëlqen shumë se si ky ekip performon. Ju e dini që unë jam një anëtar i klubit, jam një tifoz. I ndjek ndeshjet e Barçës. Barcelona është shtëpia ime. 8 vite si një lojtar, 6 vite si menaxher mes ekipit të parë dhe ekipit të të rinjve. Pedri? Për mua ai është Herri Poteri. Shpresoj që nesër mos ta sjelli shkopin magjik”, ka deklaruar ndër të tjera Luis Enrike./Sport Ekspres/