Month: September 2025

  • 14 filma artistikë në 40 vite karrierë/ Ja veprat e Dhimitër Anagnostit, me “Gjoleka, djali i Abazit” rrëmbeu dy çmime ndërkombëtare në Itali

    14 filma artistikë në 40 vite karrierë/ Ja veprat e Dhimitër Anagnostit, me “Gjoleka, djali i Abazit” rrëmbeu dy çmime ndërkombëtare në Itali

    Regjisori i shquar, Dhimitër Anagnosti, i cili humbi jetën sot në moshën 89-vjeçare realizoi 14 filma artistikë në 40 vite karrierë në kinematografinë shqiptare.

    Ai gjithashtu realizoi edhe 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
    Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
    Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
    Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.
    Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
    Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar.
    Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”.
    Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i cili rrëmbeu dy çmime ndërkombëtare në Itali.
    Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
    Filmat më të njohur nga Dhimitër Anagnosti:
    * Gjoleka, djali i Abazit (2006)* Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)* Përrallë nga e kaluara (1987)* Gurët e shtëpisë sime (1985)* Kujtime nga Gjirokastra (1983)* Vëllezër dhe shokë (1982)* Në shtëpinë tonë (1979)* Monumenti (1977)* Lulëkuqet mbi mure (1976)* Kur hiqen maskat (1975)* Cuca e maleve (1974)* Përjetësi (1974)* Motive nga dita e diel (1973)* Malet me blerim mbuluar (1971)* Parafabrikatet (1970)* Plagë të vjetra (1968)* Duel i heshtur (1967)* Komisari i dritës (1966)* Njeriu kurrë nuk vdes (1961).

    Top Channel

  • Këmbimi valutor 1 shtator/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

    Këmbimi valutor 1 shtator/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

    Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 82.5 lekë dhe do shitet me 83.8 lekë.

    Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 97 lekë dhe do shitet me 98.2 lekë.

    Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 103 lekë dhe do shitet me 104.3 lekë.

    Ndërsa paundi britanik do blihet me 111.5 lekë dhe do shitet me 112.8 lekë.

  • Paralajmërim për diabetin, simptoma të pazakonta mund të shfaqen në këmbë

    Paralajmërim për diabetin, simptoma të pazakonta mund të shfaqen në këmbë

    Britanikët paralajmërohen të jenë vigjilentë ndaj disa simptomave të pazakonta që shfaqen në këmbë, të cilat mund të tregojnë një gjendje të rrezikshme. Diabeti është një gjendje serioze dhe shpesh e përjetshme që çon në nivele tepër të larta të sheqerit në gjak.

    Ndërsa shkaku i saktë i diabetit të tipit 1 mbetet i panjohur, diabeti i tipit 2 shpesh shoqërohet me faktorë që përfshijnë peshën e tepërt dhe aktivitetin fizik të pamjaftueshëm. Megjithatë, mund të jetë edhe i trashëgueshëm, shkruan Mirror.

    Ashtu si me çdo gjendje mjekësore, sa më herët të identifikohen simptomat e diabetit, aq më shpejt mund të kërkohet ndihmë mjekësore. Megjithatë, këto shenja paralajmëruese mund të shfaqen në disa zona të papritura.

    Për shkak të niveleve të larta të sheqerit në gjak, këmbët përfaqësojnë një zonë të trupit që mund të pësojë dëme të konsiderueshme. “Diabetes UK” deklaron: “Me kalimin e kohës, nivelet e larta të sheqerit në gjak, të njohura edhe si nivele të glukozës në gjak, mund të dëmtojnë enët e vogla të gjakut që furnizojnë nervat në këmbët tuaja”.

    “Kjo i ndalon lëndët ushqyese thelbësore të arrijnë nervat. Nëse nervat në këmbët tuaja dëmtohen, mund të humbni ndjesinë në këmbë, e njohur si neuropati periferike (dëmtim nervor). Kjo do të thotë që mund të mos i ndjeni gjërat siç duhet dhe mund t’i dëmtoni këmbët pa e vënë re”.

    Tri shenjat e horoskopit që kanë më shumë gjasa të të thyejnë zemrën

    “Enët e gjakut të dëmtuara gjithashtu zvogëlojnë furnizimin me gjak në këmbët tuaja, që do të thotë se mund të keni probleme me shërimin e prerjeve dhe plagëve. Gjithashtu mund të keni dhimbje dhe ngërçe në këmbë ose shputa”.

    Organizata këshillon njerëzit të konsultohen me mjekun e tyre familjar nëse vërejnë ndonjë nga shenjat e mëposhtme:

    Ndjesi shpimi ose mpirje;

    Dhimbje djegieje;

    Humbje e ndjesisë në këmbë;

    Ënjtje e këmbëve – mund të vini re se veshja e këpucëve ose ecja është bërë më e vështirë;

    Këmbët tuaja nuk djersiten;

    Plagë që nuk shërohen;

    Kërcitje në pulpat tuaja gjatë pushimit ose ecjes;

    Lëkurë e shndritshme dhe e lëmuar në këmbë;

    Rënie e qimeve në këmbë dhe shputa. 

  • Fluturime të lira, zgjedhje të kushtueshme: Si po nxisin udhëtimet ekstreme një ditore turizmin e tepërt dhe dëmet klimatike

    Fluturime të lira, zgjedhje të kushtueshme: Si po nxisin udhëtimet ekstreme një ditore turizmin e tepërt dhe dëmet klimatike

    Një trend i ri në mediat sociale po fiton terren me shpejtësi: udhëtimet ekstreme ditore me avion, të cilat reklamohen si një mënyrë e shpejtë dhe e lirë për të parë botën. Pasagjerët hipin në fluturime me buxhet të ulët për të kaluar vetëm një ditë në një qytet europian, duke vizituar sa më shumë pika turistike brenda disa orësh. Ndërsa për entuziastët kjo është një “përvojë unike”, për ekspertët e mjedisit dhe turizmit kjo është një praktikë jashtëzakonisht e dëmshme.

    Sipas Rob Perkins nga kompania aktiviste Responsible Travel, ky fenomen po ushqen njëkohësisht krizën e mbiturizmit dhe rritjen e emetimeve të karbonit, me fluturimet si një nga kontribuesit më të mëdhenj në ngrohjen globale. Ekspertët theksojnë se këto udhëtime nuk ofrojnë vlerë të vërtetë kulturore, pasi vizitorët nuk arrijnë të shijojnë thellësisht vendin, por vetëm shtojnë turmat në pikat e nxehta turistike.

    “Ky lloj pushimi është si një shëtitje në panair dhe jo si një përvojë natyrore”, thotë Fiona Smart, e cila menaxhon një hotel në Katalonjë. Ndërsa në Finlandë, sipërmarrësja Riitta Kulkas e cilëson “joautentike” ofertën për udhëtime njëditore në Lapland, ku vizitorët shpenzojnë orë të tëra në avion vetëm për një takim të shpejtë me Babagjyshin e Krishtlindjeve.

    Shkaku kryesor mbeten fluturimet e lira, që e bëjnë të mundur udhëtimin për çmimin e një vakti. Por sa më shumë njerëz të përqafojnë këtë trend, aq më shumë linjat ajrore do të rrisin ofertën, duke e përkeqësuar ndikimin mjedisor. Përgjigja, sipas ekspertëve, qëndron te udhëtimet më të gjata dhe të përgjegjshme, që përfshijnë transport publik, guida lokale dhe shmangien e sezonit të pikut.

    Giovanna Consonni nga Stile Italiano Tours e ironizon fenomenin duke thënë: “Nëse dikush mendon se argëtim është të zgjohet në orën 4 të mëngjesit, të kalojë ditën gjysmë në gjumë, të shtyhet mes turmave dhe në fund të hajë një pjatë me spageti të shtrenjta në një kurth turistik – atëherë ky është plani i përsosur!”

    Ekspertët paralajmërojnë se e ardhmja e turizmit nuk duhet të jetë nxitimi për më shumë udhëtime ditore, por përvoja të qëndrueshme, që i sjellin dobi si vizitorëve, ashtu edhe komuniteteve vendase.

  • “Bylispolifonia” në edicionin e 12-të vjen me mesazhe për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë dhe traditës

    “Bylispolifonia” në edicionin e 12-të vjen me mesazhe për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë dhe traditës

    Nga Julia Vrapi“
    Vlerat e polifonisë dhe kostumografia popullore do të shpalosen në festivalin “Bylispolifonia”. Polifonia do të vijë me interpretimin e grupeve të ndryshme polifonike në këtë festival ndërkombëtar, që këtë vit në muajin shtator shënon edicionin e tij të 12-të dhe vjen edhe me mesazhe për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë dhe traditës. Festivali këtë vit do të zhvillohet në datat 12 dhe 13 shtator në Bylis, ku do të ketë pjesëmarrje të grupeve polifonike shqiptare, por dhe të vendeve fqinj nga Ballkani. Këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj që është edhe president i shoqatës “Polifonia shqiptare” me të cilën zhvillohet dhe festivali ndërkombëtar “Bylispolifonia” tregon për risitë e këtij viti.
    Drejtor ekzekutiv i festivalit këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj “Mjeshtër i Madh”, i cili herë pas here ka sjellë në vëmendje dhe problemet që janë me polifoninë shqiptare thotë se edhe këtë vit “Bylispolifonia” do të përcjellë mesazhe për ruajtjen e saj. “Ne gjithmonë jemi kritikë ndaj institucioneve në vend për polifoninë shqiptare. Pasi edhe ky festival që është i 12-ti  që zhvillohet, ne deri tani nuk kemi pasur një ministër të Kulturës që të vijë në festival ose ndonjë përfaqësues të saj. “Bylispolifonia” është një festival ndërkombëtar, që bëhet çdo dy vjet dhe i shërben kombit, trashëgimisë sonë, i shërben kësaj kulture kaq të vyer.
    Fatkeqësisht polifonia në UNESCO ka shkuar me një bisht para, pra me iso. Komunitetet e polifonisë, të gjitha shoqatat mbarëkombëtare që përbëjnë komunitetin janë dakord që të shkruhet dhe kënga shumëzërëshe shqiptare, vetëm isopolifoni nuk pranon”, shprehet këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj në një reagim të tij. Festival “Bylispolifonia” këtë vit përkon edhe me 30-vjetorin e shoqatës “Polifonia shqiptare”, si dhe me 20-vjetorin e polifonisë në UNESCO. Festivali edhe këtë vit organizohet nga shoqata “Polifonia shqiptare” që u themelua vite më parë, ku ndër vite ka zhvilluar aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Këtë vit festivali sipas Yzeir Llanajt ka mbështetje nga donatorë që janë dashamirës, ku jep ndihmesën e saj edhe Bashkia Mallakastër.
    Grupet pjesëmarrëse
    Festivali “Bylispolifonia” zhvillohet çdo dy vjet në vendin tonë. Grupet polifonike këtë vit në festival vijnë  nga Janina, Libohova, Vlora, Saranda, Tepelena, Mallakastra, Lushnja, Kuçova, Berati, Gramshi, etj, si dhe nga vende të tjera. Mjeshtri i polifonisë Yzeir Llanaj thotë se këtë vit në festival do të nderohen edhe studiues të folklorit si Ramadan Sokoli, Lefter Çipa, Beniamin Kruta, etj, në prezencë dhe të presidentit të Republikës Bajram Begaj. Juria e festivalit këtë vit është me personalitete si Zhani Ciko “Mjeshtër i Madh” dhe të tjerë artistë e studiues të njohur. Por në dy ditët e festivalit që këtë vit zhvillon edicionin e 12-të në Bylis sipas Yzeir Llanajt  është menduar edhe për aktivitete të tjera.
    “Do të ketë një tryezë të rrumbullakët, një simpozium shkencor që është bërë dhe në edicionet e tjera, si dhe njëkohësisht do të jepet dhe ndonjë koncert në ato krahina që janë më të populluara pranë Bylisit. Këto tryeza trajtojnë dhe problemet që ka sot polifonia shqiptare, vlerat e saj, e ardhmja, rreziku i saj, etj”, shprehet Llanaj, që ka më shumë se 55 vjet në skenë me polifoninë. Edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të polifonisë “Bylispolifonia” u zhvillua në vitin 2006 në vendin tonë. Por festivali ndërkombëtar i polifonisë “Bylispolifonia” në vitin 2023 solli në skenë mbi 35 grupe në konkurrim.
    Festivali shënoi edicionin e 11-të në datat 22-23 shtator. Në dy ditë në Bylis u shpalosën gjetjet më të bukura të polifonisë nga grupet polifonike më në zë të vendit, por dhe nga shtete të tjera. Në festival veç artistëve ishin të ftuar dhe historianë, muzikologë, etnomuzikologë, etj, ku nuk mungoi edhe tryeza e diskutimit mbi polifoninë shqiptare. Në këtë edicion morën pjesë grupet polifonike nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, etj. Nga vendi ynë ishin grupe polifonike nga Rrajca, Myzeqeja, Skrapari, Saranda, Gramshi, Vlora, etj. Parada e grupeve pjesëmarrëse në festival në vitin 2023 zbukuroi shëtitoren e qytetit të Ballshit me larmishmërinë e ngjyrave të kostumeve nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë.
    Vëmendja e munguar për polifoninë
    Polifonia shqiptare dhe ruajtja e saj ka qenë në qendër edhe të aktiviteteve më parë, por mjeshtri i polifonisë Yzeir Llanaj thonë se institucionet nuk kanë treguar vëmendjen e duhur për këtë vlerë të trashëgimisë sonë dhe nuk po ndalen në problematikat e saj. “Apeli im është i zakonshëm, që kam 30 vite që jam dhe president i shoqatës “Polifonia shqiptare” dhe që vazhdon dhe me aktivitete mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, që institucionet përkatëse nuk kanë bashkëpunimin e duhur me bartësit e polifonisë. Nëse kjo trashëgimi është në UNESCO të bëjnë atë që duhet.
    Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës dhe të bashkëpunojnë të gjitha dikasteret dhe ta mbajnë gjallë polifoninë shqiptare. Kjo trashëgimi shpirtërore që ne ndihemi krenarë me emrin e saj dhe me të mirat e saj, kjo polifoni e ka prejardhjen nga shpirti i popullit dhe meqë ka dalë nga shpirti i këtij populli ne duam që ta mbajmë të pastër polifoninë, ashtu si na e kanë dhuruar neve etërit tanë”, shprehet Llanaj. Edhe më herët Yzeir Llanaj ka shprehur se rreziku i polifonisë sot është që nuk ka të ardhme, ku sipas tij shteti duhet ta kultivojë nëpër shkolla, të ketë programe edhe për polifoninë.
    Studiues, këngëtarë të polifonisë dhe artistë të tjerë u bënë bashkë edhe para disa muajsh këtë vit në aktivitetin që u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, që solli në vëmendje vlerat e polifonisë shqiptare. Shoqata “Polifonia shqiptare” me rastin e 30-vjetorit të krijimit të saj organizoi një aktivitet kulturor, ku nuk mungoi dhe apeli për ruajtjen e polifonisë. Në këtë aktivitet u mbajt dhe një koncert me pjesëmarrjen e disa grupeve polifonike shqiptare.

  • Tatimet, plan operacional për sektorin e ndërtimit! Pritet të nisë në tetor, në fokus do jetë edhe kleringu

    Tatimet, plan operacional për sektorin e ndërtimit! Pritet të nisë në tetor, në fokus do jetë edhe kleringu

    Administrata Tatimore do të nisë nga tetori 2025 një Plan Operacional të dedikuar për sektorin e ndërtimit, me qëllim intensifikimin e kontrolleve dhe monitorimin e praktikave financiare në këtë sektor, përfshirë edhe përdorimin e kleringut.
    Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mësohet se Plani Operacional që pritet të fillojë në tetor 2025, do të zbatohet pas një faze informimi prej rreth 30 ditësh dhe do të përqendrohet në adresimin e risqeve fiskale specifike të sektorit të ndërtimit.
    Administrata Tatimore do të bëjë publike objektivat dhe qasjen e këtij plani përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
    Plani operacional për sektorin e tvshndërtimit do të nisë pas përfundimit të kontrollit për sektorin e turizmit.
    Sipas dokumentit të publikuar nga Tatimet, Plani Operacional në sektorin e turizmit synoi rritjen e të ardhurave dhe formalizimin e sektorit, përmes disa objektivave kyçe, si:
    Rritje e TVSH-së së paguar në sektorin e turizmit, me normë tatimore 6% ku objektivi është 20% rritje e të ardhurave nga sektori i turizmit.  Rritje në numrin e tatimpaguesve deklarues TVSH në turizëm (Akomodim, Bar-restorante) që kanë normë standarde TVSH-je ku objektivi është 10%. Monitorimi i pagesave me qëllim parandalimin e krijimit të borxhit të ri tatimor, përfshirë detyrimet për TVSH dhe tatimet e tjera të lidhura me aktivitetin ekonomik. Formalizimi i sektorit të turizmit, përmes reduktimit të numrit të subjekteve të paregjistruara apo të regjistruara dhe janë pasivë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në mënyrë të parregullt; Formalizimi i aktivitetit të stacioneve të plazhit (çadra, shezllone, etj.) pa kontratë të lidhur me autoritetet përkatëse etj.
    Monitorimi u krye me bazë risku nëpërmjet analizave të statusit të tatimpaguesve, analiza e tatimpaguesve me sjellje devijonte, si p.sh me dorëzimin e deklaratave me vlerë zero, rënie e theksuar e xhiros krahasuar me periudhën e mëparshme, përsëritje e vonesave për shlyerjen e detyrimeve etj. Analiza e riskut përfshinte edhe krahasimin e xhirove dhe krahasimin e numrit të punonjësve të deklaruar deri në 2 vitet e fundit.
    Po ashtu tatimet miratuan në muajin qershor nivelet e pagave referuese për profesion në sektorin turizëm, me qëllim  identifikimin e tatimpaguesve me risk.
    Sipas listës së publikuar për 45 profesione në sektorin e turizmit, paga minimale për kamerierët në restorante, bare dhe hotele nuk duhet të jetë më pak se 70,000 lekë në muaj.
    Pagat referencë fillojnë nga 55,000 lekë për pozicione si punëtor pastrimi plazhi apo roje parkimi dhe arrijnë 130,000 deri në 140,000 lekë për kryekuzhinierët, shefat e pastiçerive apo pozicioneve të tjera të larta në zinxhirin e shërbimit./Monitor

  • Verë zhgënjyese për turizmin

    Verë zhgënjyese për turizmin

    Vera e këtij viti është endur mes zhgënjimit të një sezoni turistik, ku zhvillimet reale nuk u përputhën me pritshmëritë e fillimvitit. Strukturat hoteliere në Jug kanë raportuar rënie me 30% të të ardhurave në raport me verën 2024, ndërsa në Veri, kjo rënie ishte 10-15%. Shkak është ndryshimi i target-grupit që po na viziton ku mbizotërojnë masivisht ata me buxhet të ulët. Durrësi ka shfaqur qënd…

  • Moti – Dita e sotme me kthjellime, ulen temperaturat

    Moti – Dita e sotme me kthjellime, ulen temperaturat

    Ditën e sotme (1 shtator) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.
    Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit si dhe alternime të herëpashershme vranësirash të pakta deri mesatare dhe kryesisht në orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet kodrinore – malore të vendit.
    Sipas SHMU, era do të fryjë me drejtim jugperëndim – veriperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 8 m/s. Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-2 ballë.

  • Shuhet regjisori i madh Dhimitër Anagnosti

    Shuhet regjisori i madh Dhimitër Anagnosti

    Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare regjisori i madh i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.
    Lajmin e trishtë e ka bërë publik e bija, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan:
    “Lamtumirë Dhimitër Anagnosti Ndërron jetë regjisori i madh Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”
    Anagnosti konsiderohet si një nga mjeshtrat më të mëdhenj të ekranit shqiptar.
    Ai është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe dhjetëra të tjerë.
    Ndër të tjera ai ka lënë gjurmë edhe si skenarist dhe autor librash.
    Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai u vlerësua me tituj të lartë, mes tyre “Nderi i Kombit”, ndërsa ka shërbyer edhe si ministër i Kulturës në vitet ’90.
    Dhimitër Anagnosti, do të mbetet si një prej figurave më të dashura dhe më me ndikim në artin dhe kulturën shqiptare.

  • ‘Drejtësia nën urdhrat e Ramës’/ Boçi: PD vazhdon mosnjohjen e zgjedhjeve, me nisjen e parlamentit hapet një fushëbetejë e re

    ‘Drejtësia nën urdhrat e Ramës’/ Boçi: PD vazhdon mosnjohjen e zgjedhjeve, me nisjen e parlamentit hapet një fushëbetejë e re

    Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka lëshuar akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, duke deklaruar se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është totalisht i kapur dhe i kontrolluar politikisht. Sipas Boçit, procesi i vettingut është përdorur nga Rama si një mjet për të vënë nën presion gjyqtarët, KLP, KLGJ dhe institucionet e drejtësisë, duke vepruar hapur në shkelje të kushtetutës.
    “Rama kërkon të imponohet si njeriu që përcakton fituesit në drejtësi, duke kapur çdo element të sistemit, përfshirë SPAK-un, BKH-në dhe gjykatat administrative,” u shpreh Boçi, duke theksuar se kryeministri përdor linçimin publik dhe trysninë si mekanizma kontrolli. Demokrati akuzoi gjithashtu Ramën se po përpiqet të shfaqet si sundimtar absolut, duke përulur dhe nënshtruar institucionet e pavarura. “Nuk ka dilema, drejtësia është e kapur nga Rama dhe kontrollohet në çdo qelizë,” shtoi Boçi. Ai theksoi se mosnjohja e zgjedhjeve nga PD do të vazhdojë, duke paralajmëruar një fushëbetejë të re politike. Sipas tij, zgjedhjet e 2025janë manipuluar, blerë dhe vjedhur në mënyrë flagrante, ndërsa faktet tronditëse për këtë proces tashmë janë bërë publike.
    Boçi:
    Drejtësia është totalisht e kapur, e kontrolluar, u kap dhe u kontrollua nëpërmjet procesit të vettingut, dhe dihet shumë mirë që kryeministri kur bën deklarata, qoftë për gjyqtarë, për KLP, apo për KLGJ, për institucionet e drejtësisë në përgjithësi, ai është në shkelje të kushtetutës.Rama këtë e bën pikërisht sepse jemi pranë një gare, pranë një gare për të zgjedhur krerë në institucione shumë të rëndësishëm të drejtësisë dhe Rama kërkon të imponojë si njeriu që përcakton fituesin, si njeriu që do të kapë çdo element të sistemit të drejtësisë përfshirë këtu SPAK, BKH, përfshirë edhe çfarëdo elementi tjetër drejtësie, edhe gjykatë administrative po të doni etj.
    E ka dëshmuar një gjë të tillë dhe kapja vjen edhe nëpërmjet trysnisë dhe presionit që ai bën nëpërmjet edhe linçimit publik që ai i bën gjyqtarëve dhe linçimit publik që i bën institucioneve të drejtësisë, në fakt edhe përuljes dhe lepirjes së këtyre të fundit nëpërmjet deklaratave dhe mënyrës së sjelljes së kryeministrit.
    Pra për mua nuk ka dilema, nuk ka betejë, a e ka kapur Rama drejtësinë, Rama e kontrollon drejtësinë.
    Kapitulli i mosnjohjes së zgjedhjeve nga PD, do të vazhdojë, nuk mbyllet ky kapitull me fillimin e jetës parlamentare. Madje unë do të thoja që është hapja e një fushëbeteje të re në raport me vlerën që kanë këto zgjedhje dhe në raport me faktet tronditëse që tashmë kanë dalë, janë bërë publike për mënyrën sesi janë menaxhuar, si janë bërë publike dhe si janë blerë e vjedhur këto zgjedhje.