Month: September 2025

  • Dita e sotme me kthjellime, ulen temperaturat

    Dita e sotme me kthjellime, ulen temperaturat

    Ditën e sotme (1 shtator) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

    Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit si dhe alternime të herëpashershme vranësirash të pakta deri mesatare dhe kryesisht në orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet kodrinore – malore të vendit.

    Sipas SHMU, era do të fryjë me drejtim jugperëndim – veriperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 8 m/s.  Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-2 ballë.

  • Ndarja nga jeta e Anagnostit, Rama: Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master

    Ndarja nga jeta e Anagnostit, Rama: Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të regjisorit të njohur shqiptar Dhimitër Anagnosti.
    “Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjizori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart. Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”, shkruan Rama.

  • Ismail Kadare: Asnjë gjuhë tjetër nuk e nis historinë e shkruar me formulën e pagëzimit

    Ismail Kadare: Asnjë gjuhë tjetër nuk e nis historinë e shkruar me formulën e pagëzimit

    Ismail Kadare

    Nga Ismail Kadare*

    Për një shkrimtar që vjen të marrë titullin “Doctor honoris causa“, gjëja e parë që i vjen ndër mend është se, në qoftë se është i detyrueshëm një fjalim, ai duhet të përshkohet nga filli i një argumenti shkencor.

    Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë e tillë është jo fort e lakmueshme për mjeshtërinë tonë.

    Kam vënë re se sivëllezërit e mi nga ish-perandoria e përmbysur komuniste, në raste të tilla kanë folur për shtypjen ndaj letërsisë. Thënë ndryshe, një temë që duhej t’i përkiste publicistikës, madje do të shtoja, kujtimeve emocionale, ka marrë statusin e argumentit shkencor.

    Në thelb nuk ka ndonjë gabim kushedi çfarë. Shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence. Rrjedhimisht, trajtimi i kësaj shtypjeje mund të bëhej në të njëjtin stil.

    Të gjitha rendet autoritare në botë kanë patur probleme me letërsinë. Në të gjitha rastet është letërsia që, në fund të fundit, ka ngadhënjyer. Ndërkaq, duhet thënë se nga të gjitha rendet, i vetmi që iu afrua fitores kundër letërsisë ka qenë komunizmi.

    Është folur shumë për këtë, ndaj nuk do të zgjatem. Do të kujtoj vetëm pyetjen që është bërë shumë herë: a ka shpikur komunizmi ndonjë armë të re, një armë që do të ishte fatale kundër letërsisë? Përgjigja është po. Është përdorur vërtet një shpikje e re. Komunizmi ishte i pari rend në botë që e kuptoi se letërsia e madhe nuk pësonte asgjë, as prej censurës, as prej burgjeve e as prej tmerreve të tjera. Për ta vënë në gjunjë përfundimisht duhej diçka tjetër. Kjo shpikje e re ishte krijimi i një race të re shkrimtarësh, një racë që me duart e veta do ta prishte artin e fjalës. Me fjalë të tjera, për të perifrazuar Josif Brodskin, nuk ishte e nevojshme të rrënohej drejtpërdrejt ngrehina e letërsisë, mjaftonte të prisheshin tullat, pra lënda me të cilat ajo ishte ngritur. Kështu, me tulla të sabotuara, ngrehina vetvetiu do të binte. Kjo zgjidhje radikale u arrit vetëm pjesërisht, nëpërmjet atij që u quajt “realizëm socialist”. Përse nuk triumfoi përfundimisht? Çfarë nuk mjaftoi? Mosha e sistemit, ndoshta? Ka gjasë të ketë qenë kjo e fundit. Komunizmi, dihet, ka pasur dy mosha, njëra 70-vjeçare, që e arritën vetëm dy shtete, Bashkimi Sovjetik dhe Mongolia dhe drejt së cilës po ecën Kuba me Korenë e Veriut. Dhe mosha tjetër 45-vjeçare, që është pak a shumë ajo e vendeve të Europës Lindore, ku hynte edhe vendi im, Shqipëria.

    Në historinë e njerëzimit, ajo që e përmenda si “zgjidhje radikale për letërsinë”, ka pasur edhe një version tjetër tepër të rrallë e tepër të lemerishëm. Ky version nuk ka lidhje me komunizmin, por me një tjetër fatkeqësi: sundimin osman.

    Ju e dini këtë sundim. Ai u shtri mbi krejt Gadishullin Ballkanik. Ai vuri nën vete dhjetëra popuj, gjuhë, kultura. Ai e shkëputi Ballkanin nga Europa, synoi pushtimin e qendrës së Europës në veri dhe gadishullin tuaj italian, në perëndim. Ashtu si në rastin e komunizmit, edhe në rastin e pushtimit osman, vendi im, Shqipëria, kurrsesi nuk mund të pretendojë se ka qenë një viktimë e vetmuar. Ajo ra nën atë sundim bashkë me gjithë popujt e Ballkanit. Ajo vuajti të njëjtin ferr.

    Meqenëse e përmenda moshën e komunizmit, po theksoj se koha e sundimit osman për nga gjatësia mund të quhet pa frikë infernale: pesëqind vjet. Tingëllon e pabesueshme, dhe është vërtet aq e pabesueshme, saqë kohët e fundit, revizionistët e historisë kanë ngritur tezën se një pushtim kaq i gjatë nuk mund të quhet pushtim. Ata janë duke kërkuar një emër tjetër, më të ndryshëm e, sidomos, më të përshtatshëm me vizionin e sotëm europian për pajtimin e popujve. Me gjithë përpjekjen për mirëkuptim, personalisht nuk besoj se do të gjendet një tjetër fjalë për të zëvendësuar fjalën pushtim.

    Ashtu siç nuk ka ndodhur për fjalën “vdekje”, e cila ndonëse është shumë më e gjatë se çdo pushtim, vazhdon të quhet, ashtu si dhe më parë, “vdekje”. Tërhoqa vëmendjen tuaj për kohëzgjatjen pesëqindvjeçare të pushtimit osman, jo për të rritur dramacitetin e diçkaje, të cilit dramaciteti i del dhe i tepron, por thjesht për të ardhur prapë te problemi që përmenda më lart, ai i zgjidhjeve radikale të problemit të letërsisë.

    Është fjala për një tjetër zgjidhje radikale, dy herë, ndoshta dhjetë herë më të lemerishme: ndalimin e vetë shkrimit. Po e them qysh në krye: nga gjithë gjuhët e Gadishullit të madh Ballkanik, gjuha shqipe, ajo që unë përdor, është e vetmja, shkrimi i së cilës u ndalua për pesëqind vjet. Unë nuk di ndonjë vend tjetër në kontinentin europian, gjuha e të cilit të ketë pësuar një tmerr të tillë. Përse? Si u gjykua më pas, përse nuk ndryshoi me kalimin e shekujve, si vazhdoi gjer në fund, në çastet kur perandoria plakë po jepte shpirt? Këtyre pyetjeve e kam vështirë t’u përgjigjem. Shqiptarëve u lejoheshin shumë gjëra: u lejoheshin kishat, pronat, gradat e larta në ushtri e në administratë, madje posti i kryeministrit perandorak, që ata e patën disa herë, por nuk iu lejua kurrë një gjë: shkrimi i gjuhës shqipe. Ky ishte një ndalim i vërtetë, dramatik e pa kthim.

    Në kronikën botërore të arsimimit, nuk besoj se gjenden raste kur mësues e vocërrakë, të kapur tek mësonin në fshehtësi shkrimin e gjuhës, masakroheshin aty për aty pa mëshirë dhe pa pendim. Çfarë mund t’i ndodhë një gjuhe që pëson një lemeri të tillë? Ç’ndodh brenda saj, në thellësi, atje ku vërtiten mekanizmat? Si bashkëjetojnë veglat e gjalla me ato që njëra pas tjetrës vdesin? Vetë gjuha si mbahet në këmbë, si zbutet apo egërsohet? Ç’cilësi fiton, apo humb? Cilësi engjëllore apo më shumë demoniake? Gjer më sot nuk kam ndeshur në studime që të merren me këto çështje. Thjesht mund të përsëris se jam njëri prej shkrimtarëve që kam përdorur këtë gjuhë.

    Dhe tani më lejoni të flas diçka më tepër për të. Më saktë, të rikujtoj disa shënime që i kam marrë vite më parë, në një periudhë jo të lehtë, jo vetëm të jetës s’ime, por të gjithë popullit që i përkas.“Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit.”

    Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.

    Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462. Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër. Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.

    Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther.

    Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi “këngën e përshpirtshme“, vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:

    Gjithëve u thërres, kush do ndejese,Të mirë të kreshté, burra e graMbi fjalë të Tinëzot të shihni mesheSe s’ishte njeri nesh që mkate s’ka.

    Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër. Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur. Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.

    Shumë kambana ranë e u mbytën në det.Ende dergjen atje, në terr e në ndryshkMe gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë,E q’ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.

    Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s’është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s’qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s’ishin më ata që kishin qenë.

    Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s’ribëheshin më.

    Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit.

    Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë.

    Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullimë drite, makina e lashtë u trand përsëri. Kishte qenë përherë aty, por disi jashtë vëmendjes, sidomos qysh nga koha që shqiptarët kishin mësuar të shkruanin, madje të botonin edhe libra në gjuhën latine, si gjithë evropianët e ditur. (Njëri prej tyre, prifti shkodran, Marin Barleti, qe përkthyer ndërkaq në krejt gjuhët e Evropës.)

    Pra, makina kishte qenë aty, veç tani, në ditët e apokalipsit, u duk se sa shumë i duhej këtij vendi. Por ajo, si çdo makinë e këtij lloji, kishte teknologjinë e saj trillane: nuk punonte dot veç me brumë të lashtë. Ishin ligje misterioze të trashëguara që në kohërat homerike. Sytë e rapsodëve, ndërsa qenë të veshur për gjashtëqind-shtatëqind vjetët e afërt, shikonin shkëlqyeshëm, përtej tyre: shtatëqind e pesëdhjetë, tetëqind, një mijë vjet.

    Dhe kështu, ndërsa Shqipëria po jetonte një tragjedi të re, ata, të verbër ndaj saj, iu rikthyen një tragjedie të kryehershme, dyndjes sllave. Poshtë në rrafshultë, ndiheshin ndërkaq tek-tuk ca kambana të rralla, regëtinin ca zjarre, një këtu, një aty, nëpër famullitë gjysmë të shkreta.

    Diku midis viteve 1566-1622, një tjetër prift katolik, Pjetër Budi, shkruante vargjet:

    Ku janë ato gra e vashande sqimë e nde madhështime petka të mëndafshtanalcuom mbë zotërij?Gjithë mortja i rrëzoiSikur i pret me shpatë…

    Ato të kujtonin çuditërisht vargjet e François Villonit:

    Ku janë zonjat e dikurshmeKu është bora e vitit që shkoi?

    çka dëshmonte se ciklonet poetike e kanë përshkruar rruzullimin tokësor edhe atëherë kur dukej se gjithçka ishte ndarë dhe se ndërkomunikimi midis poetëve ishte i pamundur.

    Pas Pjetër Budit, në letërsinë shqipe erdhi Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botë shqiptare. Ai ishte poet, filozof e dijetar i madh. Në gjithë veprën e tij ndihet mundimi, lodhja e një titani. Ka gati dyqind vjet që Shqipëria ndodhet në natën osmane. Pra ajo është ende afër mesnatës (ora e mesnatës duhet të bjerë pas pesëdhjetë vjetësh, përderisa nata e gjithë do të jetë e gjatë pesëqind vjet). Pavarësisht se askush nuk e di se në ç’pjesë të natës ndodhet vendi, poeti e ndien. Ai e ndien se nën peshën aziatike, bota shqiptare jep çdo ditë krisje e pëson shembje.

    Feja është një nga ledhet e para që trandet. Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në veri dhe kretasit në jug, bëjnë kthimet e para në fenë islamike. Janë tepër të vjetër dhe janë lodhur nga krishterimi? Ashtu siç qenë ndër të parët që të lodhur nga paganizmi kishin marrë krishterimin? Askush s’mund ta shpjegojë gjer në fund enigmën.

    Pjetër Bogdanit, që është peshkop katolik, i dhemb pa dyshim kjo çarje. E bashkë me të i dhembin shumë gjëra të tjera, krejt universi shqiptar që shkon drejt teposhtjes. Ai e ndien se po irnosen ngjyrat e veshjeve, po zvarget si e damllosur muzika, madje lëvizjet e shqiptarëve po flashken edhe në trutë e tyre pikë-pikë po depërtojnë përftimet orientale: “javashllëk” dhe “kismet”.

    Ai e ndien madje se edhe gjuha shqipe, sado sipërane e tigreshë të ishte në krahasim me turqishten, po lodhej prej goditjes së shurdhër të bishtit të tjetrës. Ai i ndien të gjitha këto, ndaj vendos të ndërmarrë diçka titanike: t’i vërë supet botës që rrezikon të shembet. Kjo kushtëzon përftimin si prej galaktike të veprës së tij, universalizmin e saj, vizionet planetare dhe sidomos motivet kozmogonike.

    Këto të fundit e mahnitnin veçanërisht Lasgush Poradecin. Duke kujtuar njohjen e tij të parë me veprën e Bogdanit, ai shkruan: “Kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht. Kozmogonia e të Madhit Shqiptar u bën ballë, me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogoninë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenjta”.

    Titanizmi, ashtu sikurse dhe katastrofa, do të shfaqen herë pas here në letërsinë shqipe, njëlloj si ciklet kozmike. Ato do të shfaqen gjatë Rilindjes Kombëtare me Naim Frashërin. Ato do të rishfaqen në fund të shekullit XX gjatë dramës së Kosovës, që ende mban erë shkrumb.

    Pjetër Bogdani është nga Kosova, por s’është kjo arsyeja kryesore, që vepra e tij është studiuar më mirë atje. Arsyeja e thellë është se pikërisht atje u përsërit tragjedia e vjetër. Ashtu si në epikën gojore shqiptare makthi turko-osman ringjalli dyndjen sllave, ashtu në letrat kosovare, makthi sllavo-serb ringjalli dyndjen osmane.

    Shkreptima idesh i karfosnin harmonikisht letrat shqipe, ato që duke lindur me formulën e shenjtë të pagëzimit kanë mbyllur ciklet e ringjalljes me një tjetër formulë të shenjtë: Shqipëria u ngjall së vdekurish. Në mbyllje të kësaj fjale do të doja të kthehesha përsëri te fillimi i saj: ndalimi i shkrimit të gjuhës shqipe. Ç’do të bënin shkrimtarët e mundshëm (potencialë) shqiptarë me një gjuhë të tillë? Zgjedhjet nuk ishin të shumta. Dhe, veç kësaj, të gjitha ishin të trishtueshme.

    E para gjë që të vjen ndër mend në kësi rastesh është heqja dorë prej një prej pasioneve më të vjetra të njerëzimit: krijimit letrar. Dhe, shumica e shkrimtarëve të mundshëm shqiptarë bënë pikërisht këtë: e braktisën artin e të shkruarit. Ne nuk e dimë dhe as mund ta dimë numrin e tyre. Ne dimë me saktësi vetëm një gjë: që humbja e kulturës shqiptare ishte e pandreqshme.

    Një zgjedhje tjetër, më tepër iluzore se e vërtetë, ishte rikthimi i shkrimtarëve në traditën e vjetër rapsodike të letërsisë gojore. Ndërkaq, duhet thënë se, pavarësisht glorifikimit që i bëhet shpesh kësaj tradite, ajo mbetet përherë e mangët në krahasim me letërsinë e shkruar. Një zgjedhje e tretë, në thelb e pikëllueshme, ishte përdorimi i gjuhëve të tjera për t’u shprehur, kryesisht latinishtja e pas saj, gjuhët e tjera europiane.

    Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë u strehua kështu në gjuhë të tjera, duke i dhënë fjalës emigrim një tingëllim dyfish dramatik. Një letërsi e tërë u krijua kështu nga ata që u cilësuan si shkrimtarë katolikë të veriut, letërsi e fuqishme, brenda kostumit latin të së cilës ndihej drama shqiptare. Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi. Në këtë brumë, gjuha shqipe zinte një vend minoritar. Si në një pasqyrë dukej qartë se si ajo po jepte shpirt e asfiksuar prej shtrëngimit të një tjetër gjuhe që, jo vetëm ishte gjuhë e pushtuesit, por që nuk ishte as e familjes indoeuropiane.

    Në kushte dhe dilema të tilla, shkrimtarët shqiptarë u vërtitën një kohë tepër të gjatë, si tigrat në kafaz.

    Një zgjidhje të fundit, nga ato që krijon vetëm dëshpërimi, do të merrte shkas ndoshta nga një model i vjetër, dhe pikërisht nga fraza e parë e gjuhës shqipe të shkruar, formula e pagëzimit, që përmenda në pjesën e parë të fjalës s’ime. Kjo formulë, e hartuar, siç thashë, më 1462-shin prej peshkopit shqiptar të Durrësit, gjendet brenda një teksti latinisht.

    Shkrimtarëve shqiptarë nuk u mbetej veçse ky model: të strehonin tekste të kursyer shqip, brenda teksteve të gjuhës latine, të cilën nuk e kapte dot ligji osman. Me fjalë të tjera, të shpresonin që ca modele të gjuhës së tyre të rrezikuar, t’i strehonin për mbrojtje në trupin e ftohur të një gjuhe që nuk frymonte më.

    Më lejoni ta mbyll fjalën time me këtë përfytyrim, që sa ç’duket tragjik, aq është edhe mallëngjyes në simbolikën e vet. Simbolikën e shpëtimit që gjuha e popullit tim ka kërkuar te gjuha, që vërtet nuk ishte më e gjallë, por pa të cilën nuk mund të përfytyrohet qytetërimi europian. Ju faleminderit.

    (Fjalimi (Lectio magistralis) i mbajtur nga Ismail Kadare me rastin e pranimit të Doctor honoris causa në Shkencat e komunikimit social, nga Universiteti i Palermos, 11 qershor 2007.)

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    ISMAIL KADARE PËR HAVZI NELËN: NJË POET U LËKUND NË TRIKËMBËSH, NË QYTETIN VERIOR TË KUKËSIT…

  • Koçiu: Vendosja e pacemaker-it për mbi 500 pacientë çdo vit

    Koçiu: Vendosja e pacemaker-it për mbi 500 pacientë çdo vit

    Shërbimi i Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ofron kushte dinjitoze dhe trajtim me teknologji moderne për çdo pacient. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau një video nga Shërbimi i Kardiologjisë ku është vendosur pacemaker-i (stimulus kardiak), që sipas ministres nuk është thjesht një ndërhyrje mjekësore, por një mundësi për jetë të re për mbi 500 pacientë çdo vit. “Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT, aty ku çdo ditë puna nis me misionin për t’i rikthyer zemrës ritmin e saj të sigurt.
    Vendosja e pacemaker-it (stimuluesit kardiak) nuk është thjesht një ndërhyrje mjekësore, por një mundësi për jetë të re për mbi 500 pacientë çdo vit. Shëndetësia 2030”, theksoi ministrja. Pacemaker-i është një pajisje elektrostimuluese kardiake, që imiton impulset e rregullta të zemrës, në rast se zemra rreh shumë ngadalë. Pacemaker-ët përbëhen nga një bateri, që ka funksionin e nyjës atriale, dhe sondat (elektrodat, fije teli) që nëpërmjet një ene gjaku (vene) vendosen në zemër. Përmes këtyre telave transmetohet informacion, dhe sipas një programimi të paracaktuar të pacemaker-it, nxiten impulse elektrike drejt muskulit të zemrës.

  • Dëgjojeni këngën “Do të shkrihem, të venitem…” të kënduar nga Aurela Gaçe (Teksti: Naim Frashëri)

    Dëgjojeni këngën “Do të shkrihem, të venitem…” të kënduar nga Aurela Gaçe (Teksti: Naim Frashëri)

    Ju ftojmë të dëgjoni të kënduar nga Aurela Gaçe këngën Bukuria, me tekst të Naim Frashërit, kënduar së pari nga grupi kosovar Fisnikët.

    Naim Frashëri: Bukuria

    Do të shkrihemTë venitem,Si kandili kur s’ka vaj.Balt’ e pluhurDo të bëhem,Të më shkel një këmb’ e saj;E të prehemDuke puthurAtë këmbë pasandaj.A s’më thua,Ç’ke me mua?Pse të dua paskam faj?Pse heq unëHidhërime,A në vdekça, ti mos qaj…Vdekja ime,S’të prish punë,Haj, e zeza jetë, haj!

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    AURELA GAÇE KA DY FJALË PËR KRITIKËT E FESTIVALIT: NJËHERË I QUANI TRADHTARË DHE MË PAS I NGRINI NË PIEDESTAL

  • Ndahet nga jeta kolosi i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti

    Ndahet nga jeta kolosi i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti

    Është ndarë nga jeta në orët e para të 1 shtatorit, regjisori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

    Lajmin e hidhur e dha e bija, Juna, përmes një publikimi në rrjetet sociale, ku shkroi: “Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës. Lamtumirë babush!”

    Dhimitër Anagnosti ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.

    Ai lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator. Anagnosti ka realizuar filma, në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit e gjithashtu ka shkruar romane dhe drama.

    Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” – sipas tregimit të Hemingway-t, që u vlerësua me “Çmimin e Parë” në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Hollandë (1961).

    Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar. Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera.

    Filmat më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006).Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10 të Filmit Artistik Shqiptar.

    Ka qenë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe në vitin 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e parë demokratike.

    Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011)./atsh/KultPlus.com

  • U kapën me 1 kg kokainë në një lokal në Tiranë, arrestohen 4 persona, sekuestrohen drogë, para dhe 2 automjete

    U kapën me 1 kg kokainë në një lokal në Tiranë, arrestohen 4 persona, sekuestrohen drogë, para dhe 2 automjete

    Katër persona janë arrestuar në Tiranë pasi u kapën në flagrancë në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, duke mbajtur një kilogram kokainë me qëllim shitjen. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan 1 kg e 65 gram kokainë, dy automjete tip “Benz”, katër aparate celularë dhe një shumë parash, të gjitha të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Dyshohet se të arrestuarit përdornin automjete të ngjashme për të shpërndarë lëndën narkotike dhe për të shmangur vëmendjen e autoriteteve.
    “Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Twins”. U kapën në flagrancë në një lokal me një pako me lëndë narkotike kokainë, vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen 1 kg e 65 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 2 automjete tip “Benz”, 4 aparate celular dhe një shumë parash. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Twins”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: -A. L., 25 vjeç, G. P., 30 vjeç, P. K., 18 vjeç dhe J. Z., 18 vjeç.
    Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit A. L dhe G. P, të cilëve iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen. Ndërsa shtetasit P. K dhe J. Z, shtetas grek, nuk kanë kallëzuar për krimin, shokë me 2 të arrestuarit e lartpërmendur. Më tej, nga hetimet ka rezultuar se shtetasit A. L. dhe G. P. përdornin automjetet e tyre tip “Benz”, të ngjashme me njëra-tjetrën, për transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, me qëllim konfuzimin e Policisë. Lënda narkotike, së bashku me 2 automjetet, celularët e shtetasve të arrestuar, dhe një shumë parash, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi dje policia.

  • Letra që Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij: Mësojeni- si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lot nuk është aspak turp…

    Letra që Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij: Mësojeni- si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lot nuk është aspak turp…

    195 vite më parë, pikërisht në vitin 1830, Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, i drejtohej mësuesit të djalit të tij me një letër. Kjo letër ia vlen të lexohet sërish, të paktën nga prindërit dhe mësuesit.

    Mësues i Nderuar,

    Djali im sot e fillon shkollën.

    Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.

    Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

    Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajë.

    Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.

    Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

    Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

    Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

    Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë me tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

    Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

    Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa me larg zilisë, nëse do të mundeni, dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje te çiltër.

    Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lot nuk është aspak turp.

    Mësojeni se mund të këtë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.

    Mësojeni t’i përqeshë cinikët. Mësojeni nëse mundeni, të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër. Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara. Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit. Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshitë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën. Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën. Lejojeni te këtë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të këtë durimin për të qenë trim. Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në Zotin.

    Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.

    Me respekt, Abraham Lincoln

    Abraham Lincoln

    Lexo edhe:

    LETRA E ALBERT KAMY PËR MËSUESIN TË TIJ: PO TË MOS ISHIT JU…

  • Tragjedi në Afganistan! Mbi 600 viktima nga tërmeti vdekjeprurës që goditi vendin

    Tragjedi në Afganistan! Mbi 600 viktima nga tërmeti vdekjeprurës që goditi vendin

    Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Afganistanin mbrëmjen e së dielës është rritur ndjeshëm.

    Ministria e Brendshme e Talibanëve konfirmon se 610 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 1,300 të tjerë janë plagosur.
    Tërmeti, me magnitudë 6.0, goditi provincën verilindore Kunar pranë kufirit me Pakistanin rreth orës 23:47 me orën lokale. Sipas Qendrës Gjermane për Gjeoshkencë, epiqendra u regjistrua në një thellësi prej 14 kilometrash dhe u pasua nga disa pasgoditje të forta, përfshirë një tërmet 5.2 ballë.
    Zonat më të goditura janë ato malore, ku banesat prej balte e guri janë shembur plotësisht, duke rrafshuar disa fshatra të tërë. Pamjet nga vendngjarja tregojnë helikopterë që transportojnë të plagosurit dhe banorë që ndihmojnë ekipet e shpëtimit për të nxjerrë trupat nga rrënojat.
    Zëdhënësi i qeverisë së Talibanëve, Zabihullah Mujahid, deklaroi se ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje dhe grupe ndihme janë nisur nga Kabuli dhe provincat fqinje. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej, pasi shumë zona janë ende të paarritshme.
    Afganistani është një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet për shkak të pozicionit të tij në vargun malor Hindu Kush. Kujtojmë se në tetor 2023, një tërmet 6.3 ballë shkaktoi mijëra viktima dhe u cilësua si fatkeqësia natyrore më e rëndë e viteve të fundit në vend.

    Top Channel

  • Kthjellime dhe ulje temperaturash, si parashikohet moti për këtë të hënë

    Kthjellime dhe ulje temperaturash, si parashikohet moti për këtë të hënë

    Vendi ynë e nis muajin shtator nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike.

    Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), gjatë ditës së sotme pritet mot kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të vendit.
    Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, në zonat kodrinore e malore do të shfaqen vranësira të pakta deri mesatare, por pa reshje.
    Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi në drejtim të veriperëndimit me shpejtësi mesatare rreth 4 m/s, ndërsa herë pas here, sidomos në lugina dhe përgjatë bregdetit, pritet të arrijë deri në 8 m/s. Sa i përket kushteve në det, valëzimi do të jetë i ulët, 1 deri në 2 ballë.

    Top Channel