Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja ka akuzuar dje qeverinë Rama për braktisjen e pensionistëve shqiptarë. Ajo thekson se të dhënat zyrtare tregojnë rënie alarmante të shkallës së zëvendësimit të pensioneve, duke thelluar hendekun mes pagave dhe të ardhurave të të moshuarve. “Qeveria Rama ka braktisur pensionistët shqiptarë, duke i lënë në një mjerim të thellë ekonomik dhe shoqëror. Të dhënat e fundit flasin qartë, hendeku mes pensioneve dhe pagave është zgjeruar në mënyrë dramatike. Sipas të dhënave të fundit, shkalla e zëvendësimit të pensioneve urbane ka rënë nga 37,6 % në vitin 2020 në vetëm 31,2 % në vitin 2024, ndërsa për zonat rurale ajo ka zbritur nga 35,7 % në 29,7 %, nivel ky që për herë të parë ka rënë nën 30 %. Ky është tregues i një sistemi të dështuar, ku pleqëria në Shqipëri nuk është e mbrojtur, por e braktisur. Ky është realiteti i hidhur, të moshuarit tanë janë të detyruar të zgjedhin mes bukës së gojës dhe ilaçeve, ndërsa qeveria flet për “suksese imagjinare”.
Ky është krim social dhe një turp kombëtar. Në vend që të ndërtojë një strategji afatgjatë për pleqërimin e shëndetshëm dhe dinjitoz, qeveria mban pensionistët peng të politikave elektorale, duke shpërndarë ndihma të vogla vetëm para zgjedhjeve, ndërsa gjatë gjithë viteve i lë në harresë. Kjo nuk është qeverisje, por mashtrim i pastër. Partia e Lirisë e ka pensionistin në qendër të programit të saj politik. Ne nuk i shohim si barrë, por si themel të shoqërisë. Reforma për rritjen dhe dinjitetin e pensioneve është një nga prioritetet madhore në programin tonë, 5 prioritete për katër milionë shqiptarë plus, ku fokusi kryesor është tek: Rritja e menjëhershme dhe e ndjeshme e pensioneve, duke vendosur objektivin që pensioni mesatar të afrohet me pagën mesatare dhe jo të mbetet në kufijtë e varfërisë. Indeksim real dhe automatik të pensioneve.
Reformim tërësor të sistemit të pensioneve, për ta bërë atë të qëndrueshëm dhe të drejtë, duke mos e kthyer në një makineri burokratike që dëmton qytetarët. Mbështetje të veçantë për pensionistët në fushën e shëndetësisë dhe shërbimeve sociale, sepse pleqëria duhet të jetë periudhë dinjiteti, jo periudhë vuajtjesh. Ne i themi sot qartë Edi Ramës dhe qeverisë së tij, mjaft u tallët me pensionistët! Ata nuk janë numra për propagandën tuaj, por qytetarë që kanë sakrifikuar për këtë vend. Varfërimi i tyre është dëshmi e qartë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë që prej 12 vitesh nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar këtë realitet”, thuhet në deklaratë.
Month: September 2025
-

PL: Pensionistët shqiptarë, të braktisur nga shteti në një mjerim të thellë ekonomik dhe shoqëror
-

“Ka punuar më shumë se të gjithë”, Ivi Kaso: Berisha të amnistohet prej analizës së humbjes së zgjedhjeve
Mes dilemës së pranimit apo refuzimit të mandateve, demokratët janë në pritje të mbledhjes së forumeve për të shuar pikëpyetjet për rrugën në të cilën duhet të ecë opozita në legjislaturën e re. Koha nuk është në anën e opozitarëve, pasi më 10 shtator mbaron mandati i Kuvendit të vjetër dhe pritet të thirret i riu, duke imponuar vendimmarrje të shpejtë. “Dilema është legjitime, që opozita të përballet me këto institucione, pavarësisht që nuk ia njeh legjitimitetin, apo thjesht të mjaftohet me mosnjohjen dhe injorimin e tyre. Ditët e para të muajit shtator, Kryesia e PD, Këshilli Kombëtar dhe – unë kam propozuar bashkë me shumë kolegë të tjerë – mbajtjen e një Kuvendi Kombëtar në një kohë të afërt, i cili do të përcaktojë piketat kryesore të aksionit politik të Partisë Demokratike dhe do të marrë vendimmarrje të rëndësishme”, shprehet Ivi Kaso, deputet i zgjedhur i PD. Të vjetrit propozojnë rrugë radikale, por të rinjtë, të cilët presin për t’u ulur për herë të parë në karrigen e deputetit, mbështesin opsionin e betejës brenda institucioneve. “Qëndrimi im është që PD nuk ka luksin të braktisë asnjë llogore beteje.
PD dhe opozita duhet t’i marrin mandatet, pavarësisht se në një Parlament të cilit i mungon tërësisht legjitimiteti – i dalë nga një palë zgjedhje që kanë qenë tërësisht të pabarabarta – duhet që betejën e saj ta bëjë dhe ta çojë përpara edhe në këto forume”, u shpreh Ivi Kaso në një intervistë. Deputeti i zgjedhur Kaso pranon se rifreskimi i strukturave dhe riformatimi i partisë pas humbjes nuk duhet të jetë tabu. PD duhet të vendosë gishtin në plagë për të kuptuar edhe gabimet e saj, përmes një analize që nuk duhet të përdoret për “koka turku”. “Kjo analizë është koha të fillojë nga lart-poshtë, pra që nga vlerësimi i performancës së Kryesisë së Partisë Demokratike, me drejtuesit politikë, sekretarët e saj, hierarkinë e lartë ekzekutive, për të kaluar më tej tek vlerësimi i punës së secilit anëtar të Këshillit Kombëtar, më pas të kalojë në vlerësim performance në nivel degësh, grup seksionesh, duke shkuar deri tek seksioni më i fundit. Kështu, dhe kjo historia e rifreskimit dhe e riformatimit të partisë sigurisht nuk është një tabu.
Pas një procesi elektoral të tillë, siç ishte farsa zgjedhore e 11 majit, partia ka nevojë të shohë qoftë edhe një brez të ri që afrohet për të marrë përgjegjësitë politike dhe organizative që i takojnë”, shtoi ai. Për analizën, propozon që të ngrihet një grup pune në përbërje të së cilit të jenë personalitete të Partisë Demokratike që nuk ishin pjesë e garës elektorale të 11 majit, ndërsa prej saj duhet të amnistohet vetëm kryetari i PD, Sali Berisha, i cili, në bindjen e Ivi Kasos, ka punuar më shumë se të gjithë. -

Të huaj në turizëm… për të punuar
Sektorë si akomodimi dhe shërbimi në bare dhe restorante po bëhen gjithnjë e më të varur nga fuqia e huaj punëtore, për shkak të mungesës së stafit vendas edhe pse ata nuk flasin shqip. Ekspertët paralajmërojnë se tendenca e punësimeve të huaja do të vijojë të rritet për shkak të kërkesës nga sektori i turizmit, por për të pasur zgjerim të qëndrueshëm të stafeve të huaja, ata rekomandojnë struktur…
-

Tritan Shehu ngre alarmin: Presidenti Trump dhe SHBA, nën sulmin e propagandës ‘gebeliste’ të së majtës populiste
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka ngritur alarmin, teksa shkruan në rrjetet sociale se presidenti Donald Trump dhe SHBA, nën sulmin e propagandës “gebeliste” të së majtës populiste. “Refleksion: Një ”tsunami” propagandistik, që të kujton “makinerinë Gebels“, kërkon të shkatërroje rolin, imazhin, autoritetin e Presidentit Trump… Atë që ai e SHBA po kërkojnë të realizojnë sot në një ambjent tejet të vështirë e të deformuar shpesh herë. Një propagandë që kërkon të ”bindë“ opinionin se Trump është nën ”shërbimin“ e Rusisë, që paguhet nga Moska, si dhe për njëqind akuza të tjera sureale ndaj tij. Të ngjashme këto me akuzat me ato që ne dëgjonim rëndom edhe në Shqipëri gjatë diktaturës.
Pa asnjë fantazi, fotokopje e propagandave të rregjimeve, të dështuara edhe gjatë procesit elektoral të zgjedhjes Trump. Një valë propagandistike kjo e një të majte populiste, që vetëm bën demagogji, që tentoi të shkatërrojë vlerat themelore e universale të shoqërisë, familjes, të egzistencës sonë. Që veçse deformon demokracitë duke deformuar sistemet e drejtësisë aty ku ajo është e brishtë. Një e majtë populiste kjo që nuk ka qenë e afte të zgjidhi dhe çeshtjet më themelore në Europë. Pa folur ketu për ato botërore. Që bllokoi procesin Bush për të futur në NATO në momentin e favorshem Ukrainën e Gjeorgjinë. Që i dhuroi Krimenë pak vite më parë Rusisë.
Dhe tashti pa asnjë opsion, rrugëdalje veçse kërkon të çvlerësoje rolin Trump, përpjekjet e tij për paqe, në një situatë vërtet të veshtirë e komplekse për ta arritur atë. Një propagande “bajate” kjo, por e gjerë, e shtrirë që nga ai vend i madh, garanci e paqes e stabilitetit në Botë… E gjer në skutat mediatike të lidhura me atë të majtë në Tiranë. Pa dyshim e frymëzuar, e dirigjuar nga “zyrat” e rregjimit këtu, si avangardë e saj. Kujdes, nuk duhet rënë pre dhe viktimë e kësaj propagande të shpifur”, shkruan Shehu. -

Të vërtetat rreth komisioneve të ATM-ve
Komisionet për tërheqjen e parave nga ATM-të janë bërë në disa raste objekt ankesash, sidomos nga turistët e huaj. Bankierët shpjegojnë se paraja fizike ka gjithmonë kosto të lartë, sidomos kur bëhet fjalë për ATM të vendosura në zona turistike. Ata këshillojnë minimizimin e tërheqjeve të parasë cash, duke paguar sa më shumë të jetë e mundur me kartë në terminalet POS. Ersuin ShehuRritja …
-

Pagesat me kartë po rriten me ritme të shpejta
Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri një rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh.Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 19.6 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.Në krahasim me vitin 2020, …
-

Shuhet gjeniu i kinemasë shqiptare në artin regjisorial
Është shuar ai që pa droje mund të konsiderohet si regjisori më i madh i kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.
Një bregas nga Vunoi, ai u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas filima e personazhe ikonikë.
Në karrierën e tij 40-vjeçare realizoi 14 filma artistikë dhe dhjetë filma dokumentarë. Ishte autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e shkroi vetë.Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze u nderua me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar.
Pas rënies së komunizmit do kishte dhe një angazhim të shkurtër politik me PD-në. Ishte ministër Kulturë në qeverinë e parë demokratike, post të cilin e mbajti dy vjet, nga 92-shi e deri në 94-ën, si dhe deputet i PD-së nga viti 1991 deri në vitin 1996.
Galeria e filmave të tij:
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)
-

Shqipëria e fundit në rajon për ndihmën ekonomike, 7 mujori i 2025 në nivelin më të ulët të 6 viteve
Shqipëria ofron nivelin më të ulët në rajon dhe në BE të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, por ndërkohë që fondet për këtë zë, në vend që të rriten për të zbutur nevojat e paplotësuara të familjeve të varfra, kanë ardhur në ulje sistematike.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 7-mujorin 2025, fondet për ndihmën ekonomike ishin 12.8 miliardë lekë. Të krahasuara me të njëjtën periudhë të vitit 2023, ato ishin 5% më pak.
Mbështetja financiare për familjet në nevojë po tkurret ndjeshëm. Fondet e ndihmës ekonomike të akorduara nga buxheti i shtetit gjatë shtatë-mujorit të parë të vitit 2025 kanë arritur nivelin më të ulët të gjashtë viteve të fundit.
Në vitin 2020, fondet e dedikuara për këtë kategori shënuan nivelin më të lartë prej 14.5 miliardë lekësh, kryesisht për shkak të nevojave të shtuara që solli pandemia COVID-19. Megjithatë, që prej atij viti, shpenzimet për këtë program kanë njohur ulje të vazhdueshme. Në 2021, fondet ranë në 13.9 miliardë lekë, ndërsa në 2022 zbresin më tej në 13.492 milionë lekë.
Viti 2023 shënoi një rikthim të lehtë me fondet që u rritën në 13.7 miliardë lekë, por kjo tendencë pozitive nuk u ruajt gjatë. Në 2024, shpenzimet për ndihmën ekonomike ranë sërish në 13.5 miliardë lekë, ndërsa në shtatë-mujorin e parë të vitit 2025 ato arritën vetëm 12.9 miliardë lekë, niveli më i ulët që prej vitit 2020.
Në të njëjtën kohë, inflacioni dhe kostoja e jetesës janë rritur. Reduktimi i mbështetjes për shtresat më të brishta po thellon më tej pabarazinë. Këtë fakt e vuri në dukje edhe një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara, në të cilin u theksua se politikat fiskale të Shqipërisë nuk kishin ndihmuar në uljen e pabarazisë.
Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për mbrojtje sociale në raport me PBB-në në rajon dhe në Bashkimin Europian.
Banka Botërore, në një raport të fundit, theksoi se mbështetja financiare për familjet në nevojë në Shqipëri është vetëm 70 euro, në një kohë kur Federata e BiH jep 304 euro, Serbia 282 euro, Mali i Zi 267 euro, Maqedonia e Veriut 207 euro dhe Kosova 191 euro.
Ndërkohë, presioni mbi familjet me të ardhura të ulëta po rritet për shkak të inflacionit të lartë dhe rritjes së kostos së jetesës. Për shumë familje shqiptare, ndihma ekonomike përbën burimin e vetëm të të ardhurave, por shuma aktuale e alokuar është shumë poshtë minimumit jetik dhe nuk mbulon nevojat minimale mujore.
Ndërsa Shqipëria aspiron integrimin në Bashkimin Europian, diferenca në nivelin e shpenzimeve për mbrojtjen sociale nuk favorizon synimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE brenda vitit 2030./MONITOR/
-

Tom Doshi debitor, UKT i ankohet Celibashit: Nuk po na paguan faturat e ujit…
Ndërmarrja e UKT i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qendrot të Zgjedhjeve, në të cilën e bën me dije se subjekti politik PSD, me kryetar Tom Doshin, rezulton të jetë debitore në vlerën 336,819.4 Lekë të rinj.
Fatura rezulton të jetë e pashlyer deri në 21 Gusht, por UKT ka njoftuar KQZ me besimin ky institucion do ta nxisë partinë e Tom Doshit që të shlyejë detyrimet mujore.
UKT bën me dije se brenda 30 ditëve kërkohet shlyerja e detyrimeve, në të kundërt ky institucion do të veprojë duke ndërprerë furnizimin me ujë.
Në shkresën e Ujësjellës Kanalizime Tirana sqarohet se fatura për ujin rezulton të jetë 306,180.00 Lekë të rinj dhe me një kamatë vonesë prej 30,639.40 Lekë të rinj. -

Regjisor, deputet dhe ministër! Kush ishte Dhimitër Anagnosti, trashëgimia e pavdekshme në kinematografi
Sot, 1 shtator, arti shqiptar humbi një nga ikonat e tij më të mëdha. Dhimitër Anagnosti, regjisor, skenarist dhe artist i jashtëzakonshëm, la gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare dhe në zemrat e publikut.
Po kush ishte Dhimitër Anagnosti?
Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno të Vlorës më 23 Janar 1936 dhe është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954-1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.
Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Ai është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).Në 12 Prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar”, Roza Anagnosti.Kjo e fundit e kujtonte kështu takimin e tyre të parë:
Takimi i parë me Dhimitrin ka qenë në kinoprova, ku ai ishte në kamera, por syri i kameras e fiksoi mesa duket… Pas këtij filmi ne u fejuam. Dhe tek filmi “Komisari i dritës” ne ishim të sapomartuar dhe Dhimitri ishte regjisor i filmit. Anagnosti për mua është një idhull, jo vetëm si bashkëshort, por edhe si koleg. Ai është një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nuk gjej fjalë për të… Edhe tani ai më nxit të vazhdoj karrierën, ka vlera të jashtëzakonshme dhe është shumë modest…Lexo më shumë
Si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në 85-vjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, dekoroi regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Dhimitër Anagnosti mbetet një ikonë e kinemasë shqiptare, një artist dhe mentor i paharrueshëm, i cili ka lënë gjurmë të thella në kulturën dhe artin e vendit.