Month: September 2025

  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e hënë, 1 shtator 2025…

    MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e hënë, 1 shtator 2025…

    Pritet rritje e vlerave barike në territorin shqiptar duke sjellë mot të qëndrueshëm po të freskët.
    Parashikohet që paraditja në vendin tonë të jetë nën mbizotërimin e intervaleve me diell. Ndërsa përgjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet që në zonat malore veriore dhe juglindore të ketë kalime të lehta të vranësirave, të cilat nuk do të mund të sjellin reshje në territorin e vendit.
    Temperaturat e ajrit do të rriten në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 13°C temperatura më e ulët deri në 30°C vlera më e lartë në rang vendi.
    Era do të fryjë mesatare, duke arritur shpejtësinë 40 km/h nga drejtimi kryesisht lindor; kjo do të bëj që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 3 ballë.

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • Vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajve shtator-tetor në Teatrin Kombëtar, drama dhe komedi në skenë

    Vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajve shtator-tetor në Teatrin Kombëtar, drama dhe komedi në skenë

    Nga Julia Vrapi
    Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar përmban premiera teatrore, por dhe shfaqje të tjera që janë produksione të këtij institucioni më parë apo edhe në bashkëpunim me teatro të tjerë në rrethe. Drama dhe komedi do të jenë përgjatë dy muajve shtator-tetor në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina”, që do të nisin të shfaqen që në ditët e këtij muaji në skenë për publikun. Shtatori sjell në skenë komedinë “Kërkohet një tenor”.
    Komedi nga Ken Ludwig me regji nga Armand Bora, që do të jetë në skenë për publikun në datat 18,19, 20, 21 shtator si dhe në datat 25, 26, 27, dhe 28 shtator. Kjo shfaqje teatrore shënoi më parë këtë vit premierën në skenën e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, për t’u shfaqur më pas edhe në TK. Komedia “Kërkohet një tenor” është një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar dhe teatrit “Migjeni” në Shkodër.
    Në këtë komedi që do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar këtë muaj ngjarjet zhvillohen në vitin 1934 në një suitë hoteli, ku një sërë ngatërresash, keqkuptimesh dhe situatash komike lindin nga ardhja e një tenori të famshëm italian. Pjesë e komedisë janë aktorë të përzgjedhur nga të dy teatrot. Në role janë Helidon Fino, Pjerin Vlashi, Genti Deçka, Ilirda Bejleri, Elia Zaharia, Flaura Kureta, Niada Saliasi dhe Fritz Selmani.
    Në vijim të sezonit artistik në skenën e Teatrit Kombëtar do të rikthehet edhe shfaqja “Ferma e kafshëve”. Një përshtatje e veçantë e alegorisë së famshme nga George Orwell, që flet për pushtetin, manipulimin dhe shpresën. Me regji nga Driada Dervishi shfaqja do të jetë në skenë në datat 2-3-4-5 tetor. Në “Fermën e kafshëve” në role janë aktorët Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, etj. “Ferma e kafshëve” produksion i Teatrit Kombëtar shënoi më parë premierën në vitin 2021, por nuk ka munguar edhe skenat e teatrove të tjerë në vend.
    “Turjela” në tetor në skenë
    Muaji tetor sjell një tjetër shfaqje që është produksion i Teatrit Kombëtar më parë. Vepra teatrore “Turjela” vjen në skenë me ngjarje, që zhvillohen në Shqipëri në kohën e diktaturës.  “Turjela” shkruar dhe me regji nga Saimir Gongo do të jetë në skenë në datat 9, 10, 11, 12 tetor për publikun. Në role janë aktorët Helidon Fino, Olta Daku, Myzafer Zifla, Neritan Liçaj, Indrit Çobani. Shfaqja teatrore “Turjela” erdhi më parë premierë në maj 2024 në Teatrin Kombëtar. Sigurimi i shtetit ka një detyrë speciale për shkrimtarin Dritan Korami…të raportojë mendimet e gabuara të dikujt në familjen e tij! Nëse nuk e bën ndoshta mund të ketë pasoja për atë vetë dhe ai merr një vendim. Saimir Gongo i diplomuar për regjisurë pranë Akademisë së Arteve Tiranë ka zhvilluar aktivitetin si regjisor teatri dhe televiziv. U bë i njohur për publikun teatror të kryeqytetit me komedinë “Shtëpia pa dritare” shkruar dhe vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga vetë ai. Si dramaturg është dy herë fitues i festivalit “Netët e dramës shqipe” me pjesët “Shtëpia pa dritare dhe “Pengu”.

  • Skandal në Serbi, qeveria shndërron universitetin në kazermë policore, 34 studentë në listën e zezë të dekanit

    Skandal në Serbi, qeveria shndërron universitetin në kazermë policore, 34 studentë në listën e zezë të dekanit

    Një tjetër akt autoritar i regjimit të Aleksandër Vuçiçit ka ndezur zemërimin e studentëve dhe qytetarëve në Novi Sad. Studentët e Fakultetit të Filozofisë denoncojnë se dekani Milivoj Alanović, i mbështetur hapur nga pushteti i Beogradit, ka nisur kërcënime të drejtpërdrejta ndaj tyre vetëm pse guxuan të protestojnë kundër padrejtësive dhe kontrollit politik në universitet. Në një email zyrtar, Alanoviç u ka dërguar një listë me emrat e 34 studentëve “të papërshtatshëm” duke paralajmëruar se ndaj tyre do të hapen procedura disiplinore, një gjest tipik i regjimeve represive. Që prej 26 gushtit, kur dekani, i shoqëruar nga disa punonjës dhe policë, sulmoi me dhunë studentët që kishin bllokuar fakultetin, situata është përshkallëzuar.
    Brenda dhe jashtë godinës janë vendosur dhjetëra policë, të cilët jo vetëm që pengojnë hyrjen e studentëve dhe pedagogëve, por kanë shndërruar institucionin e dijes në një pikë kontrolli policor. Përplasjet kanë qenë të ashpra: ditën e parë pati arrestime dhe dhunë ndaj protestuesve, ndërsa ditët në vijim policia dhe xhandarmëria kanë përdorur gaz lotsjellës, bomba shokuese dhe mjete piroteknike për të shpërndarë studentët. Pamjet që vijnë nga Novi Sadi tregojnë një realitet të dhimbshëm, rinia që kërkon liri e demokraci po përballet me represion brutal, ndërsa regjimi i Vuçiçit, i frikësuar nga zëri i studentëve, po përpiqet të shuajë çdo akt kundërshtie.
    Qeveria serbe, që prej kohësh akuzohet për kapjen e institucioneve dhe dhunë sistematike ndaj opozitës dhe qytetarëve, po provon edhe një herë fytyrën e saj autoritare. Shkolla e lartë është kthyer në arenë dhune, ndërsa Vuçiçi dhe njerëzit e tij shohin tek studentët një kërcënim real ndaj pushtetit të tyre të korruptuar.

  • “4 vite burg për tregtimin e ushqimeve të dëmshme”, siguria ushqimore, ashpërsohen masat me Kodin e ri Penal

    “4 vite burg për tregtimin e ushqimeve të dëmshme”, siguria ushqimore, ashpërsohen masat me Kodin e ri Penal

    Kodi i ri penal sjell shtimin e veprave penale që lidhen me sigurinë ushqimore, dhe konkretisht me prodhimin e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin, ofrimin e ushqimit të pasigurtë, mashtrimin me produktet ushqimore dhe paraqitjen e rremë të produktit ushqimor. Referuar nenit 458 të draftligjit, “Prodhimi, përpunimi, ruajtja, tregtimi, importimi, eksportimi i ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera ushqimore, përdorimi i kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë në kundërshtim me standardet ligjore të lejuara, ose përdorimi i tyre te kafshët dhe bimët që përdoren si ushqim, në kundërshtim me kërkesat ligjore, duke i bërë ushqimet të pasigurta për konsum, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në 4  vjet. Vepra penale Ofrimi i ushqimit të pasigurtë kriminalizon therjen e kafshëve për shitje ose përdorimin e produkteve shtazore për konsum njerëzor, duke e ditur që atyre iu janë përdorur trajtime terapeutike me substanca të dëmshme.
    Dënimi në këtë rast shkon deri në 4 vjet burg.   Është kriminalizuar gjithashtu hedhja për konsum publik e mishit ose produkteve të kafshëve të destinuara për ushqim, pa respektuar periudhat e pritjes, të parashikuara në ligj. Sipas nenit 460 mbi mashtrimin me produktet ushqimore “Importimi, prodhimi, ruajtja, falsifikimi, publiciteti, tregtimi apo vendosja në qarkullim me ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, materialeve ose lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë, në të cilët janë shënuar të dhëna të cilat nuk i korrespondojnë përmbajtjes, llojit, kategorizimit, prejardhjes, sasisë apo cilësisë së produktit apo produkte pa të dhënat e mësipërme, siç parashikohet në legjislacionin në fuqi, dënohet me burgim deri në tre vjet”.
    Vepra penale Paraqitja e rremë e produktit ushqimor bën të ndëshkueshëm penalisht me burg deri në 6 muaj ofrimin në treg të produkteve ushqimore duke mos plotësuar ose ndryshuar kërkesat e përcaktuara në ligj për skadencën ose përbërjen, fshehjen ose marrjen e produkteve ushqimore që synohen të bëhen të papërdorshme ose të dezinfektohen, me qëllim tregtimin e tyre. Gjithashtu vepra penale Prishja e shenjave të organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore ndëshkon heqjen ose ndryshimin e shenjave bllokuese apo ushtrimin e aktivitetit pas bllokimit në kundërshtim me masat e përkohshme ose përfundimtare, të vendosura nga organet inspektuese të autoritetit kombëtar të ushqimit, me qëllim prodhimin ose tregtimin e ushqimeve të pasigurta. Dënimi për këtë vepër është deri në 3 vite burg.

  • Stuhia e fuqishme godet vendin, përmbytje masive, dëme në bujqësi dhe dhjetëra fshatra pa energji

    Stuhia e fuqishme godet vendin, përmbytje masive, dëme në bujqësi dhe dhjetëra fshatra pa energji

    Stuhia e fuqishme që goditi Greqinë perëndimore la pas shkatërrime të mëdha në disa qytete, me dëmet më të rënda të regjistruara në Korfuz, Kostur, Grevena, Kozan dhe Janinë. Në Korfuz, brenda vetëm një ore ranë 126 milimetra shi, duke e kthyer qytetin në një liqen. Rrugët u përmbytën, dyqane u dëmtuan rëndë në zonën e Spilias, ndërsa rruga drejt aeroportit u bë e pakalueshme për orë të tëra. Probleme të mëdha pati edhe në qarkullimin ajror, pasi 29 fluturime u anuluan ose devijuan në Aktio, Selanik e Janinë.
    Ndërkohë, Kasturi u përball me një stuhi të papritur që shkaktoi dëme të mëdha në kulturat bujqlsore por edhe në qytet. Era me shpejtësi mbi 100 km në orë shkuli pemë, shkatërroi prodhimin e fasuleve dhe mollëve, ndërsa qindra familje mbetën pa energji për orë të tëra. Disa automjete u dëmtuan kur pemët ranë mbi to, ndërsa rrugë të tëra u bllokuan.
    Në Kozan dhe Grevena, një fenomen që banorët e përshkruan si “ciklon i vogël” shkaktoi kaos. Pa shi dhe pa vetëtima, por vetëm me erëra të fuqishme, shpërthyen 9 zjarre. Linjat elektrike u dëmtuan rëndë, duke lënë mbi 38 fshatra pa energji për shumë orë. Shërbimet e zjarrfikësve ndërhynë në dhjetëra raste për të prerë pemë dhe për të shpëtuar shtëpitë që rrezikoheshin nga flakët.
    Në Janinë, në sheshin Mavili, një erë e furishme shembi skenën e një koncerti vetëm pak orë para se të fillonte. Për fat, teknikët dhe punonjësit shpëtuan pa lëndime, megjithëse dëmet materiale janë të pallogaritshme. Koncerti u anulua, ndërsa qyteti u përball me dëme të shumta në hapësira publike dhe biznese.Stuhia e mbrëmshme gjatë së cilës u regjistruan mbi 20000 rrufe në këto zona, tregoi edhe një herë fuqinë shkatërruese të motit ekstrem, duke lënë pas një panoramë të zymtë, me dëme në bujqësi, infrastrukturë dhe ekonomi lokale.

  • Largohet nga BKH pas 5 vitesh Aida Hajnaj, drejtimin e merr zv.drejtori-Gara për kreun e hapur

    Largohet nga BKH pas 5 vitesh Aida Hajnaj, drejtimin e merr zv.drejtori-Gara për kreun e hapur

    Aida Hajnaj

    TIRANË-Sot përfundon mandati pesëvjeçar i Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, më 1 shtator 2025, ora 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit me rend dite “Diskutimi/miratimi i Projektvendimit: Për lirimin nga detyra të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”. 
    Mbledhja do të zhvillohet në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT. Drejtimin e institucionit do ta mbajë përkohësisht zëvendësdrejtori, duke siguruar vijimësinë e punës hetimore.

    NJOFTIMI

    Me përfundimin e mandatit 5-vjeçar të Hajnajt gara për kreun e ri të BKH është tashmë e hapur. Sipas rregullores, ndiqen 6 hapa për emërimin e kreut të BKH-së, të cilat janë: verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi për aftësitë fizike, ese me shkrim dhe test për arsyetim logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi.
    Tek pika e fundit parashikohet edhe përzgjedhja e katër kandidatëve më potencialë, që i dërgohen drejtuesit të SPAK. Në garë janë: Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano dhe Joni Keta. Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i institucionit, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra. Mandati i drejtuesit të Byrosë është 5 vjet. 
    Mandati i Aida Hajnajt
    Aida Hajnaj mori zyrtarisht detyrën më 1 shtator 2020 dhe mandati i përfundon në muajin gusht. Pas 8 muajsh verifikime, SPAK zgjodhi Aida Hajnajn në krye të BKH-së, e cilësuar ndryshe si FBI-ja shqiptare. Asokohe, Hajnaj mbante postin e zv.drejtores së Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Hajnaj mori detyrën pas përzgjedhjes në një proces që nisi me 40 kandidatë dhe në fund mbetën 4 finalistë. Bashkë me të garuan edhe Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj. Kandidatëve iu bë “vettingu”, një test me shkrim dhe fizik, e po ashtu edhe testi i së vërtetës (poligrafi)./ZËRI

  • Euro forcohet lehtë, fundi i sezonit rrit vlerën e monedhës europiane

    Euro forcohet lehtë, fundi i sezonit rrit vlerën e monedhës europiane

    Monedha europiane i është rikthyer rimëkëmbjes duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar në dy muaj. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë euro e ka mbyllur javën në kufijtë e 98 lekëve duke fituar gati 1 pikë brenda 10 ditëve .Ky vlerësim i euros vjen në një moment kur efektet sezonale të verës po zbehen, pasi jemi në fund të pikut të sezonit turistik. Gjatë muajve korrik–gusht, në vend u regjistrua hyrje masive e valutës europiane si nga turistët, emigrantët por edhe nga  investimet sidomos në blerjen e pasurive të paluajtshme duke ndikuar direkt në dobësimin e saj përballë lekut në kursin e këmbimit. Kjo konfirmohet edhe nga vlera e lartë e transaksioneve në monedhën europiane të cilat vetëm në korrik arritën vlerën e 556.4 milionë eurove duke regjistruar nivelin më të lartë  përgjatë këtij viti.
    Agjentët e këmbimit valutor parashikojnë se me përfundimin e sezonit turistik  monedha europiane do të fitoj territor përballë lekut duke vijuar që të ketë një forcim por pavarësisht kësaj  nuk parashikohet që të tejkaloj limitin e 100 lekëve. Megjithatë, dobësimi i euros  gjatë 2025-ës ka qenë më i përmbajtur krahasuar me vitet e kaluara. Nivelin më të lartë për këtë vit, euro e ka regjistruar në 30 janar, kur  arriti të këmbehej  me rreth 100 lekë dhe që nga ajo kohë ka humbur 2.85% të vlerës në raport me monedhën tonë. Një forcim të lehtë ka regjistruar edhe monedha amerikane kundrejt lekut gjatë ditëve të fundit .Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar po këmbehet me rreth 84 lekë.

  • Sigurimi i fermerëve, kush përfshihet në skemë? – Pagesat/ 9,600 lekë sigurim shoqëror në fushë, 7,350 lekë në mal

    Sigurimi i fermerëve, kush përfshihet në skemë? – Pagesat/ 9,600 lekë sigurim shoqëror në fushë, 7,350 lekë në mal

    Personat që punojnë në bujqësi si të vetëpunësuar kanë detyrimin të kontribuojnë për sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Ligji parashikon që për t’u siguruar, ata duhet të kenë mbushur moshën 16 vjeç, të jenë të aftë për punë dhe të mos kenë punësim apo sigurim në sektorë të tjerë. Sipas publikimit të bërë nga Instituti I Sigurimeve Shoqërore bujqit që përfitojnë statusin e të vetëpunësuarit duhet të kenë tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim sipas ligjit nr. 7501, ose me akt noterial. Ata duhet të zhvillojnë aktivitet bujqësor apo blegtoral, duke jetuar në të njëjtin nënqark ku kanë tokën, ose në fshat edhe kur toka ndodhet në një qark fqinj. Pagesat e sigurimeve kryhen çdo tre muaj dhe janë të detyrueshme, duke mbuluar pensionet, barrëlindjen dhe shërbimin shëndetësor.
    Për zonat fushore, kontributi tremujor për sigurim shoqëror është 9.600 lekë dhe 942 lekë për sigurim shëndetësor. Ndërsa për zonat malore, pagesa është më e ulët: 7.350 lekë për sigurim shoqëror dhe 942 lekë për shëndetësor. Në listën e zonave fushore përfshihen qarqe si Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja apo Korça, ndërsa zonat malore janë Skrapari, Peshkopia, Kukësi, Tropoja dhe të tjera. Ky sistem është menduar për t’i përfshirë fermerët në skemën e sigurimeve shoqërore dhe për t’u krijuar atyre të drejtën e pensionit, ndihmës ekonomike në raste të caktuara, si dhe mbrojtje shëndetësore. Por, pavarësisht detyrimit ligjor, pjesëmarrja e fermerëve mbetet e ulët. Sipas të dhënave, shumë bujq nuk i paguajnë rregullisht kontributet për shkak të të ardhurave të ulëta, çka rrezikon të ardhmen e tyre financiare.

  • Sherr mes dy grupeve, 2 të plagosur me thikë, 8 të arrestuar! Çfarë ndodhi mbrëmjen e kaluar në Korçë

    Sherr mes dy grupeve, 2 të plagosur me thikë, 8 të arrestuar! Çfarë ndodhi mbrëmjen e kaluar në Korçë

    PAMJE NGA VENDNGJARJA

    KORÇË-Një përplasja fizike mes dy grupeve u raportua mbrëmjen e djeshme (31 gusht) në një lokal në zonën e parkut të Korçës. Të rinjtë janë përfshirë në një sherr me thika ku si pasojë dy prej tyre, Sotiraq Shkurta dhe Mihal Xhibro u mbetën të plagosur.
    Mbrëmjen e djeshme pas konfliktit u shoqëruan në komisariat të dyshuar si autorë, shtetasit Ilir Shuku, Dritan Pine dhe Gersi Dervishi, ndërsa sot më shumë se 8 persona janë vënë në pranga, të cilët rezultojnë të kenë qenë pjesë e konfliktit masiv.

  • Tashmë një diplomë amerikane është vetëm një aplikim larg

    Tashmë një diplomë amerikane është vetëm një aplikim larg

    Interesi për programet e Rochester Institute of Technology në Tiranë mbetet i lartë, teksa akademia po hyn në raundin e dytë të aplikimeve. Kandidatët e rinj kërkojnë gjithnjë e më shumë diploma që kombinojnë standardet ndërkombëtare me mundësi reale punësimi, një fushë ku RIT Tirana është padyshim një alternativë e fortë në tregun shqiptar të arsimit të lartë.Një nga pikat që e veçon është stafi akademik: pjesa më e madhe e pedagogëve vijnë drejtpërdrejt nga kampusi i RIT në New York në Tiranë. Ky model i sjell studentëve eksperiencën e një universiteti amerikan pa pasur nevojë të largohen nga vendi, duke e bërë procesin e të mësuarit të njëjtë me atë të kampuseve në SHBA.Në korrik, u mbajt edhe një takim i rrjetit të alumni-ve të RIT në Shqipëri. Shumë prej tyre sot mbajnë pozicione të rëndësishme në kompani vendase dhe ndërkombëtare, duke krijuar një histori suksesi që tregon qartë vlerën e diplomës së fituar. Ky rrjet po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për studentët aktualë, si një urë drejt tregut të punës dhe mundësive të reja.RIT Tirana ka vendosur gjithashtu theksin te bashkëpunimi me industrinë. Përmes praktikave profesionale, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe përshtatjes së kurrikulës me nevojat reale të tregut, kjo akademi synon të krijojë një lidhje funksionale mes auditorit dhe ekonomisë reale.Në nivel global, RIT njihet për ekspertizën e tij në fushën e teknologjisë. Programi  I tij në cybersecurity renditet i 18-ti në Shtetet e Bashkuara, ai në teknologji renditet I 10-ti, e shumë të tjerë kanë rankime optimale,  duke u ofruar studentëve nga Tirana qasje në degët më të kërkuara sot në tregun ndërkombëtar.Një avantazh shtesë është mobiliteti akademik: studentët e RIT Tirana mund të kalojnë deri në dy semestra në kampuset e tjera të universitetit në New York, Los Angeles, Kroaci, Dubai apo Kosovë, pa pagesa shtesë mbi tarifën standarde në Shqipëri. Kjo e bën eksperiencën e tyre akademike të ndërkombëtarizuar dhe të përshtatshme për tregun global.Aplikimet për raundin e dytë janë të hapura.Aplikoni tani në rit.edu/tiranaWelcoming letter: Kliko ketu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.