Në tregun e këmbimit valutor, ditën e sotme (e hënë, 1 Shtator), një dollar amerikan do të blihet me 82.5 lekë dhe do të shitet me 83.8 lekë. Euro sot në tregun shqiptar të këmbimit valutor do të blihet me 97 lekë dhe do të shitet me 98.2 lekë.
Ndërkohë franga zvicerane do të blihet me 103 lekë dhe do të shitet me 104.3 lekë. Ndërsa paundi britanik do të blihet me 111.5 lekë dhe do të shitet me 112.8 lekë.
Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimit valutor, për monedhat e huaja:
Month: September 2025
-

Këmbimi valutor 1 Shtator/ Me sa blihen e shiten valutat e huaja
-

Mjekët zbulojnë ilaçin që sfidon aspirinën në parandalimin e infarktit të zemrës
Një zbulim i ri shkencor mund të ndryshojë udhëzimet mjekësore në mbarë botën. Mjekët kanë zbuluar se ilaçi clopidogrel është më i efektshëm se aspirina në parandalimin e infarkteve të zemrës dhe goditjeve në tru, pa rritur rrezikun për gjakderdhje serioze.
Prej dekadash, miliona njerëz janë këshilluar të marrin aspirinë në dozë të ulët çdo ditë për të parandaluar ngjarjet serioze kardiovaskulare. Aspirina ndihmon në hollimin e gjakut dhe duke ulur rrezikun për bllokime të arterieve.
Por, një studim i ri ndërkombëtar, i paraqitur në kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid dhe i botuar njëkohësisht në revistën The Lancet, tregon se clopidogrel, një hollues gjaku i përdorur gjerësisht është më efektiv se aspirina në parandalimin e këtyre ngjarjeve, pa rritur rreziqet për efekte anësore të rënda.
Studimi përfshiu një analizë gjithëpërfshirëse të të dhënave nga afro 29 mijë pacientë me sëmundje të arterieve koronare (CAD), forma më e zakonshme e sëmundjes së zemrës dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjes në nivel global.
Rezultatet treguan se pacientët që merrnin clopidogrel kishin 14% më pak rrezik për të pësuar infarkt, goditje në tru ose vdekje nga shkaqe kardiovaskulare, krahasuar me ata që merrnin aspirin. Po aq e rëndësishme ishte dhe gjetja se nuk kishte rritje të rasteve të gjakderdhjes së rëndë tek pacientët që përdornin clopidogrel.
Për shumë vite, aspirina ka qenë trajtimi standard për pacientët me CAD, shpesh për gjithë jetën. Megjithatë, ky studim sfidon këto udhëzime tradicionale, duke sugjeruar që clopidogrel duhet të jetë zgjedhja e preferuar për trajtim afatgjatë me ilaçe antitrombocitare.
Sipas autorëve të studimit një ekip mjekësh nga SHBA, Britania e Madhe, Australia, Zvicra dhe Japonia, përfitimet e clopidogrel ishin të dukshme edhe tek pacientët që zakonisht nuk reagojnë mirë ndaj këtij ilaçi për shkak të faktorëve gjenetikë ose klinikë. -

Dhimitër Anagnosti, poet i madh i dritës dhe i ekranit shqiptar…
Nga ILIR ÇUMANI
(Lamtumirë, Mjeshtër)
Kur largohet nga kjo botë një njeri i zakonshëm, si gjithmonë jeta vazhdon duke lënë pas gjurmët e një dhimbjeje që të shoqëron gjatë, por, kur largohet një artist i madh, jeta ndalet për një çast dhe shpirti kolektiv dridhet….
Kështu ndodhi sot me lajmin e ndarjes nga jeta e Dhimitër Anagnostit, mjeshtrit të madh të ekranit, Artist i Popullit dhe Nder i Kombit. Me të, Shqipëria humbi jo vetëm një regjisor, por një poet të dritës, një kronikan të shpirtit të saj, një artist që e ktheu realitetin e thjeshtë në art universal.
Anagnosti nuk ishte thjesht regjisor; ai ishte poet i imazhit, mjeshtër i rrëfimit, ku çdo plan filmik ishte një varg poezie dhe çdo sekuencë një metaforë e jetës.
Filmografia e tij është një mozaik i gjallë i fatit shqiptar: nga dashuria e pamundur, tek vuajtjet e luftës; nga dilemat morale të njeriut, tek triumfi i shpirtit njerëzor mbi vështirësitë.
Ai e ngriti kinemanë shqiptare në një dimension që i kapërcente kufijtë. Në artin e tij nuk mungonte as humori i hollë, as ironia e nënkuptuar, as tragjikja e fateve njerëzore.
Ekrani i tij nuk ishte kurrë i ftohtë; ishte gjithmonë i mbushur me ndjenjë, si një letër dashurie për popullin e vet.
Në filmat e tij shfaqet një enciklopedi e gjallë e jetës shqiptare. Ai e shihte njeriun jo si individ të izoluar, por si pjesë të një universi, të lidhur me zakone, me sofrën, me këngën, me dhimbjen kolektive.Në figurat e tij kinematografike gjejmë bujkun, intelektualin, nënën që pret të birin nga lufta, fëmijën që kërkon dritën e lirisë… Të gjitha këto arketipe, të mbledhura bashkë, formojnë ADN-në shpirtërore të kombit tonë.
Anagnosti ishte një antropolog i fshehtë: ai ruajti në film traditat, gjuhën e trupit, ritualet, mënyrën si shqiptarët gëzonin e vajtonin. Falë tij, shumë prej këtyre pasurive do të mbeten të gjalla edhe kur koha t’i ketë fshirë nga kujtesa e përditshme.
Në zemër të filmave të Anagnostit është gjithmonë drama e shpirtit njerëzor. Personazhet e tij nuk janë kurrë të thjeshtë. Ata përballen me zgjedhje të dhimbshme, me dilema morale, me ndjenja që i përplasin mes dashurisë dhe detyrimit, mes ëndrrës dhe realitetit.
Ai e kuptoi thellë se njeriu është një univers i brishtë, ku përplasen forcat e arsyes dhe të emocioneve. Prandaj filmat e tij nuk janë vetëm histori për t’u parë, por pasqyra ku shikuesi sheh veten. Ky dimension psikologjik i dha kinemasë shqiptare një thellësi që e afron me artin e madh botëror.
Anagnosti nuk e kuptonte artin si luks për elitën, por si bukë shpirtërore për shoqërinë. Në periudha të vështira politike dhe sociale, ai arriti të krijojë filma që i dhanë popullit jo vetëm argëtim, por edhe mendim të thellë e reflektim për shpresë.Ai ishte i vetëdijshëm se kinemaja ishte kujtesë kolektive, një arkiv i shpirtit kombëtar. Filmat e tij sot janë dokumente shoqërore po aq sa janë kryevepra artistike. Përmes tyre, gjeneratat e ardhshme do të kuptojnë si jetuan shqiptarët, si ëndërruan, si vuajtën dhe si rezistuan.
Dhimitër Anagnosti iku fizikisht, por ai mbetet i pranishëm në çdo ekran ku shfaqen filmat e tij, në çdo bisedë ku përmendet kinemaja shqiptare, në çdo zemër ku arti i tij ka lënë gjurmë. Ai është kujtesa e gjallë dhe e përjetshme e së përditshmes tonë, një dritë që nuk do të shuhet kurrë…
Të flasësh për të sot është një akt mirënjohjeje, por edhe një thirrje për të kuptuar se arti nuk është kurrë i rastësishëm: është kujtesë, identitet dhe përjetësi.
Dhimitër Anagnosti e bëri kinemanë shqiptare të flasë me gjuhën e përjetësisë. Dhe kjo është trashëgimia e tij më e madhe.Ishim fatlumë që shijuam dhe jetuam magjinë e artit tënd të rrallë!
Tashmë, Panteoni i Kulturës sonë Kombëtare e ka gdhendur me shkronja ARI emrin tënd të pavdekshëm, ashtu si italianët emrin e Fellinit.
Lamtumirë, miku im i shtrenjtë!
Të qoftë dheu i lehtë dhe pusho në paqen e merituar! -

“Na ka lënë një vepër madhështore”, Mevlan Shanaj: Ja episodi që më ka lënë mbresa me Anagnostin
Në një intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN, aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj kujtoi vitet e bashkëpunimit me ikonën e kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, i ndarë nga jeta këtë të hënë në moshën 89-vjeçare.
“Isha i ri dhe po xhironim në studio. Në atë kohë, ishte ideja nga stafet nga që këta të rinjtë po sjellin një kinema të re, në nënzëshme, jo të bërtitur. Dhe mjeshtri më thotë “ngrije zërin”. I them: “Nuk kam pse të ngre zërin unë, ti bëj si të duash, unë kështu do ta interpretoj…”. Anagnosti, që ishte strikt, një tel i sertë për rezistencën e së bukurës, nuk foli. Dëgjoi debatin mes meje dhe personelit teknik dhe nuk tha asnjë fjalë, vetëm “pushim”. Kjo ishte madhështia e tij”, tha Shanaj në një bisedë telefonike. “Reagimin e tij e mbaj mend prej 50 vitesh. Një reagim i matur, dinjitoz, dhe nuk ndërhyri. As mua nuk mund të më thoshte që je gabim por edhe teknikës nuk kishte çfarë t’i bënte dhe zgjodhi rrugën e mençurisë”.
“Publikut nuk do t’i mungojë madhështia e mendimit të Anagnostit. Ai do t’i mungojë shqiptarëve me kontaktin e tij fizik, por vepra që na ka lënë është madhështore”, shtoi ai. -

Policia e Shtetit hap aplikimet për 402 funksione në Patrullën e Përgjithshme
Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për 402 funksione në Patrullën e Përgjithshme.
Aplikimet janë të hapura nga 1 deri në 21 shtator 2025 pranë drejtorive vendore të Policisë. Çdo shtetas që plotëson kriteret ka të drejtë të aplikojë pranë drejtorive vendore të policisë ku ai ka vendbanimin e përhershëm.
Aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar; të jetë jo më shumë se 30 vjeç; të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat; të ketë përfunduar arsimin e mesëm (nuk përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e lartë); të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën; të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B; të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe të integritetit.
Shtetasit që shprehin dëshirën për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të policisë, jo më vonë se data 21.09.2025, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e policisë; formularin e dekriminalizimit; fotokopje të kartës së identitetit; diplomë të shoqëruar me listë notash, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (të noterizuara); fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; certifikatë të gjendjes gjyqësore; certifikatë familjare; skedën mjekësore (formular tip); vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale; vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale; vërtetim nga SPAK, që nuk është objekt hetimi; mandatpagesën e tarifës së aplikimit, i cili merret në drejtorinë vendore të policisë.
Për pranimin në polici, aplikantët duhet të kalojnë me sukses aplikimin; verifikimin dhe shqyrtimin e dokumentacionit; kontrollin shëndetësor; testimin me shkrim; testimin fizik, intervistën me gojë; verifikimin e besueshmërisë dhe integritetit, dhe marrjen e gjurmëve të gishtave.
Aplikanti skualifikohet dhe ndërpret procesin e konkurrimit në çdo fazë të tij nëse: nuk aplikon brenda afatit të përcaktuar; nuk dorëzon në kohën e aplikimit dokumentacionin e kërkuar; nuk plotëson kriteret e përcaktuara për t’u pranuar si aplikant; ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara; rezulton përdorues droge; rezulton të ketë varësi nga alkooli; nuk kalon kontrollin shëndetësor; nuk paraqitet në kohën e caktuar në njërën nga fazat e konkurrimit; nuk vlerësohet me të paktën 50% të pikëve në secilën prej fazave të konkurrimit.
Çdo aplikant ka të drejtën e ankimit për çdo fazë të procesit. Ankimimi behet nëpërmjet e-mailit, në adresën burimet.njerezore@asp.gov.al, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit për secilën faze të procesit. Komisioni i Ankimimit njofton aplikantin brenda 5 ditësh punë, në lidhje me vendimin e marrë.
Formulari i aplikimit, formulari i vetëdeklarimit, formulari i dekriminalizimit dhe skeda mjekësore shkarkohen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit ose merren fizikisht pranë drejtorive vendore të Policisë. Dokumentacioni i plotësuar dorëzohet pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm, brenda datës 21.09.2025.
Aplikantët të cilët kalojnë me sukses të gjitha proceset e pranimit, shpallen fitues nëse janë të renditur brenda kuotave të shpallura për konkurrim.
Aplikantët fitues i nënshtrohen trajnimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë për një periudhe 9-mujore (6 muaj trajnim teorik dhe 3 muaj praktikë pranë strukturave policore). -

Klevis Balliu: Qeveria do më shumë Gjergj Lucën se Shqipërinë
Në një postim të fundit në Facebook, Klevis Balliu ka komentuar satirikisht dhe në mënyrë kritike mbi Gjergj Lucën. Balliu adreson lidhjet mes Lucës dhe një trafikanti të arrestuar dhe shpreh përceptime të forta rreth imazhit dhe mbështetjes që Luca përfiton nga institucione e media të caktuara.
Postimi i plotë:
Gjergj Luca, ortaku i atij trafikantit të arrestuar, më kërcënon me procedim penal tek mediat e pushtetit si Carlo Baze & kompani. 450 procedime penale më ka bërë qeveria jote; nëse shtohesh edhe ti, nuk më impresionon aspak.
Luca është në fakt super peshkatar – duket sikur vetëm ai kap peshk. Aq shumë peshk ka kapur, sa ka ndërtuar një qytet të tërë që e quan “Fish City”.
Është i vetmi peshkatar, të paktën që njoh unë, që gëzon një mbështetje mediatike të jashtëzakonshme – aq të madhe sa do t’ia kishin zili çdo politikan në Shqipëri e më gjerë.
Gëzon edhe përkrahjen e qeverisë, dhe e dashuron qeverinë. Ka edhe ortakun trafikant. Janë këto personazhet që qeveria i do fort. Po sikur të donte qeveria Shqipërinë dhe shqiptarët aq sa i do këta, sot Shqipëria do ishte në Europë dhe shqiptarët do ishin ndër popujt më të lumtur të kontinentit. Ose, të paktën, aq të lumtur sa Gjergj Luca.
Luc, të sugjeroj që edhe këtë dashurinë për Ramën ta ulësh pak në dozë, se nuk duket aspak natyrale. Mos bëj gabimin e atij shokut tënd në Pogradec.
Sa për zilen, shiko se më duket ta kanë varur në qafë. -

Tentoi të hidhte në erë një stadium të tërë! “Banditi i Lushnjes”, që po sfidon ligjin për të qëndruar në Britani
I dënuar me burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, M.Ç, tashmë ka nisur një kalvar tjetër gjyqesh, por jo në Shqipëri. Pasi planifikoi që të hidhte në herë stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnje, ai u nis drejt Mbretërisë së Bashkuar me një pasaportë false.
59-vjeçari shkoi në Britani si azilkërkues në përpjekje për t’u bashkuar me familjen e tij, pasi kreu 23 vite burg për vrasjen e një polici më 14 prill të vitit 2000. M.Ç nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, si pjesë e një prej bandave të Lushnjes, ai është i përfshirë në shumë vepra penale. Ishte pikërisht kjo “dega” pas të cilës ai mbahet fort për të qëndruar në Britani.
Ai pretendon se nëse kthehet në Shqipëri, do ta vrasin bandat e krimit për shkak të gjakmarrjes, e hakmarrjes. Duket e habitshme se si një kriminel i kërkuar nga drejtësia, po përdor ligjin për të qëndruar në Britani.
I lindur në qytetin shqiptar të Lushnjës, M.Ç pretendon se dikur ka qenë biznesmen dhe ka drejtuar një biznes shitje makinash në Gjermani si dhe ka punuar në një klinikë dentare dhe një spital.
Ai kishte planifikuar të shpërthente një bombë në stadiumin e Lushnjes në vitin 2000. Pas zbulimit të komplotit në vitin 2001, gjykata e e dënoi atë me pesë vite burg.
Ndërkohë në vitin 2006 u dënua me 25 vjet burg për “pjesëmarrje në organizata kriminale”, vrasjen e një oficeri policie dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve. Ai u lirua në dhjetor të vitit 2022, pasi kishte kryer më shumë se 23 vite nga dënimi i tij 25-vjeçar.
Në dhjetor të viti 2022 ai u largua nga Shqipëria për në Spanjë, udhëtoi për në Itali dhe më pas fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar me atë që ai pranoi se ishte një pasaportë false, duke mbërritur në Heathroë në janar të vitit 2023.
Kur u intervistua fillimisht nga Zyra e Brendshme, M.Ç pohoi se “tre grupe të tmerrshme bandash” po i “vinin pas” atij dhe familjes së tij, sepse kishte qenë anëtar i “bandës së Lushnjës”.
Në një letër drejtuar gjykatës të shkruar në emër të tij thoshte se anëtarët e bandës rivale do ta “ekzekutonin atë për hakmarrje” nëse ai kthehej që atëherë ka ndryshuar historinë e tij, thonë avokatët e Home Office, duke pretenduar se ai kurrë nuk ishte me të vërtetë një anëtar i bandës./tvklan.al -

Po transportonin kanabis për ta shitur në Tiranë, arrestohen dy të rinjtë
Dy persona janë vënë në prangat e bluve të Kamzës pasi po transportonin kanabis. Një 18-vjeçar dhe një 26-vjeçar u kapën në fshatin Zall Mner me një çantë me 675 gramë kanabis, të cilën po e transportonin në Tiranë me qëllim shitjen.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara se dy shtetas do të transportonin një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, me qëllim shitjen, kanë organizuar operacionin policor të koduar “The bag”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit E. Ç., 18 vjeç dhe A. N., 26 vjeç.”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. -

Conte: Fituam 1-0 por në këto takime rrezikon të humbasësh, po rritemi si ekip
1 Shtator 2025
9:55
Telesport
Napoli kampion në Serie A fitoi 1-0 ndaj Cagliari falë një goli të Anguissa në minutën e 95-të, duke ruajtur kreun e renditjes, me 6 pikë të plota. Trajneri Antonio Conte ka përjetuar emocionet në atë moment delikat.
“Kur Anguissa shënoi, me vete thashë ‘më në fund’. Të gjithë e pamë ndeshjen. Këto janë llojet e ndeshjeve ku rrezikon shumë humbjen, por do të kisha qenë i lumtur edhe me një barazim 0-0“, tha Antonio Conte.
“Luajtëm si një ekip i vërtetë, me durim, duke u përpjekur të gjenim rastet e duhura për të shënuar. Goli dukej i magjepsur. U përballëm me një Cagliari shumë mbrojtës, por luajtëm mirë. Këto janë llojet e ndeshjeve që rrezikon t’i humbasësh, kështu që i përgëzova djemtë”, shtoi Conte.
Më tej, trajneri i Napoli vlerëson skuadrën e tij: “Po rritemi në aspektin e mentalitetit, vendosmërisë dhe fokusit. Ekipi besoi deri në fund, ata menduan se rezultati ishte i padrejtë dhe se duke shtyrë, diçka e rëndësishme mund të ndodhte herët a vonë”.
