Month: September 2025

  • Më 12 tetor nis zbatimi i rregullave të reja për hyrje në BE

    Më 12 tetor nis zbatimi i rregullave të reja për hyrje në BE

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës i ka njoftuar qytetarët e vet se nga data 12 tetor do të nisë zbatimi i sistemit të hyrje/daljes (EES) në kufijtë e Bashkimit Evropian, me qëllim të përshpejtimit të kontrolleve kufitare.
    Ky sistem është biometrik dhe regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe mbledh shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë, duke eliminuar vulat në pasaportë.
    Ky sistem ishte paraparë të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por është shtyrë në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin.
    Autoritetet evropiane kanë bërë të ditur se ky sistem do të zbatohet gradualisht në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, kanë thënë autoritetet evropiane.
    Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017. Ai pritet të vlejë për gati 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e shtetasve të tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.
    Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipa ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza.
    Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë.

  • Dorjan Teliti ironizon indeksimin e pensioneve: “Vetëm 16 lekë në ditë – kujdesi zgjat sa fleta e votimit”

    Dorjan Teliti ironizon indeksimin e pensioneve: “Vetëm 16 lekë në ditë – kujdesi zgjat sa fleta e votimit”

    Dorjan Teliti, Këshilltar për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëherazi Nënkryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë, ka reaguar me ironi të fortë ndaj vendimit të qeverisë për indeksimin e pensioneve me vetëm 2.5% nga 1 tetori.
    Në një status Teliti kritikoi qeverinë se kujtohet për pensionistët vetëm në prag të zgjedhjeve, ndërsa tani, sipas tij, ndihma e premtuar është zëvendësuar me “bonuse simbolike”. “Plot 16 lekë shtesë në ditë për shtresën e moshës së tretë. Mos të ankohemi kot… të paktën koston e një kafeje në shtëpi po e jep qeveria”, – shkruan Teliti me një ton të hapur ironik.
    Ai shton se pas përfundimit të zgjedhjeve, edhe “bonuset magjike” kanë marrë fund, duke akuzuar qeverinë për politikë selektive ndaj pensionistëve, të cilët, sipas tij, harrohen sapo kalojnë fletët e votimit. “Mbaruan zgjedhjet? Epo mbaruan edhe bonuset. Tani pensionistët duhet të kënaqen me gjysma indeksime, sepse sipas qeverisë, jetesa qenka bërë më e mirë”, – vijon ai.
    Në fund, Teliti mbyll reagimin me një mesazh thumbues: “Faleminderit për kujdesin konstant… çdo 4 vjet!”

  • Nëna e Elis Rroshkodolit flet për herë të parë: Djalin ma vrau…

    Nëna e Elis Rroshkodolit flet për herë të parë: Djalin ma vrau…

    Emisioni “Në Shënjestër” me autore gazetaren Klodiana Lala, transmetoi këtë të martë, dëshminë e nënës së Elis Rroshkodolit, i vrarë me armë zjarri , teksa po konsumonte kafe në një lokal në qytetin e Shkodrës.
    Kjo është hera e parë që Lindita flet në media duke dhënë versionin e saj për ngjarjen e rëndë të 30 gushtit kur djalit të saj iu pre jeta në mes në moshën 36 vjeç.
    Lindita Rroshkodoli, është një grua e mbetur e ve që në vitin 1993 kur i shoqi u qëllua po në një lokal teksa ishte kthyer nga një varrim.
    “Burri kur u vra ishte me një shok duke pirë kafe. Dhe ky quhej Hys. Dhe e thërrasin Hysën të dalë si dëshmitar. Ai nuk pranonte, kishte frikë, apo ndjente presion, nuk e di.
     
     
    Dhe e thërrasin dy kunetërit e mi, vëllezërit e burrit. Ore nuk do të të bëjmë gjë. Vetëm trego. Në atë kohë kunati i vogël e plagos Hysën dhe ai ngel invalid. Tani ia faturuan djalit”
    Plagosja e dëshmirarit tashmë ishte një plagë e hapur për familjen Rroshkodoli.
    Që ndërsa kërkonte drejtësi për kryefamiljarin e humbur, duhej të përballej tashmë me një gjak të pashlyer.
    Për ti shpëtuar gjakmarjes, Lindita tregon se vendosi të dërgojë djemtë në azil, së pari djalin e madh Elisin.
    “Shumë sakrifica si nënë. Mbaroi klasën e 8. Kisha ngacmime, Merri fëmijët dhe largohu nga Shkodra.
    Ku do ikja? Lekë nuk kisha, pasaportë nuk kisha. Djemtë u rritën. Frika më hyri më shumë. Se mi ngacmonin njerëzit. Do merrni gjakun”, thotë ajo për emisionin “Në Shënjestër”.
    Ajo tregon se gjithmonë ishte e interesuar për pajtim gjaqesh, por nuk pranonin pala kundërshtare.
    Dhe u detyrova ta çoja në azil. Njeri s’kisha, lekë s’kisha. U detyrova ta çoj Elisin në Belgjikë. 4 muaj kishte Elisi në Belgjikë. Dhe do shkonte edhe djali tjetër”, thotë Lindita.
    Por nuk do të vononte dhe një tjetër ngjarje e kobshme do të binte mbi familjen e Linditës.
    Ai që do të humbiste jetën këtë here do të ishte Taulanti, djali i saj më i vogël I cili ndërsa po përgatitej t’i bashkohej vëllait të tij më të madh Elisit në azil në Belgjikë, bie pre e një aksidenti të rëndë automobilistik.
    Ku krahas tij, humbin jetën edhe tre persona të tjerë.
    “Bëri pasaportën. Fal një shok, fal një teze, fal një dajë. Vjen në Elbasan dhe më thotë, mami do shkoj të takoj nënëdajën, dhe shokët se unë nuk dihet kur vi tani, Mirë mi mam i thashë. Kur më vjen haberi, djali kishte humbur jetën. U bë një aksident i madh, në Labinot të Elbasanit. Vdiqën katër vetë. Ndër ta ishte edhe Taulanti, 23 vjeç”, rrëfen Lindita Rroshkodoli.
    Duket se fati me këtë nënë që ende nuk kishte hequr rrobat e zisë së humbjes së bashkëshortit, po tregohej më i pamëshirshëm se me askënd.
    Pasi sa herë përpiqej të rregullonte një gjë, një dorë tjetër duket sikur punonte për t’i rrokullisur ato me kokë poshtë.
    Një fat i zi që do ta përndiqte edhe në vazhdim.
    Vdekja tragjike e Taulantit në aksident, do të bënte që edhe Elisi të linte azilin në Belgjikë dhe të qëndronte pranë nënës së tij, që ishte mjaftueshëm e ligshtuar në shëndet pas humbjes së djalit.
    Por kthimi i Elisit në Shqipëri do të hidhte poshtë edhe të gjithë mundin dhe sakrificën që kishin bërë si familje, që ai të shkonte në azil në Belgjikë.
    “Nuk mund ta varrosja djalin pa erdhur vëllai. U lajmërua Elisi. Elisi ndejti katër muaj me mua, se unë isha vetëm, isha shumë e sëmurë”, thotë ajo.
    Por edhe pse nëna e tij ishte e mundur nga dhimbja për humbjen e të birit në aksident, frika se Elisi mund të binte pre e një sulmi nga gjaksit e tyre, jetonte ende me të.
    Pasi kishte humbur bashkëshortin dhe tashmë edhe djalin e dytë, Lindita nuk mund ta pranonte të humbiste edhe djalin e madh.
    Për këtë arsye ajo i kërkoi të birit që të kthehej në azil në Belgjikë.
    Aty ku do të ndihej më i sigurtë se sa në Shkodër, ku hija e vdekjes i vinte rrotull, sa herë kalonte në rrugët e qytetit.
    Dhe zemra e saj rrinte e ngrirë sa herë ai largohej nga banesa, apo vonohej të kthehej.
    Por ndërsa mendonte se në Belgjikë, Elisi do të ndihej më i mbrojtur, mesa duket peripecitë për këtë familjen nuk ishin mbyllur ende.
    Pasi këtu fillon një tjetër histori, ku ajo beson që ka lidhje me atë që do t’i ndodhte të birit në vazhdim.
    Atë që ka lidhje me vrasjen e tij në moshën 36 vjeçare më 30 gusht të vitit 2024 në Shkodër.
    Ku teksa ruhej nga hasmi që kishin në këtë qytet, që ishte familja e dëshmitarit të plagosur nga kunati i saj, në skenë ngjitet një tjetër ngjarje.
    Që zë e nis fill pikërisht në momentin e kthimit për herë të dytë të Elisit në Belgjikë.
    Aty ku ai përfshihet në një zënkë për çështje nderi dhe plagos një person që është po nga Shkodra.
    Plagosje për të cilën ai vuan një dënim me 4 vite heqje lirie në Belgjikë.
    Dhe që nëna e tij beson se është pikërisht kjo ngjarje që çoi në eleminimin disa vite më vonë të djalit të saj.
    “Pas 4 muajsh djalit i thashë, mam ça do bësh më këtu. Dhe ikën përsëri në Belgjikë.Me shumë vështirësi hyri përsëri. Dhe tregoi arsyet. Aty djali kishte zënë një shoqe. Ajo punonte kamariere në një lokal ku punonte edhe djali, që quhej ‘Vllaznia’. Tani në këtë lokal punonte edhe vëllai i këtij që ma ka vrarë djalin”, vijon rrëfimin e saj Lindita.
    Këtu sipas rrëfimeve që i ka bëri vetë Elisi nënës e tij, sikur të mos mjaftonin problemet e panumërta që kishin, fillon dhe gatuhet një tjetër histori e cila shërben si një intrigë nga e cila ai nuk do të dalë më.
    Në mes të këtij trilli një vajzë dhe rreth saj një djalë që vendos përballë sedrën e tij prej mashkulli të vërtetë dhe në krahun tjetër një tjetër mashkull me të cilin janë rritur, që pabesisht shkon dhe i ngacmon femrën e tij.
    “Elisi duke ndejtur i thotë një shok, se ka shkuar Geri te shtëpia jote për atë vajzën. Shkon, dhe i thotë pse ma bëre këtë, se ata janë rritur bashkë. Mua ma bëre këtë. Dhe e plagosi. Në këtë kohë djali arrestohet dhe bën 4-5 vjet burg në Belgjikë, për këtë plagosje që bëri”, tregon nëna e Elis Rroshkodolit i vrarë më 30 gusht 2024.
    E mbetur tashmë e vetme me djalin e vetëm të mbetur në burg në Belgjikë, edhe pse në një moshë jo më të re, Lindita rrëfen se u detyrua që për t’i plotësuar të birit nevojat që kishte në qeli ku ndodhej, të punonte me orë të zgjatura gjatë sezonit të verës.
    Madje deri në 16 orë punë të lodhshme. Vetëm që Elisit të mos i mungonte asgjë aty ku ndodhej.
    Në pritje që ai një ditë të mbaronte vuajtjen e dënimit dhe të kthehej pranë saj.
    Ditë e cila erdhi.
    “Unë i çoja lekë djalit në Belgjikë, se më thoshte: ‘mam ka ngel pa lekë’. Punoja 16 orë. Doli nga burgu. Mori edhe expuls në Belgjikë. Ndejti në Shqipëri. Bëri një martesë fiktive, për të ndërruar mbiemrin. Siç e bëjnë të gjithë. E bëri dhe kaloi. Por iku në Francë”, thotë Lindita.
    Por qëndrimi në Francë nuk do të ishte i gjatë.  Pasi do të duhej të kthehej shpejt në Shqipëri, për shkak të skadimit të pasaportës.

  • Kosova nis hetime paraprake për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi

    Kosova nis hetime paraprake për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi

    Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë i Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se autoritetet i kanë nisur hetimet paraprake për identifikim të autorëve të mundshëm për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi, për çka autoritetet malazeze i kanë dërguar notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë.
    Mali i Zi ka thënë se të shtënat me armë zjarri dyshohet se janë nisur nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.
    Incidenti i parë ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar, kur janë vërejtur dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit, ndërsa, incidenti i dytë ka ndodhur më 24 gusht të këtij viti, kur janë regjistruar të shtëna në drejtim të një objekti të qendrës së skijimit. Autoritetet malazeze kanë hapur lëndë dhe po kryejnë hetime për rastet.
    Kryeziu ka thënë se shteti i Kosovës është njoftuar përmes kanaleve diplomatike nga shteti malazez për incidentet dhe që Policia Kufitare e Kosovës ka nisur të patrullojë menjëherë në zonën e Shtedimit, por që aty nuk janë gjetur dëshmi materiale që konfirmojnë vendin apo rrethanat e incidentit.
    “Megjithatë, me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë nisur hetimet paraprake për identifikimin e autorëve të mundshëm, duke u mbështetur edhe në informacione nga burime lokale”, ka bërë të ditur Kryeziu.
    Ai ka thënë se institucionet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës, ka shprehur gatishmëri për organizimin e një takimi me autoritetet kufitare malazeze me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacionit operativ dhe parandalimin e dukurive negative përgjatë vijës kufitare, dhe që vetëm këtë vit, dy vendet i kanë kryer 30 patrullime të përbashkëta në zona kufitare.
    Policia e Kosovës ka bërë të ditur më herët gjatë ditës se drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha e ka pritur në takim zyrtar ambasadorin e Malit të Zi në Prishtinë, Bernard Çobaj, për të diskutuar lidhur me sigurinë dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit policor dhe ndërkufitar mes dy vendeve.
    Në komunikatë nuk është përmendur nëse dy palët kanë diskutuar edhe lidhur me incidentet e përmendura ditëve të fundit.
    Mali i Zi dhe Kosova e kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin në vitin 2015. Mali i Zi e ka ratifikuar atë në të njëjtin vit, ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë.

  • Gazmend Braçi flet pas vrasjes së Italianit në Tepelenë: Autori të kapet sa më shpejt

    Gazmend Braçi flet pas vrasjes së Italianit në Tepelenë: Autori të kapet sa më shpejt

    Gazmend Braçi, një nga vëllezërit e përfolur mediatikisht në ngjarjen e rëndë të vrasjes së biznesmenit Italian, Edoardo Sarchit, ka reaguar për gazetarin Elton Qyno, duke shprehur dhimbje dhe zhgënjim të thellë mbi atë çfarë ka ndodhur, jo vetëm me mikun e tij të ngushtë por edhe me vetë emrin e familjes së tij, që u lakuan në shumë media si autorë të krimit.
    Përmes një bisede telefonike, Gazmend Braçi, është shprehur se ndihet i lehtësuar që Policia e Gjirokastrës, ka zbardhur ngjarjen dhe identifikuar autorin e vrasjes së shokut të tij të ngushtë Italian.
    Ai shpreson që tashmë Kamber Sulaj të lokalizohet dhe arrestohet nga policia, për të bardhur totalisht krimin e rëndë.
    “…tashmë ndihemi të gjithë të lehtësuar dhe po shpresojmë duke bashkëpunuar me policinë e shtetit, që autori të lokalizohet dhe arrestohet. Që nga momenti kur ka ndodhur ngjarja në prezencën tonë, ne, unë, babai, dhe vëllai, kemi qënë në dispozicion të policisë, duke bashkëpunuar dhe treguar çfarë ndodhi atë natë…”-është shprehur ortaku i Italianit të ndjerë, Gazmend Braçi.
    Ky i fundit i tha gazetarit Qyno, se: “…Edoardo Sarchi, ishte një mik i vjetër i familjes tonë dhe kjo marëdhënie njerëzore kishte vite që ishte ndërtuar, jo vetëm për shkak të biznesit por edhe për shkak të miqësisë dhe respektit reciprok…”.
    Më tej Braçi, ka shtuar se ka qënë në dispozicion të policisë duke ndihmuar grupin e hetimit me detaje konkrete mbi dinamikën e konfliktit, pasi ai ka qënë në vendgjarje dhe jo vëllai i tij, Danjeli.
    “…unë dhe sot kam shkuar në polici, ku kam bashkëpunuar me grupin e hetimit. Nuk kishim asgjë për të fshehur për këtë ngjarje të rëndë, ku ne na u vra miku jonë…” – ka rrëfyer Gazmend Braçi.
    Braçi, shprehet tejet i zhgënjyer me raportimin e disa mediave në Shqipëri, të cilat për gati 24 orë me rradhë sulmuan atë dhe anëtarë të familjes së tij, duke dalë në konkluzjonin se ata ishin autorët e krimit të rëndë.
    “…Ne s’kemi dhënë asnjë dëshmi kontradiktore në polici me qëllim për të fshehur krimin. Ne kemi treguar gjithçka që dinim dhe kishim interes të zbardhnim ngjarjen e rëndë që i ndodhi mikut tonë. Shumë nga mediat na bënë mua, vëllain dhe babain, autorë të krimit. Po si mund të ishim ne 3 anëtarë të një familje, autorë të vrasjes së mikut tonë? Si mund të imagjonohej kjo? Si ne dhe miku jonë Edoardo, jemi vrarë 100 herë nga media. Më vjen mirë që tashmë ngjarja është zbardhur nga policia dhe për këtë gjë dua të Falenderoj Policinë Gjirokastër, që zbardhi ngjarjen në kohë rekord. Tani pres që ato media që na akuzuan të mbajnë një qëndrim dhe kërkojnë ndjesë duke fshirë të gjitha shkrimet abusive…”-shprehet Gazmend Braçi.
    Braçi dhe miku i tij Edoardo Sarchi, kishin dalë në fundjavë për gjah në zonën e Salarisë në Tepelenë, ku pas një konflikti për dritat e gjata të makinës dhe një parakalim, janë konfliktuar me Kamber Sulaj, i cili fillimisht i kërcënoi me fjalët “…Jam nga Vlora, nuk më njihni mua kush jam…”.
    Pas disa minuta më pas ky person nga Vlora ka filluar të qëllojë 3 herë me armë zjarri nga një distancë e largët, duke sjellë vdekjen e Edoardo Sarchit, pasi 1 plumb i ka prerë arterien kryesore të këmbës.
    Aktualisht, Kamber Sulaj është shpallur kërkim nga policia, pasi Gjykata e Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

  • Shqipe Hysenaj reagon pas paralajmërimeve të Elton Ilirjanit: Jo vorbulla me mua!

    Shqipe Hysenaj reagon pas paralajmërimeve të Elton Ilirjanit: Jo vorbulla me mua!

    Pas paralajmërimeve për ndjekje penale nga Elton Ilirjani në lidhje me deklaratën e saj për Parashqevi Simakun, Shqipe Hysenaj ka reaguar publikisht përmes një videoje në Instagram. Ajo e ka konsideruar reagimin e Ilirjanit si të pabazuar, duke theksuar se deklaratat e saj ishin thjesht thashetheme dhe jo akuza të drejtpërdrejta.
    “Hap Instagramin dhe shoh disa video nga persona që flasin pa baza,” shprehet ajo. “Nuk dini të dalloni thashethemin nga akuza. Nëse thashethemet do ndaloheshin me ligj, do ishim kthyer pas në kohë.”
    Shqipja thekson se nuk ka synuar të përhapë dezinformim dhe se gjithçka është thënë në një kontekst të lirë, në një rubrikë rozë. Ajo përmendi edhe kolegun e saj, Ronaldo Sharkën, si bashkëpunëtor gjatë momentit të diskutueshëm: “Ai kishte kufjen dhe mikrofonin. Unë e lash si thashethem që të mos kishte keqkuptime.”
    Në fund, Hysenaj thekson se nuk do të japë më intervista: “Jo pse nuk më kuptoni, por sepse më keqkuptoni. Jo voruballa me mua.”
    Deklarata e plotë:
    “Hap Instagramin dhe shoh disa video nga persona që flasin pa baza. Këta njerëz nuk dine të ndajnë thashethemin nga akuza. Nëse thashethemi dhe mungesa e lirisë së fjalës sipas protokoleve do ishin të ndaluara me ligj, atëherë vendi ynë do të ishte shumë vite pas sistemit tonë politik. E shikoj që nuk ia keni fare idenë e mediave globale, rubrikave rozë. Jam shumë e hapur për luftën virtuale dhe administrative por e keni të humbur me mua. Jo sepse unë fitoj por sepse ju jeni gjithmonë gabim kundrejt meje. Dosja do na shkoj në Hagë por unë kam bashkëpunëtorin, Ronaldo Sharkën, sepse ai e kishte armën, pra ai kishte kufjen, mikrofonin dhe pyetjen. Gjithsesi merreni me sportivitet, sepse në fund fare unë thash diçka që e lash si thashethem dhe e theksuam që mos të kishte keqkuptime. Ju lutem cdo gjë që thuhet në rrjete sociale mundohuni ta merrni siç e themi dhe jo si iu leverdis. Jo vorbulla me mua. Shpërndani pozitivitet sepse është gjëja që na duhet më së shumti.

  • E hëna, dita me më shumë aksidente

    E hëna, dita me më shumë aksidente

    E hëna ka qenë dita kur ndodhën më shumë aksidente rrugore gjatë muajit gusht. Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, ditët e hëna kanë ndodhur 18,2% e aksidenteve, ndërsa të martave është regjistruar numri më i ulët i përplasjeve me 11,3%.
    Instituti i Statistikave bën të ditur gjithashtu se numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19 deri në mesnatë, duke zënë 23,3% të numrit të të gjithë aksidenteve.
    Gjatë tetë muajve numri i ngjarjeve rrugore është ulur me 14,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa në muajin gusht të këtij viti numërohen 159 aksidente, nga të cilët 229 janë plagosur dhe vrarë.
    Aksidentet rrugore, në 91,2% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
    Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grupmoshat 45-59 vjeç, duke zënë 25,8% të numrit të aksidenteve gjithsej.

  • Merr fund romanca mes Santianës dhe Patris Berishës?

    Merr fund romanca mes Santianës dhe Patris Berishës?

    Historia e dashurisë mes Patris Berishës dhe Santiana Malokut, një nga çiftet më të përfolura të kohëve të fundit në rrjetet sociale, duket se ka marrë fund. Pas një periudhe që u shoqërua me ndarje dhe ribashkime, çiftin i ka përcjellë gjithmonë një vëmendje e madhe nga ndjekësit e tyre. Por tani, një detaj i ri ka ngritur dyshime të forta se marrëdhënia mes tyre është mbyllur përfundimisht.
    Në Instagram, Patris dhe Santiana nuk e ndjekin më njëri-tjetrin, një veprim që nuk ka kaluar pa u vënë re nga fansat e tyre. Ky ndryshim në ndjekjen e profileve ka nxitur spekulime të shumta, pasi deri më tani ata kishin ruajtur një lidhje të dukshme online. Edhe pse asnjë nga ata nuk ka dhënë një reagim publik për këtë lëvizje, fakti që nuk janë më pjesë e listës së ndjekësve të njëri-tjetrit, mund të jetë një sinjal i qartë se marrëdhënia ka marrë fund.
    Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë reagim apo sqarim nga vetë Patris dhe Santiana, ose nëse gjithçka do të mbetet në heshtje, duke lënë ndjekësit të spekulojnë dhe të pyesin për arsyet e ndarjes së mundshme. Historia e dashurisë së tyre ka mbajtur gjithmonë intriguar publikun, dhe tani mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet kjo situatë.

  • Paralajmëron meteorologu grek: Reshje shiu dhe dëborë në Shqipëri

    Paralajmëron meteorologu grek: Reshje shiu dhe dëborë në Shqipëri

    Një valë e re e motit të keq pritet të godasë Shqipërinë në ditët e para të tetorit me rënie të ndjeshme temperaturës, reshje intensive shiu dhe stuhi.
    Lajmin e bën të ditur meteorologu i njohur grek dhe njëkohësisht eurodeputeti i Pasok-ut, Sakis Arnaoutoglou, i cili shpesh paralajmëron për fenomenet e rrezikshme kohore që prekin vendin tonë përmes Top Channel.
    Sipas tij e enjtja, 2 tetor, do të sjellë reshje të dendura shiu dhe dëbore në shumë zona të Shqipërisë.
    Konkretisht në veriun e vendit, nga Shkodra deri në Kukës dhe Peshkopi, priten reshje shumë të forta shiu, ndërsa mbi 900–1000 metra lartësi do të ketë reshje të dendura bore me shtresim të konsiderueshëm. Në zonat qendrore, si Dibra, Burreli dhe Elbasani, reshjet do të jenë po ashtu të bollshme, ndërsa në malet Korab dhe Shebenik dëbora do të nisë mbi 1000 metra, me intensitet në lartësi më të mëdha -thekson meteorologu grek.
    Po ashtu në juglindje, në Gramsh , në Korçë dhe rreth maleve Moravë dhe Gramoz, parashikohen reshje të dendura shiu dhe dëborë mbi 1200 metra. Ndërsa në jug, në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, do të ketë kryesisht reshje shiu, ndërsa nuk përjashtohen reshje bore në zonat mbi 1200–1300 metra.
    Ndryshe paraqitet situata në bregdetin perëndimor, nga Tirana e Durrësi deri në Vlorë, ku reshjet do të jenë të pakta dhe të dobëta, madje në disa zona mund të mungojnë fare.
    Moti i keq do të shkaktojë probleme në lëvizjen e automjeteve në disa akse malore. Zinxhirët do të jenë të nevojshëm në rrugën Shkodër–Kukës, në segmentin malor Burrel–Peshkopi mbi 900–1000 metra, në rrugën Elbasan–Librazhd drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut mbi 1000 metra, si dhe në disa kalime malore drejt Korçës dhe rreth Gjirokastrës e Përmetit mbi 1300–1400 metra.
    Erërat do të fryjnë të enjten në mbrëmje përgjatë vijës bregdetare nga Vlora deri në Shkodër, me shpejtësi 60–80 km/h, që korrespondojnë me forcën 8 të shkallës Beaufort, ndërsa në brendësi të vendit era nuk pritet të kalojë forcën 5–6 Beaufort.

  • Vdekja e gruas së Alban Hoxhës pas lindjes së djalit, familja: Kemi 11 vite rresht që presim drejtësi!

    Vdekja e gruas së Alban Hoxhës pas lindjes së djalit, familja: Kemi 11 vite rresht që presim drejtësi!

    Familja e Doriana Hakës, bashkëshortes së portierit Alban Hoxha, vazhdon të kërkojë drejtësi për vdekjen tragjike të saj, e cila ndodhi në nëntor të vitit 2014, vetëm dy javë pas lindjes së fëmijës së saj të parë. Në një seancë gjyqësore të fundit, me dhimbje dhe lot në sy, Hamide Haka, nëna e Dorianës, shprehu indinjatën e saj për zvarritjen e procesit gjyqësor, i cili ka zgjatur tashmë më shumë se një dekadë. Ajo kërkoi një drejtësi të vonuar, por të merituar, duke theksuar se fëmija i Dorianës, i cili po rritet pa nënën e tij, meriton drejtësi.
    Edhe babai i të ndjerës, Enver Haka, shprehu zhgënjimin e familjes për shtyrjen e pafundme të çështjes, duke theksuar se janë 11 vite që bredhin nëpër gjykata pa marrë asnjë vendim të prerë. Ai theksoi se nuk do të ndalen derisa të marrë drejtësinë që e meriton vajza e tij, duke u fokusuar te gjykata dhe vendimi që do të marrë trupa gjykuese.
    Avokati i familjes, Bashkim Sulstarova, shprehu besimin se gjykata do të analizojë provat dhe do të japë një vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj. Familja Haka konsideron vdekjen e Doriana Hakës si pasojë e neglizhencës mjekësore dhe kërkon zbardhjen e plotë të rastit, si dhe përgjegjësi për ata që janë të përfshirë.