Month: September 2025

  • “Njëra veshkë s’funksionon, tjetra po dobësohet”, Veterani i UÇK’së nga Drenica kërkon ndihmë financiare për shërim

    “Njëra veshkë s’funksionon, tjetra po dobësohet”, Veterani i UÇK’së nga Drenica kërkon ndihmë financiare për shërim

     

    Ish-veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haradin Hoti, ka bërë një apel për ndihmë, pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai ka njoftuar se vuan nga një sëmundje e rëndë e veshkave, ku njëra prej tyre nuk funksionon fare, ndërsa tjetra është në gjendje të rënduar, shkruan rajoni.org.

    Aktualisht, Hoti po i nënshtrohet seancave të rregullta të dializës, çdo ditë të dytë, ndërsa ka bërë të ditur se të martën do të marrë dokumentacionin për procedurat e transplantit jashtë vendit, në Turqi

    Hoti, që dikur ishte pjesë e radhëve të UÇK-së, thekson se deri më tani nuk ka dashur të obligojë askënd për ndihmë, qoftë si veteran, apo si banor i Skenderajt. Megjithatë, përballë situatës së rëndë, ai kërkon mbështetje nga të gjithë ata që munden.

    Postimi:

    Përshëndetje për të gjithe.
    Dua t’ju njoftoj për gjendjen time shëndetësore. Kam një sëmundje të veshkave që tashmë ka arritur në stafin përfundimtar, me vlera të caktuara deri në 937. Njëra veshkë nuk funksionon fare, ndërsa tjetra po dobësohet gjithnjë e më shumë.

    Aktualisht, po bëj dializë në seanca, një ditë po, një ditë jo.
    Tashmë, këtë të martë, do të marr letrat për transplant jashtë vendit – në Turqi, për transplant të veshkave.

    Deri më tani nuk kam pasur dëshirë të obligohem si pjesëtar i UÇK-së apo si banor i komunës së Skenderajt për asgjë.

    Pra, këtë të martë marr letrat dhe filloj procedurat për transplant.
    Faleminderit të gjithë shokëve dhe miqve. Ndoshta nuk kam mundur t’ju kthej mirësitë që më keni bërë, por inshaAllah Allahu do t’ju shpërblejë të gjithëve.

  • Dronët: Nga lodër e vogël në mjet që po ndryshon botën

    Dronët: Nga lodër e vogël në mjet që po ndryshon botën

    Origjina e dronëve

    Historia e dronëve nuk ka filluar aspak si një argëtim teknologjik, por si një nevojë ushtarake. Që në Luftën e Parë Botërore, inxhinierët në SHBA dhe Britani testuan avionë pa pilot, të kontrolluar në distancë. Qëllimi ishte që misionet e rrezikshme të kryheshin pa rrezikuar pilotët. Edhe pse teknologjia e asaj kohe ishte ende e kufizuar, ky ishte hapi i parë drejt dronëve modernë. Në vitet që pasuan, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dronët u zhvilluan më tej dhe u përdorën për stërvitjen e pilotëve dhe si mjete spiunazhi. Në dekadat që vijuan, ata mbetën të lidhur ngushtë me ushtrinë, por me rritjen e teknologjisë së telekomandimit dhe baterive, u hapën dyert edhe për përdorim civil.

    Nga fusha ushtarake te përdorimi civil
    Sot, pas më shumë se një shekulli, dronët janë shndërruar në mjete që i përdor kushdo. Ato shiten në dyqane elektronike, në internet dhe përdoren nga profesionistë, amatorë dhe madje edhe nga fëmijët për lojëra dhe argëtim.

    Dronët në art dhe media
    Një nga fushat ku dronët kanë shkëlqyer më shumë është arti vizual. Ata përdoren për fotografi ajrore dhe filmime, duke sjellë pamje spektakolare në dokumentarë, dasma apo video turistike. Një dron mund të kthejë një moment të zakonshëm në një vepër arti vizual. Falë tyre, pamje që dikur mund të realizoheshin vetëm me helikopterë të shtrenjtë, sot janë të arritshme me një pajisje të vogël që futet në çantë.
    Dronët në mjekësi dhe shpëtim jete

    Një kuriozitet i veçantë është përdorimi i dronëve në sektorin shëndetësor. Në disa vende të Afrikës, dronët transportojnë gjak dhe vaksina në zona të largëta ku ambulancat nuk mund të mbërrijnë shpejt. Në këtë mënyrë, ata po shpëtojnë jetë.Në Evropë dhe SHBA, dronët janë testuar për të transportuar defibrilatorë tek personat që kanë pësuar arrest kardiak. Koha është kritike në raste të tilla, dhe fakti që një dron mund të arrijë disa minuta më herët se një ekip mjekësor, mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes.
    Dronët në tregti dhe logjistikë

    Kompanitë e mëdha, si Amazon dhe DHL, kanë nisur projekte testuese për dërgesat me dron. Imagjino të porosisësh një produkt dhe brenda pak minutash ta marrësh në derë me anë të një droni. Edhe pse kjo nuk është ende e përhapur kudo, shumë shpejt pritet të bëhet realitet në qytetet moderne. Edhe në bujqësi dronët kanë fituar terren. Fermerët përdorin dronë për të monitoruar gjendjen e kulturave, për të matur lagështinë e tokës, dhe madje për të spërkatur fushat me pesticide në mënyrë të kontrolluar. Kjo u kursen kohë, para dhe zvogëlon përdorimin e kimikateve, duke e bërë bujqësinë më të qëndrueshme.

    Sfida të reja: privatësia dhe siguria
    Përdorimi masiv i dronëve ka ngritur debate për privatësinë. Meqenëse ata mund të fluturojnë mbi shtëpi apo biznese, lind pyetja: çfarë ndodh me pamjet e regjistruara? Për këtë arsye, shumë shtete kanë vendosur ligje që kufizojnë përdorimin e dronëve, duke përcaktuar lartësinë maksimale dhe zonat e ndaluara për fluturim. Një tjetër çështje është edhe siguria ajrore. Dronët e përdorur pa kujdes mund të rrezikojnë avionët e pasagjerëve ose helikopterët e emergjencës. Në disa aeroporte të mëdha janë shënuar raste ku fluturimet janë ndërprerë për shkak të pranisë së dronëve të paautorizuar. Kjo ka bërë që autoritetet të zhvillojnë sisteme kundër-dronësh për të kontrolluar hapësirën ajrore.
    Dronët dhe mjedisi
    Një fakt i bukur është se dronët po ndihmojnë edhe në mbrojtjen e natyrës. Shkencëtarët i përdorin për të monitoruar pyjet, për të numëruar kafshët e rralla dhe për të mbjellë fara në zonat e shkatërruara nga zjarret. Ka kompani që po eksperimentojnë me dronë të specializuar për të mbjellë mijëra pemë në ditë, duke kontribuar në rigjenerimin e pyjeve. Përveç kësaj, dronët ndihmojnë edhe në luftën kundër ndotjes. Ata përdoren për të monitoruar cilësinë e ajrit në qytete, për të inspektuar lumenjtë dhe liqenet, si dhe për të kontrolluar zonat industriale ku shpesh ka ndotje të fshehur. Këto të dhëna ndihmojnë qeveritë dhe organizatat mjedisore të marrin masa më efektive për mbrojtjen e planetit.
    Një teknologji që vazhdon të evoluojë
    Dronët nuk janë më një risi e thjeshtë; ata po shndërrohen në një industri miliardëshe. Me zhvillimin e inteligjencës artificiale, pritet që shumë prej tyre të funksionojnë plotësisht autonomë, pa pasur nevojë për pilotim manual. Kjo do të thotë se dronët e së ardhmes do të jenë më të zgjuar, më të sigurt dhe më të aftë për të kryer detyra komplekse. Nga një shpikje ushtarake në fillim të shekullit të kaluar, deri tek një mjet që sot filmon, shpëton jetë, shpërndan pako, ndihmon bujqësinë dhe mbron mjedisin, dronët janë një shembull i qartë i mënyrës sesi teknologjia mund të transformojë botën në mënyra të paparashikueshme.

  • Gratë shqiptare (1910)

    Gratë shqiptare (1910)

    Nga të gjitha gratë e Evropës, gratë shqiptare tradicionalisht kanë qenë më të dëmtuarat. Edhe sot, pavarësisht disa masave emancipuese gjatë periudhës komuniste (një nga të paktat gjëra pozitive që regjimi komunist në Shqipëri ndonjëherë ka bërë), ato ende janë viktima të vlerave thellësisht patriarkale, veçanërisht në fshat. Gazetari dhe autori gjerman, Paul Siebertz (1877–1954), e përshkroi gjendjen e tyre ashtu siç e përjetoi gjatë një ekspedite në malet e Shqipërisë së Veriut në vitin 1910. Siebertz ishte kryeredaktor i Das Vaterland (Atdheu), “gazetë për monarkinë austriake”, në Vjenë, nga viti 1907 deri më 1911, dhe ishte po ashtu autor i disa librave.

    Nga: Paul Siebertz[1]Përktheu në anglisht (nga gjermanishtja): Robert ElsiePërktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala

    Niveli i ulët i përparimit kulturor të popullit shqiptar mund të shihet më shumë se kudo tjetër në mungesën e rëndësisë të popullsisë femërore. Gratë luajnë rol shumë të nënshtruar në jetën publike dhe private ndër shqiptarë. Siç ka vërejtur me të drejtë baroni Nopcsa, gratë në Shqipëri janë të paprekshme, si në vende të tjera në Turqi, por kjo nuk duhet interpretuar si shenjë respekti, por përkundrazi si një shenjë mospërfilljeje. Gruaja nuk do të akuzohet apo ndëshkohet kurrë për një vepër. Ajo mund të dalë ku të dojë pa frikë, edhe nëse familja e saj është përfshirë në gjakmarrje, por kjo vetëm sepse konsiderohet turp të hakmerresh ndaj një gruaje.
    Ajo që burrat shqiptarë presin nga gratë e tyre është të sjellin dru, të gatuajnë ushqimin, të pjekin bukë dhe të bëjnë rroba. Ata i përdorin gratë për të transportuar mallra kur kuajt dhe mushkat janë sëmurë ose kur mungojnë. Gratë bëjnë gjithë punën e rëndë në këtë vend.

    “Meqë fëmijët fejohen me njëri-tjetrin që në moshë shumë të hershme”, shkruan baroni Nopcsa, “dashuria është diçka krejt e panjohur. Kjo shihet në faktin që një burrë i ve qan për humbjen e gruas së tij, por jo si për të shoqen. Ajo që zakonisht i mungon është gruaja si shërbëtore e shtëpisë”. Është interesante të vihet re se gjuha shqipe nuk ka fjalë për “dashuri” apo “për të dashuruar” [sic.].
    Si rregull, gratë takojnë burrat e tyre për herë të parë ditën që martohen, sepse fejesat gjithmonë rregullohen nga prindërit. Vetëm ndër shqiptarët malësorë, ndër fiset e ashpra malore, ndonjëherë hasen martesat nga dashuria, sepse ka më pak komunikim. Por, edhe këtu, njohja me njëri-tjetrin para martesës është jashtëzakonisht e vështirë, sepse shumica e fiseve nuk miratojnë martesat brenda vetë fisit. Burri dhe gruaja duhet të jenë nga fise të ndryshme, sepse anëtarët e një fisi e shohin veten të lidhur me gjak, trashëgimtarë nga një paraardhës, dhe martesa me një të afërm gjaku, sado e largët, konsiderohet incest. Një ilustrim i kësaj është ngjarja në vijim e përshkruar nga Karl Steinmetz që ndodhi në Nikaj. Një burrë nga Nikaj ishte i fejuar me një vajzë nga Shoshi, por nusja e ardhshme iku te motra e saj e martuar në Shalë, pak para martesës. Vëllai i saj, si kryefamiljar, ishte në një situatë shumë të vështirë, sepse dhëndri kërkonte nusen dhe mosplotësimi i fejesës do të çonte në gjakmarrje. Për ta zgjidhur problemin, ai mori motrën e martuar nga Shala që ishte për vizitë te familja dhe ia dha burrit nga Nikaj – në vend të motrës më të vogël që kishte ikur. Dhëndri ishte i kënaqur me këtë situatë, sepse nuk kishte parë asnjërën nga vajzat më herët. Problemi u zgjidh kështu. Megjithatë, gruaja më vonë iku dhe u kthye te burri i saj i parë dhe burri nga Nikaj u qëllua për vdekje nga burrat e Shalës kur u përpoq ta kthente atë.
    Në rastet e rralla të martesave nga dashuria, në malësi, i riu e ka vizituar tashmë familjen e vajzës dhe e ka parë atë. Më pas, ai dërgon nënën ose një të afërm tjetër me një dhuratë për babanë e vajzës për të cilën ai është i interesuar. Nëse babai e pranon dhuratën, kjo është një shenjë që ai nuk ka kundërshtim ndaj lidhjes. Nëse babai refuzon, por vajza pajtohet, atëherë ajo rrëmbehet nga i riu dhe miqtë e tij. Ai është, megjithatë, subjekt i një gjakmarrjeje nga familja e saj. Sipas Steinmetzit, vajzat shpesh rrëmbehen me dëshirë.

    Nusja nuk merr pajë. Përkundrazi, është detyrë e të riut, përpara martesës, që të paguajë familjen e nuses, sipas mundësive të tij financiare, me 1000-1500 piastra (220 deri në 300 kruna austriake), dhe në disa raste deri në 3000 piastra (700 kruna). Nusja, pra, në të vërtetë blihet, ashtu siç vëren në detaje Carl Patsch në studimin e tij mbi Sanxhakun e Beratit.
    Poligamia ndodh mjaft shpesh në malësi. Në një rast ajo është e përcaktuar nga zakoni: nëse njëri nga dy vëllezërit vdes, vëllai që mbetet gjallë merr të venë si grua të dytë. E njëjta gjë vlen edhe për gruan e xhaxhait. Pikëpamjet për besnikërinë bashkëshortore janë shumë më të lehta në malësi. Steinmetz pohon se shkaku kryesor i gjakmarrjeve është “pabesia bashkëshortore e grave”. Ky studiues, shumë i besueshëm, shkruan si në vijim: “Udhëtarët e huaj të mëparshëm, të cilët theksuan moralin e rreptë të malësorëve dhe i lavdëruan si shembullorë, e bënë këtë nga një njohje sipërfaqësore e realitetit të gjërave. Sigurisht, nuk do të dëshironte askush të pohonte se njerëzit e malësisë janë përgjithësisht imoralë. Përkundrazi, si orientalët në përgjithësi, ata kanë pikëpamje shumë të rrepta për gjininë femërore dhe një vajzë e pamartuar nuk do të guxonte as të shkëmbente fjalë me një burrë. Por, është ndryshe për gratë e martuara. Gratë që tradhtojnë nuk janë aspak të rralla këtu”.

    Në kapitullin tim mbi kostumet shqiptare, kam vërejtur se gratë e pamartuara mund të dallohen nga të martuarat në atë që të parat nuk veshin ngjyrën e kuqe, edhe pse rrobat e tyre përndryshe janë të njëjta.

    Studiuesit kanë dhënë mendime shumë të ndryshme për paraqitjen e jashtme të grave shqiptare. Steinmetz pohon se ka mjaft fytyra tërheqëse, edhe pse fshatareske, ndër gratë e malësisë – ashtu siç ndodh edhe në vendin tonë. Baroni Nopcsa cili, nga ana tjetër, është më pak i sjellshëm, por ndoshta më i besueshëm, këmbëngul: “Martesat e hershme dhe puna e rëndë kanë ndihmuar që fizionomia, përgjithësisht e zakonshme e grave shqiptare, të shndërrohet në shëmtim brenda një kohe shumë të shkurtër. Edhe fytyrat më pak a më shumë të këndshme janë jashtëzakonisht të rralla”. Megjithatë, siç thekson baroni Nopcsa, për të qenë i drejtë, rrobat që veshin gratë lënë përshtypje të pafavorshme. Ato mund të përshkruhen si të shëmtuara dhe pa shije.
    Vlen të theksohet se gratë shqiptare, madje edhe ato myslimane, nuk mbulohen kur dalin jashtë dhe nuk bëjnë përpjekje të shmangin apo të fshehin fytyrën dhe duart nga pamja e të huajve.
    Është jashtëzakonisht e rrallë që një grua shqiptare të ulet në një vakt së bashku me mysafirë meshkuj. Në shtëpitë myslimane, gratë ndodhen në një dhomë tjetër me fëmijët, ndërsa mysafirët meshkuj rrallëherë i shohin ato. Përndryshe, dispozitat e Kuranit nuk merren shumë seriozisht nga gratë myslimane shqiptare; në çdo rast, ato nuk zbatohen.
    Gratë shoqërojnë burrat në betejë, por shërbejnë më shumë si bartëse armësh dhe mallrash e jo si bashkëshorte të barabarta me ta. Gratë përdoren për qëllime negocimi. Ato gjithashtu varrosin të vdekurit dhe kujdesen për të plagosurit. Ka raportime se gjatë periudhave të luftimeve të ashpra dhe të egra mes shqiptarëve dhe malazezëve, gratë janë vrarë – më së shumti, me shumë gjasë, nga plumbat qorr.
    Çdo shqiptar është i detyruar të martohet. Prandaj, ka shumë pak vajza të pamartuara. Megjithatë, ndodh herë pas here që vajzat të refuzojnë zgjedhën e martesës ose të mos jenë në gjendje të martohen për arsye familjare. Ato shkojnë atëherë në kishë dhe deklarojnë solemnisht se nuk do të martohen kurrë. Në këtë mënyrë, fitojnë të gjitha privilegjet e burrave dhe, nga ky moment e tutje, veshin rroba burrash dhe mbajnë armë. Këto vajza, të quajtura virgjëresha të betuara [burrnesha], janë nën mbrojtjen e kishës. Shumë prej tyre luftojnë për të përballuar punët e fermave që trashëgojnë nga etërit. Disa prej tyre janë shumë të kërkuara si këngëtare dhe udhëtojnë lirisht nëpër vend duke kënduar këngë vendase heroike. Shpesh ndodh që vajzat shpallen si virgjëresha të betuara për të shpëtuar pronën e familjes nga të afërmit, kur nuk ka trashëgimtarë të drejtpërdrejtë meshkuj në familje. Për më tepër, ky “ndryshim gjinie” është e vetmja rrugëdalje për një vajzë që dëshiron të shpëtojë nga fejesa e padëshiruar, pa e ekspozuar familjen e saj ndaj hakmarrjes së përgjakshme të një dhëndri të refuzuar.
    Johann Georg von Hahn na rrëfen për më të famshmen ndër këto virgjëresha të betuara, Marlën e Perlatajt, të cilën xhaxhai e fejoi me një turk nga Luria kur ajo ishte ende fëmijë. Kur Marla mbushi shtatëmbëdhjetë vjet dhe turku kërkoi ta merrte, ajo doli para kuvendit të pleqve në fshatin e saj dhe deklaroi se turku do ta detyronte të ndërronte fenë. Për të shpëtuar shpirtin, ajo dëshiroi të bëhej burrë. Kërkoi nga xhaxhai armët e të atit dhe i mbajti ato deri në vdekje si “Pjetri i Perlatajt”. Një tjetër vajzë shqiptare, Marçala nga Lasa, ishte e dashuruar me një djalosh i cili, megjithatë, ishte fejuar që në fëmijëri me një vajzë tjetër. Kur djaloshi u detyrua të martohej me të fejuarën për të mos shkaktuar gjakmarrje me familjen e saj, Marçala “ndërroi gjini” dhe prej atëherë u quajt Gjin. /Telegrafi/
    _______________[1] Pjesë nga Paul Siebertz: Albanien und die Albanesen, Vienna 1910, fq. 144-147. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie.

  • ‘Në tryezën e partnerëve ndërkombëtarë’, Rama ndan pamjet: Adresojmë arritjet dhe sfidat

    ‘Në tryezën e partnerëve ndërkombëtarë’, Rama ndan pamjet: Adresojmë arritjet dhe sfidat

    Kryeministri Edi Rama është ulur sot, 30 shtator, në tryezë me partnerët ndërkombëtarë, ku kanë diskutuar arritjet dhe sfidat e bashkëpunimit në rrafshin e mbështetjes financiare për Shqipërinë dhe projekteve zhvillimore. 
    Rama ndau një video nga takimi në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe koordinimit me donatorët dhe institucionet ndërkombëtare për të siguruar fonde dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. 
    Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit, identifikimi i mundësive të reja për investime dhe adresimi i sfidave që lidhen me menaxhimin e projekteve dhe financimin e tyre. 
    Kujtojmë se sipas raportit të fundit nga Banka e Shqipërisë, Turqia dhe Italia kryesojnë në investimet e huaja direkte për 6-mujorin e parë të këtij viti në vend. 
    Për gjysmën e parë të vitit, investimet e kompanive me kapital turk arritën vlerën e 89 milionë eurove. 
    Rritje të ndjeshme këtë vit kanë shënuar edhe investimet e ndërmarrjeve nga Kosova. Për 6-mujorin 2025, ato arritën vlerën e 63 milionë eurove, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

     

  • Çfarë ndodhi? KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarëve të njohur (Emri)

    Çfarë ndodhi? KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarëve të njohur (Emri)

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka lënë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Elbasan Taulant Tafa.
    Vendimi u mor nga trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare.
    ‘Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 649, datë 24.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Taulant Tafa. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në njoftimin e KPA.Ndërkohë, KPA ka lënë në fuqi edhe shkarkimin e Izabela Radovanit, gjyqtares së Gjykatës së Shkodrës.
    ‘Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 34/2023, datë 20.07.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Izabela Radovani kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 647, datë 14.04.2023.
    Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 647, datë 14.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Izabela Radovani. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në njoftim.
    Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, më 14 prill 2023 shkarkoi nga detyra Gjyqtaren e Gjykatës së Shkodrës, Izabela Radovani. Radovani dha shpjegime për mospërputhjet në deklarimin e pasurive, mungesat financiare për krijimin e tyre, si dhe për transaksionet për një apartament, të kryera në emrin e saj. Izabela Radovani e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor si ndihmësgjyqtare në vitin 1996 dhe në vitin 2000 u emërua gjyqtare në Shkodër, ku dhe punoi prej më shumë se dy dekadash.

  • Tryeza e ILD,Metani:Gjetja e mekanizmave për llogaridhënien, mbron integritetin dhe efikasitetin e aktivitetit gjyqësor

    Tryeza e ILD,Metani:Gjetja e mekanizmave për llogaridhënien, mbron integritetin dhe efikasitetin e aktivitetit gjyqësor

    Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i shoqëruar nga njësia e Inspektorëve dhe njësia e ndihmësinspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, mori pjesë në tryezën mbi rolin e magjistratëve në një shoqëri demokratike dhe funksionin e inspektimeve gjyqësore.
    Aktiviteti ishte konceptuar si bashkëbisedim me dy magjistratë spanjollë me eksperiencë të gjatë në fushën e inspektimeve dhe çështjeve disiplinore, gjyqtari Juan Martínez Moya, me karrierë 38 vjeçare, anëtar i Gjykatës së Lartë të Spanjës, ish anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Gjyqësorit të Spanjës, ish kryetar i Gjykatës së Lartë të Murcias, kontribues në themelimin e Rrjetit Evropian të Shërbimit të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ) dhe hartimin e Kartës Evropiane të Etikës së magjistratëve, si dhe gjyqtari Ricardo Conde Díez, me karrierë 30 vjeçare në sistemin gjyqësor, aktualisht promovues i Akteve Disiplinore në Spanjë.
    Në fjalën e tij Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nënvizoi bashkëpunimin e suksesshëm të ILD-së me RESIJ, pjesë aktive e të cilit ka qenë edhe gjyqtari Moya, me të cilin trupa e inspektimit të ILD-së, do flasë mbi një temë të gjerë, siç është roli i gjyqtarëve edhe në raport me shoqërinë, përmes rasteve praktike nga përvoja e magjistratëve spanjollë.Metani solli në vëmendje rëndësinë që ILD i kushton në punën e vet, gjetjes së balancës mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit legjitim të publikut për mënyrën sesi administrohet drejtësia dhe përpjekjet e vazhdueshme për ”gjetjen e mekanizmave për llogaridhënie, jo si mjet kontrolli, por për të mbrojtur integritetin dhe efikasitetin e aktivitetit gjyqësor, duke respektuar parimet e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.”
    Gjyqtari Juan Martinez Moya, falenderoi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe veçoi bashkëpunimin në kuadër të RESIJ (Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë), ku ILD dallohet si histori suksesi për Rrjetin, pasi nga statusi i vëzhguesit, tashmë është anëtar me të drejta të plota i RESIJ.
    Gjyqtari Moya foli për standardet e pavarësisë së gjyqësorit, duke u ndalur tek koncepti i pavarësisë e sundimit të ligjit, arsyet e pavarësisë së magjistratëve, niveli i garantimit të pavarësisë, kushtet e ushtrimit të detyrës, të gjithë dimensione, që shkojnë paralel me llogaridhënien e transparencën, si elementë të domosdoshëm të pavarësisë.
    Ndërsa gjyqtari Ricardo Conde Díez u ndal në përgjegjësinë disiplinore dhe pavarësinë gjyqësore, dallimin midis inspektimit dhe masave disiplinore, kufizimet në inspektim dhe kontrollin e performancës juridiksionale.
    Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit EU4Justice, i konceptuar si një dialog i hapur dhe konstruktiv, mes ekspertëve spanjollë dhe trupës inspektuese të ILD-së, mbi rolin e gjyqtarëve në një shoqëri demokratike, me një fokus të veçantë në ruajtjen e pavarësisë gjyqësore, sigurimin e llogaridhënies dhe ruajtjen e besimit publik në gjyqësor, inspektimet gjyqësore, si një mekanizëm kyç për të mbrojtur integritetin dhe efikasitetin e aktivitetit gjyqësor, duke respektuar parimet e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.

  • “Pse ma bëre këtë, ne jemi rritur bashkë”, nëna e Elis Rroshkodolit flet për herë të parë: Djalin ma vrau…

    “Pse ma bëre këtë, ne jemi rritur bashkë”, nëna e Elis Rroshkodolit flet për herë të parë: Djalin ma vrau…

    Emisioni “Në Shënjestër” me autore gazetaren Klodiana Lala, transmetoi këtë të martë, dëshminë e nënës së Elis Rroshkodolit, i vrarë me armë zjarri , teksa po konsumonte kafe në një lokal në qytetin e Shkodrës.
    Kjo është hera e parë që Lindita flet në media duke dhënë versionin e saj për ngjarjen e rëndë të 30 gushtit kur djalit të saj iu pre jeta në mes në moshën 36 vjeç.
    Lindita Rroshkodoli, është një grua e mbetur e ve që në vitin 1993 kur i shoqi u qëllua po në një lokal teksa ishte kthyer nga një varrim.
    “Burri kur u vra ishte me një shok duke pirë kafe. Dhe ky quhej Hys. Dhe e thërrasin Hysën të dalë si dëshmitar. Ai nuk pranonte, kishte frikë, apo ndjente presion, nuk e di.
    Dhe e thërrasin dy kunetërit e mi, vëllezërit e burrit. Ore nuk do të të bëjmë gjë. Vetëm trego. Në atë kohë kunati i vogël e plagos Hysën dhe ai ngel invalid. Tani ia faturuan djalit”
    Plagosja e dëshmirarit tashmë ishte një plagë e hapur për familjen Rroshkodoli.
    Që ndërsa kërkonte drejtësi për kryefamiljarin e humbur, duhej të përballej tashmë me një gjak të pashlyer.
    Për ti shpëtuar gjakmarjes, Lindita tregon se vendosi të dërgojë djemtë në azil, së pari djalin e madh Elisin.
    “Shumë sakrifica si nënë. Mbaroi klasën e 8. Kisha ngacmime, Merri fëmijët dhe largohu nga Shkodra.
    Ku do ikja? Lekë nuk kisha, pasaportë nuk kisha. Djemtë u rritën. Frika më hyri më shumë. Se mi ngacmonin njerëzit. Do merrni gjakun”, thotë ajo për emisionin “Në Shënjestër”.
    Ajo tregon se gjithmonë ishte e interesuar për pajtim gjaqesh, por nuk pranonin pala kundërshtare.
    Dhe u detyrova ta çoja në azil. Njeri s’kisha, lekë s’kisha. U detyrova ta çoj Elisin në Belgjikë. 4 muaj kishte Elisi në Belgjikë. Dhe do shkonte edhe djali tjetër”, thotë Lindita.
    Por nuk do të vononte dhe një tjetër ngjarje e kobshme do të binte mbi familjen e Linditës.
    Ai që do të humbiste jetën këtë here do të ishte Taulanti, djali i saj më i vogël I cili ndërsa po përgatitej t’i bashkohej vëllait të tij më të madh Elisit në azil në Belgjikë, bie pre e një aksidenti të rëndë automobilistik. Ku krahas tij, humbin jetën edhe tre persona të tjerë.
    “Bëri pasaportën. Fal një shok, fal një teze, fal një dajë. Vjen në Elbasan dhe më thotë, mami do shkoj të takoj nënëdajën, dhe shokët se unë nuk dihet kur vi tani, Mirë mi mam i thashë. Kur më vjen haberi, djali kishte humbur jetën. U bë një aksident i madh, në Labinot të Elbasanit. Vdiqën katër vetë. Ndër ta ishte edhe Taulanti, 23 vjeç”, rrëfen Lindita Rroshkodoli.
    Duket se fati me këtë nënë që ende nuk kishte hequr rrobat e zisë së humbjes së bashkëshortit, po tregohej më i pamëshirshëm se me askënd.
    Pasi sa herë përpiqej të rregullonte një gjë, një dorë tjetër duket sikur punonte për t’i rrokullisur ato me kokë poshtë.
    Një fat i zi që do ta përndiqte edhe në vazhdim.
    Vdekja tragjike e Taulantit në aksident, do të bënte që edhe Elisi të linte azilin në Belgjikë dhe të qëndronte pranë nënës së tij, që ishte mjaftueshëm e ligshtuar në shëndet pas humbjes së djalit.
    Por kthimi i Elisit në Shqipëri do të hidhte poshtë edhe të gjithë mundin dhe sakrificën që kishin bërë si familje, që ai të shkonte në azil në Belgjikë.
    “Nuk mund ta varrosja djalin pa erdhur vëllai. U lajmërua Elisi. Elisi ndejti katër muaj me mua, se unë isha vetëm, isha shumë e sëmurë”, thotë ajo.
    Por edhe pse nëna e tij ishte e mundur nga dhimbja për humbjen e të birit në aksident, frika se Elisi mund të binte pre e një sulmi nga gjaksit e tyre, jetonte ende me të.
    Pasi kishte humbur bashkëshortin dhe tashmë edhe djalin e dytë, Lindita nuk mund ta pranonte të humbiste edhe djalin e madh.
    Për këtë arsye ajo i kërkoi të birit që të kthehej në azil në Belgjikë.
    Aty ku do të ndihej më i sigurtë se sa në Shkodër, ku hija e vdekjes i vinte rrotull, sa herë kalonte në rrugët e qytetit. Dhe zemra e saj rrinte e ngrirë sa herë ai largohej nga banesa, apo vonohej të kthehej.
    Por ndërsa mendonte se në Belgjikë, Elisi do të ndihej më i mbrojtur, mesa duket peripecitë për këtë familjen nuk ishin mbyllur ende. Pasi këtu fillon një tjetër histori, ku ajo beson që ka lidhje me atë që do t’i ndodhte të birit në vazhdim.
    Atë që ka lidhje me vrasjen e tij në moshën 36 vjeçare më 30 gusht të vitit 2024 në Shkodër. Ku teksa ruhej nga hasmi që kishin në këtë qytet, që ishte familja e dëshmitarit të plagosur nga kunati i saj, në skenë ngjitet një tjetër ngjarje.
    Që zë e nis fill pikërisht në momentin e kthimit për herë të dytë të Elisit në Belgjikë. Aty ku ai përfshihet në një zënkë për çështje nderi dhe plagos një person që është po nga Shkodra. Plagosje për të cilën ai vuan një dënim me 4 vite heqje lirie në Belgjikë.
    Dhe që nëna e tij beson se është pikërisht kjo ngjarje që çoi në eleminimin disa vite më vonë të djalit të saj.
    “Pas 4 muajsh djalit i thashë, mam ça do bësh më këtu. Dhe ikën përsëri në Belgjikë.Me shumë vështirësi hyri përsëri. Dhe tregoi arsyet. Aty djali kishte zënë një shoqe. Ajo punonte kamariere në një lokal ku punonte edhe djali, që quhej ‘Vllaznia’. Tani në këtë lokal punonte edhe vëllai i këtij që ma ka vrarë djalin”, vijon rrëfimin e saj Lindita.
    Këtu sipas rrëfimeve që i ka bëri vetë Elisi nënës e tij, sikur të mos mjaftonin problemet e panumërta që kishin, fillon dhe gatuhet një tjetër histori e cila shërben si një intrigë nga e cila ai nuk do të dalë më.
    Në mes të këtij trilli një vajzë dhe rreth saj një djalë që vendos përballë sedrën e tij prej mashkulli të vërtetë dhe në krahun tjetër një tjetër mashkull me të cilin janë rritur, që pabesisht shkon dhe i ngacmon femrën e tij.
    “Elisi duke ndejtur i thotë një shok, se ka shkuar Geri te shtëpia jote për atë vajzën. Shkon, dhe i thotë pse ma bëre këtë, se ata janë rritur bashkë. Mua ma bëre këtë. Dhe e plagosi. Në këtë kohë djali arrestohet dhe bën 4-5 vjet burg në Belgjikë, për këtë plagosje që bëri”, tregon nëna e Elis Rroshkodolit i vrarë më 30 gusht 2024.
    E mbetur tashmë e vetme me djalin e vetëm të mbetur në burg në Belgjikë, edhe pse në një moshë jo më të re, Lindita rrëfen se u detyrua që për t’i plotësuar të birit nevojat që kishte në qeli ku ndodhej, të punonte me orë të zgjatura gjatë sezonit të verës.
    Madje deri në 16 orë punë të lodhshme. Vetëm që Elisit të mos i mungonte asgjë aty ku ndodhej. Në pritje që ai një ditë të mbaronte vuajtjen e dënimit dhe të kthehej pranë saj. Ditë e cila erdhi.
    “Unë i çoja lekë djalit në Belgjikë, se më thoshte: ‘mam ka ngel pa lekë’. Punoja 16 orë. Doli nga burgu. Mori edhe expuls në Belgjikë. Ndejti në Shqipëri. Bëri një martesë fiktive, për të ndërruar mbiemrin. Siç e bëjnë të gjithë. E bëri dhe kaloi. Por iku në Francë”, thotë Lindita.
    Por qëndrimi në Francë nuk do të ishte i gjatë. Pasi do të duhej të kthehej shpejt në Shqipëri, për shkak të skadimit të pasaportës.

  • Shkolla e Magjistraturës revolucionon në formimin e gjyqtarëve, ja si do të trajnohen ata nga tani e tutje

    Shkolla e Magjistraturës revolucionon në formimin e gjyqtarëve, ja si do të trajnohen ata nga tani e tutje

    Shkolla e Magjistraturës njofton se ka miratuar disa ndryshime të rëndësishme në programin e formimit për kandidatët për gjyqtarë, prokurorë, avokatë shteti, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë.
    Sipas njoftimit të kësaj shkolle, këto ndryshime janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian dhe përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian.
    “Programi i ri është më shumë i orientuar drejt praktikës, i kushton vëmendje të posaçme jo vetëm aftësive ligjore, por edhe aftësive jo-ligjore, integritetit dhe etikës”, thuhet në njoftimin e postuar në rrjete sociale të Shkollës së Magjistraturës.
    Në thelb të qasjes së re qëndron mentorimi i drejtpërdrejtë i kandidatëve, përgatitja hap pas hapi e akteve, si dhe nxitja e bashkëveprimit, analizës dhe debatit profesional.
    “Aftësitë dhe kompetencat që synohen janë pjesë e përditshmërisë së profesionit. Në përfundim të programit të formimit fillestar, kandidatët për gjyqtar, prokuror, avokat shteti dhe ndihmës ligjor do të jenë gati për t’i shërbyer sistemit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

  • Sulm me armë në Beograd, vritet 1 grua dhe plagosen 5 të tjerë

    Sulm me armë në Beograd, vritet 1 grua dhe plagosen 5 të tjerë

    Një grua ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë janë plagosur, në një sulm të armatosur që ndodhi pasditen e sotme në një kafene në lagjen Višnjiçka Banja të Beogradit, Serbi Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 dhe shkaktoi panik të madh te qytetarët.
    Sipas dëshmitarëve okularë, një person i armatosur ka arritur në vendngjarje me një furgon të bardhë në afërsi të lokalit, është afruar nga pjesa e pasme dhe ka hyrë brenda kafenesë, ku ka filluar të qëllojë me armë zjarri.
    “U dëgjuan katër ose pesë të shtëna. Menjëherë pasuan britmat, rrëmuja dhe njerëzit nisën të vraponin në të gjitha drejtimet. Ishte një kaos total”, tregoi për gazetën Kurir një dëshmitar, që ndodhej afër vendit të ngjarjes.

    Dëshmitarët raportojnë se agresori ka qenë tepër i zemëruar, kur hyri në lokal.
    “Para se të fillonte të qëllonte, e dëgjuam duke bërtitur, ishte shumë i nervozuar. Pastaj nisi të qëllonte me armë, pa dallim. Pas sulmit, autori i dyshuar u fut në furgon dhe u largua me shpejtësi”, shtoi një mekanik, aty pranë.
    Kush janë të plagosurit?
    Sipas burimeve zyrtare, në sulmin e armatosur janë plagosur këta persona:
    V.D (51 vjeç) – në gjendje të rëndë, ndodhet në repartin e reanimacionit.
    M.Lj (42) – ka pësuar plagë nga një plumb në pjesën e poshtme të këmbës së majtë.
    A.O (59) – është qëlluar në kofshën e majtë.
    N.N (33) dhe L. D. (29) – kanë marrë plagë në këmbë dhe në pjesën e pasme të trupit.
    Fatkeqësisht, një grua, e cila ishte ulur pranë hyrjes së lokalit ka ndërruar jetë në vend. Identiteti i saj nuk është bërë ende publik.
    Detaje të tjera nga vendngjarja
    Në vendin e ngjarjes janë dëgjuar britma dhe ulërima, ndërsa disa xhama janë thyer – si të lokalit, ashtu edhe të disa makinave të parkuara përreth.
    “Fillimisht u dëgjua një frenim i fortë i gomës, pastaj zbriti një burrë nga furgoni që dukej shumë i nervozuar. Filloi të bërtasë dhe më pas hapi zjarr. E gjitha ndodhi për disa sekonda,” shpjegon një tjetër dëshmitar.
    Gjatë hetimeve, në vendngjarje është gjetur një armë zjarri pranë njërit prej klientëve të lokalit, por nuk është konfirmuar nëse ka lidhje me ngjarjen.
    Ndërkohë, para lokalit janë parë grupe të rinjsh, që qanin dhe përqafoheshin – shumë prej tyre thuhet se njihnin viktimën ose të plagosurit.
    Hetimet në vazhdim
    Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipet e policisë dhe Prokuroria e Lartë Publike e Beogradit, të cilët kanë nisur hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe sqarimin e motiveve të këtij akti të dhunshëm.
    Për momentin, nuk është konfirmuar nëse agresori veproi i vetëm apo kishte bashkëpunëtor. Po ashtu, nuk dihet ende nëse ngjarja lidhet me ndonjë konflikt të mëparshëm personal apo është akt criminal, me motive të tjera.

  • Gara për bashkinë e Tiranës, Boçi zbulon kriteret që duhet të plotësojë kandidati i opozitës

    Gara për bashkinë e Tiranës, Boçi zbulon kriteret që duhet të plotësojë kandidati i opozitës

    Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, zbuloi kriteret që duhet të ketë kandidati opozitar për garën në Bashkinë e Tiranës.
    Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Boçi tha se kandidati duhet të jetë një person që e do Tiranën, të jetë opozitar, teksa shtoi se duhet të jetë edhe një kandidat që të ketë fibrën e duhur politike, por sidomos edhe fibrën e duhur qytetare.
    Luçiano Boçi u shpreh se në PD ka shumë kandidatë, duke nënvizuar se disa vetëofrohen, ndërsa disa të tjerë edhe u kërkohet të kandidojnë.
    INTERVISTA E PLOTË:
    Si e shikoni ju përballjen e radhës elektorale që do të kemi në 6 bashki?
    Boçi: Është një përplasje që mundohet të nxitohet, të kapë ritmet euforike të një rezultati që dihet që nuk është një rezultat i drejtë, rezultati i grabitur i 11 majit. Për të ruajtur atë inercinë dhe për të ruajtur pompozitetin e një fitoreje që nuk është e tillë, por që interpretohet e tillë.
    Si shpjegohet që Partia Demokratike ende nuk e ka një emër për garën në Tiranë?
    Boçi: Në PD ka figura me influencë publike dhe politike, pavarësisht vendeve që ato zënë në hierarkinë drejtuese të Partisë Demokratike. Kjo tregon që ka një konkurrencë. Ka shumë kandidatë. Ka edhe kandidatë që vetëofrohen, ka edhe kandidatë që u kërkohet të jenë pjesë e kandidimit. Ka një negocim me pjesën tjetër të opozitës, me qëllim që të kemi një produkt serioz, një kandidat që përfaqëson PD, por edhe qytetarët e Tiranës. Janë disa procese që tregojnë që ka seriozitet në zgjedhjen e një kandidati që ai të paraqitet me ato parametra që e kërkon publiku.
    PD bëri një betejë shumë të fortë për ta rrëzuar Veliajn. Duket sikur tani e keni marrë më shtruar, kur ju këtë keni pritur apo jo, që ajo zyrë të lirohet dhe ju të nxitoni për të konkurruar?
    Boçi: Shpalljen e zgjedhjeve nuk e ka në dorë as Edi Rama, as opozita. Është kushtetuta dhe vendimet ligjore që përcaktojnë kohën kur janë zgjedhjet. Jemi duke ndjekur me vëmendje çdo hap ligjor dhe në momentin më të duhur do të kemi kandidatin tonë. Nuk mund të themi pse është përpara PS se u kujtua Rama në asamble të paraqesë një kandidat.
    A është pjesë e diskutimeve tuaja ideja që është hedhur edhe nga forcat e tjera të opozitës, që kandidati mund të jetë edhe një përfaqësues që nuk vjen nga politika, por një njeri që të bashkojë gjithë frymën antiqeveri? E keni këtë ide në diskutim?
    Boçi: Të gjitha opsionet janë në tavolinë. Këto pika do të bashkohen me profilin që do të jetë përfaqësues. Së pari, të jetë një person që e do Tiranën. Së dyti, të jetë opozitar dhe së treti, të jetë një kandidat që të ketë fibrën e duhur politike, por sidomos edhe fibrën e duhur qytetare.
    /vizionplus.tv