Këtë të hënë ka nisur mega-gjyqi “Sky ECC” në Namur të Belgjikës. Plot 58 persona po ndiqen penalisht për kultivim dhe shitje të kanabisit, pastrim parash, mbajtje armësh dhe për anëtarësim në një organizatë kriminale. Fillimisht janë dëgjuar udhëheqësi i dyshuar, krahu i tij i djathtë, shpërndarësit dhe punëtorët
Nga Loic Martin, SUD INFO
Gjyqi i shumëpritur “Sky ECC” nisi këtë të hënë në pallatin e drejtësisë në Namur. Ai mban këtë emër sepse 58 të pandehurit e kësaj çështjeje janë të lidhur me sistemin e mesazheve të koduara “Sky ECC”, i cili për shumë vite u ka mundësuar kriminelëve të kryejnë aktivitetet e tyre të paligjshme duke i shpëtuar hetimeve të policisë.
Akuzat e ngritura kundër këtyre 58 personave janë të ndryshme: kultivim dhe shitje të kanabisit, mbajtje armësh, vjedhje të energjisë elektrike, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Shumica e veprave kanë ndodhur midis viteve 2016 dhe 2024.
I pari që u mor në pyetje ishte një shqiptar rreth të tridhjetave, i cili konsiderohet si udhëheqësi i dyshuar i organizatës. Ai e mohoi me forcë këtë rol: “Më ngarkojnë me akuza nga të gjitha anët dhe më shumë se ç’duhet,” tha ai. “Kur erdha në Belgjikë kisha nevojë për shumë para, por nuk i kam bërë keq askujt. Më vonë kam komunikuar me të tjerët përmes Sky ECC, por nuk ishin urdhra. Nuk e njoh veten fare në profilin që më atribuojnë”.
Kirurgji dhe arratisje në Spanjë
Megjithatë, sjelljet e tij kanë qenë të pazakonta përballë akuzave. Përgjimet kanë treguar se ai koordinoi aktivitetet në plantacionet e ndryshme ku shkonte personalisht. Sipas gjykatësit Hauquier, ai u arratis në Spanjë dhe kërkohej nga policia shqiptare. Thuhet se atje iu nënshtrua një operacioni dhe ndryshoi emrin për të mos u gjetur.
“Kjo është plotësisht e pavërtetë, dhe operacioni ishte për një problem me septumin e hundës,” shtoi ai.
Edhe bashkëshortja e tij është dashur të japë shpjegime për dyshime mbi pastrimin e parave dhe pjesëmarrjen në organizatë. Ajo i hodhi poshtë akuzat me vendosmëri: “Nuk kam bërë asgjë të paligjshme dhe nuk kam asnjë lidhje me ndonjë organizatë.”
Motra e arrestuar në Itali
Një tjetër anëtare e familjes së udhëheqësit të dyshuar, motra e tij, ishte gjithashtu e pranishme. Ajo duhet të përgjigjej për akuzat e pastrimit të parave. Dyshohet se ajo ka pranuar para në Shqipëri për t’i dërguar më pas në Belgjikë në formë huash familjare.
Kur vëllai i saj u arrestua, ajo u bë menjëherë e dyshuar dhe u arrestua ndërsa ndodhej në Itali.
“Jam e habitur që ndodhem këtu,” tha ajo. “Kam përdorur një telefon që ma dërgoi vëllai, por nuk e dija që kishte Sky ECC brenda. Për më tepër, aty kishim vetëm biseda familjare. Duhet të them se që nga arrestimi i tij, ka pasur shumë konflikte në familje. Të gjithë punojnë në fushën e drejtësisë dhe nuk duan më të kenë kontakte me të”.
Të martën, pritet të dëgjohen edhe të pandehurit e tjerë, përpara se prokuroria të paraqesë fjalën e saj përfundimtare.









