Studentët e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës (PMF) në Novi Sad kanë bërë publike një zbulim tronditës: analizat kimike të gëzhojave të gjetura në kampus pas protestave të 5 shtatorit tregojnë qartë se policia serbe ka përdorur gaz CN, një substancë e vjetër, toksike dhe jashtë standardeve moderne të kontrollit të turmës.
Ky fakt ngre pikëpyetje serioze mbi brutalitetin shtetëror dhe sjelljen e forcave të rendit ndaj qytetarëve, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme, në stilin tipik të mohimeve të regjimit të Vuçiçit, ka deklaruar se nuk posedon dhe nuk përdor gaz CN. Ky version është kundërshtuar nga vetë rezultatet e analizave, duke lënë hapur dyshimet për mashtrim institucional dhe fshehje të provave.
Gazi CN (kloroacetofenon) është i njohur për efektet e tij të rënda dhe të rrezikshme: verbëri e përkohshme, dhimbje të forta në sy, kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe dëmtime serioze të traktit respirator. Në hapësira të mbyllura, ekspozimi ndaj tij mund të jetë kërcënues për jetën. Pikërisht për këto arsye, shumë shtete e kanë hequr nga përdorimi prej dekadash, duke e zëvendësuar me gazin CS, më pak toksik.
Fakti që policia e Vuçiçit dyshohet se përdor ende mjete të rrezikshme dhe të dala boje kundër studentëve e qytetarëve është një sinjal alarmi për gjendjen e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Serbi. Studentët tashmë kërkojnë një hetim të menjëhershëm dhe transparent, ndërsa opinioni publik pret përgjigje se kush dha urdhrin për të përdorur gazin e rrezikshëm kundër protestuesve.
Ky skandal shton një tjetër njollë të rëndë mbi imazhin e Vuçiçit dhe qeverisë së tij, të cilët gjithnjë e më shumë po akuzohen për shtypje brutale të protestave dhe trajtim të dhunshëm të qytetarëve.









