Day: September 13, 2025

  • “Për herë të fundit, më kërkuan një darkë…”, letra prekëse e babait të motrave që u shuan në aksidentin tragjik të Delvinës

    “Për herë të fundit, më kërkuan një darkë…”, letra prekëse e babait të motrave që u shuan në aksidentin tragjik të Delvinës

    Humbja e motrave Dhimaku në një aksident rrugor ishte ndër ngjarjet tragjikë që tronditën vendin këtë verë. Dy jetë të reja u shuan në një aksident fatal. Ela Dhimaku 22 vjeçe ishte drejtuesja e mjetit tip Lancia që u përplas me një automjet tip ‘Audi’ të drejtuar nga 23-vjecari Kevi Norra, ndërsa motra e saj Rezi Dhimaku 20 vjeçe ishte pasagjere.
    Përmes një letre, babai i vajzave të ndjera shpreh dhimbjen për humbjen e dy vajzave të tij dhe sfidën për kurimin e djalit, i cili vijon betejën me leuçeminë.
    “Kur u ndava për herë të fundit nga vajzat e mia, më kërkuan një darkë, vetëm një mbrëmje me mua. Më folën me një zë që më dridhet ende në shpirt: ‘Dalim babi, të lutem, se ndoshta nuk shihemi më’. E dinin që do shkoja në stan, në mal, ku rrija më shumë se një muaj. Ndoshta e ndjenin diçka, një parandjenjë që unë e injorova”, shkruan babai në letrën e tij.
    “Nuk pranova. Jo se nuk i doja por se nuk munda ta harxhoja lekët e vajzave të nxjerra me aq sakrifica. Ishim në luftë me leuçeminë e djalit të vogël, Islit. Dhe mendova se ishte më mirë të kurseja. Silueta e tyre më është ngulitur në mendje e shpirt. Qëndronin te dera, të heshtura me kokën ulur. I përshëndeta me dorë dhe humba pas kthesës së rrugës. Ngjita malin në këmbë, drejt stanit, 3 orë ecje mes ferrave, shkurreve në terrenin e thepisur. Ishte ora 20:30 kur më ra telefoni. Një zë i trazuar më tha: ‘Ka ndodhur një aksident, por nuk jemi të sigurt; mund të jenë vajzat e tua’. M’u ngri zemra. Elvisa dhe Rozina, a janë mirë? A janë gjallë?”
    Vrapova nëpër natë, në terr, nëpër gurë e humnera për të mësuar të vërtetën. Nuk më mbante më toka, më mbante vetëm dhimbja. Në gjysmën e rrugës, një therje më çau kraharorin, si një parandjenjë tragjedie. Pas vetëm dy minutash, një tjetër telefonatë. E hapa me duart që më dridheshin e atë zë s’do e harroj kurrë: Riza, bëhu i fortë, vajzat na lanë”. Në atë natë të zezë, mes askundit, humba gjithçka. U ula aty, nuk doja të ngrihesha më. Zbritjen nga mali që zgjat tre orë, e bëra për një orë e gjysmë i shkatërruar, por i gjallë për të parë vdekjen me sytë e mi”.
    Elvisa dhe Rozina u shuan në pak sekonda, mbrëmjen e 24 gushtit në aksidentin tragjik, ndërsa udhëtonin nga fshati i tyre drejt Sarandës. Kishin marrë një tezgë këtë vit e punonin si shitëse ambulante në Sarandë, shisnin shishqebap, bukë me qofte e misra. Ishin shumë të lumtura sepse çdo para e fituar, i afronte edhe më shumë me kurimin e vëllait 7 vjeçar.
    Isli është diagnostikuar me leuçemi para pothuajse 4 vitesh. Familja nuk i ka pasur kushtet për ta ndjekur, kanë bërë sa kanë mundur këtu në Tiranë dhe disa herë e kanë dërguar në Athinë, por asnjë rezultat. Elvisa dhe Rozina ishin krahët e prindërve të tyre. Fëmijërinë e kaluan nëpër male, në stane, duke ndihmuar me bagëtitë.
    “Flinin mbi xhupat e prindërve, të shtruar mbi gurë. Me duar të njoma mblidhnin çaj dhe e shisnin. Edhe sot, në muret e shtëpisë së tyre, varen tufat e fundit të çajit që ato mblodhën para se të ndodhte aksidenti. Kishin zgjedhur të ndihmonin familjen por dhe të përqafonin rrugën e dijes. Elvisa kishte mbaruar studimet për Teknik Laboratori, në 1 shtator do të fillonte punë. Ndërsa Rozina këtë vit do të ishte në vitin e tretë për infermieri. Dëshironin të vazhdonin ëndrrat për t’u bërë dikushi, por mbi të gjitha, një ditë të mund të shëronin vëllain e tyre nga leucemia”, shkruan i ati.
    Por sot nuk janë më. Prindërit janë të shkatërruar e djali i vogël rritet pa dy motrat që ishin gjithçka për të. Shtëpia është bosh, dhimbja mbizotëron e zija ka pushtuar çdo cep. Vetëm rikthimi i Islit të shëruar mund të sjellë jetë sërish në familjen Dhimaku.

  • Seanca e parë e Kuvendit, kush janë 5 deputetët që nuk u betuan?

    Seanca e parë e Kuvendit, kush janë 5 deputetët që nuk u betuan?

    Nga 140 deputetë që morën mandatin nga zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, 5 prej tyre nuk u betuan në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë. Në seancën e së premtes, munguan 3 deputetë nga grupi parlamentar demokrat, Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi dhe Jozefina Topalli.
    Burime thanë se Bylykbashi dhe Vokshi ndodhen në një takim të Partive Popullore Evropiane ndërsa deputetja Jozefina Topalli nuk ishte e pranishme për shkak të angazhimeve të saj.
    Dy deputetët e tjerë që munguan në seancën e konstituimit të Kuvendit, I përkasin Partisë Socialdemokrate. Ata do të zëvendësojnë Tom Doshin, kreun e PSD dhe Sabina Jorgo, të cilët kanë hequr dorë nga mandati dhe në vend të tyre do të futen në Kuvend Osman Teta dhe Meri Markiçi.
    Teta ka qenë i treti në listën e mbyllur të PSD-së, ndërsa Markiçi ka siguruar mandatin si gruaja më e votuar, me 614 vota. Për 5 deputetët që munguan, betimi i tyre do të bëhet në seancën e radhës.

  • Tritan Shehu i “del nga rreshti” Berishës, merr pjesë në votimin për Niko Peleshin: Ishte refleks…

    Tritan Shehu i “del nga rreshti” Berishës, merr pjesë në votimin për Niko Peleshin: Ishte refleks…

    Në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi, deputeti i PD Tritan Shehu ishte i vetmi që prishi rregullin e grupit parlamentar. Ai mori pjesë në votim duke futur në kutinë e votimit fletën e votimit dhe jo pankartat sic bënë deputetët e tjerë të opozitës.
    Në fund të votimit, nga 87 deputetë që morën pjesë 3 prej tyre votuan kundër.
    Bashkë me votën kundër të deputetit Tritan Shehu, ishin dhe vota e Ana Dajkos nga partia “Shqipëria Bëhet” dhe vota e deputetit Redi Muçi nga “Lëvizja Bashkë”.
    Nga opozita, këtij rregulli nuk iu bashkua deputetja Mesila Doda, e cili ndonëse ishte e pranishme në Kuvend, nuk iu drejtua kutisë – duke mos iu bashkuar sjelljes protestuese të demokratëve.
    Gazetarja e Top Channel Elda Menga e pyeti deputetin demokrat Tritan Shehu, përse theu urdhrin e grupit dhe mori pjesë në votimin për kreun e ri të Kuvendit.
    “Ishte thjesht refleksi i votimit. Asgjë tjetër“, u përgjigj per Top Channel zoti Shehu.
    Gazetarja e Top Channel e pyeti zotin Shehu, nëse kishte votuar pro apo kundër Niko Peleshit.
    “Pa dyshim kundër“, konfirmoi Shehu.