Day: September 12, 2025

  • La Liga ka 11-shen më të vlefshme në botë, udhëhiqet nga Lamine Yamal

    La Liga ka 11-shen më të vlefshme në botë, udhëhiqet nga Lamine Yamal

    La Liga ka publikuar me krenari faktin se kampionati spanjoll përmban 11-shen më të shtrenjtë në botë, me vlerë totale prej 1.303 miliardë euro, duke lënë pas Premier League (1.095), Bundesliga (697), Ligue 1 (689) dhe Serie A (640), sipas të dhënave të “Transfermarkt”. Formacioni i La Liga-s: Unai Simón (28 milionë euro); Alexander-Arnold (75), Cubarsí (80), Huijsen (60), Balde (60); Valverde (130), Pedri (140), Bellingham (180); Lamine Yamal (200), Mbappé (180) dhe Vinicius (170).
    Në krye të këtij formacioni është Lamine Yamal, i vlerësuar me 200 milionë euro, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë në botë. Pas tij qëndrojnë Mbappé dhe Vinicius, ndërsa Pedri me 140 milionë përfaqëson një tjetër kandidat të Barcelonës për “Topin e Artë”. Ky formacion dominohet thuajse tërësisht nga Barcelona dhe Real Madridi, me përjashtim të portierit Unai Simón (Athletic Club).
    Nga ana tjetër, Real Madridi ka investuar fuqishëm duke afruar Huijsen dhe Alexander-Arnold, si dhe shpenzuar 50 milionë euro për Carreras e 45 milionë për Mastantuono. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk figuron në 11-shin më të vlefshëm, ku Balde ka lënë pas Carrerasin, ndërsa Mastantuono nuk ka mundur të konkurrojë me “tripletën e artë” Lamine Yamal, Mbappé dhe Vinicius Junior.

  • Testi para “Topit të Artë”… Dembélé triumfon për pak ndaj Yamal në “Onze d’Or 2025”

    Testi para “Topit të Artë”… Dembélé triumfon për pak ndaj Yamal në “Onze d’Or 2025”

    12 Shtator 2025

    8:07

    Alfred Lleshi

    Pak ditë para ceremonisë së “Topit të Artë” (22 shtator), Ousmane Dembélé triumfoi ngushtë ndaj Lamine Yamal në “Onze d’Or 2025”, sondazhin e lexuesve të revistës franceze “Onze Mondial”, që prej vitit 1976 zgjedh futbollistin më të mirë në botë. Francezi i PSG-së mori 32.5% të votave, ndërsa Yamal 30%.
    Në podium përfundoi Kylian Mbappé (12.5%), i ndjekur nga Achraf Hakimi (7%). Pedri (5.6%) dhe Raphinha (4.7%) u renditën respektivisht në vendin e pestë dhe të gjashtë. Edhe pse aktualisht i dëmtuar dhe mungesë për ndeshjen PSG-Barça më 1 tetor, Dembélé pozoi me trofeun.
    Kjo fitore e tij e ngushtë shton kureshtjen për “Topin e Artë”, për të cilin voton nga një gazetar prej 100 vendeve kryesore në renditjen e FIFA-s. “Si të mos jem krenar? – tha Dembélé, duke shtuar: – Gjithmonë më ka pëlqyer të flas në fushë. Në Barcelonë nuk flisja, por te PSG kam folur shumë këto tri vite. Më mirë flas me lojën time”.

    1.Ousmane Dembélé (PSG) – 32.5%2. Lamine  Yamal (Barcelona) – 30%3. Kylian Mbappé (PSG) – 12.5%4. Achraf Hakimi (PSG) – 7%5. Pedri González (Barcelona) – 5.6%6. Raphinha (Barcelona) – 4.7%7. Mohamed Salah (Liverpool) – 3.9%8. Nicolò Barella (Inter) – 1.2%9. William Saliba (Arsenal) – 1.2%10. Lautaro Martínez (Inter) – 0.9%11. Vinicius (Real Madrid) – 0.5%

  • Tudor: Ndeshja me Inter vlen më shumë se 3 pikë, do të luajmë shanset tona

    Tudor: Ndeshja me Inter vlen më shumë se 3 pikë, do të luajmë shanset tona

    Igor Tudor është gati të përballet me “derbin e tij të parë italian ndaj Inter” si trajner i Juventus. “Kjo është një sfidë që vlen më shumë se tre pikë”, tha ai në një intervistë.
    “Inter është një ekip i shkëlqyer, ata kanë dy finale të Ligës së Kampionëve dhe lojtarë të pjekur do të mbërrijnë në stadium. Do të luajmë shanset tona dhe pastaj do të shohim se kush është më i miri“, shtoi Tudor.
    “Për mua, Juventus përfaqëson një pjesë të jetës sime. Më ka formuar si person dhe si profesionist. Profesionalisht, Juventus është një pjesë e imja. Këto janë gjëra që kanë mbetur me mua. Stërvitja është gjithçka, ndeshja është gjëja më e lehtë“, tha Tudor.
    Më tej, kroati tha: “Kur u riktheva te Juventus pata ndjenja të mrekullueshme, nuk luajta shumë si lojtar. U ndala herët, kisha probleme serioze me kyçin e këmbës, karriera ime serioze zgjati 5-6 vjet, u ndala kur isha 28-29 vjeç”.
    “Kisha këtë ndjenjë brenda se nuk kisha dhënë gjithçka që kisha. Kur fillova të stërvisja herët, pata këtë ëndërr për të stërvitur Juven, e cila u bë shpejt realitet. Mendova se ia kisha borxh këtij klubi”, deklaroi Tudor.

  • Liverpuli e Siti ideuan një shkëmbim të madh, por lëvizja dështoi në momentet e fundit

    Liverpuli e Siti ideuan një shkëmbim të madh, por lëvizja dështoi në momentet e fundit

    Adriatik BALLA
    Sipas mediave angleze Liverpuli dhe Mançester Siti patën diskutime të shkurtra rreth asaj që mund të ishte një marrëveshje shkëmbimi e bujshme. Dy klubet kanë pasur disa marrëveshje ndër vite, përfshirë transferimin e Rahim Sterling në verë, kur Xhejms Milner u transferua falas në “Anfield”. Por një raport i ri nga “The Times” hedh dritë mbi një shkëmbim të mundshëm mes dy gjigantëve të Premier League një vit më parë, në verën e vitit 2024. Liverpul bëri vetëm një afrim në merkaton e parë të Arne Slot, duke marrë Federiko Kieza nga Juventus për rreth 12 milionë funte. Siti, ndërkohë, solli dy lojtarë të rinj – përfshirë rikthimin e Ilkay Gundogan dhe transferimin prej 21 milionë funtesh të anësorit brazilian Savinjo. Megjithatë, raportohet se Siti kishte interes serioz për sulmuesin e Liverpulit, Luis Diaz, dhe ky interesim e kishte trazuar disi kolumbianin.
    Pse nuk ndodhi shkëmbimi Liverpul-Mançester Siti. Ish-lojtari i Portos ishte gjithashtu i lidhur fort me Barcelonën, dhe gazetari Paul Joyce shkroi se Liverpul “kundërshtoi” interesimin e Siti për Diazin duke “shprehur pëlqim” për Julian Alvarez. Për më tepër, Kris Bascombe i The Telegraph tha se ekipi i rekrutimit të Liverpool “propozoi që Diaz të kalonte te Etihad në këmbim të Alvarez”, por një marrëveshje e tillë nuk u materializua kurrë pasi asnjë nga klubet nuk dëshironte të shiste direkt te rivali i tij. Edhe pse ndihmoi Sitin të fitonte dy tituj të Premier League dhe një tripletën historike në dy sezonet e tij, Alvarez nuk ishte plotësisht i kënaqur duke luajtur në hije të Erling Haland. Siti nuk i doli peng kur ai u shprehu dëshirën për më shumë minuta loje dhe përfundimisht u shit për një rekord prej 81.8 milionë funtesh te Atletiko Madrid.
    Fituesi i Kupës së Botës shënoi 29 gola në sezonin e tij të parë me skuadrën e Diego Simeones dhe, megjithëse Siti përfitoi shumë financiarisht, mungesa e tij u ndje thellësisht. Nga ana tjetër, Diaz dha kontributin e tij në sezonin kampion të Liverpul, por këtë verë mori transferimin e dëshiruar, duke iu bashkuar kampionëve të Bundesligës, Bajern Munih, për 65 milionë funte – pjesë e 260 milionë funtesh të ardhura nga shitjet e lojtarëve. Alvarez sërish u lidh me Liverpul verën e kaluar, madje edhe Diego Simeone foli publikisht për interesimin e tyre, përpara se klubi nga Mersejside të shpenzonte gati 200 milionë funte për Hugo Ekitike dhe Aleksander Isak.
     

  • Zhegrova te Juventusi: Përfaqësoj të gjithë shqiptarët, më dha bekime edhe kryeministri Rama

    Zhegrova te Juventusi: Përfaqësoj të gjithë shqiptarët, më dha bekime edhe kryeministri Rama

    Adriatik BALLA
    Edon Zhegrova u paraqit për herë të parë në konferencë për media si futbollist i Juventusit. Ai u tha gazetarëve se i përfaqëson të gjithë shqiptarët. “Kryeministri i Shqipërisë është mbështetës i madh i Juventusit, kështu që ishte shumë i lumtur dhe krenar. Ai më ndihmoi shumë me këtë dhe jam vërtet mirënjohës. Ai ma dha këtë pasaportë, sepse unë përfaqësoj gjithë komunitetin shqiptar dhe jam krenar për këtë”, ka thënë Zhegrova. Në fund të muajit gusht Zhegrova u pajis me pasaportë të Shqipërisë, derisa transferimin te Juventusi e kompletoi në fillim të këtij muaji. Pajisja me pasaportë shqiptare ia lehtësoi kalimin Zhegrovës te Juventusi. Në mars të vitin të kaluar, Federata e Futbollit e Italisë mori vendim që futbollistët shqiptarë të konsiderohen si komunitarë në Itali.
    Mungesa ndaj Interit
    Ai ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e ekipit për ndeshjen derbi kundër Interit. Juventusi e luan të shtunën derbin e javës së tretë të kampionatit italian kundër Interit. “Kam folur me trajnerin për këtë, por nuk do të luaj ende. E di sa e rëndësishme është kjo ndeshje, janë dy klube të shkëlqyera, por unë do t’i jap mbështetjen time ekipit”, ka thënë Zhegrova. Ai ka folur edhe për mungesën e gjatë shkaku lëndimit. Ai për shkak të lëndimit nuk ka luajtur nga 14 dhjetori i vitit të kaluar. “Fizikisht kam pasur një periudhë mjaft të vështirë, por tani ndihem më mirë. Kam filluar përsëri stërvitjen. Stafi po punon shumë për të më ndihmuar. Mendoj se do të jem gati dhe do të kthehem në fushë shumë shpejt”, ka shtuar Zhegrova.
    Objektivat me Juventusin
    Zhegrova ka folur po ashtu edhe për synimet me Juventusin. “Mendoj se kjo skuadër ka shumë cilësi. Ata duan të fitojnë çdo ndeshje dhe ky është vetëm fillimi i kampionatit. Do të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje, por duhet të marrim ndeshjet një nga një”, thotë ai. 26-vjeçari nënshkroi kontratë me Juventusin deri më 30 qershor të vitit 2030. “Gjithmonë kam dashur të luaj për klube të mëdha. Që nga hera e parë që fola me Komollin dhe Kjelinin, u emocionova kur dëgjova për interesimin e tyre. Ishte si një ëndërr e bërë realitet. Jam veçanërisht krenar dhe i lumtur që jam pjesë e këtij klubi. Kur luajta kundër Juventusit, ishte një ndeshje e shkëlqyer dhe ishte një mundësi e shkëlqyer për ne që të tregonim veten. Tani që ajo epokë ka mbaruar, jam shumë i lumtur që jam këtu dhe të gjithë po e bëjnë më të lehtë ardhjen time. Mezi pres të luaj me ekipin”, thotë ai. Zhegrova shquhet për driblime dhe veprimet e bukura individuale që janë gjithnjë e më të rralla në futboll. Zakonisht lëviz nga e djathta drejt mesit të fushës dhe përfundon aksionet me këmbën e majtë. Shpesh i përfundon me goditje mjeshtërore që jo rrallë gjejnë cakun. Rolin e tij te Juventusi nuk e di ende. Por ai premton maksimumin kudo që trajneri e vendos në fushë. “Të martën fillova përgatitjet, sepse duhej të merrja të gjitha dokumentet. Fola me trajnerin dhe do të shohim se ku dëshiron ai që unë të luaj”, shtoi ai. Ai ka folur edhe për nofkën e tij “Luani”. “Kjo nofkë ma përfaqëson mbi të gjitha mentalitetin”, përfundoi Zhegrova.

  • Ceferin paralajmëron Serbinë nga Tirana për ndeshjen e 11 tetorit: T’i heqim “qafe” idiotët

    Ceferin paralajmëron Serbinë nga Tirana për ndeshjen e 11 tetorit: T’i heqim “qafe” idiotët

    Adriatik BALLA
    Ndeshja kthyese ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë do të luhet më 11 tetor. Federata e Futbolli e Serbisë ndeshjen ndaj Shqipërisë vendosi ta organizojë në stadiumin e Cërvena Zvezdës “Rajko Mitiç” të Beogradit. Kapaciteti i stadiumit ish-“Marakana” është 51 mijë e 755 ulëse. Për ndeshjen, që vlerësohet e rrezikshmërisë së lartë, ka folur të enjten Aleksander Çeferin. Ai theksoi se njerëzit që e përdorin këtë lojë për të përhapur idetë e tyre të padobishme duhet të qëndrojnë larg futbollit. “Mesazhi im, jo vetëm për një ndeshje të caktuar, por për të gjithë është se futbolli dhe sporti duhet të jenë gjëja që bashkon njerëzit dhe jo ajo që i ndan. Duhet të përpiqemi të heqim qafe këta ‘idiotë’ që përdorin futbollin për ideologjitë e tyre absurde. Kudo, jo vetëm në një vend, por në të gjitha vendet. Sepse këta njerëz nuk e duan futbollin. Ata e duan vetëm veten dhe e përdorin futbollin për të përhapur idetë e tyre të padobishme”, ka thënë Çeferin para gazetarëve para mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë. Në ndeshjen Shqipëri – Serbi kishte thirrjet antiserbe, por nuk u shënua ndonjë incident serioz. Kishte hedhje në disa raste, por pa u rrezikuar rrjedha e ndeshjes. Përfundoi pa incidente, ashtu siç kishte përfunduar edhe ndeshja kthyese më 8 tetor 2015, në Elbasan. Serbia kishte fituar 2:0 ndaj Shqipërisë. Ndeshja ishte zhvilluar në masa shumë të rrepta të sigurisë dhe nuk u ka ngjarë ndeshjeve të zakonshme të kuqezinjve.
    Rikthimi në Beograd, reflektime për kushtet e sigurisë
    Lojtarët e Shqipërisë do të kthehen sërish të luajnë në Beograd. Por nuk harrohet 14 tetori 2014, në Beograd, lojtarët e Shqipërisë ishin sulmuar fizikisht nga huliganë serbë, lojtarë serbë dhe pjesëtarë të sigurimit, gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri për kualifikimet e “Euro 2016”. Gjithçka nisi kur një dron me motive shqiptare fluturoi mbi stadiumin e Partizanit. Pas sulmit fizik, ku disa lojtarë të Shqipërisë u goditën me grushte, shqelma dhe gjësende të forta, ndeshja u ndërpre. Stafi dhe lojtarët e Shqipërisë u larguan me vrap drejt dhomave të zhveshjes. Mënyra se si reaguan lojtarët e Shqipërisë apo shumica prej tyre i ka bërë të paharrueshëm në mesin e tifozëve shqiptarë. UEFA e regjistroi ndeshjen 3:0 në të mirë të Shqipërisë, por vetëm pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS). Ndeshja Serbia dhe Shqipëria nuk do të luajnë në stadiumin e Partizanit, por të Cërvena Zvezdës. Në stadiumin “Rajko Mitiç” të Beogradit, Serbia e luajti edhe ndeshjen kundër Anglisë të premten. Kishte edhe tifozë anglezë, por nuk do të ketë edhe tifozë shqiptarë, ashtu siç nuk kishte tifozë serbë të pranishëm në tribunat e stadiumit “Air Albania” në Tiranë, më 7 qershor. Të mërkurën gazeta serbe “Alo” ka shkruar se ndeshja Serbi – Shqipëri mund të luhet pa shikues.  “Siç qëndrojnë gjërat, FIFA mund ta ndëshkojë sërish Federatën e Futbollit të Serbisë, dhe këtë herë jo me numër më të vogël të shikuesve, por stadiumi ‘Rajko Mitiq’ në Beograd do të mbyllet për ndeshjen kundër Shqipërisë”, shkruan “Alo”.

  • Nis legjislatura e re, Kuvendi mblidhet sot për herë të parë. Ja kush do të drejtojë seancën

    Nis legjislatura e re, Kuvendi mblidhet sot për herë të parë. Ja kush do të drejtojë seancën

    Kuvendi i Shqipërisë hap sot zyrtarisht legjislaturën e 11-të, duke shënuar fillimin e një sezoni politik të ri, me përbërje të re parlamentare, drejtues të rinj dhe pritet gjithashtu të ketë ndryshime thelbësore në funksionimin institucional të tij.
    Seanca e parë e Kuvendit ka karakter ceremonial dhe sipas traditës, ajo drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Këtë herë, ligjvënësi socialist Vasil Llajo pritet të hapë zyrtarisht sesionin, pasi Sali Berisha, pavarësisht statusit si më i vjetër, ka refuzuar të marrë pjesë në këtë moment, së bashku me deputetin Tritan Shehu.
    E vetmja vendimmarrje në këtë seancë të parë është ngritja e komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet e 11 majit.
    Pasditen e nesërme, Kuvendi do të mblidhet sërish. Kryeministri Edi Rama ka propozuar si kryetar Kuvendi ish-ministrin Niko Peleshi, ndërsa për nënkryetare të Kuvendit nga radhët e PS-së, është propozuar Klodiana Spahiu.
    Nga ana tjetër, opozita ka mbajtur të njëjtin emër si në legjislaturën e kaluar për përfaqësimin në kryesinë e Kuvendit, Agron Gjekmarkajn.
    Në një deklaratë për mediat, Peleshi u shpreh dje se emërimi për postin e kryetarit të Kuvendit ka ardhur si surprizë.
    “Unë po vij nga kryesimi i grupit, kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar, kam patur disa portofole ministrore, kam patur një eksperiencë të gjatë. Nuk po them që unë jam i vetmi që e meritoja, shumë e shumë kolegë të mi mbase mund ta bënin më mirë se unë. Është propozuar sot nga kryetari i partisë që të jem kryetar Kuvendi, e pranoj me shumë kënaqësi, përulësi dhe shumë përgjegjësi. Po ju them që po e kam mar vesh sot që do të jem në atë pozicion”, tha Peleshi.
    Legjislatura e re vjen pas zgjedhjeve të 11 majit dhe përbëhet si më poshtë:
    Partia Socialiste: 83 deputetë
    Partia Demokratike: 50 deputetë
    Partia Socialdemokrate: 3 mandate
    Mundësia: 2 mandate
    Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet: nga 1 mandat secila
    Kreu i grupit parlamentar të PS-së do të jetë Taulant Balla, ndërsa Gazment Bardhi do të drejtojë grupin e Partisë Demokratike.
    Kryeministri Rama, gjatë Asamblesë së PS-së që u zhvillua një ditë më parë, ka paralajmëruar një ristrukturim të thellë të Parlamentit dhe vetë sistemit ligjvënës. Ndër ndryshimet e propozuara janë: Ndryshime kushtetuese për numrin e deputetëve; riemërtim i të gjithë komisioneve parlamentare, që tashmë do të jenë 11 në total, me 4 të drejtuar nga opozita; Ligj i ri për funksionimin e Kuvendit si dhe ndërtimi i një shtëpie të re për Parlamentin

  • Si ta forcojmë zemrën? 7 hapa të thjeshtë për një zemër më të shëndetshme

    Si ta forcojmë zemrën? 7 hapa të thjeshtë për një zemër më të shëndetshme

    Sëmundjet kardiovaskulare mbeten një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë, por lajmi i mirë është se shumë prej tyre mund të parandalohen përmes stilit të jetesës.

    Forcimi i zemrës nuk kërkon gjithmonë ilaçe apo trajtime të kushtueshme shpesh, ndryshimet e vogla të përditshme bëjnë ndryshimin më të madh.

    Ja çfarë duhet të bëjmë për të forcuar zemrën dhe për të ruajtur një shëndet kardiovaskular optimal:

    1. Ushtrohuni rregullisht

    Aktiviteti fizik është “mik” i zemrës. Ecja e shpejtë, noti, biçikleta apo edhe ushtrimet në shtëpi për 30 minuta në ditë, 5 herë në javë ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe uljen e presionit të gjakut.

    2. Zgjidhni një dietë të shëndetshme për zemrën

    Ushqimet e pasura me fibra, omega-3, fruta dhe perime ndihmojnë në uljen e kolesterolit dhe forcimin e enëve të gjakut. Shmangni yndyrnat e ngopura, ushqimet e përpunuara dhe sheqernat e tepërta.

    3. Hiqni dorë nga duhani

    Duhani është një nga armiqtë më të mëdhenj të zemrës. Lënia e tij ul ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiake, edhe pas disa javësh nga ndërprerja.

    4. Menaxhoni stresin

    Stresi i vazhdueshëm dëmton zemrën. Teknikat e relaksimit si meditimi, joga, frymëmarrja e thellë apo edhe ecjet në natyrë mund të ndihmojnë në stabilizimin e ritmit të zemrës dhe presionit të gjakut.

    5. Kontrolloni rregullisht tensionin dhe kolesterolin

    Vizitat periodike te mjeku janë thelbësore. Tensioni i lartë apo kolesteroli i ngritur shpesh nuk japin simptoma, por dëmtojnë në heshtje zemrën.

    6. Fli mirë

    Gjumi cilësor prej 7–8 orësh në natë ndihmon në rregullimin e hormoneve që ndikojnë në funksionimin e zemrës dhe në balancimin e sheqerit në gjak.

    7. Mbani një peshë të shëndetshme

    Mbipesha e ngarkon zemrën dhe rrit rrezikun për diabet dhe tension të lartë. Një dietë e shëndetshme dhe aktiviteti fizik ndihmojnë në ruajtjen e peshës ideale.

  • Numri i të vdekurve nga shpërthimi i kamionit në Mexico City rritet në 8

    Numri i të vdekurve nga shpërthimi i kamionit në Mexico City rritet në 8

    Numri i të vdekurve nga shpërthimi i një kamioni që transportonte gaz të lëngshëm në Mexico City, kryeqytetin e Meksikës, ka arritur në 8 dhe 94 persona të tjerë janë plagosur.

    Kjo u njoftua nga Kryetarja e Bashkisë së Qytetit të Meksikos, Clara Brugada, në një konferencë për shtyp.

    “Fatkeqësisht, 94 persona u lënduan ose u plagosën. Me keqardhje ju njoftojmë se tetë prej tyre kanë vdekur. 22 persona janë në gjendje kritike. 19 persona janë liruar në shtëpi falë punës së mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të urgjencës”, vuri në dukje kryebashkiakja.

    Sipas tij, 67 persona aktualisht mbeten në spitale.

    Një kamion që transportonte gaz të lëngshëm shpërtheu në një kryqëzim autostradash në lagjen Iztapalapa të Meksikos të mërkurën, duke i vënë flakën më shumë se 20 automjeteve dhe duke dëmtuar ndërtesat aty pranë.

    Kamioni i përkiste kompanisë Gas Silza.

    Shkaku i incidentit po hetohet nga Zyra e Prokurorit të Qytetit të Meksikos.

  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e premte, 12 shtator 2025…

    MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e premte, 12 shtator 2025…

    Përmirësohen ndjeshëm kushtet atmosferike në territorin shqiptar, duke bërë që deri në mesditë pjesa më e madhe e vendit të jetë nën mbizotërimin e intervaleve me kthjellime.
    Më të theksuara kthjellimet do të jenë përgjatë Ultësirës Perëndimore.
    Parashikohet që vranësirat të shfaqen gjatë pjesës së dytë të ditës, të cilat më të fokusuara do të jenë në zonat malore por nuk do të mund të gjenerojnë reshje shiu. Ndërsa vija bregdetare do të vijojë me kthjellime gjatë pasdite dhe mbrëmjes.
    Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në mëngjes, por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 12°C temperatura më e ulët e shënuar në zonat e Verilindjes deri në 32°C vlera më e lartë në rang vendi.
    Era do të fryjë e lehte dhe mesatare, duke arritur shpejtësinë 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor; kjo do të bëj që në brigjet detare të krijohet dallgëzim mbi 2 ballë.

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!