Day: September 1, 2025

  • Zyrtare/ Liverpool afron Isak, goditje e madhe e The Reds

    Zyrtare/ Liverpool afron Isak, goditje e madhe e The Reds

    Fund i lumtur për telenovelën Isak. Klubi i Liverpool ka siguruar firmën e sulmuesit suedez, i cili vjen nga radhët e Newcastle.
    Ky operacion i ka kushtuar arkave të kampionëve të Anglisë plot 125 milion paund, ndërsa transferimi i tij ka qënë dëshirë e drejtëpërdrejtë e trajnerit Slot.

    “Ka qenë një udhëtim i gjatë për të arritur deri këtu. Por jam i emocionuar që jam pjesë e kësaj skuadre, këtij klubi dhe gjithçkaje që ai përfaqëson. Është diçka për të cilën jam krenar dhe mezi pres të filloj”- tha Isak.

  • Kombëtarja zhvillon seancën e parë stërvitore në kampin stërvitor në Malaga

    Kombëtarja zhvillon seancën e parë stërvitore në kampin stërvitor në Malaga

    Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme stërvitjen e parë në kuadër të grumbullimit për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Letonisë.

    Ekipi i drejtuar nga trajneri Silvinjo realizoi ushtrime aktivizuese dhe skema tekniko-taktike, ku 20 lojtarë u stërvitën në mënyrë të rregullt, ndërsa Rey Manaj, Mirlind Daku dhe Arlind Ajeti iu bashkuan grupit në pasditen e vonë.

    Nga dita e nesërme do të jenë në dispozicion të stafit teknik edhe Cristian Shpendi dhe Enis Çokaj, duke plotësuar kështu grupin tërësisht.

    Kombëtarja shqiptare është duke i zhvilluar përgatitjet në Malaga të Spanjës për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit në transfertë më 4 shtator dhe më pas ndaj Letonisë më 9 shtator në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

    Biletat për sfidën zyrtare të kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026 mund t’i blini online në adresën ebileta.al në si edhe në biletarinë fizike që ndodhet në hyrjen qendrore të stadiumit “Air Albania” në Tiranë.

    Vazhdo leximin

  • “Letërsia mund të jetë një formë rezistence”, Lea Ypi bisedon me Elif Shafak

    “Letërsia mund të jetë një formë rezistence”, Lea Ypi bisedon me Elif Shafak

    Dy shkrimtaret debatojnë për censurën, propagandën, historinë tonë të shkruar në mënyrë të njëanshme dhe kohën e populizmave

    Kujtimet e Lea Ypi në librin e saj “Të lirë” evokojnë fëmijërinë e saj në Shqipëri, para dhe pas rënies së komunizmit. Libri Indignity, (del ne treg ne Angli ne 4 shtator) rindërton jetën e gjyshes së saj, e cila mbërriti në Tiranë nga Selaniku si një grua e re dhe u përfshi në jetën politike të vendit. Aktualisht, ajo kontribuon tani në katedrën “Ralph Miliband” për politikë dhe filozofi në London School of Economics. Ndërsa shkrimtarja turke Elif Shafak është autore e më shumë se 20 librave, si fiksion ashtu edhe jofiksion.

    Të dyja këto shkrimtare biseduan përmes videocall-it – Ypi duke udhëtuar për në Indi ndërsa Shafak në shtëpinë e saj në Londër – në bashkëbisedim mbi kërcënimin e censurës dhe ngritjen e populizmit, sfidat e të qenit shkrimtare me identitete të shumta dhe rëndësinë e përfaqësimit të ngjarjeve historike komplekse në veprat e tyre.

    Elif Shafak: Kjo është epoka e ankthit. Ka kaq shumë pasiguri, në lindje apo në  perëndim, tek të rinjtë apo të moshuarit, kaq shumë njerëz janë të shqetësuar tani, është një gjë që e ndjen në ajër. Pikërisht për këtë mendoj se në shumë mënyra kjo është një epokë e artë për demagogjinë, për demagogët populistë që të hyjnë në skenë duke thënë: “Besoni tek unë. Do t’ua bëj gjërat të thjeshta.”

    Të dyja këto shkrimtare biseduan përmes videocall-it – Ypi duke udhëtuar për në Indi ndërsa Shafak në shtëpinë e saj në Londër – në bashkëbisedim mbi kërcënimin e censurës dhe ngritjen e populizmit, sfidat e të qenit shkrimtare me identitete të shumta dhe rëndësinë e përfaqësimit të ngjarjeve historike komplekse në veprat e tyre.

    Elif Shafak: Kjo është epoka e ankthit. Ka kaq shumë pasiguri, në lindje apo në  perëndim, tek të rinjtë apo të moshuarit, kaq shumë njerëz janë të shqetësuar tani, është një gjë që e ndjen në ajër. Pikërisht për këtë mendoj se në shumë mënyra kjo është një epokë e artë për demagogjinë, për demagogët populistë që të hyjnë në skenë duke thënë: “Besoni tek unë. Do t’ua bëj gjërat të thjeshta.”

    Lea Ypi: Ajo që më bie në sy është kontrasti mes jetës vërtet të pasur që gjen në letërsi ose në mjediset akademike, dhe banalitetit të politikës. Në letërsi eksperimentohet me gjinitë, me kulturat, me gjuhët, dhe krijohet kjo ndjenjë kompleksiteti. Ndërsa në politikë ndodh pothuajse e kundërta, gjithçka ka të bëjë me thjeshtësinë. Është vetëm çështje përqëndrimi tek mesazhi, që të mos bëhet shumë kompleks. Ai duhet të jetë i shkurtër. Duhet të jetë shumë i thjeshtë, deri në kufijtë e banalitetit. Dhe gjithnjë e më shumë, është edhe përjashtues. Ka një tendencë në diskursin politik bashkëkohor për të thënë: OK, të dëbojmë migrantët – sikur vetëm një shoqëri homogjene mund të sjellë drejtësi.

    ES: Është e rëndësishme të flasim edhe për censurën. Jo vetëm për presionet që vijnë nga jashtë ose nga lart, por edhe nga brenda: pra për autocensurën. Si e kapërcejmë atë? Unë vij nga një vend ku fjalët janë të rënda. Çdo gjë që shkruan – për seksualitetin, gjininë, kujtesën, historinë – mund të ofendojë autoritetet. Këtë e përjetova kur një nga romanet e mi, “Bastardja e Stambollit”, u padit në gjyq: ai tregon historinë e një familjeje armene amerikane dhe një familjeje turke përmes syve të grave, por trajton kujtesën, amnezinë dhe tabunë më të madhe në Turqi ende edhe sot, që është gjenocidi armen. Kur romani u botua, prokurori kërkoi tre vjet burg. Fjalët e personazheve imagjinarë u sollën në gjykatë si prova. Dhe gjatë atyre kohëve, kishte njerëz që digjnin flamuj të BE-së, pështynin mbi fotografinë time, e digjnin atë, më quanin tradhëtare.

    Vite më vonë, dy nga librat e mi u hetuan për krimin e “pornografisë”: “10 minuta 38 Sekonda në këtë botë të çuditshme”, sepse ka për personazh një punëtore seksi në të, ndërsa tek “Shikimi” sepse trajton tema si abuzimi ndaj fëmijëve, në një vend ku kemi nuse fëmijë – që sipas meje do të thotë abuzim ndaj fëmijëve. Arsyeja pse e përmend këtë është sepse këto janë realitetet e shoqërive nga vijmë. Duhet të krijojmë një hapësirë për veten ku i harrojmë këto. Sepse po të fillojmë të mendojmë: “A do të ofendohen njerëzit? A do të mërziten autoritetet?” – atëherë nuk mund të shkruajmë asnjë fjali.

    LY: Ajo që ka qenë e rëndësishme për mua, duke u rritur në Shqipëri dhe duke kaluar nga komunizmi në periudhën post-komuniste ka të bëjë me faktin se të jetosh në një shoqëri totalitare të bën jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj çdo lloj propagande, gjatë gjithë kohës. Unë e kapërceva pa traumë momentin e kapërcimit nga një botë e palirë, në të qenit pjesë e botës së lirë. Gjithmonë ka qenë çështje vigjilence – për të parë ku ka censurë, manipulim ideologjik apo propagandë, madje edhe kur ndodh në vende që në fillim duken krejtësisht të padëmshme.

    Gjithmonë duhet menduar për atë që mungon në shoqërinë ku jeton: ku është boshllëku në demokraci? Ne mburremi me lirinë tonë, por në të njëjtën kohë bashkëjetojmë me politikanë dhe vendimmarrës që në mënyrë kaq të qartë kufizojnë lirinë e të tjerëve kudo.

    Ne kemi një shprehje në Shqipëri: “Stambolli digjet dhe kurva krihet.” Ke frikë se ndonjëherë ajo që bën është krejtësisht e parëndësishme, por i thua vetes: puna ime është vetëm të jem kritike, të ushtroj presion, të mbaj mend, të përpiqem t’i bëj njerëzit të mendojnë për mënyrën si e kaluara formëson të ardhmen, si këto ide përsëriten, dhe si këto konflikte politike në të tashmen kanë të gjitha një histori, që vjen nga trauma të pazgjidhura të së shkuarës.

    ES: Ne kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta: temat, subjektet që trajtojmë, gjeografitë nga vijmë, por edhe heshtjet ku gërmojmë. Mendoj se për të dyja kujtesa është e rëndësishme – jo për të mbetur të ngujuara në të shkuarën, por sepse pa kujtuar nuk mund ti ndreqim gjërat.

    LY: Duhet të kuptojmë se çdo zë që bërtet është gjithmonë rezultat i një raporti forcash. Kjo ishte përvoja ime me shkrimin e librit tim të fundit, që ka të bëjë me gjyshen time. Duke qëmtuar në arkiva vura re se ishte shumë e vështirë të hulumtoje për një grua që kishte jetuar në vitet 1920 dhe 1930. Ajo u rrit në Selanik, një qytet që vazhdonte të ishte shumë kulturisht osman. Ai sapo ishte bërë pjesë e shtetit të ri grek, i cili kishte përcaktuar plotësisht diskursin e asaj që donte të tregonte dhe si duhej të tregohej.

    Nëse mbështetesh tek burimet zyrtare, të gjitha kanë agjendat e tyre – dhe mënyra se si e ndërtojnë arkivin, mënyra se si e shkruajnë historinë, madje edhe mënyra se si formësojnë traditën letrare – gjithmonë ka një agjendë, zakonisht atë të njerëzve në pushtet. Pra, si ta sfidosh këtë? Mendoj se vetëm kur letërsia bëhet rezistencë mund ta sfidojë, por duhet të ketë qëllimisht këtë synim.

    ES: Mendoj se të jesh shkrimtar është pak si të jesh arkeolog gjuhësor: duhet të gërmosh midis shtresash të rrëfimeve, por edhe midis shtresave të harresave. Sigurisht, kur flasim për perandorinë osmane, kemi parasysh një perandori multietnike, shumëgjuhëshe, multireligjioze që zgjati mbi 600 vjet. Është jashtëzakonisht komplekse, dhe natyrisht rrëfimi ndryshon sipas këndvështrimit të atij që e tregon, por e rëndësishme është gjithashtu duhet të pyesim: kush nuk është lejuar ta tregojë historinë? Kjo është  qëllimi që na intereson.

    Pra, mënyra si mësohet historia osmane në shkolla – dhe unë kam ndjekur shkolla turke – ka boshllëqe, dhe ato boshllëqe pothuajse gjithmonë mbushen me ultranacionalizëm, ndonjëherë ultrafetari, apo nostalgji perandorake që flet për madhështinë e dikurshme. Ajo mund të përmblidhet në devizën: kudo që shkonim sillnim drejtësi dhe civilizim. Por sapo pyet: mirë, po për gratë? Si ishte perandoria osmane për një prostitutë, për një konkubinë në harem, për një fshatare pa qasje në pushtet apo autoritet? Heshtje e madhe. Ose kur pyet për minoritetet: ndoshta një mullixhi hebre, një fshatar kurd, një fermer arab, një marinar grek. Si ishte perandoria për ta? Ose një argjendar armen? Përsëri, heshtje e madhe.

    Lea Ypi: Mund të shtoj se mua nuk më pëlqen kur shkrimtarët predikojnë apo japin leksione. ndaj kësaj duhet të jemi të kujdesshëm. Letërsia ka një funksion demokratik vetëm sepse ajo nuk predikon. Po të predikonte, do ta humbiste atë. Po ti thuash lexuesit: “Ja si duhet ta shohësh botën, kjo është e drejta, kjo është e gabuara”, atëherë bëhesh autoritar. Dhe në atë moment, letërsia humb fuqinë e saj për të vazhduar me lexuesin. Unë nuk mendoj se një libër përfundon kur shkrimtari e shkruan; ai vazhdon të shkruhet në mënyrën si pritet, si diskutohet, si temat e tij ushqejnë debatet shoqërore e kulturore më gjerë.

    Kur Free doli, njerëzit më dërgonin një foto të [presidentit turk] Erdogan me librin gjatë një samiti për traktatin e paqes Armeni–Azerbajxhan. Ishte e pakëndshme, sepse e shihje librin dhe e dije si e kishe shkruar, çfarë kishe dashur të shprehje, e gjitha kishte të bënte me lirinë – dhe papritur e shihje në duart e figurave thellësisht autoritare. Në çdo shoqëri ka politikanë që përvetësojnë artin, por prirja ime është të them: “Po, por kjo është gjithashtu pjesë e historisë së librit.”

    Shqipëria është një vend i paqartë, dhe unë vetë kam një qëndrim të paqartë ndaj saj; mua nuk më pëlqen të jem vetëm shkrimtarja që shkruan për Shqipërinë, për komunizmin, për jetën nën totalitarizëm dhe më pas në kapitalizëm. Ajo që e bën këtë vend të veçantë për mua – dhe jam e sigurt se kështu do ishte për këdo – është se është një vend i vogël nga ku mund të rindërtosh botën. Shqipëria ka qenë pjesë e perandorisë osmane, por qyteti im i lindjes, Durrësi, ishte qytet romak. Ka një nga amfiteatrot më të mëdha në Ballkan. Para kësaj ishte qytet helenik. Më pas u bë qendër bizantine. U pushtua nga Venediku. Pra, në këta 100 metra katrorë në qendër të qytetit, ke mijëra vite histori evropiane.

    Unë gjithmonë qesh kur dëgjoj diskutimet për hyrjen në BE, sepse them: kur nuk kemi qenë të prekur nga Evropa? Kur na ka lënë Evropa vetëm?

    ES: Është një përvojë e rëndë të jesh romancier në Turqi, por grua romanciere është akoma edhe më e rëndë, sepse duhet të përballesh me doza shtesë të mizogjinisë dhe patriarkatit. Nuk dua të jap një tablo krejtësisht të zymtë, por dua të jem e sinqertë: në njërën faqe të godasin, dhe ti ndjen dhembe gjithmonë; ama nga faqja tjetër ju puthin, sepse lexuesit vijojnë ti’u lexojnë. E shkruara ka rëndësi, sidomos në vende ku demokracia është në rënie. Nëse një vend ecën mbrapsht, paradoksalisht letërsia dhe arti bëhen edhe më të rëndësishme. Kështu që ekzistenca është e ndarë mes dhimbjes dhe shpresës.

    LY: Nuk e di nëse është shenjë dekurajuese e kohëve tona fakti që kemi kaq shumë debate interesante në botën e kulturës, por që nuk pasqyrohen në asgjë që ndodh në botën politike, ku përkundrazi, mbizotërojnë thjeshtësia, reduktimi dhe përjashtimi. Si është e mundur që ende nuk kemi gjetur mënyrën për t’i lidhur të dyja?

    ES: Unë nuk mund ta harroj kurrë faktin që jam emigrante në Britani. Por njësoj, unë besoj fort në identitete të shumëfishta. Sigurisht, të qenit turke është një pjesë e madhe e punës sime dhe e asaj që jam, por Britania më ka dhënë shumë. Gjuha angleze më ka dhënë shumë, dhe shkruaj në këtë gjuhë prej më shumë se 20 vitesh. Si mund ta mohoj që më dha një ndjenjë përkatësie? Por unë dua ta mendoj veten si një qytetare e njerëzimit, një qytetare e botës – diçka që në këtë epokë të demagogjisë populiste është përçmuar. Na thuhet se nëse je qytetar i botës, je qytetar i askundit. Dhe unë dua ta sfidoj këtë. Mendoj se është e gabuar. Jetojmë në një epokë shumë komplekse. Sfida të mëdha globale na presin, dhe gjithçka – nga kriza klimatike, te mundësia e një tjetër pandemie, te thellimi dhe zgjerimi i pabarazive – tregon sa thellësisht të ndërlidhur jemi.

    Intervistoi për The Guardian Alex Clark./KultPlus.com

  • “Le Pen po e vret politikisht Macron”, Analiza e Politico: Ja si po e përgatit rrugën për një rikthim liderja e ekstremit të djathtë francez

    “Le Pen po e vret politikisht Macron”, Analiza e Politico: Ja si po e përgatit rrugën për një rikthim liderja e ekstremit të djathtë francez

    Marine Le Pen dhe partia e saj, Tubimi Kombëtar (Rassemblement National), janë në qendër të skenës politike në Francë, ndërsa qeveria e François Bayrou po shkon drejt rënies përpara një votëbesimi më 8 shtator.

    Siç thekson Politico në një analizë, rënia e qeverisë franceze mund të jetë një mundësi strategjike për Le Pen, e cila, megjithëse është ndaluar nga çdo proces zgjedhor për shkak të një dënimi për përvetësim fondesh publike, vazhdon të përcaktojë lëvizjet e partisë së saj dhe të formësojë klimën politike.
    Qeveria u përpoq të miratonte një program të ashpër shtrëngimi prej 43.8 miliardë eurosh, duke llogaritur se Le Pen nuk do të rrezikonte destabilizimin, pasi ajo vetë nuk mund të jetë kandidate derisa të dëgjohet apeli i saj në vitin 2026. Megjithatë, sapo u shpall votëbesimi, Le Pen e bëri të qartë se do të mobilizonte deputetët e saj për të rrëzuar qeverinë, duke ia atribuar tetë vjet “Makronizëm” krizës aktuale.
    “Vetëm shpërbërja do t’u lejojë francezëve tani të zgjedhin të ardhmen e tyre, atë të rimëkëmbjes me Tubimin Kombëtar”, shkroi ajo në X.
    Ky qëndrim shpërndau çdo thashethem për bashkëpunim me Bayrou-n. Zëvendëspresidenti i partisë, Laurent Jacobelli, komentoi me hidhërim: “Këta njerëz imagjinojnë se të tjerët janë po aq të këqinj sa ata. Por kjo tregon se nuk e kuptojnë Marine Le Pen, e cila nuk është qendisur nga e njëjta copë.”
    Nga ana e tyre, partitë e krahut të majtë njoftuan gjithashtu se do të votonin kundër qeverisë, duke e bërë rënien e saj pothuajse të sigurt. Kryeministri, në një intervistë me TF1, u ​​përpoq të justifikonte pse nuk kishte kërkuar aleanca politike, duke pretenduar se udhëheqësit politikë ishin “me pushime”. Le Pen kundërshtoi duke thënë se ajo nuk kishte pushuar së punuari gjatë gjithë verës.
    Jordan Bardella dhe Marine Le Pen pritet të takohen me Bayrou-n të martën, por sinjalet e Tubimit Kombëtar nuk lënë vend për kompromis. Nëse qeveria rrëzohet, Emmanuel Macron do të përballet me mundësi të kufizuara për pasardhësin e Bayrou-t, me Ministrin e Mbrojtjes Sébastien Lecreny që del si një kandidat i mundshëm.
    Presioni për zgjedhje po rritet. Një sondazh i ri i Ifop tregon se 63% e qytetarëve janë dakord me një rikthim në qendrat e votimit, me shifrën që rritet në 86% midis votuesve të Tubimit Kombëtar. Megjithatë, të njëjtat matje paralajmërojnë se çdo zgjedhje e ardhshme mund të çojë në një parlament pa shumicë përsëri, një skenar që rrit hezitimin e Macron, i cili ende mban plagët e një balotazhi surprizë në vitin 2024.
    Pavarësisht ndalimit të saj gjyqësor, Le Pen ende ushtron kontroll vendimtar mbi strategjinë e komunikimit të partisë. Bardella, vetëm 29 vjeç, tani po bën thirrje hapur për dorëheqjen e Macron, me mbështetjen e saj të plotë.
    Në të njëjtën kohë, Tubimi Kombëtar po shqyrton rrugët ligjore për të sfiduar kushtetutshmërinë e ndalimit të vendosur ndaj Le Pen. “Ne padyshim po shqyrtojmë të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që edhe në rast të shpërbërjes së Asamblesë Kombëtare, Marine Le Pen të mund të jetë kandidate”, tha Bardella për TF1.
    “Ekziston një rrugëdalje ligjore, megjithëse e ngushtë, dhe Marine Le Pen po lufton për të”, shtoi ai
    Politico vlerëson se Le Pen nuk i ka braktisur ambiciet e saj dhe mund ta shohë rënien e qeverisë Bayrou si një mundësi për ta afruar Tubimin Kombëtar me pushtetin, qoftë nëpërmjet zgjedhjeve të reja ose nëpërmjet përmbysjeve ligjore që do t’i lejonin asaj të kthehej në kutitë e votimit.

    Top Channel

  • EMRAT/ E rëndë, 26-vjeçari shqiptar vritet me thikë nga kushëriri i tij në Britani

    EMRAT/ E rëndë, 26-vjeçari shqiptar vritet me thikë nga kushëriri i tij në Britani

    Një ngjarje e rëndë me protagonistë dy shqiptarë ka ndodhur ditën e premte në 29 gusht në Leeds në Britaninë e Madhe.

    Mediat britanike raportojnë se Elsiado Marku, 26 vjeç, u godit për vdekje me thikë nga kushëriri i tij, Eljon Markaj, 31 vjeç.
    Sipas mediave konflikti mes tyre ndodhi pak para orës 16:30 të premten, më 29 gusht.

    Elsiado Marku u shpall i vdekur menjëherë në vendngjarje, ndërsa autoritetet britanike arrestuan kushëririn e tij, Eljon Markaj.
    Ndërkohë mediat britanike raportojnë se Marku, është lënë në paraburgim dhe pritet të paraqitet para Gjykatës së Magjistraturës së Leeds.

  • “Heshtja pllakosi fshatin, banorët hapën varret për familjarët”/ Panorama e trishtë pas tërmetit tragjik në Afganistan: Pashë trupat e pajetë të fëmijëve…

    “Heshtja pllakosi fshatin, banorët hapën varret për familjarët”/ Panorama e trishtë pas tërmetit tragjik në Afganistan: Pashë trupat e pajetë të fëmijëve…

    Pak para mesnatës së të dielës, Matiullah Shahab u zgjua dhe pa që shtëpia e tij në provincën e largët Kunar të Afganistanit po lëkundej.

    Një tërmet me magnitudë 6.0 goditi Afganistanin lindor, duke lënë të paktën 800 të vdekur, sipas Kombeve të Bashkuara.
    Edhe pse epiqendra e tërmetit ishte 16 km larg, i gjithë fshati i Shahab-it, Asadabad, u trondit. 23 anëtarët e familjes që jetojnë së bashku dolën me nxitim nga dhomat e gjumit nga frika se muret do t’u binin mbi kokë, dhe kaluan gjithë natën zgjuar në kopsht.
    “Të gjithë kishim frikë”, thotë ai.
    Zonat më të goditura ishin provincat Nangarhar dhe Kunar, por tërmeti u ndje deri në Kabul dhe në kryeqytetin pakistanez Islamabad.
    Me zbardhjen e ditës, Matiullah, një gazetar i pavarur dhe aktivist për të drejtat e njeriut, u nis nga shtëpia për të arritur në zonën malore të largët, pranë epiqendrës së tërmetit.
    Ai tregon se duhej të linte makinën dhe të ecte për dy orë në këmbë, pasi rruga ishte bllokuar nga gurët.
    Në fshatin Andarlachak, pa disa fëmijë të vegjël që po merrnin ndihmë mjekësore në rrugë. Dy vogëlushë ndodheshin mbi një barelë, me mavijosje në gjoks dhe fytyrë.
    Fëmijë të tjerë ishin mbështjellë me çarçafë të bardhë. Vetëm në atë fshat vdiqën 79 persona.
    “Pashë shumë trupa të pajetë. Ndjeva 17 pasgoditje”, i tha Matiullah BBC-së.
    Ai ndihmoi banorët e zonës të hapnin varre për viktimat.
    Një burrë i tregoi Shahab-it se humbi gruan dhe katër fëmijët. Por, shumica e njerëzve ishin shumë të tronditur për të folur.
    “Fytyrat e njerëzve ishin mbuluar me pluhur dhe mbizotëronte heshtja. Ishin si robotë – askush nuk mund të fliste për çfarë ndodhi”, tha ai.
    Për shkak të rrugëve të bllokuara, ndihmat e qeverisë së talebanëve janë bazuar në helikopterë për të arritur në fshatrat malorë. Por terreni i ashpër malor ka bërë që disa zona të mbeten ende të paarritshme, dhe ka raportime për njerëz që kanë vdekur nën rrënoja, në pritje të shpëtimit.

    Top Channel

  • Samiti i SCO-së në Kinë, Putin fajëson Perëndimin për luftën në Ukrainë! Presidenti rus: Kërcënim i drejtpërdrejtë…

    Samiti i SCO-së në Kinë, Putin fajëson Perëndimin për luftën në Ukrainë! Presidenti rus: Kërcënim i drejtpërdrejtë…

    Presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi një mesazh kundër Perëndimit lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, teksa qëndroi krah për krah me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, teksa të dy liderët vunë në pah lidhjet e tyre të ngushta gjatë samitit të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO), në Kinë.

    Duke folur para udhëheqësve të tjerë në samitin dyditor në Tianjin, më 1 shtator, Putini tha se lufta në Ukrainë nuk erdhi “si rezultat i një sulmi rus”, por për shkak të një grusht shteti të mbështetur nga Perëndimi në Kiev, sipas deklaratave të transmetuara nga agjencia ruse e lajmeve TASS.
    Këto deklarata ishin një referencë e pasaktë për protestat e Majdanit, të cilat rrëzuan nga pushteti presidentin ukrainas pro-Moskës, Viktor Yanukovych, në vitin 2014, pasi ai hoqi dorë nga një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe u orientua nga Rusia.
    Putini shtoi – ajo që ai e quajti përpjekje të Perëndimit për të tërhequr NATO-n në Ukrainë – përbënte një “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë”, një pretendim që aleanca ushtarake e ka mohuar vazhdimisht.
    Më pas, Putin lavdëroi SCO-në – ku bëjnë pjesë Bjellorusia, Kina, India, Irani, Kazakistani, Kirgizia, Pakistani, Rusia, Uzbekistani dhe Taxhikistani – dhe duke e cilësuar si model për një “sistem që do të zëvendësonte modelet e vjetruara të Evropës Qendrore dhe euroatlantike”, duke iu referuar organizatave financiare dhe të sigurisë të mbështetura nga Perëndimi, të cilat kanë formësuar institucionet globale që nga Lufta e Dytë Botërore.
    Këto komente erdhën në ditën e dytë të samitit të SCO-s, samit që veçse ishte i përqendruar te ndikimi në rritje diplomatik i Kinës, përfshirë edhe shumë momente të orkestruara që synonin të tregonin thellimin e marrëdhënies midis Pekinit dhe Moskës, duke nxjerrë në pah raportin e ngushtë personal midis Putinit dhe Xisë.
    Samiti ishte gjithashtu një mundësi për Xinë që të prezantohej si një udhëheqës i Globit Jugor që vë si prioritet stabilitetin ekonomik, duke synuar që të paraqesë një kontrast me pasigurinë që sjellë regjimi i tarifave i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ndërprerja e ndihmës së huaj nga SHBA-ja.
    “Ne duhet të shfrytëzojmë fuqinë e tregjeve tona gjigante dhe përpushmërinë ekonomike midis shteteve anëtare dhe të përmirësojmë lehtësimin e tregtisë dhe investimeve”, u tha Xi udhëheqësve në samit gjatë një fjalimi 14-minutësh.
    Lideri kinez premtoi 2 miliardë juan (rreth 280 milionë dollarë) grante për shtetet anëtare të SCO-së këtë vit, si dhe 10 miliardë juan (rreth 1.4 miliard dollarë) kredi për një konsorcium bankar të SCO-së. Ai gjithashtu bëri thirrje për krijimin sa më shpejt të mundshëm të një Banke Zhvillimore të SCO-së./Rel

    Top Channel

  • Shkencëtarët gjejnë burimin e pandemisë së parë në historinë e njerëzimit

    Shkencëtarët gjejnë burimin e pandemisë së parë në historinë e njerëzimit

    Shkencëtarët kanë bërë një hap historik duke identifikuar për herë të parë bakterin Yersinia pestis në një varrezë masive nën rrënojat e qytetit antik të Jerashit në Jordan, duke konfirmuar shkakun e Pestës së Justinianit, pandemisë së parë të regjistruar në histori që shpërtheu në vitin 541 pas Krishtit dhe shkatërroi Mesdheun lindor.

    Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Florida Jugut dhe Florida Atlantic University, analizoi tetë dhëmbë të viktimave të gjetura nën hipodromin romak të Jerashit. Rezultatet treguan se viktimat ndanin variante thuajse identike të bakterit, duke konfirmuar një shpërthim të shpejtë dhe vdekjeprurës, në përputhje me shënimet historike për masakrën e popullsisë.

    Rays HY Jiang, autor kryesor i studimit, tha: “Ky zbulim ofron një dritare të drejtpërdrejtë gjenetike për mënyrën se si pandemia përhapej në zemër të Perandorisë Bizantine dhe tregon se qytetet e mëdha, si Jerash, shpesh mbingarkoheshin dhe shërbenin si varreza masive në kohë emergjence.”

    Pesta e Justinianit, e shkaktuar nga Yersinia pestis, e njëjta bakter që më vonë shkaktoi Murtajën e Zezë, përhapet përmes pleshtave që shfaqen te brejtësit, kryesisht minjtë, dhe mund të transmetohet edhe drejtpërdrejt mes njerëzve në formën pneumonike. Studimet tregojnë se bakteria kishte qarkulluar për mijëra vjet në popullatat njerëzore para shpërthimit të Justinianit, duke treguar se pandemitë historike nuk kanë një origjinë të vetme, por lindën nga rezervuarë të ndryshëm kafshësh.

    Ky zbulim i ri jo vetëm që ndriçon historinë e pandemisë së Justinianit, por gjithashtu përkujton se kërcënimi nga pestat historike nuk ka zhdukur, pasi bakteret e njëjta vazhdojnë të ndikojnë tek njerëzit edhe sot, duke kërkuar kujdes dhe masat e duhura për mbrojtje shëndetësore.

  • Rrënojat e Titanikut u gjetën 40 vite më parë, gjatë një operacioni sekret të Marinës Amerikane

    Rrënojat e Titanikut u gjetën 40 vite më parë, gjatë një operacioni sekret të Marinës Amerikane

    Dyzet vjet më parë, në orët e para të 1 shtatorit, imazhe bardhë e zi të një cilindri metalik u shfaqën në transmetimet video në qendrën e komandës së Knorr, një anije kërkimore që kërkonte në shtratin e Atlantikut për anijen më të famshme të mbytur në botë Titanikun.

    Anëtarët e ekipit prej katër personash të vëzhgimit, duke dyshuar se objekti mund të ishte kazani i një anijeje të fundosur, nuk mundën të shkëputeshin nga ajo që po shihej në ekran, kështu që dërguan kuzhinierin e ekipit për të zgjuar Bob Ballardin, shkencëtarin kryesor të ekspeditës, i cili kishte kërkuar për rrënojat që nga vitet 1970. Ai ishte zgjuar, duke lexuar në krevatin e tij të gjumit.

    Kuzhinieri as nuk e mbaroi fjalinë e tij. Unë kërceva jashtë. Mora kostumin tim, të cilin nuk e hoqa për disa ditë pas kësaj”, kujtoi Ballard, shkencëtar i shquar emeritus në fizikën dhe inxhinierinë e aplikuar të oqeanit në Institutin Oqeanografik Ëoods Hole në Massachusetts.

    CNN foli me Ballard dhe një anëtare të ekipit të tij, Dana Yoerger, një shkencëtare e lartë në robotikën detare në Ëoods Hole, përpara 40-vjetorit të zbulimit të Titanikut. Ata rrëfyen zinxhirin e pazakontë të ngjarjeve që çuan në atë pamje mahnitëse dhe se si aventura nuk u ndal këtu.

    ‘Kur ​​hyra, kishim një fotografi të bojlerit në mur dhe e pamë. E kuptuam se ishte padyshim nga Titaniku’, tha Ballard.

    Edhe para se Ballard dhe ekipi i tij të gjenin rrënojat 73 vjet pasi anija ikonike u nis për në lundrim në vitin 1912, Titaniku ishte një burim magjepsjeje të pafundme. Anija “e pafundosshme” u fundos në udhëtimin e saj të parë në një epokë të artë me më të pasurit amerikanë në bord, një histori marrëzie njerëzore, paragjykimesh klasore dhe dështimi teknologjik.

    Zbulimi i saj në vitin 1985 vetëm sa e intensifikoi tërheqjen e Titanikut në imagjinatën e publikut; kjo nxori në pah një film të suksesshëm të vitit 1997 që mbetet një nga filmat me fitimet më të larta në historinë e filmit, disa dokumentarë dhe ekspozita muzeale.

    Kërkimi fshehu një mision tepër sekret

    Kërkimi i vitit 1985 për Titanikun nuk ishte përpjekja e parë e Ballard për të gjetur rrënojat. Një ekspeditë e vitit 1977 dështoi kur një tub shpimi 3,000 metra i gjatë, në të cilin ishin të lidhura sonari dhe kamerat, u këput në dysh, sipas kujtimeve të Ballard të vitit 2021. Përvoja, së bashku me nevojën për imazhe të drejtpërdrejta, e bindën Ballard se automjetet nënujore të drejtuara nga distanca që mund të transmetonin video përsëri në anijen eksploruese ishin një mënyrë më e mirë për të ecur përpara, por ai luftoi për të gjetur fonde për vizionin e tij.

    Në fund të fundit, Marina Amerikane mbështeti zhvillimin e teknologjisë së Ballard, një sistem imazherie në det të thellë me nofkën Argo. Marina ishte e interesuar ta përdorte atë për të përcaktuar pse dy nëndetëse bërthamore, USS Thresher dhe USS Scorpion , ishin fundosur në Atlantik në vitet 1960, si dhe për qëllime më të gjera të mbledhjes së inteligjencës së Luftës së Ftohtë.

    Ballard i bindi zyrtarët e Marinës të investonin pak kohë për të kërkuar Titanikun gjatë ekspeditës për të vëzhguar nëndetëset, një dredhi që në fund të fundit shërbeu si një histori mbulimi për misionin sekret të Marinës.

    “Ajo që njerëzit nuk e dinin në atë kohë, të paktën shumë prej tyre, ishte se Titaniku (kërkimi) ishte mbulim për një operacion ushtarak tepër sekret që po bëja si oficer i inteligjencës detare”, tha Ballard. “Ne nuk donim që sovjetikët të dinin se ku ndodhej nëndetësja.”

    Pavarësisht viteve të planifikimit, Ballard nuk ishte optimist se do ta gjente Titanikun për dy arsye: Koha e caktuar për kërkimin ishte e shkurtër dhe një ekip francez, i udhëhequr nga inxhinieri Jean-Louis Michel i institucionit francez oqeanografik IFREMER me të cilin Ballard kishte bashkëpunuar, po përdorte një sistem të ri dhe të sofistikuar për të gjetur vendin e anijes.

    Anija Argo bëri një video bardhë e zi të Titanikut në vitin 1985, ndërsa një sistem më i vjetër i quajtur ANGUS, me sistemin e tij të kamerave 35 mm, kapi imazhe statike me nuanca blu që zbulonin ekzistencën e rrënojave. Ekipi u kthye një vit më vonë me kamera më të përparuara me ngjyra për të regjistruar çdo centimetër të rrënojave, duke përfshirë pishinën e anijes, shkallët e mëdha dhe harkun e saj, duke gjeneruar imazhe ikonike që janë ende të njohura sot.

    Ballard u bë gjithashtu personi i parë që vizitoi rrënojat atë vit nëpërmjet Alvin, një nëndetëse me ekuipazh që ai e kishte pilotuar më parë, e cila mori më shumë se dy orë për të arritur në shtratin e detit. Pasi mbërriti atje, ai vuri re objekte prekëse, duke përfshirë një kukull fëmije, shishe shampanje të pa hapura dhe argjendari. Ai nuk pa mbetje njerëzore./CNN

  • Romanca me vartësen i kushton karrierën! Shkarkohet CEO -ja i një tjetër kompanie të njohur

    Romanca me vartësen i kushton karrierën! Shkarkohet CEO -ja i një tjetër kompanie të njohur

    Tërmet në kompaninë zvicerane Nestle. Kompania ka shkarkuar, me efekt të menjëhershëm, drejtorin ekzekutiv, Laurent Freixe, për shkak të një lidhjeje sentimentale të fshehtë me një vartëse të tij, duhet në deklaratën e kompanisë zvicerane.

     “Bëhet fjalë për një vendim të domosdoshëm. Vlerat dhe qeverisja e Nestlé janë themelet e forta të kompanisë sonë. Falënderoj Laurent për vitet e shërbimit,” tha presidenti Paul Bulcke.

    Laurent akuzohet se ka shkelur kodin e sjelljes së Nestlé, pasi çifti duhej të kishte bërë publike marrëdhënien.

    Në vend të tij, bordi ka emëruar Philipp Navratil, i cili që nga prilli 2024 ishte përgjegjës për Nespresso, markë e njohur e kafesë

    “Largimi i Laurent Freixe ndodhi pas një hetimi mbi një marrëdhënie sentimentale të padeklaruar me një punonjëse të tij të drejtpërdrejtë, duke shkelur kështu kodin e sjelljes së Nestlé,” sqaron njoftimi. 

    Zbulimi u bë pas një hetimi të kërkuar nga bordi dhe i mbikëqyrur nga presidenti Bulcke dhe drejtori kryesor i pavarur Pablo Isla, me mbështetjen e një konsulenti të jashtëm.

    Rasti kujton shkarkimin e Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike me seli në Neë York, Astronomer, i cili dha dorëheqjen pasi u pa i përqafuar përgjegjësen e tij të burimeve njerëzore, Kristin Cabot, në një “kiss cam” gjatë koncertit të Coldplay më 16 korrik në Gillette Stadium, Foxborough, Massachusetts. /Repubblica/