Day: August 29, 2025

  • Gjokutaj: Qeveria e Ramës të bën autor kur nuk je, çështja ‘Partizani’ kërkon drejtësi në Strasburg

    Gjokutaj: Qeveria e Ramës të bën autor kur nuk je, çështja ‘Partizani’ kërkon drejtësi në Strasburg

    Në një vendim të marrë më 8 prill 2025, Gjykata e Lartë ka evidentuar se “korrupsioni pasiv ka për subjekt vetëm ata që ushtrojnë funksione publike”. Ky ishte edhe pretendimi i palës mbrojtëse që në ditën e parë të arrestimit të Jamarbër Malltezit, për dosjen “Partizani”. Mbrojtja ka këmbëngulur se Malltezi nuk ishte subjekt i veprës penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë, por kërkesat janë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme.
    Pavarësisht kësaj, në prill të këtij viti i njëjti trup gjykues i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj, ka pranuar këtë standard, por pa e aplikuar për Jamarbër Malltezin, i cili ka qëndruar në burg për 2 vite.
    Në një intervistë për Syri TV, Gjokutaj akuzoi se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për kapjen e të gjithë sistemit gjyqësor: “Këtu është kapur i tërë zinxhiri i gjithë sistemit gjyqësor, nga shkalla e parë deri në Gjykatën Kushtetuese. Malltezit i thonë që do të përgjigjesh si funksionar publik, ndonëse nuk ka qenë i tillë”.
    Ai shtoi se qytetarët shqiptarë shpesh shohin Strasburgun si stacionin e fundit për drejtësi, ashtu siç e kërkojnë edhe për punë, shkollë apo kurim jashtë vendit. “Më në fund duket se duhet të emigrojmë, duhet të shkojmë jashtë shtetit, sepse këtu brenda nuk marrim dot drejtësi”, theksoi avokati.
    Sipas tij, këto janë pasojë e mënyrës së qeverisjes së kryeministrit dhe shumicës aktuale, të cilët “të bëjnë autor kur nuk je dhe viktimë kur nuk duhet të përgjigjesh”. Ai paralajmëroi se mbrojtja ka çuar çështjen në Strasburg për masën e sigurimit, ndërsa pjesa themelore e procesit kërkon më shumë kohë.
    “Ne do të vazhdojmë rrugën tonë duke kërkuar në gjykatë pavlefshmëri, por edhe duke denoncuar në media dhe publik të gjitha këto shkelje”, vijoi Gjokutaj.
    Gjokutaj: 
    Këtu është kapur i tërë zinxhiri i gjithë sistemit gjyqësor, nuk është se është kapur një gjyqtar i veçantë, pra i gjithë sistemi ka shkuar nga shkalla e parë deri në Gjykatën Kushtetuese, këtu i thonë Jamarbër Malltezit që ti do përgjigjesh si zyrtar i lartë, si funksionar publik ndonëse nuk ke qenë funksionar publik. Ma shpjegoni dot?
    Ju i dëgjoni, të gjithë thonë që do shkojnë në Strasburg, të gjithë jashtë shtetit, edhe për të gjetur punë jashtë shtetit, edhe për të bërë shkollë jashtë shtetit, edhe për t’u kuruar jashtë shtetit, edhe për të marrë drejtësinë. Më në fund duket se duhet të emigrojmë, duhet të shkojmë jashtë shtetit sepse ne qenkemi të pazotë këtu brenda ta marrim këtë drejtësi.
    Këto janë detyrat e këtij kryeministri, kësaj qeverie, që ka tre mandate që qeveris në këtë formë, të bën autor kur nuk je dhe të bën viktimë kur s’duhet të përgjigjesh.
    Unë po ju them me garanci dhe me përgjegjësi morale e ligjore që këto marrëveshje nuk janë bërë ndonjëherë në drejtësinë shqiptare, këto kanë ndodhur pikërisht me këto gjykata të cilat në emër të reformës kanë rekrutuar e ku kanë vënë spaleta njerëzve të kapur kokë e këmbë në forma të ndryshme. Janë lidhje shumë të forta, këto i kanë mbledhur ata njerëz i kanë vënë aty.
    Çështja është në vijim dhe ne jemi në të njëjtin sinkron, në të njëjtën lartësi në vijimin e mbrojtjes sonë. Sigurisht, ne kemi mbërritur në Strasburg për masën e sigurimit pasi çështja e themelit kërkon një kohë tjetër të posaçme dhe do të ndjekë rrugën e vet sipas ecurisë, interesit të çështjes.
    Ne do të vazhdojmë rrugën tonë duke kërkuar në gjykatë pavlefshmëri, por edhe duke denoncuar në media dhe në publik të gjitha këto shkelje.

  • Asambleja e Partisë Socialiste mblidhet më 11 shtator

    Asambleja e Partisë Socialiste mblidhet më 11 shtator

    Data 11 shtator pritet të jetë dita kur do të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste, në të cilën do të shpallet kabineti i ri qeveritar.
    Megjithatë, kjo datë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, pasi anëtarët e Asamblesë nuk kanë nxjerrë ende një njoftim për mbledhjen.
    Kryeministri Edi Rama zhvilloi paraditen e së enjtes një takim me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, që zgjati 30 minuta, ndërsa sjellim ndërmend se paraditen e së martës pati takime me disa ministra të tjerë. Takime këto që vijnë në prag të ndryshimeve qeveritare.
    Një detaj interesant nga takimet e së martës së 26 gushtit, është se në Kryeministri ka qenë i pranishëm edhe biznesmeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli. Ai është parë duke dalë nga godina e qeverisë pas përfundimit të takimit, duke shtuar interes për atë që po diskutohej atë ditë në mjediset e larta të politikës shqiptare. Megjithatë nuk dihet nëse vizita e Pacollit kishte lidhje me takimin me ministrat.
    Në Asamblenë e 11 shtatorit, do të bëhen publikë emrat e qeverisë së re, ndërsa pritet me shumë interes se çfarë ndryshimesh të tjera do të bëjë kryeministri Edi Rama./tvklan.al

  • Hapësirat publike, Rama ‘sulmon’ një tjetër gjykatës: Nuk është presion, por …

    Hapësirat publike, Rama ‘sulmon’ një tjetër gjykatës: Nuk është presion, por …

    Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet sociale një tjetër vendim të një gjyqtari për një ndërtim pa leje. Ai thotë se deklaratat e tij nuk janë presion, por qeveria nuk do të heshtë më përballë gjyqtarëve dhe prokurorëve “të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare”.
    Rama ka narë fotot e një biznesi, i cili sipas Ramës, po kryen veprimtari tregtare në kurriz të komunitetit dhe paraqet rrezik serioz për banorët në rast emergjencash, si zjarri.
    Kreu i qeverisë e akuzoi gjyqtarin për shpërfillje të interesit publik dhe vuri në dukje se vendimi i tij i bashkohet një sërë rastesh të ngjashme që tashmë janë pjesë e një dosjeje të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe që do t’i përcillet organeve të kontrollit dhe vetëqeverisjes së gjyqësorit.
    Postimi i plotë:
    Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën shtrihet një dyqan ku bëhet tregti në kurriz të komunitetit
    Gjykatësi Ligoraq nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe me siguri as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit
    Gjykatësi Ligoraq i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërkohë që ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjorPost Scriptum. Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare
    Por askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve, me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve
    Shikojeni vetë çfarë tmerri ka marrë në mbrojtje gjykatësi Ligoraq.

  • Sali Berisha thirrje FBI: Zgjeroni hetimet për Sorosin dhe të birin deri në Shqipëri

    Sali Berisha thirrje FBI: Zgjeroni hetimet për Sorosin dhe të birin deri në Shqipëri

    Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka bërë thirrje sot FBI-së amerikane, që të zgjerojë hetimet për miliarderin George Soros dhe të birin e tij Alex Soros deri në Shqipëri. Ai i bëri të njëjtën thirrje edhe qeverisë dhe Kongresit të SHBA-ve. Sipas tij, nëse hetojnë do zbulojnë se si Soros dhe i biri përdorën çdo lloj influence në favor të qeverisë së Edi Ramës.
    “Thirrja ime për qeverinë e SHBA-ve dhe kongresin e SHBA-ve, thirrja ime për FBI-në, të shtrijnë hetimet e tyre për Xhorxhin dhe të birin edhe në Shqipëri gjatë 20 viteve dhe do gjejnë se si ata përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Edi Ramës, bashkëshortes së tij dhe ish-bashkëshortes së tij, të gjitha drejtuese kryesore në fondacionin Soros, të ushqyera me miliona nga ky fondacion.
    Të hetojnë politikën e jashtme të Xhorxh Sorosit, e cila në mënyrë absolute përputhej me Beogradin dhe binte ndesh me interesat e shqiptarëve, me politikën e ndjekur zyrtare të SHBA gjer në atë kohë, por dhe me politikën e ndjekur nga presidenti Donald Trump në mandatin e parë.
    Iu bëj thirrje që duke përdorur aktin RICO, të hetojnë çdo veprim të Xhorxh Sorosit në të ashtuquajturën reformë kushtetuese dhe të drejtësisë, me të cilën kanë garantuar sot një pushtet që kontrollon mbi 95 përqind të çdo gjëje në këtë vend. Praktikisht pothuajse një monizëm të plotë.”, tha Berisha.
    Kjo deklaratë e Berishës vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump, kërkoi përmes një postimi nisjen e hetimeve ndaj Sorosit për mbështetje të protestave të dhunshme.
    Në rrjetin e tij personal, “Truth”, Trump i kërkoi drejtësisë që të ngrejë akuza ndaj tyre në bazë të ligjit RICO, i cili parashikon dënimet penale për organizatat kriminale dhe që kryejnë korrupsion. Presidenti amerikan i cilësoi multimiliarderin dhe të birin si “të çmendur” dhe paralajmëroi se nuk do të lejojë më që të shkatërrojnë Amerikën.

  • Presidenti i Juventusit rrëzon pistën Zhegrova, lojtari shqiptar arrin marrëveshje me klubin e madh francez

    Presidenti i Juventusit rrëzon pistën Zhegrova, lojtari shqiptar arrin marrëveshje me klubin e madh francez

    Edon Zhegrova ishte shumë pranë kalimit te Juventusi, por situata ka marrë një tjetër rrjedhë. Presidenti Komoli ka deklaruar se largimi i Niko Gonzalezit nuk është mundur të realozohej. Për këtë arsye, Gonzalezi do të jetë pjesë e bardhezinjve edhe në këtë sezon. Qendrimi i tij rrëzon pistën Zhegrova te Juventusi, pasi afrimi i lojtarit shqiptar do të kryhej vetëm në çastin kur anësori argjentinas do të transferohej në një tjetër ekip.
    Nisur nga kjo situatë, Zhegrova është detyruar të bëjë një tjetër zgjedhje. Mediat franceze raportojnë se tashmë lojtari i Kosovës ka gjetur gjuhën e përbashkët me Marsejën për të qenë pjesë e saj deri në vititn 2030./Sport Ekspres/