Day: August 29, 2025

  • Parandaloni diabetin, një simptomë zbulon se sheqeri në gjak është shumë i lartë

    Parandaloni diabetin, një simptomë zbulon se sheqeri në gjak është shumë i lartë

    Sheqeri i lartë në gjak shpesh kalon pa u vënë re derisa të shfaqen simptoma më serioze. Problemi është se shenjat e hershme janë delikate dhe të lehta për t’u anashkaluar, dhe shumë njerëz as nuk i vënë re derisa nivelet e tyre të glukozës të jenë tashmë të rrezikshme.

    Kjo mund të çojë në ndërlikime të tilla si diabeti i tipit 2, ataku në zemër dhe goditja në tru, sëmundja e veshkave ose humbja e shikimit. Ekspertët në fushën e endokrinologjisë paralajmërojnë se ekziston një simptomë që nuk duhet injoruar kurrë, etja e tepërt.

    Pse etja e tepërt është një sinjal i rëndësishëm

    Kur sheqeri në gjak është shumë i lartë, trupi përpiqet të heqë qafe glukozën e tepërt përmes veshkave, gjë që çon në urinim të shpeshtë.

    Kjo, nga ana tjetër, shkakton dehidratim dhe si pasojë etje të fortë, e cila është një nga simptomat më të hershme dhe më të zakonshme të sheqerit të lartë në gjak.

    Problemi është se njerëzit shpesh përpiqen ta shuajnë etjen me pije me sheqer si lëngje dhe pije të gazuara, gjë që e përkeqëson gjendjen edhe më shumë.

    Një test i thjeshtë mund ta zbulojë problemin

    Nëse vini re etje të shtuar dhe urinim të shpeshtë, është e rëndësishme të bëni testin sa më shpejt të jetë e mundur. Një test i thjeshtë i glukozës në gjak mund të zbulojë nëse jeni në gjendje prediabeti apo keni nivele të larta që kërkojnë trajtim.

    Për njerëzit që tashmë kanë diabet, shfaqja e kësaj etjeje mund të tregojë se terapia nuk është efektive, se sheqeri është jashtë kontrollit dhe se është e nevojshme të rregulloni dozën e ilaçit ose të insulinës.

    Simptoma të tjera të hershme të sheqerit të lartë në gjak

    – Urinim i shpeshtë

    – Rritje e urisë

    – Dhimbje koke

    – Shikim i turbullt

    – Lodhje

    – Shërim i ngadaltë i plagëve

    – Humbje peshe e pashpjegueshme

    Nëse gjendja nuk kontrollohet, mund të ndodhë hiperglicemia dhe komplikime serioze siç është ketoacidoza diabetike.

    Si ta zvogëloni rrezikun

    Lajmi i mirë është se ndryshimet në stilin e jetës mund të ndihmojnë ndjeshëm. Ekspertët rekomandojnë:

    – Një dietë e ekuilibruar me pak sheqer dhe ushqime të përpunuara

    – Aktivitet fizik i rregullt, siç është një shëtitje pas një vakti

    – Kufizimi i alkoolit

    – Ndërprerja e plotë e pirjes së duhanit

    Edhe ndryshimet e vogla mund të kenë një efekt të madh në nivelet e sheqerit në gjak dhe në shëndetin e përgjithshëm.

  • Macron: Nëse Putin nuk takohet me Zelenskyn deri të hënën, do të thotë se e ka mashtruar Trumpin

    Macron: Nëse Putin nuk takohet me Zelenskyn deri të hënën, do të thotë se e ka mashtruar Trumpin

    Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi sot se nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk realizon një takim me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky deri të hënën, ashtu siç ka kërkuar Donald Trump, atëherë “kjo do të thotë që presidenti Putin e ka mashtruar presidentin Trump”.

    “Kjo është një takim dypalësh për të cilin presidenti Putin është zotuar përpara presidentit Trump. Nëse ai nuk ndodh deri të hënën, unë besoj se, edhe një herë, do të kemi të bëjmë me një mashtrim nga ana e presidentit Putin ndaj presidentit Trump — dhe kjo nuk mund të kalojë pa përgjigje”, tha Macron gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

    Macron shtoi se ai dhe kancelari Merz do të bisedojnë me Trump gjatë fundjavës dhe paralajmëroi për masa ndëshkuese ndaj Rusisë:

    “Nëse javën e ardhshme konstatojmë se, pas muajsh premtimesh të pambajtura, ky takim nuk realizohet, atëherë do të kërkojmë qartë vendosjen e sanksioneve primare dhe sekondare ndaj Rusisë.”

    Presidenti francez, i cili më herët ka quajtur Putinin “përbindësh” dhe “grabitqar”, mohoi sot se e ka fyer liderin rus, por përsëriti kritikat ndaj tij, duke dënuar edhe një herë “rrugën autoritare” dhe “imperializmin revizionist” të tij.

    “Kur themi se ka një përbindësh në dyert e Europës, besoj se kjo frazë pasqyron ndjenjat e thella të gjeorgjianëve, ukrainasve dhe shumë kombeve të tjera që ndjejnë në mënyrë të thellë kërcënimin e një njeriu që ka zgjedhur një rrugë autoritare dhe despotike, për të zbatuar një imperializëm të rishkruar,” deklaroi Macron, duke iu përgjigjur akuzave për “fyerje vulgare” nga diplomacia ruse.

  • ‘Kemi gjetur një spray, disa gëzhoja, fishekë’/ Policia kontrollon shtëpinë e serbes së arrestuar për spiunazh

    ‘Kemi gjetur një spray, disa gëzhoja, fishekë’/ Policia kontrollon shtëpinë e serbes së arrestuar për spiunazh

    Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e serbes A.M., që së bashku me të dashurin e saj, J.I, pjesëtar i forcave ajrore kroate, u arrestuan në Kroaci nën akuza për spiunazh për Serbinë.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se bastisjet u kryen më 27 gusht rreth orës 20:00, pas publikimit të informacioneve se A.M., ishte arrestuar në Kroaci.

    Elshani tha se menjëherë autoritetet kosovare kanë verifikuar adresën e të dyshuarës A.M., në Mitrovicë të Veriut.

    “Kemi gjetur lokacionin e shtëpisë, kemi pranuar informacione se në atë shtëpi mund të ketë armë, kemi hyrë kemi bastisur këtë shtëpi, kemi gjetur një sprej, disa gëzhoja, fishekë dhe jemi larguar nga ai vend”, u shpreh Elshani.

    Sipas Elshanit, autoritetet e Kosovës janë në koordinim të ngushtë me autoritetet kroate për këtë rast.

    Më 28 gusht, Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi se ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e paraburgimit.

  • Milani merr fitoren e parë në Serinë A, kuqezinjtë mposhtin ekipin e lojtarëve të Kombëtares

    Milani merr fitoren e parë në Serinë A, kuqezinjtë mposhtin ekipin e lojtarëve të Kombëtares

    Milani ka marrë sot fitoren e parë në Serinë A. Kuqezinjtë kanë reaguar pas humbjes së papritur kundër Kremonezes. Ekipi i Alegrit ka mposhtur në transfertë Leçen me rezultatin 0-2.
    Ndeshja u zhbllokua në minutën e 66, kur Ruben Loftus Çiku e dërgoi topin në rrjetë. Ndërkohë 4 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt Pulisiçi vulosi shifrat përfundimtare në 0-2. Ndërkohë Ylber Ramadani ishte titullar në këtë sfidë,  ndërsa Medon Berisha hyri në fushë nga stoli në minutën e 63-të./Sport Ekspres/

  • Britaniku që vizitoi 201 shtete pa përdorur avionë hyn në Librin e Rekordeve Guinness

    Britaniku që vizitoi 201 shtete pa përdorur avionë hyn në Librin e Rekordeve Guinness

    Një aventurier britanik, Graham Hughes nga Liverpuli, ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness si personi i parë në botë që ka vizituar çdo vend të globit pa përdorur asnjëherë avionin.

    Hughes udhëtoi në 193 shtetet anëtare të OKB-së dhe në disa territore të tjera, duke e çuar numrin e vizitave në 201 vende. Ai nisi aventurën më 1 janar 2009 dhe pas katër viteve e 31 ditësh, e përfundoi rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm, duke shpenzuar rreth 28,000 paund.

    Për të arritur këtë mision, ai përdori vetëm transport tokësor e detar, si autobusë, trena, tragete e madje edhe anije peshkimi. Gjatë udhëtimeve hasi në shumë pengesa, u arrestua në disa vende dhe përjetoi situata të rrezikshme, por nuk e ndali vendosmëria e tij.

    Brenda një viti të vetëm, Hughes arriti të vizitojë 133 vende duke përdorur transport publik, gjë që i siguroi edhe një rekord tjetër Guinness.

    Aventurieri tha se frymëzimin e mori nga një shfaqje televizive e Michael Palin, si dhe nga udhëtimet e hershme me familjen në Evropë. Sipas tij, ky udhëtim dëshmon se një ëndërr e madhe mund të realizohet edhe me pak mjete financiare, për sa kohë që ka vendosmëri dhe kreativitet./KultPlus.com

  • Pasi e mbuloi tymi i zjarreve, Vlora rrezikon edhe të  përmbytet! Bashkia apel qytetarëve: Mos i lini makinat në rrugë

    Pasi e mbuloi tymi i zjarreve, Vlora rrezikon edhe të përmbytet! Bashkia apel qytetarëve: Mos i lini makinat në rrugë

    Pasi qyteti bregdetar i Vlorës, ka kaluar ditë me zjarre dhe tashmë rrezikon përmbytje, një fenomen që përsëritet shpesh, Bashkia i këshillon qytetarët të mos lënë makinat në rrugë.
    Kryebashkiaku Ermal Dredha duket i angazhuar me apele për vigjilencë, ndërsa kanalizimet lokale, që shpesh dështojnë, duket se po bëjnë pushim.
    Qytetarët paralajmërohen të jenë vigjilentë, ndërsa masat reale për përmbytjet duken më shumë si sugjerime sesa zgjidhje konkrete.
    Sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, gjatë 24 orëve në vijim qyteti i Vlorës parashikohet të përfshihet nga reshje shiu mesatare deri lokalisht intesive.

  • Përkeqësimi i motit, ndalohet çdo dalje në det e mjeteve lundruese në Sarandë

    Përkeqësimi i motit, ndalohet çdo dalje në det e mjeteve lundruese në Sarandë

    Dalja në det e çdo mjeti lundrues në Sarandë është ndaluar, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe detare.
    Sipas Kapitenit të Portit Sarandë, Fotin Kona, priten erëra me intensitet të lartë dhe dallgëzim përtej normave të lejuara për lundrim të sigurt.
    Për këtë arsye, ndalohet çdo dalje në det e mjeteve lundruese, përfshirë mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla, në të gjithë gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandës, Ksamilit dhe Borshit.
    Ky ndalim hyn në fuqi nga ora 06:00 e datës 30 dhe do të qëndrojë aktiv deri në një përmirësim të kushteve detare dhe një njoftim të dytë zyrtar nga Kapiteneria e Portit Sarandë. Mosrespektimi i këtij urdhri përbën shkelje ligjore dhe do të penalizohet sipas legjislacionit në fuqi.
     
     

  • Zjarri në Zonën e Mbrojtur Krastë-Virjon, Prefektura e Durrësit tregon si paraqitet situata

    Zjarri në Zonën e Mbrojtur Krastë-Virjon, Prefektura e Durrësit tregon si paraqitet situata

    Prefektura e Durrësit ka bërë të ditur se është neutralizuar intensiteti i flakëve në zjarrin që ra në Zonën e Mbrojtur Krastë-Virjon dhe përhapja e mëtejshme e tyre.
    Përmes një njoftimi, Prefektura e Durrësit bën të ditur se në total në aksionin për shuarjen e flakëve u angazhuan 10 zjarrfikës, 13 punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, 4 punonjës të Shërbimit Pyjor dhe 5 efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë.
    Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se duke u koordinuar me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile u sigurua edhe mbështetja nga ajri për shuarjen e flakëve, shkruan A2 CNN.
    Në përfundim, Prefektura e Durrësit u bën thirrje që të shmangin situata zjarrëvënieje, që bëhen të vështira më pas për t’u neutralizuar.
    Njoftimi i Prefekturës së Durrësit:
    Prej mëngjesit Zona e Mbrojtur Krastë-Virjon me pisha u përfshi nga flakët e shpërndara në 5 vatra të shkëputura nga njëra-tjetra.
    Që prej orës 07:15 të mëngjesit të sotëm, pas evidentimit të vatrave të zjarrit, menjëherë u nisën forcat zjarrfikëse të M.Z.Sh-së Krujë, Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë me qëllim izolimin, fikjen dhe eleminimin e rrezikut të përhapjes së flakëve.
    Në total u angazhuan 10 zjarrfikës, 13 punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, 4 punonjës të Shërbimit Pyjor, 5 efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë. Operacioni në terren u ndoq nga Nënprefekti Z. Xhek Xheka, Sektori i Emergjencave Civile.
    Për shkak të terrenit të thyer, mungesës së infrastrukturës rrugore, pyllit të dendur, ndërhyrja në vatra ishte shumë e vështirë në brëndësi të pyllit, duke kërkuar ecje në këmbë për të mbërritur pranë vatrave, duke e bërë situatën komplekse.
    Në këto kushte, duke u koordinuar me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, siguruam mbështetje nga ajri për të neutralizuar intensitetin e flakëve dhe përhapjen e mëtejshme.
    Falenderoj Ministrin e Mbrojtjes Z. Pirro Vengu,Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Z. Haki Çako për mbështetjen e pakursyer, si dhe ekuipazhin e helikopterit të Forcës Ajrore Nënkolonel Bedri Kaloshi, Major Olgert Hysa, Rreshter Agron Greca!
    Strukturat tona përgjegjëse me përkushtim, guxim dhe profesionalizëm qëndrojnë çdo ditë në vijën e parë të mbrojtjes së jetës, pronës, mjedisit, pyjeve.
    Apeli i Prefektit të Qarkut Z. Emiljan Jani për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të vështira për t’u neutralizuar. Zjarrvënia përbën vepër penale dhe ndëshkohet me ligj!

  • Krujë, i vihet zjarri mbeturinave pranë kabinës elektrike në Nikël, në rrezik banesat

    Krujë, i vihet zjarri mbeturinave pranë kabinës elektrike në Nikël, në rrezik banesat

    Një zjarr i përmasave të mëdha u aktivizua mbrëmjen e sotme në Nikël të Krujës si pasojë e djegies së mbeturinave në një kanal, i cili ndodhej pranë një kabine elektrike.
    Flakët rrezikojnë mjetet dhe disa banesa që ndodhen pranë.
    Për shuarjen e tij janë angazhuar zjarrëfikës dhe punonjës të njësisë vendore ndërsa zjarri vijon të përhapet duke krijuar vatra të reja.

  • Krizë buxhetore në Washington, Trump shkurton 5 mld $ ndihma të huaja

    Krizë buxhetore në Washington, Trump shkurton 5 mld $ ndihma të huaja

    Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar sot, 29 gusht, shkurtimin e 5 miliardë dollarëve ndihma të huaja, të miratuara më parë nga Kongresi, një lëvizje që rrit gjasat për një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale, ndërsa demokratët e kundërshtojnë ashpër.
    Sipas Shtëpisë së Bardhë, shkurtimet prekin programe të Departamentit të Shtetit dhe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
    “Presidenti gjithmonë do të vendosë Amerikën të parën,” thuhet në deklaratën e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit.
    USAID, e themeluar në vitin 1961 nga John F. Kennedy, është dobësuar ndjeshëm vitet e fundit.
    Pas marrjes së mandatit, Trump ka reduktuar ndjeshëm programet e saj, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio shkurtoi 85% të fondeve dhe e bashkoi agjencinë me Departamentin e Shtetit. Rubio përshëndeti masën e fundit, duke thënë se shërben për të “çrrënjosur mashtrimin dhe abuzimet” në qeveri.
    Nga ana tjetër, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, e cilësoi të paligjshme manovrën e Trump, pasi sipas tij presidenti po bllokon fonde tashmë të miratuara. “Është e qartë se as Trump e as Republikanët nuk kanë një plan për të shmangur një mbyllje të dhimbshme dhe krejtësisht të panevojshme të qeverisë,” u shpreh ai.
    Kundërshti ka edhe në mesin e republikanëve…
    Trump, i cili nisi mandatin e dytë në janar, ka ndërmarrë një fushatë për të zvogëluar ose shkrirë institucione të tëra federale, ndërsa synon të zgjerojë fuqitë presidenciale. Republikanët kontrollojnë të dyja Dhomat e Kongresit, por për miratimin e ligjeve të reja të shpenzimeve kanë nevojë për votat e demokratëve në Senat.
    Demokratët kanë paralajmëruar se një veprim i tillë do të shkaktojë dëme të mëdha në buxhet. Një mbyllje e pjesshme e qeverisë konsiderohet e rrallë, por është tejet e kushtueshme.