Mbrëmjen e sotme Bodrumspori ka mposhtur Sakariasporin me rezultatin 3-1. Skuadra turke ka marrë fitoren e parë në ligën e dytë të Turqisë falë dy lojtarëve të Kombëtares kuqezi. Arlind Ajeti dhe Taulant Seferi kanë gjetur të dy rrugën e rrjetës
Gjuajtja e Ajetit me kokë në minutën e 60 përmbysi shifrat në 1-2 në favor të Bodrumsporit, ndërsa rezultati do të ndryshonte sërish vetëm 4 minuta më vonë. Këtë herë ishte Taulant Seferi ai që me të majtën e tij ndëshkoi Sakariasporin. Me fitoren e sotme Bodrumspori ka shkuar në kuotën e 5 pikëve pas 3 ndeshjesh të zhvilluara në këtë sezon të ri të kategorisë së dytë turke./Sport Ekspres/
Day: August 23, 2025
-

VIDEO/ Seferi dhe Ajeti përmbysin ndeshjen, golat e lojtarëve të Kombëtares i japin fitoren Bodrumsporit
-

Emineja e Erdoganit i shkruan Melanisë së Trumpit për fëmijët e Gazës: Si nënë, grua dhe qenie njerëzore,shpresoj se…
“Si nënë, grua dhe qenie njerëzore, ndaj thellësisht emocionet e shprehura në letrën tuaj. Shpresoj se do të ushqeni të njëjtën shpresë për fëmijët e Gazës, të cilët dëshirojnë paqe dhe qetësi”
Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdoğan, i ka dërguar një letër Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, duke e nxitur atë të shtrijë dhembshurinë që tregoi për luftën në Ukrainë edhe në situatën humanitare në Gaza, transmeton Anadolu.
Në letrën e saj, Erdoğan e përshëndeti Trumpin me dashuri dhe respekt të sinqertë, duke kujtuar takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë në Washington gjashtë vjet më parë. Ajo tha se biseda e ngrohtë dhe mikpritja e sjellshme që përjetuan gjatë kohës së tyre së bashku mbeten të gjalla në kujtesën e saj.
Duke iu referuar një letre të kohëve të fundit që zonja Trump i dërgoi presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me luftën në Ukrainë, Erdoğan tha se ndjenjat e shprehura në atë letër pasqyronin një ndërgjegje thellësisht të sinkronizuar me çështjet globale.
“Mëshira juaj për fëmijët jetimë në Ukrainë është një iniciativë që ngjall shpresë në zemrat e njerëzve”
Erdoğan vlerëson qëndrimin e Trumpit, duke shkruar: “Siç e keni deklaruar në letrën tuaj, çdo fëmijë ka të drejtën universale dhe të pamohueshme për t’u rritur në një mjedis të dashur dhe të sigurt. Kjo e drejtë nuk është ekskluzive për asnjë rajon, etni, fe apo ideologji. Mbështetja e të shtypurve të cilëve u mohohet kjo e drejtë është një përgjegjësi themelore ndaj familjes njerëzore”.
“Në këtë kontekst, veçanërisht si bashkëshorte e një udhëheqësi, dhembshuria juaj për jetët e humbura, familjet e shqyera dhe fëmijët e mbetur jetimë nën efektet shkatërruese të luftës në Ukrainë është një iniciativë që ngjall shpresë në zemra”, shkroi ajo.
Erdoğan theksoi se kërkesa e Trumpit për të rikthyer buzëqeshjet e gëzueshme të fëmijëve ukrainasë që janë detyruar të qeshnin në heshtje është “shumë kuptimplote”.
“Unë besoj se ju do ta tregoni këtë ndjeshmëri të rëndësishme, të cilën e keni treguar për 648 fëmijët ukrainas që humbën jetën në luftë, edhe më fuqishëm për Gazën, ku 62 mijë civilë të pafajshëm, përfshirë 18 mijë fëmijë, u vranë brutalisht brenda dy viteve”, tha Erdoğan.
“Kush do ta kishte menduar se një ditë do ta përdornim termin ‘ushtar i panjohur’ për fëmijët?”
Duke theksuar dhunën e paprecedentë në Gaza, Erdoğan përmendi Fondin e OKB-së për Fëmijë (UNICEF), i cili e përshkroi Gazën si një ferr mbi tokë dhe një varrezë për fëmijët poshtë.
“A do të na kishte shkuar ndonjëherë ndërmend”, pyeti ajo, duke shtuar “që një ditë termi ‘ushtar i panjohur’, dikur i përdorur për ushtarët e rënë, identiteti i të cilëve nuk mund të konfirmohej, do të përdorej për fëmijët?”
“Sot, fjalët ‘foshnje e panjohur’ të shkruara në qefinët e mijëra fëmijëve të Gazës, të cilëve nuk u ka mbetur askush pas dhe emrat e të cilëve as nuk mund të identifikohen, po lënë plagë të pariparueshme në ndërgjegjen tonë”, tha Erdoğan.
“Këta fëmijë, të shtyrë në rrënim të thellë psikologjik dhe duke harruar plotësisht se si të buzëqeshin, bërtasin në mikrofonë se duan të vdesin, duke mbajtur në zemrat e tyre të pafajshme lodhjen e një lufte që nuk mund ta përballojnë. Në Gaza, historia regjistron se flokët e këtyre fëmijëve të vegjël jetimë janë thinjur nga dhimbja dhe frika e papërshkrueshme që kanë duruar”, shtoi ajo.
Erdoğan theksoi se të qeshurat e heshtura të fëmijëve nuk ishin unike për Ukrainën, duke shtuar: “Dërgimi i një letre drejtuar kryeministrit izraelit Netanyahu duke bërë thirrje për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza do të kishte një rëndësi të jashtëzakonshme”.
“Në një kohë kur bota po përjeton një zgjim kolektiv dhe njohja e Palestinës po shndërrohet në një vullnet global, besoj se një thirrje nga ju në emër të Gazës do të përmbushë gjithashtu një përgjegjësi historike ndaj popullit palestinez”, tha Erdoğan.
“Duhet të bashkojmë zërat tanë kundër këtij sistemi global të prishur”
Erdoğan e përshkroi situatën në Palestinë jo vetëm si gjenocid, por edhe si një manifestim të një rendi ndërkombëtar arbitrar që i konsideron disa jetë më të vlefshme se të tjerat në kërkim të pushtetit dhe rehatisë.
Duke bërë thirrje për solidaritet kundër këtij sistemi të padrejtë, ajo tha, “Duhet të bashkojmë zërat dhe forcën tonë kundër këtij rendi të shtrembëruar që i sheh jetët e disa fëmijëve si më pak të vlefshme se të tjerët. Kemi detyrë të mbështesim të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat e përbashkëta njerëzore dhe të qëndrojmë të vendosur rreth parimeve tona të përbashkëta”.
“Vetëm atëherë”, shtoi ajo, “mund të ushqejmë shpresë për brezat e ardhshëm që gjithnjë e më shumë po shkojnë drejt dëshpërimit përballë këtij brutaliteti. Vetëm atëherë mund të flasim për t’u sjellë gëzim fëmijëve, të qeshurat e të cilëve janë heshtur dhe për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme”.
“Si nënë, grua dhe qenie njerëzore, ndaj thellësisht emocionet e shprehura në letrën tuaj. Shpresoj se do të ushqeni të njëjtën shpresë për fëmijët e Gazës, të cilët dëshirojnë paqe dhe qetësi”, tha Erdoğan./aa
-

“Drejtësi në Nuremberg” dhe “Det i thellë blu” në skenën e Teatrit Kombëtar në sezonin e ri artistik 2025-2026
Nga Julia Vrapi
Sezoni i ri artistik do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar edhe një dramë mbi tragjedinë naziste dhe një mbi dashurinë dhe humbjen. “Drejtësi në Nuremberg” shkruar nga Abby Mann është një dramë mbi tragjedinë naziste dhe përgjegjësinë morale të individit, që do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 të Teatrit Kombëtar me regji nga Arben Kumbaro. Pjesë e veprave këtë sezon të ri artistik është dhe drama “Det i thellë blu” nga Terence Rattigan. Një dramë rrënqethëse mbi dashurinë dhe humbjen, vepër teatrore që do të vijë në skenë me regji nga Rovena Lule. Këto dy vepra si pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 bëhen me dije nga vetë Teatri Kombëtar, ndërsa në role do të jenë aktorë të njohur.
Në veprën me regji nga Rovena Lule bëhet me dije nga teatri se në role janë aktorët Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Florian Agalliu, Niada Saliasi, Donald Shehu. Por sa i takon sezonit të ri që pritet të nisë në muajin shtator më parë Teatri Kombëtar bënte me dije edhe për vepra nga Shekspir si premiera teatrore. “Si ta doni”, një komedi romantike për dashurinë dhe lirinë nga William Shakespeare do të vijë në skenë në sezonin e ri me regji të John Blondell. Kjo komedi që do të jetë pjesë e sezonit artistik do të ketë në role aktorë si Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, etj. Por në sezonin e ri artistik është dhe “Otello”, veprën nga William Shakespeare do ta sjellë në skenë regjisori Qëndrim Rijani. Në aktivitetin e tij si regjisor Qëndrim Rijani ka sjellë në skenën teatrore edhe të tjera vepra të Shekspirit, si “Tregtarin e Venedikut” në Korçë, “Makbeth” në Kosovë apo dhe “Jul Cezari” në Kroaci, ndërsa në sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar vjen me veprën “Otello”.
Sezoni artistik janar-qershor
Tetari Kombëtar sezonin artistik janar-qershor 2025 e mbylli me 20.236 spektatorë. Ndër veprat që ishin në skenë sezonin e kaluar ishte dhe “Faust”. Sezoni i ri artistik në vjeshtën e vitit 2024 në Teatrin Kombëtar pati në skenë edhe premierën “Faust” me regji nga Davide Iodice dhe me një kast aktorësh të njohur në role, e cila në qershor 2025 u rikthye sërish në skenë te “ArTurbina”. Vepra teatrore “Faust” erdhi në skenë me aktorët Hervin Çuli, Ema Andrea, Niada Saliasi, Gert Ferra, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Ina Gjonçi, Krist Lleshi dhe Genti Deçka. Kjo premierë teatrore ishte prodhim i Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me Sardegna Teatro dhe me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Teksti Fabio Pisano ( i frymëzuar nga Marloëe, Spies, Goethe), përkthimi Ina Gjonçi, përshtatja, regjia dhe skenografia e kostumet Davide Iodice. Bashkëpunimi për skenografinë dhe kostumet Laedia Hajdari. Muzika origjinale Lino Cannavacciuolo dhe as/regjisor Genti Deçka. -

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë: Institucionet e kulturës nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Muzeut Arkeologjik
Muzeu Arkeologjik në Durrës pas restaurimit pritet që të hapë dyert në vjeshtën e këtij viti, por Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e quan të pajustifikueshme zvarritjen që është bërë me punimet e tij. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ndër të tjera shprehet se Muzeu Arkeologjik i Durrësit nuk do të jetë kurrë i plotë nëse nuk do të rikthehen objektet historike të rrëmbyera gjatë viteve. “Lajmi se Muzeu i Durrësit do të hapet është i shumëpritur. Ka vite që ky muze qëndron i mbyllur, duke krijuar një boshllëk të madh në mundësitë e vizitueshmërisë në qytetin e Durrësit. Kryeministri me të drejtë e jep këtë lajm si një shenjë të rëndësishme të trashëgimisë së Durrësit, por mund të themi se zvarritja e pajustifikueshme disavjeçare është bërë nga institucionet e kulturës, të cilat nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Muzeut Arkeologjik. Me këtë rast mund t’i kujtojmë kryeministrit se nga ky muze janë vjedhur gjatë viteve një numër i madh objektesh arkeologjike, të cilat shteti shqiptar ka detyrimin ligjor dhe moral t’i kërkojë dhe t’i rikthejë përsëri në Shqipëri. Muzeu i Durrësit nuk do të jetë kurrë i plotë nëse nuk rikthen objektet historike të rrëmbyera”, shprehet Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në faqen e tij, ku ka ndarë dhe disa foto nga muzeu me objekte. Muzeu i është nënshtruar një procesi restaurimi me fondet e BE-së dhe është një nga objektet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Muzeu Arkeologjik në Durrës që është në restaurim është dhe më i madhi në vend me një koleksion të gjerë artefaktesh të zbuluara në zonën e lashtë të Dyrrahut
-

Aksion policor në Kosovë/ Zbulohet sera madhështore me 500 bimë kanabis sativa, sekuestrohet një armë dhe..
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion në një fshat të rajonit të Gjilanit, ku ka gjetur rreth 500 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa.
Sipas njoftimit zyrtar, plantacioni ishte organizuar në katër sera dhe bimët ndodheshin në fazë të avancuar të rritjes. Në aksionin e zhvilluar nga njësitë e antidrogës, në bashkëpunim me agjenci të tjera të sigurisë, u sekuestrua edhe një armë e gjatë si dhe materiale të tjera që lidhen me rastin.
Policia ka arrestuar tre persona, të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. -

Bashkim Zahaj: Për aprovimin e veprave të artit në publik është emergjente krijimi i një këshilli kombëtar artistik
Nga Julia Vrapi
Hapësirat publike duhet të pasurohen edhe më shumë me vepra arti, por herë pas here kanë sjellë dhe diskutime mbi realizimin e tyre dhe nivelin artistik. Artistë të ndryshëm janë shprehur se problemet janë që me këshillat që vendosin miratimin e tyre, ndërsa i janë drejtuar institucioneve që të jenë me profesionistët më të mirë të fushës. Jo vetëm në Tiranë, por dhe më tej ka pasur vepra arti që janë bërë objekt diskutimi mes artistëve, studiuesve e më gjerë, ndërsa për skenografin e njohur Bashkim Zahaj përballë problemeve që hasen duhet të krijohet një këshill kombëtar artistik për aprovimin e tyre në hapësirat publike.
Skenografi Bashkim Zahaj në një reagim të tij së fundmi i drejtohet dhe kryeministrit Edi Rama për krijimin e një këshilli kombëtar, pasi sipas tij vendosja e veprave të artit në publik ka një rëndësi të veçantë. “Z. Kryeministër! Është emergjente vendosja e një këshilli kombëtar artistik për aprovimin e veprave të artit në publik. Personalitete të fushës dhe me begraund të pasur në art. Nuk mund të lihet në dorë të bashkive, duke ditur se ato jo gjithmonë në këshillat bashkiake vendosin persona profesionistë dhe jo vetëm kaq, por vendosja e veprave të artit në publik ka rëndësi të veçantë me aspekt kombëtar për vlerat që pasqyrojnë”, shprehet Bashkim Zahaj skenograf, i cili herë pas here me reagimet e tij ka sjellë në vëmendje probleme të ndryshme që janë në jetën artistike e kulturore në vend.
Problemet në art
Skenografi Bashkim Zahaj ndërsa shpreh shqetësimin për çfarë po ndodh me vendosjen e veprave të ndryshme të artit në hapësirat publike thotë se me kalimin e viteve do të kemi një art të bastarduar. Sipas tij jo vetëm në kryeqytet ka vepra që nuk janë dinjitoze, ndërsa ka publikuar dhe foton e një vepre ku shprehet për nivelin e saj artistik. “Me kalimin e viteve po të ndiqet kjo praktikë e deritanishme do kemi një art të bastarduar në duar dhe memorie të brezave që vijnë. Shembujt gjenden edhe në Tiranë me vepra aspak dinjitoze. Vepra në fjalë duhet të hiqet urgjent si një vepër me nivel të ulët artistik deri në qesharake.
Ndjesë për autorin, por ai është i pafajshëm”, thotë skenografi Bashkim Zahaj në një reagim të tij që e ka ndarë edhe në Facebook. Bashkim Zahaj që edhe më parë ka sjellë në vëmendje probleme që janë mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet tona të artit dhe kulturës në vend dhe çfarë duhet përmirësuar, një nga shqetësimet e tij ka qenë dhe krijimi e përbërja e bordeve të ndryshme. Më herët Zahaj ka shprehur se duke qenë se jemi një vend i vogël me pak artistë me një bagazh dhe me një eksperiencë të madhe institucionet në vend duhet të kishin shumë nevojë për fjalën dhe mendimin e tyre. Sipas tij, e vetmja arsye që artistët trokasin në dyert e institucioneve në vend nuk ka lidhje me interesin vetjak, por ka interes vetëm për zhvillimin e artit. -

Milan i ri, por me huqe të vjetra! Kremonezja i shtang në “San Siro”
Milani i ri, me huqe të vjetra. Kuqezinjtë kanë zhgënjyer në ndeshjen e parë në Serie A për këtë sezon. Ekipi i Alegrit është shtangur nga Kremonezja në një “San Siro” të tejmbushur.
Beshirotoja kaloi miqtë në epërsi në minutën e 28, por Pavloviçi riktheu sërish baraspeshën në minutën e 45. Kur pritej se Milani do të përmbyste shifrat në pjesën e dytë, e kundërta ndodhi. Bonaxoli tundi rrjetën në minutën e 61-të me një roveshatë spektakolare që heshti tifozët kuqezinj. Kështu Milani mposhtet në shtëpi me rezultatin 1-2, duke venitur pritshmëritë e larta për këtë sfidë të parë në Serinë A./Sport Ekspres/ -
Zhgënjen Milan i Tares, Napoli e Roma nga tri pikë
Para 75 000 tifozëve skuadra e Alegrit dështon të marrë pikë. Debutuesja e mposht në ‘San Siro’
Sezoni 2025-2026 i Serie A nisi me një surprizë të madhe: Kremonese, e sapongjitur në Serie A, mposhti Milanin 2-1 në San Siro, duke prishur rikthimin e Masimiliano Alegrit te kuqezinjtë pas më shumë se 11 vitesh. Një prezantim zhgënjyes për të gjithë përfshirë dhe drejtorin Tare për të cilin ishin folur fjalë të mira për punën e bërë këtë merkato.
Ndërkaq, në këtë javë të parë në Serie A, Roma fitoi 1-0 me Bolonjën, Napoli mori tri pikë (0-2) në fushën e Sasuolos ndërsa Xhenova- Leçe u ndal pa gola 0-0
Bonifejs:
“Po e vlerësojmë plotësisht shëndetin e lojtarit; cilësitë e tij janë të padiskutueshme. Po përpiqemi të marrim vendimin e duhur”, tha drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, për DAZN para ndeshjes Milan-Kremonese në lidhje me Viktor Bonifejs. Të shtunën në mëngjes, nigeriani përfundoi raundin e tretë të vizitave mjekësore, por klubi kuqezi nuk ka vendosur ende nëse do ta nënshkruajë apo jo sulmuesin, i cili po largohet nga Bayer Leverkusen./Foto X/ Sportiim.al/
Vazhdo leximin

