Day: August 10, 2025

  • ‘Ndaloni heshtjen e shtypit’: Organizata ndërkombëtare thirrje urgjente për të mbrojtur lirinë e medias në Shqipëri

    ‘Ndaloni heshtjen e shtypit’: Organizata ndërkombëtare thirrje urgjente për të mbrojtur lirinë e medias në Shqipëri

    Pas veprimeve të qeverisë Rama ndaj “Fokus Media Grup”, organizata ndërkombëtare Avaaz ka shprehur një shqetësim të thellë lidhur sulmin ndaj lirisë së shtypit në vend me mbylljen e sinjalit të News24 ditën e shtunë, teksa ka nisur mbledhjen e firmave online për një peticion.

    Organizata e ndërkombëtare thekson se kjo nismë e qeverisë Rama nuk është e para, pas asaj ndaj Agon Channel dhe Ora News, dhe se të tilla sulme ndaj medias cënojnë rëndë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

    Peticioni:

    Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për veprimet e fundit të ndërmarra kundër Focus Media Group në Tiranë, të cilat synojnë kanalin televiziv News24.

    Në orët e para të 9 gushtit 2025, Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe e hoqi News24 nga transmetimi. Gazetarëve iu ndalua hyrja në dhomat e tyre të lajmeve, duke ndaluar punën editoriale dhe duke e privuar publikun nga informacioni në kohë. 

    Operacioni u krye pa njoftim paraprak, në mungesë të ndonjë vendimi gjyqësor të disponueshëm publikisht, dhe në një kohë kur nivelet e stafit dhe vëmendja e publikut ishin në nivelin më të ulët. Deri më sot, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë justifikim ligjor për këtë ndërhyrje të paprecedentë. 

    Kjo përfaqëson përpjekjen e tretë në vitet e fundit për të heshtur një televizion të pavarur në Shqipëri, pas mbylljes së Agon Channel dhe përpjekjes për të mbyllur RTV Ora.

    Në vitin 2025, Shqipëria u rendit e 80-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të publikuar nga Reporterët pa Kufij. Raporti thekson përqendrimin e pronësisë së medias në duart e individëve me përkatësi politike dhe paralajmëron për presion të vazhdueshëm politik mbi gazetarët, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore. 

    Mbyllja e fundit e mediave opozitare me qeverinë, së bashku me veprime të mëparshme si mbyllja parazgjedhore e TikTok, nënvizon një trend shqetësues të rritjes së censurës dhe erozionit të normave demokratike. Pothuajse të gjitha mediat e mbetura janë të lidhura me qeverinë dhe shërbejnë për të amplifikuar mesazhet e saj.

    Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të rivendosin menjëherë funksionimin e plotë të këtyre mediave, të garantojnë akses të pakufizuar për gazetarët dhe të zbulojnë publikisht bazën ligjore për veprimet e tyre.

    Liria e shtypit është një gur themeli i demokracisë dhe një kusht thelbësor për integrimin evropian të Shqipërisë. Ndërsa Kryeministri Rama promovon një imazh jashtë vendit të hapjes dhe progresit, masat e marra në vend ngrenë shqetësime të mëdha në lidhje me lirinë e fjalës dhe shtypit, në një kohë kur demokracia në Evropë dhe globalisht është nën presion të konsiderueshëm.

    Ne shprehim solidaritetin tonë me gazetarët e tjerë në Shqipëri dhe i inkurajojmë të gjitha institucionet përkatëse të mbrojnë pavarësinë e medias, të mbështesin parimet demokratike dhe të sigurojnë të drejtën e popullit të Shqipërisë për informacion të lirë, të larmishëm dhe të pavarur.

  • Situatë kritike/ Zjarri rrezikon banesat dhe azilin e të moshuarve në Poliçan

    Situatë kritike/ Zjarri rrezikon banesat dhe azilin e të moshuarve në Poliçan

    Një vatër e fuqishme zjarri vijon të jetë aktive në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, duke përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Flakët kanë kaluar mbi linjën e ujësjellësit dhe janë afruar rrezikshëm pranë një grupi banesash, si dhe pranë Azilit të të Moshuarve në qytet.
    Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse të bashkive Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec, të mbështetura nga 60 trupa të Forcave të Armatosura dhe ndërhyrje nga ajri.
    Pavarësisht përpjekjeve intensive, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.
    Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se operacioni për shuarjen e flakëve vijon me intensitet të lartë, me qëllim shmangien e përhapjes së mëtejshme drejt zonave të banuara.
    Situata mbetet kritike, ndërsa forcat në terren po punojnë pa ndërprerje për ta neutralizuar rrezikun.

  • Plazhet bosh prej çmimeve të larta, Rama: Një pjesë e bizneseve po i bëjnë gropën vetes

    Plazhet bosh prej çmimeve të larta, Rama: Një pjesë e bizneseve po i bëjnë gropën vetes

    Kryeministri Rama për herë të parë pranon në mes të gushtit atë që shumë shqiptarë dhe turistë e kanë vërejtur prej kohësh. Plazhet janë bosh dhe situata nuk është aspak siç është pritur.
    Në një reagim ne Facebook, kryeministri paralajmëron masa radikale për vitin e ardhshëm, për të cilat do të flasë në shtator. Sipas Ramës, bizneset nuk po mendojnë strategjikisht, por po i bëjnë gropën vetes.
    “E fundit që kam është që rilindja urbane 2.0 është një program që do të vazhdojë 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është një aksion, nuk është një sulm veror dhe ata që thonë që po, pse nuk e lije dot për në dimër, iu them jo, nuk e linim dot për në dimër.
    Jo, po se kemi turistët nëpër këmbë, mos kini asnjë merak, se çështja e turistëve nuk lidhet me këtë. Çështja e turistëve lidhet me 2 a 3 gjëra të tjera për të cilat do të flasim shumë hapur dhe shumë qartë në shtator. Duke filluar nga një pjesë e industrisë që nuk po mendon fare strategjikisht, por po mendon vetëm kap ça të kapësh sot dhe praktikisht po i bën gropën vetes për nesër, pasi gjithë ato investime që po bën, nuk do të mund dot t’i shlyejë dhe as do të mund dot t’i kthejë në investime të qëndrueshme për fëmijët nëse sot vendos çmime të cilat do të hapin me shumë shpejtësi fjalën që është shumë shtrenjtë në Shqipëri.
    Por do të flasim për këtë, siç do të flasim edhe për plazhet ku kemi bërë një hap të madh përpara këtë vit, por të pamjaftueshëm dhe do të marrin masa radikale edhe me plazhet për vitin e ardhshëm, ku bashkitë do të marrin shumë më tepër forcë, por ama shkundja e bashkive sot është një domosdoshmëri që të gjitha gjërat të shkojnë shumë më mirë nesër dhe që pushteti vendor që ka bërë shumë gjëra, por që ka shumë të meta, të ngrihet në një nivel tjetër” – deklaroi mes të tjerash Rama

  • Aksident në Bistricë, si u shpëtua i moshuari nga kalimtari

    Aksident në Bistricë, si u shpëtua i moshuari nga kalimtari

    Një aksident është regjistruar sot në aksin Sarandë–Gjirokastër, pranë fshatit Bistricë, ku një automjet tip “Opel” me targë AA459GJ ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në kolektorin e ujit.
    Sipas dëshmitarëve, ndër të parët që reagoi ishte Vasil Koto Xhamiha, i cili la kafen dhe u hodh në ujë për të shpëtuar drejtuesin e mjetit. Ai i ka dhënë frymëmarrje 80-vjeçarit Vasillaq Gjini, i cili fillimisht nuk reagoi, por më pas rifitoi ndjenjat.
    I plagosuri u dërgua menjëherë në Spitalin e Sarandës, ku mjekët konfirmuan se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga analizat e kryera, rezultoi se drejtuesi po ngiste mjetin nën efektin e alkoolit.

  • Tritol në Rradhimë, IKMT shemb sot godinën tre katëshe pa leje

    Tritol në Rradhimë, IKMT shemb sot godinën tre katëshe pa leje

    Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njoftuar se ditën e sotme, në orën 07:30, do të shembet me tritol një objekt trekatësh i ndërtuar pa leje pranë aksit rrugor Vlorë-Orikum.
    Përmes një postimi zyrtar, IKMT bën me dije se shpërthimi do të jetë i kontrolluar dhe do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
    Në funksion të sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së operacionit, Inspektoriati përmes këtij njoftimi u kërkon qytetarëve dhe bizneseve të zonës bashkëpunim për respektimin e perimetrit të sigurisë dhe masave të ndërmarra.
    Njoftimi i plotë:
    Të hënën, më datë 11.08.2025, në orën 07:30, IKMT ka planifikuar të kryejë prishjen me shpërthim të kontrolluar të një objekti trekatësh beton-armë, i ndodhur pranë aksit rrugor Vlorë–Orikum.
    Ky aksion do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
    Për demolimin e këtij objekti:
    Janë shtrirë 1,100 metra linearë fitil detonant
    Janë planifikuar 32 kilogramë lëndë plasëse
    Për të minimizuar ndikimin në zonën përreth dhe për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik, shpërthimi do të kryhet në orët e para të mëngjesit.
    Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë marrë të gjitha masat e nevojshme që operacioni të realizohet me sukses.
    Për këtë arsye, do të bllokohet përkohësisht aksi rrugor Vlorë–Orikum, si dhe është rakorduar me strukturat përkatëse për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike 15 minuta përpara shpërthimit.
    Gjithashtu, janë marrë masat për praninë e mjeteve zjarrfikëse, ambulancave dhe personelit përkatës.
    Të gjithë pronarët e objekteve pranë perimetrit të sigurisë janë njoftuar, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe duke i informuar për masat mbrojtëse që duhet të ndërmarrin për të shmangur dëmtime të mundshme.
    IKMT kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe bizneseve që operojnë në këtë zonë. Ju sigurojmë se, në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese, do të vijohet me ndërhyrjet me forcën e ligjit ndaj çdo ndërtimi pa leje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
    Ftojmë të gjithë qytetarët të kontribuojnë në portalin hapsiraimepublike.gov.al, për të vijuar këtë proces pa kthim të vendosjes së ligjshmërisë, rikthimit të hapësirave publike dhe kontrollit të territorit.
    Interesi publik është mbi të gjitha.

  • Kishte veshur bluzën me portretin e Arkanit, boksieri shqiptar rreh në mes të Zyrihut djalin e kriminelit serb

    Kishte veshur bluzën me portretin e Arkanit, boksieri shqiptar rreh në mes të Zyrihut djalin e kriminelit serb

    Boksieri shqiptar nga Kumanova Astrit Sejdi ka rrahur në mes të Zyrihut djalin e kriminelit serb Arkanit.

    Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme dhe bëhet e ditur nga ish deputeti Azgan Haklaj.
    “Sot në orën 17:25′ në Zyrih ky djalosh trim nga Kumanova Astrit Sejdi teksa është shkëmbyer me djalin e Arkanit kur ka parë në bluzën e tij portretin e Arkanit dhe të Putinit nuk ka duruar dot.Boksieri i talentuar menjëherë e ka marrë para si buldazer!
    Tani sapo ka dalë nga stacioni policor dhe është shëndosh e mirë”, shkruan Haklaj.Arkani (Željko Ražnatović), një figurë e njohur ushtarake dhe kriminale serbe gjatë viteve 1990.
    U bë i famshëm si udhëheqës i “Tigrave të Arkanit”, një njësi paraushtarake serbe që veproi gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.Ai u akuzua për krime lufte, përfshirë vrasje, dëbime të popullsisë dhe mizori ndaj civilëve jo-serbë.Ishte gjithashtu i përfshirë në botën e krimit të organizuar (vjedhje, grabitje bankash, kontrabandë).
    Armani u vra në vitin 2000 në hotelin “InterContinental” në Beograd, në një atentat.

    Top Channel

  • E rëndë/ Shoferi përplas për vdekje gruan 57-vjeçare dhe largohet nga vendngjarja

    E rëndë/ Shoferi përplas për vdekje gruan 57-vjeçare dhe largohet nga vendngjarja

    Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Dimal, në urën e re mbi lum. Një 57-vjeçare, e cila po kalonte rrugën me delet, është shtypur për vdekje nga një automjet, i cili e ka lënë të shtrirë në rrugë dhe është larguar nga vendngjarja.

    Viktima Thëllëza Caushi, banore e Dimalit, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, që po kryejnë kqyrjen e vendngjarjes, pas identifikimit të kufomës.

    Policia konfirmon se janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth vendit të aksidentit, për të identifikuar mjetin që e shtypi dhe shoferin që ndodhej në drejtimin e automjetit.

  • Ungjilli që tronditi Portugalinë

    Ungjilli që tronditi Portugalinë

    Kur José Saramago botoi “Ungjilli sipas Jezu Krishtit” në vitin 1991, nuk solli thjesht një roman, solli një shpërthim. Me një stil të fuqishëm e herë-herë ironik, shkrimtari e riktheu historinë e Krishtit në tokë, duke e parë nga një kënd krejt njerëzor. Kritika ndërkombëtare e përqafoi menjëherë: një kryevepër letrare, filozofike dhe narrative.

    Por në Portugali, vepra ndezi zemërimin e Kishës Katolike dhe solli censurë të hapur: qeveria e përjashtoi nga garat letrare evropiane, duke e quajtur blasfemi. I zhgënjyer, Saramago u largua përgjithmonë nga vendlindja, por romani mbeti si dëshmi se arti, kur është i vërtetë, nuk kërkon leje për të sfiduar.

    Në faqet e librit, Jezusi shfaqet jo si figurë e paarritshme, por si njeri me dyshime, frikëra dhe pasione. Pikërisht kjo qasje njerëzore e bëri romanin të rrezikshëm për disa, por po aq të çmuar për ata që kërkojnë letërsi që guxon të bëjë pyetje.

    Sot, “Ungjilli sipas Jezu Krishtit” lexohet jo vetëm si një rishkrim biblik, por si një reflektim i thellë mbi pushtetin, moralin dhe lirinë e mendimit. E ndërsa debati mbi të nuk është shuar, ai vazhdon të mbetet një nga veprat më të guximshme të shekullit XX./KultPlus.com

  • Plani për të marrë në kontroll Gazën, kryeministri izraelit kritikohet ashpër në Këshillin e Sigurimit: Do të shkaktonte një tjetër katastrofë me pasoja për të gjithë rajonin

    Plani për të marrë në kontroll Gazën, kryeministri izraelit kritikohet ashpër në Këshillin e Sigurimit: Do të shkaktonte një tjetër katastrofë me pasoja për të gjithë rajonin

    Ambasadorët e Kombeve të Bashkuara kanë dënuar planet e Izraelit për të “marrë kontrollin” e qytetit të Gazës, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu këmbëngul se kjo është “mënyra më e mirë” për të përfunduar luftën.

    Gjatë një konference për shtyp, udhëheqësi izraelit deklaroi se ofensiva e planifikuar do të zhvillohet “shpejt” dhe do të “çlirojë Gazën nga Hamasi”.
    Ai gjithashtu pretendoi se pengjet izraelite të mbajtura në Gaza janë “të vetmit që po lihen qëllimisht pa ushqim” dhe mohoi që Izraeli lë në uri civilët palestinezë.
    Ndërkohë, Izraeli u përball me kritika të ashpra në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vende të tjera paralajmëruan se plani rrezikonte të “shkel të drejtën ndërkombëtare humanitare”. Së bashku me Danimarkën, Greqinë dhe Slloveninë, ata kërkuan që plani të anulohet, duke shtuar se ai “nuk do të ndihmojë në kthimin e pengjeve dhe do të rrezikonte më tej jetën e tyre”.
    Edhe vende të tjera anëtare të Këshillit shprehën shqetësim. Kina e quajti “të papranueshëm” ndëshkimin kolektiv të popullit të Gazës, ndërsa Rusia paralajmëroi një “përshkallëzimi të armiqësive”.
    “Nëse këto plane zbatohen, ka gjasa të shkaktojnë një tjetër katastrofë në Gaza, me pasoja në gjithë rajonin, duke shkaktuar zhvendosje të detyruara, vrasje dhe shkatërrim“, tha Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca.
    Por Shtetet e Bashkuara mbrojtën Izraelin, raporton BBC. Ambasadorja Dorothy Shea tha në takim se SHBA-të kanë punuar “pa pushim” për lirimin e pengjeve dhe për t’i dhënë fund luftës, dhe se vetë takimi dëmtonte këto përpjekje.
    Ajo shtoi se lufta “mund të përfundonte sot nëse Hamasi do të lironte pengjet” dhe akuzoi disa anëtarë të tjerë se po shfrytëzonin takimin për të “akuzuar Izraelin për gjenocid”, një akuzë që ajo e cilësoi si “tërësisht e pavërtetueshme”.
    Më vonë, zyra e Netanyahut tha se ai kishte zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump në lidhje me planet e Izraelit.
    Mijëra protestues kanë dalë në rrugë nëpër Izrael për të kundërshtuar planin e qeverisë, nga frika se ai rrezikon jetën e pengjeve. Në konferencën për shtyp, Netanyahu tha se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë urdhëruar të shpërbëjnë “dy fortesat e fundit të Hamasit” në qytetin e Gazës dhe në një zonë qendrore rreth al-Mawasit.
    Ai paraqiti gjithashtu një plan me tre hapa për të rritur ndihmën humanitare në Gaza, duke përfshirë krijimin e korridoreve të sigurta për shpërndarjen e ndihmave dhe më shumë dërgesa ajrore nga forcat izraelite dhe partnerët e tjerë.
    Plani përfshin gjithashtu rritjen e numrit të pikave të sigurta të shpërndarjes së ndihmave, të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, i cili ka qenë i kontestuar.
    OKB-ja raportoi më herët këtë muaj se 1.373 palestinezë janë vrarë teksa kërkonin ushqim që nga fundi i majit, kur GHF vendosi qendrat e shpërndarjes së ndihmave.
    Netanyahu akuzoi Hamasin se ka “plaçkitur me dhunë kamionët me ndihma” dhe, kur u pyet për vdekjet në vendet e shpërndarjes së ndihmave, tha se “shumë nga të shtënat janë bërë nga Hamasi”.
    Izraeli nisi ofensivën e tij pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor të atij viti, ku rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

    Top Channel

  • Zv.presidenti amerikan skeptik për një takim Putin- Zelensky: Nuk do të ishte shumë produktiv

    Zv.presidenti amerikan skeptik për një takim Putin- Zelensky: Nuk do të ishte shumë produktiv

    Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance ka dalë kundër një takimi mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelensky-t.

    Një një intervistë për Fox News JD Vance, deklaroi se një marrëveshje e mundshme mes Rusisë dhe Ukrainës “në fund nuk do të kënaqë as njërën, as tjetrën palë”. Ai u shpreh skeptik për një takim mes tyre para samitit të planifikuar midis Donald Trump dhe Vladimir Putin, që pritet të mbahet në Alaskë më 15 gusht.
    “E vetmja mënyrë për të bërë paqe është të ulesh dhe të flasësh. Nuk mund të tregosh me gisht. Nuk mund të tundësh gishtin nga dikush dhe të thuash ‘ti gabon, ne kemi të drejtë’. Rruga drejt paqes është të kesh një udhëheqës vendimtar që të ulet dhe t’i detyrojë njerëzit të bashkohen. Ne kemi shumë pika ndikimi ekonomike dhe jemi të gatshëm t’i përdorim ato për të sjellë paqe“, tha Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara
    “Sipas meje, një takim i tillë nuk do të ishte shumë produktiv”, theksoi Vance.

    Top Channel