Day: August 4, 2025

  • Miron Kotani: Zhdukje e traditës dhe zhbërje e këngës shqipe, kritika muzikore hesht në Shqipëri

    Miron Kotani: Zhdukje e traditës dhe zhbërje e këngës shqipe, kritika muzikore hesht në Shqipëri

    Nga Julia Vrapi
    Festivali i Këngës në RTSH këtë vit pritet që të zhvillojë edicionin e tij të 64-t. Por prej vitesh festivali po shoqërohet me problematika të ndryshme, ku nuk kanë munguar dhe kritikat e profesionistëve të fushës së muzikës në drejtim të organizatorëve. Stafi drejtues i Festivalit të 64-t të Këngës dhe RTSH këto ditë kanë publikuar thirrjen për të gjithë artistët, që do t’i bashkohen festvalit. Por kompozitori Miron Kotani, një nga zërat që herë pas here ka sjellë në vëmendje problemet që kanë shoqëruar Festivalin e Këngës në RTSH ndër vite sjell në vëmendje se kritika muzikore vazhdon të heshtë në vendin tonë për këtë festival. “Për kritikën muzikore të dështuar shqiptare ose asgjë e re nga fronti i perëndimit për Festivalin e 64 në RTSH. Një zhdukje e traditës dhe zhbërje e këngës shqipe.
    Si ka mundësi që asnjë rresht për Festivalin e Këngës në RTSH, kriteret e shpallura të tij nga RTSH, kritika muzikore gjithmonë ka heshtur në Shqipëri duke bërë që këtë punë ta bëjë “askushi” ose ndonjë artist kuturu sipas mendjes se tij”, shprehet kompozitori Kotani në një reagim të tij, që e ka ndarë dhe në Facebook. Festivali i Këngës në RTSH edhe pse përballet me kritika çdo vit nga krijues e artistë të ndryshëm është dhe një prej ngjarjeve muzikore kryesore në vend, por që prurjet muzikore kanë ngjallur jo pak diskutime. Kompozitori Miron Kotani thotë se Festivali i Këngës në RTSH vazhdon të mbetet anonim. Ai shpreh kritika për organizatorët e festivalit, ku thotë se nuk është dhënë një rregullore e shkruar mbi mënyrën e funksionimit të festivalit.
    “Festivali Kombëtar vazhdon të mbetet anonim, pa rregulla e pa kurrfarë vizioni nga organizatorët RTSH, duke bërë që kënga shqipe të humbasë drejt anonimatit e rastësisë së prurjeve anonime. Le të analizojmë pak procedurën e fazës së parë – atë të përzgjedhjes së këngëve. 1. Nuk na jepet dhe nuk ka një rregullore të shkruar për mënyrën e funksionimit të festivalit. 2. Nuk jepen emrat e organizatorëve-drejtuesve të festivalit. Në çdo vend të botës emrat e stafit duhen bërë publike. 3. Nuk jepet dhe nuk bëhet e ditur ( me qëllim kjo) mënyra e përzgjedhjes së këngëve fituese të festivalit. Pra kjo i lihet në dorë kujt? Si? Pse?”, vijon kompozitori Miron Kotani ndër të tjera në reagimin e tij.
    Transparenca në festival
    Mungesa e transparencës apo dhe prurjet muzikore janë të tjera problem për të cilat shprehet kompozitori Miron Kotani. Në reagimin e tij ai thotë se festivali nuk mund të jetë me prurje muzikore rastësore, por nga emra të njohur të këngës, si në krijimtari ashtu dhe në interpretim. Ndërsa për thirrjen për artistët që do ti bashkohen festivalit këtë vit nga stafi drejtues i Fest. 64  kompozitori Miron Kotani shprehet se vijon si çdo vit, pa pasur përmirësime. “4- Si çdo vit edhe këtë herë në fazën e parë mungon 100 për qind transparenca. Ti mund të çosh një këngë të shkëlqyer, por që “ustallarët” ata të brendshmit e RTSH-së që kanë konflikt interesi e që janë vetë garues në festival, mund të ta heqin ëmbëlsisht e të ta skualifikojnë këngën.
    5. Festivali nuk mund e nuk duhet të jetë prurje rastësore, por prurje kombëtare e emrave më të njohur të këngës si në krijimtari ashtu dhe interpretim. 6. Rregullat në këtë lajmërim janë thuajse si çdo vit tjetër- njësoj të pandryshuara çka të bën të mendosh se do kemi të njëjtin festival si në edicionet e kaluara me të njëjtat emra autorësh e garuesish në të. Kjo është e pafalshme për një institucion publik që duhet të jetë i të gjithë shqiptarëve e larg klaneve klanore, që kanë dëmtuar imazhin e këngës shqipe në vite”, thotë kompozitori Miron Kotani më tej.
    Mosha e pjesëmarrjes në festival
    Në thirrjen që u shpall këto ditë për artistët, që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH një nga pikat është dhe mosha. Sipas thirrjes, artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç. Por kjo sipas kompozitorit Miron Kotani është e gabuar. Kompozitori Kotani në reagimin e tij që e ka ndarë në disa pika, sjell në vëmendje pjesëmarrjen e këngëtarit Tonin Tërshana në festival dikur apo dhe të artistëve të tjerë. “7. Sipas RTSH-së në Fest. 64 nuk do lejohen këngëtarët nën 16 vjeç. Është e gabuar ( e kam thënë edhe në vitet e kaluara) vendosja e kriterit 16 vjeç për interpretin pjesëmarrës.
    Kjo është në kundërshtim me traditën – kur dihet se Tonin Tërshana ishte vetëm 15 vjeç kur fitoi Festivalin në vitin 1965 , apo David Tukiçi ishte vetëm 13 vjeç kur fitoi me Globi që rrotullohej tek “Dhuratë për ditëlindjen” apo Elsa Lila 14 vjeç me “Pyes Lotin”, etj….Çdo të thoshte Luan Zhegu që në Festivalin e vitit 1986 në RTSH këndon një duet të mrekullueshëm me një fëmijë 10 vjeçar në këngën e Gjergj Lekës, që për mua ishte një ndër këngët më të bukura të festivalit? Po Mariza Ikonomi me Françesk Radin te “Telefonatë zemrash” sa vjeç ishte? Po Jonida Maliqi në Festivalin e vitit 1995 sa vjeç ishte në këngën e Petrit Sinematit ?”, shprehet Kotani, që shton më tej se ky kriter ç’bën traditën dhe sipas tij është i papranueshëm.
    Komisioni për këngët 
    Këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI), sipas stafit drejtues të festivalit këtë vit do të skualifikohen menjëherë. Por kompozitori Miron Kotani thotë se komisioni për këngët e festivalit duhet të kërkojë partiturën e këngës. “8. Si mund të kuptohet mbi ç’bazë zhdukja e krijimeve të inteligjencës artificiale kur ti si komision nuk kërkon partiturën e këngës me nota- vijë melodike+ tekst+ harmoni, duke e ligjëruar e bërë fakt pranimin e drejtpërdrejtë të inteligjencës artificiale të studiove kompjuteristike të producentëve?! Si mund ta kuptojë “komisioni” këndimin e studiove të producentëve kur nuk e dëgjon live me piano të shoqëruar nga kompozitori këngëtarin?”, vijon ai. Transparenca për përzgjedhjen e këngëve në festival sipas kompozitorin Miron Kotani është shumë e rëndësishme, por ndër të tjera ai sjell në vëmendje dhe çfarë ndodh me të drejtën e autorit në fushën e muzikës. “9. Si mund të mos jetë transparente e të jetë rastësore përzgjedhja e këngëve të Festivalit Kombëtar të Këngës, krijuesve e interpretëve ?
    Si mund të shkelet kaq hapur e drejta e autorit e merret nëpër këmbë krijimtaria?! Kaq si fillim – se kritika do duhej të paguhej më shumë se një kompozim- por jemi në vendin e xhunglës e uroj që të mos na burgosin për këto mendime kritike për artin – ( dhe kjo nuk përbën më çudi tashmë)”, thotë kompozitori Miron Kotani në një reagim të tij të datës 2 gusht 2025. Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre muzikore vetëm përmes email-it zyrtar të festivalit që është bërë publik. Sipas njoftimit pas nisjes së materialeve, pjesëmarrësve do t’u dërgohet një email që konfirmon dorëzimin e tyre.
    Festivali të jetë me pjesëmarrjen e autorëve më të mirë
    Edhe më herët kompozitori Miron Kotani ka shprehur se Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të thotë festivali i krijimtarisë muzikore i të gjithë autorëve më të mirë të mundshëm. Sipas tij, krijimtaria më e mirë shqiptare me krijuesit më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare, që janë kompozitorët, autorët e tekstit apo poetët dhe mundësisht dhe orkestruesit. Gjithashtu Kotani ka shprehur se drejtimi i gabuar është përjashtimi, mënjanimi i kompozitorëve dhe poetëve dhe orkestratorëve, njerëzit e shkolluar që e kanë bërë festivalin, që e kanë bërë traditën. Festivali i Këngës në RTSH vjet në dhjetor 2024  zhvilloi edicionin e 63-të të tij dhe u zhvillua përgjatë katër mbrëmjeve, ndërsa 30 këngë ishin në konkurrim. Miron Kotani është autor i shumë këngëve për të rritur e fëmijë, i disa muzika të filmave dhe njihet si orkestrues i mijëra këngëve shqiptare në tre dekadat e fundit, me këngëtarët më të mirë të trojeve shqiptare.
     
     

  • Vijon zjarri në malin e Skërficës! Zjarrfikës të Gjirokastrës dhe ushtarë po ndihmojnë për shuarjen e flakëve

    Vijon zjarri në malin e Skërficës! Zjarrfikës të Gjirokastrës dhe ushtarë po ndihmojnë për shuarjen e flakëve

    FOTO ILUSTRUESE

    GJIROKASTËR-Zjarri në malin e Skërficës, në territorin e Bashkisë Delvinë, vijon të jetë aktiv prej ditës së djeshme. Zjarri aktualisht ndodhet në territorin e Bashkisë Delvinë, por flakët rrezikojnë të përhapen drejt Gjirokastrës.
    Për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonën pyjore, shërbimi zjarrfikës i Gjirokastrës, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, ka ndërmarrë një ndërhyrje të koordinuar emergjente. Konkretisht 10 zjarrfikës të Bashkisë Gjirokastër, në bashkëpunim me 15 trupa të FA, sapo kanë nisur aksionin për shuarjen e flakëve dhe izolimin e vatrave përreth.

  • Gjirokastër, zjarr gjatë natës në “Dunavat”

    Gjirokastër, zjarr gjatë natës në “Dunavat”

    Një zjarr i rënë gjatë natës në përroin e lagjes Dunavat në Gjirokastër që përfshiu barishte të thata dhe mbeturina, rrezikoi përhapjen drejt banesave përreth.
    Menjëherë në vendngjarje u nis një automjet zjarrfikës me efektivë të shërbimit, ndërsa për shkak të përmasave që po merrte zjarri, u kërkua ndihmë shtesë.
    Falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes së koordinuar të strukturave zjarrfikëse, flakët u izoluan dhe u shuan plotësisht, duke shmangur çdo dëmtim të banesave apo pasurisë materiale.

  • Zjarri në Skërficë, nis operacioni për shuarjen e flakëve

    Zjarri në Skërficë, nis operacioni për shuarjen e flakëve

    Një vatër zjarri është aktivizuar në malin e Skërficës, në territorin e Bashkisë Delvinë, duke rrezikuar përhapjen në zonat përreth, përfshirë edhe pyllin e mbrojtur të Pikës në Bashkinë Gjirokastër.
    Për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonën pyjore, shërbimi zjarrfikës i Gjirokastrës, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, ka ndërmarrë një ndërhyrje të koordinuar emergjente.
    Operacioni ka nisur në orën 04:20 të mëngjesit, me pjesëmarrjen e 10 zjarrfikësve dhe 15 efektivëve të ushtrisë. Aktualisht, puna vijon me intensitet të lartë për shuarjen e zjarrit dhe izolimin e vatrave përreth. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm.
    Njoftim mbi situatën e zjarrit në malin e Skerficës
    Zjarri në malin e Skerficës është aktivizuar dhe ndodhet aktualisht në territorin e Bashkisë Delvinë. Për të parandaluar përhapjen e flakëve në territorin e Bashkisë Gjirokastër dhe për të mbrojtur pyllin e mbrojtur të Piksës, është organizuar një ndërhyrje e koordinuar.
    Shërbimi Zjarrfikës i Bashkisë Gjirokastër, në bashkëpunim me 15 trupa të ushtrisë, ka nisur aksionin që në orët e para të mëngjesit. Nisja është bërë në orën 04:20, me 10 trupa zjarrfikës dhe 15 efektivë të ushtrisë. Aktualisht po punohet intensivisht për shuarjen e zjarrit dhe izolimin e vatrave përreth.

  • Zjarr gjatë natës në Dunavat të Gjirokastrës, flakët rrezikojnë banesat

    Zjarr gjatë natës në Dunavat të Gjirokastrës, flakët rrezikojnë banesat

    Një zjarr ka rënë në përroin e lagjes Dunavat në orët e para të mëngjesit të sotëm. Zjarri ka përfshirë fillimisht barishte të thata e mbeturina, e më pas është përhapur duke u kthyer në rrezik për banesat përreth.
    Në vendngjarje është nisur një automjet zjarrfikës me efektivë të shërbimit dhe pas kërkesës për ndihmë shtesë për përballimin e situatës, është dërguar një automjet zjarrfikës me grupin e ndërhyrjes, si dhe automjeti i tipit BOT për furnizimin me ujë të mjeteve zjarrfikëse.
    U ndërhy menjëherë për izolimin e vatrës së zjarrit dhe shuarjen e tij të plotë.
    Policia njofton se falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes në kohë të strukturave zjarrfikëse, nuk u shënuan dëme në banesa apo dëmtime të tjera materiale.

  • Capello: Për Vlahovic i besoj Allegrit, e ka parë çdo ditë për dy vite e gjysmë

    Capello: Për Vlahovic i besoj Allegrit, e ka parë çdo ditë për dy vite e gjysmë

    4 Gusht 2025

    8:00

    Alfred Lleshi

    Fabio Capello, ish-trajneri i Milanit, ka komentuar në faqet e “Gazzetta dello Sport” mbi mundësinë që Dusan Vlahovic të transferohet te kuqezinjtë. Kjo është analiza e tij: “A është Vlahovic-Milan një ‘martesë’ që duhet të ndodhë?
    Nuk dua të hyj në çështjet ekonomike, sepse ato janë komplekse dhe nuk i njohim të gjitha detajet. Le të përqendrohemi më mirë tek aspektet teknike dhe taktike, duke nisur nga një detaj që në fakt nuk është aspak i vogël: Milanin sot e drejton Massimiliano Allegri, dikush që e njeh shumë mirë sulmuesin e Juventusit.
    Çfarë do të thotë kjo? E thjeshtë: nëse Max mendon se Vlahovic përshtatet mirë me skuadrën e tij aktuale, ka me siguri arsyet e tij. E ka parë çdo ditë në stërvitje për dy vjet e gjysmë, e di cilat janë cilësitë dhe mangësitë e tij, si futbollist dhe si njeri. Sepse ne shohim vetëm ndeshjen të dielën, por një trajner ‘e jeton’ lojtarin gjatë gjithë javës, duke vënë re edhe potencialin që nuk është shfaqur ende”.
     

  • Rakitic, foto me Modric dhe mesazh për tifozët e Milanit: Nuk e dinë sa me fat janë…

    Rakitic, foto me Modric dhe mesazh për tifozët e Milanit: Nuk e dinë sa me fat janë…

    4 Gusht 2025

    8:06

    Alfred Lleshi

    Luka Modric është lojtari më i ri (jo në moshë, të kuptohemi) i Milanit. Mesfushori kroat ka realizuar ëndrrën e tij të fëmijërisë për të veshur fanellën kuqezi dhe tifozët e Milanit do të kenë mundësinë të shohin edhe një tjetër fitues të “Topit të Artë” të luajë në “San Siro”.
    Ivan Rakitic, ish-futbollisti kroat dhe aktualisht drejtor teknik i Hajdukut të Splitit, ka postuar një foto në Instagram, pikërisht për tifozët kuqezinj: “Nuk e dinë sa me fat janë, vëlla!!! Fat të mbarë, gjithmonë në krahun tënd!!! Faleminderit vëlla për vizitën!” – ka shkruar ai pranë një fotografie ku shfaqet krah Modric.

  • Mahrez kundërshton Ronaldon: Arabia Saudite? Ende nuk është mes 5 kampionateve më të mëdhenj

    Mahrez kundërshton Ronaldon: Arabia Saudite? Ende nuk është mes 5 kampionateve më të mëdhenj

    Futbolli saudit vazhdon të rritet dhe të tërheqë talente nga e gjithë bota. Nga një kampionat për fundin e karrierës, po kthehet në një tokë të premtuar edhe për yjet e rinj. Emrat si Joao Felix, Retegui, apo interesimet për Antony dhe Vinícius Jr. e konfirmojnë këtë prirje gjithnjë në rritje.
    Në fakt, ishte mbërritja e Cristiano Ronaldos atje, në fillim të vitit 2023, ajo që ndryshoi vërtet perceptimin global për këtë kampionat. CR7, që së fundmi ka rinovuar deri në vitin 2027 me Al Nassr, kishte deklaruar: “Nëse vazhdojmë kështu, ‘Saudi Pro League’ do të jetë ndër pesë ligat më të mira në botë”.
    Një mendim jo plotësisht i ndarë nga Riyad Mahrez, ish-lojtari i Manchester City, sot pjesë e Al Ahli: “Pesë ligat e mëdha europiane janë ende larg, por nuk jemi shumë prapa. Nuk duam të jemi më të mirët menjëherë, objektivi është afatgjatë. Jemi ‘pionierë’, po vendosim themelet. Në dy sezone kam parë përparime këtu; te klubet, trajnerët, taktikat. Vullneti ekziston dhe besoj se rezultatet do të vijnë”.
    Algjeriani më pas lavdëroi Cristiano Ronaldon: “Në moshën 40-vjeçare është ende mbresëlënës. Është i fortë, lëviz mirë, e meriton respektin që merr. Të jesh si ai nuk është e lehtë”. Më pas rrëfeu një ëndërr: “Të luaja me Messin do të ishte e jashtëzakonshme. Ai si numër 10, unë në të djathtë…, një ëndërr fëmijërie”.
     

  • Ngriti 144 kilogramë me një gisht të vetëm, kinezi me fuqi të jashtëzakonshme vendos rekord “Guiness”

    Ngriti 144 kilogramë me një gisht të vetëm, kinezi me fuqi të jashtëzakonshme vendos rekord “Guiness”

    Liu Weiqiang theu një rekord botëror vetëm me… një gisht. Eksperti i fitnesit nga Kina arriti të ngrejë plot 144 kilogramë me vetëm gishtin e mesit, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur nga Egmond Molina, i cili në mars të vitit 2024 kishte ngritur 138.5 kilogramë me një gisht të vetëm.
    Për të pasur një ide më të qartë se sa peshojnë 144 kg, mjafton të mendoni për peshën e një lavatriçeje dhe tharëseje së bashku, një vaske të mbushur me ujë, një motoçikletë të vogël, ose edhe dy fuçi të mbushura me birrë. Padyshim mbresëlënëse.
    Si ia doli? Në thelb, ai lidhi një karabinë me një shufër të ngarkuar me gjashtë disqe, katër nga 25 kg dhe dy nga 20 kg, më pas rrotulloi vetëm gishtin e mesit të dorës së majtë rreth karabinës. Pasi mori pozicionin sikur do të bënte një ngritje klasike nga toka, ai tërhoqi peshën nga dyshemeja, duke luftuar me mosbalancimin e ngarkesës, deri sa arriti në një qëndrim të drejtë dhe më pas e uli me kontroll.
    Sipas “Guinness World Records”, ngritja zgjati pothuajse 10 sekonda. Kjo nuk është hera e parë që Liu Weiqiang thyen rekorde ekstreme. Dy vite më parë, ai kishte koleksionuar tetë tituj “Guinness”, përfshirë ngritjen më të rëndë me tërheqje (109.2 kg), dips më të rëndë (154.2 kg), dhe “muscle-up” në unaza me ngarkesë shtesë prej 44.2 kg.
    Liu Weiqiang është 29 vjeç dhe vjen nga Zhangjiakou, në provincën Hebei. Ai e nisi rrugëtimin në fitnes që në shkollën e mesme për të përmirësuar formën e tij fizike. Prej disa kohësh ndan video nga stërvitjet e tij në rrjetet sociale, duke dhënë edhe këshilla për të gjithë ata që duan të transformojnë trupin e tyre me djersë dhe këmbëngulje.

  • Dita e sotme me kthjellime, vranësira dhe reshje shiu

    Dita e sotme me kthjellime, vranësira dhe reshje shiu

    Ditën e sotme (4 gusht) vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme.

    Moti parashikohet fillimisht me kthjellime dhe gradualisht shtim vranësirash mesatare deri të dendura (në male), të cilat do të pasohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

    Në intervale të shkurtra kohore në mënyrë të izoluar, kryesisht në veri nuk do të mungojnë shtrëngata me shkarkesa elektrike e breshër.

    Sipas SHMU, era do të fryjë e lehtë me drejtim kryesor veriperëndim-veri me shpejtësi mesatare 7 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë shpejtësi 7-14m/s

    Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-3 ballë.