Day: August 3, 2025

  • Arka e RTSH ka mbetur bosh/ Eni Vasili shkresë ministrisë: Miliona euro abuzime, do kërkoj audit se ku shkuan

    Arka e RTSH ka mbetur bosh/ Eni Vasili shkresë ministrisë: Miliona euro abuzime, do kërkoj audit se ku shkuan

    Radiotelevizioni Shqiptar ndodhet zyrtarisht në një krizë të thellë financiare, një realitet i pranuar nga vetë drejtoresha e re, Eni Vasili, vetëm pak muaj pas marrjes së detyrës.
    Në një komunikim të brendshëm me strukturat financiare të institucionit, Vasili ka ngritur alarmin për gjendjen kritike, e cila rrezikon seriozisht aftësinë e RTSH për të përmbushur detyrimet ndaj punonjësve dhe kontraktorëve të jashtëm.
    Situata që ajo ka gjetur pas një periudhe të gjatë lëvizjesh dhe trazirash në krye të institucionit – përfshirë shkarkimin e Alfred Pezës, rënien e Këshillit Drejtues dhe emërimin e një drejtuese të përkohshme – dëshmon për menaxhim të pakontrolluar dhe keqadministrim të thellë, që ka boshatisur arkën e transmetuesit publik.
    Sipas dokumenteve që i janë dërguar Ministrisë së Financave, vetëm nga proceset gjyqësore të hapura nga punonjës të larguar në mënyrë të paligjshme, RTSH ka humbur deri më 31 maj mbi 730 mijë euro në pagesa detyruese. Nëse llogariten edhe proceset gjyqësore në vazhdim, rreziku financiar i projeksionuar është mbi 4 milionë euro.
    Një tjetër humbje masive vjen nga kontratat për të drejtat televizive, të cilat sipas auditimeve të brendshme kanë shkaktuar një tjetër gropë prej rreth 4 milionë euro, gjysma e të cilave janë shpenzime të pa planifikuara, jashtë buxhetit vjetor.
    Në total, dëmi i përllogaritur që ka lënë pas menaxhimi i mëparshëm është mbi 8 milionë euro, ose rreth 1/3 e buxhetit vjetor të RTSH, që financohet me rreth 25 milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i shtetit.
    Përballë këtij realiteti, Eni Vasili ka paralajmëruar se nuk do të kërkojë financime shtesë për vitin 2025 pa kryer më parë një auditim të plotë të strukturës dhe projekteve të institucionit. Sipas saj, kjo është e vetmja rrugë për të kuptuar se ku kanë përfunduar fondet publike dhe për të ringritur besimin e publikut ndaj televizionit shtetëror.
    Vasili nënvizon gjithashtu se një pjesë e madhe e krizës vjen edhe nga niveli i ulët i të ardhurave të realizuara, krahasuar me ato të planifikuara, çka tregon jo vetëm për dobësi në menaxhim, por edhe për një mungesë serioze transparence dhe përgjegjësie ndër vite.
    gijotina.com/

  • “Çekiçi” që theu xhamat e bashkisë: Rama më sulmoi lagjen, nuk pendohem!

    “Çekiçi” që theu xhamat e bashkisë: Rama më sulmoi lagjen, nuk pendohem!

    “Çekiçi 14”, Konstadin Dramolli është i riu që para dy ditësh në shenjë proteste kundër vendimit të kryeministrit Rama për lirimin e hapësirave publike vendosi të thyejë xhamat e bashkisë së Korçës.
    Duket se nervozizmi i të riut ka ardhur për shkak sepse krahas lokaleve, punonjësit e bashkisë kanë shkulur edhe disa lule dekorative në lagjen e tij ditë më parë, duke i shkulur ato.
    “E ka marrë vesh gjithë Shqipëria incidentin, e bëra dhe viral se populli nuk duhet të jetë shumë i fjetur, duhet të çohet e të tregojë se kush është karakteri i vërtet që ka njeriu. Kjo është arsyeja përse e kam bërë. Këtu në vendin ku ndodhem unë është e rrënuar, janë lokalet, të shkatërruara. E dha urdhrin Edi Rama, mori Sotiraqin në telefon dhe e shkatërruan lagjen time. Çfarë lidhje ka kjo, të heqim karriget, heqim barishtet. Edhe tavolinat, është gabim. Nga ato 4 tavolina njerëzit ushqehen. Ka shumë familjarë që nga katër tavolina nxjerrin bukën e gojës. Ka sulmuar disa lokale në Korçë, nuk janë sjellje prej kryeministri. Duhet të shohë popullin, që ka nevojë. Duhet të ngrejë rrogat. Unë merrem me rep por e mbaj e postin e kryeministrit një ditë”, thotë i riu për mediat.
    I pyetur nëse është penduar për veprimet e tij, Dramolli tha: “Nuk pendohem unë, ishte vendim i drejtë. Nuk duhet të flesh gjumë. Ndihem mirë. Edhe burg e bëj. Kam qenë i dënuar. Jam rritur në geto. Shoqëria ime është gango”.
    Në vijim ai ka një mesazh për qytetarët, duke u kërkuar të ngrenë zërin përkundrejt veprimeve të qeverisë dhe kryeministrit, që Dramolli i cilëson si padrejtësi.
    “Duhet të ulesh kokën, të kesh kulturë. Por po e ule shumë, nuk ka rëndësi sa i madh është Rama, populli duhet te ngrejë zërin. Nëse ai vazhdon, do bëhet me e madhe. Kam edhe çunat unë, gjithë qytetin e kam me vete. Do e marrin vesh si duhet, edhe bashkia edhe zotit Edi Rama do t’i shkojë llafi. Edhe të mos bëjë më nga këto gabime, por ta shohë situatën siç duhet”, shprehet Dramolli.

  • Vandalizohet një kishë në Sarandë

    Vandalizohet një kishë në Sarandë

    Drejtues të Kishës Ortodokse në Sarandë kanë denoncuar një akt shqetësues vandalizmi, i cili ka ndodhur pranë një stacioni autobusi në zonën e Kanalit të Çukës. Objekt i këtij sulmi ka qenë një kishë e vogël, e ngritur si vend lutjeje dhe qetësimi për besimtarët, por që fatkeqësisht është dhunuar në mënyrë të paprecedentë.
    Persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamin e dritares së kishës dhe më pas kanë përdorur një kallam për të dëmtuar ikonat e shenjta që ndodheshin brenda saj. Veprimet e kryera përbëjnë një fyerje të rëndë ndaj simboleve të besimit dhe janë dënuar ashpër nga përfaqësues të komunitetit ortodoks lokal.
    Policia është njoftuar për ngjarjen dhe pritet të ndërmarrë hetimet për identifikimin e përgjegjësve dhe sqarimin e rrethanave të këtij incidenti. Dyshohet që ky akt mund të jetë kryer nga pushues në gjendje të dehur, por ende nuk ka asnjë të dhënë të verifikuar në lidhje me autorët. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në komunitet, veçanërisht në këtë periudhë vere, ku Saranda mirëpret një numër të madh turistësh dhe vizitorësh.
    Kisha e vogël pranë stacionit të autobusit në Kanalin e Çukës është ndërtuar me kontribute vullnetare dhe prej vitesh ka shërbyer si një hapësirë shpirtërore për kalimtarët dhe banorët e zonës.

  • Rrezikonin pushuesit, 20 mjete të bllokuara nga Velipoja në Ksamil (VIDEO)

    Rrezikonin pushuesit, 20 mjete të bllokuara nga Velipoja në Ksamil (VIDEO)

    Nga Velipoja në Ksamil, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare po vijojnë monitorimet në të gjithë hapësirën detare, liqenore dhe lumore për sigurinë detare.
    Gjatë javës janë kontrolluar 316 mjete lundruese, nga të cilat 20 janë bllokuar për shkelje të ndryshme, mes tyre 8 mjete që rrezikonin pushuesit duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë. Drejtuesit janë ndëshkuar me gjoba prej 100.000 lekësh secili.
    Gjithashtu, falë ndërhyrjeve të shpejta në 8 raste emergjente, janë shpëtuar në det 11 shtetas, vendas dhe të huaj, që kishin mbetur në rrezik për shkak të dallgëve apo defekteve teknike.
    Policia apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit detar dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112.
    Njoftimi i Policisë:
    Vijon operacioni “SIGURIA DETARE”
    Monitorime intensive nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare.
    Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera nga Komani në Ksamil, janë bllokuar 20 mjete lundruese, 8 prej tyre për shkelje të perimetrit të sigurisë.
    Gjithashtu, janë shpëtuar në det 11 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.
    Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, po vijon kontrollet dhe monitorimet intensive në gjithë hapësirën detare, nga Velipoja në Ksamil, si dhe në zonat liqenore e lumore, për të evidentuar shkeljet që lidhen me:
    përdorimin e mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës,
    shkeljen e perimetrit të sigurisë,
    zhvillimin e aktiviteteve jashtë zonave të lejuara.
    Gjatë javës janë kontrolluar 316 mjete lundruese, nga të cilat 20 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.
    Konkretisht 12 jet ski, 4 skafe, 2 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.
    8 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.
    Ndërkohë, nga Ksamil në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 8 raste emergjente, për t’u ardhur në ndihmë 11 shtetasve, që kishin mbetur në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.
    Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese:
    Mos shkelni perimetrin e sigurisë;
    Lundroni vetëm në zonat e lejuara;
    Pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.
    Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

  • NASA dhe SpaceX dërgojnë 4 astronautë në hapësirë

    NASA dhe SpaceX dërgojnë 4 astronautë në hapësirë

    Një mision i përbashkët ndërkombëtar Hapësinor nga NASA dhe Kompania Space X e Elon Musk dërgoi këtë të shtunë të 2 gushtit 4 astronautë në Stacionin ndërkombëtar të Hapësirës për vetëm 15 orë pas nisjes nga Florida, duke shënuar kështu një nga fluturimet më të shpejta amerikane në Historinë e udhëtimeve hapësinore.

    Raketa Falcon 9 u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy më 1 gusht, duke transportuar katër astronautë në kapsulën “Crew Dragon Endeavour”, pjesë e misionit të quajtur Crew-11.

    Ekuipazhi i këtij misioni përbëhej nga dy astronautë të NASA-s, Zena Cardman dhe Mike Fincke, astronauti japonez Kimiya Yui nga agjencia JAXA dhe kozmonauti rus Oleg Platonov nga Roscosmos. Ata u ankoruan në stacionin hapësinor në orët e para të mëngjesit të së shtunës , duke u bashkuar me shtatë anëtarët e tjerë të ekuipazhit që ndodhen aktualisht në bord, dhe duke rritur përkohësisht numrin e astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës  në 11 astronautë.

    Fluturimi i suksesshëm prej vetëm 15 orësh shënon një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar në hapësirë, veçanërisht në një periudhë të tensionuar globale. Megjithatë, ky nuk është rekordi më i shpejtë ndonjëherë Rusia e mban ende rekordin botëror për një fluturim prej vetëm 3 orësh drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës me kapsulën Soyuz.

    Kjo ishte hera e pestë që kapsula Crew Dragon Endeavour u përdor në një mision të tillë. Astronautët do të qëndrojnë rreth gjashtë muaj në stacion, ku do të zëvendësojnë një pjesë të ekuipazhit të mëparshëm dhe do të punojnë në eksperimente shkencore dhe mirëmbajtje të stacionit.

    Misioni Crew-11 jo vetëm që tregon efikasitetin dhe përparimin teknologjik të SpaceX, por gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në eksplorimin hapësinor. Ndërsa astronautët e rinj nisin punën në bord të ISS, komuniteti shkencor ndërkombëtar pret me interes zbulimet dhe rezultatet që ky ekip do të sjellë në muajt në vijim./KultPlus.

  • ’N’ty mendoj kur agon drita, bylbyli mallshëm kndon‘

    ’N’ty mendoj kur agon drita, bylbyli mallshëm kndon‘

    Poezi nga Gjergj Fishta

    Atdheut

    N’ty mendoj kur agon drita,Kur bylbyli mallshëm kndonN’ty mendoj kur soset ditaTerri botën kur e mblon.

    Veç se ty të shoh un n’andërr,Veç se ty çuet t’kam n’mendimNdër t’vështira ti m’je qandërr,Për ty leht m’vjen çdo ndëshkim.

    Tjera brigje, fusha, zalle,Unë kam pa larg tue ba shtek,E përgjova tjera valleN’tjera lule syu m’u rrek.

    Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,Por nji mal ma bukur s’rri.Ma i kulluem nji lum s’dikohet,Moj Shqypni porsi i ke ti.

    N’ty ma i bukur lulzon prilli,Jan ma t’kandshme stin e mot,N’ty bylbyli pa le DielliKndon ma ambël t’Madhit Zot.

    Pa ty lules s’mi vje era,Pa ty pema frut nuk m’bjen:Mue pa ty s’më del prandvera.Pa ty Dielli nuk m’shkëlxen.

    Dersa t’mundem me ligjrue,E sa gjall me frymë un jamKurr Shqypni s’kam me t’harrueEdhe n’vorr me t’përmend kam./KultPlus.com

  • “The National”: Tirana, perla e Ballkanit

    “The National”: Tirana, perla e Ballkanit

    Me fluturime direkte nga Abu Dhabi që do të vazhdojnë deri në fund të gushtit, tani është koha ideale për të zbuluar qytetet interesante të Ballkanit me kosto të përballueshme, shkruan Phil Johnson në një artikull të botuar në të përditshmen “The National” – në pronësi të shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, që botohet në Abu Dhabi.
    Kryeqyteti dinamik i Shqipërisë ofron një ndërthurje magjepsëse të ndikimeve osmane, të epokës komuniste dhe bashkëkohore, perla e Ballkanit e rrethuar nga vargmali Skënderbej është një destinacion interesant.
    Qendra e qytetit është vetëm gjysmë ore larg aeroportit me autobus dhe mjaft kompakte për të lëvizur tërësisht në këmbë.
    Por, në muajin gusht mund të jetë vapë, rreth 8°C më freskët se në Abu Dhabi në verë, kështu që të ecësh përreth për të parë pamjet është e realizueshme.
    Dhe ka shumë atraksione interesante për vizitorët kuriozë për 48 orë, veçanërisht ata me një buxhet të kufizuar.
    1-Sheshi Skënderbej: Zemra e qytetit
    Shumica e librave udhëzues rekomandojnë fillimin e një aventure në Tiranë në Sheshin Skënderbej, sheshin qendror që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbej.
    Komandanti ushtarak vdiq në vitin 1468 dhe kujtohet për udhëheqjen e një rebelimi kundër Perandorisë Osmane.
    Ky shesh, është i rrethuar nga monumente si Muzeu Historik Kombëtar dhe Teatri i Operas.
    Statuja e vetë Skënderbeut mbi kalë është një pikë qendrore e sheshit, sfondi i saj i fasadave në ndryshim pasqyron një qytet që ka një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë.
    2-Xhamia e Et’hem Beut: Një dëshmi e qëndrueshmërisë
    Ngjitur me Sheshin Skënderbej ndodhet Xhamia e mrekullueshme e Et’hem Beut, një dëshmi e qëndrueshmërisë fetare.
    E ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX – afresket e saj të ndërlikuara dhe arti delikat janë një pamje e rrallë në arkitekturën islame, duke përshkruar peizazhe natyrore dhe jetën e qetë.
    Xhamia i mbijetoi mrekullisht politikave ateiste të regjimit totalitar, duke shërbyer si një simbol i fuqishëm i shpirtit elastik të Shqipërisë dhe ringjalljes së lirisë fetare.
    Hyrja është falas dhe një vështrim përreth nuk zgjat më shumë se gjysmë ore.
    3-Bunk’Art 1: Zbulimi i një të kaluare të fshehur
    Duhen vetëm disa minuta për të ecur nga xhamia në një nga atraksionet turistike më interesante të qytetit.
    Bunk’Art 1, një rrjet bunkerësh nëntokësorë të ndërtuar fillimisht për elitën politike – në rast të një sulmi bërthamor, është transformuar në një muze dhe hapësirë arti bashkëkohor magjepsës.
    Vizitorët mund të zhyten në historinë komuniste të Shqipërisë dhe të eksplorojnë korridoret dhe dhomat e saj të ftohta.
    Ekspozitat detajojnë paranojën dhe shtypjen e regjimit të Hoxhës në vend, duke ofruar një pasqyrë të fuqishme të një epoke të kaluar.
    Hyrja është 500 lekë dhe rekomandohet të paktën një orë për ta shijuar të gjithën.
    4-Ngjitja e piramidës: Historia me një pamje
    Nevojiten 10 minuta për të ecur në atraksionin që ofron një pamje të horizontit të qytetit nga lart.
    Ngjitja e Piramidës së Tiranës – një aktivitet tjetër falas – ndihet si ngjitja në një relike betoni të historisë, anët e saj të pjerrëta, por krenare.
    Fillimisht, e ndërtuar në vitin 1988 si një muze për të nderuar diktatorin komunist Enver Hoxha, struktura dikur madhështore – tani simbolizon me guxim identitetin në ndryshim të Shqipërisë.
    Çdo hap në ngjitje zbulon më shumë nga sharmi kaotik i qytetit, i rrethuar nga grafiti. Në majë, hapet panorama, me qytetin e shtrirë poshtë dhe vargmalin e bukur në distancë.
    5-Turneu i stadiumit “Air Albania”: Një pikë referimi moderne sportive
    Stadiumi kombëtar i futbollit përfaqëson me krenari arkitekturën më moderne të qytetit.
    Për adhuruesit e sportit, një turne në stadiumin “Air Albania” ia vlen dhe është vetëm 10 minuta larg nga Piramida në këmbë.
    Stadiumi, i hapur në vitin 2019, ndodhet në ish-stadiumin Qemal Stafa.
    I ndërtuar si një vend kompakt në stilin anglez me spektatorë të ulur afër fushës, ai ka një kapacitet prej 22,000 vendesh dhe biletat shiten për çdo ndeshje të ekipit kombëtar.
    6-Shëtitje në Parkun e Madh dhe liqen: Një oaz i gjelbër
    Parku i Madh i Tiranës dhe liqeni i tij artificial janë vetëm pesë minuta larg në këmbë, nëpërmjet Sheshit Nënë Tereza, nga stadiumi.
    Kjo hapësirë e gjerë dhe e qetë është një vend i preferuar për vendasit, duke ofruar shtigje për ecje dhe vrap, kafene dhe vende të qeta për t’u çlodhur dhe për t’i shpëtuar zhurmës urbane.
    Ecja në unazën prej 5,3 km rreth liqenit zgjat rreth 45 minuta. I formuar nga një digë në mesin e shekullit XX, liqeni ofron një pamje piktoreske.
    Pse duhet ta vizitoni tani
    Nga bunkerët e Luftës së Ftohtë, te shëtitjet buzë liqenit dhe pamjet e horizontit nga çatitë plot me grafite, Tirana ofron një gamë të gjerë atraksionesh për t’u vizituar.
    Një mbrëmje e kaluar në Bllok, zona elegante dhe e gjallë e kafeneve dhe restoranteve të qytetit, është mënyra perfekte për të përfunduar ditën tuaj.
    Udhëtimi drejt majës së malit të Dajtit me teleferik; vizita në tregun e Pazarit të Ri; dhe shëtitja nëpër Kalanë e Tiranës – një fortesë mesjetare – e cila tani është një rrugë për këmbësorë me një sërë restorantesh dhe dyqanesh artizanale – janë disa nga vendet kryesore që mund të zbuloni.
    Tirana është një perlë e Mesdheut – e lehtë për t’u eksploruar.
    Me linjën direkte të “Wizz Air” nga Abu Dhabi në kryeqytetin shqiptar – mund të shijoni pushime cilësore me një kosto të përballueshme./ATSH

  • “Vdekje për shqiptarët”, thirrje antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni-Rumani, në sallë i pranishëm edhe Kryeministri Mickoski

    “Vdekje për shqiptarët”, thirrje antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni-Rumani, në sallë i pranishëm edhe Kryeministri Mickoski

    Gjatë ndeshjes së basketbollit të luajtur të shtunën mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, një pjesë e tifozëve të pranishëm në sallë shpërthyen me kore antishqiptare.

    Në thirrjet e tifozëve dëgjohet të thuhet: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
    Ky ishte refreni i thirrjeve që u dëgjuan qartë nga një pjesë e tifozëve në tribunë, ndërsa autoritetet e pranishme nuk ndërmorën asnjë veprim për të ndaluar gjuhën e urrejtjes.

    Koret vazhduan pavarësisht pranisë në sallë të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të Punëve të Jashtme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë. Ky nuk ishte momenti i vetëm provokues gjatë ndeshjes.
    Përgjatë zhvillimit të saj, u dëgjuan edhe thirrje të tjera, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
    Pas përfundimit të ndeshjes, nuk pati asnjë reagim zyrtar, distancim publik apo kërkim falje nga organizatorët apo përfaqësuesit institucionalë për incidentin.
    Ndaj këtyre thirrjeve, ka reaguar ashpër Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
    “Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, shkroi Mexhiti në reagimin e tij publik.
    Ai shtoi se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që, sipas tij, e bëjnë Maqedoninë e Veriut një shtet unik.

  • Shtëpia e Bardhë akuzon Indinë për financimin e luftës së Rusisë

    Shtëpia e Bardhë akuzon Indinë për financimin e luftës së Rusisë

    Stephen Miller, Zëvendës Shefi i Shtabit për Politikë në Shtëpinë e Bardhë dhe një nga këshilltarët më të afërt të Presidentit Donald Trump, ka akuzuar publikisht Indinë se po ndihmon financiarisht Rusinë në luftën kundër Ukrainës përmes blerjes së naftës ruse.

    Në një intervistë për Fox News, Miller tha: “Presidenti Trump e tha qartë se është e papranueshme që India të vazhdojë të financojë këtë luftë duke blerë naftë nga Rusia.”
    Deklarata vjen në një kohë kur administrata Trump ka rritur ndjeshëm presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj vendeve që ruajnë lidhje tregtare me Moskën.

    Të premten, Shtëpia e Bardhë shpalli vendosjen e tarifave prej 25% ndaj produkteve indiane, në përgjigje të bashkëpunimit të vazhdueshëm të Nju Delhit me Kremlinin, përfshirë blerjet e pajisjeve ushtarake dhe energjisë.
    Presidenti Trump gjithashtu kërcënoi me tarifa deri në 100% ndaj të gjitha importeve nga vendet që vazhdojnë të blejnë naftë ruse, nëse Rusia nuk arrin një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
    Miller e zbuti kritikën e tij duke vënë në dukje marrëdhënien e Trump me kryeministrin indian Narendra Modi, të cilën e përshkroi si “të jashtëzakonshme”./vizionplus.tv

  • RTSH në krizë, drejtoresha Eni Vasili letër Financave për buxhet shtesë: Miliona euro abuzime, do të kërkoj auditim

    RTSH në krizë, drejtoresha Eni Vasili letër Financave për buxhet shtesë: Miliona euro abuzime, do të kërkoj auditim

    Drejtoresha e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, tregon që institucion që drejton prej pak muajsh është një krizë.

    Ajo i është drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, me një kërkesë për mbështetje financiare prej 200.000.000 lekësh shtesë nga Buxheti i Shtetit, ku thotë se RTSH është në një situatë të vështirë financiare. Për këtë, Vasili ka disa argumente, duke nisur me nivelin e ulët, sikurse e cilëson, të tarifës së aparatit televiziv.
    Po ashtu, sipas saj, nuk ka financim buxhetor në masën 100% për shpenzimet e programeve që financon Buxheti i Shtetit, ndërsa thotë se ka vlera shumë të larta për të drejtat televizive e sportive, të kontraktuara në vite e të mbetura të palikuiduara.
    Vasili pranon se ndryshimet në stafet drejtuese gjatë periudhës 2021-2024, kanë sjellë problematike në shpenzime gjyqësore si rezultat i largimit nga puna të punonjësve. Sipas shkresës së dorëzuar në Ministrinë e Financave, që nga muaji korrik i vitit të kaluar janë shpenzuar 326.823.152 lekë në çështje gjyqësore, gjyqet janë fituar nga ish-punonjës të aksidentuar në punë ose të larguar nga puna.
    Drejtoresha e RTSH-së kërkon buxhet shtesë, për ta përdorur për ‘prodhime filmike e artistike me rëndësi ndërkombëtare’, ‘Orkestrën Simfonike të RTSH-së dhe Kinematografinë’, ‘projekte teknike për futjen e teknologjive të reja’.
    Megjithatë, ajo paralajmëron se më parë do të kërkojë një auditim të plotë të strukturës dhe projekteve të RTSH-së, për të kuptuar se ku kanë përfunduar fondet publike.

    Top Channel