Day: August 3, 2025

  • Altin Prenga i përgjigjet Fevziut: Turizmi shqiptar është në një nga momentet më të mira

    Altin Prenga i përgjigjet Fevziut: Turizmi shqiptar është në një nga momentet më të mira

    Pas deklaratës së gazetarit Blendi Fevziu, i cili u shpreh se “turizmi në jug të Shqipërisë ka dështuar këtë vit”, ka ardhur një reagim ndryshe nga veriu, konkretisht nga Altin Prenga, themeluesi i agroturizmit të njohur Mrizi i Zanave.
    Përmes një postimi në rrjete sociale, Prenga thekson se turizmi shqiptar, përkundër perceptimeve pesimiste, po kalon një nga periudhat më të mira.
    “Sukses nuk do të thotë me mbush çdo shezlon apo çdo objekt prej betoni. Po na vijnë miq të mirë, ndoshta edhe më të mirë se ç’i meritojmë.”
    Ai nënvizon se cilësia dhe përkushtimi janë thelbi i një turizmi të qëndrueshëm, jo vetëm numrat apo grumbullimet masive. Sipas tij, struktura të mirëfillta turistike në të gjithë vendin, nga jugu në veri, janë të mbushura plot dhe po japin fryte.
    Prenga dha edhe një mesazh për ata që e shohin turizmin thjesht si një mundësi për fitim të shpejtë:
    “Ata që e shohin turizmin vetëm si mënyrë pasurimi, pa pasion e përkushtim, uroj të kenë më pak punë. Ndoshta konkurrenca do i detyrojë të bëhen më mikpritës, më të ndershëm në çmim dhe të kthehen te identiteti.”Ai bën të ditur se dhomat në Mrizi për gusht janë të prenotuara prej 5 muajsh, dhe megjithëse mund t’i kishin shitur dyfish më shtrenjtë, nuk e kanë bërë. Përkundrazi, ai thotë se po i orientojnë mysafirët te bujtinat përreth, që të përfitojë e gjithë zona.
    Ky reagim vjen si një kundërpeshë ndaj zërave që flasin për dështim të turizmit, duke vënë në pah një realitet tjetër: atë të mikpritjes së ndershme, zhvillimit lokal dhe ruajtjes së identitetit.

  • Tullat e Enverit

    Tullat e Enverit

    Nga Auron Tare
    Më erdhi edhe mua rradha të bëj një oxhak në shtëpinë e fshatit. Ustai më dha porosi që të gjej Tulla zjarrduruese nga të Enverit. Të kujt Enver? – e pyeta duke menduar se duhet të ishte emri i pronarit të fabrikës.
    Nga ato të Enverit. Të kohës së Enverit- mu përgjigj ustai.
    Pse -e pyeta – nuk ka më të mira sot pas 30 e kusur vjetesh?
    Jooo – mu pergjigj ai – ku ka më si ato.
    Nejse fillova të kërkoj dhe e pashë që nuk ishte e thjeshtë ti gjejë. Me pak mundim gjeta gjysmën e sasisë që më duhej nëpër depo të vjetra përfshirë edhe një ngrehinë gjysëm e rrënuar andej nga Këlcyra.
    Ndërkohë në të gjithë këtë “udhëtim” dëgjoja gjithmonë të njëjtën frazë -“Tullat e Enverit janë më të mirat. Nuk krahasohen me këto qe vine nga Greqia apo Italia”
    Shume kurioz per kete gjykim mbi cilesine e tullave te Enverit fillova te pyes disa miq te mij qe merren me restaurime. Me shpjeguan se Tullat ne kohen e Enverit pregatiteshin ne nje cilesi shume te larte.
    Kerkesa e rrepte llogarise kishte bere qe Tullat ende sot e kesaj dite te ruanin reputacionin si mall me cilesine me te mire.
    Unë do të doja shumë psh të thoja se Oxhaku im i ndërtuar në 2025 u bë me Tullat e Berishës apo akoma më mirë me Tullat e Edi Ramës. Por ja që nuk e kam atë fat. Ustai i cili ka punuar 25 vjet ne ishujt e Greqisë kërkon me pa tjetër “Tullat e Enverit”
    Nderkohe pyetjes sime naive se perse nuk bejne me sot tulla te tilla duke pasur nje teknologji moderne me thatë- Kudo bëjnë hile ne cilesi prandaj tullat e sotme nuk kane shume jetegjatesi. Nderkohe sasia me e madhe e tullave vjen nga Greqia apo Italia pasi fabrikat tona jane mbyllur.
    Dmth keto 35 vjet ne vazhdojme te “hame” ende tullat e Enverit? Ne se ke fat ti gjesh po -me thotë pasi cilesisht jane me te mirat e tregut.

  • Bandat marrin peng mbi 50 persona në veriperëndim të Nigerisë! OKB: Trendi i fundit i rrëmbimeve masive është shqetësues

    Bandat marrin peng mbi 50 persona në veriperëndim të Nigerisë! OKB: Trendi i fundit i rrëmbimeve masive është shqetësues

    Më shumë se 50 persona janë rrëmbyer nga persona të armatosur në një rrëmbim masiv në veriperëndim të Nigerisë, sipas një raporti të OKB-së, që citon Agence France-Presse.

    Sipas raportit, “banditë të armatosur” sulmuan fshatin Sabon Garin Damri, në Zamfara, ku banorët e zonave rurale kanë vuajtur prej kohësh nga bandat që rrëmbejnë për shpërblim, plaçkitin fshatra dhe vendosin taksa.
    Kjo është ngjarja e parë e “rrëmbimit masiv” në zonën administrative Bakura për këtë vit, thuhet në raport. “Trendi i fundit i rrëmbimeve masive në Zamfara është shqetësues”, shkruhet aty, duke vënë në dukje një “ndryshim në strategjinë e bandave drejt sulmeve më të mëdha në veri të Zamfarës”.
    Zëdhënësi i policisë në Zamfara nuk ka dhënë ende një koment. Kriza e “banditizmit” në Nigeri ka origjinën në konfliktet për tokë dhe ujë midis blegtorëve dhe fermerëve, por është kthyer në krim të organizuar, ku bandat shfrytëzojnë komunitetet rurale, të cilat prej kohësh kanë qenë të braktisura nga shteti.
    Kjo dhunë po përkeqëson edhe krizën e kequshqyerjes në veriperëndim, pasi sulmet detyrojnë njerëzit të braktisin tokat bujqësore, në një situatë të ndërlikuar më tej nga ndryshimet klimatike dhe shkurtimet e ndihmës ndërkombëtare.
    Muajin e kaluar, banditët në Zamfara vranë 33 persona të cilët i kishin rrëmbyer në shkurt, pavarësisht se kishin marrë një shpërblim prej 33.700 dollarësh. Po ashtu, tre foshnja humbën jetën në robëri, thanë banorët lokalë.
    Që nga viti 2011, me rritjen e trafikut të armëve dhe trazirat në rajonin më të gjerë të Sahelit, banda të armatosura të organizuara janë formuar në veriperëndim të Nigerisë, ku vjedhja e bagëtive dhe rrëmbimet janë kthyer në burime të mëdha fitimi në zonat e varfra rurale.
    Këto grupe gjithashtu vendosin taksa ndaj fermerëve dhe minatorëve artizanalë. Dhuna është përhapur në vitet e fundit nga veriperëndimi edhe në veriun qendror të vendit.

    Top Channel

  • Ka rënë në det nga trageti, forcat shqiptare në operacion kërkimi prej 2 ditësh për pasagjerin e linjës Korfuz-Itali

    Ka rënë në det nga trageti, forcat shqiptare në operacion kërkimi prej 2 ditësh për pasagjerin e linjës Korfuz-Itali

    Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në bashkëpunim tme Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane, ka zhvilluar gjatë gjithë ditës së sotme një operacion të gjerë kërkimi për një pasagjer të raportuar si i zhdukur prej 2 ditësh nga trageti ndërkombëtar “AKKA”, me të cilin po udhëtonte nga Korfuzi drejt Italisë.
    Raportohet se është kërkuar me intensitet në Kepin e Stillos, Ksamil, Karaburun e Grykderdhjen e Semanit, dhe se në operacion janë angazhuar 22 efektivë dhe 8 mjete ajrore e detare.
    Forcat dhe mjetet e angazhuara:
    1 Dron TB2 i Forcave Ajrore
    1 Helikopter UH-60 i FA (me 3 efektivë)
    1 anije patrulluese P05 e Forcës Detare (me 4 efektivë)
    1 motor uji (me 2 efektivë)
    4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare (BP-01, BP-06, BP-09, BP-30) me gjithsej 13 efektivë.

    “Operacioni është zhvilluar në koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur çdo protokoll të kërkim-shpëtimit në det.

  • Krijuesi i Peaky Blinders do të shkruajë skenarin për filmin e ardhshëm të James Bond

    Krijuesi i Peaky Blinders do të shkruajë skenarin për filmin e ardhshëm të James Bond

    Krijuesi i Peaky Blinders, Steven Knight, do të shkruajë skenarin për filmin e ardhshëm të James Bond, i cili do të drejtohet nga regjisori i njohur Denis Villeneuve. Ky projekt do të zhvillohet nga studioja Amazon MGM, ndërsa prodhimi i tij do të udhëhiqet nga Amy Pascal dhe David Heyman, me Tanya Lapointe si producente ekzekutive.
    Knight është një autor dhe skenarist i njohur për krijimin e serialeve si Peaky Blinders, See, A Thousand Blows dhe All the Light We Cannot See. Ai gjithashtu ka shkruar skenarët për filma të nominuar për Oscar, si Eastern Promises dhe Spencer. Pjesë e filmave të tij si regjisor janë Hummingbird, Locke dhe Serenity.
    Filmi i 26-të për James Bond pritet të publikohet në vitin 2028 dhe studioja është në procesin e përzgjedhjes së aktorit që do të pasojë Daniel Craig në rolin e agjentit 007.

  • Shqiptari nuk harron rrënjët, prej 8 vitesh bën pushime në jug me gruan izraelite dhe 4 fëmijët: Në pëlqen shumë Ksamili, Borshi dhe Dhërmiu (VIDEO)

    Shqiptari nuk harron rrënjët, prej 8 vitesh bën pushime në jug me gruan izraelite dhe 4 fëmijët: Në pëlqen shumë Ksamili, Borshi dhe Dhërmiu (VIDEO)

    Albi Jace nga Tirana ishte 6 vjeç kur bashkë me familjen emigruan drejtë Austrisë. 41-vjeçari jeton dhe punon në Vjenë, por prej tetë vitesh verën e kalon në Shqipëri.
    Bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët këtë vit zgjodhën të pushojnë në Ksamil.
    “Ne kemi 8 vite që vijmë rregullisht në Shqipëri për të bërë pushimet, kemi shumë vende të preferuara që i vizitojmë edhe bëjmë pushime, Borshi na pëlqen shumë, Dhërmiu mua personalisht më pëlqen shumë. Edhe Saranda dhe Ksamili na pëlqen shumë, dhe e zhvillojnë pushimet 5 ditë në secilin vend, në fund lëmë Sarandën dhe Ksamilin, pastaj shkojmë edhe 1 ditë në Tiranë, dhe pastaj kthehemi në shtëpi dhe jemi shumë të mërzitur kur duhet të kthehemi sepse i shijojmë shumë pushimet në Shqipëri. “
    Për Melaninë, bashkëshorten e tij me origjinë nga Izraeli, por e lindur në Austri Shqipëria ishte dashuri me shikim të parë. Ushqimi, njerëzit e natyra e kanë bërë për vete.
    “Hera ime e parë në Shqipëri ishte në vitin 2014, unë zgjedh të vij këtu vit pas viti, sepse e dini, me duket shumë i ngjashëm me Izraelin, ndërtesat janë njëlloj, ndjesia është njëlloj, njerëzit janë të dashur, ushqimi është shumë i mirë. Nuk është shumë larg nga shtëpia jone, nga Vjena, vetëm 1 orë larg, dhe me pëlqen shumë. Më pëlqen me së shumti deti është i pastër, më pëlqen atmosfera dhe njerëzit miqësor, nuk është shumë shtrenjte këtu, ne i përballojmë pushimet me një familje prej 6 personash që jemi. Mua me pëlqen Borshi më shumë se nuk ka shumë zhurmë, natyra është e mrekullueshme, është tamam një vend për t’u relaksuar. Në Ksamil jemi për herë të parë, na pëlqen te notojmë këtu dhe mbrëmjet janë shumë fantastike”
    Çifti i bankierëve dashurinë për Shqipërinë iu ka trashëguar dhe katër fëmijëve të lindur në Austri.
    “Këtë bluzë duan të veshin prej 3 ditësh, u pëlqen shumë, e kane zemrën shumë për Shqipërinë, ndjehen edhe këta shumë të kënaqur këtu. Unë vij edhe 2 ose 3 me Melanin, kalojmë kohë cilësore bashkë. Fëmijët rrinë te prindërit tanë dhe ne kalojmë një fundjavë të gjatë këtu.”
    Pa përfunduar pushimet e këtij viti çifti nisur planifikimet për sezonin e ardhshëm.
    “Ne do të bëjmë sërish të njëjtin itinerar vitin që vjen, Durrës, Borsh dhe prapë në Durrës. Tani ndihem dhe jam një grua Shqiptare, me pëlqen kultura, njerëzit dhe po ndihem më shumë si në shtëpi këtu sesa në Vjenë, këtu ndihem vetja, e freskët dhe e relaksuar”
    Edhe pse 35 vite emigracion Albi kthehet herë pas herë në Shqipëri që edhe fëmijët e tij të lindur jashtë të mos harrojnë rrënjët shqiptare./ ABC

  • Presioni s’u piu ujë: Krenari dhe Endi nuk fshinë dot pamjet bashkë në Ibiza

    Presioni s’u piu ujë: Krenari dhe Endi nuk fshinë dot pamjet bashkë në Ibiza

    Në një vend ku disa e kanë mësuar se gjithçka blihet, që nga kurorat e bukurisë e deri te heshtja e mediave, pamjet që publikuam së fundmi shkaktuan panik.
    Krenar Cocaj dhe Endi Demneri, në një resort në Ibiza, në afërsi që nuk kërkon koment. Fotografi të qarta, prani e padiskutueshme. Nuk ishin thashetheme. Ishte realiteti i pakuruar, i kapur pa filtër dhe i publikuar siç është.
    Filluan edhe lëvizjet: telefonata të ngarkuara me kërkesa, me tone arrogante e kërcënime banale. Por, gazetaria shqiptare nuk është njësoj si disa konkurse që paguhen poshtë tavolinës!
    Në këtë vend ku pseudo-vipat dhe miss-et ngjiten jo falë punës, por përmes rrugëve që nuk kanë nevojë për talent, një foto çift në plazh prish gjithë strategjinë, edhe pazaret. Sepse e nxjerr zbuluar. Sepse s’është më thashethem. Është fakt.
    Për ata që nuk e dinë, Endi Demneri është shpallur Miss Universe Albania në 2023. Por në vend që të njihet për përfaqësim, mbrojtje kauzash apo përmbajtje, është përfolur më shumë për lidhje me biznesmenë të njohur, disa prej tyre edhe të martuar. Për mënyrën se si është futur në qarqet e “të pasurve” dhe për raportet e errëta që mbajnë në këmbë një imazh të stisur si “sukses”.
    Dhe le ta themi pa dorashka: lidhja e tyre s’është as e habitshme, as e turpshme! Është thjesht standardi që kemi parë qindra herë: burra me lekë që shfaqen në krah të vajzave që mbajnë tituj të fituar me mënyra që askush nuk i thotë me zë, por që të gjithë i dinë. Dhe pastaj të njëjtit njerëz vijnë dhe kërkojnë: “Mos na përmendni, na ruani privatësinë”.
    Për çudi (ose jo), lajmi ynë u zhduk menjëherë nga disa media që zakonisht e ndjekin çdo çarje thoi të personazheve publikë. Qëndruan të heshtur, madje disa e publikuan dhe e zhdukën më shpejt se një story që nuk performon mirë.
    Pse? Sepse telefonatat kërcënuese me vrasje, therje e prerje që vijnë nga “miss-et” dhe gangot e tyre si Krenari, “aksioneri” i kompanisë problematike “Blue Taxi” ku klientet ngacmoheshin seksualisht nga shoferët, nuk janë gjithmonë pa pagesë. Sepse ka ende nga ata që mendojnë se lajmet fshihen me një presion ose një faturë të lënë poshtë tavolinës.
    Përpjekja për ta fshirë, për të ndikuar redaksi, për të trembur me kërcënime apo për të joshur me pagesa, është jo vetëm qesharake, por edhe fyese për inteligjencën e publikut dhe integritetin tonë si media.
    Nuk funksionon!
    Nëse një lidhje është aq reale sa të shfaqet nën diellin e Ibizës, atëherë është edhe aq publike sa të bëhet lajm. Dhe nëse nuk doni të jeni lajm, mos dilni në krah të njëri-tjetrit në një resort ku ndodhen dhjetëra shqiptarë, me telefona në dorë 24/7.
    Lajmet tona nuk janë në shitje. Ne s’i zhdukim pamjet që nuk ju pëlqejnë. Ne i publikojmë. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, për aq kohë sa dikush mendon se mund të jetojë me dy fytyra dhe të paguajë që njëra të mos duket!

  • Kodi i ri Penal/ Deri në 8 vite burg për ata që shesin ilaçe pa leje dhe të skaduara

    Kodi i ri Penal/ Deri në 8 vite burg për ata që shesin ilaçe pa leje dhe të skaduara

    Drafti i Kodit të ri Penal parashikon masa të rrepta për mbrojtjen e shëndetit publik, duke përfshirë dënime për shkaktimin e epidemive, përhapjen e sëmundjeve infektive dhe prodhimin e barnave të rrezikshme.
    Në draftin e propozuar për Kodin e ri Penal, një kapitull të veçantë i është kushtuar edhe mbrojtjes së shëndetit publik.
    Sipas draftit, jo më pak se njëzetë e pesë vjet dhe deri në burgim të përjetshëm parashikohet në nenin 441 të draftit, nëse dikush shkakton qëllimisht një epidemi përmes shpërndarjes së viruseve apo baktereve patogjenë.
    “Dënim shumë i rëndë parashikohet edhe për rastet kur kjo ndodh nga pakujdesia, 10 deri në 20 vjet heqje lirie. Kodi aktual nuk ka asnjë nen që lidhet me shkaktimn e epidemisë”, thuhet në këtë draft.
    Sipas draftit, “neni 444 sanksionon se zyrtarët publikë që nuk raportojnë sëmundjet infektive apo pandemike, sipas detyrimeve ligjore, do të përballen me gjoba apo edhe masa administrative plotësuese.
    Nga ana tjetër, mosrespektimi i rregullave të karantinës, urdhrave shëndetësorë apo masave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të dënohet me burg deri në 3 vjet, në varësi të rrezikut të krijuar”.
    Transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme duke qenë i vetëdijshëm për infektimin, do të përbëjë vepër penale që dënohet nga 2 deri në 6 vjet.
    Në draftin e ri janë parashikuar masa të forta edhe për kontrollin e tregut farmaceutik. Prodhimi, importimi ose tregtimi i barnave pa leje, të skaduara, ose që paraqesin rrezik për shëndetin, do të dënohet me burgim deri në 8 vjet, në varësi të rrezikut.
    Gjithashtu, mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, do të ndëshkohet me dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim.
    Sipas draftit të Kodit të ri Penal, edhe reklamimi “mashtrues” apo shpërndarja e produkteve të dëmshme për shëndetin, veçanërisht kur i drejtohen fëmijëve apo personave vulnerabël, dënohet me gjobë ose burgim deri në 4 vite.
    Nëse këto vepra penale kryhen nga personel shëndetësor, mësues, zyrtarë publikë apo punonjës të institucioneve publike, ato konsiderohen rrethana të rënduara dhe dënimi mund të rritet deri në 50%.
    Nëse përgjegjëse janë kompani apo institucione, ato mund të përballen me mbyllje të përhershme, gjobë të shumëfishtë apo konfiskim të pronës dhe të ardhurave të paligjshme.

  • Tragjedi në koncertin e Oasis: Një fans humb jetën pas një rënie nga stadiumi në Wembley

    Tragjedi në koncertin e Oasis: Një fans humb jetën pas një rënie nga stadiumi në Wembley

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë koncertit të Oasis në Wembley të shtunën në mbrëmje, kur një fans rreth 40 vjeç, humbi jetën pas një rënie të mundshme nga një lartësi e stadiumit. Sipas Policisë Metropolitane, oficerët dhe shërbimi i emergjencës u përgjigjën menjëherë pas raportimeve se një person ishte lënduar rreth orës 22:20, dhe se burri kishte pësuar lëndime që mund të lidhen me një rënie nga lartësia.
    Mediat britanike raportojnë se dyshohet se ai ka rënë nga pjesa e sipërme e stadiumit. Dëshmitarët e ngjarjes e përshkruan atë si “horror”, ndërkohë që policia ka bërë thirrje për çdo informacion të mundshëm që mund të ndihmojë në sqarimin e ngjarjes.
    Në një deklaratë zyrtare, grupi britanik Oasis reagoi me trishtim për këtë humbje tragjike, duke shprehur ngushëllimet e tyre për familjen dhe miqtë e viktimës.

  • Pse një fotografi e Ed Sheeran me Johnny Depp dhe Russell Crowe po vërshohet nga një valë kritikash në internet?

    Pse një fotografi e Ed Sheeran me Johnny Depp dhe Russell Crowe po vërshohet nga një valë kritikash në internet?

    Një fotografi nga backstage-i i koncertit të Andrea Bocellit në Firence ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale. Ed Sheeran, Johnny Depp dhe Russell Crowe shihen duke qeshur dhe duke shijuar një moment relaksi, por përfshirja e Depp ka shkaktuar kritika për shkak të reputacionit të tij të kontestuar pas gjyqit me Amber Heard.
    Disa fansa të Sheeran kanë shprehur zhgënjim për lidhjet e tij me Depp, duke e quajtur takimin me të “të papërshtatshëm” dhe “të neveritshëm”. Megjithatë, treshja e famshme duket se po kalonin një moment të këndshëm së bashku, ndërkohë që fansat janë të ndarë për këtë bashkëpunim.