Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që zbaton një tarifë shtesë prej 40% për produktet braziliane, duke e çuar totalin e tarifave tregtare në 50%.
Trump e përmbushi një kërcënim ndaj ekonomisë më të madhe të Amerikës Latine, duke e ndëshkuar atë që ai e ka quajtur një “gjueti shtrigash” kundër aleatit të tij të ekstremit të djathtë, ish-presidentit Jair Bolsonaro .
“Përndjekja, kërcënimi, ngacmimi, censura dhe ndjekja penale e Bolsonaros dhe mijëra mbështetësve të tij, të motivuara politikisht, nga qeveria braziliane janë abuzime serioze të të drejtave të njeriut që kanë minuar sundimin e ligjit në Brazil”, tha Shtëpia e Bardhë në një dokument faktesh ku njoftohej ky veprim.
Gjithashtu përmendi “politikat dhe veprimet e pazakonta dhe të jashtëzakonshme të Brazilit që dëmtojnë kompanitë amerikane, të drejtat e fjalës së lirë të personave amerikanë, politikën e jashtme të SHBA-së dhe ekonominë e SHBA-së” dhe përmendi me emër gjyqtarin e Gjykatës Supreme braziliane Alexandre Moraes – i cili mbikëqyr gjyqin kundër Bolsonaros.
Nuk përcaktoi datën se në cilën datë do të hynin në fuqi tarifat, por Trump më parë kishte përmendur 1 gushtin.
Brazili është përgatitur për një embargo virtuale ndaj aeroplanëve, drithërave dhe naftës së papërpunuar si pasojë e këtij veprimi, i cili lë mënjanë lidhjet shekullore dhe një suficit tregtar të SHBA-së, të cilin Brasilia e vlerësoi në 284 milionë dollarë në vitin 2024.
Natyra politike e kësaj mosmarrëveshjeje duket se e bën më pak të mundshme një marrëveshje të minutës së fundit. Brazili ka këmbëngulur që çështja kundër Bolsonaros do të vazhdojë nëse prokurorët nuk vendosin ndryshe. Ai akuzohet për komplotimin e një grushti shteti për të qëndruar në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve të fundit.




