Adriatik BALLA
Tekniku Pep Guardiola foli mbi mundësitë që Lamine Jamal të zëvendësojë Lionel Mesin si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Mesi luajti nën drejtimin e Guardiolës për katër vite te FC Barcelona (2008–2012), duke qenë pjesë e një prej skuadrave më të mira në historinë e futbollit. Së bashku, ata mposhtën dy herë Mançester Junajtid në finalet e Champions League dhe dominuan futbollin spanjoll. Në atë periudhë, Mesi fitoi katër “Topa të Artë” radhazi, duke hapur rrugën drejt një rekordi prej tetë trofesh individualë gjithsej. Pas largimit të Mesit, Barcelona ka pasur vështirësi për të mbushur boshllëkun që ai la pas.
Ansu Fati mori fanellën me numrin 10, por nuk arriti të përballojë pritshmëritë e larta që shoqërojnë atë numër historik. Ndryshe nga Fati, Jamal është shpresa më e madhe e re e Barcelonës dhe shihet si pasardhësi më i afërt i Mesit. Në dy sezonet e fundit, ai ka shpërthyer duke u bërë një nga lojtarët më të mirë në Europë. Sezonin e kaluar e mbylli me 18 gola dhe 25 asistime, duke mahnitur tifozët me paraqitjet e tij dhe duke ndihmuar Barcelonën të arrijë deri në gjysmëfinalet e Champions League. Kjo ngritje ka bërë që shumë tifozë të spekulojnë nëse më në fund Barcelona ka gjetur pasuesin e Mesit – madje nëse Jamal mund ta tejkalojë atë. Së fundmi, për këtë çështje ka folur edhe trajneri aktual i Mançester Sitit, Pep Guardiola. Në një intervistë me Héktor Izquierdo, ai tha: “Mendoj se Lamine Jamal duhet të lejohet të zhvillojë karrierën e tij.
Dhe pas 15 vitesh do të shohim nëse është më i mirë apo më i dobët. Duhet ta lejojmë të rritet si lojtar. Fakti që krahasohet me Mesin është një gjë e madhe. Është si të krahasosh një piktor me Van Gogh – njerëzit do të thonë, ‘uou, nuk është keq’, dhe kjo tregon se është i mirë. Por duhet ta lejojmë të zhvillojë karrierën e tij dhe pastaj do të shohim.” Edhe vetë Mesi ka dhënë lëvdata për Jamal në fillimet e karrierës së tij. “Është mbresëlënëse ajo që po tregon Lamine Jamal, tashmë është kampion Europe me Spanjën. Është një nga më të mirët në botë. Ka vetëm 17 vjeç, është ende në proces rritjeje dhe do të vazhdojë të zhvillohet e të shtojë elementë në lojën e tij, ashtu siç bëra unë. Ka cilësi të jashtëzakonshme”, tha Mesi. Jamal tashmë ka fituar dy tituj të La Ligës me Barcelonën, si dhe Kupën e Mbretit. Me kombëtaren e Spanjës, ai shijoi suksesin në Euro 2024, ku në moshën 17-vjeçare luajti rol vendimtar në finalen kundër Anglisë (2-1), duke shënuar golin më të bukur të turneut dhe duke fituar çmimin e lojtarit të ri më të mirë.
Day: July 29, 2025
-

Pep Guardiola flet për krahasimin e Jamal me Mesin: Duhet më parë të rritet, pastaj ta shohim
-

Granit Xhaka rikthehet në Premier League e vesh fanellën e Sandërlendit, elzhe për Dakun në Rusi
Adriatik BALLA
Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, do të kthehet në Premier League angleze. Tashmë është arritur marrëveshja për transferimin e tij te Sanderlandi nga Bajer Leverkuseni. Xhaka transferohet për 20 mln euro. Ai do të firmosë për tri vjet me skuadrën e kthyer në Premier League. Xhaka që në fund të kampionatit të kaluar dha shenja se do të largohet nga Leverkuseni. Fillimisht ishte përfolur kalimi te Milani në Itali. Më pas u raportua për kalim te Juventusi e Interi, por pa asnjë zhvillim konkret. Në lojë hyri skuadra arabe Neom, që megjithatë refuzoi të paguante 20 milionë euro për kapitenin e Zvicrës. Ka pasur interesim edhe nga Fenerbahçe, por Xhaka vendosi për kthim në ligën më të fortë në botë. Ai dy vjet më parë ishte larguar nga Arsenali. Te Leverkuseni në vitin e parë e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Gjermanisë. Në vitin e dytë doli nënkampionë. Por më të mirët u larguan këtë verë nga Bajerni dhe 32-vjeçari nuk ishte gati të udhëhiqte ndërrimin e gjeneratës në skuadër.
Albion Rrahmani merr vlerësime nga trajneri i tij
Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, e shënoi golin e parë në kampionatin e ri. Të dielën, Rrahmani startoi te Sparta Praga dhe realizoi në minutën e 22-të për 1:0. Sparta fitoi 3:2 në fund, në kuadër të xhiros së dytë të kampionatit të Çekisë. 24-vjeçari e la fushën në minutën e 53-të, kur Sparta Praga po pësonte 2:1. Lojtari që e zëvendësoi atë, Lukas Haraslin, asistoi për 2:2, ndërsa e shënoi golin e fitores nga penalltia në minutën e 93-të. Trajneri i Spartës, Brian Priske, ka lavdëruar Rrahmanin. “Jam i kënaqur që kemi kualitet në gjithë lojtarët. Më duhet ta lavdëroj Albion Rrahmanin, që ka pasur lojë shumë të mirë. Ai ishte i përfshirë në presing, shënoi gol të rëndësishëm”, ka thënë Priske. Rrahmani në edicionin e parë në Çeki ka pasur telashe të mëdha për të gjetur formën. Ermal Krasniqi qëndroi vetëm në stol te Sparta Praga.
Daku gjithnjë e më i vlerësuar tek Rubin Kazani rus
Mediat në Rusi i kanë kushtuar shumë vëmendje golit të Mirlind Dakut ndaj Zenit St. Petersburgut. Sulmuesi kosovar mbeti te Rubini dhe të dielën shënoi në minutën e 90-të për barazimin 2:2 me Zenitin. Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, është pyetur nëse ndeshja ndaj Zenitit ishte speciale për Dakun. “Ai duhet ta kuptojë se të gjitha ndeshjet janë speciale për të. Ai ka një nivel të caktuar, por nuk e mban atë gjatë 90 minutave. Kur fillon, çdo gjë është e qartë. Çfarë dallimi bën nëse ka kaluar në Zenit apo jo? Janë të gjitha ndeshje kampionale, ju vetëm duhet të mbani nivelin, stabilitetin dhe të zhvilloheni tutje”, tha Rakhimov. Kapiteni i Rubin Kazanit, Igor Vujaçiq ka thënë se Daku është sulmuesi më i mirë në Rusi. “Duhet të prisni momentin që ai të realizojë. Mbrojtësit e Zenitit kanë luajtur mirë ndaj tij. Ishte e vështirë për të, është dashur të bëjë shumë pa top. Por në pjesën e dytë gjeti momentin e tij. Kjo është forca e Dakut”. Mbrojtësi i Zenitit, Vanja Drkushiq ka thënë se Daku është njëri prej lojtarëve më të mirë në kampionatin rus. Edhe trajneri i Zenitit, Sergei Semak ka thënë se Daku është lojtar i mirë. -

Hoxha shkëlqen me Rubin Kazanin rus, zgjedh të luajë me fanellën e Kosovës
Adriatik BALLA
Në kampionatin e kaluar Veldin Hoxha i shënoi dy gola në 22 takime për Rubin Kazanin në Superligën e Rusisë. Shifrën prej dy golave në kampionatin e ri, 2025/2026, e arriti në vetëm dy ndeshje. Hoxha e nisi furishëm fushatën me Rubin Kazanin. Më 20 korrik shënoi gol në fitoren 2:0 ndaj Akhmat Groznit. Tjetër gol shënoi të dielën mbrëma në barazimin 2:2 me Zenitin, njërën prej skuadrave më të mëdha në futbollin rus. Më 12 qershor u bë e ditur se Hoxha do të bashkohet me përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Ai pritet të jetë përforcim i madh në mesfushë. “Jam shumë i lumtur me fillimin e kampionatit. Më vjen mirë që e kam ndihmuar ekipin me gola dhe që kemi filluar mbarë edicionin. Shpresoj se kështu edhe do të vazhdoj”, tha Hoxha. Mirlind Daku dhe Dardan Shabanhaxhaj po ashtu janë te Rubin Kazani.
Daku shënoi golin e barazimit ndaj Zenitit, ndërsa Shabanhaxhaj shënoi gol në ndeshjen e parë. “Është shumë mirë të luash me ta, më vjen mirë që i kam bashkëlojtarë”, thotë Hoxha. 22-vjeçari është i lindur në Rijekë të Kroacisë, ndërsa ka prejardhje nga Restelica. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Kroacisë. Pasi nuk mori ftesë nga përfaqësuesja A, të cilën e priti një kohë, vendosi ta përfaqësojë Kosovën. Ai është zhvilluar te Rijeka, ndërsa kishte periudha edhe te dy skuadra tjera kroate. Më 12 shtator të vitit të kaluar firmosi për katër vjet me Rubin Kazanin. Hoxha thotë se liga ruse është e duhura për të dhe se vendimi për transferim te Kazani ishte i qëlluar.
Kualifikueset e Botërorit për Kosovën
Kosova më 5 shtator fillon kualifikimet për Botërorin 2026. Në Bazel përballet me Zvicrën. Menjëherë më 8 shtator, “Dardanët” luajnë në Prishtinë me Suedinë.“Jam gati për debutim dhe shpresoj se do të marr ftesë për grumbullim në muajin shtator. Jam shumë i lumtur që do të luaj për Kosovën dhe që do ta kem atë mundësi. Mezi pres. Kosova është vendi i prindërve të mi. Kam biseduar gjatë me njerëzit nga federata dhe kam dashur të luaj për Kosovën. Të gjithë familjarët e mi e kanë pranuar vendimin që të luaj për Kosovën dhe më kanë përkrahur”, ka theksuar Veldin Hoxha. Ai tregon se prindërit i kanë lindur në Kosovë. Sa ishte më i ri, thekson se ka ardhur gjithnjë në Kosovë ndërsa tani e ka më të vështirë për shkak të karrierës. Por vazhdon të vijë herë pas here. Hoxha thotë se ka shumë familjarë në Kosovë. Në grupin kualifikues për Botëror është edhe Sllovenia. Në përgjithësi grupi vlerësohet shumë i fortë dhe sfidues. “Shpresoj se do të kualifikohemi. Ky do të ishte sukses shumë i madh. Kemi grup të vështirë, me përfaqësuese të shkëlqyera. Por mendoj se kemi shanse të mira. Kemi përfaqësuese të shkëlqyer, me lojtarë të shkëlqyer”, nënvizoi anëtari më i ri i Kosovës. -

Mot i paqëndrueshëm dhe me shi, ja parashikimi për këtë të martë
Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Që prej orëve të para të mesnatës, moti parashikohet me vranësira dhe reshje shiu, fillimisht në zonat veriperëndimore dhe pjesërisht në qendër të vendit. Reshjet do të jenë me intensitet të ulët, lokalisht deri mesatar, dhe do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit.
Gjatë paradites dhe deri në pasdite, reshjet do të përfshijnë një pjesë të madhe të territorit, kryesisht me intensitet të dobët. Pasdite reshjet do të lokalizohen përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe zonave malore në veri të vendit.
Era do të fryjë e lehtë me drejtim juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s, ndërsa në bregdet dhe në lugina priten rritje të përkohshme të intensitetit deri në 10 m/s.
Deti do të jetë i qetë, me valëzim të ulët – forcë 1 deri 2 ballë.Top Channel
-

Vranësira dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit! Ja parashikimi i motit për sot =
Dita e sotme pritet të sjellë kushte atmosferike të paqëndrueshme në të gjithë territorin shqiptar.
Sipas parashikimeve SHMU, vendi do të jetë nën ndikimin e vranësirave dhe reshjeve të shiut, të cilat do të nisin që në orët e para të mesnatës.
Reshjet do të shfaqen fillimisht në zonat veriperëndimore dhe pjesërisht në qendër të vendit, me intensitet të ulët deri mesatar. Kjo situatë do të vijojë deri në orët e para të mëngjesit, kur reshjet pritet të përhapen në pjesën më të madhe të territorit, duke ruajtur një intensitet të ulët deri në pasditen e vonë.
Pas orëve të pasdites, reshjet do të lokalizohen kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në zonat veriore malore, ku parashikohet që ndikimi të jetë më i theksuar.
Era do të fryjë e lehtë, me drejtim kryesor nga juglindja në jugperëndim dhe një shpejtësi mesatare prej 6 m/s. Në zonat bregdetare dhe në lugina, era hera-herës mund të arrijë deri në 10 m/s.
Sa i përket gjendjes së detit, valëzimi do të jetë i lehtë, me forcë 1-2 ballë.
-

Prokurorët francezë kërkojnë urdhër të ri arresti për Bashar al-Assad-in
Prokurorët francezë thanë të hënën se kanë kërkuar një urdhër të ri arresti kundër ish-presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, për sulmet vdekjeprurëse kimike në vitin 2013, pasi një i mëparshmi u anulua.
Tani u takon gjyqtarëve hetues të vendosin nëse do të lëshojnë urdhër-arrestin e ri.
Hetuesit francezë që nga viti 2021 kanë hetuar një sulm të dyshuar me gaz sarin të qeverisë siriane që vrau më shumë se 1,000 njerëz, sipas inteligjencës amerikane, më 4-5 gusht 2013, në zonat e Adra dhe Douma jashtë Damaskut.
Gjykata e Kasacionit, gjykata më e lartë e Francës, vendosi të premten se nuk kishte përjashtime nga imuniteti presidencial, madje as për krime lufte të dyshuara dhe krime kundër njerëzimit, duke anuluar një urdhër-arresti francez kundër al-Assad të lëshuar në vitin 2023 kur ai ishte ende udhëheqës.
Megjithatë, shtoi se, meqenëse al-Assad, i cili u rrëzua në dhjetor, nuk ishte më president, mund të lëshoheshin urdhër-arreste të reja dhe hetimi francez mund të vazhdonte.
Zyra e Prokurorit Kombëtar Antiterror (PNAT) tha të premten se kërkoi “lëshimin dhe shpërndarjen ndërkombëtare të një urdhër-arresti kundër Bashar al-Assad për bashkëpunim të dyshuar në krime kundër njerëzimit dhe bashkëpunim në krime lufte” në rastin e sulmit kimik.
Sipas autoriteteve ruse, Al-Assad dhe familja e tij ikën në Rusi pasi forcat antiqeveritare morën pushtetin më 8 dhjetor.
Një tjetër urdhër-arresti francez është lëshuar tashmë për al-Assad, i lëshuar në janar për bashkëpunim të dyshuar në krime lufte për një bombardim në qytetin sirian Deraa në vitin 2017 që vrau një civil franko-sirian.
-

Dinamika e krimit në Pogradec/ Si i vra gruaja, më pas banesës së saj iu vendos flaka për të fshehur ngjarjen
Ende pa u zbardhur si duhet akti makabër i ndodhur në një fshat të Patosit, një tjetër ngjarje tronditëse shënohet në Pogradec.
Një grua, 52 vjeç, u gjend e asfiksuar në banesën e saj, pasi aty kishte rënë zjarr. Policia, zjarrfikëset dhe banorët e zonës që shkuan t‘i jepnin ndihmën e para gruas, me idenë për ta nxjerrë të gjallë nga shtëpia që ishte në flakë, e kanë gjendur të vdekur atë.
Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit, ndërsa janë shuar flakët që kishin përpirë banesën. Por mjekët e spitalit kanë konstatuar se në fakt, gruaja nuk kishte vdekur nga asfiksia, por nga dhunimi, pasi ajo kishte plagë të shumta në trup.
Menjëherë është ngritur një grup hetimor, kanë mbërritur në banesën e djegur, por e kanë pasur të pamundur të hasin në gjurmë autorësh, por fati ka qenë me ta; një kamera sigurie, aty pranë, ka fiksuar një persona, që pas identifikimit të shpejtë është vënë në pranga.
Ai dyshohet se ka pasur lidhje intime me gruan dhe ditën e ngjarjes është kthyer nga Greqia duke i marrë jetën asaj dhe duke i vënë flakën shtëpisë që të zhdukte gjurmët e pranisë së tij.
Në momentin kur i dyshuari si autor kryesor i krimit është prangosur, ai ka mohuar të ketë marrë pjesë në krimin e rëndë, ndërsa si alibi ka përdorur telefonin, pas ka nxjerrë pretendimin që nuk komunikonte me të prej 10 ditësh. Verifikimi i thirrjeve, në fakt, ka rezultuar ashtu, por jo prania e tij në vendin e ngjarjes, gjithnjë sipas policisë, referuar pamjeve filmike që janë marrë si provë për identifikimin e autorit të ngjarjes.
NGJARJA SIPAS POLICISË
Dje u bë me dije se Kozeta Teço, gruaja që u gjend e vrarë dhe e djegur, jetonte e vetme. Ajo u gjend e djegurnë banesën e saj rreth orës 06.00 të mëngjesit në Pogradec. Fillimisht u raportua se 52-vjeçarja ndërroi jetë nga asfiksia, por më tej hetuesit u orientuan drejt një ngjarje kriminale. Në trupin e gruas u gjetën shenja dhune, mbytje dhe dëmtime me mjet prerës. Ajo është vrarë dhe më pas, autori, dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës për ta kamufluar ngjarjen si aksidentale.
Kamerat e sigurisë ndihmuan hetuesit të bien në gjurmët e një të dyshuari, një djalë i ri, i cili u pa pranë pallatit në lagjen numër 1 në Pogradec, dhe që hidhte në koshin e mbeturinave disa sende. Grupi hetimor e identifikoi dhe e shoqëroi. Është 31-vjeçari Ilirjan Selmani.
I dyshuari shfaqet i qeshur, teksa efektivët e shoqërojnë pranë pallatit ku ndërroi jetë gruaja, dhe e pyesin se çfarë hodhi në koshin e mbeturinave aty pranë. Bashkë me të grupi hetimor kërkoi mes mbetjeve për të gjetur prova që mund ta lidhin të dyshuarin me krimin. Aty u gjetën peshqirë dhe kartopeceta me gjak që dyshohet se janë përdorur nga autori për të pastruar vendin e ngjarjes.
Gruaja, e pamartuar dhe pa fëmijë, jetonte në kushte të vështira ekonomike në banesën e saj në lagjen nr. 1 në Pogradec. 31-vjeçari, i cili jeton vetëm pak metra larg banesës së 52- vjeçares dyshohet të ketë pasur lidhje intime me të, madje nga hetimet intensive është mësuar se çifti ishin në lidhje prej 8 vjetësh dhe se vrasësi i kishte borxh gruas një shumë të madhe parash, shumë që mesa duket gruaja ia ka kërkuar. Megjithatë do të jenë hetimet që do të zbulojnë shkakun real të këtij krimi të rëndë, ndërsa autori dyshohet se ishte edhe përdorues i lëndëve narkotike.