Day: July 25, 2025

  • “Kjo derë u mbyll përgjithmonë”, flet vajza e madhe e 56 vjeçarit që u vra nga e bija dhe e shoqja

    “Kjo derë u mbyll përgjithmonë”, flet vajza e madhe e 56 vjeçarit që u vra nga e bija dhe e shoqja

    Pasi përcolli babanë për në banesën e fundit, me nënën dhe motrën ne burg, vajza e madhe e familjes Rama në Frashër të Patosit, Kristiola Rama, tregoi për mediat se si e mori vesh lajmin e vdekjes së babait.
    Emigrante në Itali me tre fëmijë, Kristiola mbërriti një ditë më pare në vendlindje për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit e të atit, por mësoi një tjetër version për ngjarjen, i ndryshëm nga ai që i tregoi motra e vogël, Ermanilda.
    Me një qetësi qe mund të justifikohet vetëm nga tronditja e madhe, Kristiola Rama tregon se si e motra e telefonoi mbrëmjen e së martës për t’i thënë se i ati kishte ndërruar jete.
    Në një moment ajo thotë se dëgjoi zërin e të atit por e ëma e siguroi se ai kishte vdekur teksa lante trupin e të ndjerit.
    “Nga ora 8 më ka marrë motra në telefon që babi kishte rënë në banjo dhe më tha kështu ‘o motra ka rënë babi në banjo’.
    Ça po thua, i thashë dhe ajo më pas e fik telefonin. Pastaj e marr pas 5 minutash dhe më thotë mami ‘ik se po merremi me babain’, a po e vishnin, a po e lanin nuk e di.
    Fillova të merrja pastaj në telefon kunatën time, sepse i rashë mamit prapë dhe nuk ma hapi telefonin.
    Mora kunatën që të vinte këtu dhe të merrja vesh. Kur po e lante mami dëgjova një si zë……
    I thashë: mami, babi është gjallë? Jo më tha, ka vdekur. Kaq ishte… Unë jetoj në Itali. Me mua ishin shumë mirë, unë me prindërit me motrën kam folur gjithmonë, flisja përditë, i merrja 10 herë në ditë në telefon.
    Flisja me babin, ishte shumë gjë në rregull. Çdo gjë ka qenë mirë. Punonte edhe mami, edhe babi, edhe motra.
    Motra nuk kishte të dashur”, tha vajza e madhe e Anesti Ramës, i cili u vra nga e bija e tij 26-vjeçare.
    “Kjo derë u mbyll përgjithmonë”, tha ajo.

  • Zjarri në Delvinë, Ministria e Mbrojtjes: Angazhohen edhe 62 efektivë të Këmbësorisë së Gjirokastrës

    Zjarri në Delvinë, Ministria e Mbrojtjes: Angazhohen edhe 62 efektivë të Këmbësorisë së Gjirokastrës

    Për shkak të situatës së rëndë nga zjarret në Delvinë, në operacionin e shuarjes së flakëve janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Armatosua nga Reparti i Gjirokastrës. Ministria e Mbrojtjes informon se janë angazhuar 62 efektivë të FA Gjirokastër, të cilët janë pjesë e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, pjesë e Forcës Tokësore. Efektivët do të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në fshatin Palavli të Delvinës.

  • Shkaktare të 90% të vdekjeve në Shqipëri/ Sëmundjet kronike rriten ndjeshëm: Sistemi shëndetësor i dobët për t’i përballuar

    Shkaktare të 90% të vdekjeve në Shqipëri/ Sëmundjet kronike rriten ndjeshëm: Sistemi shëndetësor i dobët për t’i përballuar

    Nga Mimoza Picari/

    Në Shqipëri sëmundjet jo të transmetueshme, ose siç njihen ndryshe sëmundjet kronike, po njohin rritje të vazhdueshme, ndërsa ekspertë të shëndetit publik konstatojnë mangësi në kujdesin e shëndetit parësor, hallka fillestare ku ndodh parandalimi dhe monitorimi i tyre. Përveç financimeve të ulëta, vihet re edhe një rol i dobët i mjekut të familjes në adresimin e këtyre sëmundjeve, sipas specialistëve. Rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% në dekadën e fundit, apo shtimi i rasteve me diabet me 6 mijë në vit, vetëm dy prej grupit të gjerë të sëmundjeve jo të transmetueshme, tregon sipas tyre rëndësinë e rritjes së investimeve në sektorin e shëndetësisë. E megjithatë ISHP i konfirmoi Faktoje.al se mbajtja nën kontroll e vdekjeve tregon shtim të përpjekjeve në trajtimin e këtyre sëmundjeve.

    Raportet

    Në Shqipëri, sipas OBSH sëmundjet jo të transmetueshme janë shkaku i 90% të vdekjeve. Ekspertët vlerësojnë se këto sëmundje janë në rritje të vazhdueshme të nxitura nga plakja e popullsisë me ritme të shpejta, ndjekur nga mënyra e jetesës dhe dobësitë në sistemin shëndetësor.

    Sipas INSTAT, mosha mesatare ka arritur në 44.3 vjeç nga 33 që ishte mbi një dekadë më parë. Disa elementë të stilit të jetesës, argumentojnë specialistët, si duhanpirja, përdorimi i alkoolit, obeziteti dhe rënia e riprodhimit po shtojnë grupe të mëdha sëmundjesh jo të transmetueshme, si ato të aparatit të qarkullimit të gjakut (sëmundjet e zemrës dhe ato të enëve të trurit) dhe ato tumorale që zënë rreth 68% të vdekjeve në vend, përkatësisht 53 dhe 15%.

    Shifrat

    Të dhënat që japin një pasqyrë më të saktë për rritjen e vazhdueshme të sëmundjeve jo të transmetueshme, pra jo infektive, janë ato të shtrimeve në spital. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë këto dy grupe sëmundjesh përbëjnë rreth 27% të gjithë shtrimeve në spitale. Në strategjitë e shëndetit vlerësohet se sëmundjet jo të transmetueshme po shtohen në mënyrë të vazhdueshme. Disa tregues janë rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% nga viti 2015- 2023, 6 mijë raste të reja me diabet apo dhe rritja e numrit të vizitave në shëndetin parësor sipas INSTAT me 9.6% në vitin 2023, krahasuar me vitin paraardhës.

    Arsyet

    Ekspertët argumentojnë se me këtë panoramë që paraqet kjo fushë e shëndetit publik nevojitet forcimi i parandalimit primar, dhe të komplikacioneve në hallkat e shëndetit parësor, përmes mjekëve të familjes atyre specialistë si porta e parë, dhe më pas forcimi i shërbimeve në spitalet rajonale dhe terciare.

    “Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore” – Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik

    “Fatkeqësisht nuk e shoh këtë të ndodhë në Shqipëri. Mjeku i familjes prej vitesh është shndërruar në një shkrues të thjeshtë recetash. Ka gjithmonë e më pak kohë për t’u marrë me pacientin dhe nuk ka pajisjet e duhura për të bërë të mundur një trajtim të hershëm të sëmundjeve kronike dhe një parandalim të komplikacioneve. Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore. Ky është një alarm sepse nga mungesa e burimeve njerëzore nuk vuajnë vetëm spitalet, por në radhë të parë vuajnë qendrat shëndetësore dhe ambulancat”, thotë për Faktoje.al Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Autoritetet zyrtare kanë hartuar disa strategji gjatë viteve të fundit për sëmundjet jo të transmetueshme. Shefi i departamentit të sëmundjeve kronike në Institutin e Shëndetit Publik Alban Ylli i tha Faktoje. al se ka një shtim të përpjekjeve për parandalimin e tyre, në sistemin shëndetësor parësor. Ai thotë se janë mbajtur nën kontroll vdekjet e standardizuara, pra duke hequr efektin e moshës, të cilat qëndrojnë thuajse në shifra të njëjta prej 5 vitesh.

    “Qytetarët kanë filluar ta vendosin shëndetësinë tek prioritetet e tyre, krahasuar me 20 apo 25 vite më parë. Nga ana tjetër dhe sistemi shëndetësor ka filluar të përmirësohet. Ka më shumë se ç’të ofrojë si në kujdesin e shëndetit parësor, p.sh. Check-up që shpesh herë e kritikojnë për arsye politike. Tashmë tek mjeku i familjes mund të bëhen shumë teste, dhe ky mjek ofron më shumë se më parë. Mund të ofrohen shërbime, mund të merret trajtimi aty, të mbahet pacienti nën kontroll pa shkuar në spital. Ka rezultate në kapjen e hershme të sëmundjeve kronike. Pra në disa nivele të sistemit shëndetësor nga parësori deri tek terciari ofrohen më shumë shërbime”, konfirmon Z. Ylli.

    Ai thotë se qytetarët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen edhe për stilin e jetesës, pasi rritja e disa sëmundjeve jo të transmetueshme ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga duhanpirja, alkooli apo konsumimi i ushqimeve të përpunuara. E megjithatë eksperti i shëndetit publik në ISHP Alban Ylli, mendon se ka vend për përmirësime në sistemin shëndetësor.

    “Mendojmë se kemi vizionin e duhur për t’u marrë me këto sëmundje, por jo për të gjitha gjërat bëhet aq sa duhet. Ka shumë mungesa në sistemin shëndetësor. Sistemi shëndetësor shqiptar, në opinionin tim, ofron shërbim të mirë në kushte emergjencash, por në terma sistematik ne çedojmë shumë”, vijon Z. Ylli.

    Monitorimi

    “Buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%” – Nevila Xhindi, eksperte

    Një monitorim i strategjisë kombëtare të shëndetit publik 2021-2030, nga organizata joqeveritare “Together For Live” në gusht të vitit 2024, me mbështetjen e delegacionit të BE, nënvizoi disa çështje. Një prej tyre lidhet me buxhetin e alokuar për shëndetin parësor në raport më atë në tërësi për shëndetësinë. Ky dokument zbulon se ai ka pësuar rënie të vazhdueshme nga viti 2020 deri në vitin 2023 nga 11.4% në 9.1%, ndërsa është rritur për herë të parë pas shumë vitesh në vitin 2024 në 11.8%. Por krahasuar me 4 vite më parë, rritja ishte e lehtë me vetëm 0.4%. Ekspertja që ka kryer monitorimin e strategjisë për tre vitet e para, Nevila Xhindi konfirmoi për Fakotje.al dhe një tjetër element.

    “Nëse përqindja e shpenzimeve të qeverisë për sistemin e shëndetësisë ishte 10% si vlerë bazë, pra në vitin që nis monitorimi, dhe targeti i saj është 12 % në vitin 2030, papritur në vitin 2023 bie në 9.6%. Nga ana tjetër dhe buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%. Është ambicioze, por aktualisht varion nga 2.8%-3% të PBB”, thotë Znj. Xhindi.

    Reformat

    Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli, thotë se investimet në shëndetësi duhet të rriten, ndërsa siç shprehet ai ka nevojë dhe për një riformatim të mjekëve të familjes dhe një shpërndarje më të drejtë të tyre në raport me popullsinë. Por një prej çështjeve më shqetësuese sot mbetet rritja e sëmundjeve tumorale. Kritikët shohin me skepticizëm disa çështje, sidomos kur bëhet fjalë për konceptin multidisiplinar në spitalet rajonale dhe terciare.

    “Trajtimi i të sëmurëve me sëmundje tumorale, jo vetëm që nuk kryhet sipas sistemit dhe trajtimit multidisiplinar, i cili ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara, por kemi mangësi dhe defekte edhe në elementë të veçantë të trajtimit, që është e paimagjinueshme. Kjo nuk duhet të ndodhë në një vend europian. Pra, që të kesh mangësi në kemioterapi, të kesh preparate të radioterapisë që qëndrojnë të prishura për ditë të tëra dhe ka raste edhe me javë të tëra. Apo si ajo pajisja e brakiterapisë që për vite të tëra nuk u vendos në punë. Të gjitha këto tregojnë, që ne nuk kemi arritur ta fusim në Shqipëri konceptin e trajtimit multidisiplinar që është kaq i domosdoshëm për trajtimin e komplikacioneve të sëmundjeve kronike”, argumenton Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Ndërgjegjësimi

    Nga ana tjetër Z. Ylli sjell disa argumente që lidhen me mbajtjen nën kontroll të vdekjeve nga sëmundjet kronike.

    “…Sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike” – Alban Ylli, Shefi i departamentit të dëmundjeve kronike në ISHP

    “Njerëzit do vazhdojnë të ankohen. Unë personalisht jam i bindur, dhe e kam vënë re se ti mund të ofrosh dyfishin e parave, mund ta rrisësh financimin e medikamenteve dhe mund të kesh sërish shumë ankesa, sepse kostot e trajtimit të kancereve në rastin konkret janë aq të larta, sa duhet ta kuptojë shoqëria shqiptare që investimi në këtë fushë duhet të vazhdojë të jetë i madh. Por duhet të merremi edhe me kontrollin e stilit të jetesës. Më pak duhanpirje më pak kancere në mushkri dhe sëmundje ishemike në zemër. Por sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike. Kemi fakte që përmes kapjes së hershme ne mbajmë nën kontroll vdekshmërinë. Ne po na rriten sëmundjet jo të transmetueshme, por po mbajmë nën kontroll vdekjet dhe kjo tregon menaxhim më të mirë në sistemin shëndetësor. Ka më shumë kancere, por vdekshmëria nuk po rritet. Për sëmundjet kardiovaskulare, shtrimet në spital janë vendosur nën kontroll, ndërkohë që vdekshmëria e standardizuar, pra duke hequr efektin e moshës, po ulet për shumicën e sëmundjeve kronike”, argumenton Z. Ylli

    Reagimi

    Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës së Faktoje.al për një intervistë në lidhje me politikat e ndjekura për sëmundjet jo të transmetueshme, buxhetet e alokuara dhe vizionin për të ardhmen, por nga ana tjetër ekspertët sugjerojnë se disa elementë duhen korrigjuar në kujdesin e shëndetit parësor, si porta ku parandalimi ka shumë rëndësi.

    “Teknologjia sot po luan një rol të jashtëzakonshëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Aktiviteti i mjekut të familjes në gjithë vendet e zhvilluara po mbështetet nga programe, deri tek ato të inteligjencës artificiale ndërkohë ka dekada që aplikacionet dixhitale janë bërë pjesë e përditshmërisë së punës së mjekut të familjes, nga kartela elektronike deri tek aplikacionet që menaxhohet dhe monitorohet në distancë shëndeti i pacientit. Ndërkohë për sa i takon mjekut të familjes në Shqipëri, burimet pakësohen dhe kjo është një situatë e papranueshme dhe që duhet korrigjuar sa më shpejt”, sugjeron Z. Dasho.

    RekomandimetSëmundjet jo të transmetueshme kanë një trend global rritje. Ekspertët mendojnë se sfidat për parandalimin dhe trajtimin e tyre janë të mëdha në sisteme shëndetësore si ai në Shqipëri, i cili shfaq disa dobësi në ofrimin e shërbimeve si në kujdesin parësor ashtu dhe në spitalet rajonale dhe ato terciare. Njohës të fushës së shëndetësisë nxisin një riformatim të këtij sistemi që synon uljen e numrit të sëmundjeve jo të transmetueshme ashtu dhe vdekshmërinë prej tyre./ Faktoje.al

  • Zjarret në Delvinë/ Devijohet përkohësisht trafiku në drejtim të Qafës së Muzinës

    Zjarret në Delvinë/ Devijohet përkohësisht trafiku në drejtim të Qafës së Muzinës

    Zv.Kryeministrja, Belinda Balluku përmes një postimi në rrjetet sociale bëri me dije se është devijuar përkohësisht trafiku në drejtim të Qafës së Muzinës për shkak të situatës së zjarreve në Delvinë.
    Postimi i Ballukut:
    Si pasojë e rrezikut të shtuar nga rënia e zjarrit në territorin e Delvinës, Policia Rrugore devijoi përkohësisht trafikun në drejtim të Qafës së Muzinës, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
    Skuadrat e ARRSH dhe kompanisë kontraktore të mirëmbajtjes së rrugës janë në terren për menaxhimin e situatës.
    Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe i ftojmë ata të ndjekin dhe zbatojnë udhëzimet e autoriteteve që ndodhen në terren.

  • Zjarret në Delvinë/ Vengu: Orët në vijim pritet të jenë të vështira

    Zjarret në Delvinë/ Vengu: Orët në vijim pritet të jenë të vështira

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë një postim në rrjetin e tij social Facebook, nga ku jep detaje lidhur me situatën e zjarreve në Delvinë.
    Vengu thotë se pas ndërhyrjes së përqendruar të forcave, zjarret në fshatra Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, janë përmirësuar.
    Vengu tha se katër helikopterë janë angazhuar me fluturime të pandërprera në tre fshatrat e zonës, për të kufizuar përimetrin e flakëve, ndërsa mbi 120 forca po operojnë në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët.
    Sakaq ministri tha se duhet “të sigurohemi që mbrëmja të kalojë sa më e sigurt për ta, ndërsa mbetemi në gatishmëri të plotë, pasi orët në vijim pritet të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta”.
    Postimi i plotë
    Pranë banorëve të fshatrave Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, në Delvinë, ku pas ndërhyrjes së përqendruar të forcave, kemi një situatë të përmirësuar.
    Katër helikopterë janë angazhuar me fluturime të pandërprera në tre fshatrat e zonës, për të kufizuar përimetrin e flakëve, ndërsa mbi 120 forca po operojnë në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët.
    Duhet të sigurohemi që mbrëmja të kalojë sa më e sigurt për ta, ndërsa mbetemi në gatishmëri të plotë, pasi orët në vijim pritet të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta.
    Shefi i Komisariatit të Delvinës ka ndërhyrë për të ndihmuar banorët në kushte shumë të vështira, duke kryer një akt të vërtetë heroik.
    Ai është lënduar gjatë operacionit dhe po merr ndihmën shëndetësore në spital. I urojmë shërim të shpejtë dhe jemi mirënjohës për guximin e treguar çdo efektivi.
    Falenderime të veçanta për forcat zjarrfikëse, Policinë e Shtetit dhe partnerët tanë që po na ndihmojnë në këtë situatë të vështirë.

  • Zjarri në Delvinë, Vengu mes banorëve në Palavli: Do ju njoftojmë që të riktheheni, bëni pak durim

    Zjarri në Delvinë, Vengu mes banorëve në Palavli: Do ju njoftojmë që të riktheheni, bëni pak durim

    Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ishte sot në terren në fshatrat e Delvinës, të cilat janë përfshirë nga flakët, ndërsa është urdhëruar edhe evakuimi i banorëve.
    Vengu ka folur me banorët e fshatit Palavli, duke u thënë se po monitorohet situata dhe se janë në gatishmëri për çdo situatë.
    Ai është parë edhe duke i thënë një banori se pasi të verifikohen shtëpitë që nuk kanë vatra zjarri, do t’i njoftojnë që të rikthehen.
    “Do verifikojmë a janë të sigurta banesat, nga momenti që i kemi verifikuara të gjitha që nuk ka vatra të vogla dhe të fshehura do ju njoftojmë që të riktheheni që sonte, pak durim”, dëgjohet ministri duke i thënë banorit.

  • Zjarri në Delvinë/ Digjen 11 banesa në Senicë

    Zjarri në Delvinë/ Digjen 11 banesa në Senicë

    Zjarri që ka përfshirë zonën e Senicës në Delvinë ka marrë përmasa alarmante, duke çuar në djegien e 11 banesave, përfshirë edhe një strukturë të destinuar për agrobiznes.
    Sakaq, autoritetet lokale kanë nisur evakuimin e banorëve.
    Për momentin, nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme

  • Mjafton një takim dhe një foto, vjen paqja mes Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu

    Mjafton një takim dhe një foto, vjen paqja mes Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu

    Paqja më në fund është rikthyer midis Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu. Pas tensioneve pas Kupës së Botës për Klube dhe fjalëve të kapitenit drejtuar qartë turkut, e ardhmja e të cilit u finalizua vetëm ditët e fundit, kthimi i të dy lojtarëve në Milano ofron një mundësi për të sqaruar situatën, njëherë e përgjithmonë.
    Vetë argjentinasi është ai që po mendon për këtë, pasi është rikthyer në qytet dhe është takuar me mesfushorin për të vulosur përfundimisht paqen, e cila u “festua” edhe në rrjetet sociale. Numri 10 i zikaltërve postoi një storie me Calhanoglu në Instagram, të dy dukshëm të relaksuar dhe të buzëqeshur.

    “Gjithçka është në rregull me Lautaron. Kur të kthehet, do ta përqafoj”, tha turku me të mbërritur në Appiano Gentile për fillimin e kampit stërvitor të zikaltërve. Plani i kapitenit ishte i qartë për të gjithë: të takohej me mesfushorin për të sqaruar çështjet pas komenteve të hidhura në SHBA dhe talljeve në mediat sociale.
    Dhe me ardhjen e numrit 20, në fije të perit deri pak ditë më parë, takimi me siguri do të ketë shërbyer gjithashtu për të mbajtur motivimin lart përpara sezonit të ardhshëm, me Interin që përballet me një cikël të ri me Chivun në stol.
    Dhe fotografia e postuar në rrjetet sociale është një imazh prekës për tifozët të cilët, pas javëve të fundit të trazuara, mund të marrin frymë lirisht dhe t’i afrohen sezonit 2025-26 me disa shqetësime më pak. Tani, fusha do të flasë, me zikaltrit e thirrur të përgatiten për një sezon që kërcënoi të kishte një fillim të vështirë me një dhomë zhveshjeje plot polemika. Një situatë e vështirë e shmangur nga Chivu, i cili tani thirret për të formësuar Interin e tij.
    ()

  • AEK – Beer Sheva: Grekët këndojnë për Palestinën

    AEK – Beer Sheva: Grekët këndojnë për Palestinën

    Grupimi ‘Origjinal 21’ shpalos flamurin palestinez dhe akuzon shtetin izrealit për luftën në Lindjen e Mesme.

    Gjatë ndeshjes kualifikuese të Ligës së Konferencës kundër ekipit izraelit Hapoel Beer Sheva, tifozët grekë të AEK Athinë shpalosën flamuj palestinezë në tribuna dhe kënduan për Palestinën.

    Një situatë e cila padyshim nuk do të kalojë pa vendime të Disiplinës në UEFA dhe që dukshëm do të nxisë reagime dhe nga tifozët e skuadrës izrealite në të kthimit. Pavarësisht se nuk do të luhet në Izrael.

    Ndërkohë kjo sfidë e turit të dytë u vendos nga një gol i grekëve në minutën e Filipe Relvas në minutën e 50′ për 1-0 final. Për t’u kujtuar Hapoel Ber Sheva luajti për dy edicione në Kupat e Europës me Laçin. E para në 2019 (1-1,1-0) e fundit në 2020 në Elbasan (1-2).

    Vazhdo leximin

  • Gol apo autogol? Serie A vendos një ditë pas…ndeshjes

    Gol apo autogol? Serie A vendos një ditë pas…ndeshjes

    Gol i kujt? Autogol? Edhe për sezonin 2025/26, Liga Serie A ka komunikuar zyrtarisht “Udhëzuesin për shënimin e dyshimtë”, ose kriteret, në përputhje me ato të FIFA-s dhe UEFA-s, që përdoren për të përcaktuar autorin e një goli shkruan Sportmediaset.

    Kur është një autogol në Serie A?

    1 – Kur një lojtar pa dashje e godet topin direkt në portën e tij. Në rast se një lojtar e godet topin pa dashje, një shkelje ose një përpjekje e e gabuar për ta larguar topin që kërkon pjesëmarrjen aktive të mbrojtësit.

    2 – Kur një lojtar devijon nga porta e tij, një gjuajtje, një krosim ose një pasim nga një kundërshtar nuk i drejtohet pamjes së portës. Gjuajtjet në kuadratin e portës, të cilat shmangen nga një mbrojtës në mënyrë natyrale ose instinktive, nuk konsiderohen si rezultat autogol.

    Gjuajtja e devijuar nga një bashkëlojtar, goli i kujt është?

    1 – Në rastin e një gjuajtjeje në portë dhe që devijohet pa dashje në rrjetë nga shoku i vet, shënimi do t’i caktohet gjuajtësit. Nëse në vend të kësaj, një gjuajtje e drejtuar jashtë zonës së portës godet një shok të vet dhe përfundon në rrjetë, autorësia e golit i atribuohet autorit të prekjes së fundit.

    2 – Kur një gjuajtje e drejtuar në kuadrat devijohet në rrjetë nga një shok, pjesëmarrja aktive e të cilit në lojë modifikon trajektoren e topit, autorësia e golit do t’i caktohet këtij të fundit.

    La Lega Serie A komunikon se “do të shqyrtojë rastet e dyshimit ditën tjetër të çdo raundi të kampionatit duke publikuar në faqen e saj të internetit vendimet e marra. Në rast të mungesës së sigurisë mbi destinacionin përfundimtar të një gjuajtjeje brenda portës, shënimi do t’i atribuohet gjuajtësit”.

    Vazhdo leximin