Laert Vasili, aktori i njohur dhe ish-banori i Big Brother VIP 4, ka ndarë së fundmi një episod të dhimbshëm nga jeta e tij, një aksident që i ka lënë gjurmë fizike dhe emocionale.
Gjatë një interviste për emisionin “Hipokrati”, ai tregoi se dikur është përballur me një aksident të frikshëm me motor, ku humbi kontrollin dhe u përplas në mes të natës, duke fluturuar plot 22 metra. Si pasojë, pësoi një frakturë në këmbë dhe një zhvendosje të rruazës së shtyllës kurrizore. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1998 dhe aktori kujton se gjithçka ndodhi në një moment turbullie dhe mungese shikimi të qartë.
Për veten time kam shkuar në spital kur ka ndodhur ndonjë tragjedi. Për shembull përplasje me motor, fluturoj 22 metra, bie në tokë, thyej këmbën, zhvendoset një rruazë e shtyllës kurrizore, në ’98-ën kjo. Se si më doli diçka përpara. Ishte natë, nuk shihja, isha dhe pak turbullt.
Përtej këtij momenti dramatik, Laerti kujtoi edhe një tjetër aspekt interesant të jetës së tij: fëmijërinë. Ai pranoi se dikur i pëlqente të ishte sëmurë, thjesht për të shmangur mëngjeset e hershme, orët e mësimit apo fizkulturën. Ishte një mënyrë për të gëzuar disa ditë pushim dhe përkëdhelje në divan.
Day: July 19, 2025
-

Laert Vasili tregon aksidentin e rëndë me motor: Fluturoi 22 metra dhe përfundoi në spital me fraktura
-

Kaos pas koncertit të Beyoncé në Atlanta: Një insekt, një britmë dhe 11 të plagosur në stacionin e metrosë
Ajo që duhej të ishte një mbrëmje magjike për fansat e Beyoncé në Atlanta, përfundoi në skena kaosi dhe paniku. Pas përfundimit të koncertit të saj në stadiumin Mercedes-Benz më 15 korrik, një rrëmujë shpërtheu në stacionin e metrosë Vine City, duke lënë të plagosur të paktën 11 persona.
Shkak për gjithë situatën? Një britmë nga një vajzë 10-vjeçare që, sipas mediave, ishte trembur nga një insekt. Në sekonda, turma nisi të vraponte në panik drejt shkallëve lëvizëse, të cilat, për fat të keq, përshpejtuan dhe ndaluan menjëherë, duke shkaktuar përplasje të shumta.
Pamjet që qarkullojnë në rrjet tregojnë trupa të rrëzuar, një këmbë të gjakosur dhe njerëz që ndihmonin njëri-tjetrin në një skenë që ngjante më shumë me një film katastrofë sesa me një mbrëmje koncerti. -

VIDEO/ Shishe në fushë dhe përplasje fizike, miqësorja mes Elbasanit dhe Pogradecit përfundon me sherr masiv
Takimi miqësor i zhvilluar në “Elbasan Arena” mes AF Elbasanit dhe Pogradecit, i cili përfundoi me rezultatin e barabartë 2-2, nuk kaloi pa incidente. Pavarësisht natyrës miqësore të ndeshjes, tensionet u rritën në minutat e fundit duke përfshirë jo vetëm futbollistët në fushë, por edhe tifozët në tribuna.
Shkak për përplasjet u bë sjellja provokuese e njërit prej lojtarëve të Pogradecit, i cili me gjeste dhe fjalë u përpoq të provokonte kundërshtarët në disa raste gjatë ndeshjes. Kjo çoi në reagime të ashpra duke kulmuar me momente tensioni si në fushë, ashtu edhe në tribuna, ku pati përplasje fizike dhe ndërhyrje nga stafet respektive për të qetësuar situatën.Pavarësisht incidenteve, fatmirësisht nuk pati pasoja serioze, ndërsa organizatorët shpresojnë që raste të tilla të shmangen në ndeshjet e ardhshme, për të ruajtur frymën sportive që duhet të karakterizojë ndeshjet miqësore.
() -

Usyk një legjendë: I pamposhtur dhe sërish kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë
Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk është sërish kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë. Në përballjen e zhvilluar në “Wembley” të Londrës, ai mundi me KO në raundin e pestë britanikun Daniel Dubois.
Usyk e hodhi dy herë në tapet rivalin në këtë raund, që herën e dytë nuk arriti dot të ngrihej dhe gjyqtari e ndali sfidën. Ky është suksesi nr.24 në karrierë për Usyk, i pamposhtur në karrierën e tij, duke mbajtur të gjithë titujt e kësaj peshe.Një përballje që u dominua nga Usyk, që në të gjitha raundet pati një epërsi të lehtë, duke u mbrojtur mirë dhe duke dhënë goditje të forta. Dubois nuk arriti të rivalizojë, duke u mundur edhe më herët se në përballjen e parë.
Tashmë Usyk i mban sërish të gjithë titujt e peshës së rëndë, ato WBC, WBO e WBA që i kishte, duke i marrë Dubois edhe atë IBF. Britaniku pësoi humbjen e tretë në karrierën e tii (ka edhe 22 fitore) dhe dy prej tyre i ka ndaj ukrainasit.Dubois ishte shumë larg asaj që pritej dhe hakmarrja që synonte sot dështoi (e ka humbur edhe sfidën e parë mes tyre, dy vite më parë). Usyk ishte në formë të jashtëzakonshme, duke treguar teknikë të mirë dhe fuqi të madhe grushtuese.
VIDEO E NOKAUT
Duket se taktika që përdori Usyk ishte efikase, duke u mbrojtur mirë dhe grushtet që i dha britanikut e dobësuan shumë këtë të fundit.
Të shumtë mbështetësit e tij në stadium, që shijuan këtë triumph, duke konfirmuar se Usyk është më i miri. -

LAJMI I FUNDIT: Oleksandr Usyk rrezikon të humbasë një shumë marramendëse menjëherë pas nokautimit brutal të Daniel Dubois
Oleksandr Usyk mund të humbasë një shumë marramendëse nga paratë e tij menjëherë pas fitores së tij me nokaut ndaj Daniel Dubois të shtunën në mbrëmje.
Usyk, 38 vjeç, hyri në përballje për titullin e padiskutueshëm të peshave të rënda me një rekord profesional të patëmetë, ndërsa Dubois, 27 vjeç, kishte pësuar më parë një humbje me nokaut kundër ukrainasit në gusht 2023, si dhe kishte provuar humbjen kundër Joe Joyce në vitin 2020.
Por klasa e veteranit shkëlqeu në raundin e pestë kur një dorë e majtë e la britanikun të paaftë të vazhdonte.
Sigurisht, si në shumicën e ndeshjeve të profilit të lartë, tifozët kanë pyetur veten se sa do të paguhen dyshja për përpjekjet e tyre në ring.
Sipas Daily Express, të dy boksierët do të shohin bilancet e tyre bankare të rriten ndjeshëm të dielën në mëngjes.
Edhe pse nuk është konfirmuar, janë bërë vlerësime që sugjerojnë se Usyk do të marrë në shtëpi rreth dy të tretat e fondit me një pagesë prej 100 milionë paund, ndërsa Dubois do të marrë 50 milionë paund – një rekord në karrierën e londinezit.
Shifrat janë shumë larg fondit të marrë për ndeshjen e parë të dyshes në Poloni në vitin 2023.
Dy vjet më parë, Usyk thuhet se fitoi 4.4 milionë paund, ndërsa Dubois mori më pak se gjysmën e shumës.
Dhe nga shumat e mëdha që morën këtë herë, të dy boksierët pritet të humbasin një shumë të madhe për shkak të një arsyeje pak të njohur.
The Mirror raporton se Dubois pritet të humbasë rreth gjysmën e shumës së tij për shkak të zbritjeve tatimore dhe të sigurimeve kombëtare. Pretendohet se britaniku do të duhet të paguajë rreth 23.6 milionë paund taksa.
Më herët këtë javë, ish-kampioni i botës në peshat super të mesme, Carl Froch, foli për SPORTbible dhe zbuloi se luftëtarët humbasin gjithashtu një shumë marramendëse në tarifat e paguara bordeve të boksit që miratojnë ndeshjet.
Froch tha: “Ata marrin një përqindje, dhe është deri në 3 ose 4% nga ajo që mbaj mend kur luftoja.
“Shumë shpesh, varësisht nga sa fiton, promotorët bëjnë marrëveshje me bordet e boksit. Është gjithçka zyrtare dhe mbi të gjitha. -

Skandali në SHBA, CEO i Astronomer jep dorëheqjen pas zbulimit të lidhjes jashtëmartesore në koncertin e Coldplay
Një ngjarje e pazakontë ka tronditur jo vetëm rrjetet sociale, por edhe botën e biznesit në SHBA. Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas një skandali publik që shpërtheu gjatë një koncerti të grupit Coldplay në Boston.
Gjatë performancës në stadiumin “Gillette”, përpara më shumë se 55 mijë spektatorëve, fytyrat e buzëqeshura të Byron dhe të Kristin Cabot – me të cilën dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore – u shfaqën në ekranin gjigant të skenës. Reagimi i tyre i sikletshëm dhe përpjekja për t’u fshehur nga kamerat u bë virale në internet, duke ndezur diskutime të shumta mbi marrëdhënien e tyre dhe ndikimin në jetën profesionale.
Pas ngjarjes, kompania Astronomer, e vlerësuar me mbi 1.3 miliardë dollarë, publikoi një deklaratë zyrtare ku konfirmonte dorëheqjen e Byron: “Liderët tanë priten të jenë shembull si në sjellje, ashtu edhe në përgjegjësi. Së fundmi, ky standard nuk u përmbush. Andy Byron ka paraqitur dorëheqjen dhe Bordi e ka pranuar atë”, thuhej në njoftim.
Përkohësisht, detyrën e CEO-s do ta mbajë bashkëthemeluesi dhe drejtori i produktit, Pete DeJoy, ndërsa kompania nis kërkimet për një drejtues të ri.
Byron kishte marrë drejtimin e Astronomer në korrik të vitit 2023, ndërsa kompania njihet si një pionier në fushën e DataOps dhe inteligjencës artificiale. Megjithëse emri i saj tani është lidhur me një skandal, drejtuesit kanë theksuar se angazhimi ndaj klientëve dhe produktit mbetet i pandryshuar.
Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, ndërsa pamjet nga stadiumi janë parë nga miliona përdorues.Top Channel
-

Frikë në “zemër” të Francës! 150 persona të maskuar sulmojnë autostradën me molotovë dhe shufra hekuri, 9 policë të plagosur në përplasjet e dhunshme
Limoges, një qytet në Francën qendrore, u shndërrua në një skenë dhune të egër në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur dhjetëra persona të maskuar, të armatosur me shufra hekuri, koktej molotov, fishekzjarre dhe sende të tjera të forta, sulmuan automjete në një segment të rëndësishëm rrugor dhe u përplasën me forcat e rendit.
Sipas autoriteteve, mes 100 dhe 150 individë morën pjesë në këtë akt dhune, i cili u përshkallëzua në një përplasje të drejtpërdrejtë me policinë në rrugën RN141. Në përpjekje për të marrë kontrollin e zonës dhe për të bllokuar qarkullimin, sulmuesit u përballën me forcat e policisë që përdorën gaz lotsjellës dhe mjete kontrolli të turmës për t’i shpërndarë.
Sipas sindikatës lokale të policisë, në përplasje u plagosën nëntë efektivë. Ndërkohë, prokuroria njoftoi se janë sulmuar edhe automjete civile, përfshirë makina me familje dhe fëmijë brenda, por fatmirësisht nuk raportohen të lënduar nga radhët e qytetarëve, ndonëse shumë prej tyre kanë mbetur të traumatizuar.
Kryetari i bashkisë së Limoges, Émile-Roger Lombertie, e përshkroi ngjarjen si një “luftë urbane të organizuar”: “Nuk ishte një protestë spontane. Nuk pati asnjë arsye të deklaruar. Ishte një akt për të shkatërruar gjithçka dhe për të treguar kontroll mbi territorin”, tha ai.
Zona e Val de l’Aurence, e cila përflitet për lidhje me trafik droge dhe banuar kryesisht nga të rinj me prejardhje emigrante, ishte skenë trazirash edhe gjatë natës së 14 Korrikut, ditës kombëtare të Francës. Megjithatë, prokurorja Émilie Abrantes deklaroi se aktualisht nuk ka prova që lidhin këtë ngjarje me hetimet e fundit për trafik droge në rajon.
Ministria e Brendshme franceze ka reaguar menjëherë, duke njoftuar vendosjen e një njësie të veçantë sigurie në Limoges për të rikthyer rendin dhe për të parandaluar përshkallëzime të mëtejshme.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe vjen në një moment delikat për Francën, në kulmin e sezonit turistik, duke rikthyer debatin për sigurinë, integrimin dhe kontrollin ndaj grupeve të dhunshme të organizuara.Top Channel
-

Sherr në plazhin e Kavaleshencës, përplasje fizike mes dy të rinjve dhe punonjësit të plazhit
Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur pasditen e sotme në plazhin e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme (i njohur si Kavaleshenca) në Durrës, ku janë përfshirë disa pushues dhe një punonjës i plazhit që kujdesej për rregullin në plazh dhe mirëmbajtjen e çadrave.
Përplasja ka nisur pas një paralajmërimi që punonjësi i plazhit u ka bërë dy të rinjve, të cilët po luanin me top pranë zonës së çadrave, duke shqetësuar pushuesit e tjerë. Kjo ka shkaktuar një debat verbal, i cili më pas ka degraduar në dhunë fizike.
Sipas burimeve, punonjësi u ofendua dhe u shty nga të rinjtë, duke e hedhur në tokë. Situata u përshkallëzua për pak minuta, por fatmirësisht u neutralizua falë ndërhyrjes së pushuesve të tjerë, shumica e të cilëve janë punonjës policie, që ndodheshin pranë dhe arritën të qetësonin palët.
Në lidhje me konfliktin nuk ka pasur asnjë njoftim në policinë e Durrësit, duke e mbyllur rastin me aq, por për disa pushues të pranishëm ngjarja është tejet shqetësuese pasi lidhet me sigurinë në një plazh që duhet të jetë nga më të sigurtët.Top Channel
-

Media Zvicerane ngre alarmin: Aeroporti i Vlorës rrezik për mjedisin e sigurinë ajrore! Rrezikon dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Faqja kryesore informative e Bluewin, pjesë Swisscom — kompania më e madhe e telekomunikacionit në Zvicër ka shkruar një shkrim në lidhje me aeroportin e Vlorës që pritet të hapet në gusht. Në shkrim ngrihet alarmi se për shkak të hijeve që kanë mbuluar ndërtimin e saj në një zonë ku banojnë qindra specia mund të rrezikojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Rreziqet për sigurinë dhe ndikimin politik mbi drejtësinë po hedhin hije mbi bum-in e planifikuar turistik.
Shkrimi i Fabienne Berner
Një projekt aeroporti me firmë zvicerane po vë Shqipërinë nën presion: mbrojtja e shpendëve, rreziqet për sigurinë dhe ndikimi politik mbi drejtësinë po hedhin hije mbi bum-in e planifikuar turistik.
Aeroporti i ri i Vlorës, në jug të Shqipërisë, pritet të hapet në gusht dhe synon të rrisë turizmin rajonal me rreth 600,000 pasagjerë në vit.
Ka kritika të ashpra nga grupet për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, sepse ndërtimi po bëhet në një zonë të ndjeshme për shpendët dhe thuhet se janë anashkaluar kërkesat ligjore.
Projekti financohet kryesisht nga kompania ndërtuese zvicerane Mabetex, me seli në Lugano, e cila është gjithashtu përgjegjëse për ndërtimin.
Por aeroporti është tejet i kontestuar: po ndërtohet në mes të një strehe shpendësh, ku banojnë qindra specie, përfshirë flamingot dhe pelikanët e rrezikuar. Mjedisorët dhe shkencëtarët e kanë kritikuar ashpër vendndodhjen dhe e kanë akuzuar qeverinë shqiptare për shmangie të ligjeve kombëtare.
Ekspertët gjithashtu paralajmërojnë për rreziqe të shtuar sigurie: numri i madh i shpendëve në zonë mund të përplaset me avionët dhe të shkaktojë incidente të rrezikshme. Rreziku nga fatkeqësitë natyrore si përmbytjet nuk është marrë parasysh në vlerësimin e ndikimit mjedisor.
Në Tiranë, organizatat mjedisore po protestojnë para Gjykatës së Lartë, e cila ende mund të ndalojë hapjen e aeroportit. Kritikët thonë se vendimi po vonohet për shkak të ndikimeve politike – një akuzë që vë në pikëpyetje sundimin e ligjit në Shqipëri. Kjo, nga ana tjetër, mund të rrezikojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. /Shkrimi i plote/
-

‘Plas lufta’ në Ksamil, dy biznesmenë në konflikt për çadrat në plazh! Skena dhune në bregdet,shokohen pushuesit
Konflikti për shfrytëzimin e një hapësirë plazhi ka degraduar në përplasje fizike mes dy biznesmenëve që aktivitetin e tyre e ushtrojnë në bregdetin e Ksamilit, duke dhuruar skena të patolerueshme për pushuesit në mes të sezonit turistik.
Dy biznesmenë, njëri pronar i një lokali dhe tjetri pronar i një hoteli janë përfshirë në një sherr për shfrytëzimin e hapësirës së plazhit.
Sherri që duket që nuk ka lindur sot por është i mbartur është mesAlbert Pashaj pronar i “Euro Hotel” në Ksamil dhe Agim Taraj pronar i “Sunset Beach bar”po në Ksamil.
Syri TV ka siguruar një video të ngjarjes që mendohet se ka ndodhur sot në mesditë kur pranë plazhit shihet një person i mbuluar me gjak në fytyrë dhe një tjetër që largohet.
Personi i gjakosur është Albert Pashaj, i cili në një moment merr në dorë dhe një tullë. Personi që largohet është Agim Taraj
Ndërkohë në video dëgjohet zëri i një gruaje të tronditur që duket se mund të jetë dhe ajo që filmon që i drejtohet personin që largohet me: Plehër.
E gjithë skena e potolerueshme e dhunës ka ndodhur paraditen e së shtunës (19 korrik 2025) në sy të dhjetëra pushuesve të cilët janë shokuar dhe frikësuar nga skena.
Zona e lakmuar nga dy pronarët për të vendosur çadra, ndodhet në hyrje të vijës bregdetare të Ksamilit, dhe është caktuar nga bashkia si hapësirë për plazh publik.
Pashaj pretendon se është hera e dytë që dhunohet, pasi është goditur nga Taraj edhe në 6 qershor në afërsi të të njëjtit vend.
Nga ana tjetër familjarët e Agim Tarajt akuzojnë pronarin e “Euro Hotel Ksamil”, Albert Pashai se ka nisur konfliktin pasi së bashku me familjarë të tij, është paraqitur në ambientet e ‘Sunset Restorant Ksamil’ në pronësi të Agim Tarajt dhe ka hedhur pije në tokë e fyer kamarierin. Pas këtij veprimi, kamarieri ka reaguar duke e goditur fizikisht.
Në pamje shihen karrige përtokë dhe xhama të thyer. Familjarët thonë se Agim Tafaj nuk ka qenë pjesë e konfliktit, ndryshe nga si është raportuar, por është shoqëruar në polici vetëm si person në dijeni.
Policia ende nuk ka dhënë detaje për këtë konflikt, dhe aktualisht hapësira e plazhit që ka shkaktuar konfliktin është plazh publik.