Day: July 16, 2025

  • Zuckerberg në gjyq, investitorët kërkojnë 8 miliardë dollarë për shkelje të privatësisë në Facebook

    Zuckerberg në gjyq, investitorët kërkojnë 8 miliardë dollarë për shkelje të privatësisë në Facebook

    Një padi kolektive prej 8 miliardë dollarësh e ngritur nga investitorë kundër drejtorit ekzekutiv të Meta, Mark Zuckerberg, dhe drejtuesve të tjerë të kompanisë, filloi të mërkurën në Gjykatën e Kancelarisë së Delaware. Padia vjen si pasojë e skandalit të privatësisë së vitit 2018, që përfshiu firmën e konsulencës politike Cambridge Analytica.
    Investitorët pretendojnë se Meta nuk i informoi plotësisht për rreziqet që të dhënat personale të përdoruesve të Facebook-ut do të keqpërdoren nga Cambridge Analytica. Ata akuzojnë drejtuesit e kompanisë se shkelën në mënyrë të përsëritur një urdhër të vitit 2012 nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), i cili kërkonte ndërprerjen e mbledhjes dhe ndarjes së të dhënave të përdoruesve pa pëlqimin e tyre. Aksionerët thonë se Facebook i shiti më pas këto të dhëna partnerëve komercialë.

    Si pasojë e skandalit, Facebook pagoi një gjobë prej 5.1 miliardë dollarësh për të zgjidhur akuzat e FTC-së, si dhe arriti një marrëveshje privatësie prej 725 milionë dollarësh me përdoruesit. Tani, investitorët kërkojnë që Zuckerberg dhe drejtuesit e tjerë të rimbursojnë kompaninë për gjobën e lartë dhe kostot e tjera ligjore, duke e çuar dëmin total në mbi 8 miliardë dollarë.
    Gjyqi pritet të zgjasë tetë ditë dhe në të do të dëshmojnë vetë Mark Zuckerberg dhe ish-drejtoresha e operacioneve, Sheryl Sandberg. Kompania tentoi të rrëzonte padinë, por Gjykata e Lartë e hodhi poshtë ankimimin, duke lejuar vazhdimin e çështjes. AP

  • Euro Women’s/ Xhireli dërgon Italinë në gjysmëfinale

    Euro Women’s/ Xhireli dërgon Italinë në gjysmëfinale

    Italia për femra bëhët gjysmefinalstja e parë e Euro Women’s qe po luhet né Zvicër që prej 2 korrikut 2025.

    Ne duelin me Norvegjinë kapitenia Xhireli bëri diferencën pasi në minutat 50′ dhe 90′ shënoi dy herë. Më heret nordiket barazuan privizorisht me Hegerberg (66′) mirpo në limite veteranja axure goditi saktë me kokë për 1-2 final.

    Vazhdo leximin

  • Rritet në 1 milionë lekë granti i vetëpunësimit, aplikimet vetëm online

    Rritet në 1 milionë lekë granti i vetëpunësimit, aplikimet vetëm online

    Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa të rëndësishme në programin e nxitjes së vetëpunësimit, me qëllim që të mbështesë më tej sipërmarrjet e reja. Ndryshimi kryesor është rritja e grantit të ofruar për ngritjen e biznesit, si dhe përcaktimi i kritereve dhe procedurave të reja për aplikantët.
    Çfarë ndryshon për aplikantët?
    Masa e subvencionimit për ngritjen e biznesit rritet ndjeshëm, duke arritur deri në 1 000 000 (një milion) lekë.
    Sipas vendimit, punëkërkuesit të papunë nuk duhet të kenë marrë pjesë në programet e nxitjes së punësimit në 5 vitet e fundit.
    “Aplikimi për programin do të bëhet tani ekskluzivisht online, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”, thuhet në vendim.
    Sa i përket ndryshimeve në dokumentacion, kërkohet paraqitja e një “Vërtetimi për individ të paregjistruar”, ndërsa afatet kohore për disa procedura të procesit të aplikimit zgjaten nga 5 në 10 ditë pune.
    Përveç këtyre, vendimi rrit edhe vlerën e një subvencioni tjetër më të vogël, nga 3 000 në 5 000 lekë.

  • 101 vite Shërbim Shëndetësor Ushtarak, Kingji: Vitet e fundit, hapa thelbësorë për rritjen e kapaciteteve

    101 vite Shërbim Shëndetësor Ushtarak, Kingji: Vitet e fundit, hapa thelbësorë për rritjen e kapaciteteve

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji përkujtoi sot 101-vjetorin e Shërbimit Shëndetësor Ushtarak.
    “Shërbimi shëndetësor ushtarak ka qenë pjesë e pandarë e Forcave të Armatosura që prej 16 korrikut 1924, në paqe dhe krizë, brenda e jashtë vendit, duke përbërë një hallkë mjaft të rëndësishme për gatishmërinë operacionale të Forcave të Armatosura”, theksoi Kingji, në një postim në rrjetet sociale.
    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA nënvizoi se, “vitet e fundit janë ndërmarrë hapa thelbësorë për rritjen e kapaciteteve, përmes trajnimeve të shumta brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrjes në stërvitje ndërkombëtare dhe përmirësimit të infrastrukturës, përfshirë laboratorët e rinj të inauguruar së fundmi”.
    Në këtë përvjetor, Kingji vlerësoi të gjithë ata që shërbejnë dhe kanë shërbyer ndër vite në këtë strukturë, mjekë, ndihmësmjekë dhe infermierë ushtarakë, për kontributin e tyre të çmuar në çdo repart, stërvitje apo operacion.

  • Vrasja makabre e 23-vjeçarit Renis Dobra, Karamuço zbulon detaje: Kanë marrë pjesë shumë persona

    Vrasja makabre e 23-vjeçarit Renis Dobra, Karamuço zbulon detaje: Kanë marrë pjesë shumë persona

    Gazetari Ervin Leka dhe eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuco folën për vrasjen makabre të 23-vjeçarit në Shkopet, Renis Dobra.
    Gazetari Leka ka bërë një pasqyrim të ngjarjes së rëndë, duke dhënë detaje edhe në lidhje me zanafillën e këtij krimi të rëndë. Leka tha se dyshohet që konflikti ta ketë zanafillën në Gjermani.
    “Katër persona të përfshirë në këtë ngjarje janë deklaruar nga ana e policisë, por ka dyshime se ka edhe persona të tjerë të përfshirë. Tre vëllezërit e arrestuar dhe miku i tyre janë persona të skeduar me precedentë kriminalë”, tha Leka
    Ndërsa shtoi se gjithashtu ka dyshime për persona të tjerë të përfshirë.
    “Vrasje me paramendim në bashkëpunim”, kështu e ka cilësuar eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço.

    Gjatë intervistës, ai tha se kanë marrë pjesë shumë persona në këtë ngjarje që kanë lënë edhe gjurmë.
    “Sa më shumë persona të marrin pjesë është mundësia më e madhe për të lënë gjurmë. Në atentat kanë marrë pjesë shumë persona. Dy të tjerë janë ende në arrati dhe mendohet që janë autorët kryesorë”, tha mes të tjerash ai.

  • “Thethi nuk ka nevojë për rruspa”, Vangjeli: Shteti duhej të zgjidhte problemin e pronës, të çonte ujë dhe energji

    “Thethi nuk ka nevojë për rruspa”, Vangjeli: Shteti duhej të zgjidhte problemin e pronës, të çonte ujë dhe energji

    Analisti Lorenc Vangjeli u shpreh me nota kritike në Log, News 24 ndaj aksionit të qeverisë në Theth për prishjen e ndërtimeve pa leje.
    Sipas tij, Thethi nuk ka nevojë për rruspa dhe buldozerë por për ujë dhe energji elektrike dhe të ishte zgjidhur më parë çështja e pronës.
    Nga ana tjetër kritik ishte edhe ndaj shkarkimeve masive të drejtorëve në bashkitë e vendit, por shton se një gjë e tillë duhej të ndodhte, por jo në këtë mënyrë si po vepron kryeministri, pasi ai po e trajton Shqipërinë si një bashki e vetme.
    Vangjeli: Për ta kuptuar më mirë, duhet të ballafaqohet me të shkuarën. Ka patur klimë armiqësore në 2005-2011 kur Rama ishte kryebashkiak me zotin Berisha. Transpozoni këtë të sotmen me atë periudhë. Berisha të shkonte në bashki të fliste si administrohet bashkia, edhe polici bashkiak do i thoshte nuk lejohet të hysh këtu. Një ndarje e qartë e dy pushteteve, kanë pavarësi relative. Sot nuk na bën përshtypje, se edhe kryeministri dhe kryetari bashkisë janë e njëjta forcë. Këtu dalim te tradita më e hershme shqiptare, ku pushteti politik i merr të gjitha. Sillet edhe si kryebashkiak i bashkisë së Shqipërisë. E trajton Shqipërinë si një bashki e vetme. Ka një shkelje në frymë dhe përmbajtje të ligjit. Pjesa tjetër a ka të drejtë. Ana tjetër.
    A duhet të ikin një pjesë e madhe, e këtyre lloj administratorësh, pa dyshim. A është kjo mënyra e duhur? Jo. Reforma e kontrollit të territorit është përdorur kaq shpesh, dhe kaq shpesh shohim rruspa dhe buldozerë. Më kujton kohën e shkuar, kazmën kur i këndonim. Kazma shkatërron nuk ndërton. Jemi autodestruktivë. Ndërto dhe shkatërro. Në Theth shteti duhej të zgjidhte problemin e pronës. Duhej të siguronte furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
    Sa herë që shpërthen tritoli, një rruspë bëhemi më të varfër. Merremi me lloj gjërash dhe nuk merremi me një gjë të thjeshtë. Duhej të çonte, energji, ujë dhe një copë letër.

  • Akademi për trajnimin e bashkive në vend, Arbjan Maznikun në krye të saj

    Akademi për trajnimin e bashkive në vend, Arbjan Maznikun në krye të saj

    Këshilli i Ministrave, në vendimet e marra ditën e sotme, ka vendosur Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, në krye të bashkive vendase.
    Kështu, qeveria ka miratuar ngritjen e një strukture të re të përbashkët me bashkitë, që do të shërbejë si qendër trajnimi për administratën vendore. Akademia e Pushtetit Vendor do të angazhohet në zhvillimin profesional të të gjithë punonjësve të bashkive, nga drejtuesit më të lartë deri te stafi bazë.
    Institucioni do të drejtohet nga një komitet i përbërë nga përfaqësues të bashkive dhe të qeverisë, nën koordinimin e Ministrit të Pushtetit Vendor. Bashkitë do të kontribuojnë financiarisht për funksionimin e Akademisë, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e shpenzimeve për tre vitet e para.
    Qëllimi është rritja e kapaciteteve dhe performancës së administratës vendore, me synim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

  • SHBA thirrje Damaskut: Tërhiqni trupat nga Sweida

    SHBA thirrje Damaskut: Tërhiqni trupat nga Sweida

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Damaskut të tërheqë trupat e tij nga Swedia me qëllim qetësimin e situatës.

    “Ne i bëjmë thirrje qeverisë siriane të tërheqë ushtrinë e saj, në mënyrë që të lejojë të gjitha palët të ç’tensionojnë situatën”, ka thënë Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce, pas përplasjes së trupave qeveritare dhe luftëtarëve vendas dhe Druze në qytet.
    /vizionplus.tv

  • Sulmi rus vret dy persona dhe plagos 27 të tjerë në lindje të Ukrainës

    Sulmi rus vret dy persona dhe plagos 27 të tjerë në lindje të Ukrainës

    Një sulm nga forcat ruse të mërkurën në një qendër tregtare dhe treg në Dobropillia, një qytet pranë vijës së frontit të luftës, vrau dy persona, plagosi rreth 27 të tjerë dhe shkaktoi dëme të mëdha, thanë zyrtarët.

    Vadym Filashkin, guvernatori i rajonit lindor të Donjeckut, tha se një bombë 500-kilogramësh u hodh në orën 17:20, kur qytetarët ishin nëpër dyqane.
    Ai tha se dy persona humbën jetën dhe 22 u plagosën, ndërsa tetë blloqe banimi dhe tetë automjete u shkatërruan. Video të postuara në internet shfaqnin zona rreth qendrës tregtare në flakë dhe tym.

    “Zjarrfikësit po shuajnë zjarrin pasi ekziston mundësia që ende të ketë njerëz brenda qendrës tregtare”, tha Filashkin për televizionin ukrainas.
    “Okupuesi e hodhi bombën në një kohë kur Dobropillia ishte plot me njerëz. Shumë ishin duke bërë pazar. Okupuesi e shënjestroi qëllimisht qendrën tregtare. Të gjitha qendrat tregtare përreth janë shkatërruar ose dëmtuar”, shtoi ai.
    Shërbimet kombëtare të emergjencës së Ukrainës deklaruan se numri i të plagosurve ishte 27.
    Filashkin më herët kishte thënë se rreth 30 stenda tregtare ishin dëmtuar.
    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke folur në fjalimin e tij të përnatshëm me video, e përshkroi sulmin si “thjesht terror i tmerrshëm dhe idiot nga Rusia. Nuk ka logjikë ushtarake në këto sulme, vetëm përpjekje për të marrë sa më shumë jetë njerëzish”.
    Dobropillia ndodhet në veriperëndim të Pokrovskut, një pikë kyçe e avancimit të ngadaltë rus drejt perëndimit të rajonit të Donjeckut prej muajsh.
    Një sulm me raketa, raketahedhës dhe dronë në Dobropillia në mars kishte vrarë 11 persona, përfshirë pesë fëmijë./REL

  • Dyshime për hetimet e Epstein/ Trump ofendon mbështetësit e tij: Naivë, ratë pre e mashtrimit të majtë radikal

    Dyshime për hetimet e Epstein/ Trump ofendon mbështetësit e tij: Naivë, ratë pre e mashtrimit të majtë radikal

    Në një postim të gjatë në platformën e tij Truth Social, Trump akuzoi përkrahësit e tij se kanë rënë pre e një “mashtrimi të majtë radikal” të orkestruar nga kundërshtarët politikë për ta diskredituar atë.
    “Mashtrimi i ri do të quhet përgjithmonë Mashtrimi Epstein, dhe përkrahësit e MIJËHERSHËM e kanë gëlltitur këtë budallallëk me gjithë grep, fill dhe plumb,” shkroi Trump të mërkurën. “Këta dobësira nuk kanë mësuar asgjë, dhe me gjasë nuk do të mësojnë kurrë, edhe pas 8 vitesh mashtrime nga e Majta e Çmendur.”
    Ai shtoi: “Le të vazhdojnë këta të dobët dhe të bëjnë punën e Demokratëve. As mos guxoni të flisni për sukseset tona të jashtëzakonshme dhe të paprecedenta – nuk dua më mbështetjen e tyre!”
    Reagimi i Trump vjen mes një rritjeje të presionit nga baza e tij konservatore, e cila kërkon publikimin e dokumenteve të quajtura “Dosjet Epstein” dhe akuzon administratën se po fsheh informacione për të mbrojtur elitën e pasur me të cilën Epstein ishte i lidhur – përfshirë vetë Trump-in, sipas The Guardian.
    Disa nga teoritë më të përhapura midis përkrahësve të Trumpit sugjerojnë se Epstein nuk vrau veten në burg në vitin 2019, por u vra për të mos zbuluar emrat e njerëzve të fuqishëm të përfshirë në rrjetin e tij të abuzimit seksual.
    Në komente të tjera në Truth Social, disa përdorues e akuzuan Trump-in për mungesë transparence. “Po humb përkrahësit më besnikë, zoti President,” shkruante një komentues. Një tjetër e pyeste drejtpërdrejt: “Pse po mbron pedofilët?”
    Të martën, Trump u përpoq ta zvogëlonte rëndësinë e çështjes duke e quajtur hetimin “të mërzitshëm”, por shtoi se do të mbështeste publikimin e çdo dokumenti “të besueshëm”, pa dhënë hollësi se çfarë konsideron si të tillë. “Nuk kuptoj pse rasti Epstein është me interes për këdo,” tha ai para gazetarëve. “Është diçka e ndyrë, por e mërzitshme.”
    Trump, gjatë fushatave të kaluara, ka nxitur teori konspirative për ekzistencën e një “deep state” – një elitë e fshehtë që kontrollon qeverinë – duke ushqyer paranojën brenda bazës së tij.
    Javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI njoftuan se një rishikim i dosjes së Epstein konfirmoi se ai kishte vrarë veten dhe se nuk kishte një listë klientësh që mund të publikohej. Megjithatë, shumë republikanë nuk janë të bindur dhe kërkojnë transparencë të plotë nga Trump dhe qeveria amerikane.