Day: July 14, 2025

  • Udhëheqësi Ram,  si gjeli në majë të inceneratorit që sulmon Gjelin e Thethit  (II)

    Udhëheqësi Ram, si gjeli në majë të inceneratorit që sulmon Gjelin e Thethit (II)

    Nga Ilir DAKO
    Udhëheqësi Ram në kuadër të turit të tij misionar, pasi shkarkoi gjithë xhiinsin e drejtorëve, nënkryetarëve dhe funksionarëve lokalë nëpër bashkitë e Shqipërisë, ju turr policisë dhe më pas kërcënoi sërish prokuroren Gjeli.  Misionari i përzgjedhur  nga i plotëfuqishmi për shpëtimin e shpirtrave të shqiptarëve nga mëkatet e demokracisë ka vendosur ta kyçcë këtë nocion të gabuar, këtë sistem skandaloz, duke vënë gjithçka nën sistemin e tij unilateral. Tani tërë pushteti i shqiptarëve do të burojë nga dora e udhëheqësit Ram, i cili ka marrë përsipër të ushtrojë të gjitha fuqitë e tij hyjnore mbi pushtetet e pavarura nga komanda e ekzekutivit. Pas pushtetit ekzekutiv mori pushtetin lokal dhe me dashuri sublime po kërcënon pushtetin gjyqësor. Ky është udhëheqësi Ram, Mesia i Ri që po ushtron misionin e tij hyjnor si një forcë mistike që komandon universin shqiptar me  dhuntitë e tij mbinjerëzore.
    Thethi u spastrua. Pas Thethit sot u sekuestrua një pallat në Vlorë. Kioskat, rrumpallat dhe karakatinat metalike po hiqen nga hapësirat publike të Tiranës, pavarësisht se u vunë poshtë syve të tij, të cilat nuk kishin vendosur syzet për të parë se ç’ndodhte në Tiranën e tij. Kioskat kanë qenë aty, ku janë dhe sot, aty ku ai pinte kafen e mëngjesit, apo dhe linte takimet e punës. Udhëheqësi Ram u ndriçua në një moment historik  dhe si misionar ju turr kioskave, duke hedhur në erë  punësimin e mijëra njerëzve që kanë të lidhur jetën me këtë lloj ekonomie.
    Për misionarin Ram nuk përbën problem e ardhmja e kësaj shtrese të shoqërisë që nxjerrin jetesën nëprmjet këtij punësimi. Udhëheqësi Ram shikon më larg, këta njerëz do jenë të lumtur në parajsë dhe duhet ta shikojnë me optimizëm këtë momentum, i cili do të konsiderohet nga misionari si investim për parajsë.
    Gjithçka që bëri më sipër është një kokër qershie në tortën e udhëheqësit Ram, në raport me inkuizicionin që nisi dje ndaj shitësve të qumështit. Policë, tatimorë, bashkliakë, deputetë dhe gjithë tufa e dishepujve të misionarit  ju turrën pleqve, plakave, katunarëve, qytetarëve dhe gjithkujt që mbante çantat me shishe qumështi, tufa majdanozi, dy koqe domate apo dhe një qese me kastraveca të cilëve ju sekuestruan dhe u konsideruan evazionistë. Tirana u çlirua. Ska më pisllëqe, s’ka m  evazionistë, ska më  kioska, s’ka më biznese të paligjshme. Vetëm një hyjni mund ta bënte këtë dhe ky është Udhëheqësi Ram, i cili me vullnetin e mirë dhe shpirtin e tij hyjnor i ktheu paqen qytetit.
    A ju kujtohet në kohën e pandemisë? Si na shpëtoi me atë zërin e thellë plot përgjërim sikur fliste vetë Zoti, ku na thoshte lani duart, lani fytyrën, dizifektohuni!
    Kishte vepër më sublime dhe sakrificsë më të madhe  kur nxorri tanket nëpër rrugë që ndiqnin koronavirusin cep më cep. Falë vullnetit të misionarit Ram, kovidi nuk gjeti vend ku të futej nga qëndrimi heroik i ushtrisë sonë legjendare, e cila luftoi dhëmbë më dhëmbë, lagje më lagje, rrugicë më rrugicë e shpi më shpi, duke shfarosur këtë të keqe të madhe. Fati i madhe i shqiptarëve që ekzistonte ky hyjni që ne jemi ende gjallë sot e kësaj dite nga kovidi që nxorri dhëmbët për të na kafshuar.
    Udhëheqësi Ram nuk kursen lekët e shqiptarëve vetëm për të vënë ligjin në vend. Për të ligji është universal, i pagabueshëm dhe vetëm ne humanët mundohemi ta devijojmë. E pa Becketin në shkelje ligji, e përzuri si qen bir qeni, vërtet po paguan 150 milionë euro, por ama vullneti i misionarit u zbatua me  vënien në vend të ligjit. I prishi pallatin Lulzim Bashës dhe i pagoi plot 15 milionë euro, por qytetarët e Vlorës nuk do shikojnë me sytë e tyre një shkelje ligjore si ai ndërtim antiligjor dhe kjo falë vullnetit hyjnor të udhëheqësit Ram. E kështu me radhe kemi parë sesi gërvishi me matrapik pallatet e oligarkëve të tij,  me dhjetë kate shtesë dhe më pas bëri 2020 që i legalizoi. Hoqi kioskat nga parku Rinia, ama i ngjiti në majë të piramidës, duke bërë një katrahurë urbanistike, një miksazh kaotik, por që në mendjen e tij mbinjerëzore është një abstraksion modernist.
    Ditë në vijim priten furtuna të tjera mbi biznese dhe jo biznese, do kemi sulm me policë dhe me civilë mbi shtresa të ndryshme të shoqërisë, me qëllimin e vetëm  për tu shndërruar në  qytetarë modelë nën udhëheqje e sektit të misionarit Ram.
    Rruga e Ramës drejt hyjnizimit të shoqërisë shqiptare dhe mishërimit në të, të vlerave pozitive do të jetë e gjatë, e mundimshme, por me të ardhme të shkëlqyer.
    Ditën e djeshme plot të drejtë udhëheqësi Ram ju rikthye sërish problemit të drejtësisë. Nga mbledhja me stafet e Tiranës i lëshoi psikamën e misionarit prokurores Gjeli. Ai i bëri të qartë se, i ka vënë në ndjekje këmbë pas këmbe policinë e shtetit për të zbuluar grupin armiqësor që fshihet pas kësaj magjistrate që guxon të bëjë detyrën e vet jashtë udhëzimeve që rrjedhin nga misioni i Udhëheqësit Ram. Sërish misionar i kujtoi dishepullit të tij, Judë Manja, që të ndjekë çështjen në KLP deri në përzënien nga funksioni i prokurores,  ecila po kthehet në një çiban në rrugën e purifikimit të shoqërisë shqiptare mbi projekti e misionarit.
    Mbiemri Gjeli i prokurores si padashje atashohet me inceneratorët që janë investuar nga dishepujt e Edi Ramës me taksat e shqiptarëve rreth 200 milionë euro(aproximative), për të cilat misionari betohet e stërbetohet se janë në punë. Padyshim që nuk mund të vihet në dyshim fjala e udhëheqësit. Në fakt prokurorja Gjeli është në detyrën e saj si prokurore e Republikës, ndërkohë që udhëheqësi Ram  rri në majë të inceneratorëve dhe këndon si gjel mbi malin e plehrave  në Sharrë që po kthehen në bombë  urbane.
    Pasi mbylli ditën e punës së lodhshme, të mundimshme por dhe fisnike u ngjit në majë të Surrelit dhe së bashku me misionaren Lindë u amëshuan në paqe të plotë pasi tymosën nargjile dhe një verë 120 mijë euro të sjellë si dhuratë nga Agasi i klanit Poja. Misionari u zhyt në një gjumë të thellë me një buzëqeshje fëminore në fytyrë që rrezatonte mirësinë e një njeriu paqësor të dlirë dhe të çlirët. Të ruajtë zoti udhëheqësi Ram dhe gjumë të ëmbël dhe pafsh enderra me gjelle pasanikesh.

  • Vetëdeklarimi i adresës në e-Albania me dokumente pronësie do të jetë i detyrueshëm

    Vetëdeklarimi i adresës në e-Albania me dokumente pronësie do të jetë i detyrueshëm

    Çdo qytetar me vendbanim apo vendqëndrim në Shqipëri do të ketë detyrimin të bëjë vetëdeklarimin e adresës së banimit nëpërmjet e-Albania.Por me qëllim vërtetimin që qytetari banon në adresën e deklaruar do të ketë detyrimin të ngarkojë dokumentin e pronësisë së apartamentit, apo të kontratës së qirasë për ata që banojnë në qira.E njëjta procedurë do të zbatohet edhe për rastet e ndryshimit të adresës së vendbanimit, ku qytetarët do të duhet të ngarkojnë çdo dokument të ligjshëm që provon vendbanimin apo vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.Mënyra e paraqitjes së kërkesës për deklarimin e adresës së banimit apo ndryshimit të saj përcaktohen në vendimin “Për përcaktimin e mënyrës së paraqitjes së kërkesës, të dokumentacionit të nevojshëm, të rregullave për deklarimin dhe ndryshimin e vendbanimit ose të vendqëndrimit të shtetasve, si dhe për shtetasit në institucionet shëndetësore dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”. Vendimi hyri në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.“Shtetasit me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit në rrugë elektronike (on-line), në portalin qeveritar “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm, që provon vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar”, theksohet ndër të tjera në vendim.Zyrat e gjendjes civile, nga ana tjetër, janë të detyruara të verifikojnë saktësinë e adresave dhe të njoftojnë qytetarët brenda 24 orëve në rast të mungesës së dokumentacionit, të cilin qytetarët duhet ta plotësojnë brenda 3 ditëve.Vendimi po ashtu përcakton se të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, që plotëson të gjitha elementet e adresës, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë.Në rastet kur një person kërkon të regjistrohet në një familje ekzistuese, kërkesa duhet të konfirmohet online nga kryefamiljari. Ndryshimi i adresës nga një anëtar i rritur i familjes kërkon gjithashtu shkëputjen nga familja ekzistuese në sistemin elektronik.Vendimi po ashtu përcakton se institucionet shëndetësore dhe ato të ekzekutimit të vendimeve penale, kur mbajnë shtetas për më shumë se tre muaj, kanë detyrimin të raportojnë automatikisht pranë gjendjes civile për vendqëndrimin e tyre. Pas daljes nga këto institucione, njoftimi për përditësim të adresës duhet të bëhet brenda 5 ditëve.Vendimi (i plotë) Shtetasit me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit në rrugë elektronike (on-line), në portalin qeveritar “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm, që provon vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.Shtetasi, i cili kërkon të banojë në një familje ekzistuese, paraqet kërkesën në rrugë elektronike (on-line), nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Kjo kërkesë duhet të konfirmohet nga kryefamiljari i familjes pritëse në portalin qeveritar “e-Albania”, duke respektuar standardet e banimit, të miratuara nga legjislacioni në fuqi.Dokumentet e ngarkuara nga shtetasi në shërbimin elektronik në portalin qeveritar “eAlbania” ruhen në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.Deklarimi, ndryshimi ose saktësimi i vendbanimit, me kërkesë të kryefamiljarit, pasqyrohet njëkohësisht për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.Anëtari madhor i familjes, i cili kërkon të ndryshojë vendbanimin, më parë duhet të kryejë procedurën e veçimit nga familja.Të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, që plotëson të gjitha elementet e adresës, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë.Shtetasi ka detyrimin të deklarojë vendqëndrimin e tij, përveç rasteve të parashikuara në pikën 8 të këtij vendimi.Për shtetasit, që kryejnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale apo qëndrojnë në institucionet e paraburgimit në pritje të vendimit gjyqësor për më shumë se 3 (tre) muaj dhe shtetasit që qëndrojnë pa ndërprerje në institucione shëndetësore për kurim mjekësor afatgjatë dhe kur qëndrimi në këto institucione zgjat më shumë se 3 (tre) muaj, institucioni përgjegjës duhet të paraqesë, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga plotësimi i afatit të mësipërm, pranë zyrës së gjendjes civile, që ka në juridiksion territorial institucionin përkatës, listën emërore të tyre, e cila duhet të përmbajë emrin, mbiemrin dhe numrin personal.Kur përfundon qëndrimi i shtetasve në një nga institucionet e përcaktuara në pikën 8 të këtij vendimi, institucioni përkatës njofton zyrën e gjendjes civile, që ka në juridiksion territorial lidhur me këtë fakt, brenda 5 (pesë) ditëve.Shkëmbimi i të dhënave, sipas pikave 8 dhe 9 të këtij vendimi, kryhet me ndërveprim nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit.Në rastet kur konstatohet se anëtarët e së njëjtës familje kanë adresë vendbanimi të ndryshme nga njëri-tjetri, nëpunësi duhet të kryejë saktësimin e të dhënave të vendbanimit.Me ndryshimin e vendbanimit të shtetasve, nga zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative kryhen përditësimet e përbërësve të tjerë të gjendjes civile, si elementet e adresës së vendbanimit dhe numri i votimit.Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, në rastin kur konstatojnë se ka mangësi në dokumentacion për deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit, njoftojnë brenda 24 (njëzet e katër) orëve shtetasit për plotësimin e dokumentacionit nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga zyra e gjendjes civile bëhet nga shtetasit brenda 3 (tri) ditëve nga njoftimi.Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, në rastin kur konstatojnë se adresa e shtetasit nuk përmban të gjitha elementet e adresës, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë, njoftojnë, brenda 24 (njëzet e katër) orëve, shtetasit për plotësimin e dokumentacionit nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga zyra e gjendjes civile bëhet nga shtetasit brenda 3 (tri) ditëve nga njoftimi.Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, kur konstatojnë element të pasaktë të adresës, që mund të rregullohet prej tyre, e saktësojnë këtë element kryesisht, pa qenë nevoja për aplikim nga ana e shtetasit. 16. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit apo zyra që mbulon shtetësinë dhe refugjatët njofton shërbimin e gjendjes civile për çdo akt që krijon, shuan apo ndryshon të drejta lidhur me vendqëndrimin e shtetasve të huaj me leje qëndrimi, të shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose të mbrojtjes plotësuese, si dhe të personave pa shtetësi.Nëpunësi i zyrës së gjendjes civile, pas marrjes së dokumentacionit dhe të kërkesës nga shtetasit apo nga institucionet që e kanë këtë detyrim ligjor, bën deklarimin ose ndryshimin e adresës së shtetasit të huaj në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes civile, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për të huajt.Vendimi nr. 1243, datë 11.12.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumenteve, që duhen të paraqesin shtetasit, e të procedurave që duhet të kryejnë zyrat e gjendjes civile, në bashki/ njësi administrative dhe institucionet shtetërore të posaçme, për ndryshimet e vendbanimit/adresës së shtetasve”, të ndryshuar, shfuqizohet.Ngarkohen Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.D.Azo  Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Raporti Loredana – Jozi dhe poezia misterioze që ndezi debat në emision

    Raporti Loredana – Jozi dhe poezia misterioze që ndezi debat në emision

    Në puntatën e fundit të emisionit “She’s On Top”, e ftuar speciale ishte Loredana Brati, ish-banore e spektaklit Big Brother VIP Albania, ku u komentua shumë edhe për raportin e saj me Joz Markun.
    Menjëherë pas nisjes së emisionit, Visjan Ukcenaj nuk nguroi të ngacmonte atmosferën, duke i kujtuar Loredanës se një nga konkurrentet e këtij sezoni i kishte shkruar Jozit një poezi. Konkurrentja në fjalë ndërhyri menjëherë për të sqaruar se ata nuk ndiqen në Instagram dhe se poezia ishte shkruar thjesht në mënyrë miqësore.
    Loredana reagoi me qetësi dhe maturi, duke i dhënë edhe një këshillë vajzës:“Shpirt, mua ai ma shkruajti, kaq ka rëndësi. Mos bëj për një mashkull, por më mirë të jetë mashkulli ai që bën për ty.”

  • Vajza e Agron Llakajt flet për humbjen e nënës: Babi çdo ditë i çon lule, humbëm boshtin e familjes

    Vajza e Agron Llakajt flet për humbjen e nënës: Babi çdo ditë i çon lule, humbëm boshtin e familjes

    Vajza e Agron Llakajt, Alkida Llakaj ishte pjesë e panelit të emisionit Top Story në Top Channel.
    E prekur, ajo rrëfeu dhimbjen e madhe që po kalojnë si familje që në momentin që mësuan diagnozën e nënës.
    Ajo shprehet se babai i saj, aktori i njohur i humorit i çon çdo ditë lule në vendin ku prehet.
    “Sa vite ka im atë në skenë unë i kam në jetë, pothuajse 40 vjet është dalja ime e parë televizive, isha shumë e dyzuar, unë s’isha emocionalisht mjaftueshëm e fortë për të folur për babin sepse e kam kudo të asociuar kudo me mamin, qoftë edhe në telefonin tim unë i kam të dy të pandashëm, ashtu dua t’i mbaj gjithmonë pranë zemrës sime. Janë 3 vite që për ne kanë qenë një sfidë, ka qenë mes korriku ku ne morëm një diagnozë fatale të mamit dhe deri sot që flasim janë 3 vite pikëllim, për ne është si të jesh brenda një humnere për shkak të humbjes sonë, kemi humbur boshtin e familjes. Postimet e babit nuk janë të hiperbolizuara, shkon përtej kësaj, prej ditës që mami është larguar nga jeta, babi e viziton çdo ditë, në rastet kur është dashur të jetë jashtë Tiranës më ka thënë Alkida tek mami, sigurisht unë shkoj edhe pa ma lënë porosi. Kam njohur një dimension të jashtëzakonshëm, human të tij”, tha Alkida Llakaj.

  • Kontratë për gjashtë sezone, Real Madrid prezanton mbrojtësin

    Kontratë për gjashtë sezone, Real Madrid prezanton mbrojtësin

    Real Madrid ka transferuar mbrojtësin Alvaro Carreras nga skuadra e Benficas.Carreras ka firmosur një kontratë, të vlefshme deri në 30 qershor 2031.
    Lajmi është bërë i ditur së fundmi nga Los Blancos, në një postim në rrjetet sociale.

    “Real Madrid C.F. dhe Benfica kanë arritur një marrëveshje për transferimin e Álvaro Carreras, i cili do të qëndrojë me klubin tonë për gjashtë sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2031.
    Álvaro Carreras erdhi nga akademia e të rinjve të Real Madridit, ku luajti midis viteve 2017 dhe 2020 në nivelet U-23 dhe të të rinjve”- shkruan klubi.

  • Dashuria e Agron Llakajt pas humbjes së gruas, rrëfimi prekës i Alkidës

    Dashuria e Agron Llakajt pas humbjes së gruas, rrëfimi prekës i Alkidës

    Vajza e aktorit të njohur të humorit, Agron Llakaj, Alkida Llakaj, ishte e ftuar në panelin e emisionit Top Story në Top Channel, ku rrëfeu për momentet e vështira që po kalon familja e tyre.
    E prekur nga situata, Alkida ndau me publikun dhimbjen e madhe që nisën ta ndiejnë që nga momenti kur mësuan diagnozën e nënës së tyre.
    “Janë tre vite sfidë për ne, prej kur në korrik morëm këtë lajm fatkeq për mamanë. Që atëherë, çdo ditë është një pikëllim i madh. E kemi humbur boshtin e familjes,” tha Alkida me lot në sy.
    Ajo tregoi gjithashtu një anë të ndjeshme të babait të saj, i cili prej ditës kur mami u largua, viziton çdo ditë vendin ku ajo prehet dhe i çon lule.
    “Postimet e babit nuk janë thjesht fjalë, ato janë një dëshmi e dashurisë dhe humanizmit të tij. Edhe kur duhet të jetë jashtë Tiranës, më thotë: ‘Tek mami jam’, dhe unë shkoj pa pritur urdhër,” rrëfeu Alkida.
    Ajo përshkroi babain si një person me një dimension të jashtëzakonshëm human, duke theksuar lidhjen e ngushtë që ka me të dy prindërit, të cilët i mban gjithmonë pranë zemrës.

  • Goditi dy lojtarë të Romës, gjobitet Zaniolo

    Goditi dy lojtarë të Romës, gjobitet Zaniolo

    Gjobë prej 15 mijë eurosh për Nicolo Zaniolon, sa i takon incidentit në ndeshjen e kampionatit të të rinjve, mes Romës dhe Fiorentinës.
    Asokohe, Zaniolo ishte pjesë e ekipit violë të Serie A, ndërsa ishte larguar nga kryeqytetasit, jo në mënyrë paqësore.

    Zaniolo, pasi hyri në dhomën e zhveshjes së Romës pas ndeshjes, goditi me shuplakë lojtarin Mattia Almaviva, dhe më pas e shtyu lojtarin Marco Litti, duke i shkaktuar lëndime fizike të dyve.
    Si pasojë, 26-vjeçari u akuzua për shkelje të Nenit 4, paragrafi 1, dhe Nenit 38 të Kodit Italian të Drejtësisë Sportive.
    Futbollisti në fillim zgjodhi të justifikohej, por në fund pranoi fajësinë, me çështjen që u mbyll pas më shumë se 45 ditësh.

  • Roza Lati për nënën e saj, Rita Latin: E kam parë gjithmonë si Merlin Monroe-n time

    Roza Lati për nënën e saj, Rita Latin: E kam parë gjithmonë si Merlin Monroe-n time

    Moderatorja dhe aktorja Roza Lati foli me emocion në emisionin “Top Story” për figurën ikonike të nënës së saj, Rita Lati, një emër i dashur për publikun shqiptar dhe një aktore me karrierë të jashtëzakonshme në humorin shqiptar.
    Roza e përshkroi mamanë si një “aktore koketë”, që ka shkëlqyer në çdo rol, por veçanërisht në ato më të guximshmet, si personazhet mashkullore apo rolet e “plakave”.
    “Mamit i shkonte shumë ai imazh me flokët biondë e buzët e kuqe, si Merlin Monroe. Prandaj edhe unë e adhuroja Merlinin, sepse më dukej si mami im,” rrëfeu Roza me ndjeshmëri.
    Por jeta artistike e Ritës nuk ka qenë gjithnjë e lehtë. Pas largimit nga estrada, ajo nisi të krijonte skeçe me aktorin Behar Mera, me të cilin ndante një kimi të jashtëzakonshme në skenë, aq sa publiku besonte se ishin çift edhe në jetën reale.
    “Mua më quanin vajza e Beharit, kujton me humor Roza. Një herë një organizator i pyeti: ‘Goca, kujt i ka ngjarë, Beharit apo Ritës?’ dhe mami menjëherë ia preu: ‘Zotëri, ajo është Besa, gruaja e Beharit’.”

  • Zyrtare/ Asllani rinovon kontratën, qëndron te skuadra deri në vitin 2029

    Zyrtare/ Asllani rinovon kontratën, qëndron te skuadra deri në vitin 2029

    Fisnik Asllani ka rinovuar kontratën me Hoffenheim. Sulmuesi 22-vjeçar nga Kosova dhe klubi i Bundesligës kanë gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin dhe do të vijojnë së bashku të paktën deri në vitin 2029.
    Pavarësisht se palët kishin një kontratë deri në qershor të vitit 2026, u pa e arsyeshme të vazhdohet edhe më tej me bashkëpunimin.

    “Jam shumë i lumtur që kam zgjatur kontratën time me Hoffenheim. Pas huazimeve të mia gjatë dy viteve të fundit, ndjeva se udhëtimi im me Hoffenheim nuk kishte mbaruar ende. Jam shumë i motivuar dhe dua të provoj veten në Bundesligë” – tha ai pas firmës.
     

  • Martini me tre të dëmtuar, rrezikojnë edhe sfidën e kthimit të Vllaznisë

    Martini me tre të dëmtuar, rrezikojnë edhe sfidën e kthimit të Vllaznisë

    Te Vllaznia momentalisht përveç rezultatit 0-1 të ndeshjes së parë kundër Daugavpils, duket se shqetësojnë edhe lëndimet e futbollistëve. Në 90 minutat e para kundër letonezëve nuk zbritën në fushë Jazxhi dhe Mala për shkak të shqetësimeve fizike.
    Me të parin që nuk ishte as në stol në këtë duel e teksa prizrenasi me “sforco” u aktivizua në minutën e 73-të duke zëvendësuar Salën. U dallua qartazi që ish-futbollisti i Partizanit nuk ishte në formën më të mirë fizike. Pavarësisht se nga cilësitë që mbart, 26-vjeçari arriti të krijonte 2-3 raste me vertikalizimet e tij për shokët e skuadrës.

    Përveç kësaj dysheje, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe para ndeshjes, ishte edhe Ardit Krymi që shfaqi probleme fizike. Me mesfushorin i cili kërkoi zëvendësimin në minutën e 60-të të takimit, pasi duket se nuk ishte në gjendje për të përballuar deri në fund. Dhe patjetër që trajneri Martini, për të mos rrezikuar asgjë, e zëvendësoi 29-vjeçarin me Mensah më pas.
    Një “dhimbje koke” për Martinin dhe stafin e tij, që gjatë kësaj jave, përveç ndeshjes së kthimit, duhet të mendojë edhe për dëmtimet. Janë 3 futbollistë kryesorë të skuadrës që ende nuk janë në 100% të formës së tyre fizike. Pavarësisht se shpresat janë të mëdha që të tre lojtarët të jenë në fushë në datën 17 korrik, kur do të luhet edhe ndeshja e kthimit në Letoni përballë Daugavpils.