Day: July 10, 2025

  • Xhixha në Algjeri, ja detajet …e transferimit

    Xhixha në Algjeri, ja detajet …e transferimit

    Tre ditë më parë ‘Sportiim.al’ njoftoi largimin nga Karabak, sot zyrtarizohet te Belouizdad në Algjeri.

    Sulmuesi kurbinas Redon Xhixha nënshkruan kontratë dy vjeçare me Chabab Riadhi Belouizdad në kampionatin algjerian. Për 26 vjeçarin i cili e ka angazhimin e dytë jashtë Shqipërisë kjo lëvizje konsiderohet efikase. Së paku në aspektin ekonomik ndërsa te ekipi i njohur algjerian do të përfitojë shumë më tepër se te Karabak.

    Sidoqoftë ekipi azer nuk është se ka dalë me duar bosh. Në kontratë është shkruar se kampionia e Azerbajxhanit ka ruajtur dhe 25% të kartonit të ish sulmuesit të Tiranës dhe Laçit.

    Me Belouizdad, Xhixha shkon në një momnet jo aq pozitiv pasi skuadra e mbylli kampionatin në vend të tretë pas MC Alger dhe Kabyile. /Sportiim.al/

    Vazhdo leximin

  • Qeveria miraton rregulla të reja për adresën/ Nga Veliaj te Meta, si i prek ligji i ri: Pas tre muajsh…

    Qeveria miraton rregulla të reja për adresën/ Nga Veliaj te Meta, si i prek ligji i ri: Pas tre muajsh…

    Qeveria shqiptare ka miratuar ndryshime të reja në procesin e regjistrimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit, me qëllim thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave.

    Vendimi parashikon që deklarimi, ndryshimi apo saktësimi i adresës të bëhet vetëm në mënyrë elektronike, përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
    Qytetarët duhet të ngarkojnë dokumente që vërtetojnë të drejtën e qëndrimit në adresën e deklaruar, si akt pronësie, kontratë qiraje apo marrëveshje përdorimi. Në rastet kur një shtetas kërkon të bashkohet me një familje ekzistuese, kërkesa dhe miratimi bëhen online nga kryefamiljari.
    Gjithashtu, çdo anëtar i një familjeje duhet të ketë të njëjtën adresë të regjistruar. Anëtarët madhorë që ndryshojnë adresën, duhet më parë të veçohen nga familja ekzistuese në regjistër.
    Rregulla të veçanta janë parashikuar edhe për shtetasit që ndodhen në burgje, paraburgime apo institucione shëndetësore për më shumë se tre muaj. Institucionet përkatëse duhet të njoftojnë gjendjen civile brenda afateve të përcaktuara, nëpërmjet platformës së ndërveprimit.

  • Sulmohet qendra mjekësore në Gazë, ndërrojnë jetë 10 fëmijë

    Sulmohet qendra mjekësore në Gazë, ndërrojnë jetë 10 fëmijë

    Një sulm ajror izraelit ka goditur palestinezë pranë një qendre mjekësore në Rripin e Gazës të enjten, duke vrarë 10 fëmijë dhe gjashtë të rritur, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

    Sulmi ndodhi në një kohë kur nuk duket se do të arrihet së shpejti ndonjë marrëveshje në bisedimet për armëpushim që janë duke u zhvilluar.
    Pamjet e verifikuara nga sulmi në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, shfaqin trupat e grave dhe fëmijëve të shtrirë në pellgje gjaku, raporton Reuters.
    Një video tjetër shfaq disa fëmijë të palëvizshëm të shtrirë mbi një karrocë gomari.
    “Ajo nuk bëri asgjë, ishte e pafajshme, betohem. Ëndrra e saj ishte që lufta të përfundonte dhe që ata të njoftonin sot, në mënyrë që ajo të kthehej në shkollë”, tha Samah al-Nouri, duke qëndruar pranë trupit të vajzës së saj që u vra në sulm.
    “Ajo thjesht po merrte trajtim në një qendër mjekësore. Pse i vranë?” tha ajo.
    Ushtria izraelite tha se e goditi një militant që kishte marrë pjesë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në Izrael, i cili e shkaktoi fillimin e luftës në Gazë.
    Hamasi është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera.
    Ushtria izraelite shtoi se është në dijeni të raportimeve për kalimtarë të plagosur dhe theksoi se po e heton këtë incident.
    Sulmi me raketë në Deir al-Balah ndodhi ndërsa negociatorët izraelitë dhe të Hamasit po zhvillonin bisedime me ndërmjetësit në Katar për një marrëveshje të propozuar për armëpushim 60-ditor dhe për lirimin e pengjeve.
    Një zyrtar i lartë izraelit tha të mërkurën se nuk pritej arritja e ndonjë marrëveshjeje për të paktën një ose dy javë, megjithatë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të enjten se është shpresëplotë për një marrëveshje.
    “Mendoj se jemi më pranë, ndoshta më afër se sa kemi qenë prej kohësh”, tha Rubio për gazetarët në samitin e ASEAN-it në Malajzi.
    Në disa runde bisedimesh indirekte mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas nuk është arritur ndonjë përparim që nga rifillimi i fushatës ushtarake izraelite në mars, pas një armëpushimi të mëparshëm.
    Sulmet e përsëritura nga forcat izraelite javët e fundit kanë vrarë qindra banorë të Gazës, shumë prej tyre civilë, dhe kanë plagosur mijëra të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
    Presidenti amerikan, Donald Trump, u takua këtë javë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të diskutuar situatën në Gazë.
    Zyrtari izraelit që ishte në Uashington me Netanyahun tha se, nëse të dyja palët pajtohen për planin e armëpushimit, Izraeli do ta përdorte atë periudhë për të ofruar një marrëveshje për paqe të përhershme që do të kërkonte çarmatosjen e Hamasit.

    Top Channel

  • Malltezi: SPAK e pranon, jemi në një proces që filloi me kallëzimin e rremë të Ballës

    Malltezi: SPAK e pranon, jemi në një proces që filloi me kallëzimin e rremë të Ballës

    Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, në një intervistë për Ora News, hodhi dritë mbi procesin për privatizimin e kompleksit ‘Partizani’ .

    Ai u shpreh se procesi i nisur fillimisht me një kallëzim të rremë nga Taulant Balla, tashmë është pranuar edhe nga SPAK, megjithatë, nuk po mbahen përgjegjës për këtë kallëzim. Malltezi theksoi se toka në fjalë i përket familjeve pronare dhe nuk ka pasur asnjëherë shpronësim ligjor.

    Ai shtoi se toka nuk ka qenë pronë e ish-klubit ‘Partizani’, i cili sipas tij, ka vepruar si “hajdut”, por nuk ka asnjë dokument zyrtar që ta vërtetojë këtë. Malltezi nënvizoi se kallëzimi penal nga Taulant Balla është i pabazë dhe se prokuroria ka nisur procedimin penal më 1 dhjetor 2020, në të njëjtën ditë me kallëzimin.

    Sipas Malltezit, dokumentacioni zyrtar provon se toka është blerë në mënyrë të ligjshme dhe se gjatë periudhës së komunizmit ka pasur tentativa të rekuizimit nga autoritetet italiane, por familjet pronare nuk janë pajtuar dhe nuk ka dokumente që tregojnë se shteti ka qenë pronar ligjor i kësaj toke.

    Ai përfundoi duke e quajtur shtetin “hajdut”, duke e krahasuar mënyrën se si shteti e mori tokën me veprimet e kryeministrit Edi Rama.

    Malltezi: 

    Ne jemi në një proces i cili filloi me një kallëzim të rremë të Taulant Ballës, siç edhe vetë SPAK e pranon tani ndonëse nuk pranon që Taulant Ballën ta mbajë përgjegjës.

    E pranon që toka është e familjeve pronare dhe nuk është shpronësuar asnjëherë.

    Tokën e familjeve pronare, nuk ishte toka e ish-klubit ‘Partizani’. Por klubi ‘Partizani’ ishte hajduti, nuk ka një copë letër e thotë aktakuza.

    Nuk kanë një copë letër akoma. Kjo është kallëzimi penal që ka bërë Taulant Balla.

    Vula sipër është vula me datë1/12/2020 kur Taulant Balla ka bërë kallëzimin.

    Vula poshtë është fillimi i procedimit penal, në të njëjtën ditë. Urdhërin Taulant Balla, lepepeqe prokuroria.

    Kanë gjetur dokumentin që në 35’, kontratën që është blerë toka. Kanë gjetur dokumenta që Italia ka bërë rekuizim dhe Italia ka tentuar që t’ua marri dhe këto nuk kanë pranuar. Është rekuizim gjatë kohës së Italisë. Gjatë kohës së komunizmit thotë nuk kemi asnjë dokument se si shteti u bë pronar i kësaj toke.

    Çka tregon se kjo tokë ka qenë jetë e mot tokë pronarësh.

    Pra shteti ishte hajduti. Si e mori shteti? Njëlloj siç e merr Edi Rama.

  • Gjatë shtatzënisë, truri i gruas zvogëlohet, por bëhet më i fuqishëm emocionalisht

    Gjatë shtatzënisë, truri i gruas zvogëlohet, por bëhet më i fuqishëm emocionalisht

    Skanimet MRI kanë treguar se gjatë shtatzënisë, disa pjesë të trurit të gruas zvogëlohen përkohësisht, sidomos ato që lidhen me ndjeshmërinë sociale dhe lidhjen emocionale.

    Sipas një studimi të publikuar në Nature Neuroscience, ky ndryshim nuk është humbje, por riformatim neurologjik që e ndihmon nënën të lidhet më thellë me foshnjën dhe të kuptojë më mirë sinjalet joverbale të saj.

    Reduktimi i lëndës gri ndodh veçanërisht në tremujorin e tretë dhe mund të zgjasë deri në 6 muaj pas lindjes.

    Por dendësia e neuroneve mbetet e paprekur “, funksioni i trurit jo vetëm ruhet, por përmirësohet në mënyra që mbështesin instinktin e nënës.

    Shkenca e quan këtë një “rregullim të hollë”, që i jep nënës një ndjeshmëri të shtuar dhe aftësi më të mprehta sociale, pikërisht çfarë i duhet në fazën e parë të mëmësisë.

  • Raporti zbulon kërcënimin e lartë iranian ndaj Britanisë së Madhe: I njëjtë si ai i Rusisë

    Raporti zbulon kërcënimin e lartë iranian ndaj Britanisë së Madhe: I njëjtë si ai i Rusisë

    Komiteti Parlamentar për Inteligjencë dhe Siguri i Britanisë së Madhe (ISC) ka nxjerrë në pah në një raport të fundit se kërcënimi që paraqet Irani ndaj Mbretërisë së Bashkuar është po aq serioz sa ai i Rusisë. Raporti thekson se Irani po ushtron frikësim aktiv ndaj disidentëve iranianë që jetojnë në Britani, përfshirë kërcënimin me sulme fizike dhe vrasje.

    Sipas raportit, Mbretëria e Bashkuar është një nga objektivat kryesore të sulmeve kibernetike iraniane, duke u renditur vetëm pas SHBA-ve dhe Arabisë Saudite. Sulmet vijnë nga aktorë të ndryshëm, duke përfshirë agjentë shtetërorë dhe aktorë privatë që veprojnë për interesa personale apo të inteligjencës iraniane. Sektorët më të rrezikuar janë ai petrokimik dhe i financave.

    Raporti përfundoi mbledhjen e provave në gusht 2023 dhe paraprin arrestimin e pesë iranianëve të dyshuar për përgatitje të sulmeve terroriste në Britani në maj. Kërcënimet ndaj disidentëve iranianë u rritën ndjeshëm pas protestave anti-qeveritare në Iran, të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Aminit në shtator 2022.

    Komiteti kritikon qeverinë britanike për një qasje të ngushtë dhe të përqendruar kryesisht në çështjen bërthamore të Iranit, duke lënë pas dore kërcënimet e tjera të mëdha që vijnë nga Irani. Po ashtu, mungesa e ekspertizës dhe burokracia janë pengesë për një politikë efektive.

    Në mars, qeveria britanike vendosi që i gjithë shteti iranian, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike dhe shërbimet e inteligjencës, të futet në një kategori të veçantë të regjistrimit të ndikimit të huaj. Kjo do të thotë se të gjithë ata që veprojnë në Britani me urdhër të Iranit duhet të regjistrohen, përndryshe përballen me deri në pesë vite burg.

    Drejtori i MI5 njoftoi se që nga fillimi i vitit 2022, Britania ka parandaluar 20 komplote të mbështetura nga Irani, që paraqesin kërcënime serioze ndaj qytetarëve britanikë.

    Kryetari i Komitetit ISC, Kevan Jones, tha se Irani është një kërcënim i gjerë, i qëndrueshëm dhe i paparashikueshëm për Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur si shërbimet e tij të inteligjencës ashtu edhe grupet ‘proxy’ kriminale dhe terroriste për të kryer sulme me rrezik minimal për veten.

    Raporti vjen në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe Perëndimit janë në rritje, ndërsa Britania përgatitet për sfida të mëtejshme në fushën e sigurisë kombëtare.

  • Veliera pëson defekt në Gjirin e Gramës, shpëtohen 3 personat në bord

    Veliera pëson defekt në Gjirin e Gramës, shpëtohen 3 personat në bord

     Një operacion i vështirë shpëtimi përfundoi me sukses në Gjirin e Gramës, ku një velierë me tre persona në bord pësoi defekt në motorë.

    Menjëherë pas sinjalit për ndihmë, anija e Forcës Detare, P-116 “BORA”, u angazhua dhe u nis drejt vendit të ngjarjes.

    Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Vlorës dhe Qendrën Kombëtare të Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit Detar (QKKSH), u zhvillua një operacion i koordinuar dhe i suksesshëm.

    Të tre personat u evakuuan të sigurt dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Veliera u rimorkua dhe u ankorua në portin e Himarës, duke siguruar kthimin e sigurt të ekuipazhit dhe anijes.

    .

  • Pse Rama u kujtua tani për Thethin? Ina Zhupa zbulon kulisat: Në lojë disa investitorë strategjikë, e duan…

    Pse Rama u kujtua tani për Thethin? Ina Zhupa zbulon kulisat: Në lojë disa investitorë strategjikë, e duan…

    Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e ftuar në  një studio televiziv, komentoi atë që po ndodh në Theth këto ditë.
    “E para është arroganca e një pushteti në mandatin e katërt, që nuk i intereson asgjë. Nuk i intereson imazhi i Shqipërisë, nuk i intereson jeta e qytetarëve dhe nuk i intereson zbatimi i ligjit. Kjo ndodh sepse nuk e var fatin politik te qytetarët”, tha fillimisht Zhupa.
    “E dyta, nga bindja që kam dhe informacionet që kam, në Theth po luhet me disa investitorë strategjikë, të cilët e duan zonën të boshatisur”, theksoi më tej deputetja demokrate.
    Sipas saj, këta investitorë janë “me shumë mundësi austriakë”.
    “Se cilët janë do t’i shikojmë në ditët në vijim. Asnjë lëvizje e Edi Ramës nuk është lëvizje për interes qytetar, por gjithmonë janë lëvizje që kanë mbrapa një interes klientelist. Mund të jetë lobim ndërkombëtar, mund të jenë para “cash”, mund të jenë interesa të lidhura me familjarë të tij, por asnjëherë nuk bën lëvizje për interes të qytetarit”, u shpreh Ina Zhupa.

  • Projekti te onkologjiku, 350 gra në vit do marrin protezë gjiri falas nga 2026

    Projekti te onkologjiku, 350 gra në vit do marrin protezë gjiri falas nga 2026

    Pas shumë vitesh kërkesë nga pacientet e diagnostikuara me kancer, për herë të parë në spitalin onkologjik shtetëror parashikohet financimi për ndërhyrjen rindërtuese të gjirit pas mastektomisë (heqjes së gjirit).Ky programi i ri i Ministrisë së Shëndetësisë do të mbulojë falas vendosjen e protezës së gjirit për 350 gra në vit, për vitet 2026-2028.Të dhënat për ofrimin dhe financimin e shërbimit për rikonstruksionin e gjirit janë bërë publike në “Projektdokumentin e programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2026-2028”.“Për herë të parë parashikohet një produkt i dedikuar për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit. Trajtimi me rikonstruksionin e gjirit për këto gra, tregon jo vetëm vëmendjen e veçantë ndaj tyre, por edhe krijimin e mundësisë për të pasur një jetë normale në vijim”, citohet në dokument.Deri më sot ky lloj shërbimi nuk është ofruar asnjëherë në spitalin publik të onkologjikut, pavarësisht kërkesës së grave që kishin kryer ndërhyrjet kirurgjikale për heqjen e gjirit, ndërsa kostoja e vendosjes së protezës në spitalet private mbetet e papërpallueshme për shumë paciente.Në klinikat apo spitalet private në vend kjo ndërhyrje kushton 5 mijë deri në 8 mijë euro. Ministria e Shëndetësisë llogarit që shpenzimet për 1 pacient të shkojnë 200 mijë lekë apo rreth 2 mijë euro.Nga financimi i programit të ndërhyrjes falas në spitalin publik parashikohet të përfitojnë 350 gra në vit, përgjatë viteve 2026-2028 me një kosto mesatare prej 70 mln lekë në vit.Fondi për shpenzimin e trajtimit të shërbimit do të mbulohet nga buxheti i shtetit.Modeli i financimit të kësaj ndërhyrjeje ndjek praktikat ndërkombëtare të disa shteteve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga viti 1998, ligji i njohur si “Akt për Shëndetin e Grave dhe të Drejtat e Kancerit” detyron kompanitë e sigurimeve të mbulojnë edhe ndërhyrjet rindërtuese pas heqjes së gjirit për shkak të kancerit. Kostoja për mbulimin e shërbimit ndryshon sipas shteteve.Pse mungon në spitalin publik operacioni për protezën e gjiritDeri më sot, ky shërbim nuk është ofruar asnjëherë në sistemin publik, për shkak të kostos së lartë dhe mungesës së fondeve. Në spitalet apo klinikat private në vend, një ndërhyrje e tillë kushton nga 7,000 deri në 8,000 euro, duke e bërë të papërballueshme për shumicën e grave të prekura.Shefja e shërbimit onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dr. Silvana Çeliku, ka deklaruar më herët për Monitor se spitali publik nuk ka mundur ta përfshijë këtë shërbim për shkak të fokusit te trajtimet bazike dhe kostos së lartë të ndërhyrjes. “Në disa raste, kjo ndërhyrje cilësohet edhe si kozmetike. Më e rëndësishme është që të sigurojmë mbulimin me trajtime bazike për pacientet”, u shpreh ajo.Sipas Çelikut, mënyra më e mirë për të shmangur ndërhyrje të tilla është zbulimi i hershëm i sëmundjes. “Është shumë e domosdoshme që çdo grua të bëjë të paktën një herë në vit një eko të gjirit, për të parandaluar agravimin dhe për të shpëtuar gjirin”, theksoi ajo./ D.Azo Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.