Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) nisjen e procedimit disiplinor ndaj prokurores së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Elsa Gjeli. Kërkesa vjen pas vendimit të prokurores Gjeli për mosfillimin e hetimeve në lidhje me rastin e vendosjes së 10 kabinave/kontejnerëve pa leje ndërtimi në Theth.
Rrethanat e çështjes
Sipas materialit të referimit të Ministrisë së Drejtësisë, më 7 korrik 2025, në media u raportua për vendosjen e 10 kabinave/kontejnerëve pa leje ndërtimi në lagjen Fushë-Theth, fshati Theth, në pronën e shtetases Lene Prroni.
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) i Bashkisë Shkodër, gjatë një kontrolli më 29 prill 2025, konstatoi ndërtim pa dokumentacion ligjor. Për këtë u hartua procesverbali, u mor vendimi për pezullimin e punimeve dhe më pas vendime për prishjen e objektit dhe gjobë administrative.
IMT njoftoi Policinë e Shkodrës për rastin më 30 prill 2025. Komisariati i Policisë Shkodër referoi kallëzimin penal nr. 827, datë 28 maj 2025, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” (neni 199/a i Kodit Penal), në ngarkim të Lene Prronit. Materiali u dërgua në Prokurori më 23 maj 2025.
Prokurorja Elsa Gjeli, me vendim të datës 30 maj 2025, vendosi mosfillimin e procedimit penal, brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer asnjë veprim hetimor apo verifikim në terren.
Argumentet e Ministrisë së Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë thekson se vendimi i prokurores Gjeli është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe praktikën e Gjykatës së Lartë. Argumentet kryesore janë:
Moskryerja e hetimeve të thelluara
Prokurorja vendosi mosfillimin brenda 48 orëve, pa kryer asnjë verifikim pranë organeve kompetente shtetërore që merren me administrimin e territorit. Ministria thekson se rasti i ndërtimit pa leje, veçanërisht në zona si Thethi, është kompleks dhe kërkon hetime të thelluara (këqyrje vendi, ekspertime, marrje deklarimesh).
Referimi në ligj të shfuqizuar
Prokurorja i është referuar ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i cili është shfuqizuar nga ligji nr.20/2020. Ky referim tregon “varfëri intelektuale në njohuritë mbi ligjin, mungesë trajnimi vazhdues në fushën e ligjit, njohuri të cunguara në fushën e ligjit dhe paaftësi profesionale.”
Mungesa e analizës së kuadrit ligjor të plotë
Prokurorja nuk ka analizuar ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe kërkesat specifike për ndërtime në zona të mbrojtura ose me përparësi për turizmin, siç është Thethi (zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit dhe pjesë e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”).
Paragjykim i hetimit dhe tejkalim i misionit
Vendimi i prokurores tregon “nxitim dhe paragjykim të hetimit, me një tendencë të qartë për të mos ushtruar ndjekje penale”.
Ministria thekson se misioni i prokurorit është të hetojë dhe të mbledhë prova, jo të japë një interpretim juridik përfundimtar të ligjit material pa kryer hetim.
Konkluzion i gabuar mbi anën subjektive
Është e papranueshme që prokurorja të konkludojë për mungesën e fajit si element i veprës penale vetëm duke analizuar materialin kallëzues, pa kryer veprime hetimore dhe pa marrë në konsideratë praktikën dhe jurisprudencën e Gjykatës së Lartë.
Ministria e Drejtësisë citon vendime të Gjykatës së Lartë (si vendimi nr. 00-2023-948 (104), datë 30.3.2023 dhe vendimi nr. 00-2024-1448 (209), datë 17.9.2024), të cilat theksojnë se vendimet për mosfillimin e procedimit penal duhet të merren brenda 15 ditëve dhe vetëm kur ekzistojnë rrethana të qarta dhe taksative që nuk kërkojnë hetime të thelluara. Në rastin konkret, çështja paraqitet komplekse dhe kërkon hetim të thelluar.
Kërkesa e Ministrisë bazohet në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, Kushtetutës dhe ligjeve të tjera që rregullojnë rolin dhe funksionin e prokurorit, duke theksuar se vendimi i prokurores Gjeli ka cenuar rregullat e ushtrimit të hetimit dhe duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të thelluar nga ILD.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
Ju mirëpresim!